Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetepesë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Ato kanë për të më ndjekur pas në çdo hap, sa të jem gjallë. Madje edhe kur të mos jem fizikisht, hijet do rrëmojnë e gërmojnë dorëshkrimet e mia. Ka shumë mundësi ta sekuestrojnë pasurinë time letrare, gjithë dorëshkrimet, për të mos rënë në dorë të kritikëve në të ardhmen dyzimet e mia, pasi nuk duan të shfaqet publikisht e fshehta e brendshme e një shkrimtari militant. Por romanin tënd, ‘Madam Doktoresha’, kam mbuluar në vend të sigurt…”, – shtoi kur vuri re njëfarë shqetësimi në sytë e mi. – “Atëherë vazhdojmë me mbarësitë…”!
– “Miku juaj dhe bamirësi im dha urdhër të formës së prerë dhe urdhri i tij u zbatua menjëherë: më strehuan në një shtëpi shtetërore, në fshatin Kolonjë”!
– “Ky qenka sihariq me të vërtetë i mrekullueshëm! – tha ai mjaft i kënaqur. – Sot po ta them për herë të parë, sepse e dija që do t’ju lëndoja: strehimi juaj familjar në kasollen e lopës, më është dukur ndëshkimi më çnjerëzor!
Këtë vlerësim ia shpreha dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili ju njihte mirë personalisht. Edhe ky u ndje ligsht para meje, që zbatimi i këtij vendimi, u katandis në këtë gjendje kaq mizore. – Si ka mundësi të ndodhin gjëra të tilla, të cilat nuk i shpjegojnë dot as anëtarët e Komisionit Qeveritar?!… pyeta unë i habitur.
– Kur nuk dinë të përgjigjen ata që marrin vendime, si mund të hamendësojnë të tjerët, si puna jonë, që merremi me shkrime”!… – tha ai. – “Po sihariqi i dytë”? – nxitoi të shtonte, kur pa orën e dorës. – ‘Le të merremi me shqetësimet tona, duke i mënjanuar për mungesë kohe ngacmimet e çastit, shkaktuar nga pa përgjegjshmëritë e autoriteteve…”, – më këshilloi.
– “Me vendim të formës së prerë, personalisht nga shoku Qemal, do sistemohem me punë në arsim”! – theksova unë.
– “Vendim jashtëzakonisht i guximshëm! – tha shkrimtari. – Vetëm një drejtues shpirtmadh, merr vendime të tilla! Me siguri i ka lenë shtangur funksionarët e tjerë kryesorë rrethit…”!
– “Sidomos kryetarin e Komitetit Ekzekutiv”, – nënvizova unë.
– “Kishit me të diçka personale, ju njihte familjarisht”? – u interesua shkrimtari.
– “Për rastin konkret, ka vend ajo shprehja: I yti të nxjerr sytë! Sepse pikërisht, kur prisja një përgjigje disi lehtësuese prej tij, si vendas, nga fshati Halilaj, pranë Kolonjës, ky ma preu me ton të ashpër: Për të deklasuarit, s’ka punë tjetër, përveç kazmës dhe lopatës”!
– “Në këto kushte, miku im e paska patur tepër të vështirë marrjen e vendimit. Megjithatë e mori! Do ta falënderoj përzemërsisht për këtë veprim të guximshëm, kur ta takoj radhën tjetër”, – tha i kënaqur shkrimtari.
– “Por para se të shfaqte mendimin e tij, më parashtroi kushtet e rënda të punësimit: Duhet ta dish, se ke trefishin normës javore, paradite e pasdite, do japësh mbi dhjetë lëndë të ndryshme mësimore, me tridhjetë e ca faqe ditar”!
– “Qenka me të vërtete ngarkesë jashtëzakonisht e rëndë”! – tha shkrimtari. – E përballoni dot”? – pyeti ai i shqetësuar.
– “Besoj se po. Shkencat ekzakte më kanë pajisur me njohuri të plota. Po të kisha studiuar për gjuhë-letërsi, ose një degë tjetër humanitare, as bëhej fjalë për punësimin në arsim, me gjithë dëshirën e madhe të shokut Qemal…”!
– “Ja si ndërthuren kundërshtitë me njëra tjetrën”!…- tha shkrimtari. – “Pra, miku im i zgjuar, ka gjetur një argument të fuqishëm për të të sistemuar në arsim, i bindur se askush nuk e merr dot përsipër një barrë kaq të rëndë, para se gjithash sepse s’gjendet mësues t’i zotërojë të gjitha shkencat ekzakte. Ai, pasi ka vënë në balancë aftësitë e tua shkencore dhe leverdinë financiare, i ka dalë bilanc i shkëlqyer, për të mbrojtur vendimin e tij, sepse në fakt, ju do të kryeni ngarkesën e tre mësuesve, me një pagë mujore! Para këtij realiteti, mposhten të gjitha kundërshtitë.
Sigurisht pa asnjë mëdyshje e quaj arritje dhe sukses për ty, kthesën e tanishme, ndonëse do përballosh një punë me mbingarkesë të tej-rënduar”!… – psherëtiu ai i dëshpëruar.
– “Megjithatë, pavarësisht nga fakti që s’ke asnjë mundësi të merresh me letërsi, pasi gjithë kohën do t’ia përkushtosh përgatitjeve ditore, futja në arsim të shkëput nga përbuzja dhe mllefet parake të shoqërisë.
Këtej e tutje do shihesh me sy dashamirës nga vendasit, pasi të gjithë këta, kanë fëmijë në shkolla. Fatmirësisht ti ke takt e karakter të ëmbël, di t’i bësh për vete nxënësit dhe prindërit, përfshire drejtuesit e pushtetit vendor. Prandaj shumë shpejt do të shohësh se marrëdhëniet e reja, do ta lehtësojnë ndjeshëm peshën ndrydhëse të shpërfilljes dhe përbuzjes. Veshët do të bien në qetësi. Nuk ke për ta dëgjuar nofkën e urryer ‘i deklasuar’! Në vend të saj, do të të rrethojnë thirrjet gazmore rinore dhe prindërore: ‘Mësues! Shoku mësues’!
Ndryshim jashtëzakonisht i madh! Ka rëndësi të jesh i vetëdijshëm për kushtet që përjeton: je i detyruar të sakrifikosh aftësinë tënde krijuese, në dobi të sigurimit të një jetese të thjeshtë normale. Edhe pse askush nuk e parashikon dot të ardhmen, një gjë dihet e sigurt: çdo dukuri ka një fillim dhe një fund. Ti, si shkrimtar, ke vizion largpamës.
Kujt ia merrte mendja, se do ndryshonte rrënjësisht politika partiake dhe shtetërore tek ne?! Ti ishe student në Moskë, i përjetove ngjarjet tronditëse të Konferencës së 81 Partive Komuniste e Punëtore. Askush nuk e merr dot me mend, se çfarë surprizash të çuditshme, përtej imagjinatës tonë, mund të sjellin rrjedhat nëntokësore të padukshme”!… – tha ai duke më vështruar me optimizëm drejt në sy, për të forcuar shpresën tek e ardhmja. – “Tani me thuaj: përveç këtyre, ka diçka tjetër që do ma ngrejë më lart gjendjen shpirtërore”? – pyeti me shikim pritës.
– “E treta mund të quhet rrjedhojë e drejtpërdrejte e dy të parave, sepse pa to, do mbetej utopi, ëndërr e thyer…”!
– “Një dashuri e mundësuar dhe e përmbushur, pas shumë përpjekjesh e kundërshtish”? – ma ndërpreu fjalën ai.
– “Pikërisht”, – pohova unë.
– “Vajza juaj e zemrës, duhet të jetë mjaft guximtare dhe e vendosur, përndryshe nuk mund t’i përballonte kundërshtitë e familjes”, – theksoi shkrimtari.
– “E vetme kundër të gjithëve, kur akoma nuk dihej gjë për kthesën e mbarë në familjen tonë”! – ia ktheva unë me krenari.
– “S’ka provë më të madhe, për një dashuri, që i ka themelet në zemër e në shpirt! – shtoi ai me buzëqeshje. Shumë rrallë ndodh diçka e tillë. Por ju të dy e meritoni këtë dhuratë! Njiheshit më parë”?
– “Që në fëmijëri. Kujt ia merrte mendja se do rikthehesha në Lushnje, pas studimeve e punësimit në Radio dhe rrjedha do të më çonte në Shtëpinë e Kulturës, për të zëvendësuar rolin e dikujt, që u largua nga trupa amatore”?!…
– “Aftësinë për të interpretuar në teatër, e paskeni trashëgimi familjare, deri tek vëllai i vogël”?… – buzëqeshi ai.
– “Unë nuk jam në atë lartësi. Por fatmirësisht më mjaftoi të futesha në shoqërinë e fëmijërisë dhe u bë shkas që emri të mbërrijë tek bamirësi…”!
– “Domethënë teatri amator qenka zanafilla e njohjes me drejtuesin kryesor të rrethit? – pyeti me mjaft kureshtje shkrimtari. – Dhe ky përshkallëzim fatlumtur erdhi sepse askujt nuk ia mbante të jepte miratimin për praninë e një të deklasuari në trupën amatore të teatrit”?
(Unë pohova me kokë). – Dhe miku im i zgjuar, nisi qëmtimet rreth djaloshit të dëbuar nga Tirana, për të zbuluar pse trajtohet kaq mizorisht, pse e kanë strehuar në kasollen e lopës, si kriminel?… Vetëm një intelektual me shpirt e zemër të madhe, i futet një interesimi kaq të thellë për një të dënuar, i cili shihet me përbuzje nga të gjitha instancat shtetërore. Në qoftë se do drejtonte Komitetin e Partisë, një tjetër në vendin e tij, as mund të mendohej për kthesën rrënjësore dhe emri yt do mbetej i harruar mes pluhurit e baltës…”- theksoi ai përmes një psherëtime të thellë.
– “Një subjekt i mrekullueshëm për letërsinë, të cilin do ta ruash përjetësisht në kujtesë, si thesarin më të çmuar, për vlerat e jashtëzakonshme që bart”!… – shtoi ai duke vështruar orën e dorës. – “Erdhi koha të ndahemi. Por këtë radhë ndarja nuk është si tre vjet më parë, kur zbrite nga kasollja me çizme të baltosura dhe ike shpresë-thyer. Tani ke një strehë pothuaj normale. Së shpejti do të futesh në rrjedhën e realitetit të pranueshëm dhe do të krijosh familjen tënde, me vajzën e zemrës! Fatmirësisht mbaroi periudha e tmerrshme e inkuizicionit! Por kjo nuk do të thotë se kërcënimet, ndaj teje u tulatën, janë më pak dëmprurëse. Prandaj duhet të tregohesh mjaft i vëmendshëm dhe i kujdesshëm vazhdimisht, pasi hijet keqdashëse, do të ndjekin pas për t’u hakmarrë, kanë për të ngritur prita e kurthe nga më befasuesit”!….
Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, i fyer dhe i poshtëruar deri në kockë nga vërejtjet e sekretarit të Parë, gjatë mbledhjes se Byrosë, po mendonte të gjente një formë hakmarrjeje kundër drejtuesit kryesor, sigurisht jo të drejtpërdrejtë (pasi, sado të përpiqej e mundohej, këtë synim nuk e arrinte dot). Ai do të kënaqej edhe sikur t’ia godiste tërthorazi sedrën ne pikën me të ndjeshme, ku ngacmimi merr vlera shpërthyese, mjafton qe kaceku i mllefit të shfryjë një pjesë të dufit. Ç’formë do përdorë që të mos zbulohet kjo mësymje e fshehtë?
Para së gjithash, krahë-marrja e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv ndaj sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, do të ketë në shënjestër një personazh fare të panjohur, pa peshë në jetën politike e shoqërore të rrethit, një qenie njerëzore me status të shpifur, “i deklasuar”, pa dokument identiteti e, të drejtë vote! Që edhe sikur t’i shkojë dikujt mëndja fare rastësisht tek emri im, kjo pandehmë të tingëllojë si trill absurd, me arsyetimin se kryetari i pushtetit në rreth, nuk e ul veten deri në atë shkallë, sa një hamall karburanti, t’i shërbejë si levë Arkimedi, për të goditur kokën e Partisë në rreth, kur ka mori mundësish të sajojë qitje të befasishme pas shpine, me ndihmën e shefave të mëdhenj, në Kupolën e Piramidës partiake e shtetërore, ose duke i futur shkopinj nën rrota.
(Me të vërtetë ndodh nganjëherë, që lepuri i madh del nga ferra e vogël dhe gjahtari më me përvojë, mbetet i befasuar e i zhgënjyer, pse kaloi pranë saj shpërfillës me çiften në krah, duke e lënë vesh-gjatin të tallet me të. Por askujt nuk i shkonte mëndja tek ky përjashtim dhe askush nuk e krahasonte kryetarin e pushtetit, me gjahtarin e pavëmendshëm).
Kryetari i Komitetit Ekzekutiv veproi krejt ndryshe nga sa pandehmë: njoftoi me telefon shefin e Degës Ushtarake të rrethit, të paraqitet si mysafir në kabinetin e tij, për të pirë bashkë një kafe. Natyrshëm telefonata e çuditshme e futi në siklet të madh nënkolonelin, siç u ndodh gjithë vartësve kur urdhërohen krejt befas me ton të butë, të shkojnë për t’u çlodhur disa minuta në kabinetin e rehatshëm, pa patur një pikësynim të përcaktuar, dhe ndërkaq merret me mend, që ftesa e papritur për kafe, pa tjetër bart me vete një mister, si e tillë të pështjellon me ndjesi të frikshme, pasi brenda saj nuk përjashtohen thashethemnaja anonime, deri tek përfshirjet dhe cënimet e figurës së kryetarit të pushtetit, nëpërmjet krahasimeve të turpshme.
Nënkoloneli shtrydhi mendjen të gjente një shkak të kësaj ftese befasuese, nëse kafja e kryetarit do t’i ngecte në grykë apo, do t’i fuste ethet e Maltës, me kumtin e tmerrshëm, duke e kryqëzuar në shtyllën e ndëshkimit me pohimin e diçkaje, të cilën ndoshta e ka lëshuar ky vetë, gjatë një bisede me njërin nga zëvendësit e tij.
Nënkoloneli nuk mund ta mohonte të vërtetën (dhe kjo gjë i shkaktonte fyerje), se pavarësisht nga rëndësia e detyrës dhe grada, përmendej si figura e katërt në rreth, (vinte pas kryetarit të Degës së Brendshme), faktikisht, nuk futej as në dhjetëshen e parë të autoriteteve me peshë në rreth. Këtë zhvlerësim të dhimbshëm e sillte natyra e detyrës që kryente, e cila rrokte një hapësirë shumë të ngushtë të jetës shoqërore, mobilizimin e rekrutëve të rinj. Prandaj nderi më i madh që mund të bënte, përfshihej brenda këtij sinori, caktimi i rekrutit në reparte speciale, nga ku disa kanë shanse të nisen jashtë shtetit, për ta kryer atje shërbimin ushtarak.
(Por pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, kjo mundësi u dogj. Kështu që këtej e tutje, ia kishin nevojën prindërit e djemve që thirren nën armë dhe ekonomikisht janë dobët: këta i luteshin e i përgjëroheshin shefit të Degës Ushtarake, ta caktojnë djalin në shërbim 2 vjeçar, afati më i shkurtër në ushtrinë shqiptare. Zakonisht këto kërkesa nuk bëheshin drejtpërdrejt nga nevojtarët hallexhinj, por përmes disa ushtarakëve që mbante afër nënkoloneli dhe kishte marrëdhënie të mira me ta. Hallexhinjtë bënin be e rrufe, premtonin se do t’ia shpërblejnë ketë mirësi të madhe shefit, pasi nuk i thonë pak, të vijë një krah pune një vit më shpejt.
Përveç këtyre, kishte prindër që donin t’i dërgonin djemtë në reparte me emër të dëgjuar, si: Garda e Republikës, Batalioni i Sigurimit, apo në repartet speciale të Aviacionit, ku veshja dhe trajtimi ushqimor lakmoheshin. Ndërkaq, krahas këtij synimi bëheshin përpjekje të vazhduara, t’i hiqnin djemtë nga listat e Marinës, për shkak të shërbimit të dyfishtë, 4 vjet, edhe pse këtu kishin norma të larta ushqimore).
Pasi i solli të gjitha këto përparësi ndërmend, nënkolonelit iu duk qesharake dhe krejt e pamundur, t’i vijë propozimi drejtpërdrejt nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv, për djalin e dikujt, për faktin se ky ka me dhjetëra lakej që vërtiten rreth tij dhe mjafton njëri prej tyre ta vërë në dijeni për kërkesën e mikut, që puna të quhet e mbaruar. Prandaj, e përjashtoi përfundimisht mundësinë e pirjes së kafes, në lidhje me detyrën e tij të drejtpërdrejtë, me shefin e Degës Ushtarake.
Mos ndoshta ka dëgjuar ndonjë kumt sekret nga burime të ndryshme të Ministrisë së Mbrojtjes, ku përfshihet emri i tij dhe kërkon nga nënkoloneli miratim, apo mohim të këtij lajmi?…
I pështjelluar nga këto pandehma ngacmuese, nënkoloneli ngjiti shkallët nën peshën ndrydhëse të brejtjeve dhe trokiti në derën e kthinës të ndihmësit të kryetarit. Ky e priti me buzëqeshje dhe “dashamirësi”, duke ia lehtësuar disi barrën shtypëse, e i tha me mirësjellje të rehatohej në kolltuk, sa të vinte në dijeni kryetarin. Por shefin e Degës Ushtarake, nuk e çliroi nga ngërçi i shqetësimit, as gatishmëria e tepruar e nëpunësit, i cili për herë të parë, u tregua ndaj tij kaq i gjendur (kur në rastet e tjera e, kishte pritur turivarur, hundë e buzë, thuajse i kërkon këtij lëmoshë!). Dhe pikërisht ky qëndrim kaq i zbutur e i shtirur, përforcoi më tej dyshimin e misterit brejtës.
Ndihmësi doli nga dera e kabinetit fytyrëqeshur dhe e ftoi nënkolonelin të futet brenda, pasi dorëzoi pistoletën. Shefin e Degës Ushtarake e ngërthyen ndjesitë e emocionit të fuqishëm, thuajse po paraqitej tek zëvendësministri i Mbrojtjes, rreth një çështjeje misterioze, për të cilën s’kishte asnjë të dhënë. Me qëndrim gatitu dhe dorën e djathtë grusht në strehën e kapelës, u paraqit si ushtarak para kryetarit të pushtetit vendor, i cili qe ngritur në këmbë dhe po shkonte tek këndi i çlodhjes. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016