• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, July 27, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Mehdi N., nga Rrajca, kryetar i Zyrës Teknike të Spaçit, flinte në një dhomë më vete me ‘dylberin’ e vet, të cilit me dijeninë e komandës, i kishte veshur një fustan dhe…”! / Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

“Fenomeni më i çuditshëm në burgun e Burrelit, ishte ai i shpjegimit të ëndrrave nga disa, si p.sh., Qemal Demiri nga Vlora, i cili disa ditë para se të vdiste Mao Ce Duni, na tha…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Ju tregoj jugosllavët që njoha në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ’80-të…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik që u dënua me vdekje dhe vuajti 21 vjet në Burrel
“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
Memorie.al
“Halim Xhelo më tha; kjo që bëhet në Shqipëri, ndodh vetëm me zezakët në SHBA-ës. Më vrisni, varmëni, ashtu siç keni varur të tjerët, dhe thoni se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-gardianit

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e dyzetedy            

                                                               Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.  

Gjithashtu mund të lexoni

“Letrat që Nuhi Vinca nga Struga ia dërgonte Mentor Çokut në Romë, kalonin në zyrat e UDB-së, për këto e të tjera shërbime, shefi Jordan Spasovski, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

“Në Frengove, te qendra për nisjen e agjentëve në Shqipëri, bënin gosti, kurse në shtëpinë e Xheladin D., dhe Ali P., te ‘Gjyluas’…”! / Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                                   Vijon nga numri i kaluar

Dhe atëherë Gjergji më shfaqte hapur, me pasion e pa u lodhur aspak, admirimin e tij të madh për shokun Enver! Jo, nuk po sajoj asgjë, i dashur lexues, po them krejtësisht të vërtetën, qoftë kjo edhe një e vërtetë e hidhur, madje fort e hidhur, për një të burgosur politik, që nuk ishte as spiun dhe as hipokrit e dallkauk, e aq më pak provokator, por një njeri i çiltër, tek i cili kishte ndodhur një anomali, se mendja nuk ishte rritur në përpjesëtim të drejtë, me trupin e tij të bëshëm.

Sipas Gjergjit, Enver Hoxha ishte një udhëheqës, sa i madh e largpamës, aq edhe i ndritur në mendje e me një përgatitje shumë të gjerë e të thellë kulturore. Ai mund të barabitej fare mirë, jo vetëm me Maon e Stalinin, por edhe me Leninin, duke iu afruar mjaft afër vetë Marksit dhe Engelsit. E dëgjoja dhe e dëgjoja me durim, me dhembje në shpirt, shokun tim bashkëvuajtës, dhe kur më sosej durimi, atëherë i kthehesha arabçe, jo vetëm për Enverin, por për të gjithë emrat e renditur më lart, sigurisht sipas shkallës së seriozitetit, të vlerave dhe të përgjegjësive të tyre. Se dhe unë nuk isha aspak injorant në fushën e marksizmit, makar duke u nisur thjeshtë nga thënia e Leninit, që armikun nuk mund ta luftosh si duhet, po nuk e njohë mirë, madje fort mirë.

Dhe kështu debati sa vinte e thellohej, sidomos në drejtim të Enverit. Dhe atëherë i thashë Gjergjit, që unë kisha mbledhur shumë materiale e fakte nga jeta e “veprat” e tij dhe sapo të dal nga burgu, do t’i qëndis një monografi siç e ka hak, ky “udhëheqës i madh i popullit shqiptar”. Gjergji doli përpara meje nga burgu, se domosdo ishte dënuar shumë më pak se unë. Dhe nuk u takuam më së bashku në “jetën e lirë”. Në agimet e para të “demokracisë” shqiptare, në ato rrëmujat e fillimit, Gjergji gjeti shteg e shkoi me gjithë familjen në Zvicër, duket aty ku kishte jetuar vite e vite me radhë, i ati i tij fisnik. Dhe jeton atje sot e kësaj dite.

Kam, më të rrallë, ndonjë këmbim letrash dashamirëse, ku më flet kryesisht për udhëtimet e tij turistike në Evropën Perëndimore. Dhe mua, sigurisht, me bëhet qejfi me gjithë shpirt. Veçse, po ta di që i kanë mbetur ende në kokë lakrat e marksizmit, do t’i shkruaja që të vejë edhe në Londër, në High Park, varreza e njohur, të marrë një tufë me lule, të gjejë varrin e Marksit dhe t’ia vejë mbi krye. E, po iu mbush mëndja ndonjëherë, të kthehet në Shqipëri, të bëjë të njëjtën punë, te varri i mbartur i Enver Hoxhës, në Sharrë të Tiranës. Kështu, ironia e fatit, është me të vërtetë një çudi e madhe, sa për të qeshur, aq edhe për të qarë.

Anatomia e horrave të burgut

Njeriu edhe mund t’u përshtatet vështirësive dhe prapësive të jetës, goditjeve të fatit. Kështu i dënuari me burg përpiqet, me vullnet, kurajo dhe mençuri, t’u bëjë ballë me dinjitet mundimeve fizike, të nxehtit dhe të ftohtit, sëmundjeve dhe torturave, urisë dhe skamjes së tejskajshme, prepotencës, arrogancës, fyerjeve të rojtarëve, apo eprorëve të burgut. Por, nëse është vërtet njeri i formuar, që e ka për zemër dinjitetin, vuan edhe më shumë nga mangësitë e pashmangshme fizike, nga mangësitë morale, nga ndyrësitë shpirtërore që e rrethojnë atë, pothuaj në çdo mjedis të burgut, në çdo çast të asaj jete, që nuk është jetë, por një vegjetim i atij varri të të gjallëve, siç e ka quajtur burgun në kohën e vet, shkrimtari gjenial i dhembjes njerëzore, Fjodor Dostojevski.

Edhe njeriu më i thjeshte i burgosur, fshatar a punëtor qoftë, i pashkollë, me një botë të kufizuar shpirtërore, vuan jo vetëm nga uria dhe skamja, nga mundimet e punës së detyruar a, të tjera mangësi si këto, por vuan kur e fyejnë, e prekin në sedër, kur nuk gjen dot fare mundësinë t’u largohet këtyre prapësive, por është i detyruar të jetojë, me shpirt në fyt, mes batakut të poshtërsisë dhe mjerimit shpirtëror. Regjimi komunist, krahas degjenerimit moral të njeriut, të qytetarit shqiptar, domosdo që u përpoq me të gjitha mënyrat të degjenerojë, po ashtu, madje me përparësi, burgun politik, ku kishte mbyllur mes mureve të trasha dhe hekurave të kryqëzuar, kundërshtarët e tij të vendosur politikë, të ashtuquajturit “armiq të popullit”

Sigurisht këtë ai nuk mundej ta arrinte menjëherë, por shkallë-shkallë, tek e fundit, ashtu siç vepronte me masën e popullit jashtë mureve të burgut, vit pas viti, dekadë pas dekade, duke synuar të “ndërtojë” të ashtuquajturin “njeriun e ri”, të realitetit “socialist”. Dhe ky njeri na doli se ishte një dele e përulur, frikaçe, që kënaqej vetëm me atë racion bari që i jepte pushteti i partisë. Na doli se ky “njeri”, na ishte një kafshë pune, e bindur dhe që lejonte ta shfrytëzonin deri në palcë. Na doli se ky “njeri”, pranonte të mbetej edhe injorant, sido që gjoja ndiqte shkollë, madje deri në universitet, se e njihte jetën, historinë e vendit dhe të botës ashtu si donte partia, domethënë kokë përmbysur.

Po ashtu, se e njihte dhe e pranonte moralin, vetëm si përulje, deri në servilizëm, se në vend të kurajës, kishte përqafuar frikën, se denoncimi, pra spiunllëku, qenkësh një “detyre patriotike”. Dhe madje, kur laku i varfërisë dhe i mungesave, erdhi gjithnjë e duke u ngushtuar, mësoi edhe të bëhej hajdut, duke vjedhur pasurinë e shtetit, e cila në bazën e saj kishte pasurinë e popullit, të qytetarëve. Dhe nëse spiunllëku ishte premisë e parë e “besnikërisë” ndaj partisë e pushtetit, a nuk ishte ky spiunllëk, një bumerang ndaj vetë lirisë së tij qytetare, lirisë personale, lirisë së mendimit dhe të ndërgjegjes?

Mania paranojake e Partisë, për të kontrolluar deri brekët e grave, pa le të tjerat, nuk ishte vetëm një mani, por ishte një pikësynim i qartë, që të shuante qysh në vezë, çdo përpjekje për liri dhe veprim. Dhe këtë pohim timin, e vërtetoj me një të dhënë që më ka thënë gjatë kohës së burgimit tim, një nga ish-krerët e Ministrisë së Brendshme të Enver Hoxhës, tashmë i burgosur edhe ai, i ndjeri Maqo Çomo: “Në vitin 1949, ne kishim të regjistruar 100.000 agjentë të Sigurimit”! Pra atëherë kur “pushteti popullor”, s’i kishte mbushur të pesë vjetët…! Dhe kur Shqipëria, nuk di a e kishte popullsinë, pak më tepër se një milion! Po më 1959, ‘69, ‘79), ‘89).

Sikur çdo dhjetëvjeçari t’i shtojmë 2 herë nga 100.000, kemi 200.000 spiunë! Kështu në pesë dhjetëvjeçarë, na del një shifër tronditëse: 1.000.000 spiunë! O Zot, çfarë tmerri! Kështu, kur pas shembjes së Murit të Berlinit dhe bashkimit të dy Gjermanive, u bënë publike pak a shumë emrat apo shifrat e spiunëve dhe aktivistëve te STAS-it (Policia Sekrete Gjermano-Lindore), unë nuk u çudita aspak. Bolshevizmi, pra komunizmi, nuk mbështetej aspak në klasën punëtore e fshatare, si deklaronte me bujë, por te Sigurimi i Shtetit dhe spiunët e tij.

Me këtë logjikë të thjeshtë, a mundej ai, “pushteti popullor”, të mos fuste hundët edhe te burgu politik, në këtë “ishull” të vetëm të lirisë antikomuniste, në këtë ishull të “reaksionit” madje deri në “Komitetin Qendror” të këtij “reaksioni”, si e quanin ndryshe komunistët burgun e Burrelit? Pa çka se ai në vetvete, ishte një varr i të gjallëve? Sigurimi, domethënë Partia, me “shokun” Enver në krye, donin të dinin se ç’bëhej në burg, si flitej, çfarë po përgatitej? Mos vallë aty (edhe pse brenda mureve të trashë dhe hekurave, rrethimit me truproja, me mitraloza e projektorë, qen kufiri e dreqi i mallkuar), po përgatitej ndonjë revoltë, një herë në një burg e pastaj në burgjet e tjerë, pastaj nëpër kampet e punës së detyruar, në vendet e shumta të internimit dhe na përmbysej “pushteti i dashur popullor”, domethënë kolltuku i ngrohtë i Faraonit?

Ja, pra, pse duheshin spiunët edhe në burg. Dhe në mos lindnin ata vetë brenda, nga puna e operativëve të Sigurimit dhe shtrëngimet, kërcënimet e dhuna e ushtruar, ata duheshin futur aty nga jashtë, e sidomos nga burgjet, sidomos elementët ordinerë, si më të lehtë për t’u bindur e për t’u rekrutuar. Pa le të kishin ata edhe një nen të vogël “armiqësor”, të paktën nja 3 vjet dënim, për agjitacion e propagandë.

Kështu dhe vetëm kështu, vit pas viti, Sigurimi synonte dhe, deri në një farë mase, ia arriti ta ndyjë deri burgun e Burrelit, mjedisin e pastër e homogjen, duke kallur brenda tij, dyshimin, frikën, përbuzjen, mosbesimin, pasigurinë, gati-gati mbylljen në vetvete të të dënuarve. Dhe një dukuri e tillë, me sa di unë, nga literatura mbi burgjet politike të të gjitha kohërave, nuk ka ndodhur kurrë, të paktën në atë masë si në burgjet komuniste.

Dhe jo vetëm në Shqipëri, por as në Bashkimin Sovjetik dhe në çdo cep të botës, ku ka sunduar flamuri i mallkuar i kuq me draprin e çekanin e bolshevizmit rus. Nga viti 1944, kur nisën të mbushen burgjet në të gjithë vendin, nga Jugu në Veri, spiunët ishin me gishta: ndonjë që ishte “rrëzuar” qysh ne hetuesi nga torturat, demagogjia e premtimeve, dobësia e karakterit ose, ishte rekrutuar nga operativi në burg. Dhe këta pak “gishta”, njiheshin nga të gjithë të dënuarit, madje ata izoloheshin. Por edhe i rrihnin keqas vetë të dënuarit, duke u vënë sipër një batanije dhe fut e bjer…!

Por, më vonë, kjo farë e keqe, si thashë edhe më parë, erdhi duke u shtuar, aq sa në kampin famëkeq të Spaçit apo, në atë të Qafë-Barit, sidomos pas shtypjes me dhunë e gjak të revoltave masive, numri u rrit së tepërmi, sa nuk merrej vesh sa u bë. Tregohet se njëherë e një kohë, Pashai i Janinës, kishte zëne një hajdut fort të rrezikshëm, i cili nuk kishte lënë prapësi e krim pa bërë: vjedhje e grabitje, çnderime e vrasje, dhe nuk kishte kursyer as turq e as kaurë, as të pasur e as të varfër. Dhe thuhej se ky hajdut, na ishte, pa le, edhe krenar. Kur rojat ia çuan pashait përpara, e pyetën:

– “Ç’ta bëjmë këtë, o pasha, ta shkojmë në plumb, ta varim në litar apo, t’ia presim kokën me hanxhar”?

– “Jo, jo, jo! Asnjë nga këto, po futeni në burg”!

– “Si, Pasha i Madh, kështu? Po ky s’ka lënë kusur pa bërë”?!

– “Futeni në burg ju thashë, ta hanë morrat dhe ta mërzisin horrat”!

Më duket se morali i kësaj fabule, ishte më se i qartë.

Megjithatë më duhet të pyes lexuesin: “Hajt kur je hajdut, vrasës e çnderues, pra një horr e bir horri i kualifikuar, qofsh edhe krenar, po kur s’je i tillë, por përkundrazi, je njeri i ndershëm, serioz, e që ke rënë në burg, për një ideal, sidomos në burgun komunist, sa mund të të mërzisin horrat e burgut”? Bashkëjetesa e detyruar me ta, në një vend të ngushtë si burgu komunist, për vite të tëra, është shumë më e rëndë, se një torturë kineze. Le pastaj kur këta horra, jo vetëm që kanë “bekimin” e komandës së burgut, por janë urdhëruar me hollësi, se sa e qysh t’u bien në qafë natë e ditë, njerëzve të ndershëm!

Horrat e burgut unë do t’i ndaja në katër kategori, sipas shkallës, jo vetëm të bezdisë, por edhe të rrezikshmërisë së tyre, të paktën ashtu si i shikonte i burgosuri i vërtetë politik, në burg

  1. Spiunët, sidomos ata më të kualifikuarit (sepse edhe në këtë kategori, ka nëndarje, si do ta shikojmë më poshtë).
  2. Hajdutët.
  3. Grindavecët, prepotentët dhe llafazanët.
  4. Homoseksualët.

Disa mes bashkëvuajtësve tanë, tek kujtonin hallet e burgimit, thoshin se këta të kategorisë së katërt, ishin të këqijtë e vetes dhe se ne të tjerëve, s’na prishte aspak punë, se si ata e përdornin trupin e tyre. Unë, sigurisht, nuk jam aspak i një mëndje, me një arsyetim të tillë. Bashkëbiseduesit e mi harronin faktin, që këta lloj horrash të ndyre që ndynin edhe më keq atmosferën e burgut (apo te kamp-burgut), me vetë praninë e tyre mes nesh, ata fyenin krenarinë tonë si njerëz, pa le si meshkuj, aq më shumë në një burg politik.

Kam vëne re se një ndjenjë të tillë, e kam jetuar edhe te mjaft të burgosur ordinerë, në ndonjë rast kur na kishin vënë bashkë në një kamp-burg, si ai i Fushë-Krujës, kur ndërtohej fabrika e atjeshme e çimentos, mes viteve ’66-‘67. Sidomos e kam fjalën për ata të burgosur ordinerë, që kishin rënë në burg për vrasje të atij që i kishte cenuar nderin e familjes. Paragrafit të fundit, do t’i shtoja edhe një fakt tjetër: homoseksualët nuk “përdornin” trupin e tyre por, ata, herë me dhunë, herë me metoda djallëzore, përpiqeshin ta përhapnin vesin e tyre edhe tek të tjerët, sa të ishte e mundur, sidomos tek të rinjtë, tek adoleshentët.

Kështu ata nuk ishin vetëm bartës të së keqes, këtij imoraliteti fort të ndyrë, por përpiqeshin ta shtrinin atë edhe tek të tjerët, me anë të aktit seksual, fakt i njohur tashmë botërisht. Por, ndërsa “sidasit” infektojnë me virusin vdekjeprurës, pederastët përhapin vesin e keq, të shëmtuar dhe të ndyrë moralisht, homoseksualitetin. Personalisht kam pasur gjithë jetën, që nga fëmijëria (dhe vazhdoj ta kem), një ndjenje jo vetëm neverie, por edhe indinjatë ndaj homoseksualitetit, dhe sido që kam lexuar mjaft libra edhe në këtë drejtim, për të mësuar sa më saktë mbi këtë dukuri të shëmtuar, nuk më është mbushur kurrë mëndja, ta pranoj qoftë edhe vetëm në planin logjik.

Duket sheshit se këtu është çështje më fort morali, se sa arsyetimi. Dhe morali merret në radhë të parë që në fëmijëri, në gjirin e familjes dhe në shkollë e më pas, në shoqërinë e më gjerë. Dhe në këtë drejtim, shoqëria shqiptare e kohës së fëmijërisë sime, mund të ishte disi e prapambetur në disa anë, por ama në punë të moralit, ajo nuk të falte. Atëherë s’ishte si sot, “dhen e dhi, derra e ujqër po në një vathë”, dreqi ta marrë! Le t’i dukem lexuesit prapanik, unë do të vdes i tillë!

Madje e ndiej veten krenar, në këtë drejtim. Dhe për më tepër, jo vetëm legalizimi i homoseksualizmit, por edhe lejimi i tij për të bëre “show” në bulevardin kryesor të Nju Jorkut, me parakalime, pa le “martesa” legale, mes burrash e mes grave, deri në rritje fëmijësh. Dhe gjithë kjo, nën arsyetimet “shkencore” dhe në kuadrin e “respektimit të të drejtave të njeriut”! O Zot i madh, na u ngjall përnjëmend mes nesh Gomorra dhe Soloma biblike! Digje ti, Zot, me zjarr rrufeje!

Jashtë burgut, në të ashtuquajturën “jetë të lirë”, regjimi komunist të dënonte me burg për homoseksualizëm. Për këtë punë u dënuan ca persona në Teatrin e Operës dhe Baletit, kur unë ndodhesha në burgun e Burrelit. Po kështu u dënua edhe drejtori i Teatrit të Kukullave, S. V., edhe pse ishte komunist i thekur, që nga fëmijëria e tij. Kurse në burg, komanda bënte sikur nuk dinte gjë e, se nuk shihte gjë! Pse kështu?! Është e qartë. Ku ta gjente ajo që të degjenerohej sa më shume burgu politik! Ajo për atë punë ishte, me operativin në krye.

Mehdi N., nga Rrajca, kryetar i Zyrës Teknike të Spaçit, flinte haptazi, në një dhomë më vete, me “dylberin” e vet, të cilit i kishte veshur një fustan, të porositur jashtë burgut, prapë me dijeninë e komandës dhe pranimin e saj të heshtur. Sepse ky imoral, ishte njëherësh krye spiun, hajdut (madje i zënë me presh në duar dhe i demaskuar si i tillë, mes kampit), para se të bëhej kryetar Zyre dhe pederast. Pra, kjo fytyrë e shëmtuar, ishte njëherësh “trivalent” në kiminë e amoralitetit.

Dijetarët që merren me homoseksualitetin, mes të tjerash, thonë se ai lind bashkë me njeriun e veçantë, si një predispozitë jo vetëm somatike, por edhe fiziologjike. E pra, në sajë të të dhënave faktike, unë them se jo gjithmonë ndodh kështu, sepse në burg, e posaçërisht në galeritë e minierës së Spaçit, pederastët i shtrëngonin të rinjtë e porsaardhur, (posaçërisht disa adoleshentë naivë e të pafuqishëm fizikisht), që “t’u jepeshin” atyre, duke i kërcënuar me leva ose me thika.

Unë di se një pederast pasiv (dylber), një djalë i ri nga Korça, e kish nisur këtë zanat që jashtë burgut, kur ishte gati fëmijë, i dhunuar nga një apo disa shoferë kamionësh, që e merrnin me vete në udhëtimet e gjata të tyre, duke shfrytëzuar dëshirën e tij fëminore për të bredhur me makinë. Dhe kështu kjo punë iu bë një lloj “profesioni”, të cilin vijoi ta ushtroje gati haptazi në burg. Ja, pra, e keqja e homoseksualëve aktivë. Por mjaft me këta dreqër, se e patëm fjalën te spiunët. Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Derbi ‘Jonian’ mes Himarës dhe ‘Butrinit’, mbahej gjallë nga Simo Kallushi dhe i plotfuqishmi zonës, polic Luftari, që u thoshte arbitrave...”/ Historia e panjohur e ekipeve rivale, që “ndiznin” qytetet e vogla

Next Post

“Kur Arsen Hoxha u tha delvinjotëve; ju keni rënë dakord, që të fitojë Saranda, ata protestuan, takimi u mbyll 1-1 dhe policia e mori arbitrin, duke...”! / Dëshmia e rrallë e “Pupes”, personazhit mitik të Delvinës

Artikuj të ngjashëm

“Letrat që Nuhi Vinca nga Struga ia dërgonte Mentor Çokut në Romë, kalonin në zyrat e UDB-së, për këto e të tjera shërbime, shefi Jordan Spasovski, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së
Dossier

“Letrat që Nuhi Vinca nga Struga ia dërgonte Mentor Çokut në Romë, kalonin në zyrat e UDB-së, për këto e të tjera shërbime, shefi Jordan Spasovski, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

July 26, 2025
“Në Frengove, te qendra për nisjen e agjentëve në Shqipëri, bënin gosti, kurse në shtëpinë e Xheladin D., dhe Ali P., te ‘Gjyluas’…”! / Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së
Dossier

“Në Frengove, te qendra për nisjen e agjentëve në Shqipëri, bënin gosti, kurse në shtëpinë e Xheladin D., dhe Ali P., te ‘Gjyluas’…”! / Dëshmia e rrallë e ish-zyrtarit të UDB-së

July 25, 2025
“Fenomeni më i çuditshëm në burgun e Burrelit, ishte ai i shpjegimit të ëndrrave nga disa, si p.sh., Qemal Demiri nga Vlora, i cili disa ditë para se të vdiste Mao Ce Duni, na tha…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
Dossier

“Në Burrel u njoha me Gjergji Molen nga Korça, me babain ‘armik të popullit’, kurse i biri, adhurues i marksizmit, madje kishte shpikur një tezë, që e çoi në Komitetin Qendror, por…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 25, 2025
“Fatkeqësisht, disa elementë shqiptarë, kanë qenë bashkëpunëtorë të denjë në shërbimet sekrete kundër-zbuluese dhe zbuluese të Jugosllavisë, pasi ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të UDB-së
Dossier

“Fatkeqësisht, disa elementë shqiptarë, kanë qenë bashkëpunëtorë të denjë në shërbimet sekrete kundër-zbuluese dhe zbuluese të Jugosllavisë, pasi ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të UDB-së

July 25, 2025
Dossier

“Davidi, është djali i Mimiko Kantozit, i cili në Shqipërinë komuniste, punoi gjithë jetën në ‘Albturizëm’, kurse tani jeton në Tel Aviv, pasi…“/ Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

July 23, 2025
“Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin toger Hakiu, aspirant Syrjai, kapterët Selfo, Tomi, Ismaili, etj., ndaj të internuarve në Tepelenë…”! / Dëshmitë dhimbshme të Eugjen Merlikës
Dossier

“Vëllai i madh i Nisim Kohenit në Bruklin, nuk do t’ia dijë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku i ati dhe daja, bënë nga 5 vjet burg politik, pasi…”! / Reportazhi i gazetarit të njohur, me hebrenjtë në Greqi

July 22, 2025
Next Post
“Kur Arsen Hoxha u tha delvinjotëve; ju keni rënë dakord, që të fitojë Saranda, ata protestuan, takimi u mbyll 1-1 dhe policia e mori arbitrin, duke…”! / Dëshmia e rrallë e “Pupes”, personazhit mitik të Delvinës

“Kur Arsen Hoxha u tha delvinjotëve; ju keni rënë dakord, që të fitojë Saranda, ata protestuan, takimi u mbyll 1-1 dhe policia e mori arbitrin, duke...”! / Dëshmia e rrallë e “Pupes”, personazhit mitik të Delvinës

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme