• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, June 4, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Me Xhavit Murrizin, mezi e nxorëm Barba Jorgjin nga gropa e ujërave të zeza, por më pas ai vdiq dhe e varrosën aty afër nevojtores…”/ Historia e dhimbshme e minoritarit grek në kampin e Repsit, në ’69-ën

“Policët që na sollën në Reps, i’ hipën auto-burgut dhe na përshëndetën në mënyrën më të kobshme; Zi e ma zi, mos e qitçit ma kryet dhe lënçit ashta e lëkurë, njitu…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
Kalendari Historik 21 Maj 2023
“Policët që na sollën në Reps, i’ hipën auto-burgut dhe na përshëndetën në mënyrën më të kobshme; Zi e ma zi, mos e qitçit ma kryet dhe lënçit ashta e lëkurë, njitu…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
“Te disa varre përballë burgut të Spaçit, prehet edhe një i afërm i ish-diktatorit Hoxha, që vdiq kur vuante dënimin aty dhe kur e pyesnin; çfarë e ke Enverin, ai…”/ Dëshmia e rrallë e ish-gardianit
“Me Xhavit Murrizin, mezi e nxorëm Barba Jorgjin nga gropa e ujërave të zeza, por më pas ai vdiq dhe e varrosën aty afër nevojtores…”/ Historia e dhimbshme e minoritarit grek në kampin e Repsit, në ’69-ën
Memorie.al

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e pestë

Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin ë zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, ekzekutuan me pushkatim katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

                           Autori

                  SHKËLQIM ABAZI

                                                               Vijon nga numri kaluar

                                                                            R E P S I

                                                           (Kampi i punës së detyruar)

                                                                        Memuaristikë

Gjashtëqind gramshit

(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)

Pa kuptuar, lodhja e kishte mundur trurin, më kishte qëllitur gjumi. Ëndrra të frikshme me pranga, me zinxhirë, me hetues, me policë, me ushtarë, me qenë kufiri, me dajakë, me gjarpërinj, me gjak, me britma, me ulërima, me akull, me rrufe, me vetëtima s’m’u ndanë. S’di si kisha dhe sa kisha fjetur, veç kur ndjeva ca fërshëllima të mprehta, që më oshëtinë në vesh.

“Të jenë piskama të njëmendta gjarpërinjsh?! Harpiet apo meduzat, të kenë zaptuar territorin e burgut? Apo të jenë bashkuar gjithë zhuzhurimat e FERRIT?! Po, ky zë i çjerrë që i shoqëroka, me britma: çohuni”?!

“Çohuni”!

Brofa i tromaksur. Sytë e mbufatur, s’po më hapeshin. S’e kuptova ku ndodhesha. Pulita sytë. U ktheva në krah mos shihja Ladin apo Luigjin, po jo! S’gjendesha në qeli! Fishkëllimat ishin reale, policët iu frynin bilbilave me gjithë bulçitë; piskama kish qenë e njëmendët, ulërinte tellalli i kampit!

O Zot, si lëvrinin gjindja rreth meje! Kush e kush më shpejt, gati sa s’përplaseshin me sho-shoqin!

Me peshqirët hedhur në qafë, me paguret dhe gavetat në duar, fluturonin jashtë derës, si të ndërkryer! Bënin ca gjeste të sinkronizuar, si marionetat që i lëviz një dorë e fshehur në prapaskenë!

O Zot!

M’u desh pak të bëhesha esëll.

Kur u kthjellova, hodha xhaketën krahëve dhe mora të zbrisja shkallët e drunjta, po nga sipër dëgjova zërin e Vaskës që më pyeste nga poshtë velenxës:

“Ku po shkon”?

“Frynë bilbilat”!

“Po pastaj”?

“Po shpejtoj të dal jashtë”!

“Avash, mos u vjaks, sot ti je gjashtë-qindësh”!

“S’të thonë gjë”?

“Shtrihu, mo, sa të mbarojnë ata që do dalin në punë! Është gjene natë, deri më shtatë, pret koha”!

U ula ndenjur mbi shtrat, po nevojat fiziologjike dhe kurioziteti, s’po në linin të qetë. Zbrita së dyti shkallët, zura pragun e derës dhe hodha vështrimin mbi kodrat për rreth.

Ende s’kish zbardhur mirë, me zor shquaje konturet e maleve. Qielli mbi krye, dukej i kulluar, yjet e fundit shndrisnin qartë në firmament. Një erë e lehtë, po brisk e ftohtë, të shponte brinjë më brinjë.

Nata duhet të kish qenë shumë e acartë, sepse ndan derës, mbi ca degëza trëndafili të brishta si eshtra zogu, kulu-vareshin arabeska të imta akulli, të qashtra si pikëza loti. Edhe tabani i sheshit, dukej i ngrirë, edhe nga çatitë poshtë tarracës së parë, vareshin heje akulli, të gjatë deri në tokë dhe të trashë sa krahu.

Brr-rrr-rr, më hynë të ngjethura. Shtrëngova rreth trupit xhaketën e hollë, por akullima mëngjesore i shpoi teshat dhe më depërtoi deri në zemër. Nisi të më dridhej mjekra dhe dhëmbët, gati sa s’thyen njëri- tjetrin.

Brr-rr-rr sa ftohtë, fërgëllova sërish.

“Hajd, shtyj tërë këto vite këtyre anëve, or bir”

Por s’u zgjata me këto përsiatje, dikush më dha të shtymën pas kurrizit e, më shfreu në surrat:

“Hy, tutkun, luj venin, se na ke xanë rrugën”!

Ky zë grykor më solli në vete.

Pa dashje u kisha zënë udhën të tjerëve që shpejtonin të kryenin nevojat personale.

Panorama e beftë më kish hutuar, harrova për ku isha nisur.

Mërmërita një “më fal” e, bëra pas turmës, për nga banjot.

Në fund të oborrit, në krah të djathtë, një palë shkallë të rëmira direkt në dhe, merrnin përpjetë mezhdës. Në to ngjiteshin e zbrisnin, mizëri të dënuarish.

Pak metër mbi këto shkallë, lartohej një tip barake, pak më e lartë se një bojë njeriu, që për çati i kishin hedhur ca pllaka eterniti të rrudhosura, anët, rreth një metër lartësi, i kishin veshur me ca dhoga të shtrembërta, të pazdruguara. Nga pas i kishin qepur ca llamarina të ndryshkura, që të mos shihej rrethimi me tela gjembaçë.

Vura re që atje njerëzit shpejtonin kokë ulur, me pantallona, gati nëpër këmbë. Kur më erdhi radha të futesha brenda, pashë se këtë palo barakë, e kishin ndarë në gjashtë kthina të vogla, të ngjashme me tharqet e derrave, secila jo më se pesështëdhjetë centimetër e gjerë dhe pak më tepër e gjatë. Mes tyre veçoheshin nga një paret dhogash, më e ulët se gjysëm boje njeriu.

Në secilën nga këto koshere, kishin shtrirë përfundoi dy dërrasa paralele, që shërbenin si këmbajka, për të mos shkarë në gropë. Në këtë kënd të nevojave intime, s’kishte dyer; për pasojë gjithçka kryhej sheshit, saqë me kohë edhe ndjenja e intimitetit harrohej. Poshtë ngrehinës, ishte një gropë e hapur, me thellësi një metër e gjysëm, e gjatë dhe e gjerë sa përmasat e barakës.

Në këtë gropë të zbuluar, depozitonin jashtëqitjet treqind burra. Duhmat kundërmuese që përhapte ajo, qelbte tej e ndanë territorin, ndërsa aroma mbytëse e fekaleve dhe urinës së freskët njerëzore, ndihej me kilometër larg.

Dërrasat paralele që shërbenin si këmbë-mbajtëse, me kalimin e kohës kalbeshin dhe nga pesha, thyheshin. Kish rastisur që ndonjë fatkeq të rrëshqiste dhe të zhytej në të pëgërë, gjer në fyt. Këto skena llahtarë, për atë që e pësonte, për ushtarët roje që vigjilonin, jo më se katër metër në karakollin ndanë gropës, shndërroheshin në skeçe komike.

Disa muaj mbas mbërritjes sime, u bëra dëshmitar dhe protagonist i pavullnetshëm, i një rasti të tillë. Nga kthina, ku kryeja nevojën, dëgjova një krisje të mbytur, që u pasua me një pllaquritje dhe më pas, ca rënkime. U çova vrikthi pa mbaruar, nga sipër paretit, në ndarjen ngjitur, shquava një dorë që gërryente me thonjë sipërfaqen viskoze të dërrasës këmbajkë.

U sula me pantallona ndër këmbë, e kapa dorën te kyçi dhe e tërhoqa me forcë. Por s’munda t’a ngrija i vetëm. Ndërkaq duhma e rëndë që emetonte gjirizi, më pështjelloi dhe zorrët m’u mblodhën në grykë. Një valë të vjellash, më shpërthyen si fontanë nga goja dhe nga hundët. Marramendja m’i shteri fuqitë, gati më ra zali dhe sa s’shkava edhe vet në gropë.

Koka e laturisur për ibret që poshtë dyshemesë, nxirrte rënkime të mbytura që më shpuan veshët Mes gulshit të të vjellave, mblodha forcat, e shtrëngova dorën që gati po më shkiste dhe ua dhashë ulërimave:

“Ndihmë! Ndihmë”!

Dikush m’u gjend pranë, po se cili s’e fiksova. Së bashku, e ngritëm trupin e laturisur. Më vonë do mësova se miku im kavajas, Xhavit Murrizi, sapo kish ndjerë britmën time, kish rendur me mendimin se isha unë, fatziu, që e kish pësuar.

Në momentin që trupi i pocaqisur u shfaq në sipërfaqe, ushtari roje që nga lartësia e kullë, kish ndjekur skenën makabre, u gajas dhe na hidhte romuze:

“Armiq, para-marsh, zhytuni me kokë! Hë, pra, kridhuni, se është i kripur”!

Kur pa se ne s’iu përgjigjëm, vazhdoi:

“Ore, po lëreni matufin të mësoj not, o të zhytet, o të mbytet në mut! Armiku i ndyrë”!

S’iu kthyem, s’ua kishim ngenë llafeve.

E nxorëm fatziun. Ai kullonte i tëri urinë dhe fekale, po edhe ne njëlloj si ai, ishim kredhur mos o zot. Aroma kutërbuese e jashtëqitjeve njerëzore, helmoi krejt atmosferën. Plaku fërgëllonte dhe diç mërmëriste me vete, në një gjuhë të pakuptueshme.

S’e morëm vesh ç’ka donte të thosh, po as u përpoqëm ta kuptonim. E kapëm krahë e kofshë dhe pothuaj rrëshqanthi, morëm tatëpjete për te çezmat. Prapa, mbi tabanin e rrahur nga mijra këmbë, mbeti një vazhdë shtrepash të zeza, si brazdë e freskë plori. Aroma e kërmës së shpërbërë, zaptoi hapësirën e kampit. Ata që bënin ecejake, të alanisur, zunë hundët me duar.

Me të mbritur te çezmat, u përpoqëm ta zhvishnim qyqarin, që ta shpëlanim me ca kova ujë. Por ai, edhe pse qelbej i tëri, s’na u bind, kundërshtonte të zhvishej. Dukej, ndihej shumë i turpëruar, ndaj belbëzonte gjysma-gjysma. I sikletosur na falenderoi dhe kërkonte falje, për belanë ku na kish shtënë.

Nga theksi i veçantë që i japin tërë minoritarët gjuhës shqipe, e kuptova se ish grekofon. Ndërkaq ndodhia u mor vesh në tërë kampin, dy bashkëpatriotët e tij na ofruan ndihmë. E morën të ziun plak dhe e futën në dush, e zhveshën, e lanë dhe e shpëlanë në një kazan me ujë të ngrohtë.

Pas ca muajsh, barba Jorgji, kështu quhej plaku, do ndërronte jetë e do groposej diku aty pranë gropës së halesë. Po le të kthehemi te dita e parë.

Mbasi prita ca minuta, deri sa më erdhi radha, u futa në një nga bokset e lira dhe fiksova këmbët mbi dërrasat transversale, të qullura nga urina. Ula pantallonat me terezi. Po kur çova kokën dhe pashë dhjetëra të tjerë që prisnin në këmbë para meje, u ndjeva i turpëruar.

Kjo situatë e sikletshme e panjohur për mua, më bëri të ulja kokën poshtë, po duhma grahmë-rëndë më depërtoi në fyt. Avuj ngriheshin nga gropa ndën këmbë dhe krijonin një si perde mjegulle, që era e rrëmbente me vete dhe shpërndante në atmosferë amoniakun, që emetonin jashtëqitjet e ngrohta të treqind burrave.

Aroma mbytëse e fekaleve dhe avujt e urinës, më shkaktuan një ndjenjë neverie, që më dha të përziera në stomakun e boshatisur. Ngrita sytë, shikimi m’u kryqëzua me vështrimet e dhjetëra të tjerëve. Ndjenja e turpit m’u shumëfishua, por kur vura re indiferencën moskokëçarëse të atyre që më shihnin, vazhdova pak më i qetë.

Qëndrimet menefregiste më dhanë kumtin se këtu askujt s’i bënte përshtypje nuditeti, po thjeshtë hynin, mbaronin punë dhe mandej si të ishin mekanizma, dilnin krejt indiferentë.

Këto gjeste që përsëriteshin përditë faqe njeri tjetrin, e kishin zhveshur individin nga fshehtësia. Duket jetesa në turmë, i kish kthyer këta njerëz në stadin kafshëror, siç do ambientohesha edhe unë më pas. Gjithsesi u çova i skuqur, si të isha shkaktar i ndonjë skandali publik. Ngrita pantallonat dhe u largova kryeulur.

Tashmë i çliruar dhe i lehtësuar nga nevojat fiziologjike, mora teposhtë shkallëve të dhjerta për në shesh, ku grupe të dënuarish me tasa e gaveta, drejtoheshin për nuk di se ku, te një tjetër barakë, ball sheshit.

Enët që mbanin në duar më kujtuan se isha pa ngrënë, ndjeva uri. Zorrët, si pulat e harruara mbyllur në qymez, nisën të më kakarisni me të madhe. Por m’u desh të kalitja durimin sepse, m’u kujtua se ende s’më kishin futur në forcë.

Me gojën gjithë lëng, u ktheva nga dera e kapanonit, ku hyra pa e zgjatur. U ngjita në vendin tim dhe nisa soditjet me nge. Ecejake të shpejta, hyrje dalje të shpeshta. Punëtorët si robotë, bënin disa veprime njëherësh.

Në të njëjtin fragment kohe, kush rrufiste supën e hollë direkt nga tasi apo gaveta dhe njëkohësisht, vishte edhe një triko leshi; kush përsheshte me një dorë dhe me tjetrën mbathte opingat; kush përziente ushqimin me lugë druri, ndërkohë që me një letër thesi çimento, mblidhte krodhën që do merrte me vete.

Më la mbresa shvjelltësia dhe njëkohësia me të cilën i kryenin këto veprime; të gjitha në lëvizje e sipër.

“Medet, këta qenkan automatizuar! Vallë, kjo më pret edhe mua?”

Dikush në shtratin ballë meje, në ngut e sipër mori ca pece të nxira, i përdrodhi rreth nyjës së këmbës, i ngjeshi me mjeshtëri, saqë mund të shëtiste lirshëm me to edhe zbathur, pastaj i futi këmbët në një palë opinga llastiku, prej gomash të ngrëna maqine.

Tjetri më tej, hodhi mbi shpinë një pallto të ronitur që s’kuptohej ç’ngjyrë do kish pasur, një tjetër akoma, një bërruc qime-rrjepur, dikush një peliçe vrima-vrima; po më e shumtë kishin hedhur krahëve nga një xhaketë doku ngjyrëkafe, që shëmbëllente me mushamanë.

Kjo veshje tipike burgu, e im-penjuar në vaj lini, me një shtresë boje mbi syprinë, ish bërë edhe lëkurë, edhe ombrellë, edhe xhaketë, për gjithë të dënuarit. Një e tillë, do bëhej për pesë vitet në vazhdim, lëkura ime e dytë. Pasi rrasën mbi krye edhe nga një kapele të bardhë apo ndonjë kapuç – kokore, rendën jashtë. Ndërsa të dënuarit që do dilnin në punë kryenin këto veprime automate, ca kapadainj të ngrefosur pas policëve, iu binin kapanonëve cep më cep dhe ulërinin e ulërinin.

Kur pashë këta langaraqë që me zell më të tepërt se vetë policët, nxitnin të vepronin edhe më shpejtë bashkëvuajtësit, m’u neveritën.

“Mirë policët, po këta ç’duan? – s’m’u ndenj pa folur. – Po ky korroziu, ore, që e ngrehka zërin në kupë të qiellit”! – pa dashje fjalët më kishin shpëtuar me ton.

Ndjeva një çakëllimë pas kurrizit. Ktheva kokën, ishte prifti që me gishtin mbi buzë, më bënte shenjë të heshtja dhe me gishtin e dorës tjetër më dha sinjal t’i avitesha.

Afrova kokën, ai me bëzani:

“Pusho! E nise keq”!

“Po këta”?

“Janë brigadierët! Ruhu prej tyre”!

“Po, a s’janë të burgosur si ne”? – pyeta me habi.

“Janë më të liq se kapterët”!

“Vërtetë”!?

“Po, një llaf i tyre, të bën gjëmën”!

S’u ndjeva më, toni i tij s’linte shteg për dyshim.

Po duket fjalët e mia, kishin tërhequr vëmendjen e një korroziu. Ai ktheu kryet, më hodhi një vështrim të rreptë, por ngaqë s’para kish dëgjuar shkoqur ç’kisha thënë, tundi nja dy herë kokën dhe bëri tutje, duke ulërirë. Ndoshta ajo tundje koke, donte të më jepte kumtin se së shpejti, do të më vinte radha.

E fiksova surratin e sterrosur. As me njëmijë fytyra të tjera s’do t’a ngatërroja. Së shpejti do përballesha me këtë shpirtkatran. Punëtorët dolën në punë. Ca minuta më pas, kapanoni ra në qetësi. Brenda mbetën vetëm të moshuarit dhe të sëmurët.

Prifti që deri atëkohë kish ndenjur shtrirë në jatak, u çua, veshi qillotat e shajakta dhe një xhamadan, hodhi krahëve xhaketën po prej shajaku dhe një peshqir në qafë, zbriti shkallët e drurta. E ndoqa pas. Tashmë, jashtë kishte zbardhur, po era shfrynte me të njëjtin ritëm. Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 23 Qershor 2024

Next Post

“Ne, ushtarët shqiptarë në kazermën ‘7 Korriku’ në Bihaq, se dinim çka ndodhë më 6 mars 1981, në Universitetin e Prishtinës, por u dha alarmi dhe...”/ Dëshmia e rrallë e kosovarit,  ish-ushtar në Zagreb, në ’81-in

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Ne, ushtarët shqiptarë në kazermën ‘7 Korriku’ në Bihaq, se dinim çka ndodhë më 6 mars 1981, në Universitetin e Prishtinës, por u dha alarmi dhe…”/ Dëshmia e rrallë e kosovarit,  ish-ushtar në Zagreb, në ’81-in

“Ne, ushtarët shqiptarë në kazermën ‘7 Korriku’ në Bihaq, se dinim çka ndodhë më 6 mars 1981, në Universitetin e Prishtinës, por u dha alarmi dhe...”/ Dëshmia e rrallë e kosovarit,  ish-ushtar në Zagreb, në ’81-in

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!