Nga Qerim Lita
Pjesa e tretë
– Ukë Cami, ushtarak dhe nacionalist i shquar shqiptar –
Memorie.al / Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896, në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë, Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Camët janë një familje e madhe, pari e Dibrës që shtrihet në fshatrat e Gjoricës, Viçishtit, Golovishtit, Sepetovës dhe në Dibër të Madhe.
KRESHNIKËT VULLNETARË NË “TOKAT E LIRUARA”!
Në Qarkun e Dibrës u formuan gjithsej 4 njësi kreshnike nën udhëheqjen e Uke Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës. Fushëveprimi i njësisë vullnetare që udhëhiqej nga Uke Cami, ishte shumë i gjerë, që përfshinte Gollobordën, Zhupën, Drimkollin dhe Galiçnikun. Meqenëse kishte përvojë të madhe ushtarake, me vendim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës Kombëtare, Prenk Previzi, ai u avancua nga kapiten i klasit të parë, në gradën e majorit kreshnik
Ashtu sikurse parashihej në program, Qeveria Mitrovica në konsultim me Këshillin e Naltë të Regjencës, formoi një komision ndërministror, me detyrë që të bëj riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare dhe formimin, përkatësisht organizimin e forcave ushtarake vullnetare (kreshnike). Rrjedhimisht, Komisioni, në mbledhjen e mbajtur më 7 janar 1944, miratoi projektin për formimin e reparteve vullnetare në Tokat e Liruara. Projekti parashikonte formimin e së paku një reparti vullnetarësh në çdo komunë (eventualisht dy apo tre), varësisht nga madhësia e komunës.
Repartet do të numëronin 100 vullnetarë të ndarë në tetëshe dhe toge. Për çdo repart, përkatësisht njësi do të caktohej nga një komandant, i cili duhej detyrimisht të ishte i drejtë, besnik, atdhetar dhe udhëheqës i mirë. Përveç kësaj, ai duhej të posedonte autoritet tek masat dhe ta kishte fituar besimin e vullnetarëve (kreshnikëve), që do të jenë nën varësinë e tij. Çdo e dyta apo e treta njësi, do të komandohej nga një oficer i lartë dhe me përvojë të mjaftueshme ushtarake. Organizimi i njësive kreshnike parashikohej të kryhej në dy faza: faza e parë organizimi i njësive në afërsi të linjës së demarkacionit, në një distancë prej 25-30 km., dhe; faza e dytë, organizimi i njësive më larg linjës së demarkacionit.
Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, përmes një qarkoreje, urdhëronte prefekturat e Tokave të Liruara, përkatësisht atë të Dibrës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Shkodrës dhe të Korçës, që të fillonin menjëherë me organizimin e njësive vullnetare. Në qarkore, veç tjerash thuhej: “…Në konsekuencë të këtij urdhni, luteni të urdhnohen Bashkitë dhe Komunat, të asaj Prefekture që, brenda datës 15 Fruer 1944, t’i paraqiten kësaj Komande listat emnore të meshkujve 33 deri 55 vjeç (1890-1910) të dallueme për çdo datë-lindje në lista të veçanta. Në listat emnore do të shënohet për çdo 100 vetë nji Kryetar Reparti, 50 veta nji nënkryetar, nji komandat skuadre nër 25 veta, tue zgjedhë ata persona qi kanë influencë e simpati në popullë, gjithashtu në listë do të shënohen armët dhe llojet e numrat e tyre e sasia e municionit si mbas modelit bashkangjitun …”!
Për rrjedhojë, në Qarkun e Dibrës u formuan gjithsej katër njësi kreshnike, nën udhëheqjen e Uke Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës. Fushëveprimi i njësisë vullnetare që udhëhiqej nga Uke Cami, ishte shumë i gjerë, që përfshinte Gollobordën, Zhupën, Drimkollin dhe Galiçnikun. Meqenëse kishte përvojë të madhe ushtarake, me vendim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Komandës Kombëtare, gjeneral Prenk Pervizi, ai u avancua nga kapiten i klasit të parë, në gradën e majorit kreshnik. Ky avancim erdhi me propozim të Hysni Demës dhe Myftar Kaloshit, të cilët e çmonin lartë figurën e Ukes, ndikimi i të cilit, krahas Gollobordës dhe Zhupës, shtrihej edhe në Grykë të Madhe, Grykë të Vogël dhe në vetë qytetin e Dibrës. Përveç kësaj, ai mbante lidhje të ngushta miqësore me Ibrahim Biçakun, Azis Biçakun, Kadri Saliun, Shuaip Kamberi, Xhemë Gostivarin, Aqif Reçanin, Mefail Zajazin, Murat Labënishtin, Mentor Çokun e, me shumë figura tjera të shquara ushtarake e nacionaliste shqiptare të kohës.
Është për t’u theksuar fakti se, në qarkun e Dibrës, paralelisht me organizimin e formacioneve kreshnike, u shkua edhe në organizimin e xhandarmërisë, ku për komandant Qarku u zgjodh Myftar Kaloshi. Ky organizim u bë menjëherë pasi paria e Dibrës u kthye nga Tirana, ku pati takime të rëndësishme me Këshillin e Naltë të Regjencës dhe me kryeministrin Rexhep Mitrovica. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin, paria e Dibrës, pasi e përshkroi gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë Qarkë, shprehi dëshirën që krahas njësive kreshnike të bëhet edhe organizimi, i së paku 2.000 xhandarëve shqiptarë, të pajisur me armë më moderne që i posedonte Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë Shqiptare.
Lidhur me këtë, Rexhep Mitrovica, përmes një shkrese, kërkonte nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, që të merret në shqyrtim kërkesa e parisë së Dibrës dhe në bashkëpunim me komandantin e përgjithshëm të xhandarmërisë; “të studiohet mundësia e plotësimit të kësaj kërkese”. Në letrën kthyese të Xhafer Devës, theksohet se regjistrimi i xhandarmërisë në krahinën e Dibrës, ishte paraparë me projektin e hartuar nga gjeneral Prenk Pervizi, dhe se kjo çështje “duhet të rregullohet në mënyrën si asht parashtrua për Shqipnin mbas nji planit”.
ZHVILLIMET USHTARAKE MAJ-GUSHT 1944
Organizimi i njësive kreshnike dhe i xhandarmërisë në Qarkun e Dibrës, mundësoi një stabilitet të përkohshëm, i cili nuk zgjati më shumë se deri nga mesi i muajit mars 1944, kur do të rifillojnë luftimet e ashpra midis forcave vullnetare e të xhandarmërisë shqiptare nga njëra anë dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase, nga ana tjetër. Komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare, kolonel Hysni Dema, në qershor të vitit 1944, i shkruante Prenk Pervizit, se: “Vullnetarët e Dibrës qysh prej tre muaj, janë tue luftue kundra çetave komuniste serbe, malazeze e bullgare, në rajonin e Dibrës, Debërcës e Zhupës, pa as më të voglin shpërblim. Kanë lënë familjet e tyne pa ndonjë ndihmë materiale dhe kanë mbetun zbathur, pse deri më sot nuk u asht dhanë as opinga…”!
Paraprakisht, me insistimin e të deleguarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Svetozar Vukmanoviq – Tempo, qe formuar Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së) për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, në të cilin u përfshinë edhe disa komunistë shqiptarë, si vëllezërit Agolli, Hamdi Dema, Lutfi Rusi etj. Në kuadër të atij komiteti vepronin disa aradha partizane maqedonase, të cilat bashkëvepronin me aradhën partizane të Haxhi Lleshit. Natyrisht, ky bashkëveprim, nuk e pati për synim luftën kundër gjermanëve, por asgjësimin e njësive kreshnike shqiptare, që etiketoheshin si “forca reaksionare”. Kjo provohet nga letrat e anëtarit të Shtabit Kryesor të LNÇM-së, Cvetko Uzunovski –Abas, dërguar më 18 maj 1944, Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, ku thuhej shprehimisht:
“Thyemja e reaksionit në Shqipninë e Mesme dhe në terrenin e Dibrës, Kërçovës, Strugës, Tetovës dhe Gostivarit, do të thotë me e izolu okupatorin gjerman dhe me e sulmue kur të duesh dhe si të duesh. Kjo do të thotë edhe më tutje: të krijosh kondita për me zhvillue luftën në Shqipninë e Veriut dhe në Kosovë, dhe lidhjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipnisë me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë…”!
Siç do të shohim në vazhdim, në ballë të forcave kreshnike shqiptare qëndronte majori kreshnik Uke Cami, i cili për më shumë se pesë muaj, do u bëj ballë forcave të shumta komuniste jugosllave, të cilat si strehë të tyre e kishin rajonin e Debërcës e të Drimiklollit. Prefekti i Dibrës, Abdi Golia, më 15 maj përcjelltë informatën e marrë nga majori kreshnik Uke Cami, i cili vinte në dukje se; “fuqia e tij asht ndeshun me komunistët në katundin Llokmë të N/Prefekturës së Strugës, ku ka mbetun nji i plagosun nga ana e Vullnetarëve tonë. Fuqija e Majorit Z. Uke, – vazhdon informata, – në pamundësi qëndrimi ndaj fuqisë superiore komuniste, asht tërhekun në katundin Selcë. Municjoni ju mungon dhe me shpejti kërkojnë fishekë…”.
Një ditë më pas, Prefektura e Peshkopisë, duke u mbështetur në njoftimin e Komandës së Rrethit, bënte me dije, se; “si mbas urdhrit të Komandës së Operacionit, Majori Kreshnik Z. Uke Cami, me nji fuqi Vullnetare ka shkue e zanë vend në kufinin e Debërcës, si dhe Shaqir Cami prej Trebishti në Malin e Steblevës”, dhe se “çetat (komuniste) mbas informatave që vijnë janë shpartallue e asnjë shenjë diktimi deri sot, nuk ndihet në kët Rreth…”. Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në fshatin Galiçnik të Nënprefekturës së Rekës, ku sipas njoftimit të qarkokomandantit të Dibrës, Miftar Kaloshi, ishin vra tre xhandar shqiptarë dhe se fati i të tjerëve nuk dihej.
Nisur nga kjo, Miftar Kaloshi, kërkonte dërgimin e menjëhershëm të municionit, për të mund me ju përballue forcave komuniste jugosllave, pasi, sipas tij, ishte në rrezik edhe qendra e Radastushit. “Në rast se nuk ka me na dërguem municioni me shpejti, – thekson Kaloshi, – kjo Komandë nuk ka me pranue as nji përgjegjësi, mbasi trupat Vullnetare të Komanduem prej Z. Ali Maliqit, Uke Camit dhe Azis Kaloshit, kërkojnë me insistim e urgjencë municion”. Në këto rrethana, prefekti i Dibrës, Abdi Golia, më 16 maj 1944 i shoqëruar prej 150 vullnetarëve nga qyteti i Dibrës, udhëtoi për në Galiçnik dhe Gajre të Nënprefekturës së Rekës. Si rrjedhojë e këtij përforcimi, fuqitë vullnetare shqiptare, më 18 maj, ndërmorën një aksion të furishëm në fshatin Gajre kundër fuqive komuniste jugosllavo-maqedonase, me ç’rast këta të fundit pasi u thyen keqas, qenë detyruar të tërhiqen në drejtim të Karaormanit, rajoni i Debërcës, duke lërë 13 ushtarë të vrarë.
Nga fuqitë vullnetare shqiptare janë vra: Hajdar Spata, Ali Karaj nga fshati Blliçe dhe Met Veseli, Avdi Shini dhe Sadik Shehi, nga fshati Cetush. Ndërkohë, me kërkesën e Qark-komandantit të Dibrës, Miftar Kaloshi, më 4 qershor 1944, togeri i xhandarmërisë shqiptare, Mahmut Previzi, me një fuqi prej 50-60 vetash “gjindarmë e vullnetarë”, u shkoi në ndihmë “fuqive vullnetare të Majorit Uke Camit e tjerë”, duke u futur në veprim për ndjekjen e formacioneve komuniste jugosllavo-maqedonase, në krahun e Koxhaxhikut, rajon i Dibrës së Madhe. Për rrjedhojë, forcat vullnetare shqiptare të udhëhequr nga Uke Cami dhe Mahmut Previzi, arritën ta marrin Koxhaxhikun, duke e detyruar armikun të tërhiqet në drejtim të Debërcës. Lidhur me këtë, prefekti i Dibrës më 9 qershor, shkruante: “Ju parashtrohet se, mbramë fuqia civile e Uke Camit së bashku me detashmentin e Gjindarmeris këtushme dhe atë të Zerqanit, hynë në Koxhaxhik, mbas nji luftimi të shkurtun. – Komunistët që në numër kan qenë afër 50-60 veta, të përbamun krejtësisht prej popullsisë së Debërcës, janë largue në drejtim të brendis së Debërcës tue lirue dhe katundin Novak, pa ndonjë luftim…! Nga fuqia e Uke Camit, ka mbetun i vramë vetëm Sejfo Meta, prej Lladamerice”.
Për dallim nga Koxhaxhiku dhe Gajrja, fuqitë vullnetare shqiptare në fshatin Llokme, nën komandën e Uke Camit, Ali Maliqit, dhe Aziz Kaloshit, siç njoftonte Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, përkundër përpjekjeve nuk arritën t’u bëjnë ballë njësive të shumta komuniste jugosllavo-maqedonase, duke u detyruar të tërhiqen në drejtim të Dibrës së Madhe. Ndërkohë, luftimet në rajonin e Zhupës, Gollobordës e të Rekës, do të vazhdojnë edhe gjatë muajve korrik-gusht 1944, ku forcat vullnetare shqiptare të Uke Camit, të ndihmuara edhe nga ato të Ali Maliqit dhe Azis Kaloshit, do të zhvillojnë me dhjetëra beteja kundër forcave të shumta komuniste jugosllavo-maqedonase të cilave më vonë do u shkojnë në ndihmë njësitë komuniste shqiptare nën udhëheqjen e Haxhi Lleshit, Mehmet Shehut dhe të Esat Ndreut. Bashkëveprimi i njësive komuniste shqiptare-jugosllave, erdhi në fillim të muajit korrik, përkatësisht menjëherë pasi Enver Hoxha i shkruante SHK të LNÇM-së, se; zhvillimet ushtarake kundër forcave nacionaliste shqiptare në rajonin e Dibrës, Peshkopisë, Librazhdit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit e Tetovës, duhet të ishin të kombinuara dhe të përbashkëta.
“Kemi bindjen, – shkruante Hoxha, – se ndërmarrjet e përbashkëta do të japin rezultate të mira, do t’i japin nji hov të ri luftës në atë sektor, do të mobilizojnë popullin e atyre krahinave rreth frontit nacional çlirimtar të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe këto veprime të përbashkëta do të kenë reperkusione të thella në Kosovë, ku do të hapen perspektiva lufte të gjëra dhe pjesëmarrje më aktive në luftë të popujve të Kosovës, në frontin nacional çlirimtar tuajin dhe në ushtrinë Glorioze të popujve të Jugosllavisë, e udhëhequr me aq brio prej komandantit t’uaj të madh, Mareshalit Tito”.
ASGJËSIMI I FORCAVE ZOGISTE
Rrjedhimisht, komandanti i Korparmatës së I-rë të UNÇSH-së, Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, urdhëronte ndërmerrjen e një aksioni në mbarë krahinën e Dibrës, për, siç do të shprehet, “asgjësimin e forcave zogiste”, përkatësisht, nacionaliste nën udhëheqjen e Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj, duke i goditur të njëjtat nga të tri anët nëpërmjet njësive të Divizionit I-rë Sulmuese të Forcave Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë. Po në këtë frymë, shprehet edhe Enver Hoxha, i cili më 6 korrik urdhëroi Mehmet Shehun, që “krerët e Dibrës të goditen me ashpërsi”.
Menjëherë batalioni partizan i Dibrës, nën komandën e Esat Ndreut, me mbështetje edhe të Faik Shehut, po atë ditë sulmoi forcat nacionaliste e ato të xhandarmërisë shqiptare të Homeshit e të Peshkopisë dhe i morën këto qendra, ndërsa forcat e xhandarmërisë, mbas një qëndrese të vogël, u larguan duke lënë mjaftë të vrarë e të plagosur. Ndërmjet të vrarëve e të plagosurve, ishte edhe komandanti i xhandarmërisë së Dibrës së Madhe, Myftar Kaloshi.
Më 4 korrik 1944, Komanda e Xhandarmërisë së Dibrës, njoftonte se një çetë komuniste që përbëhej prej 500-600 vetash, nën udhëheqjen e Mehmet Shehut, Haxhi Lleshit dhe Kadri Hazis Hoxhës, pasi janë detyruar ta lënë Mokrën, futen në fshatin Qarisht dhe lagjen “Kosharisht” të Letmit në rajonin e Librazhdit, duke u ndeshur me forcat e majorit kreshnik, Hazis Biçakut. Më tej në informatë thuhet se forcat komuniste shqiptare, pasi janë thyer keqas, duke lërë shumë të vrarë, plagosur e të zënë rob, detyrohen të tërhiqen në drejtim të fshatit Steblevë, ku bëjnë “nji përpjekje me fuqinë e Postës Klenjës dhe me disa vullnetarë civilë të pakët, mbasi shumica e vullnetarëve, qysh ma para ndodhej në ndjekje në Koxhaxhik të rajonit Rrethit Qendrës Dibër, të bashkuem me Majorin kreshnik Z. Uke Camit, dhe kështu në këtë përpjekje prej ma se dy orë luftimi, kanë mbet të vramë dy Vullnetarë Civila prej Katundit Steblevë, si dhe nji Vullnetar i plagosun, mbasi Komunistët kan qenë ma shumë në numër…”.
Ndërkohë, Qark-Komanda e Xhandarmërisë së Elbasanit, më 13 korrik 1944, informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, se; “nji fuqi komunistë e për bame aproksimativisht prej 3000, vetash, në vendin e quejtun Gryka Ostrenit, jan tue luftue me fuqit Vullnetare të Uke Camit nga Golloborda. Fuqia Vullnetare Nacionaliste nga Lindja e Ostrenit. Luftimet bahen të rrebta”. Duhet theksuar se një pjesë e fuqisë vullnetare të Uke Camit vazhdonte të qëndronte në rajonin e Koxhahikut, duke zhvilluar luftime të përditshme me forcat komuniste jugosllavo-maqedonase. Në fillim të muajit korrik 1944, luftimet midis forcave vullnetare shqiptare dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase, do të shtriheshin edhe në vetë qytetin e Dibrës.
Lidhur me këtë, komandanti i përgjithshëm i operacionit për Qarkun e Dibrës, kolonel Hysni Dema, më 4 korrik 1944, i raportonte Këshillit të Naltë të Regjencës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, se një ditë para, herët në mëngjes, “nji fuqi Komuniste e përbame prej Bullgarësh, Serbë, Maqedonas e Malazes, mësyen qytetin e Dibrës, duke zbrit prej malit qytetit Dibrës, të ardhun nga Meliçani, Kosovrasiti e Gajre”. Më tej në raport theksohej se numri i asaj fuqie armike, shkonte nga 600 deri më 700 vetë, të cilët “ishin t’armatosun me mitraloza të rënda, mortaja (të lehta e të rënda) e gati të gjithë me pushkë automatike”.
Mirëpo, pas një ndërhyrje të shpejtë të xhandarmërisë shqiptare, e të forcave vullnetare të Ali Maliqit e të Fuat Dines, njësitë komuniste jugosllave u detyruan të tërhiqen në drejtim të Rajçicës, Elevcit dhe Meliçanit, duke lërë mbi 100 të vrarë e, një numër të madh të plagosurve. Nga ana shqiptare pati 31 të vrarë dhe 16 të plagosur. Në mesin e të vrarëve, qe edhe kapiteni i klasit të I-rë, Kadri Shehu, si dhe dhjetë civil.
Është për t’u theksuar se gjatë muajit korrik 1944, qyteti i Peshkopisë herë merrej nga njëra palë e, herë nga pala tjetër. Kështu, më 13 korrik, ajo u mor nga njësitë partizane, ndërsa dy ditë më vonë, pas një kundërsulmi të shpejtë nga njësitë e Halil Alisë, Hysni Demës etj, komunistët shqiptar u detyruan të tërhiqen nga qyteti, për t’u vendosur në Fushë Alie. Përderisa në Dibër të Poshtme zhvilloheshin luftime të ashpra midis njësive nacionaliste shqiptare dhe të FNÇSh-së, në anën tjetër, ShK i LNÇJ-së për Maqedoni, urdhëroi njësitë e Brigadës I-rë maqedonase dhe Brigadës I-rë kosovare, që më datë 19 korrik 1944, sërish ta sulmojnë qytetin e Dibrës. Mirëpo, pas luftimeve të përgjakshme, të cilat zgjatën plot katër orë, njësitë vullnetare shqiptare, të ndihmuar edhe nga xhandarmëria, edhe kësaj radhe arritën ta përballojnë sulmin, dhe pas një kundërsulmi të shpejtë, e detyruan armikun të tërhiqet në drejtim të Karaormanit.
Dështimet e njëpasnjëshme të forcave të koalicionit komunist për marrjen e krahinës së Dibrës, i shtynë udhëheqjet aleate jugosllave-shqiptare, për hartimin e një strategjie të re. Për këtë qëllim, ata krijuan shtabin e përbashkët operativ në përbërje: Video Smilevski – “Bato” (një shqiptar ortodoks i maqedonizuar, nga Reka e Epërme), Petar Brajoviq, të cilët përfaqësonin ShK të LNÇJ-së për Maqedoni, ndërsa ShK të UNÇ-së e përfaqësonin, Dali Ndreu dhe Mehmet Shehu. Pasi u bënë të gjitha parapërgatitjen e nevojshme, më 1 gusht 1944, njësitë e koalicionit në kuadër të së cilës u përfshinë: Brigada I-rë, IV-ët dhe V-të shqiptare, Brigada I-rë maqedonase dhe Brigada I-rë kosovare, sulmuan sërish Dibrën e Madhe, mirëpo pa ndonjë sukses, për arsye se ata hasën në një rezistencë të fuqishme nga njësitë vullnetare nacionaliste e, të xhandarmërisë shqiptare.
Është me rëndësi të theksohet se përkundër qëndresës së madhe të forcave nacionaliste në mbrojtje të Dibrës nga ripushtimi jugosllav, parë në përgjithësi, morali i ushtarëve kreshnik kishte ra dukshëm që nga muaji qershor 1944. Kjo shihet në raportin e Qark-komandës së xhandarmërisë së Dibrës, për muajin qershor 1944, ku thuhet: “Në këto ditë të fundit gjendja politike në përgjithësi shihet si e errët. Aktiviteti politik i popullsisë Katundare Nacionaliste, vjen dita ditës të pakësohet, për arsye se: Çeta Komuniste ç’faqen e lëvizin ndër vende të ndryshme të Prefekturës dhe për mungesë fuqie Ushtarake e vullnetare, nuk ka qen e mundun luftimi i tyne siç dihet, natyrisht si konsekuencë ka shkaktue influencimin e propagandës Komuniste…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm