Nga Besnik Dizdari
Pjesa e parë
Memorie.al / Siç kam shkruar para ca kohësh, më ka bërë përshtypje kohët e fundit botimi në Itali i një libri për “Spartakun” e Moskës prej autorit italian, Mario Alessandro Curletto. E mora librin, e lexova dhe u trondita, kur mësova se si ishte sjellë regjimi stalinian me protagonistë të kësaj skuadre futbolli që u bë legjendare. Kësisoj, shtyhem te botimi i këtij cikli nga libri, sepse shumë ngjarje “spartakase” drejtpërdrejt apo jo, kanë të bëjnë edhe me Shqipërinë. U lidha me autorin. I thashë se Shqipëria ka zhvilluar 11 ndeshje me “Spartakun” e Moskës – një rekord evropian mbase për vetë historinë e “Spartakut”. Autori i librit me sinqeritetin e historianit të ndershëm dhe kërkues, u bë shumë kureshtar për të ditur për këto ndeshje, dhe për marrëdhëniet kaq të pazakonta të “Spartakut” me Shqipërinë.
Ndonëse ai e kishte shkruar këtë libër më tepër me synimin për t’iu treguar italianëve të tij, se deri ku kishte mbërritur regjimi stalinian dhe se çka ka ngjarë me sportin dhe futbollin në vendet komuniste. Për të kujtuar kështu edhe qytetarët perëndimorë, se çka ka ndodhë. Jo për të harruar. Edhe pse kjo ka ndodhur në një vend tjetër.
Qé pra, tek vijmë te libri i autorit Mario Alessandro Curletto me titullin e thjeshtë: “Spartak Mosca”, që për mjedisin sportiv dhe jo sportiv të Shqipërisë, mendoj se paraqet interes të veçantë. Sigurisht, nëse të gjithë sot kërkojmë të dimë gjithmonë të vërtetën, vetëm të vërtetën, një pjesë e mirë së cilës ndër ne vazhdon të fshihet, ose “të harrohet”.
Me “Spartakun” e Moskës, Shqipëria komuniste ka pasë një lidhje vërtet të çuditshme. Ose e thënë më ndryshe, në vitet ’40-’50-të, “Spartaku” i Moskës ka hyrë në historinë tonë, më fort se askush tjetër. Mbi të gjitha për faktin historik se Kombëtarja e Shqipërisë, ndeshjen e saj të parë zyrtare ndërkombëtare, e ka zhvilluar mu me “Spartakun” e Moskës. Kam nënvizuar në librat e botuar se Adem Karapici është njeriu, i cili i pari e nxori në fushë këtë Kombëtare përballë një skuadre të huaj, që për fat qe pra një klub: “Spartak” i Moskës.
Propaganda e Tiranës ka shfaqur ndërkaq, tone të papërmbajtshme për mbërritjen e “Spartak”-ut në Tiranë, në prillin e vitit 1946, madje me tone “luftarake” dhe politike, natyrisht. “Spartaku” kishte të bënte jo pak me luftën e sapofituar kundër nazizmit. Portjeri Zmelkov, më i miri portier i paraluftës në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, kishte gjashtë “Medalje të Trimërisë” dhe ishte një vullnetar heroik i Luftës së Dytë Botërore, duke ndjekur frontin deri në marrjen e Berlinit.
Po ashtu edhe trajneri i skuadrës, Albert Henrikoviç Volerat, i cili ishte nga Estonia, apo presidenti i “Spartakut”, Genadi Trofimoviç, gjithashtu me nga dy “Medalje të Trimërisë” për Luftën. Në shoqërinë e tyre në këtë udhëtim të Tiranës, bënte pjesë edhe gjyqtari Nikolai Latishev, ndër më të mëdhenjtë në Evropë, i cili vetëm para pak kohësh kishte gjykuar në Londër ndeshjen më të madhe të gjeopolitikës së mbasluftës, atë “Arsenal” – “Dinamo” e Moskës. Tonet e një patetizmi partiako-politik nuk pushonin ato ditë në Shqipëri!
“Skuadra jonë kombëtare, – shkruan shtypi shqiptar, – e lot matchin e saj të parë kundër skuadrës ‘Spartak’ të Moskës, kundër njerës prej skuadrave më të forta të Rinisë heroike të Bashkimit Sovjetik, flamurtares së luftës së përbashkët kundër fashizmit, pikërisht në ditën e 1 Majit, që është festa më e madhe e gjithë punëtorëve të botës liridashëse. Me qindra sportistë nga viset më të ndryshme kanë ardhur në kryeqytet që të shijojnë për së afërmi evenimentin tonë sportiv më të shquar”.
Ndeshja e parë e “Spartak”-ut të Moskës është me skuadrën e së ardhmes të futbollit shqiptar, “Partizanin” e Ushtrisë Kombëtare, më 21 prill 1946 në Tiranë. Është një 5-2 spektakolar i sovjetikëve të famshëm, në prani të gjithë autoriteteve të qeverisë shqiptare. Shkëlqejnë vetëm dy golat e Telitit të papërmbajtshëm edhe përpara rusëve të shquar. Është një madhështi jo vetëm sportive.
Ata janë futbollistë të rrallë dhe përballë forcës së tyre, futbollistët shqiptarë ndjehen në vështirësi. Në Shkodër, “Spartaku” fiton 3-0, ndaj një formacioni të çuditshëm shqiptar, që emërtohet Përfaqësuesja e Sportklubeve të Veriut. Mandej 2-0 në Vlorë për “Spartakun” kundër Përfaqësueses së Sportklubeve të Jugut.
Por ndeshja e madhe është një tjetër: “Shqipëria” – “Spartak” 1-2. Kjo është ndeshja e parë ndërkombëtare e Kombëtares së Shqipërisë. Është 1 maj 1946. Dita historike e Kombëtares së lindur mu më 1936, vit kur mijëra kilometra larg Shqipërisë, “Spartaku” i Moskës në Rusinë e largët, do të merrte emrin e tij dhe do të fillonte marshimin drejt apogjeut të suksesit, siç e thotë Curleto në librin e tij. Po pa mundur kjo Shqipëri të zhvillojë për dhjetë vjet, asnjë ndeshje ndërkombëtare. Për fat, edhe kjo e para e mbas dhjetë vjetëve, është kundër një klubi, jo kundër një përfaqësueseje shteti.
Dhe as kjo ndeshje nuk do të bëjë përjashtim prej tri të parave të “Spartakut”, sepse po ky shënon golin e parë në të 25′ me Malinin dhe pa kaluar 60 sekonda, të dytin nga Smislov: 2-0, kur ndeshja kishte qenë thuajse në baraspeshë. Mbas një hutimi që do të zgjasë rreth dhjetë minuta, Kombëtarja e Shqipërisë gradualisht nis e merr veten dhe thuajse për gjithë pjesën e dytë e drejton ajo ndeshjen.
Deri sa vjen minuta e 74-ët, me golin e Telitit me 11-metërsh. 1-2 ishte sukses i madh kur merret me mend se kush ishte “Spartaku” i Moskës, ndonëse në këtë vit (1946) kishte zënë vendin e gjashtë në Kampionatin e Bashkimit Sovjetik, midis 12 skuadrave.
Skeda e ndeshjes historike e saktësuar ditët e fundit më mirë se asnjëherë, çka përbën ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare të Kombëtares së Shqipërisë, paraqitej kështu:
01.05.1946, Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
SHQIPËRIA – SPARTAK I MOSKËS 1-2
SHQIPËRIA: Poselli, Llambi, F. Janku, Dibra, B.Fagu, Spahiu, Parapani, Teliti, Mirashi, Biçaku (Met Vasija), Begeja.
TRAJNER: Ludovik Jakova.
“SPARTAK” MOSKE: Zmelkov, Vik. Sokolov, Vas. Sokolov, Malinin, V. Guliaiev, N. Guliaiev, Smislov, Klimov, Siemionov, Konov, Salnikov. TRAJNER: Albert Volorat.
GOLAT: Malinin 25’ (11-m), Smislov 26’, Teliti 74’ (11-m).
GJYQTARE: N.Latischev (BRSS), A.Karapici, E.Hoxha (Shqipëri).
SHIKUES: 25.000
Dhe në tanësi katër ndeshjet e para të “Spartakut” të Moskës me futbollin shqiptar përmblidhen kësisoji:
1.
21.04.1946, Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
“PARTIZANI” – “SPARTAK” I MOSKËS 2-5
GOLAT: Teliti 5’, Konov 7’, Siemionov 11’, Smislov 35’, Simeonov 57’, 82’, Teliti 85’.
2.
24.04.1946, Shkodër, Fusha e Vjetër e Shkodrës:
SKUADRA PËRFAQËSUESE E KLUBEVE TE VERIUT –“SPARTAK” I MOSKËS 0-3
GOLAT: Klimov 4’, Siemionov 6’, Ale. Sokolov 79’.
3.
28.04.1946, Vlorë, Fusha Sportive e Qytetit:
SKUADRA PËRFAQËSUESE E KLUBEVE TE JUGUT – “SPARTAK” I MOSKËS 0-2
GOLAT: Smislov 28’, A. Sokolov 56’.
4.
01.05.1946, Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
SHQIPËRIA – “SPARTAK” I MOSKËS 1-2
GOLAT: Malinin 25’ (11-m), Smislov 26’, Teliti 74’ (11-m).
Nuk është e lehtë të marrësh me mend ndërkaq, atmosferën sportive shqiptare për këtë turne të “Spartakut” të Moskës, udhëtimi i së cilës për në Tiranë, shndërrohet në vetë përurimin e linjës ajrore Moskë–Tiranë. Dhe Shqipëria e cila kishte vetëm 18 muaj që kishte vendosë themelet e një prej regjimeve më të egër në Evropën e mbas Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana sportive, e rëndësishme ishte se Shqipëria kishte përuruar Kombëtaren e vet denjësisht. Është një humbje e cila ashtu si ajo me Barin më 1938, provonte rritjen e madhe, kësaj radhe në përmasa të tjera. “Spartaku” papritmas ndesh në një pengesë të cilën e kalon me shumë vështirësi dhe befasohet. Ing. Granatkin, drejtuesi i “Spartak”-ut, pohon: “Takimet në të kaluarën me skuadrat italiane dhe jugosllave natyrisht kanë influencuar te skuadrat tueja. Parashikimet tona u vërtetuan sepse ne gjetëm tek ju sportistë seriozë dhe çdo pjesëtar i skuadrës, është një teknik i mirë”.
Është shumë interesante kjo deklaratë e shkurtër prej një përfaqësuesi të Bashkimit Sovjetik stalinian, siç ishte përgjegjësi i “Spartak”-ut, Ing. Granatkin. Kishte marrë tri “Medalje Trimërie” për mbrojtjen e Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe “guxon” e çmon përvojën e ndeshjeve shqiptaro- italiane, të cilat Partia Komuniste Shqiptare, as që lejonte të komentoheshin e të përmendeshin.
Mirpo, Ing. Granatkin, më fort se një përgjegjës politik është një njeri i vërtetë i futbollit. Përmbi 25 vjet (1954-‘79) do të jetë zëvendëspresident i FIFA-s, dhe për nder të tij qysh me ndarjen nga jeta më 1981, ka një turne: “Turneu Granatkin”.
Do ta fillojmë me kapitullin që bën fjalë për ndeshjen demonstrative të “Spartakut” për nder të Stalinit në “Sheshin e Kuq”, në themelet e Kremlinit. I vetmi shesh qendror i një kryeqyteti apo dhe i një qyteti në historinë e njerëzimit, që për hir të një prej diktatorëve më të pamëshirshëm, një ditë e vetme e shndërroi në stadium, si të thuash, duke u bartë në krahë vetë fusha e futbollit!
Krejt rastësisht më ndodhi që ta përjetoj me sytë e mi gjatë një transmetimi televiziv këtë ngjarje të vjetër, përmes televizionit rus “Planeta Sport”. Skena sensacionale për vetë historinë e futbollit botëror, ishte filmuar në atë vit 1936. Për histori…!
Duket e pabesueshme, por ka ndodhë. Stalini dhe gjithë Politbyroja e Partisë Komuniste të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në tribunën e Mauzoleut “Lenin” të shtangur, para një ndeshje futbolli, ndërsa udhëheqësi i çuditur teksa përkulej i mbështetur dhe “buzagaz” me vështrimin e habitshëm mbi “Sheshin e Kuq” që ishte shndërruar në stadium…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












