Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e trembëdhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
As luftë as paqe
Gjendja në Mirditë, ishte as luftë as paqe. Autoritetet osmane e ndiqnin me kujdes situatën dhe kishin vendosur të ndërmerrnin një sulm të përgjithshëm mbi Krahinën, në momentin më të përshtatshëm. Nga ana e tij, Prenga ishte i detyruar të organizonte forcat luftarake dhe të përgatitej për luftë. Për këtë qëllim, bleu në Mat 10 mijë duzina fishekësh që prodhonte popullata e vendit. Veç kësaj, ai i dërgoi një letër shumë të ngushtëshme, Princ Nikollës. (240)
Në vend që të binte në marrëveshje, Dervish Pasha, bëri çmos që t’i ngatërronte punët, në javën e parë të shkurtit, Marka Gjon Ndoca i Kashnjetit, që ndiqej nga qeveria lokale, si i dyshuar për lidhje me Malin e Zi, hetohet në Shkodër. Për t’i shpëtuar arrestimit, futet në shtëpinë e Bibë Dodës, që gëzonte që hershëm mbrojtjen e Francës. Forcat turke, e rrethojnë shtëpinë dhe tentojnë ta arrestojnë. Ai u përgjigjet me armë. Në ndihmë të tij, shkojnë rreth 50 mirditas të armatosur, që ndodheshin rastësisht për hallet e tyre në Shkodër. Gjendja u ndërlikua deri atje, sa u desh ndërhyrja e konsujve të huaj. Forcat turke, edhe përkundrejt premtimeve të Valiut të Shkodrës, e arrestuan Marka Gjon Ndocën, sapo doli nga shtëpia e Kapidan Bibë Dodës. (241)
Prenga u hakmor, duke nxënë rob bajraktarin e fisit mysliman të Dibrës dhe ndërpreu rrugën e Prizrenit me Shkodër. Turqit atëherë mbyllën grykat e Mirditës dhe u përqendruan në kalanë e Pukës. Ndonëse turqit e lëshuan ose e lanë t’u ikte pengu i tyre, Prengë Bibë Doda s’e lëshoi atë të vetin.(242) Autoritetet osmane, nuk qëndruan duarkryq. Ata i ashpërsuan masat e tyre, brenda disa ditëve. Fillimisht mbyllën për mirditasit pazaret e Shkodrës, Lezhës, Prizrenit dhe Gjakovës e, ndaluan kalimin e tyre nëpër trapet e lumenjve Drin e Mat; pastaj shpërndanë shuma të mëdha të hollash te përkrahësit e tyre në Mirditë e, krahina të tjera përqark saj dhe grumbulluan ushtri të shumta, për-kundruall Mirditës.
Si kundërpërgjigje kryengritësit rrethuan garnizonin turk të Pukës, kapën rob kajmekamin e atij rajoni, Zenel Agën e Tivarit dhe komandantin e garnizonit, bimbashin Mustafë Aga i Kryeziut, të cilët i nisën për në Orosh, ku ishte shtabi i kryengritjes. Pastaj kryengritësit mirditas, dolën në Qafë të Malit, duke ndërprerë rrugën që lidhte Shkodrën me Prizrenin dhe u vendosën edhe në Malin e Kreshtës. Me 18 shkurt të vitit 1877, u mblodhën 600 burra, nga bajrakët e Zhupës në kishën e Rubikut, ku vendosën të mos lejonin kalimin e forcave turke të Lezhës, nëpër krahinën e tyre, për të sulmuar kryengritësit. (243)
Po mundësitë për marrëveshje ekzistonin akoma. Me këshillën e diplomatëve të huaj, veçanërisht konsullit francez në Shkodër, Prenga e zbuti qëndrimin dhe ishte i gatshëm për një zgjidhje kompromisi. Me 12 mars 1877, ai liroi Zenel Agën e Tivarit dhe Mustafë Agën e Kryeziut. (244)
Po kështu, Dodë Gega doli në mënyrë të çuditshme nga rrethimi dhe pas pak ditësh, iu hoq rrethimi shtëpisë së tij, duke i lënë të lirë të afërmit dhe përkrahësit e tij. Nga ana tjetër, rruga e Prizrenit, u la e lirë dhe garnizoni i Pukës u furnizua me ushqime. (245)
Sinjalet për kompromis u dhanë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga 70 krerë, bajraktarë dhe pleq të Mirditës, të mbledhur në Orosh, të cilët iu drejtuan Dervish Pashës, komandant i Divizionit të Shkodrës, ku e njoftojnë për lëshimet që kishin bërë dhe kërkojnë kushtin e vetëm: njohjen e Prengë Bibë Dodës, si i pari i tyre. Në lojë, hyri edhe diplomacia ndërkombëtare. Por konsujt anglezë dhe italianë, dështuan në misionin për zgjidhjen paqësore të konfliktit. Duket se vendimi për të sulmuar Mirditën, ishte marrë dhe ekzekutimi i tij ishte vetëm çështje ditësh. (246)
Masat e marra nga Prengë Bibë Doda, për të qetësuar autoritetet turke të Shkodrës, nuk dhanë përfundimet e pritura prej tij. (247)
Lufta e pabarabartë me turqit dhe sulmi i përgjithshëm i ushtrive turke të komanduara nga Aqif Pasha, Riza Beu, Abdi Pasha dhe Osman Beu kundër kryengritësve, filloi me 8 prill nga Shkodra, Lezha, Prizreni dhe Mati. Pjesëmarrja e 12 mijë ushtarëve, kishte për qëllim ta shuante shpejt kryengritjen, pa filluar lufta me Malin e Zi, për t’i dhënë një mësim të mirë kësaj Krahine, që ishte bërë prej kohësh nxitëse e luftës së krahinave të tjera, kundër Perandorisë Osmane. Sulmi nga Naraçi me 8 prill 1877, qe i rrufeshëm dhe me kombinimin e të gjithë armëve. Kryengritësit, megjithëse të paktë në numër, me armë të vjetra dhe municionit të pamjaftueshëm, rezistuan ditën e parë, por sulmet e datave të 10 dhe 11 prillit, nuk i përballuan dot dhe u tërhoqën, duke lënë disa të vrarë dhe të plagosur.
Me 11 prill turqit sulmuan edhe nga Lezha në drejtim të malit të Molungut. Në Manati, ndodhi përplasja e parë midis forcave turke dhe kryengritësve të Malësisë së Lezhës, që kishin lidhur besën, për të mos i lënë turqit që të hynin në Mirditë, nga vendi i tyre. Megjithatë forcat turke, mundën të depërtonin nëpër Velë, Bulgër, Kryezez deri në Livadhëz. Po kështu, forca të tjera të nisura nga Naraçi, pushtuan Mnelën e dolën mbi Kashnjet. Kryengritësit e tërhequr nga frontet ballore, si njohës të mirë të terrenit, me sulme të befasishme, veçanërisht natën, kur turqit nuk e prisnin, u sollën humbje të konsiderueshme. Por as këto humbje, nuk i penguan turqit që të vazhdonin sulmin. Në frontin tjetër, forcat turke të nisura nga Prizreni, nën komandën e Osman Beut, pasi zunë Qafën e Malit, me 13 prill pushtuan Fanin e dolën në kufi me Oroshin, në mëngjesin e 21 prillit të vitit 1877. Po atë ditë, forcat turke prej 4 batalionesh, të nisura nga Mati, nën komandën e Avdi Pashës sulmuan nga Kthella.
Oroshi, qendra e shtabit të kryengritjes, i rrethuar nga të katër anët, ra në duart e pushtuesve. Shtabi i kryengritjes, së bashku me banorët e fshatit lanë shtëpitë e tyre dhe u strehuan nëpër shpella e pyje. Oroshi, u shkatërrua nga turqit, mjaft shtëpi u plaçitën dhe u dogjën, ndër to, edhe sarajet e Gjonmarkajve. Duke shprehur keqardhjen e tij, për zhvillimin e ngjarjeve në terren, Konsulli i Francës në Shkodër, njoftonte eprorët e tij në Paris: “Është e sigurt se Porta do të kërkojë largimin e Kreut të ri mirditas. Prenga, po mbledh sot frutet e një sjellje të pamenduar, mendjemadhe dhe të parakohshme, për pasojat e së cilës, nuk kisha pushuar së paralajmëruari”. (248)
Nga ana e tij, Prengë Bibë Doda, kishte njoftuar që me 14 prill konsujt e Francës dhe të Austro-Hungarisë: “Duke parë se një qëndresë e mëtejshme, nuk do të sillte asnjë dobi për këtë popull dhe nuk do të sillte gjakut të panevojshëm, unë e familja ime dhe përkrahësit e mi, po vihemi nën mbrojtjen e fuqishme të dy qeverive të larta, të Republikës Franceze dhe të Austro-Hungarisë, duke iu lutur që, të ushtrojnë ndikimin e tyre për pushtimin e luftimeve, kundër Mirditës”. (249)
Pasi la Oroshin, Prenga me të ëmën, motrën, së bashku me kushërinjtë e tij, u strehuan në Lurë. (250)
Në malet e Oroshit
Fillimi i luftës me Malin e Zi, e ndryshoi krejt situatën në Mirditë. Forcat kryesore turke, ishin të detyruara të tërhiqeshin dhe të shkonin në frontin malazez. Në këtë situatë të re, Princi Bibëdoda, mendoi se kishte ardhur moment i duhur për t’i nxjerrë turqit jashtë Mirditës. Në një letër, për një nga përkrahësit e tij në Shkodër, ndër të tjera shkruan: “Nga njoftimet e mija të mëparshme, duhet ta keni marrë vesh nevojën e domosdoshme, për të na dërguar barut. Qëndresa që kemi bërë deri më tash, nuk ka qenë e kufizuar, veçse nga mungesa e municioneve. Qëndresa e Kapidan Kolës, djalit të Prengë Kolës dhe Dom Prendit, ka qenë e shkëlqyer, por forcat e mëdha turke dhe mungesa e barutit, i detyroi ata të lëshojnë tokë. … Në qoftë se brenda këtyre gjashtë, ose shtatë ditëve, arrijnë armët dhe municionet e premtuara nga Princi, ju do të dëgjoni të flitet për Mirditën, ndryshe nga ç’prisni”. (251)
Po ndryshe nga ç’pritej, Mali i Zi, nuk ua kishte më nevojën mirditasve, pasi aleati i tyre i madh, Rusia, i kishte vënë përpara forcat turke. Mali i Zi, kishte qenë gjithmonë një kundërshtarë i shqiptarëve dhe papritur, shihet të krijohet mundësia që, armiqësinë shqiptaro-turke. ta shfrytëzojë në interesin e tij …
Është e sigurt që qeveria malazeze i sheh me kënaqësi dhe i përkrah trazirat në Shqipërinë e Veriut. Mali i Zi, nxit luftën në mënyrë që shqiptarët, të mund të shfarosen nga Turqia dhe kësisoj Mali i Zi, ta ketë të hapur rrugën drejt jugut. (252)
Me 20 janar 1878, krerët kryengritës organizuan mbledhjen në Bjeshkët e Oroshit, në të cilën morën vendimin; “të sulmoheshin garnizonet turke të Oroshit dhe Kashnjetit”. Me 25 janar të atij viti, rreth 3 mijë kryengritës, sulmuan rrufeshëm dhe njëkohësisht garnizonin e Oroshit, që kishte vetëm 300 ushtarë turq dhe garnizonin e Kashjetit, ku ishte vendosur një batalion i armatosur mire, me artileri. Garnizonet turke të zëna në befasi nga sulmi i rrufeshëm i kryengritësve, u shpartalluan dhe u ndoqën deri në Naraç, në kufi me Shkodrën, ku ishin të përqendruara forcat e shumta turke.
Në këto rrethana, Valiu i Shkodrës, Ali Saib Pasha, nisi kundër kryengritësve Ibrahim Beun, me shumë redife dhe urdhëroi mytesarifët e Dibrës e të Matit, që të marshonin me ushtritë e tyre për në Mirditë. Forcat turke të nisura nga Shkodra, nën komandën e Ibrahim Beut, filluan sulmin me 30 janar të vitit 1878, në drejtim të Naraçit, por kryengritësit që kishin zënë me kohë pozitat kyçe në atë front, u sollën humbje të konsiderueshme. Përpara kësaj qëndrese, turqit u tërhoqën përkohësisht. Por me 31 janar të atij viti, pasi u përforcuan me reparte të freskëta dhe artileri, ndërmorën një ofensivë të tërbuar dhe kryengritësit, me gjithë qëndresën heroike, nuk mundën të qëndronin përballë reparteve të redifeve që mbështeteshin nga artileria.
Nënshkrimi po atë ditë, i kushteve të paqes midis rusëve dhe turqve, i dha mundësi komandës turke të Shkodrës që të organizonte operacionin ndëshkimor kundër lëvizjes së Mirditës. Valiu i Shkodrës dhe shtabi i ushtrive turke të Vilajetit, vendosën ta mbysnin në gjak kryengritjen e Mirditës, të likuidonin njëherë e mirë privilegjet e saj dhe të vendosnin këtu administratën e tyre, me kajmekam e zyrtarë osmanë. Për të realizuar këto plane, ushtritë turke, u lëshuan mbi Mirditë me të gjitha mjetet e tyre shfarosëse.
Operacioni i dytë kundër Mirditës, nisi nga Shkodra dhe Lezha. Ndërkohë në Dibër dhe Mat, përgatiteshin ushtri të tjera që do të marshonin për atje. Gjatë mësymjes për në Orosh, turqit dogjën 70 shtëpi, vetëm në Mnelë dhe Vig, arrestuan 75 mirditas, shumica pleq dhe i dërguan në Shkodër, të lidhur në pranga. Tërë Krahina, iu nënshtrua reprezaljeve të papara. Në Orosh, turqit dogjën të gjithë fshatin dhe masakruan shumë pleq, të cilët nuk kishin mundur të ngjiteshin në male, si pjesëtarët e tjerë të familjeve.
Edhe pas pushtimit të Oroshit, mirditasit kërkuan bashkërendimin e veprimeve luftarake me Malin e Zi. Abati Prend Doçi dhe Kapidan Gjon Doda, u nisën për në Cetinë, për të biseduar për këtë çështje, por u kapën në kufi dhe u dërguan në Stamboll. (253)
Një telegram nga Porta e Lartë, kishte ngarkuar Valiun që të emëronte Dodë Gegën “Mydir” të Mirditës. Ky e refuzoi postin e ofruar, duke vënë në dukje besnikërinë e patundshme të mirditorëve, ndaj kauzës së Prengë Pashës. Ky përsëri, është një gabim i madh dhe provon domosdoshmërinë që të sqarohen raportet e Kapidan Prengës e Mirditës me Portën, dhe këtë në interesin e tyre vetjak e të katolikëve të provincës, që të mund të garantohet autonomia e kësaj krahine malore. (254)
Rëndësia e kryengritjes së Mirditës
Kryengritja e Mirditës e viteve 1866-1877, qe lëvizja më e fuqishme në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo kishte si program të saj minimal, ruajtjen e vetëqeverisjes tradicionale, duke njohur djalin e Bibë Dodës, si kreun e ligjshëm të Krahinës, ndërsa si program maksimal, shpalljen e Principatës së Mirditës, si etnitet shtetëror autonomi, nën suzerenitetin e Sulltanit ose të ndonjë fuqie tjetër të huaj.
Lëvizja u ndikua nga qarqet intelektuale shkodrane, që nuk kishin hequr dorë nga idea e krijimit të bërthamës së shtetit të ardhshëm shqiptar, që ata e shihnin në Mirditë, sipas shembullit të Piemontit në Itali. Por krahina e Mirditës, nuk mund të bëhej “Piemonti” shqiptar, pasi shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, nuk e favorizonin atë Krahinë, për të marrë një rol qendror për zhvillimet në vend.
Kundërshtimi i Portës së Lartë, për të bërë kompromis me mirditasit, ishte një sinjal i keq për shqiptarët dhe tregoi se Perandoria Osmane, edhe në kulmin e rënies së saj, nuk e kishte ndërmend të lejonte krijimin e identitetit kombëtar shqiptar. Shqiptarët, nuk mundën që ta fillonin procesin komb-formues në atë kohë, që pastaj vetë, të përballeshin me vendet fqinj, që kërkonin të përfitonin nga tokat shqiptare. Politika turke e pas Kongresit të Berlinit. tregoi se qëndrimi ndaj Mirditës nuk ishte një rast i izoluar, sepse të njëjtin qëndrim, autoritetet osmane mbajtën më vonë edhe ndaj popullsive myslimane shqiptare.
Shqiptarët u ndërgjegjësuan vonë, për nevojën e unitetit kombëtar dhe u ngritën në luftën për pavarësi, vetëm kur u rrezikua ekzistenca kombëtare nga ushtritë e shteteve fqinje ballkanike. Nga ana tjetër, Franca dhe Austria, që kishin protektoratin mbi popullsinë katolike, nuk e ndihmuan lëvizjen dhe bënë çmos që në Mirditë, të vazhdonte status-quoja. Për arsyet e veta, Austria kërkoi që kryengritja, të mos fillonte. (255)
Ndërsa Franca, nisur nga qëndrimi dashamirës ndaj Krahinës dhe vetë Prengës, pati kundërshtim më të butë, por e këshilluan Princin, se; “nuk kishte ardhur momenti i përshtatshëm që mirditasit me armët e tyre, t’i imponoheshin Portës së Lartë”. Pavarësisht se francezet ishin për ruajtjen e qetësisë, të paktën deri sa të krijoheshin kushtet e përshtatshme, ata i dhanë Mirditës, mbështetje morale. (256)
Qeveria franceze, bëri presion ndaj Stambollit, që t’i falte kryengritësit dhe të shkonte drejt pajtimit. Fakti se shqiptarët nuk ishin të përgatitur, për t’u ndarë nga Turqia nuk ia ul vlerën kryengritjes së Mirditës, e cila u zhvillua në periudhën e lëvizjeve anti-turke, të popullsive të tjera të krishtera të Ballkanit dhe synonte në një kohë me ta autonominë, apo pavarësinë e plotë, nga Porta e Lartë. Ngjarjet që rrodhën më vonë, u dhanë mesazh shqiptarëve, se vetëm të bashkuar dhe me forcën e armëve të veta, mund ta mbrojnë vendin nga lakmitë shoviniste të fqinjëve, sepse Turqia, ishte e gatshme t’ua dorëzonte ato territore, shteteve shoviniste fqinje.
Kjo kryengritje, është etiketuar nga disa individë, si; lëvizje separatiste. Nuk është e drejtë ta quash përpjekjen për çlirim, qoftë edhe të një pjese të vendit, si separatizëm. Shumë shtete kombëtare, janë formuar pjesë-pjesë dhe territore të veçanta, i janë bashkuar trungut kombëtar më vonë. Bashkërendimi i kryengritjeve të mëvonshme anti-turke, me krahina të tjera të vendit, tregon se Mirdita, nuk kishte qenë e interesuar të luftonte vetëm për vete dhe ishte treguar e gatshme, të bashkëpunonte me të gjitha krahinat e tjera, për krijimin e Shqipërisë së pavarur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, letra Nr.146, Shkodër 23 janar 1877, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Luigj Martini, Princi pa fron i Mirditës,… f.28
- La Guerre d’Orient in Europa e in Asia, Nr. 4 f. 35, marr nga « Leka », revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeëti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.202
- Luigj Martini, Princi pa fron i Mirditës,… f.29
- Krerët e Mirditës Dervish Pashës, Komandant i Divizionit të Shkodrës, Mbi ndërprerjen e veprimeve të kryengritësve të Mirditës, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqipatre të Prizrenit, vëllimi I
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër 10 prill 1877, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 9 prill 1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 9 prill 1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër,16 prill 1877, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Prengë Bibë Doda, Letër Konsujve të Francës dhe të Austro-Hungarisë, Orosh 14 prill 1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Zef Marka Harapi, Mirdita në histori dhe gojdhana deri n’vjetë 1929, Nr.6, viti 1931, f.360
- Letër e Prengë Bibë Dodës një përkrahësi të tij në Shkodër, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Franc Nopça, Udhëtimet në Ballkan,… f.303
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 7 maj1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- HHStA-PA-Vj.30-75, Relacion i konsullit austro-hungarez në Shkodër Lippih drejtuar Ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, me anën e të cilit jepet informacion për zhvillimin e koniktit me Malin e Zi, shih Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze, Vëllimi I, botimet “Albanica”, Tiranë-Prishtinë 2008,f.175-176
- Letër e Prengë Bibë Dodës drejtuar Kolona Çekaldit, Konsull i Francës në Shkodër, Orosh 28 shkurt 1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- J.Thabie, Interests d’imperialism français, Paris 1997
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016