Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetenjë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Si gjithë fëmijëve, më pëlqenin lojërat sportive me më të rriturit dhe filmat që shfaqeshin në kinemanë e vetme të qytetit; për të plotësuat këto, ua varja ndonjëherë mësimeve. Por ngaqë ndihesha nën vëzhgim të paprerë të syrit survejues të babait, dashje pa dashje iu rikthehesha librave, mësoja me ngulm dhe insistoja të më pyesnin që të më vlerësonin sa më pozitivisht. Natyrisht, gjithë këtë zahmet atëkohë, e bëja për hatër te babait, që t’i bëhej qejfi e t’i lehtësohej sadopak pesha e robëtimit të tejskajshëm, që i duhej të përballonte, të na siguronte të ardhura materiale, ato vite mizerjeje ekonomike.
I rritur në gjirin e një familje arsimdashëse, po në një lagje bostanxhinjësh, ku arsimimin e konsideronin: “një haraç të rëndë që u duhej paguar ligjeve detyruese të shtetit, që i ndëshkonte prindërit me gjoba, nëse s’i çonin fëmijët në të, deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç”, veçoja nga të tjerët. Ndonëse i qarkuar nga presioni i këtij opinionit, i cili nxënësit e zellshëm i konsideronte “çuna mamaje”, apo kur vazhdonin më lartë nga arsimi i detyrueshëm, “pak si të shkarë nga trutë”, unë falë mësuesve pasionantë e të shkëlqyer që i kishin sjellë në qytetin tonë për t’u “rehabilituar”, arrita ta çaja këtë rreth.
Mësuesit e mi të mirë që i shihnin si të pabesueshëm politikisht e të papërshtatshëm partishmërisht, për të edukuar fëmijët në shkollat e kryeqytetit, i prunë te ne, si gjysëm të internuar. Brezi i bashkëmoshatarëve të mi beratas, e pati kismet të arsimohej në nivelet më të epërme se të tjerët. Një homazh, në nderim të atyre mësuesve që s’iu qeshi buza asnjëherë, por që na dhanë ne më të mirën nga vetja, dijen.
Në lagjen time punëtore, adhuronin më shumë muskujt e Ali Pykës, Kasius Kleit, Stive Rivesit dhe kodoshllëqet e një hajduti xhepash e bixhozxhiu të thekur, si Raxh Kapuri, se sa mendjen e ndritur të Ainshtainit. Asohere një dhjetëvjeçar varte në qafë llastiqet për mëllenja, merrte koshat dhe kallamat e peshkimit, hidhte mbi sup kazmën e shatin në dorë dhe si i rritur, nisej të nxirrte kotheren e bukës.
Djemtë që pesëmbëdhjetë vjeç i konsideronin “trau i shtëpisë”, mandej i martonin shtatëmbëdhjetë, që kur t’iu vinte dita që t’i ngrinin ushtarë, të ishin bërë etër me dy-tre fëmijë, për t’i shpëtuar asaj. Kush jepej pas librave mbas kësaj moshe, i thoshin: “i pjerdhur nga mënd e kresë”! Pa le, të të shihnin të blije “qitapë” dhe të shëtisje në lagje me to; “i lajthitur” ish epiteti më i butë që mund të dëgjoje.
Shpesh më kishin zënë veshët komentet e fqinjëve të mi, që më qanin hallë, me shprehje keq ardhëse: “Gjynah! Këtë djalë, do t’a lajthisë shkolla”! Pastaj thashethemnajën e vazhdonin plakat, që vrisnin kohën nëpër sofatet e sokakut, me shprehjen qortuese: “Ah ore Lime, more Lime, ç’e more më qafë çunin”! kështu e gjykonin tim atë dhe ndërkohë logorisnin fatin tim të zi. Pas pak vitesh, unë përfundova në burg. Parashikimi i kasandrave të lagjes, sikur u përligj:
“Ja, shiheni ku të çon shkolla e tepërt! O çuna, shpejto nga një zanat, nëse s’doni ta mbyllni ‘atje’, si ai”! i këshillonin të moshuarit, djemtë e lagjes. Rastin tim e përdornim si gogolin që trembë sorrat në kopsht. “Atje”, “atje”, “atje”! Duke e theksuar termin “atje”, aludonin burgun dhe konkretizonin argumentin; po njëkohësisht s’e përmendnin fjalën “burg”, sepse i trembeshin të ligës që: “Po e zure në gojë, dëgjon, ora e ta sjell në derë”!
Pavarësisht referencës krahasuese, ky komunitet më donte e më respektonte, sipas mënyrës së vet. Si vendalinjë autoktonë, shprehnin dhimbje për fatin tim “rrokullimë”, s’linin rast pa ngushëlluar prindërit e mi, për dertin që i gjeti dhe i uronin të dilja sa më parë, prej “atje”. Këtë e përligji fakti që sapo më liruan nga “atje”, pjesa më e madhe e këtyre njerëzve të thjeshtë, më mirëpritën me dashamirësi dhe më hapën vend në gjirin e tyre, pa iu trembur konsekuencave dhe pa marrë në konsideratë qëndrimin armiqësor, të zyrtarëve komunistë.
Por me gjithë shpirt mirësinë dhe dëlirësinë që i karakterizon banorët e kësaj lagje, arsimimi ka mbetur pika më delikate e tyre, ata edhe sot mbeten komuniteti më pak i arsimuar në qytet. Tradita tashmë ka nisur të ndryshojë, po ende s’ka arritur nivelin e lagjeve të tjera. Si për çdo nxënës, ditët e para nisën me andrallat e rëndomta, jo po mungonin librat, jo po duheshin fletore, jo po pamjaftueshmëri mjetesh didaktike, etj. Sido që një pjesë tekstesh, arrita t’i siguroja me ndihmën e miqve dhe të vetë mësuesve, përsëri kisha mungesa. Fletoret dhe blloqet e shënimeve, m’i dhuruan pleqtë për stimul; dispensat me leksione, mësuesit nga të tyret dhe pjesën tjetër, i porosita në familje. Kështu, në një farë mënyre u kompletova. Në kushtet ku gjendesha s’mund të kërkoja qiqra në hell dhe thana në Shën – Ndre, pra të pretendoja kabinete, laboratorë apo, edhe tabelë të zezë. E kam përmendur diku më lartë, se ndoshta duhej të isha nxënësi me i çuditshëm në planet! Mësoja fshehurazi nëpër cepa e skuta, kur secili krenohej për metodikën e përparuar, të të nxënit haptas. Përkundrazi, unë ruhesha të mos i bija në sy komandës dhe spiunëve.
Kur mësuesit na shpjegonin mësimet, trukonin gjasme lodra pa dëm, ngaqë hafijet gjurmonin gjithkah e gjithkënd. Shoqërimet e shpeshta, i raportonin si grupazhe sabotatorësh apo si tratakiva për tentativa arratisjesh, ose më keq ende, si kamuflazh për konspiracion kundër shtetit. Por më çuditshëm silleshin mësuesit e mi; ata rreckaman të rrëgjuar nga sëmundjet dhe puna e rëndë, që me gjithë vuajtjet e pareshtura dhe privacionet pakufi, gjenin kohë dhe kurajën, të sfidonin lodhjen, të mposhtnin andrallat, të sakrifikonin rëndom edhe ato pak momente pushimi, për përgatitjen time.
Gjithsesi, mbetën të sjellshëm, po skrupulozë, deri në pedantizëm! Paskëtaj, përditshmëria ime ndërroi. Orari i veprimet pësoi ndryshim thelbësor, u kanalizua brenda ca piketave strikte. Sapo mbyllja ciklin e angazhimeve të detyruara, nisnin andrallat vullnetare. Domethënë, me t’u kthyer nga puna e mbaja frymën te librat. Libra dhe fletë më qarkonin ngado. Në radhë te kazani i supës, çapitja duke lexuar ndonjë fije letër, haja bukë po me shënime para, madje edhe nevojat fiziologjike, i kryeja me shënime nëpër duar.
Gjithkund ku mundja hapja fletëza dhe blloqe, kur s’mundja, përsërisja përmendësh ç’kisha mësuar më parë. Ecja duke folur me vete, me lopatën ngarkoja karrocën me dhe e gurë, me mënd recitoja poezi apo pëshpëritja vokabularin e frëngjishtes. Leksionet m’i jepnin sipas një rendi, që mësuesit në mirëkuptim me njeri tjetrin, kishin rënë dakord. Hartuan plane-pune javorë, mujorë, tremujorë, njëvjeçarë, grafikë ditorë, ku së paku i takonte të shtjellonin katër orë mësim, tridhjetë minutash. Gjashtë ditë në javë, njëzetekatër orë mësim; aspak më mangët nga shkolla e rregullt!
Veço orët e punës fizike, që e kisha me tepri, të fizkulturës që sërish më binte bretku me veglat alete, si lopata e tjera, orët e muzikës dhe të vizatimit, që i konsideruan fakultative, lëndët teorike metodistët i gjykuan më se të mjaftueshme, për vitin akademik, pastaj gjatë pushimeve verore, kurrikula mund të zgjerohej sipas dëshirës. Kështu, mbeta deficitar, koha m’u kufizua në maksimum, aq sa çdo minutë e lirë më dukej luks.
I kapërceva shpejt pasojat e birucave, kujtesa nisi të funksiononte mrekulli. Rezultatet e fillimit, i bënë optimistë mësuesit e mi, ndaj tër dozën e lëndës që më jepnin, po ndërkohë shtuan edhe kërkesën e llogarisë. Lodhesha deri në shterim, po ndjeja edhe sadisfaksionin e lëvdatave për përparimin në mësime, sidomos kënaqesha kur shihja të mrekulloheshin miqtë e mi të mirë. U riktheva edhe një herë nxënës! Nxënës me tërë mentalitetin e asaj moshe!
Kur më vlerësonin, i gëzohesha notës, njëlloj si në bankat e shkollës, kur më qortonin, dëshpërohesha po aq. Por për arsye madhore, ndryshe nga bashkëmoshatarët, unë detyrohesha t’i ndërprisja mësimet shpesh, të kaloja ditë-netë i lidhur s shtyllave, javë dhe muaj në dhomat e izolimit. Ndoshta isha nxënës më unikal në planet, që gëzoja privilegjin të bashkëjetoja non-stop me mësuesit e mi; të flija në të njëjtin internat, biles e një pjesë të punoja së bashku, në të njëjtën brigadë, ku gërmonim, shkarkonim e shtynim karrocat me dhe e me gurë, tetë, dhjetë, apo njëmbëdhjetë orë.
Për argëtim s’më ngelej më kohë, po vetë miqtë që më nxitën drejt saj rruge, më inkurajonin të mësoja më tepër e më tepër. Sidoqoftë ato pak çaste pushimi, në dhjetëminutëshin mes dy orëve, gjeja rastin të bashkë fjalosesha me pleqtë. Momentet që kaloja me ta, sikur ë kthjellonin e më freskonin kujtesën, po njëkohësisht më rikthenin në realitetin e ashpër që pak nga pak, po i shkëputesha. Këmbëngulja me të cilën studioja, iu ra në sy miqve të mi, që në një mase e inkurajuan dhe e pëlqyen, por për të më mbajtur në kontakt e realitetin, më shkëpusnin herë pas here.
Një ditë me ironinë e pandashme xha Sherefi, më qortoi: – “Or cull, si naltë hesapi, ke nis me fluturu! Druj se sa të mbërrish në ajër, në e paç kismet, ke me na harru! Allahile, mirë e ke”! – gdhendi me thikë mbi drurin që kish në dorë, mandej shtoi: – “Ani bre, se boll t’kena mërzit, me pallavrat tona pleqnishte”!- “Jo, xha Esheref, mos m’i thuaj ato fjalë, ju jeni e do mbeteni miqtë e i më të mirë”! – e ndërpreva i pezmatuar. – “Hajd, para mec! Na t’moshumve na bli përvojën, mos na ndigjo pordhët”!
I zhytur në botën ireale të librave, i mbytur në halle si gjithë të tjerët, vazhdova dy vite jetë akademike, në Akademinë më të çuditshme të rruzullimit, më të panjohurën dhe të pa legjitimuar nga asnjë instancë përfaqësuese të kulturës dhe e shkencës botërore. Falenderoja me gjithë zemër “pedagogët”; që nga “themeluesit” e parë të fundviteve dyzet e me radhë, gjithë plejadën e shkëlqyer të mësimdhënësve që kohë mbas kohe, për shkaqe e rrethana që s’vareshin prej tyre, i dorëzonin stafetën njëri tjetrit, në këtë Akademi “Humbëtirë”.
Ata dijetarë brilant që me vetëmohim dhe sakrifica të pa rrëfyera mbajtën gjallë frymën arsimdashëse të rilindasve tanë të mëdhenj, mëkuan me dije breza të tërë të rinjsh, që mbushën “auditorët” e kësaj Akademie, pa tituj e pa grada shkencore por, me njohuri reale e të vërteta të pa deformuara, absolute, si jeta dhe vdekja. Prodhuan në rrjedhën e dekadave, një grup intelektualësh solidë, paçka se pa diploma të ekuivalentuara. Në Akademinë “Humbëtirë”, do jepnin kontributin e tyre modest, me hartime tekstesh dhe me leksione teoriko-shkencore, që nga ish-kryeministri i Mbretërisë, Koço Kota e, deri te ish ministri i arsimit Mirash Ivanaj.
Krah tyre do militonin figurat e shquara politike, të historisë, letërsisë dhe arteve, si: poetët Kudret Kokoshi, Zef Jushi, Visar Zhiti, përkthyesi i Iliadës Gjon Shllaku e Amik Kasaruho, filozofi i shquar Arshi Pipa, sociologu Sami Repishti, muzikologu i paarritshëm Ramadan Sokoli, liriku me zërin brilant, Lukë Kaçaj, piktorët Maks Velo, Sadri Ahmeti, Vangjush Tushi, Edison Gjergo, shkrimtarët e traditës, Patër Pjetër Meshkalla, Dom Nikollë Mazreku, Patër Zef Pllumi, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Astrit Delvina, Kin Dushi, Pjetër Arbnori, poligloti Vexhi Buharaja, Ilia Thereska e, dhjetëra e dhjetëra të tjerë, që për dyzetepesë vjet me radhë, mbajtën me vaj kandilin, në udhëtimin drejt dritës dhe ndriçuan errësirën e natës së zezë komuniste. Me vullnet herkulian e devotshmëri patriotike, përgatitën në Akademinë “Humbëtirë”, brezat e së nesërmes që do përçonin më tej idetë iluministe, paçka se sot puthadorët e oborrit komunist, pretendojnë disidencën.
Ndër ta, do rendisja edhe mësuesit e mi të Repsit, ndonëse më modestë se të parët, po gjithsesi kontribuuan me të njëjtin përkushtim, në ketë mision fisnik. Unë do rrëfej shkurtimisht për ish mësuesit, ashtu siç i njoha normalisht, meqë qenë të parët që më udhëhoqën në udhën e dijes, mbeten edhe më të paharruarit; njësoj si në kujtesën e çdo fëmije, mbetet i pashlyer kujtimi për mësuesen e klasës së parë, që të drejton dorën për shkrimin, edhe pasi ka kryer disa fakultete. Të mëvonshmit mund t’i përmend, po erdhi radha, sepse pas çdo transferimi apo vdekje, apo lirimi, që me thënë të drejtën ndodhte mjaft rrallë, zakonisht ndërroheshin edhe një pjesë mësuesish, që më pas zëvendësonin të tjerë, siç ndodhi edhe mua.
1- Mësuesi i Gjuhës dhe Letërsisë, Hodo Sokoli, ish një burrë rreth të pesëdhjetave, krejt i shogët e i zbardhur para kohe, me mustaqe të prera shkurt. Maniak rregulli dhe pastërtie. Që në prezantimin e parë, e kuptova se kisha të bëja me një intelektual të niveleve të larta, nga çdo pore e qelizë, ai rrezatonte kulturë dhe edukatë të përsosur. Ishte dënuar me grupin e Hafëz Sabri Koçit.
Hodua ishte pinjoll i fisit të shquar Sokoli, nga Shkodra. Gjyshi i tij adash, Hodo Begu, kujtohet si një ndër figurat më të ndritura të historisë shqiptare të rilindjes, udhëheqës i shquar i kryengritjeve popullore, në mbrojtje të trojeve dhe integritetit territorial kundër turqve e malazezve; por kjo gjenezë e famshme, s’e pengoi Enver Hoxhën, t’i dënonte si “armiq të popullit”, nipërit e tribunit popullor. Në fillim muzikologun e famshëm, Ramadanin dhe më vonë të vëllanë, po aq të spikatur, Hodon. Për rreth dy vite me të, studiova gjuhë dhe letërsi.
Hodua ish pedant profesionist, mjaftë korrekt por, kërkues i rreptë; mbas mësimit shndërrohej shpirtbutë, deri në përulësi. Prej tij përfitova shumë, sidomos në letërsi, ku leksionet i merrja me shkrim. Ai i përgatiste ato vet; për të më lehtësuar, m’i dhuronte të gatshme të shkruara me bukurshkrim të imët, ku gërmat njëdimensionale, radhiteshin njëshkolonë, si ushtarët në rresht. Zotëronte memorie fenomenale; falë tij njoha Fishtën, Koliqin, Konicën, Pipën, etj., shkrimtarë të nëmur nga komunizmi e, të dëbuar nga Panteoni i Letërsisë Shqipe.
Ai mësues i urtë, në pamje të parë dukej i pa interesuar për punët e kësaj bote, të jepte përshtypjen e një hutaqi të shushatur, po në fakt, voziste në hapësirën iluzive të lirisë, pa tela me gjemba, pa pranga ideologjike, jashtë kafazit burg. Qëndrimi i tij intransigjent, në ditët e revoltës Spaçit, 21- 23 maj 1973 dhe guximi në gjyqin special, flasin sa mijra fjalë. Ai përfaqësonte një kasafortë dijesh të pafundme, veçse duhej të gjeje çelësin e artë, t’i hapje ato dyer. Për gjithë jetën do t’i mbetem mirënjohës profesor Hodos, për sakrificën që bëri për të më zgjeruar horizontet e dijeve!
2- Mësuesi i Matematikës dhe Shkencave Ekzakte, në fakt pata dy të tillë, Marko Popoviçin në teori dhe Ing. Hamdi Haska, në praktikë. Marko s’ishte ndonjë mësues i spikatur sepse, si sllavofon, gjithë kohën kish dhënë mësim në shkollat e fshatrave të Vrakës. Kjo qe pjesa e dukshme, po realisht ai ishte mjaftë kompetent, në lëndën e vet. Kur e shihje ashtu skeletik, me syzet optike që i vareshin mbi kurrizin e hundës së hollë, i dobët, eshtak, pyesje veten se si rrinte në këmbë ky rob, që një shpirt i hynte dhe një i dilte, sa edhe uji, i dukej në gurmaz?!
Por pas asaj aparence anemike, fshihej një epigramë dinamike; gjithë gjenia e tij ish ndryrë në ekuacione e teorema, hipoteza e të panjohura me iksa dhe ypsilonë. Mbetesha gojëhapur kur shpjegonte ai, aq romantike i bënte shkencat ekzakte, sa ta thosh mendja se tregonte përralla apo histori, aq sa edhe pse s’para i honepsja shifrat, detyrohesha t’i mësoja me themel, vetëm për mos t’u turpëruar para tij. Pastaj, me Markon punonim në një brigadë dhe çdo moment të lire, s’përtonte të m’i shpjegonte edhe njëherë nga e para.
Në praktikë kisha gjetur një asistent profesor, ky ishte inxhinieri mekanik, Hamdi Haska. Hamdiu kish mbaruar studimet në Moskë, “në një degë që ma imponuan”, siç më thoshte vet: – “Jo bre, s’e zgjidhje dot degën, e kish përcaktuar Partia, që në Tiranë. S’mund të kundërshtoja, ky qe fati im dhe unë iu nënshtrova. Po t’i kisha kryer studimet në degën që kisha për zemër, mbase tani s’do isha këtu”! – ngushëllohej ai, për të justifikuar pasionin për matematikën. Sa herë ngecja në morinë e shifrave të ndonjë ushtrimi apo ekuacioni, po edhe në trigonometri e stereometri, i drejtohesha Hamdiut dhe ai mezi priste rastin, të tregonte talentin si magjistar shifrash, biles ndonjëherë qëllonte të më falenderonte për “telashet” që i hapja:
– “Të falenderoj Çimi, më krijon variacion, se më doli mendja fare nga tërë ato projekte dhe skica makinerish, të paktën me këto argëtohem”! – mandej më nxiste: – “Mos nguro bre, sa herë të kesh nevojë, më ke gati”! Pra, e kisha gjetur tabelën e logaritmeve dhe çelësin e enigmave matematikore, mjafton t’ia shpija atij dhe ishin të kryera. I falenderoj të dy edhe Simonin, për sakrificën që kurrë s’e pranoi për të tillë, po edhe Hamdiun, që edhe pse pretendonte se argëtohej nga loja me shifrat, mua më hoqi sikletin shpesh. Ju faleminderit!
3 – Mësuesi i Historisë, Agim Musta, një gjirokastrit tridhjetepesë-dyzet vjeçar, me banim në Tiranë. Ishte një rrondokop buçko, faqekuq, i qeshur dhe rrezatues. Për shumë vite kish dhënë mësim në rrethin e Beratit, ku ishte njohur edhe me njerëz të mi. Ishin dënuar një grup intelektualësh, për formimin në ilegalitet, të Partisë Social-Demokrate, (në rrjedhën e viteve do njihesha, pothuaj me të gjithë, e do bëheshin miqtë e mi). Agimi ish historian objektiv, shpjegonte në detaje ngjarje dhe fakte, i interpretonte ato me realizëm, pa i politizuar e, pa i himnizuar protagonistët e tyre, duke i parë nën dritën e mentalitetit të kohës, kur kishin ndodhur.
Në leksionet e tij, kam dëgjuar të vërtetat të panjohura më parë apo të deformuara nga historiografia komuniste. Kur leksionet i merrja me shkrim, duhej përqendruar gjithë vëmendja mbi fletore sepse, interpretimi letraresk që iu bënte ai fakteve historike, të mahniste dhe vetëm në fund e kuptoje, se s’kishe shkruar asgjë. Mandej i turpëruar, i kërkoja të më huante leksionin, për t’u përgatitur për te nesërmen, por ai s’ti jepte asnjëherë. Kishte një huq, fletoret personale i ruante me fanatizmin e Harpagonit. Këtë virtyt-ves, ne e shpjegonim me anekdotën tipike gjirokastritçe “që lidh macen, para buke” Por në fakt, ai donte të nxiste te çdo nxënës i tij, sensin e rregullit dhe punë-dashjen.
I jam veçanërisht mirënjohës profesorit, për këto dy gjera: së pari, për ato të vërteta që përmenda më sipër; dhe e dyta, për atë rregull si gjirokastritët, në mbajtjen e shënimeve të përhershme edhe për ato që mendoja se i dija. Por mësimi i tij më i vyer, mbeten sentencat që citonte më shpesh: “Përsëritja, mëma e dijes dhe shënimet, babai i saj”, si dhe “Historia bëhet vetëm një herë, po shkruhet mijëra herë”!
Me Agimin patëm fatin t’i arrijmë ditët aq të dëshiruara të demokracinë dhe veprat e papërsëritshme me vlera të rralla të shkrimtarit Agim Musta, panë dritën e botimit e tashmë, janë pronë e fondit të artë të historiografisë shqiptare. Ai, me kurajo për t’u admiruar, demaskoi historianët falsifikatorë komunistë dhe vazhdon ende të jetë aktiv me penën e tij të veçantë. E kam falenderuar dhe e falenderoj profesorin e mikun tim, duke i uruar jetë sa më të gjatë dhe penë sa më të artë.
4 – Mësues Gjeografie dhe Astronomie, kisha Vangjel Kulen. Ai ish një rreth tridhjet vjeçar, me kulturë dhe edukatë të përsosur. Shprehja tipike “i dashur”, në gojën e tij, merrte kuptimin e mirëfilltë, ngaqë me gjithkënd dhe gjithkund, kullonte mirësi. Me Vangjon e urtë ishim patriotë, madje më shumë se aq, krahinorë. Familjet tona kishin zbritur në qytet nga e njëjta zonë, nga nahija e Shpiragut; biles nga dy fshatra fqinj, tri kilometër larg njeri tjetrit. Ata nga Sinja, ne nga Sadovica; të parët tanë kishin pasur miqësi të vjetër.
Si të tillë, shumë shpejtë vendosëm urat e kontaktit, miqësinë tradicionale familjare e përforcuam, ngaqë punonim edhe në të njëjtën brigadë. Vangjeli mësues, sikur ndërronte lëkurë, merrte të tjera vlera, fluturonte në një tjetër univers, i binte nuri i pedagogut hijerëndë. Nga lartësia e katedrës, dukej se voziste mbi re. Në fakt ne s’kishim fare katedër, por mbi një pllakë zdrukthi të gozhduar në katër hunj që mbas mësimit, rikthehej në funksionin primar, për të cilin ishte ngritur, pra, shndërrohej në magje, për të qëruar qepë dhe patate. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016