Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtëdhjetetre
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Një ditë krejt papritur morëm vesh kumtin e “transferimit” të komisarit. Pas një javë në repart u shfaqin si hije disa oficerë, të cilët erdhën në këmbë, jo me “Xhip”, enkas për të kontrolluar të gjitha pikat e vrojtimit, bazën materiale, armatimin. Pasi e kryen inspektimin, u larguan të heshtur, ashtu siç erdhën, duke e bërë të mistershme vizitën. Mua dhe komandant Aliut, na u duk i çuditshëm ky ekip i heshtur, thuajse ishin shurdh memec, sepse edhe mes njeri-tjetrit bisedonin me pëshpëritje të mbytura.
Sado e shtrydhim trurin dhe i rrahëm mbarë e prapë shkaqet e kësaj vizite të befasishme, nuk arritëm në asnjë përfundim konkret, ngaqë nuk shkëmbyem asnjë fjalë me inspektorët, për rrjedhojë nuk patëm një pikë mbështetje arsyetimi:
Ndërsa për “transferimin” e komisarit, dyshimet vërtiteshin rreth sjelljes së tij të shthurur, për ekipin e mistershëm nuk jepnim dot asnjë mendim, prandaj na u duk e udhës të presim çfarë do ndodhë më vonë.
Ndërkaq ushtarët vazhdonin jetën e tyre rutinë, më shumë e kalonin kohën duke ngrënë bukë me rrush e djathë, pa e çarë fare kokën për oficerët që erdhën dhe u zhdukën si hije. Në portretet e tyre lexohej qartë një kënaqësi e hapur. Këta falënderonin me mënyra të ndryshme Zotin, që mundësoi këtë situatë kaq të favorshme pas zhurmës së bujshme të kërcënimit në Jug, e cila i pruri në begatinë e vreshtave, duke i zhvendosur nga dheu i kuq, dhe u krijoi kushte për një pushim kaq të mrekullueshëm, sa në fillim nuk u besohej, kur në NBU ishin bujkrobër, u binte bretku në punë. Ndonjërit me nuhatje të hollë edhe mund t’i shkonte mendja për lëvizje, nisur nga fakti se këtu e kalonin kohën fare kot, nuk merreshin me asnjë veprimtari ushtarake e civile, vetëm përtypeshin si qetë dhe shulleheshim në diell. Dhe pas një vëzhgimi e arsyetimi të thjeshtë, filloi të kristalizohej pak nga pak mendimi i transferimit të kompanisë në një vend të padukshëm, që s’binte në sy e nuk u shkaktonte oficerëve madhore telashe.
Sepse pavarësisht që ne emërtoheshim si kompani art-mitraljerë, faktikisht nuk merreshim me asgjë konkrete. Dhe për shtabin e Forcave Ushtarake Detare, ishim krejt të padobishëm, jashtë strukturës së planit stërvitor, një zhvendosje taktike e pamenduar, madje mjaft e gabuar, që harxhonte kot një fond pa dhënë asnjë qindarkë përfitim.
Në këto kushte u ndezën diskutime të zjarrta mes oficerëve të Shtabit të Përgjithshëm. Dhe në fund u gjet kjo zgjidhje e pranueshme: kompania “parazite”, e ardhur nga NBU-ja e Burrelit, të vendoset në fshatin Shetaj, në fund të gadishullit të Rodonit, (që përfshihet në lokalitetin e Ishmit), me shpjegimin se në postën kufitare të Rodonit, kanë mbetur vetëm tre ushtarë.
Edhe pse faktikisht në vendin e menduar s’kishte asnjë ngrehinë për të vendosur rreth pesëdhjetë ushtarë, s’pati asnjë kundërshtim nga shqyrtuesit për standardet e papërshtatshme të jetesës, duke shprehur me mendjelehtësi të papërgjegjshme pohimin absurd, se ushtarët e NBU -s i zë gjumi mbi plisa, janë mësuar të flenë në baraka. Ndaj u dha urdhër të ndërtohet me shpejtësi një ahur i ngjashëm me atë të sektorit të Burrelit, me truall, pa tavan, mbuluar me teneqe, dhe brenda të vendosen dy radhë krevatesh marinari në tërë gjatësinë, të ndarë nga një korridor i ngushtë në mes.
Në vend të kuzhinës të ngrihet një tendë verore, si ato në fushime stërvitore. Ndërsa për WC nuk u zu fare me gojë, duke patur parasysh jashtëqitjen në natyre, e favorizuar nga terreni i përshtatshëm, me pyje të dendura mare. Për vend-qëndrimin e komandantit të kompanisë, mjaftonte një kolibe e ngushtë mbi sopin e butë, duke patur parasysh që nuk do dilnin kundërshtime nga ai që do caktohej këtu si mbikëqyrës, një nënoficer i staxhionuar,
pothuaj i pa arsimuar në shkollat ushtarake, (i cili bënte pjesë tek përfituesit e reformave të çuditshme në ushtri, sepse një ditë, sipas urdhrit magjik, u gdhi me titullin e oficerit!). Nga asnjë nuk vihej në mëdyshje se ky, pavarësisht kushteve të tmerrshme të jetesës, do shprehte se jashtmi kënaqësinë për këtë emërim, pasi do merrte një rrogë mujore në prag pensioni, duke ndenjur kot nga mëngjesi deri në darkë!
Komandant Aliu u dëshpërua dhe shprehu keqardhjen e tij, që bashkëpunimi ynë nuk pati jetëgjatësi. Por ndërkaq, duke patur parasysh si do katandisej kompania jonë në fshatin Shetaj, as mish e as peshk, një strukturë e papërcaktuar, mbeti i kënaqur që e transferuan në Bisht Pallë, në një pikë të vërtetë ushtarake, ku i jepej mundësia të shpaloste aftësitë e tij.
Me aq sa mori vesh nga një oficer madhor bashkëfshatar, (dhe këtë ma tregoi mua), në fshatin Shetaj të Ishmit ushtarët do bëjnë jetë të hallakatur, krejt të lirë, pa plan stërvitor; në vend të orës politike do lexohet shtypi i ditës, në rast se do ta sjellë korrieri, pasi rruga paraqitet në gjendje të llahtarshme, në verë të mbyt pluhuri dhe në dimër nuk çahet dot balta! Sipas këtij përshkrimi, dilnin vështirësi të jashtëzakonshme udhëtimi, me lodhje trupore dhe stres nervor, për të arritur deri në rrugën, ku qarkullojnë makina.
– “Ty si të leverdis? – më pyeti ai ne fund. – Më mirë të jesh efektiv i kësaj kompanie, pasi këtu ke liri veprimi, apo të kalosh në një pikë të rregullt ushtarake”?
– “Ky është mendimi yt, apo ta ka propozuar dikush tjetër, që më njeh”? – u bëra kureshtar.
– “Sigurisht mendimi i dikujt tjetri. Dhe konkretisht komisari i BUD – it, me të cilin kemi njohje familjare”, – shtoi togeri.
– “Ti, si oficer karriere, që i njeh të dyja pamjet, edhe të këtushmin edhe repartin e rregullt: si më këshillon”? – desha të di mendimin e tij.
– “Mjafton të kujtosh klithmat e kapterit sykuq, në NBU, dhe i jep përgjigje vetes. Vështirësitë trupore dhe stresi përballohen më lehtë se sa ndrydhja në morsin e rregullores ushtarake. Ti vetë cilin variant do të zgjidhje, duke patur parasysh që gazetari ka natyrë të lirshme, s’e duron dot rregulloren ushtarake. Ju jeni si zogjtë shtegtar…”!
Parashikimi i togerit doli i saktë. Natyra e virgjër e fshatit Shetaj ishte fantastike, mbushur me gjelbërim të dendur: vetëm pesëdhjetë hapa e ndanin vend fushimin tonë nga bregdeti, në anën lindore, ndërsa në bregun perëndimor, lartësohej muri i gjelbër, një pyll i dendur xhungle me mare e ferra. Në fundin e skajit të gadishullit, gjendeshin rrënojat e kalasë së Skënderbeut, ndërtuar si fortesë mbrojtje nga sulmet e hordhive otomane.
Të gjithëve u pëlqeu së tepërmi ky mjedis i mrekullueshëm, jo vetëm për panoramat mbresëlënëse, që të mbushnin mushkëritë me ajrin e pastër të detit e pyllit, sa dhe për gjetjen me shumë lehtësi të druve të zjarrit, burimit të ujit fare pranë, lirshmërisë së veprimeve, u dukej sikur kishin ardhur këtu për të eksploruar nga fillimi deri në fund, gadishullin e Rodonit!
– “Këtë vend kaq të përsosur, nuk dua ta ndërroj me asnjë tjetër, deri në fund të shërbimit! – tha kuzhinieri, kur e pyeta si të duket. – Sepse këtu e ndjej veten sikur jam në kamp pushimi. Nuk do ketë komanda çohu e ulu, si në Burrel. Nuk do ketë çirrma e klithje, që na gërryenin palcën. Kështu që veshët do na rrinë rehat, e do jemi vetë zot e vetë shkop, si i thonë fjalës. Kjo për mua ka shumë rëndësi.
Kur kapteri i batalionit pruri ngarkuar me dy mushka pajisjet e kuzhinës, ushtarët ndihmuan te shkarkohen, dhe u treguan të gatshëm të ngrihet sa më shpejt tenda e kuzhinës. Bashkë me kapterin erdhi dhe një ushtar kokëmadh, si shoqërues, nga Gjormi i Kurbinit, i cili kishte marrë me vete një çifteli, dhe pa pyetur ushtarët nëse donin ta dëgjonin ia mori këngës: “Ti, Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar”!
Pastaj vazhdoi me këngën e Shote Galicës. Dhe kur qëndroi një çast, duke hedhur rreth e qark vështrime krenarie, priti të dëgjonte përgëzime e duartrokitje, (sipas parashikimit të kapterit, që mahnitej me “talentin” e këtij rapsodi të lindur).
Në të vërtetë, jo vetëm nuk mori asnjë falënderim, përkundrazi, në fytyrat e ngrysura të ushtarëve, vuri re një shprehje të hapur pakënaqësie, sikur po i thoshin nëpërmjet vështrimeve shpërfillëse: “Na çave kokën me zërin tënd të shpifur! Ndaj mos guxo t’ia nisësh nga e para”! Jugorët nuk i durojne dot piskamat çjerrëse të lahutarëve veriorë.
(Më pas ushtarëve u bëri përshtypje diçka tjetër: pse kapteri e merrte me vete rapsodin anonim, sa herë sillte furnizimin me mushka, kur këta e shfaqën haptazi mospëlqimin e tyre? Për ta zgjidhur këtë mister, ushtari me nofkën “Baba”, mori guximin dhe e pyeti drejtpërdrejte kapterin, për ç’qëllim na e bie këtë mostër? Kapteri i befasuar u zu ngushtë, dhe i ktheu ketë përgjigje: “Ushtar Musai kryen detyrën e kujdestarit të mushkave, si efektiv i batalionit tonë”.
Mjaftonte ky pohim për të formuar bindjen se i ashtuquajturi rapsod anonim, ishte i dërguari i posaçem i shefit të Sigurimit të Brigadës, dhe vëzhgues i komandantit të batalionit. Me një fjalë: spiun. Prandaj sa herë ky qasej pranë një grupi ushtarësh për të dëgjuar bisedën e tyre, këta e ndërprisin dhe nisnin të këndonin këngë kurbeti me përmallime e dhimbje, për t’i thënë këtij; s’ke vend mes nesh, je i padëshirueshëm!)
Po në këtë ditë kur erdhën mushkat, pas dy orëve mbërriti dhe një kamion ushtarak, i cili pruri bazën materiale të domosdoshme për kompaninë: batanije, çarçafë, peshqirë, këllëfë për dyshekë e nënkresa, dy dëngje me kashtë të presuar dhe një rrotë të madhe me letër, lyer me zift në të dy anët.
Menjëherë pas largimit të kamionit, për të mos humbur kohë, u thashë ushtarëve të rreshtohen, se do shpërndahen pajisjet personale sipas listës, pasi duhen mbushur dyshekët e nënkresat me kashtë dhe të rregulloi secili krevatin. Ushtari me nofkën “Baba”, u qas pranë meje, dhe më pëshpëriti me mburrje e dashamirësi: “Ti, komandant, ke plot punë të tjera. Prandaj të gjitha çfarë kanë të bëjnë me rregullimet, përfshire dhe krevatin tënd, mos e lodh kot kokën, pasi këto gjëra i kullandris për bukuri ‘Baba’”!
Kompania jonë ndërroi vartësi: nga FUD-i dhe BUD-i, kaluam tek Brigada e Laçit. Prandaj dhe furnizimi prej andej erdhi. Me të njëjtin kamion mbërriti komandanti i kompanisë, “nënoficeri oficer”, një skërfyell i gjatë kockë e lekurë, me pamje aspak të këndshme, veshur me uniformë dimërore. Sidomos kur hoqi shapkën e pluhurosur dhe fshiu me shami kokën e shogët, u duk beterr i shëmtuar, si plak shtatëdhjetë vjeçar, krejt i shkrehur!
Ky menjëherë shkoi drejt kolibes për të parë vendin, ku do ngryste netët e do kalonte disa orë të ditës. Edhe pse pamja që i doli para syve linte shumë për të dëshiruar, përqasej me një zgëq internimi, këtij nuk i la përshtypje kaq të hidhur, sa mendohej, duke patur parasysh edhe anën tjeter të medaljes, se pikërisht këtu do bënte pallë ariu, para se gjthash do kishte kohë me bollëk të merrej me çfarë t’i shkrepej në kokë, pa patur asnjë ngarkesë nervore e trupore, dhe pa e vrarë fare mëndjen për përgjegjësinë e stërvitjes apo gatishmërine ushtarake.
Kur kushëriri i tij e njoftoi për detyrën e re, ia bëri të qartë se, përveç largësise nga familja, privilegjet e tjera do mbeten të pa cenuara: (Nuk do shpërngulet nga Tirana me plaçka, si muhaxhirët. Rrogën, veshjen, ushqimet do t’i përfitojë si më parë, gyl! Shkurt: Qejf o qejf që bën dervishi, pi raki ha thela mishi!). Edhe e keqja e vetme, largësia nga e shoqja, ka të mirën e saj të madhe, se e çliron nga ankesat e përditshme, që e fyejnë deri në kockë dhe e nervozojnë me poshtërimin e paduruar, sidomos kur i bërtet me ton të sertë, duke të thënë: “Kur e di veten tënde që s’je mashkull, pse rri në shtëpi”?!
Në këto çaste njësoj sikur i thotë troç:” Pa m’u zhduk nga sytë kembët dhe më lë të bejë jetën time! Nuk e kupton që me sjelljen time prej zonje, po të bejë një lëshim të madh, të cilin asnjë grua tjetër nuk e bënë: kur ta ndjesh veten burrë, një herë në muaj, hajde dhe shkriftohu. Por ama këtë sakrifice e bej vetëm për një natë. Nuk duroj dot të kem vazhdimisht pranë një koqetharë, era përç”!
Kapteri i furnizimit erdhi pranë meje, dhe më tha se të kërkon komandanti i kompanisë.
– “Ka ndonjë problem, apo thjeshtë për njohje”? – e pyeta unë.
– “Më tej nuk e di. Unë zbatoj vetëm urdhra. Ashtu si mushkën e komandoj unë, edhe eprorët e mi, më drejtojnë ku të shkojë…”, – u përgjigj ai me buzëqeshje të shpëlarë.
Unë u paraqita ushtarakisht, sipas rregullores, dhe prita çfarë do më thotë. Ai rrinte ulur në karrigen e vetme, pa kasketë. Dukej mjaft i shëmtuar, si Kuazimondo! Prandaj në këtë çast më ngacmoi pyetja: Si e ndjen veten gruaja e tij, kur ky shtrihet pranë saj?!
Pas pak ai ngriti sytë e pakëndshëm drejt meje, njësoj sikur donte të më tërhiqte vërejtjen: “Edhe pse s’të pëlqen pamja ime e jashtme, ty të ra shansi të jesh krahu im i djathtë. Prandaj vetvetiu do bashkëpunojmë me njëri tjetrin”!
Dhe pa e zgjatur me fjalët e njohjes, më dha sqarimin më të rëndësishëm:
– “Para së gjithash fiksoje në kokën tënde, siç e kam fiksuar unë: vetëm shefat tanë e dinë saktësisht pse na prunë këtu. Pse po ta them kêtë? Qe të bindesh ushtarët të mos shfaqin shenja pakënaqësie për kushtet e jetesës, kur i kanë sytë në ballë dhe mendjen në kokë. Duke patur parasysh që gjuha në gojë s’ka kocka, vërtitet andej nga e komandon truri, ushtarët duhet të jenë të përmbajtur, pasi pa tjetër e kanë dégjuar fjalën e urtë popullore: ‘qengji i urtë pi qumësht nga dy dele, ndërsa i serti, nuk pi asnjë’. Besoj për ty, si gazetar, u shpreha qartë…”, – theksoi me veshtrim të lodhur.
– “Për sa i përket shqetësimit tuaj, shoku komandant, ju siguroj me qind për qind se ushtarët e kësaj kompanie kanë nuhatje të mprehtë dhe përvojë të pasur jetësore: e kuptojnë shumë mirë gjendjen ku ndodhen, dinë të përcaktojnë sjelljen e vetvetes. Me kaq sa i njoh, ju garantoj se janë të aftë t’i pershtaten çdo situate, sipas rastit. S’kanë pretendime, e hedhin këmbën me ritmin e daulles”, – ia ktheva unë, duke e ditur që këtë përgjigje priste prej meje. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016