Nga David Binder
– Reportazh i përgatitur nga gazetari amerikan, në nëntorin e vitit 1990, kur qyteti në Shqipërinë e Mesme, u kthye ndër vatrat e rezistencës. Demonstratat dhe survejimi i gazetarëve të huaj. –
Memorie.al / Kur njëri nga moria e automjeteve të huaja, që janë lejuar të qarkullojnë në këtë vend, kaloi përmes këtij qyteti industrial të pistë, njerëzit që po ecnin në këmbë në rrugën kryesore, i kishin ngritur gishtërinjtë e tyre në formën V. Shenja e V-së, është një ndër mënyrat, të cilën shoferët e kamionëve e shpjegonin me qëndrimin mospërfillës ndaj Partisë së Punës, e cila ka qeverisur vendin për 46 vitet e fundit dhe tani, duket se është duke humbur dukshëm forcën e kontrollit. Në muajt e fundit, njerëzit e këtij qyteti me 20 mijë banorë, që ndodhet 18 milje në jugperëndim të Tiranës, e kanë kthyer Kavajën, në një vatër të fortë të demonstratave antikomuniste.
Të shtëna dhe linçime
Kishte protesta në mars, në qershor dhe sërish në korrik 1990. Demonstrata e korrikut ku, sipas një të riu vendali, morën pjesë 5 – 10 mijë persona, shënoi një rritje të dhunës, ku një burrë u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë dhe një punonjës policie, u vra nga turma.
“Qytetarët e Kavajës i urrejnë komunistët”, – tha një djalë i ri. Që në fillim të janarit, ka patur edhe demonstrata dhe përplasje të tjera më të mëdha, në qytetin verior të Shkodrës dhe në kryeqytet (Tiranë).
Të marra së bashku, në këndvështrimin e shqiptarëve dhe të diplomatëve të paktë perëndimorë të akredituar këtu, këto ngjarje e përfshijnë Shqipërinë, në rrugën që ndërmorën në vitin 1989 edhe vendet e tjera të Europës Lindore, të cilat janë në kulmin e kolapsit, me qeveritë e tyre komuniste.
Në ndryshim nga rrethanat në vendet e tjera, Shqipëria tani është përfshirë në hapa të pashkelura, me një përkeqësim të ekonomisë, me një pakësim të mallrave të konsumit dhe, në këto katër muajt e fundit, me një frikë të dukshme të njerëzve, për shtim të forcave të sigurisë, të quajtura “Sigurimi i Shtetit”
Procesi i demokratizimit
Që në pranverën e kaluar, qeveria e presidentit Ramiz Alia, i cili drejtonte gjithashtu edhe Partinë Komuniste, e njohur formalisht si Partia e Punës së Shqipërisë, ka bërë përpjekje, që t’i përmbahet linjës, me një program të matur dhe gradual masash politike dhe ekonomike, që njihen me emrin “demokratizim” në vendin me të varfër të Europës.
Bujqit që mblidheshin në kooperativa me 30-50 punonjës, tani janë lejuar që të kultivojnë në ngastra toke private dhe të shesin perime dhe mish, në tregjet e hapura. Për herë të parë, qytetarët janë lejuar të udhëtojnë kudo dhe në katër muajt e fundit, më shumë se 25 mijë veta, kanë ikur, pjesa më e madhe e tyre, në mënyrë të qëllimshme, janë larguar nga Shqipëria, për të mos u kthyer.
Në bazë të dekretit zyrtar, njerëzit janë të lejuar të ndjekin ritet fetare, privatisht në shtëpitë e tyre, një liri kjo e ndaluar, kur qeveria e kishte deklaruar Shqipërinë një shtet ateist dhe kishte mbyllur të gjitha kishat dhe xhamitë, që në vitin 1967.
Këtu në Kavajë, kristianët kanë nisur të paralajmërojnë protestat publike, që në fillimet e verës së kaluar dhe gjatë demonstratës së korrikut, lëshuan parulla antikomuniste kundër oficerëve të Sigurimit të Shtetit, që ishin infiltruar në radhët e protestuesve, duke penguar ata që ishin në krye të lëvizjes.
Vendi i kundërshtive
Që nga malet e larta të tij, të cilat mbulojnë 2/3 e tokës, deri te fushat e ngushta, përgjatë bregdetit të Adriatikut, Shqipëria në vjeshtën e vitit 1990, ishte një vend me shumë kontraste të mprehta sociale, madje me kundërshti:
“Në fushat, ku nuk ka makineri bujqësore, gratë punojnë me mjete krahu, si lopata dhe kazma, ndërsa në hotel ‘Dajti’ në kryeqytet, tani ka një pajisje për kartat e kreditit dhe një faks.
Në Universitetin “Enver Hoxha” në Tiranë, një disko ofron muzikë çdo të shtunë në mbrëmje, ndërsa studentët, akoma janë të instruktuar me një edukatë komuniste, të bazuar në parimet e Stalinit. Sipas një gjykimi në bazë të një numri bisedash të sinqerta, shumë, ndoshta shumica e 4 mijë studentëve, dëshirojnë të largohen nga Shqipëria.
Akoma kishte studentë që kishin zotëruar në mënyrë të plotë dhe të bindur të gjithë linjën e Partisë Komuniste, të cilën e shprehnin me të huajt se; “Marksi, Lenini dhe Stalini, janë një” Një statujë e Stalinit, qëndron akoma në rrugën kryesore të Tiranës.
Një pikturë e Stalinit, mbizotëron në sheshin kryesor të qytetit malor të Pukës. Këtu ka një qytet që mban emrin e tij. Por skulptura e Stalinit, që qëndronte në pjesën e poshtme të qytetit të Shkodrës, është zhvendosur nga autoritetet komuniste verën e kaluar, pasi protestuesit e çmontuan, në demonstratën e muajit janar.
Shteti i të Drejtave të Njeriut
Gjendja e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, paraqitet gjithashtu me kontraste, ndonëse qeveria ka kërkuar që të pranohet në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë.
Ndërsa në fillimet e këtij viti, mijëra qytetarë që ishin internuar në zona të ndryshme rurale për shkelje të ndryshme dhe shumë të tjerë që janë mbajtur si të burgosur politikë, tani janë liruar, ndërsa qeveria ka mbajtur vetëm 80 të burgosur politikë.
Mes të dënuarve, thuhet se janë edhe ish-ministri i Tregtisë së Jashtme, Kiço Ngjela dhe djali i tij, Spartaku, të cilët janë arrestuar në vitin 1976 dhe janë mbajtur në një kamp të quajtur “Kosova”.
Kundërshtitë shqiptare janë shtuar edhe nga udhëheqja nën drejtimin e presidentit Alia, që në parimet e tij kishte qëndrimin e prerë: në njërën anë të “idealit tonë socialist” dhe në anën tjetër, dëshirën e tij për “demokraci sa më të thellë”, një ekonomi tregu dhe lidhje të ngushta me Europën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne jemi konfuzë dhe të frustruar, por jemi më pak të frikësuar”, – thotë një inxhinier i ri nga Shkodra, i cili përgjigjet rreth programit të reformave të lançuar nga z. Alia. “Të gjithë ne të rinjtë dëshirojmë të shpëtojmë”.
Dalja jashtë
Në të vërtetë, mbi 25 mijë veta janë larguar legalisht me pasaporta dhe viza, si dhe 5 mijë të tjerë, fituan të drejtën e udhëtimit jashtë në fillimin e korrikut përmes hyrjes me forcë në ambasadat perëndimore dhe morën azilimin. Një numër i madh shqiptarësh, kanë kaluar ilegalisht kufijtë e fqinjëve jugosllavë dhe grekë në muajt e fundit.
Sipas një studiuesi nga Tirana, të paktën 50 persona që tentuan të kalojnë kufirin janë “konfirmuar të vrarë”, nga ushtarët vitin e kaluar, por ai thotë se; “numri aktual, mund të jetë më i lartë, sesa 300 – 400 persona”.
Nuk është e qartë ende, nëse qëllohet për të vrarë, me gjithë ndryshimet e bëra, por një vajzë katërvjeçare, është vrarë me armë zjarri, gjatë një arratisjeje të hapur të rreth 19 shqiptarëve, që po kalonin përmes Liqenit të Shkodrës në Jugosllavi, në verën e kaluar, nga një komandë ushtarake.
Asnjë prej këtyre ngjarjeve nuk është përmendur në shtypin dhe televizionin e vetëm shqiptar, të kontrolluar rreptësisht nga shteti. Konfuzioni aktual, në trajtimin nga ana e qeverisë të situatës së sigurisë, është përmendur nga disa korrespondentë të huaj që vizituan Kavajën, në këtë pasditen e fundit.
Lëshimi i vizave siç duket do të lejojë gjithnjë e më shumë lirinë e lëvizjes në Shqipëri, për 10, ose më shumë ditë. Ata mund të vizitojnë çdo qytet që të dëshirojnë dhe mund të largohen nga vendi, kur të duan, në momentin më të përshtatshëm.
Korrespondentët ndaluan në Durrës, pastaj vazhduan në drejtim të Tiranës, nga “Rruga e Kavajës”, 10 milje drejt jugut. Për pak minuta më pas, ata u gjendën në Kavajë, kur befas u shfaqen katër makina me policë civilë dhe me uniformë. Gazetarët ishin në varg, në drejtim të burgut dhe kampit të internimit.
Të gjithë qytetarët e pranishëm, në një kohë u mbushën mendjen policëve, që të lejonin korrespondentët që të vazhdonin udhëtimin, me paralajmërimin se nuk duhet të përsëriten veprime të tilla, që sjellin ndryshimin e itinerarit të tyre. Sipas një qytetari, “Kavaja dukej si një vend në survejimin e Sigurimit, që para disa javësh”.
“Ata urrejnë, veçanërisht Enver Hoxhën”
Nuk është e qartë pozita e presidentit Ramiz Alia, në këto ditë në Shqipëri. Paraardhësi i tij, Enver Hoxha, që vdiq në vitin 1985, ishte “trajtuar si një fuqi e mbinatyrshme, në vitet e fundit të tij”, – tha sot një teknik anijesh në qytetin e Durrësit. Tani njerëzit lëshojnë parulla kundër Hoxhës dhe të vesë, Nexhmijes, në Kavajë dhe në Tiranë. Veçanërisht në Kavajë, ata e urrejnë Hoxhën.
Edhe zoti Alia, nuk ishte i nderuar këtu, megjithëse disa shqiptarë, flisnin me një nivel respekti dhe afeksioni për të. Ai nuk promovon ndonjë kult të përngjashëm, të personalitetit të Enver Hoxhës. Një teknik nga Durrësi thotë, duke iu referuar Xhelil Gjonit, një anëtar i linjës së ashpër në Byronë Politike Komuniste dhe një sekretar partie, se; “shumë njerëz fajësojnë Gjonin për dhunën këtu, por ai thotë se, është vetë Alia. Ai është në detyrë”.
Presidenti Alia, përshkruhet nga një ambasador perëndimor që ka biseduar me të për një kohë të gjatë, si një; “njeri me kurajo personale dhe me vetëpërmbajtje dhe duket shumë relaksues”. Gjithashtu, është një njeri me pamje të konsiderueshme, të cilën ai e shfaqi edhe në përshëndetjen e një grupi me gazetarë të huaj, në fund të tetorit.
Por, gjithashtu, ai do të shfaqet si një trajner që “kalëron” një tigër, i cili e ndihmoi atë të edukohej si një aktivist i ri komunist dhe pastaj të shkëlqejë, në zhvillimin e plotë të tij. Tani, “tigri”, është duke lëvizur me ritmin që zoti Alia, nuk mund ta kontrollojë tërësisht më gjatë dhe në mënyrë të besueshme, ai do ta lëshojë atë, duke e zbutur paksa, por pa e përlarë atë.
Rasti i Rumanisë
Rumania shfaqet shpesh në bisedat e këtyre ditëve në Tiranë dhe në qytetet e tjera, ku shqiptarët diskutojnë skenarin më të keq të fundit, të sundimit të komunizmit në vendin e tyre, që kupton një kryengritje të fortë popullore kundër diktaturës, me shumë gjakderdhje, siç ndodhi në dhjetorin e kaluar në Bukuresht.
“Ne nuk do t’ia lejojmë vetes të kemi një Rumani këtu”, – thotë një student në Tiranë, që shoqëron vullnetarisht vizitorët e huaj. “Sepse ne jemi njerëz gjaknxehtë dhe këtu, do të ketë një masakër”, – përgjigjet ai. Memorie.al
Artikulli është publikuar në “New York Times” më 5 nëntor 1990
Titulli është redaksional
Përgatiti për botim, Albert Gjoka