Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetegjashtë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Katakombet tashmë i zëvendësoi “Gulagu”. Shumëkush përfundoi në burgje. Kush tentoi t’i shmangej atij, e plasën në çmendinë dhe kujt i buzëqeshi fati t’i shpëtonte kësaj, gjeti derman në lakun e litarit, skaj ndonjë pylli të humbur; të tjerët që ia dolën, u katandisën memecë profesionistë, ose spiunë puthadorë, kurse humbamenot, hodhën mbi shpinë kryqin dhe u rropatën në të përpjetën e “Kalvarit”, duke plotësuar grigjën e deleve të “Panurgut”.
Tashmë vendi i ngjiste një vathe të stërmadhe me shtigje të kontrolluar, ku mund të hynin dhe dilnin lirshëm, vetëm qentë besnikë. Shumicën e kthyen sfungjer, ua ngopën trutë me gjithfarë lakmuesi dhe i detyruan të marshonin krenarë e, të dhjerë, në “REPUBLIKËN e LOLOVE”. Zhvirgjëruan logjikën, lajthitën etapat dhe koha përfundoi skopece, mandej e varën në grepçin e mijëvjeçarëve, ku e përthithi vorbulla dredharake e “Epokës së gjakut, apo kohës së Enverit”!
X
Kalemat u thyen. Dëshmitë u shkruan mbi mure qelish, u stampuan në sarkofagët e lashtë, si amanete që s’do mund t’i deshifrojë asnjë neoanthropos. Mbi ballinat e galerave shkarravitën figura, me shpresë se do t’i eksplorojë dikush në të ardhmen; nën torfën kënetore, vulosën dëshmi me eshtra të gjallësh, që do t’i gjurmojnë pasardhësit, pas një epoke relative. Traga e kohës, u tret në kohët pa kohë. Kohët, kohët dhe ngado kohët!
Kur të vjetrit në burgje, rrëfenin tmerret dhe mjerimin pa cak, mbytjen së gjalli të dhjetëra fatzinjve nën torfën e Maliqit apo, në batakut e Hoçishtit, qindra të zhdukurit në Vlashuk, në Beden, në Thumanë, në Burrel, në Spaç e gjetkë, ku kish pasur burgje…, askush s’kujtonin datën, muajin, vitin, por përsërisnin në kor; “koha” dhe i bashkëngjisnin një ernër krimineli, si për t’i dhënë makabritetit shtetëror, përmasa kolosale.
Kur theksonin: “koha” e Vangjel Rrëmbecit, nënkuptonin masakrat e fundviteve dyzet, “koha” e Tasi Markos, apo e Sotir Vullkanit, evokonte po ato travaja, veçse pak kilometër larg njëra tjetrës; “koha” e Haxhi Pelës, personifikonte përdhunimet e burrave të zamanit, që ua flakën mustaqet si pendë shpendi të ngordhur, në baltovinat e Bedenit; “koha” e Azbi Lamçes, ndonëse në aparencë paksa më e butë, në realitet mishëroi eliminimet tinëzare, të nacionalistëve të shquar; e Çelo Arzës dhe Haxhi Gorës, njësohej me revoltën e majit 1973, me ekzekutimin e katër martirëve dhe ri-dënimin e mbi tetëdhjetë të tjerëve; e Edmond Cajës, përkoi me përshkallëzimin e metodave sadiste, për thyerje eshtrash me efikasitet maksimal. Kësisoj, në radhorin e kujtesës kolektive, u ngulitën përgjithmonë emrat e xhahilëve që vulosën këto mysybete dhe binomi; krim-kriminel, pushtoi hapësirën zezonë duke damkosur “kohët”.
Në fillimet e burgut, më bëri përshtypje kjo “lajthitje”, ndaj pyesja veten: “Përse të vjetrit, nuk zënë në gojë data dhe vite, po vetëm “kohë”?! Mos vallë u janë shkartisur kujtimet”? Natyrisht investigimi mbeti pezull si balonë që e end era pas tekave, enigmën e përktheja sipas rrethanave, por s’arrita në ndonjë përfundim të saktë. Duhej të përjetoja disa ngjarje pikante, për të rrokur thelbin e pjesshëm të kazusit, gjithsesi përgjigjen do ta nënkuptoja një fund-dhjetori, nga miku im, Sami Dangëllia.
31 dhjetor 1969
Atë pasdite u përballëm me të papriturën e hidhur, gjetëm të kryqëzuar përfund shtyllës, Azir Krasniqin. Se për ç’faj konkret, s’e mora vesh asnjëherë! Po që të përfundoje si Krishti, s’ishte e domosdoshme të kryeje ndonjë veprim të ndëshkueshëm. Mjaft t’i tekej policit, të bënte ndonjë qokë, për të shtytur natën e ndërrimit të viteve dhe sebepi gjendej lehtë, sidomos kosovarët, që i kishin dënuar si “spiunë” të Titos dhe i konsideronin “armiq të popullit”, madje i etiketonin dhe trajtonin, si “të huajt më të rrezikshëm, nga gjithë të huajt!” që sipas tyre, meritonin të kryqëzoheshin pas shtyllave të torturës!
Rasti i Azirit, ishte një praktikë e përsëritur, me zanafillë qysh se bashkëpunonin me sivëllezërit jugosllavë (bëj fjalë për kohën kur ishin ende “vëllezër armësh”), e nisën me ekzekutimin e Adem Boletinit, djali “tradhtar”, të Isa Boletinit, me dorëzimin e “kriminelit” Bedri Pejani, te “vëllezërit” jugosllavë dhe e vijuan me dënimet pa motiv, të pinjollëve të luftëtarëve të mëdhenj, Boletinëve, Vokshëve, Krasniqëve, etj. Pasditen e ndërrimit të viteve, u gjenda para faktit kokëfortë.
Shaka komunisti
Pas ca orësh, tërë bota do kthente fletën e fundit të kalendarit, natyrisht nga ky rregull, s’bënte dallim as Shqipëria socialiste, pavarësish varfërisë ekstreme. Me këtë rast, në Reps, shquheshin do shenja festive. Mikro-qyteza, me rreth njëqind-njëqind e, pesëdhjetë banorë, pa shtënë në hesap ushtarët dhe të dënuarit, me rreth njëzet godina rrjepacuke, mballosur me parete dërrasash të pazdruguara dhe çati eterniti, në ndryshim nga ditët e tjera, fekste nga dritat njëngjyrëshe, dhe tek-tuk, ndonjë cergë pambuku, ngjitur me zamkë në xhamat e dritareve, si imitim banal i flokëve të borës, kompletonin dekorin e dy-tri godinave, ambulancës, zyrës së Këshillit Popullor dhe Frontit Demokratik, përfshirë edhe komandën e burgut.
Nga rrëpira e kantierit, këqyrja ndryshimin, sytë më mbetën në dyqanit e vetëm karshi godinës së laboratorit, ku eshperonin njerëz me trasta. “Paska plasur tregtia sheshit, o Xhaf Dema”! – nguca mikun tim, që ndiqte kureshtar këtë ecejake të pazakontë. Duket te tregtari u ri-zgjua “kushtrimi i të parëve”, që i kujtoi kohën kur priste e përcillte klientët, në prag të dyqanit të vogël, në një rrugicë të Tiranës.
“Për ç’tregti flet, mër jahu”? – ma ktheu i bizgosur, po sytë shprehnin merakun e zanatit.
“Atëherë ç’po vëren me kaq ngulm”? – e cyta për të shtytur kohën.
“Strajcat bosh, mër çun, nji kët’ po shoh”!
“Dole bllof Xhaf, sot kanë me bollëk”!
“Or çun, k’to i kanë dyqanet dongull, sa bo me ra miu, thyn kaptinën”!
“E di, po sa për sot, kanë”! – ngulmova unë.
“Veç morra e triska, kanë k’to, or mik”! – m’u shkreh cinik dhe shtoi: – “Ma shumë moll, shkëmbej unë me Xhelolin njitu, se tan qyqorët aqje”! – shënoi me gisht turmën në rrugën e përbaltur.
“Sonte do t’ia bëjnë fora, do kërcasë rakia, për shtatë palë qejfe”! – i preka kordat, në pikën më të dobët.
“Ç’na shkrine, unë me Xhelolin, pimë në nji ditë, sa ton zavollët, për nji vit”! – u mburr Xhafa.
“O Xhaf djali, g’zojnë dyrnjaja”! – e shpotiti Shyqi nga distanca.
“Amo t’g’zume, vallahi! Janë trokë e çikë, mër Shyq, me kursimet e një viti, memzi ngopin kalamajtë nji natë”! – u qau hallin Xhafa.
“G’zojnë e bajnë kokrrën e pallës, or ta marsha, jo si ti dhe unë, n’burg”! – u shty më tej Shyqi.
“Ato janë mo zi se n’burg, vërtet s’janë n’tela, si na, amo janë goj’ mçilë or burrë”! – ia pati Xhafa, hazër xhevap.
“Janë t’lumtunit e dyrnjasë sepse, iu prin n’ball’ Partija, or Xhaf”!
“Ç’Partia e leshit, mër jahu”?!
“E leshit apo e preshit, sot ua ka mbush sofrën, me tan t’mirat e botës”!
“Me lesh ua ka mbush, qe besa! Kta jan tuj dek unjet, për nji krodhë, më ndive mër Shyq djali”?
“Ç’ka me ndi”?! – iu kthye Shyqi.
“Kët’ pra, që s’e ke kuptue ala…”!
“S’dij ç’më ka mbet pa kuptu nji tash? Ç’a dasht m’e dijt, e kam m’sue, që motit”!
“S’po din që ton’ populli, po rmon kohën e qepës dhe i veçum prej botës, si me kën’ lebrozë”!
“Ata ndihen të lumtur, në atdheun e shëmtuar socialist, bre Xhafo, paçka se kutërbojnë erë qepe dhe hudhër, një orë larg, ama hedhin valle, në gojë të ujkut”! – s’di nga mbiu Xhelal beu, nguli bishtin e lopatës, për të mos shkarë dhe na shkeli syrin me djallëzi, duke krehur mustaqet me gishta.
“Bravo Xhelolo, e the fort mirë, qe besa! Po për Pejgamer, ta kon’ shndërrue krejt Sqypninë, n’hale qepe dhe hudhre”!
Duket citati i Xhelal beut, i erdhi përshtat Xhafës, që e pasuroi me shprehi të vetat.
“Miku im Xhaferr, e mirëkuptoj sinqerisht zemërimin tënd dhe kundërshtinë e Xhelal beut, dhe s’ju vë faj, këtë ditë të shënuar, e meritonit një gastare raki, por për fat të keq, s’e kemi. Sidoqoftë kjo s’ju jep të drejtë, të përdhosni krejt popullin, ndonëse momentalisht gëzoni avantazhin, të shprehni pakënaqësitë dhe hidhërimin, për mungesat materiale”, – profesor Agimi, me këtë tiradë të ndërlikuar, gjoja i mbështeti, ndërkohë që u kujdes të ruante drejtpeshimin, për të mos shkarë në rrëpirë.
“S’më mbetet ndonji marok i modh, he burrë, se mos kan ma tepri ato aqje poshtë”! – sikur u ngushëllua Xhafa.
“A s’më thua Xhelal bej, do kenë vallë të festojnë popujt nëpër botë”? – shpotiti Kosta R.
“Qahu hallin kalorësve, se iu varen këmbët”! – ia ktheu Xhelal beu me të qeshurën tipike. – “Po ku të vajti mendja, bre Kosta”? – dhe u shkri, “ha- ha-ha”.
“O Xhelal bej, neve s’na lejohet të vëmë në dyshim konstatimet e marksist-leninistit të shquar, shokut Enver, që na paska zbuluar se dynjaja po vdesin urie, jo t’iu dalë të përballojnë shpenzimet e tepërta”! – e thelloi ironinë Kosta.
“Qepe bre ty mbylltë e mendjes dhe shiko veten që po të presin rrotat e preshit me copa kallkani”! – u shpagua beu hipotetik.
“Jetojmë kohën e preshit, o shoku Xhelal”! – se kush e cyti nga pas.
“Xhelali i sat ëme dhe i…, po lere-lere fare”! – ia pati Xhelali. “Prapë koha”!
“Koha e qepës”!
“Koha e hudhrës”!
“Koha e preshit”!
“Ç’dreq fati na ra në hise ne banorëve të ‘REPUBLIKËS së LOLOVE’ në ‘KONTINENTIN e HARRESËS’”!
“Ditët e shënuara, bota i feston, të dashurit e mi”! – vazhdoi ligjëratën profesori:
“I festojnë or ta marsha, po jo si na”? – ironizoi Shyqi.
“Sigurisht i dashur, sepse ne festojmë allasoj, me burgjet plot, me burrat në radhë dhe gratë në poligone, ku zbrazin batare topash dhe bëjnë kurban kurme njerëzorë, në vend të pjekin gjelin e detit”.
“Janë luanesha, o i nderuar presor”?! – e ndërpreu Xhelal beu.
“Bota është ndryshe, Xhelal bej! Gratë janë femra dhe burrat meshkuj. Vërtet punojnë shumë, por festojnë me pompë e fanfara. Sidomos Vitin e Ri, e organizojnë me karnavale, me këngë e valle, ndajnë thasë me dhurata, zbrazin fishekzjarre shumëngjyrësh dhe e presin ndërrimin e viteve në qendrat urbane, ku ndjekin koncerte, këndojnë, kërcejnë, kundrojnë qiellin që ndizet flakë, mandej shpërndahen nëpër ristorante, apo shtëpi, në darka private apo, popullore, të organizuara nga autoritetet bashkiake, në qytete apo komuna, ku festojnë gjer në ag”.
“Është si tepër borgjeze kjo metodë, o i nderuar presor”? – se kush e ndërpreu.
“Komunistët tanë, i kanë qitë jashtë ligjit me vakt këto santafillëqe, iu vunë damkën e zakoneve prapanike dhe i anatemuan si mina, që hedhin në erë mirëqenien socialiste, njëherësh edhe si opium që përndan helmin ideologjik dhe çorodit mendjen e rinisë. Padyshim këto mbeturina të së shkuarës borgjeze, kapitalizmi i përdor si pasqyrë lëbyrëse, për të qorrollisin masat dhe për të frenuar triumfin e revolucionit proletar…”!
XI
Ndërsa këmbenim këto batuta, na mbuloi terri. Kur shkelëm në kamp na kaploi nata. Por u gjendëm papritmas ballë mizorisë së paimagjinueshme, në shtyllën para zyrës së oficerit roje, kishin kryqëzuar një rob!
“Zot, o Zot, ç’turp”!
M’u morën këmbët, kur pash Azir Krasniqin të mavijosur, teksa polici i hakërrehej nga pas grillave:
“Nji’shtu ka m’u dal shpirti, tanë titistëve”! dhe gajaste; “ha-ha-ha”.
Ndëshkimi ala-mongol, ishte shakaja më mizore natën e ndërrimit të viteve! Zura një skutë dhe nisa t’i jap kurajë, pa i konsideruar pasojat. Isha i ri në moshë e në burg. Në çast, kur Sami Dangëllia po zbriste me tasin në dorë, ndali sa më pa dhe më bëri shenjë t’i avitesha.
“Ç’kërkon në atë cep”!? – m’u hakërrye i bizgosur.
“Po e inkurajoj”! – i tregova të kryqëzuarin dhe mendoja të kthehesha sërishmi.
“Paske qenë trim i çartur, zotërote”! – vijoi ai ironik.
“Gjynah, më vjen keq sa…”!
“Neve na ardhka mirë, ëh”!?
“S’di si ndihem, kur e shoh në atë derexhe”.
“Neve u ndjekemi mirë, ëh-h”? – e theksoi “h-në”, sa rrallë e kam dëgjuar së dyti.
“Kësisoj do ta lemë”?! – u trimërova unë.
“Provoje, po pret shtylla tjetër”! – dhe tregoi shtyllën, si nja dhjetë metër larg asaj ku dergjej i kllaposuri dhe shtoi çehre vrenjtur: – “Mezi ç’presin, t’i bëjnë çift, madje jo dy, po dhjetë, njëzet, të gjithë”!
Çudi! Kaq të ish ligështuar Samiu? E mbanin për burrë me karakter të paepur, veti për të cilat kish në burg, që nga fund dyzet e katra dhe e ri dënonin pafund.
“Ç’t’i ketë ndodhur vallë? Unë prisja inkurajim, ndërkohë…”!, natyrisht, arsyetoja sipas kutit tim të asohershëm.
“Shpejt, brenda”! – më ulëriu dhe humbi nën derë.
Në vend të kthehej në të djathtë mori majtas dhe zuri fund shtratit tim, sistemoi tasin me presh të kallkanosur, vari këmbët në korridor dhe përshëndeti Dom Emest Troshanin:
“Si të kam, o prift”?
“Mirë ka dasht Zoti, Sami xhani”! – ia ktheu prifti, duke rrufitur supën. – “Ç’kena, Sami”? – shtoi duke fshirë nja dy pikëza lëngu, që iu varën në qimet e parruara.
“Shtyhem një farë soj, po këtë djalkën, s’para e kemi mirë”! – toni u bë qesëndisës. Ngriva, sepse Samiun, e vlerësoja mbi gjithkënd.
“Ku ta kem shkelur? Ku të kem gabuar”?!
Por s’i gjeta vetes ndonjë faj, edhe të doja, s’më linin të gaboja, isha nën vëzhgim të rreptë, më udhëzonin, më këshillonin dhe unë iu përmbahesha pikë për pikë.
“Ç’ka ka ba vaki, or burrë”? – prifti iu drejtua Samiut, me sytë ngulur tek mua. “S di të kem bërë ndonjë veprim të pamatur”! – u mbrojta. “Më të pamatur po e konsumoje, kur zbrita shkallët unë”! – ma plasi. “Ç të keqe ka ba djali”? – u merakos prifti. “Vepruar gabim, jo keq”! – saktësoi Samiu. “Konkretisht, se asha Krishtin, s’po kuptoj kurrgja”! – iu qa Dom Ernesti.
“E pe besoj, Azir Krasniqin, të lidhur pas shtylle” – nisi shpjegimin Samiu. “Sigurisht jam ndi fort ligsht dhe i jam lut Krishtit”! – shprehu keqardhjen prifti. “Ashtu ndihemi të gjithë, o prift”! – e përforcoi Samiu. – “Po ti, ç’kërkove atje”? – m’u hakërrye. “Gabim”! – qortoi Dom Ernesti, kthyer nga Samiu: – “Djali asht i ri dhe s’e din që k’ta, janë gati me na lidh t’tanëve, madje me na shqye e, me na gllabërue si kanibajtë”!
“I provoj prej njëzet e pesë vjetësh, mbi shpinë, o Dom xhani”! – hoqi Samiu. – “Po hajt mbushu rradaken cave, or mik…”! – dhe më hodhi një vështrim qortues. “Samia ka të drejtë, o bir”! – e mbështeti prifti. – “Për at Krisht, k’ta janë pjella të dreçit, kush e kush ma zi se shoqi”! – vazhdoi retorikën. “Padyshim të tillë janë”! – e mbështeti Samiu dhe shtoi: – “Po janë edhe në garë mes tyre, kush t’i vejë emër epokës. E kupton, o çun”? – m’u kthye autoritar. – “Mbase Gjeto Gjini, sfidon Çelo Arzën, që ta vulosë kohën me emrin e tij, siç stampuan kohët e mëparshme, xhelatët paraardhës. Ndaj kanë zgjedhur këtë natë, si kufirin që ndan dy vitet…!
Për reprezalje, kanë zgjedh apostafat kët natë, sot, kur tanë bota feston ndërrimin e viteve dhe t’krishtenët i falin m’katet njani tjetrit, tuj lut t’Madhit Zot, për me i salvue, tuj i urue sho-shoqin një vit ma t’mbarë e, ma t’begatë, k’ta na kryqëzojnë si Krishtin, pas shtyllave, mbysin rob’ e sfidojnë Zotin”! – kompletoi prifti, frazën gjysmake të mikut. – “Mbroje, o Shën M’ri”! – psherëtiu dhe bëri shenjën e kryqit. Për një çast u ndjeva në faj: “Sot kalendari Gregorian, shfleton një faqe të re, nesër…”! – fola nëpër tym.
“Po flet përçart o bir, kjo s’ndryshon gjë në mentalitetin e tyre kriminal”! – më ndërpreu Samiu. “Natyrisht, s’do të thotë kurrgjë për kriminelët, sepse fundja iu gëzohen krimeve dhe s’na llogarisin me të gjallët, por besoj do vije shpejt dita, kur do shpaguajnë çdo mynxyrë. Janë të pandijshëm o bir, s’dinë me e ndal’ dorën as para robit, as para Zotit”! – ndërhyri prifti.
“Zullumet po rriten, gjaku po rrjedh, koha dhe datat ndërrohen…”- vazhdova hardallosjen. “Për ç’kohë dhe ç’datë flet, or mik? Apo për ato çiçivetë e ndryshkura, që kërcëllijnë si skelete të zhvoshkur nga mishi? Kalendari e ka humbur kuptimin, s’ka as ditë, as data, as vite, veç ‘koha’ lakuriqe, që zvarritet si gjarpër i nginjur”.
“Koha, the”?!
“Po pra, ‘koha’- ofshau Samiu. – “Epoka e gjakut’ apo, ‘Koha e Enverit’, quaje si të duash, apo më saktë të themi: ‘Koha e gjarprit”! – mori tasin ku rrotat e preshit, qenë njësuar me copat e kallkanit dhe u largua për te jataku i vet. “O zot, sa ligsht”! Neve na ra për pjesë të jetonim kohën zezonë, “Epokën e gjakut apo, kohën e Enverit” apo, siç e quajti Samiu, “Koha e gjarprit”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016