Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjete shtatë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Dëgjomë or mik, para se të flitet për Spaçin, duhej të përfytyrosh një gropë gjigante që e quajnë; ‘Varri i armiqve’, ku kanë mbledhur tradhtarët dhe agjentët e C.I.A.-s, diversantët dhe armiqtë e popullit e të partisë, nga janë e s’janë”. – vijoi ai. – “Por s’njoha ndonjërin, sepse e kishim të ndaluar t’u flisnim. Të betohem për ideal, janë të zgjuar ata qerratenj, se kanë mbaruar shkollat në Perëndim dhe i kanë stërvitur në kampet e Gjermanisë Federale. Aq të përgatitur fizikisht janë, sa kaptojnë telat e rrethimit, mbi tri metër lartësi dhe të zënë rob në karakoll!
Kishte turli soj, që nga politikanët e tribunave, gjer te kriminelët, që të rrjepin të gjallë. Ama partia, ua gjeti vendin, i mbylli ndër tela dhe i rrasi nëpër miniera, që t’i lenë eshtrat nën dhe”!
Kur erdhi radha e revoltës së 21 majit, u shpreh: “Ato ditë s’do t’i harroj kurrë! Armiqtë ngritën krye të nxitur nga spiunazhi i jashtëm, me të cilët lidheshin me radio marrëse-dhënëse, duke përdorur një kod të fshehtë, që s’kishte bir nëne ta zbërthente, me fjalor të zgjedhur, sa ta bënin mendjen dhallë. Or mik, kur flisnin ata, thua fliste perëndia! Ama edhe drejtuesit tanë i njihnin mirë, sepse ishin më të aftë dhe më…”!
“Po pse i lejuan të shpërthenin në revoltë, kur e paskan pikasur më parë”? – pyeta gjoja i shqetësuar.
“Babuç, punët e Sigurimit janë të thella, sa s’ta pret mendja kurrë”! – picërroi sytë si konspirator dhe shtoi: – “Mbase i lanë të pikasnin qëllimin, të zbulonin shërbimet armike, që punojnë kundër Shqipërisë dhe t’i zhvishnin lakuriq krerët e reaksionit të brendshëm, që veprojnë të kamufluar”.
“Ç’ndodhi më pas”?
“Po, ja, i lamë të llomotisnin sa deshën, pastaj t’iu kthyem grykën e pushkës dhe t’i bëmë për ujë të ftohtë. Kulmi arriti me flamurin, kur i vunë në mes një sorrë pa yll, ama edhe ne ja lëruam nënën, e bëmë vrima-vrima, gjersa mbi tarracë mbeti shtiza e ngrënë nga plumbat dhe një rreckë, si ta kishin shqyer qentë. Pse ore, me flamurin e partisë do talleshin ata?!
Mëngjesin e ditën e tretë, u bëmë gjëmën! Të mblodhën 400 sampistët e Diko Zeqos, zgjodhën edhe nja njëqind nga ne, na pajisën me hunj e me leva dhe t’iu sulëm atyre që s’u dorëzuan, iu hymë vënçe, sa iu thyemë brinjët dhe i nxorëm me barela. Katër i pushkatuan atë ditë, mbi tetëdhjetë i dënuan së dyti…”!
“Dhe me kaq u mbyll meseleja”? – desha ta nxisja ende.
“Ore, ne ishim kail t’i ekzekutonim gjer te i fundit, ata dhe njerëzit e tyre, ku i kanë e s’i kanë, po ç’t’i bësh partisë dhe shokut Enver, që e ka zemrën të gjerë dhe barkun të madh”!
Afër dy dekada nga ky rrëfim, në shkurt të 1991, Mersini udhëhiqte enveristët, që s’lanë sokak dhe rrugë pa shkelur në Berat, me portretet dhe bustet prej allçie të Enverit. Djemtë e rrugicës sime, ua grisën dhe ua thyen, dhe t’iu hynë në hu, kush iu doli duarsh, mori zallin e lumit dhe u hodh në Remanicë. Tre nipërit e mi, kishin vënë ndër këmbë njërin prej tyre. Unë s’e miratoja dhunën, ndonëse e meritonte hurin, ua hoqa duarsh. Kur ç’të shoh, roja i burgut të Spaçit, Mersini!
“Të falënderoj që më shpëtove nga armiqtë e partisë”!
“Janë nipërit e mi”, – ia ktheva.
“Ç’a flet, ore? Këta na grisën fotot e Enverit dhe flamurin me yll”!
“Të bënë hakun, në vend të pendohesh e të kërkosh falje për gjynahet e lashta, merresh me kërma”?
“Unë s’pendohem as për atëherë, as për sot, as për nesër, por jam pishman, që s’i zhduka armiqtë në Spaç, me ta edhe ty”!
Siç duket e kish mësuar, që isha edhe unë një nga “diversantët”, e përgatitur në kampet e Gjermanisë Federale!
I dyti
Xhevdet Cenka, nga fshatrat e Devollit, injorant dhe i pashkolluar sa i pari, veçse më finok. Pas ushtrie u largua nga fshati dhe u vesh kapter në Kavajë, ku u martua dhe shërbeu deri në vitet nëntëdhjetë. Në vigjilje të demokracisë, e pikasi ndryshimin dhe iu bashkua Partisë Demokratike, natyrisht për përfitim, por gjithsesi doli i papunë.
Pas “revolucionit”, komunisto-fshataro-jevgjito-grek të 1997-ës, punova në Kavajë, gati gjashtë vjet, ku mes atyre që më furnizonin me tulla dhe llaç, njoha edhe Xhevdetin. Ai hiqej demokrat i kulluar, por ishte llafazan dhe harronte shpesh, ç’kishte thënë para një ore. Një pushim dreke, po iu rrëfente kolegëve episode nga një ngjarje e vitin 1973, kur kish qenë ushtar në Ministrinë e Brendshme…!
“….ishin të çuditshëm, o miq! Pse ore, me propagandë përmbysej pushteti? Ata nuk dispononin armë, ama u peshonte fjala, më rëndë se plumbi dhe iu ngjiste si me zamkë! Sa gati na mbushën mendjen edhe neve, që na kishin zgjedhur me kokrra dhe na bënin dhjetë orë politikë në javë!
Atë ditë Feçorr Shehu dhe Kasëm Kaçi, rreshtuan treqind burra, u ndezën gjakrat dhe i hodhën në sulm kundër armiqve të partisë…”!
Bash ky pasazh më shtoi kuriozitetin.
“Për ç’bëhet fjalë, o Detkë”? – përdora përkëdhelinë korçare, për t’u treguar konfident.
“Ke dëgjuar gjëkafshë për burgun e Spaçit dhe revoltën e 1973-it”? – më pa triumfues.
“Për burgun kam dëgjuar, për revoltën jo”! – u hoqa i paditur ç’ka ndodhur? – pyeta si naiv.
“Është histori e gjatë, për t’iu kthyer gjene nga fillimi”.
“Nuk është nevoja, vazhdoje ku e ndërpreve”, – e nxita unë.
“Epo mirë! Na bënë xurxull me konjak dhe pas një or politikë, na pajisën me doreza bronzi, me shkopinj gome e, me skafandra dhe ndanë në dy grupe. Grupin tim e urdhëruan të futej nga porta kryesore, tjetrin nga kampi ordiner, mbi rrëpirën e një përroi. Të burgosurit i kishin lidhur nën zyrat e komandës. O Zot, si ishin katandisur, pa gjumë ngrënë, të kallnin krupën nga pocaqia”.
“S’iu dhatë ndonjë hu të shëndoshë”? – e ngacmova.
“Jo bre, s’kishim punë me të lidhurit, sepse ishim forca elite, të ndërhyrjes speciale! Ama veç nesh, sollën edhe dy mijë ushtarë nga korpusi i Burrelit dhe i Shkodrës, pa shtënë në hesap vullnetarët nga Rrësheni, Laçi, Lezha, Puka, Kukësi, Dibra, Mati, etj., në total bëheshin mbi katër mijë”.
“Katër mijë forca ushtarake, për shtatëqind të çarmatosur?” – bëra të habiturin.
“Ne pushkët kishim, ata ishin oratorë bre, të prishnin mendjen dhe të hidhnin sirën”!
“Ç’ndodhi më pas”? – s’mu durua.
“Pasi na informuan se një pjesë do rezistonin me mjete rrethanore, sëpata, sqeparë, leva, hunj, gurë, veç kaskave, na pajisën edhe me mburoja plastike. Iu bëmë thirrje të ngujuarve, por ata s’u dorëzuan. Rrethuam barakat dhe pallatin, por çudi, katër vetë, na vonuan dy orë! Na binin gurët dhe tullat breshëri. Pale, na u kumbis edhe një qen murrash, që na nxiu jetën! Të ngujuarit sipër, qeni nga poshtë, na grinë, or për Perëndi! – Ata bam mbi kokë, ai ham nga kofshët, s’po gjenim derman, Allabun shahit”!
“S’i futët një koqe plumbi, të vinte në esfel të gomares”! – e cyta.
“S’kishim armë, or mik. Ne bam me hunj, ai ham me dhëmbë, na shqeu bre t’u mbylltë e mendjes”!
“Sa vetë ishit”?
“Nja dy-tre qind shpirt”!
“S’ke turp, kur e rrëfen, bre Detkë”? – e vura në sedër.
“Dëgjo, bre mik! Ishte hazhdërha, sa më shumë i binim ne, kthehej e të na çohej me dhëmbë, e të na bëri copë e çikë, si ta na kishin grirë me rende!
“Paska qenë i çuditshëm, bre Detkë”!
“Ellahun shahit, ai s’ishte si gjithë qentë”!
“Do ta kenë nisur me mision, armiqtë e jashtëm, bre Detkë”!
Të lumtë! Në këtë konkluzion dolëm edhe ne, e kanë stërvitur në shkollat më të mira të kundërspiunazhit gjermano-perëndimor. E kanë sjellë diversant! Paçka se s’u ngjiste as nga shtati, as nga boja qenve gjermanë”!
“Ç’ndodhi më pas”?
“Atyre lart, iu shteri ‘municioni; dhe hynë në përleshje trup me trup. Vallahi ishin trima, por u thyem meçkat me doreza bronzi dhe eshtrat me hunj, t’i nxorëm me barela, pothuaj të vdekur dhe t’i plasëm mbi karroceritë e kamionëve”.
“Po me qenin, ç’u bë”?
“Nja dhjetë u morën me qenin dhe e shtruan në hu, po edhe ai i gjakosi dhe i xhallaviti me dhëmbë. Ama ia kënduam kuluvallanë, e dënuam me vdekje”!
“Si the, si”?! – shtanga unë.
“Pse habitesh, mo t’u mbylltë e mendjes, e pagoi deri më një dëmin që na shkaktoi”!
“S’kisha dëgjuar ndonjëherë, të mblidhet gjykata për të dënuar një qen”!
“Jo bre, s’e dënoi gjyqi, po neve! E meritonte, ishte më i rrezikshëm nga të zotët! Po të ngelej gjallë, do t’u çonte informata ustallarëve, që e kishin dërguar me mision”.
“Dhe e ekzekutuat”?
“Ua lamë detyrë drejtuesve të kampit, që e zbatuan vendimin të nesërmen”.
Heshti një copë herë, por e nxita:
“Tjetër…”?
“Ç’tjetër, bre”?
“Doja të pyesja, ç’ndodhi me tej”?
“A-ah! Ne ikëm, të tjerat i kam të dëgjuara. Mbas nesh policia, kontrolloi fjetoret dhe arrestuan nja njëqind copë, u thyen brinjët me hunj, i lidhën me hekura dhe i vërvitën mbi makina të vilanosur. Dymbëdhjetë i dënoi gjykata që atë ditë, katër i pushkatuan, te tjerët nga njëzet e pesë…”!
“Me një fjalë, ju kishit detyrë të vrisnin njerëz”?!
“Për ç’farë na ushqente partia, me bukë gruri dhe me mish, mo”?i qeshi ironik.
“Dhe i zbatuat direktivat, pa u brejtur ndërgjegjja fare”?
“Na stërvitën tre vjet për atë ditë! Ama e meritonin, tentuan të përmbysnin pushtetin popullor me dhunë, bre”!
I treti
Në vitet dy mijë, kisha një punëtor nga Lybesha. Selman Murati, ishte i pashkollë dhe injorant, si dy të parët, por në dallim prej tyre, ishte besimtar i bindur.
Me një fjalë e kompensonte naivitetin, me devotshmërinë te Perëndia.
Riparonim një shtëpi pranë xhamisë së Beqarëve, në lagjen “Mangalem”, ku na ndante rruga me Bar “Dardhën”. Sa herë më tekej, porosisja nga ballkoni dhe kur kafeja ishte gati, e pija herë me njërin, herë me tjetrin, por me Selmanin, s’më kish rënë rasti. Meqë atë ditë s’kisha tjetër, e ftova dhe ai nuk refuzoi. Po e gjerbnim me nge në verandën mbi ujërat e Osumit, kur dikush nga trotuari na uroi:
“U bëftë mirë”!
Personin e kisha hasur në tubimet e Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, po s’ia dija emrin.
“Bujrum”! – e ftova për adet.
“S’iu ndave këtij as në kafene, or burrë”? – i hodhi romuze punëtorit tim. Dukeshin intim, po s’e dija ç’i lidhte.
“Kemi afër dy muaj që punojmë bashkë, sot na u bë mbarë, të pimë kafe”, – ia ktheu Mania.
“Të shijon kafeja, me ‘armikun e partisë’? – e shpotiti ai dhe më ra supeve. Pas kësaj shakaje, e ftova të ulej:
“Eja pi një kafe me ne, pa Mania është mik me të gjithë”! – e mora mbrojtje. “Edhe me ty”? – pyeti serioz.
“Ka ca muaj”.
“Seç ruani ndonjë sekret nga e shkuara ju të dy”? – prapë seriozisht.
S’e njihja, siç nuk njihja bashkëbiseduesin, por s’më interesonin sekretet e asnjërit, ngaqë s’më lidhte gjë veç punës.
“Përse m’u dashkan sekretet tuaja”? – ia preva shkurt.
“Jo or mik, ne s’kemi sekrete se jemi fshatarë, por ti dhe ky, keni qenë ë burg, njëri brenda, tjetri roje me automatik”!
Ngriva me filxhan në dorë dhe sytë mbi Selmanin, sepse s’e imagjinoja dot një babaxhan si ai, në shërbim të Sigurimit të Shtetit, apo roje burgu, për më shumë politik.
“E vërtetë është”? – iu drejtova.
“Po, kam qenë ushtar nga..’71-i, gjer në…’74-ën”, – heshti një moment, më këqyri nga nën vetullat dhe shtoi: – “Mirë mua më çuan me pahir, po ti ç’lidhje ke me Spaçin”?
“Edhe mua s’më pyetën, po më lidhën me pranga dhe më shpunë me përdhunë…”!
“O Mane, ky ka qenë i burgosur politik”! – sqaroi tjetri.
“U-ah, o-ooo, ja Abas Ali”!- shtangu gojëhapur dhe syzgurdulluar. – “Mos kemi qenë në një kohë”?!
“E liruan një vit para teje”, – shtoi bashkëbiseduesi.
“Atje të zuri revolta”? – u interesua Mania.
“Bëra edhe dy muaj e gjysmë pas saj.
“Shyqyr që ia paske hedhur pa zarar! O-ooo, ja Abas Ali”! – rënkoi, i zgjatur me duart në kokë.
“Të dhemb”? – u merakos bashkëfshatari.
“Më zë koka, sa herë e kujtoj. O-ooo, ja Abas Ali”! – rënkoi dhe vijoi: -“Zoti e di ç’më panë sytë”!
“Tregona ç’ke parë”! – e nxiti bashkëfshatari.
“O-ooo, për atë Perëndi, që na sheh e na dëgjon, s’rrëfehen kollaj ato mysybete”!
“Fol pa teklif”, – ndërhyra unë.
“Nuk do më mbash mëri”? – u mbrus sa një grusht.
“Përse u dashka”?!
“Ore byrazer, kemi bërë edhe të këqija ne”!
“Njeriu i mirë, e gjen rastin për të kërkuar ndjesë, edhe kur gabon”! – desha ta lehtësoja.
“Të këqijat tona, s’i lan deti, as Zoti në qiell, s’do na i falë! O-ooo, ja Abas Ali”! – rënkoi gjatë.
S’di pse e mëshirova atë qyqar të penduar! Vallë, sa të tillë në Shqipëri apo jashtë, e ndjejnë barrën e fajit dhe gjuajnë rastin të lypin ndjesë? Nga praktika, s’më rezultojnë shumë. Madje arroganca e atyre që na përçmojnë dhe s’denjojnë të na hedhin sytë, na urrejnë dhe janë pishman, që na lanë gjallë, përkon me sjelljen e qeveritarëve socialistë, që s’lanë në punë asnjë të përndjekur politikë, sjellje që s’jep shpresë për ndjesë, qoftë edhe të vonuar.
“Ç’gjë e veçantë të është ngulitur, për ish-të dënuarit politikë”? – pyeti bashkëfshatari.
“Fakti, që na i paraqitnin djall me brirë dhe kriminelë që hanin të gjallë edhe fëmijët, por…”!
“Dhe ju i besonit”? – e ndërpreva unë.
“O byrazer, aq dinim ne, fshatarë hesapi! Na veshën kapotat, na dendën barkun me bukë gruri, kokën me broçkulla komuniste dhe yxhym mamlyk”!
“Prej nga vinin ushtarët që shërbenin në burgje”? – megjithëse pyetja mund të merrte përgjigje relative, e shtrova për të mësuar, se në dorën e kujt i kishin lënë jetët tona.
“Kishte nga gjithë Shqipëria, por pjesa dërrmuese nga jugu, në raport, tre me një”.
“Po qytetarë a kishte”? – e ndërpreva i habitur nga kjo e panjohur.
“Në repartin ku shërbeva unë, diku te njëqind e pesëdhjetë ushtarë, vetëm dy ishin qytetarë, por s’bënin roje, sepse njëri ishte sekretar rinie, tjetri intendent. Madje e njëjta përbërje ishte edhe në repartet kufitare, ku kanë kryer shërbimin bashkëfshatarët e mi. I mbushnin me fshatarë nga zonat e thella dhe tek-tuk ndonjë jevg qyteti.
“Çfarë niveli arsimor kishin”?
“Me arsim tetëvjeçar, kishte edhe me fillore, dhe më të rrallë, ndonjë me të mesme”.
“U bënin punë politike”?
“O-ooo, ja Abas Ali, tre muaj, nga mëngjesi në darkë dhe më pas, tre herë në javë, nga dy orë”.
“Po stërvitje”?
“Stërvitje the?! Tre muajt e para, na morën shpirtin! Që në pesë të sabahut, bënim pesë kilometër vrap, pastaj gjithë ditën stërvitje, rreshtore, vrapime, mësonim përdorimin e armëve dhe mbrëmja na zinte të shkrehur, si të na kishin rrahur me hu, por na priste tranazhi, ku na vishnin e zhvishnin nja dhjetë herë. Kur na çuan në repart, bënim dy herë në javë, jashtë orarit të shërbimit”.
“Me ç’tjetër merreshit në repart”?
“Ja Abas Ali, shërbim tetë orësh, or mik! Në behar me dy ndërresa, katër orësh, në acarin e dimrit, katër ndërresa, nga dy orë”.
“A ndiheshit të lumtur”?
“Ore, do të tallesh ti!? Se po më flet si ata që deshën të na mbushnin mendjen, se gjoja ishim më të privilegjuarit e dynjasë, se partia na kish besuar frontin më të vështirë, ballë diversantëve dhe armiqve të rrezikshëm! Po delirin e gërreu koha, kur nisën diferencimet. Na brehu krimbi i dyshimit dhe flisnim me ndonjë shok të besuar, por me terezi sepse, e kishim burgun para hundës, përditë e për minutë”.
“Ndëshkuan ndonjërin”?
“Nja tre a katër! Dy me burg, për largim pa leje dhe dy të tjerë, i shtruan në spitalin psikiatrik, për moszbatim urdhri”.
“Ç’di për revoltën e 21 majit 1973”?
“O-ooo, për Perëndi, vështirë të rrëfehen ato mysybete”! – përsëriti shprehinë e mëparshme dhe shfreu sërish, me kokën ndër duar: – “O-ooo, ja Abas Ali”!
S’e ngava, kur u ngrita të paguaja, bashkëfshatari nguli këmbë, të na kthente qerasjen. Si porositi tri pije freskuese, nguci Manen: “Të zuri koka, hë”? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016