• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, June 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Milika A., me të cilën banonim në një shtëpi, më denonconte tek i plotfuqishmi i lagjes, ose në Degën e Brendshme: ‘Nuk ka fotografinë e shokut Enver në shtëpi, sepse…”/ Dëshmia e Sofika Prifti Cara

“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
“Kur komandanti gjerman e kërcënoi se do i pushkatonte gruan dhe fëmijët, Et’hemi i tha…”/ Historia e ministrit të Financave, që ruajti thesarin dhe shpëtoi 300 qytetarë kavajas, nga internimi në Mat’hauzen
“Milika A., me të cilën banonim në një shtëpi, më denonconte tek i plotfuqishmi i lagjes, ose në Degën e Brendshme: ‘Nuk ka fotografinë e shokut Enver në shtëpi, sepse…”/ Dëshmia e Sofika Prifti Cara
“Milika A., me të cilën banonim në një shtëpi, më denonconte tek i plotfuqishmi i lagjes, ose në Degën e Brendshme: ‘Nuk ka fotografinë e shokut Enver në shtëpi, sepse…”/ Dëshmia e Sofika Prifti Cara
“Milika A., me të cilën banonim në një shtëpi, më denonconte tek i plotfuqishmi i lagjes, ose në Degën e Brendshme: ‘Nuk ka fotografinë e shokut Enver në shtëpi, sepse…”/ Dëshmia e Sofika Prifti Cara

Nga Sofika Prifti Cara  

Pjesa e nëntë

                                                             Të falësh…!

                                             – Fisi i vjetër Kavajas – CARA

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.

                                                         Vijon nga numri kaluar

                                                          ARRESTIMI I KUNATIT

Pesë vjet kishin kaluar nga arrestimi i Bardhit! Mendova se shteti komunist, më kishte lënë në harresë, por jo! U rikthyen të trokiturat në portën tonë. Ishin më të forta këtë here, se trokitjet e para! Erdhën prapë ata njerëz që kishin arrestuar e dënuar Bardhin: operativi Basri Basha, kryetari i Këshillit Popullor të lagjes, Fejzi Hoxha, një anëtar këshilli dhe dy policë! Këtë radhë ata kishin vënë në shënjestër vëllanë e Bardhit, Sabri Carën.

E akuzonin për; “agjitacion e propagandë”, që ishte “migrena” ose diagnoza më e preferuar, për të dënuar një pjesë të njerëzve, që ata i kishin vënë në lista. Ja se për çfarë akuzohej Sabriu: “Nuk kishte dëgjuar kongresin e partisë, që u bë në vitin ’70-’71”! Në të vërtetë, ai kishte parë e dëgjuar për atë kongres, në televizionin e ndërmarrjes, me kolektivin. Ishte organizuar nga ndërmarrja dëgjim i detyruar për të gjithë!

Kunati punonte gomist në parkun e makinave. Ishte mjeshtër gomash. Shkonte në punë gjithë dinjitet e, ishte shumë i rregullt në veshje. Kishte thënë diku; “s’ka djathë e qumësht”, por të gjithë e dinin, se çfarë nuk kishte në atë kohë! Kjo sajesë e dënoi Sabriun, me tetë vjet burg, dënim të cilin e kreu në Spaç të Mirditës. U ndodh atje në kohën e revoltave. Më e keqja ishte se njerëzit e Sigurimit, sajonin fjalë të paqena, shpikje të tmerrshme.

Kështu, për të përçarë njerëzit e shtëpisë, me gjithë ato halle që kishim, na thoshin: “Të dhënat i kemi nga njerëzit e shtëpisë…”! Ishte një nga qindra e mijëra manovra, që i përdorte ai sistem, për të futur sherrin dhe përçarjen në familje, me gënjeshtra nga më të stërholluarat. Sabriu ishte njeri i mirë, i vetë-mohuar, nuk shoqërohej me njeri. Pasi i qe dënuar i vëllai, Bardhi, me 15 vjet burg, rruga e tij ishte shtëpi-punë dhe anasjelltas, sepse ai regjim e gozhdoi fare.

Kur e arrestuan Bardhin, në fillim ai u zemërua me të vëllanë e thoshte: “Na mori në qafë! Ç’na bëri! Kot nuk të dënon njeri”! E bënte Bardhin fajtor, nuk shkoi ta takonte asnjëherë, se kishte frikë të jashtëzakonshme. As fëmijëve tanë, nuk ua hidhte sytë fare. Mirëpo, kur e arrestuan 5 vjet pas të vëllait, kot fare, atëherë e kuptoi, se familja e tyre, ishte vënë në rrethin e kuq, për t’a likuiduar.

Sabriu la në shtëpi gruan, Teftën, bashkë me tre fëmijë të vegjël: Elizabetën, Arianin e Valbonën. Unë dhe Tefta, ishim si dy motra, nga më të mirat, s’kishim të ndarë nga njëra-tjetra. Kudo që shkonim, ishim bashkë, çdo gjë që bënim, po bashkë, edhe punën e dorës. Teftën nuk e ndërroja, as me një gjë. E kam dashur shumë.

INTERNIMI

Dy vjet kaluan nga dënimi i Sabriut dhe shtatë vjet nga dënimi i Bardhit. Pas kësaj furtune të madhe, mbërriti për ne një furtunë tjetër: erdhi dhe dita e dëbimit me forcë, të familjeve tona! Një të diel, në fillim të vitit 1974, në orën tetë të mëngjesit, na lajmëruan për një mbledhje urgjente, në oborrin e Këshillit të lagjes. Mbledhja ishte për “njerëzit e padëshiruar” dhe për “luftën e klasave”! Na thanë mos të mungojmë dhe të mos vonohemi.

Mbledhja filloi shpejt! Kishin mbledhur shumë njerëz. Në fillim u fol aty për të mirat që bënte partia, – “por ja që në gjirin e partisë, – tha me cinizëm njeriu i partisë, – ka njerëz që nuk e meritojnë dhe duhet t’ u tregohet vendi”. Kështu e hapi fjalën i deleguari i Komitetit të Partisë, kurse pas tij, e mori fjalën i deleguari nga Dega e Punëve të Brendshme. Pasi foli edhe ai “për punën e madhe që bën partia, për të mirën e popullit”,(!?) shtoi me ton të egërsuar:

-“…Edhe këtu në lagjen tuaj, ka njerëz që nuk e duan partinë tonë dhe për ta, kemi marrë masa që të largohen nga lagja, si familje të padëshiruara. Në këtë mbledhje vetë ju propozuat, që të internohen familjet e Carave, (në mbledhje nuk foli asnjë nga lagja!) vetë folët, vetë vulosët!

Pa mbaruar akoma mbledhja, në orën dhjetë paradite, pamë që ishin rreshtuar tri makina me nga katër policë të armatosur, para shtëpive tona. Neve na thane; “Ikni shpejt në shtëpi”, kurse mbledhja vazhdoi. Por, sapo mbërritëm në shtëpi, na dhanë fletën e internimit, për 5 vjet dhe na thanë me arrogance; “Mblidhini plaçkat, shpejt e shpejt, shtëpitë do t’i lini bosh, firmosni këtu”!

Internimi për ne, ishte caktuar në tre fshatra të ndryshëm: në Gjegjan, Mbërrs dhe Vloshtë, që ishin në malësinë e fshatit Kurjan të Rroskovecit. Ishim tri gra, me shtatë fëmijë të vegjël, burrat që ishin në shtëpi, kishin shkuar në Vlorë atë ditë. Kunata e vogël, Burbuqja, kishte dy ditë që na thoshte: ” “Se ç’kam një parandjenjë të keqe, nuk e di se ç’do na ndodhë”!

Ato ditë i qe bërë një si lëmsh dhe i kishte zënë fytin, mezi mbushej me frymë, i vinte si të fikët dhe ëndrrat, s’e linin të flinte. Atë të diel, ajo ishte ngritur shpejt, që në katër të mëngjesit, kishte ndezur zjarrin përjashta me shkarpa të thata e, kishte vënë kazanin për të larë rrobat. Në atë çast që do të fillonte të lante, iu bë se dëgjoi të qante vajzën e vogël. Ajo shkoi ta pushonte dhe ta vinte prap në gjumë, por, ç’të shihte!

Një shkëndijë kishte rënë mbi rrobat e thata, ato kishin marrë flakë dhe ishin djegur të gjitha! Kështu mbetëm pa ndërresa, se rrobat tona ishin të pakta. Ajo erdhi tek ne duke qarë dhe na tregoi gjithçka. I thamë: “Ja ku doli makthi që pate! Kaloi tashti. Aty shkoftë e keqja”! “Jo, jo, se po më shtrëngon më shumë, – u dridhte ajo, – nuk e di se çfarë do më gjejë”! Kur po ktheheshim nga mbledhja e internimit, ajo na tha: “Ja, e shikoni? Ky ishte ai makthi që më zuri fytin”!

Filluam, me lot ndër sy, të mblidhnim plaçkat, i ngarkuam nëpër makina dhe ikëm për diku! Nuk dihej se ku do të na degdisnin! Rruga ishte e gjatë, tri orë e gjysëm me makinë e, atje ku shkuam, si shtëpi kishim kasollet e lopëve, pa pastruar, se për lopët, kishin ndërtuar stalla të reja. Ishim në majë të malit, pa ujë për të pirë. Duhej të zbrisje poshtë malit, ku ishte një burim, aty mbushnin të gjithë shtëpitë, që ishin në atë faqe mali.

Në verë burimi e pakësonte ujin e, ai rridhte hollë, si fije peri. Radha ishte e madhe. Në verë, poshtë kalonte një krua, që kishte pak ujë, ku shkonim herë pas here e, lanim rrobat. Në dimër përroi ishte i rrëmbyeshëm, kurse gjatë verës, nuk bëje dot banjë në majë të malit, kështu që, jo vetëm koka, por edhe trupi, na mbushej plot me parazitë! O Zot, vetëm ti ishe dëshmitar i atyre kohërave dhe vuajtjeve të vështira që hoqëm atje!

Në dimër ishte ndryshe, ishim afër malit të Shpiragut, binte borë e shi shumë dhe ne mblidhnim ujë me enë, nëpër çika. Tefta, e shoqja e Sabriut, kunata ime, më parë kishte punuar në duhan, kurse në verë, punonte në ndërtim. Një ditë, duke punuar atje i kishte rënë një tra në kokë, duke ia çarë kokën. Shpëtoi nga vdekja atëhere, për një qime! E kishin shtruar në spital, kur doli prej andej, mori ca ditë pushime dhe raport për punë të lehtë, pa ngritje peshash e pa diell, por, për çudi, kur rifilloi punë, e kishin çuar aty ku u vra, në ndërtim!

Kështu ajo erdhi në internim me kokë të çarë, pa u shëruar mirë. Atje puna jonë ishte bujqësia. Asaj i duhej e vetme të ushqente tre fëmijët, sepse Sabriu, ishte në burg. Elisabeta, Ariani e Valbona, sido që ishin të vegjël, mundoheshin të ndihmonin të ëmën. Sabriu, pasi bëri tetë vjet dënimin, doli nga burgu. E çuan në fshat, ndonëse nuk ishte në listën e internimit dhe ata i kishin mbaruar pesë vjet, që e kishin firmosur në letrën e internimit.

Besniku, kunati tjetër, që kishte për grua Burbuqen, kur u kthye nga Vlora, e degdisën dhe atë atje! Familja e tij u shtua dhe u bë kështu, me dhjetë fëmijë! Kuptohet, që edhe fukarallëku ishte më i madh. Internimi ishte caktuar pesë vjet, në letër, por ai vazhdoi deri në vitin 1991 dhe shtëpitë e tyre i kishin boshatisur me forcë.

Tek shtëpia e Sabriut, patën sjellë Andon Çukon, një teknik pyjesh, i ardhur nga Kolëkondasi, fshat larg nga Libofsha e Fierit. Në shtëpinë e Besnikut, kishin sjellë kuzhinieren e shtëpisë së pritjes, Nasta Monen, nga fshati Qenas i Fierit. I shoqi i saj, punonte në ushtri. Shtëpia ishte e re, e sapo-mbaruar, në mes të një bahçeje të madhe, me një pus, e mbushur me pemë të ndryshme, si portokalla, limona, mandarina, hurma, dardha, mollë, nespulla, kumbulla, rrush e fiq.

Ajo paguante 50 lekë të vjetra qera në muaj, pemët e bahçes i shiste dhe qeraja paguhej nga pemët. Kunati, vetëm me leje nga i plotfuqishmi i zonës, mund të lëvizte. Atë e kishin ndaluar t’i afrohej shtëpisë së tij, që e kishte ngritur me thonj, me shumë sakrifica. Nuk mjaftoi vetëm kjo. Ajo grua u bë tamahqare dhe më pas donte ta privatizonte, me anë të shtetit, duke thënë poshtë e përpjetë: “Kjo shtëpi më përket mua, kam shumë vite që rri këtu, ata nuk i kthejnë më nga internimi! Këto shtëpi varen nga shteti, tashti kjo shtëpi më takon mua!”

Gati dy dynymë tokë i kishin mbjellë me pemë të ndryshme, derisa u rritën ato pemë, e firmosnin ujin e pusit, i cili ishte shumë i mirë. Shtëpinë tonë dykatëshe e kishte marrë shteti dhe e kishte bërë çerdhe, meqë nuk kishte shumë tokë përqark. Më parë aty kishin futur qiraxhinj, por atyre u dhanë shtëpi të tjera, kurse tonën, e bënë çerdhe! Drejtoresha e çerdhes, kërkoi në komitet bahçen tonë, për ta përfshirë atë brenda ndërtesës. Na e morën dhe bahçen e, ia dhanë çerdhes.

Ishte një bahçe shumë e bukur. Drejtoresha, si të ishte padrone aty, filloi t’i priste pemët, kurse, disa që mbetën, u thanë, sepse gratë që punonin në lavanderi, e hidhnin hirin e qymyrit të gurit nëpër bahçe. (Ky lloj qymyri, përdorej në atë kohë.) Deri sot, përveç shtëpisë dykatëshe, që u muarr me forcë në vitet ’91 -’92, duke nxjerrë jashtë plaçkat e çerdhes, asnjë pëllëmbë tokë, nga 16 dynymët tanë, nuk kemi marrë! Më të shumtën e kësaj toke, shteti e ndau për shtëpi, nga 200 m2(!?) Njëri nga ata që përfitoi kështu, ishte Naum Konomi.

Ky njeri mori nga shteti, 300 metra katrore tokë, por edhe ca e zuri vetë avash-avash e, këtë pastaj, ia dha një firme arabe, e cila ndërtoi aty një pallat dhjetëkatëshe, duke përfituar për vete katër hyrje dhe një dyqan!! Naumi kishte ardhur nga Kërkutasi, (një fshat shumë larg nga Libofsha e Fierit.) Kur ne bënim gjyqet për tokën, e thirrën edhe atë.

Kur e pyetën, ai tha: “Ne e dimë që kjo tokë është e Musa Carës, të jemi të sinqertë për këtë. Shteti ma dha këtë tokë për të ndërtuar shtëpi, me letra, këta çuna kanë të drejtë që të kërkojnë kompensim, sipas ligjit. Unë jam i ndërgjegjshëm”! Toka e Bardhit, u copëtua për shtëpi, aty u bë një xhami, por, kur u bë xhamia e re, hoxhallarët e përvetësuan për vete, vendin!!

Më pas aty u bë këshilli i lagjes, më vonë u dha për strehim e ata që ishin brenda, e privatizuan. Dhe ne kemi të drejtë të pyesim me zë të lartë: “Ku është shteti, që nxjerr ligje dhe nuk i zbaton ato”?! Ligji është që ndërtesa e ngritur në pronën private, i takon pronarit. Blerësi i parë është pronari i tokës. Kurse ne deri sot, nuk kemi marrë asgjë!

PRERJA E GISHTAVE

Nuk do ta harroj kurrë atë ditë, kur Xhevdeti, im kunat, preu katër gishta në punë! Punonte i gjori punëtor në ngarkim-shkarkim, në ndërmarrjen ushqimore. Ishin duke shkarkuar fuçitë me solar, të cilat kishin ardhë në atë ndërmarrje. Gjatë shkarkimit, shokut i rrëshqiti fuçia me solar, Xhevdeti me shkathtësi e priti me trupin e tij, por nuk i ruajti dot gishtërinjtë e dorës së djathtë, të cilët ia zuri poshtë fuçia dhe i preu të katërt.

Në se fuçia do të binte poshtë e të derdhej, kjo do të kishte pasoja të tjera, më të rënda. Xhevdeti ruhej nga çdo gjë, sepse, dihej, atë do ta bënin fajtor, pa pasur aspak faj! O Zot! Pasi doli nga spitali, i dhanë dhjetë ditë pushim dhe raport për të bërë punë të lehta. Sa netë pa gjumë, sa dhimbje! Ai doli nga spitali dhe ndenji disa ditë. Dilte i shkreti e shëtiste rrugëve, me dorën ngritur, e shtrëngonte atë dorë me gishtat e prerë me dorën tjetër, kurse unë zgjatesha me gishtat e këmbës për të arritur dorën e tij të ngritur dhe i fryja me gjithë shpirt, se më dukej sikur ia lehtësoja dhimbjen.

Dora i mbeti me një gisht e një çerek! Kur mbaroi pushimet, e caktuan për punë “të lehtë” të lidhte thasë! Si duket, “harruan” se një dorë e kishte me një gisht! Si do t’i lidhte thasët? Plagën e kishte të pambyllur mirë, fashot i njomeshin me gjak. Atëhere Xhevdeti, shkoi te mjeku i ndërmarrjes, i cili i dha prap pushim, por dora e tij ishte infektuar dhe po enjtej.

Mjeku i ndërmarrjes i tha: “Xhevdet, deri këtu më lejohet mua. Do të të jap rekomandim për në kempin epror, që të zgjasësh pushimin”! Ditën që ishte kempi epror, të dy shkuam në Tiranë, me një zarf, ku kishim dokumentet mjekësor dhe kartelën. Kryetar i komisionit ishte Ylli Popa. Hyri Xhevdeti e i dha zarfin me dokumente nga Fieri; ai e hapi, i lexoi në heshtje, pa gishtat e kunatit dhe tha:

“Pushimet që të takonin, t’i paska dhënë Fieri dhe të ka çuar në punë të lehtë”.

“Jo, – tha Xhevdeti, – më dhanë pak, aq sa u takon, prandaj më prunë këtu, sepse mendojnë që më takon më tepër pushim. Puna e lehtë që atje më dhanë është të lidh thasë me një gisht. A mund të lidh unë thasë me këtë dorë”?

“Djalë i mirë, – foli me ton zyrtar krye-doktori, – ku të thonë, do të shkosh”!

Xhevdeti erdhi të punonte po aty. Thasët e lidhur prej tij, hapeshin shpejt e derdheshin. Atë 15-ditësh, ai nuk firmosi fare në bordero! Mori 15 ditë të tjera pushim, pa të drejtë rroge. Pas 15 ditësh, rifilloi punë. Por dora i qe ënjtur shumë. Infermierja që e mjekonte, i tha një ditë:

“Xhevdet, gishtat i humbe! Po të vazhdosh me këtë punë, do humbësh edhe dorën. Shko kërko të drejtën tënde, sepse do ta pësosh keq”!

“Po ku të shkoj”? – i tha ai.

Na çuan përsëri në Tiranë, sipas rregullave. Më e forta ishte se kryetari i kempit epror, Ylli Popa, i tha:

“Ti e ke ngacmuar vetë plagën, që të është infektuar, për të marrë raport, se nuk ka mundësi të bëhet kështu dora”!

“Këtë dorë ia infektove ti, – i thashë unë e zemëruar, – sepse ai ka pushuar 15 ditë, pa të drejtë rroge”. Por Xhevdeti ishte njeri me sedër. Ai bëri disa sqarime me ata të komisionit, pastaj i tha Ylli Popës:

“Doktor, të lutem, mos i shiko shtrembër hallexhinjtë, por jepu atë që u takon! Nuk ta dua raportin, vetëm në kartelë shkruaj si i shikon gishtat e mi”.

Dolëm jashtë dhe erdhëm në Fier, pa marrë kartelën. Të nesërmen kunati u paraqit në ndërmarrje dhe mori një muaj pushim, pa të drejtë rroge. Kështu koha e pushimit, shkoi gjashtë muaj, sa iu mbyllën plagët në gishta. Pas një jave, erdhi dhe kartela nga Tirana: i kishin dhënë tre muaj pushim dhe do të shkonte prapë të paraqitej në Tiranë. Kur e pa infermierja e ndërmarrjes, i tha:

“Xhevdet, pse nuk erdhe të marrësh raportin? E kanë sjellë ata të kempit”?! “Lëre fare, – i tha Xhevdeti i mërzitur, – sepse kryetari i kempit më tha, që i kam ngacmuar vetë plagët. Unë ika fare, nuk i dua pushimet e tua, i thashë”.

Në ndërmarrje e thirrën në drejtori dhe e falenderuan, (e dimë qysh je, çfarë hallesh ke, na shpëtove ndërmarrjen e, më the të thashë.) Xhevdeti bënte shumë për fëmijët tanë. Ia kishte lënë amanet Bardhi dhe ai e mbajti fjalën. Edhe kafshatën e bukës së mbetur, ua jepte fëmijëve.

Me Ijen (vjehrrën) dhe Xhevdetin, ku nuk kam bredhur burgjeve në Fier, Tiranë, Ballsh, Skrovotinë, Burrel e Ballsh! Sa dreka e darka, kemi kaluar pa ngrënë, kurse mëngjesin e kishim harruar me kohë! Shpesh buka e gjella jonë pa harxhim, ishin lakrat e egra, që i gatuanim, herë me vaj e, herë pa vaj e, me pak miell! Kur vinte fundi i rrogës, mbeteshim keq fare e, unë ikja në punë vetëm me një fetë bukë.

Kur në orën 12 hahej dreka, u largohesha shokëve të punës. Por ata më thoshin me shaka: “Sofi, hajde të hamë bashkë, apo ke ndonjë gjë të mirë e dëshiron ta hash vetëm”?! (Ata e dinin mirë, që s’kisha lekë.) U vinte keq për mua. “S’ka bukë të hajë”, thoshin. Por unë i përgjigjesha se, kisha ngrënë shumë në mëngjes dhe e kisha stomakun të rënduar! Nxirrja nga çanta fetën e bukës dhe ua tregoja: “Ja ku e kam bukën”.

Ajo fetë buke vinte në punë e shkonte në shtëpi, për tri ditë radhazi, derisa zinte një shtresë të bardhë si myk, por unë nuk e hidhja poshtë: ngrohja ujë me pak sheqer, e zbusja bukën e mykur dhe e haja. Sa merrej rroga, hanim ushqimet e listës për disa ditë, por me ato pak lekë, vetëm një javë mund të hanim, pastaj duhej të bënim shumë kursime, edhe Xhevdeti, që ishte burrë. Nga fukarallëku, nga që ushqeheshim keq, kunati kaloi në anemi. Ai kishte humbur shumë gjak, me gishtat e prerë dhe s’e zëvendësoi dot kurrë atë. Ishim shumë keq!

NDËRRIMI SHTËPISË

Në vitin 1977 a ’78, ra një tërmet në zonën e Fierit dhe na prishi shtëpinë: më çuan në një hyrje me një dhomë e kuzhinë, për dy familje bashkë. Milika Agaraj, kishte kuzhinë e aneks, kurse unë, dhomë e ballkon, sallonin e banjon, të përbashkët. Milika ishte ndarë me burrin dhe kishte një vajzë 7-8 vjeçe. Nëntë vjet ndenjëm bashkë dhe vetëm ne e dimë, se si kemi jetuar ashtu. Ajo u martua disa herë. Ishte e re! Nuk mbaj mend ta ketë larë një herë sallonin apo banjon, sepse, donte të më mërziste që të ikja.

Me atë, vërtet nuk rrihej asnjë minut. Po ku të shkoja unë e shkreta?! Më e keqja ishte, se ajo më denonconte herë pas here tek i plotfuqishmi i lagjes, ose në Degë: “Nuk ka fotografinë e shokut Enver në shtëpi, se nuk ia do burri, që ka qenë 15 vjet në burg, shikon televizor në stacionet e huaja”, (në atë kohë shikohej vetëm stacioni i Tiranës,) e të tjera shpifje. Ajo vetë nuk kishte televizor, por dëgjonte zëra të huaj dhe nuk e dinte se ato filma, i jepte Tirana me përkthim!

Bardhi doli nga burgu në vitin 1982, por ajo kudo që e shikonte, e mërziste, duke i bërtitur: “O armik, o burgaxhi, në burg e ke vendin”, dhe shumë fjalë të tjera. Bardhi nuk i kthente asnjë fjalë, sepse ajo atë donte, që ta kapte me fjalë dhe ta dënonin përsëri. Ishte femër, që s’i bënte mendja pazar fare, as në familje, as në punë. Në ndërmarrjen leshpunuese, ku punonte, kishte probleme, as me komshinjtë nuk shkonte, asnjë nuk i fliste, se kudo e njihnin mirë.

Të jetoje nëntë vjet në një hyrje me Milikën, ishte si të kishe një akrep që pickonte trupin tim dhe priste çastin për të më helmuar. Shpesh kam shkuar në lagje e në komitet, për shtëpi, por dëshira ime, u plotësua vetëm në vitin 1987: më në fund mora dhomë e kuzhinë!

Më pas çuditesha me vete, se si kisha kaluar me Milikën, nëntë vjet?! Pas disa vitesh, në vitin 2005, isha në Fier, tek tregu, kur vura re që po më shikonte me vëmendje dikush. Ishte Milika. Ajo m’u afrua dhe, pa e vrarë fare ndërgjegjja, se çfarë më kishte bërë, më tha: “Sofika, më fal, se të kam rënë shumë në qafë. Ti ishe shumë e mirë, më këshilloje si nënë, më duroje e, po të kisha dëgjuar ty që në fillim, do të isha tjetër njeri.

Ta shpërbleva shumë keq mirësinë që tregove me mua, më fal! Ishin kohëra të vështira, ai sistem na prishi, babai im ishte oficer, nuk më mësoi mirë, me pak fjalë, doja që ti të mërziteshe, që të ikje dhe hyrjen ta mbaja unë. Ajo kohë mos ardhtë kurrë! Ja ku më ke, më vrit, po deshe, vetëm më fal!” Edhe sot nuk e di, në se ajo grua më foli me sinqeritet, apo me hipokrizi.

Kur erdhi koha e demokracisë, për çudi ajo erdhi në Kavajë, e gjeti shtëpinë time e, po më thërriste poshtë pallatit. Të them të vërtetën, më hipi gjaku në kokë, kushedi sa më kishte vajtur tensioni, fytyra më ishte bërë si lulëkuqe. Në ato çaste m’u kujtuan gjithë ato skena vuajtjesh, që më kishte shkaktuar ajo femër, shpifjet e çmendura tek i plotfuqishmi i Degës e, në lagje. Unë jam tip që nuk mund të ther një zog, por, kur mendova Milikën, që më kishte ardhur, desha të zbrisja poshtë e, ta shqyeja copa-copa.

Me të, sikur kisha jetuar në një ferr të vërtetë! Urrejtja më pushtoi çdo qelizë të trupit. Atëhere i çova komshijen ta zbonte e, ajo i tha me përbuzje: “Ik, zhduku, mos i dil më përpara syve, se nuk të shikon dot, i dhembin sytë”! Dhe ajo iku si qeni, me bishtin ndër shalë. Ndofta ishte penduar vërtet, por ç’rëndësi kishte, kur gjërat kishin kaluar? Milika i përkiste një kohe që unë doja ta fshija nga kujtesa përgjithmonë. Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Im atë punonte me burimet arkivore dhe me bibliotekat e huaja, shkencëtarët e kolegët e tij jashtë, por letrat që i vinin, ishin të hapura, pasi ato...”/ Dëshmia e rrallë e të bijës së profesorit të famshëm

Next Post

“Në Tiranë, adoleshentët me rroba të rreckosura, lypin për çamçakëz dhe zhduken shpejt, përpara stacionit më të afërt të policisë...”/ Reportazhi i gazetarit gjerman, në “Der Spiegel” në ’81-in

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Në Tiranë, adoleshentët me rroba të rreckosura, lypin për çamçakëz dhe zhduken shpejt, përpara stacionit më të afërt të policisë…”/ Reportazhi i gazetarit gjerman, në “Der Spiegel” në ’81-in

“Në Tiranë, adoleshentët me rroba të rreckosura, lypin për çamçakëz dhe zhduken shpejt, përpara stacionit më të afërt të policisë...”/ Reportazhi i gazetarit gjerman, në “Der Spiegel” në ’81-in

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!