Nga Pëllumb Çuni
Memorie.al / Në mozaikun e historisë korçare të shekullit të kaluar, veç figurave të njohura në fushën e artit, aktrimit, gazetarisë, do të gjesh dhe emra mjekësh që i shërbyen komunitetit dhe qëndruan roje të jetës së banorëve, që po mbushnin qytetin. Ritmet e zhvillimit të vrullshëm të industries, Korça i pati në vitet 1920 -1938. Djem të këtij qyteti u diplomuan jashtë vendit dhe pasi merrnin diplomën, ktheheshin për të punuar në qytetin e lindjes, edhe pse u kërkonin që të rrinin jashtë, duke u afruar oferta të mira dhe kushte të favorshme pune, ata zgjidhnin Korçën. Një familje mjekësh që ka bërë emër në qytetin e Korçës, është dhe familja Polena. Breza mjekësh ka nxjerrë ndër vite dhe kjo traditë vazhdon edhe në ditët e sotme.
Babai i familjes
I ati i doktor Polenës, Kostandini, lindi në vitin 1885. Ai mbaroi studimet e larta për Mjekësi në Athinë dhe u specializua për kirurgji, gjinekologji dhe farmakologji. Ai ishte i pari mjek kirurg obstetrikë, në të parin spital humanitar që u hap në Korçë nga amerikanët, në vitin 1916. Mjekonte, operonte dhe i përgatiste vetë barnat për kurim dhe ua shpërndante pacientëve, që në ato vite, ishin të shumtë në spitalin e hapur, sepse ishin meset e viteve të Luftës së Parë Botërore.
Epidemia
Në fundin e shekullit të kaluar, kur Korçën e përfshiu një epidemi difterie, vdekja i rrëmbeu doktor Kostandin Polenës, dy fëmijët e parë. Dikujt mund t’i duket paradoks, por kështu ka ndodhur. Është e vërtetë se me vaksinat që ai solli nga Athina, shpëtoi dhjetëra fëmijë të tjerë, kurse për dy të vetët, nuk i teproi asnjë dozë vaksine. Këtë nuk do t’ia falte kurrë e shoqja, ndërsa doktori do të shprehej thjesht: “Edhe ata që shpëtuan, të mijtë ishin”. Nga nëntë fëmijë që solli në jetë doktori i vjetër i Korçës, Kostandin Polena, do të mbetej vetëm me një djalë, në vitet e fundit të jetës së tij. Do t’i mbeste Sotiri, i cili po piqej në shkollë si mjek, në gjurmët dhe traditën e babait të vet dhe për 30 vjet, do të ishte drejtori i spitalit të Korçës. Kirurgu me duar të rrufeshme i këtij institucioni, që u dhurua në vitin 1934, nga bamirësi i njohur, Thoma Turtulli.
Diplomimi i Sotirit
Mbas këtyre ngjarjeve të hidhura, në prill të vitit 1930, kthehet në Korçë doktor Sotir Polena. Ai vinte pas specializimit në klinikat e njohura të Shtutgartit, Kamustrasht, Ludvigburg, Gjermani, ku ishte emëruar dhe asistent i brendshëm. Ishte i vetmi nga nëntë fëmijët, që kishin mbetur gjallë. Lindi në Korçë, më 5 gusht 1902. Vazhdoi gjimnazin grek të këtij qyteti, kurse vitin e fundit e kreu në Follorinë, bashkë me shokët e tij; Kostaq Dhespoti, avokat, Aristotel Fundo, pedagog dhe Petro Papanikolla. Mbas dy semestrave që ndoqi në Athinë, mbaroi studimet e larta për Mjekësi në Mynih të Gjermanisë, në vitet 1922 deri 1927.
Në vitet 1927 e 1928 mbrojti doktoraturën në universitetin e famshëm të Bavarisë, Ludvigo Maksimilian. Doktor Polena u bë i njohur me humanizmin e tij. Ai u shërbente njerëzve pa përtim dhe u gjendej pranë të gjithëve. Nuk kish në ato vite që mos njihnin emrin e tij. Kalonim vite të vështira. Korçarët e vjetër mbajnë mend se në qytet vetëm në dy dyer nuk reshte radha. Nuk reshte në derën e furrës për bukë dhe në shtëpinë e doktor Polenës. Pacient nga e tërë Shqipëria kanë kaluar në duart e tij. Shtëpia e doktor Sotir Polenës ishte një kopsht zoologjik, ku rriteshin pëllumba, lepuj e kavie për eksperimente. Shtëpi, laborator e klinikë njëkohësisht.
Doktor Polena, njeri human dhe patriot
Tiparet e një mjeku të madh, doktor Polena i reflektonte dhe si njeri i shkëlqyer dhe si një patriot me vlera. Ndershmëria, atdhetaria, përkushtimi ndaj detyrës humane, ishin simbolet, që e karakterizuan gjatë 65 viteve të jetës. Ai i respektonte me rigorozitet parimet e babait të mjekësisë, Hipokratit. Para zotit dhe mjekut të gjithë janë një. Në çdo sistem dhe në çdo situatë të vështirë, ai mbeti doktor Polena i dashur, tek i cili kishin besim, që nga fshesaxhiu e, deri tek burrat e shtetit. Në vitet e Luftës, shpëtoi mjaft të rinj nga pushkatimi, falë guximit dhe njohjes së gjuhës së gjermanëve. Nuk mund ta bënte kushdo këtë. Ai mjekoi shumë të plagosur, hoqi plumba nga trupi i tyre e, nuk i dorëzoi tek gjermanët. E mbrojti qytetin nga dhëmbët e kësaj bishe. Ai e deshi me shpirt Shqipërinë, si askush tjetër në këtë botë.
Puna pa orar në spitalin e qytetit
Në prill të vitit 1930, kthehet në Korçë doktor Sotir Polena. Po kthehej në Korçë, pas specializimit që kishte bërë në klinikat e njohura të kohës, në Gjermani. Ishte i vetmi që kish mbetur gjallë, nga nëntë fëmijët e doktor Kostandinit. Lindi në qytetin e Korçës, më 5 gusht të viti 1902. Për tre vite, nga 1930-ta, deri në 1933, ai punoi në klinikën private të tij. Nga viti 1933 e, deri në vitin 1962, punoi pa u ndarë në spitalin e Korçës. Për 30 vjet, ai ishte drejtori i spitalit dhe kirurgu numër një i këtij spitali.
Doktor Polena, shërbeu në një mënyrë dhe si profesor për mjaft kirurgë të tjerë, që ai s’u kurseu, për të dhënë dijet dhe përvojën e tij. Kujtimet për doktor Polenën, nuk mund t’i nxërë hapësira e këtij shkrimi. Breza mjekësh, ai i mirëpriti në spital dhe u bë për ta si një profesor. Kohë pas kohe, të moshuarit e kujtojnë gatishmërinë e tij. Nuk përtonte, sa të merrte vesh se në spital kishte mbërritur ndonjë urgjencë. Nuk kishte orar puna e tij. Nuk kish ndonjë fizik të zhvilluar, por kishte zemrën të madhe dhe tepër humane.
Trashëgimia
Në vitet 1930-të, si mbaroi shkëlqyeshëm, i afruan punë në spitale dhe klinika gjermane, madje i afruan punë dhe në spitale amerikane, por me një atdhetari të dhimbshme, ua ktheu: “Jam shqiptar. Ku është atdheu im, është puna ime”. Prandaj dhe profesioni i mjekut, vazhdon dhe sot që prej katër brezash. Tre nga fëmijët e doktor Polenës, u bënë mjekë. Rea, vajza e madhe gjinekologe në Elbasan. Më e vogla vajzë, Ida, radiologe e palodhur, si vazhdim i papërfunduar nga xhaxhai i saj, që iku në moshë të re. Djali, Adhoni, në maternitetin e Korçës, si mjek obset-gjinekolog.
Po kështu nipi, Sotiri i ri, mbasi mbaroi Mjekësinë ka shkuar për specializim në Amerikë. Viola, vajza e Adhonit, është mjeke. Elda, mjeke në Korçë. Mund të themi se ka “devijuar” nga kjo traditë, vajza e vogël e Adhomit, këngëtarja Shirli Polena. Por, dhe kjo është një traditë e pasurimit artistik të familjes Polena. Gjyshi Sotir Polena, adhuronte muzikën klasike.
Përvoja
Një grup specialistësh kinezë, që patën kontakte të afërta më doktor Polenën, u mahnitën nga puna e tij. Para se të largoheshin ata u shprehën: “Ne erdhëm t’iu sjellim përvojën tonë, por morëm me vete edhe përvojën e mjekut të mrekullueshëm Sotir Polena”! Ky vlerësim i kinezëve, është përcjellë nga përkthyesi i gjuhës kineze dhe farmacisti, Leonidha Gërnjoti. Ndërsa nipi tjetër i doktor Polenës, Petrika Stefanllari, të cilit nuk iu dha mundësia të ndjekë studimet e larta, për disa vjet, kreu detyrën e nënkryetarit të Bashkisë Korçës dhe sot jeton në Amerikë.
Tradita mjekësh në një familje
Sotir Polena, ishte sa fisnik si njeri, po aq dhe mjek i zoti dhe i gjithanshëm që për katër dekada e vuri jetën e tij në shërbim të shëndetit të njerëzve. “Mjeku me duar të rrufeshme”, ky ishte epiteti që e shoqëroi gjatë gjithë viteve të punës. Drejtor dhe kirurg. Breza të kirurgësh mësoi dhe mbajti në krah të tij.
Fatkeqësitë e familjes së njohur korçare
Libri i familjes Polena, është shkruar me figura mjekësh. Babai i doktor Polenës, Kostandini, lindi në vitin 1885 dhe mbaroi studimet e larta në Mjekësi, në Athinë. Ai u specializua për kirurg, gjinekologji dhe farmakologji. Ai ishte i pari kirurg obsetrik, në spitalin human që u hap në Korçë, nga amerikanët, në vitin 1916. Krahas operimit ai përgatiste dhe vetë barnat për të kuruar të sëmurët. Doktor Kostandini nga martesa u gëzua me nëntë fëmijë që do t’i sillnin gëzim dhe dhimbje njëkohësisht.
Djali, Themistokliu që vazhdonte universitetin në SHBA-ës, për drejtësi u kthye në Korçë. Ai krahas shkencës, pëlqente muzikën dhe merrej me sport. Vdiq i helmuar nga veglat e pushtuesve turq, në 10 nëntor të vitit 1909, në moshën 21 vjeçare. Pastaj vijuan vdekje të tjera; djali 17 vjeçar, Vasili dhe vajza 20 vjeçare, Helena. Si tek balada e Kostandinit dhe Doruntinës, vdekja ia rrëmbeu fëmijët doktor Konstadinit. Tani mbeti me dy djemtë, Nikon dhe Sotirin.
Nikua, në vitin 1924, mbaroi fakultetin e Mjekësisë në Athinë dhe punoi si mjek, për gjashtë vjet në Korçë. Në vitin 1926, solli i pari në qytetin e Korçës, aparatin Rontgen, mbasi u specializua dhe radiolog. Ai u fejua me Julin, një vajzë simpatike nga fisi Fundo. Por çifti nuk e gëzoi dot ditën e dasmës, sepse u mbytën në liqenin e Pogradecit, afër Shën Naumit. Kjo kronikë e zezë, mban datën 30 mars të vitit 1930. Doktor Kostandini u trondit rëndë kësaj ngjarje dhe pas disa muajsh, vdiq i brengosur nga humbja e fëmijëve, por kishte dhe një djalë, Sotirin.
“Mjeku me duar të arta”
Shkrimtari Sotir Andoni, ka shkruar një novelë të titulluar “Mjeku me duar të arta”, që është frymëzuar nga figura e doktor Polenës. Doktor Polena, ishte dhe një mik i mirë i letërsisë. Në bibliotekën e tij, ruhen me kujdes 149 vëllimet e veprës së Gëtes, në gjermanisht. Ruhen veprat e Shilerit, Hajnes, Frojdit e Niçes, të Dantes. Me kujdes ruante një citat të Tagorës, të cilin e kishte si moton e jetës së tij. Vargjet e Tagorës, ia gjetën në xhepin e xhaketës, edhe kur e sollën të vdekur në atdhe.
“Fjeta dhe ëndërrova
se jeta është gëzim,
u zgjova dhe pashë
se jeta është detyrë
Veprova sipas saj
dhe nxora një përfundim
Detyra është gëzim…”!
Fundi i një miti
Doktor Polena nuk u shkëput nga puna dhe librat, deri në fillim të verës së vitit 1966, kur mbas një plage të marrë nga bisturia gjatë operacionit, vdekja nisi t’ia numëronte ditët. Shkoi për kurim në Vjenë. Më 3 korrik të vitit 1966, doktor Polena mbyll sytë në kryeqytetin austriak. Ai që kishte shpëtuar mijëra jetë njerëzish, nuk mundi ta shtynte dhe ta shpëtonte jetën e vet. Por ai mbetet i pavdekshëm për qytetarët. Ata e kanë vlerësuar, duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi”. Memorie.al