Nga Łukasz Martyniak
Memorie.al / Alma Rosé lindi më 3 nëntor 1906 në Vjenë, në një familje hebreje me tradita në fushën e muzikës. Babai i Almës, Arnold, ishte një koncertmaster i Orkestrës Filarmonike të Vjenës dhe kreu i bandës ‘Kuarteti i Trëndafilave’. Xhaxhai i saj ishte kompozitor i njohur Gustav Mahler.
Ajo ajo vetë ishte një violiniste e talentuar, që performonte me orkestrën e zonjave të saj në Vjenë, në vitet 1930. Bashkëshorti i saj i parë, ishte violinisti çek Váša Příhoda. Në vitin 1942, ajo u martua me një holandez. Në vitin 1943, gjatë përpjekjes së saj për t’u larguar përmes Francës për në Zvicër, me qëllim për t’iu shmangur persekutimit nazist të hebrenjve, Alma Rosé u arrestua dhe dërgua në kampin e përqendrimit në Aushvic.
Gjatë kohës që ishte e izoluar aty, ajo drejtoi orkestrën e grave të burgosura në Aushvic, duke fituar shumë respekt të madh nga autoritetet e kampit dhe në të njëjtën kohë duke mundësuar kushte më të mira jetese për muzikantët e saj dhe mbijetesën e tyre.
Alma Rosé vdiq në kampin e përqendrimit në Aushvic më 4 prill të vitit 1944, ndoshta nga helmimi me ushqim.
Alma Rose – Häftlingsfrau Nr. 50831
Në vitet 1930, Alma ishte drejtuesja e grupit Die Wiener Walzermädeln, i cili gëzonte famë të konsiderueshme në Evropë.
Pasi nazistët morën shtetin austriak, Alma emigroi në Angli. Kur ushtria e Hitlerit sulmoi Evropën Perëndimore në vitin 1940, ajo ishte në Holandë. Në mars 1942, ajo u martua me holandezin Constant van Leeuëen Boomkamp. Ajo shpresonte që martesa do ta mbronte nga shtypjet e forcave pushtuese kundër qytetarëve hebrenj. Por rezultoi që e kishte gabim dhe i’u desh të ikte nëpër Francë për në Zvicër. Arratisja e planifikuar dështoi – ajo u arrestua në Dijon dhe u transportua më 12 janar 1943, në kampin e internimit Drancy, afër Parisit
Auschwitz
Më 18 korrik 1943, Alma ndau fatin e njëjtë të mijëra hebrenjve dhe u dërgua në lindje në Aushvic, për të cilën u deshën dy ditë për t’u arritur (ajo ishte e shënuar në regjistrin e transportit si Obna Vanleeuven). Ajo ishte një nga një mijë hebrenjtë e sjellë në atë kamp, me të njëjtin transport. Pas mbërritjes, të sapoardhurit u ndanë në grupe. Ushtarët SS rreshtuan 369 burra dhe 191 gra, duke i konsideruar si të aftë për punë. Ndërsa 440 personat e mbetur, u dërguan në dhomat e gazit dhe u ekzekutuan atje. Alma pati fatin t’i përkiste grupit “të aftë për punë”.
Ajo u regjistrua si e burgosura me numër 50831 dhe u izolua në ‘Bllokun 10’, në ambientet e kampit kryesor Aushvic I. ‘Blloku’ fitoi një reputacion të keq në kamp, pasi aty ishte mjeku nazistët Prof. Carl Clauberg, që aplikonte eksperimentet e tij mizore të sterilizimit të grave.
Ndërsa ishte në ‘Bllok’, një prej grave të burgosura e njohu Almën. Falë përpjekjeve të kreut të ‘Bllokut’, u bë e mundur të sigurohej fshehurazi një violinë për të, në mënyrë që ajo të mund të performonte për të burgosurit në mbrëmje. Situata nuk mund të mbahej e fshehtë për shumë kohë dhe lajmet për talentin e saj si muzikante, mbërritën te ushtarët SS. Kjo u dha arsye për ta transferuar atë në kampin në Brzezinka (Aushvic II, Birkenau), ku, në gusht të atij viti, ajo u caktua në rolin e drejtueses dhe dirigjentes të grave të burgosura.
Urdhri i Komandës së kampit: Punoni me orkestrën e grave
Orkestra e grave ishte themeluar në kampin e përqendrimit të Aushvicit para se Alma të mbërrinte në Birkenau, d.m.th., në prill 1943. Ajo u iniciua nga autoritetet e kampit në bashkëpunim me mbikëqyrësen e sektorit të grave, Marie Mandel, e cila ishte e njohur për mizorinë e saj. E burgosura e parë që drejtoi bandën muzikore, ishte polakja, Zofia Czajkoëska, me profesion mësuese muzike.
Orkestra, të cilën ajo drejtoi në periudhën fillestare, përbëhej nga 30 të burgosur, kryesisht amatorë, 14 prej të cilëve ishin hebrenj. Shumica dërrmuese e tyre nuk kishin pasur ndonjë përvojë muzikore më parë. Detyra kryesore e orkestrës së sapo-themeluar, ishte të luante për punëtorët e burgosur të sektorit të Komandës, kur ata largoheshin për punë në mëngjes dhe ktheheshin në mbrëmje. Orkestra luajti gjithashtu edhe për të burgosurit e sëmurë, në spitalin e kampit.
Menjëherë pasi mori drejtimin e orkestrës, Alma filloi riorganizimin e saj. Përpjekjet e saj çuan në një rritje të numrit të anëtarëve të orkestrës së të burgosurve. Kështu, në fund të viteve 1943 dhe fillimit të vitit 1944, orkestra numëronte mbi 40 të burgosur (30 instrumentistë, 6 këngëtarë, 4-6 kopjues të notave muzikore dhe 4 asistentë). Nga mesi i vitit 1944, radhët e saj tashmë ishin rritur në pothuajse 50 të burgosur, kryesisht hebrenj.
Pjesëmarrja në orkestrën e kampit u konsiderua nga të burgosurit, si sigurimi i një potenciali shumë më të madh për mbijetesë, sesa puna në Kommandë, e të tjera vende që konsideroheshin si të privilegjuara. Anëtarët e orkestrës nuk u detyruan të bënin punë të rënda fizike dhe rekrutimi u krye gjatë apelit, si dhe duke dalluar kandidatët midis të sapo ardhurve në kamp. Vendimi përfundimtar për pranimin në orkestër, shpallej nga vetë dirigjenti, pasi kishte “ekzaminuar” kandidatin.
Në periudhën fillestare të funksionimit të orkestrës, pajisjet e saj muzikore u morën nga anëtarët e burgosur të orkestrës së burrave, në kampin kryesor, Aushvic i I-rë. Sapo Alma e kishte marrë atë pozicioni si drejtoreshë e orkestrës së grave, filloi duke zëvendësuar shumicën instrumenteve, me shumë më të mira. Partiturat muzikore dhe materialet e tjera ndihmëse, nuk siguroheshin më ekskluzivisht nga orkestra e burrave të kampit kryesor, por direkt nga autoritetet e kampit. Kështu Alma paraqiti kërkesa për pajisjet e nevojshme që i duheshin për kompletimin e orkestrës.
Si dirigjente e re ajo gëzonte shumë të drejta autorizimi dhe nisur nga ky fakt, autoritetet e kampit caktuan një ‘Bllok’ të veçantë për orkestrën e saj, i cili ishte i kompletuar me një sallë provash. Përveç pajisjeve të nevojshme si, tribuna apo stendat, salla kishte edhe disa ambiente të përshtatshme si kabinete magazinimi për instrumente dhe partitura muzikore. Aty gjithashtu u instalua një sobë për të mbrojtur instrumentet nga lagështia dhe dyshemeja e sallës u vesh me dru. Nën drejtimin e Alma Rosé, orkestra e grave u bë një ‘Kommando’ mjaft e vlerësuar për autoritetet e kampit, dhe vetë dirigjentja gëzonte vlerësimin e tyre të madh.
Zofia Cykoëiak, një ish e burgosur i Aushvicit dhe anëtare e orkestrës, kujton:
“…Komandantët vinin shpesh në ‘Bllokun’ tonë gjatë provave për të dëgjuar Almën kur luante. Repertori i saj përfshihej nga shumë pjesë solo me orkestrën. Më shumë se për kënaqësinë e tyre, ata ftuan mysafirë dhe haptazi ‘krenoheshin’ me orkestrën e grave dhe veçanërisht me një violiniste të një klasi të tillë…! Ishte mjaft e habitshme se si, ajo ishte në gjendje të ndërtonte një distancë midis saj dhe autoriteteve. Duke pasur parasysh kushtet e përgjithshme në kamp, ajo u trajtua me mirësjellje të jashtëzakonshme, madje me respekt. Autoritetet më të larta të kampit, asaj i’u drejtuan si: Znj. (Frau) Alma, gjë e cila absolutisht nuk kishte ndodhur më parë…”
Kërkimi i përsosmërisë
Sapo mori detyrën e drejtoreshës së orkestrës së kampit, Alma vendosi disiplinë relativisht të ashpër ndaj vetes dhe anëtarëve të tjerë të grupit. Të burgosurit – anëtare femra të orkestrës – përmirësuan aftësitë e tyre nën stafetën e saj. Standardet e Almës ishin të larta dhe ajo nuk toleroi asnjë gabim gjatë provave, të cilat shtriheshin në orë të gjata.
Anëtarëve të orkestrës shpesh u duhej të interpretonin pjesët disa here, derisa arrinin në nivelin që kënaqte Almën. Ajo gjithashtu ndonjëherë do ta humbiste durimin dhe do ‘ndëshkonte’ shoqet e saj të burgosura. Edhe pse ndëshkimi fizik ishte i zakonshëm në kamp, Alma nuk do ta përdorte kurrë atë. Ndëshkimi i zakonshëm për disa ‘mosmbarëvajtje’, ishte pastrimi i dyshemesë së sallës së provave.
Lidhur me këtë, e burgosura Manca Švalbová, shoqja e Almës në kamp, kujton: “Ajo trajnoi vajzat dhe niveli i grupit u rrit çdo ditë. Alma punonte nga agimi deri në muzg dhe praktikoi e praktikoi shumë. ‘Ende nuk është luajtur në ritmin e duhur…..ky tingull duhet të jetë i pastër, ai zë ka shumë pak temperament. Edhe një herë, edhe një here’, na thoshte ajo!
Provat e vazhdueshme të mundshme shpesh çonin në lodhje të rëndë të të burgosurve. Kishte raste kur të burgosurat femra të lodhura shembeshin në tokë dhe u binte të fikët. Ndërhyrja e Almës bëri që autoritetet e kampit të lejojnë të burgosurit të pushonin një orë gjatë ditës. Ata e kaluan këtë orë duke pushuar në shtrat, dhe në mënyrë sporadike duke bërë shëtitje jashtë mjediseve të kampit.
Në periudhën fillestare, kërkesa e përsosmërisë nga Alma nuk u prit me mirëkuptim nga disa të burgosura. Mund të thuhet me siguri se ata nuk ishin në gjendje të pranonin metodat e saj të punës. Ne mund të hamendësojmë se, ata mbanin mëri për ndëshkimin që ajo u jepte nëse gabonin gjatë lojës muzikore. Në sytë e të burgosurve të Birkenau – dëshmitare të ngjarjeve tragjike, për të cilët çdo ditë në kamp ishte luftë e vazhdueshme për mbijetesë, me vdekjen e kudogjendur rreth tyre – të qenit i pasionuar pas detyrës së caktuar, ishte thjesht absurde. Prandaj, ata mund të mos kenë gjetur kuptim në përpjekjen për përsosmëri, kur luanin pjesë muzikore.
Vetë Alma punoi jashtëzakonisht shumë, duke drejtuar provat e ditës me bandën. Përfshirja e saj e madhe në muzikë, për të cilën ajo u angazhua në Birkenau, padyshim shpjegohet si një arratisje nga atmosfera mizore e kampit. Në mbrëmje, pas apelit, ajo praktikonte vetëm. Shpesh i kalonte netët duke përgatitur partiturat muzikore për t’i dhënë kopjuesit në mëngjes. Në vlerësim të angazhimit të saj, autoritetet e kampit bënë një përjashtim dhe e lejuan atë të ndizte një llambë në dhomë, ndërsa punonte natën.
Nën drejtimin e Almës, aftësitë e orkestrës përmirësoheshin vazhdimisht. Ajo ishte shumë precize dhe profesionale kur punonte në pjesë të ndryshme muzikore, të cilat ndër të tjera ishin marshe, muzikë për argëtim, por edhe pjesë klasike. Repertori përbëhej nga fragmente të pjesëve nga Brahms, Çajkovski, Lehar, Ravel, Rossini, Sarasate, Verdi, Schubert, Strausses dhe të tjerë. Helena Tichauer e vlerësoi qasjen e Almës si më poshtë:
“Ajo arriti diçka që ndryshe nuk do të ishte në gjendje ta arrinte në jetën normale. Ajo bëri diçka nga asgjëja. Ishte gjenialiteti i Almës që katapultoi një grup amatorësh në një nivel të pranueshëm të performancë muzikore….! Më kujtohen kohët kur Alma i bërtiste (në frëngjisht), një vajze veçanërisht të ngathët, e cila vazhdonte të bënte gabime. Por Alma kurrë nuk e përzuri jashtë ‘Bllokut’, që do të ishte njësoj si dënimi me vdekje, sepse ajo vajzë….nuk do të mbijetonte askund tjetër në Birkenau.
Me kalimin e kohës, Alma filloi të kishte respekt të madh nga anëtarët e orkestrës dhe ata magjepseshin nga talenti i saj muzikor. Për ta bërë të qartë se përpjekja e saj e jashtëzakonshme kishte çuar në një rritje në nivelin e performancës së grupit, (gjë që rriti edhe shanset e tyre për të mbijetuar në kamp). Zofia Cykowiak, kujton:
“…Ne ishim të magjepsur nga loja e Almës. Ne ndjemë se muzika që ajo përzgjodhi për të praktikuar atje, ishte e gjithë bota e saj, ku ajo u struk me zell, edhe pse për të ishte një tragjedi të praktikonte atë muzikë, në atë ‘Mbretëri çnjerëzore’. E di direkt prej saj. Ajo më tregoi një mbrëmje, kur po shikonim transportimin e grave hebreje të zgjedhura nga kampi për ekzekutim në dhomat e gazit, plotësisht të vetëdijshme për fatin e tyre. Ato u transportuan me kamionë të pambuluar, të zhveshur. Ato po bërtisnin. “Lagersperre”, i rreptë, ishte në fuqi ndërkohë që u krye transporti, me fjalë të tjera ndalohej të dilje nga ‘Blloku’. Por unë ndonjëherë përvidhesha larg ‘Bllokut’ dhe i vëzhgoja e i përjetoja ato veprime në hijen e tyre. Aty e takova një herë Almën. Ajo më tha atëherë se: nuk donte të vdiste në një mënyrë kaq çnjerëzore….”!
Helen Scheps tha:
“Alma na shpëtoi jetën sepse, diti të na shndërronte në orkestër. Nëse Alma nuk do të kishte qenë atje, ne nuk do të ishim këtu”. Mund të supozohet se niveli i përfaqësuar nga orkestra, i cili zotëronte kënaqësinë e autoriteteve të kampit, si dhe aftësitë e personaliteti unik i Almës, sollën një përmirësim të kushteve të jetesës së anëtarëve të orkestrës. Ato nuk ishin të detyruar të bënin punë të mundimshme me punëtorët e tjerë të Komandës ose, të merrnin pjesë në apelin e përgjithshëm të kampit. Ato numëroheshin çdo mëngjes, brenda ‘Bllokut’ ku jetonin.
Morën të njëjtin ushqim si të burgosurit e tjerë të Kommandos, por u trajtuan disi më shpesh me, porcione shtesë buke ose margarinë, marmelatë apo sallam. Ashtu si të burgosurit e tjerë, ata mbanin veshjen me vija të kampit, megjithatë, kur ato luanin, veçanërisht gjatë koncerteve të së dielës dhe festave, vishnin bluza të bardha, funde blu të errët dhe shami blu. Për më tepër, autoritetet e kampit i lejuan të mbanin të brendshmet e tyre dhe t’i përdornin ambientin e banjës, dhomat e larjes dhe tualetin, të cilat ishin të disponueshme, vetëm për të burgosurit me kombësi gjermane. Anëtarët e orkestrës përfituan nga situata që u krijua nën drejtimin e Almës edhe në një mënyrë tjetër – ato nuk ishin të ekspozuar ndaj rrahjeve, ngacmimeve dhe abuzimeve të vazhdueshme nga gardianët apo ushtarët SS. Shansi i tyre për të mbijetuar ishte dukshëm më i lartë krahasuar me gratë që punonin në Kommando të tjera.
Në kujtimet e ish të burgosurve, Alma shfaqet si një person me një rezervë të caktuar ndaj bandës, e cila zakonisht ishte ‘introverte’, por e sjellshme me shokët e saj të burgosur. Ajo bëri një jetë mjaft të vetmuar, duke ruajtur një ndjenjë humane ndaj të tjerëve, pavarësisht nga rrethanat. Lidhur me këtë, Zofia Cykowiak, kujton:
“….Alma ishte një grua e drejtë me një kulturë të shkëlqyer të mendjes dhe zemrës. Unë pata një shans ta përjetoja sepse mbaja kontakte më të ngushta me të. Me ndërhyrjen time tek Alma, ajo filloi lidhjet me një grua polake, shoqen time në kamp. Mes nesh shpërtheu një konflikt i ashpër, i cili ndodhi si pasojë e një keqkuptimi. Por ajo nuk e vazhdoi më tepër dhe më vonë, e toleroi më shumë se një herë shpërthimet e acarimit të asaj të burgosure, duke kuptuar tragjedinë që po jetonte, pasi kishte marrë një mesazh, se tre vëllezërit e saj, u vranë në Aushvic…”!
Vdekja e Almës…
Alma Rosé vdiq në kamp në fillim të prillit 1944, për arsye që nuk marrin shpjegime shterues. Deri më 2 prill, ajo ishte ende në gjendje të merrte pjesë në një “pritje” të organizuar në ditëlindjen e Alsa Schmidt – e cila ishte përgjegjëse e magazinës së veshjeve në kamp, për të burgosurit. Ajo u kthye nga festa me dhimbje të forta dhe marramendje, si dhe dhimbje gjoksi. Më pas i filluan spazma dhe të vjellat…! Të nesërmen – 3 prill, Alma u dërgua në ‘Bllokun’ e spitalit.
Mjekët dyshuan për meningjit. I’u morë për ekzaminim, një mostër e lëngut të saj. Megjithatë, analiza në Institutin e Higjienës SS, nuk e konfirmoi diagnozën. Gjendja e saj nuk u përmirësua, pavarësisht përpjekjeve të mëtejshme gjatë trajtimit në spitalin e kampit. Ajo ndërroi jetë natën në 4 prill 1944.
Vdekja e papritur e Almës, shkaktoi një mori dyshimesh. U hamendësua se ajo ishte helmuar qëllimisht, ose se ajo vdiq për shkak të intoksikimit me alkool metilik, ose ushqimi gjatë “pritjes” së përmendur, kishte kaluar datën e skadencës.
Pas vdekjes së Almës, anëtarët e orkestrës u lejuan të vizitonin spitalin e kampit, për t’i dhënë asaj lamtumirën e fundit. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e kampit. Po ashtu dhe mënyra e trajtimit të trupit, ishte krejtësisht e jashtëzakonshëm. Lidhur me këtë, midis të tjerash, Zofia Cykowska, kujton:
“Ajo ishte shtrirë përpara ‘Bllokut’ të spitalit, në stolat e bashkuara të mbuluara me një çarçaf të bardhë…! Shumë njolla të vogla mund të shiheshin në fytyrën dhe duart e saj. Dikush kishte vendosur një buqetë me lule mbi veshjet e saj. Një “funeral” i tillë, ishte i pashembullt në kampin e përqendrimit”.
Një trajtim i tillë i trupit të pajetë të Almës, dëshmon për mënyrën e qasjes së autoriteteve të kampit ndaj saj. Bożena Kaczyńska, jep një deklaratë mjaft prekëse, për vdekjen e Almës:
“Nuk mund ta besoja se një talent i tillë muzikor, kishte ikur përgjithmonë, i cili u çlirua mes dhimbjes dhe mjerimit. Orfeu, i cili zbuti kafshët e egra me muzikë, kishte shkuar në ‘Tokën e Hijeve’. Tashmë epoka e një gjenialiteti muzikor si ajo, kishte pushuar së ekzistuari”.
Pas vdekjes së Almës, funksioni i saj u mor nga një e burgosur tjetër, gjithashtu një anëtare e orkestrës së grave, Sonia Winogradowa, e cila luajti në piano. Në muajt në vijim, orkestra vazhdoi të luante marshe për punëtorët e Komandës dhe muzikë për ushtarët SS.
Me kalimin e kohës, autoritetet e kampit reduktuan orët e provave të orkestrës dhe të burgosurat u detyruan të performonin detyra shtesë, kryesisht qepjen dhe riparimin e të brendshmeve të dënuarve të kampit. Historia e orkestrës së grave mori fund, kur anëtarët e saj hebrenj u transportuan në kampin Bergen-Belsen, ku jetuan deri në ditën e çlirimit të tyre nga Ushtria e Kuqe. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016