Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tretë
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë, fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË
Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:
Më 10 shkurt 1865, qeveria e Knjazit Mihailo, shpalli ligjin “Për kolonizimin e të huajve në Serbi”. Sipas kushteve të këtij ligji, qeveria serbe i siguroi secilit prej kolonëve të varfër, në zonat përreth, nga tre jutra (1 jutër = 0,6 hektar) tokë arë dhe tre jutra tokë të pa punueshme, një shtëpi, dy qe, një karrocë, dy dhi ose dele, një dosë, mjetet e nevojshme dhe 120 groshë në para. Përveç kësaj, ai u dha atyre, natyrisht, misër deri në korrjen e tyre të parë.
U nda një parmendë për dy familje kolonësh. Pronat e luajtshme dhe të paluajtshme iu dorëzuan kolonëve me hua të patjetërsueshme për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare. Pasi kaloi kjo kohë, ato u bënë pronë e tyre. Për pesë vjet kolonistët u përjashtuan nga të gjitha taksat ndaj shtetit, ata u përjashtuan për dhjetë vjet nga shërbimi ushtarak, në ushtrinë e rregullt dhe për pesë vjet nga shërbimi në njësitë popullore.
Kjo krijoi një jehonë të tillë saqë, brenda pak muajsh, të gjitha tokat u pushtuan nga kolonët, dhe kjo në një shkallë, të cilën ne nuk e arritëm përgjatë disa viteve pas luftës. Nëse shteti do t’u kishte dhënë të njëjtat favore kolonëve pas vitit 1918, gjendja jonë do të ishte ndryshe në Vojvodinë dhe në Serbinë jugore. Kjo është mënyra se si duhet të veprojmë në të ardhmen, nëse duam të jemi të suksesshëm.
Mësimdhënëse është edhe mënyra e kolonizimit të Toplicës dhe Kosanicës pas vitit 1878, pas zbrazjes së këtyre krahinave nga shqiptarët. Ligji i 3 janarit 1880, rregullonte kolonizimin e këtyre rajoneve. Më 3 shkurt të po atij viti, Kuvendi Popullor, miratoi ligjin mbi marrëdhëniet agrare sipas parimit: “Toka fshatarëve”. Serbia, pa vonesë, kontraktoi kredinë e parë jashtë vendit, për të paguar Turqinë për tokat që kishte marrë. Nuk u krijua një Ministri e Reformës Agrare apo, një aparat i shtrenjtë për t’u marrë me kolonizimin, por gjithçka u bë shpejt dhe në mënyrë praktike.
Organet e policisë ua shpërndanë tokën të gjithë atyre, që donin ta punonin. Si pasojë, pamë të vinin banorë të Malit të Zi, Sjenicës, Vranjes, Kosovskës, Pejës etj., dhe tridhjetë vjet pas vitit 1878, Toplica dhe Kosanica, që më parë quheshin arnautlik me reputacion të trishtë, i dhanë Serbisë regjimentin e saj më të mirë, regjimentin e II të hekurt, gjatë luftërave të viteve 1912-1918. Me gjakun e derdhur nga djemtë e tyre në këto luftëra, Toplica dhe Kosanica paguan shumëfishin e disa dhjetëra milionë dinarëve, që Serbia kishte shpenzuar më parë për vendosjen e tyre.
Prandaj, vetëm duke ndjekur këtë shembull dhe duke qenë të vetëdijshëm se ç’duhet bërë, duke mos kursyer as para e as gjak, shteti ynë do të mund ta bëjë Kosovën dhe Metohinë një Toplicë të re. Kështu, në pak vite, ne duhet t’u ofrojmë kolonëve të gjitha kushtet e nevojshme të ekzistencës, nëse duam që ata të qëndrojnë aty ku janë.
Duhet të shtypim pa mëshirë, çdo spekulim për shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve të shpërngulur. Shteti duhet të ruajë vetë të drejtën e pakufizuar për të disponuar pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme e, për të vendosur aty, pas largimit të tyre, banorët e vet. Kjo është e nevojshme sepse rrallë një fshat i tërë do të boshatiset menjëherë. Së pari duhet të vendosim malazezë në këto fshatra, sepse ata janë mendjemëdhenj, gjaknxehtë dhe të egër dhe me qëndrimin e tyre do t’i detyrojnë të largohen shqiptarët e mbetur, pastaj duhet të sjellim kolonë nga vendet e tjera…!
Teknika e kolonizimit
….Asnjë veprim nuk kërkon aq këmbëngulje dhe vëmendje për t’u zbatuar sa kolonizimi.
Ne kemi vënë në dukje se një nga shkaqet kryesore të dështimit tonë në kolonizimin në Veri dhe në Jug ishte mungesa e qëndrueshmërisë në veprimin tonë dhe modifikimet, që qeveritë e njëpasnjëshme sollën në politikën tonë. Për t’iu kundërvënë kësaj në të ardhmen, është e nevojshme t’i besohet kolonizimi Shtabit të Përgjithshëm…! Ushtria jonë ka interes të vendosë në kufijtë tanë, veçanërisht në sektorët më delikatë, elementët e saj. Në këtë drejtim ajo duhet të bëjë gjithçka që është e mundur, për të siguruar më tej kufijtë tanë nëpërmjet një kolonizimi sa më të qëndrueshëm…!
…është e nevojshme të vendosim në politikën tonë të kolonizimit lidhje organike midis pushtetit shtetëror, nismave private dhe institucioneve shkencore. Nismat private mund të veprojnë në disa drejtime: Mbrojtja Popullore, Sokolaçet, Shoqata çetnike etj. mund të ndërmarrin veprime kundër shqiptarëve aty ku nuk do të tregohej përkushtimi i autoriteteve.
…Mbi të gjitha, Akademia Mbretërore Serbe e Shkencave dhe Universiteti i Beogradit duhet të marrin nismën për të organizuar një studim shkencor të gjithë problemit të kolonizimit në vendin tonë…!
Pushteti shtetëror, nga ana e tij, do t’i shkëpusë ministrive të caktuara të gjitha institucionet, që janë marrë me këtë çështje deri më tani, për t’i rigrupuar në një institucion të veçantë – “Inspektoratin e Kolonizimit”.
Ky Inspektorat do të drejtohet nga një Inspektor i Përgjithshëm, i emëruar me dekret, me propozimin e Ministrit të Luftës, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit. E gjithë veprimtaria e Institutit të Kolonizimit, si dhe e Inspektoratit të Kolonizimit, do të kryhet sipas udhëzimeve dhe nën kujdesin e Këshillit të Shtetit, ndërsa Inspektori i Përgjithshëm do të varet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Instituti i Kolonizimit do të ndahet në seksione:
1) organizimi,
2) arsimi dhe kultura,
3) financa,
4) bujqësia,
5) ndërtesa,
6) higjiena etj.
Këto seksione, në marrëveshje me shoqatat dhe institucionet kombëtare shkencore, kulturore dhe arsimore, do të studionin problemet e kolonizimit, do të përgatisnin udhëzime, duke e pajisur kështu politikën tonë kolonizuese me materiale solide, të përpunuara shkencërisht, mbi të cilat do të bazoheshin vendimet.
Ky Institut do të drejtohet nga anëtarë të Këshillit të Shtetit (të përbërë nga përfaqësues të ministrive të sipërpërmendura), të Universitetit, të Akademisë së Shkencave dhe të organizatave arsimore private, kombëtare e kulturore, të zgjedhur ose të emëruar në këtë Këshill. Në këtë rast do të duhet kujdes që të mos zgjidhen burra me titull nderi, por njerëz që ndiejnë lidhje dhe pasion për këtë punë madhështore…!
Inspektorati dhe organet e tij, gjatë veprimtarisë së tyre, duhet të shmangin sa më shumë formalitetet burokratike dhe të kenë vetëm një shqetësim: largimin e menjëhershëm të shqiptarëve dhe vendosjen urgjente të kolonëve tanë. Aparati i policisë do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në këtë çështje…!
Në të gjithë hapësirën e sipërpërmendur të 18 rretheve, është e nevojshme të caktohet një komisioner i posaçëm, të cilit do t’i kërkohet të zbatojë urdhrat e inspektorit të shtetit për kolonizimin. Prefektëve të rretheve duhet t’u jepen kompetenca të veçanta të plota dhe t’u jepen udhëzimet e duhura. Duhet t’u themi partive tona politike se çdo garë në zgjedhje në këto qarqe është rreptësisht e ndaluar dhe se çdo ndërhyrje e deputetëve në favor të shqiptarëve është rreptësisht e ndaluar…!
Mjetet financiare
Sa herë që politika jonë e kolonizimit është kritikuar për dështimet e saj, mbrojtësit e saj janë shfajësuar duke përmendur, pamjaftueshmërinë e mjeteve financiare, të vëna nga shteti në dispozicion të tyre…! Sido që të jetë, nëse financimi nga shteti ka qenë i pamjaftueshëm, duhet pasur parasysh se çdo shtet ka interesat e tij parësore dhe dytësore. Interesat e tij parësore përfshijnë, pa dyshim, detyrën e vendosjes në rajonet e pasigurta kombëtare të kolonëve, që do të sigurojnë mbrojtjen e tyre. Kjo detyrë dhe ky angazhim kanë përparësi mbi të gjitha të tjerat. Për këtë ne mund dhe duhet të gjejmë burimet e nevojshme financiare.
Tashmë kemi përmendur rastin e kolonizimit prej Serbisë, të Toplicës dhe Kosanicës dhe përparësitë që ajo korri prej saj. Mbretëria e vogël serbe, nuk u tërhoq nga sakrificat e mëdha financiare dhe nuk ngurroi, si një mbretëri e lirë dhe e pavarur, të japë huanë e parë për kolonizim. Po Jugosllavia jonë e sotme, a nuk mund të bëjë të njëjtën gjë? Mundet dhe duhet ta bëjë këtë; nuk është e vërtetë se ajo nuk mund ta përballojë atë. Le të bëjmë një llogaritje të përafërt se sa do t’i kushtonte shtetit tonë zhvendosja e 200.000 shqiptarëve dhe vendosja e kolonëve tanë, në një numër të barabartë.
Transferimi i 40.000 familjeve shqiptare, duke llogaritur se çdo familje ka mesatarisht 5 anëtarë dhe se shpenzimet për secilën prej tyre do të arrinin në 15.000 dinarë, do të kushtonte maksimumi 600 milionë dinarë. Shpenzimet për vendosjen e 40.000 familjeve tona, nuk mund të kalojnë 200 milionë dinarë. Për gjithë këtë aferë ne, në asnjë rast, nuk do të shpenzonim më shumë se 800 milionë dinarë. Ja pse:
- Shqiptarët e shpërngulur do të lënë pas jo vetëm tokën e tyre, por edhe shtëpitë dhe mjetet e tyre. Kështu, kolonët tanë, të cilët në pjesën më të madhe do të mund të vendosen në shtëpitë e vjetra të shqiptarëve, me pak ndihmë në bagëti dhe ushqim, do të rimëkëmben dhe do të bëhen të pavarur ekonomikisht. Me këtë rast theksojmë edhe një herë se nuk duhet të lejohen absolutisht spekulimet private për pronat e lëna nga shqiptarët; është shteti ai që duhet t’i marrë në dorë dhe t’ua shpërndajë kolonëve.
- Gjatë krijimit të vendbanimeve të reja do të duhet të përdoret forca ushtarake, aty ku lind nevoja, siç ishte rasti gjatë ndërtimit të Garës së Sremskës dhe rindërtimit të fshatrave jugore të shkatërruara nga tërmeti i vitit 1931. Për këtë, duhet t’i jepet e drejta dhe mundësia ushtrisë për të krijuar, duke tërhequr rezervistët dhe duke zgjatur kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak, një lloj shërbimi të detyrueshëm për punët publike, ashtu sikurse Stamboliski, krijoi në Bullgari: “Trudova Povinost” (punë e detyrueshme) dhe Hitleri në Gjermani: “Arbeitsdienst” (shërbimi i punës).
Do të ishte veçanërisht e përshtatshme që këto detyra t’u besoheshin të rinjve tanë në këtë sektor pas studimeve universitare: kështu, duke kryer punë të dobishme në interes të përgjithshëm, shumë nga këta studentë do të bëheshin më të vetëdijshëm për këto gjëra dhe do t’i shihnin ato më realisht. Kjo mund të bëhej më lehtë duke i dhënë përparësi emërimeve në një funksion shtetëror të të rinjve, që kanë punuar për një kohë të caktuar në kolonizimin tonë. Kjo do të ulte edhe papunësinë e inteligjencës sonë të re, e cila po bëhet një problem social gjithnjë e më i vështirë për ne.
3. Në marrëveshje me organizata dhe kompani të specializuara, duhen kërkuar mjetet më pak të kushtueshme për pastrimin dhe ujitjen e tokës, kullimin e kënetave dhe ndërtimin e shtëpive. …
4. Gjatë kolonizimit, shteti mund t’ua dorëzojë pronat kolonëve me kredi ose për t’u paguar me para në dorë…! Theksojmë se toka mund t’i shitet vetëm dikujt, që vërteton se do të vendoset aty dhe do ta punojë atë. Toka e shitur me kredi nuk duhet të kushtojë shumë, norma e interesit duhet të jetë minimale dhe shlyerja e kredisë duhet të fillojë, disa vjet pas vendosjes së kolonit, domethënë kur ky i fundit, të jetë mëkëmbur ekonomikisht…!
Për të kryer një detyrë të tillë kombëtare, strategjike-ushtarake dhe ekonomike, shteti ka për detyrë të sakrifikojë disa miliona dinarë. Nëse ai është në gjendje të shpenzojë një miliard dinarë për ndërtimin e rrugës ndërkombëtare nga Subotica në Caribrod, nga e cila mund të kemi përfitime reale vetëm në një të ardhme të largët, aq më shumë mund dhe duhen gjetur këta qindra milionë dinarë, që do të na lejonin të rifitonim djepin e shtetit tonë.
Përfundim
Duke marrë parasysh gjithë sa u tha, jo rastësisht, në analizën e kolonizimit të Jugut, nisemi nga mendimi, sipas të cilit i vetmi mjet efektiv për zgjidhjen e këtij problemi është shpërngulja masive e shqiptarëve. Kolonizimi gradual nuk ka qenë i suksesshëm këtu, jo më shumë se në vendet e tjera. Kur pushteti shtetëror dëshiron të ndërhyjë, në interes të elementit të vet, në luftën për tokë, ai mund të ketë sukses vetëm nëse vepron brutalisht. Dihet se aborigjeni i vendosur në vendlindjen e tij dhe që është përshtatur aty, është gjithmonë më i fortë se koloni. Në rastin tone, ky parim duhet të merret parasysh edhe më shumë, sepse kemi të bëjmë me një racë të ashpër, të konsoliduar, rezistente dhe pjellore, për të cilën i ndjeri Cvijiç, tha se është më e shtrira në Ballkan (nënvizimi i autorit).
Nga viti 1870 deri në 1914, Gjermania shpenzoi miliarda marka për të kolonizuar gradualisht territoret e saj lindore, duke blerë tokë nga polakët, por pjelloria e nënave polake, mbizotëroi mbi organizimin dhe paratë gjermane. Kështu, në vitin 1918, Polonia mori përsëri Poznanin, që i përkiste asaj. Statistikat tona të viteve 1921-1931, të cilat i kemi përmendur tashmë, tregojnë se pjelloria e gruas shqiptare e mposhti edhe politikën tonë të kolonizimit.
Duhet të nxjerrim përfundime dhe të nxitojmë të bëjmë ndreqjet e nevojshme përderisa nuk është vonë. E gjithë Europa është në një gjendje të vrullshme. Nuk e dimë se çfarë mund të na sjellë e nesërmja. Nacionalizmi shqiptar po rritet edhe në trevat tona. Lënia e gjërave ashtu siç janë do të ishte, në rast konflikti botëror apo revolucioni shoqëror, të afërt dhe të mundshëm, njëlloj si të lejoje që të vihen në pikëpyetje të gjitha zotërimet tona jugore. Qëllimi i këtij raporti është pikërisht shmangia e kësaj gjendjeje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016