Nga Sebi Alla
Memorie.al / Italia ziente, ekstremistët e djathtë po shfaqnin urrejtje ndaj sistemit politik. Madje kishte edhe nostalgjikë, që vrasjen e Benito Musolinit, e konsideruan si të padrejtë dhe një krim. Autori i vrasjes të Duçes, nuk fshihej, madje ai merrte pjesë në jetën politike të vendit, si deputet i zgjedhur nga radhët e Partisë Komuniste Italiane. Por tashmë Valter Audicio, nga një njeri i adhuruar në vitin ’45, kur kreu vrasjen, ishte kthyer në i urryer nga ekstremistët.
Në vitin 1957 nuk ishte aspak çudi, që Valter Audicio të binte pre e ndonjë atentati. Në këtë situatë të ndezur Enver Hoxha dhe krerët e tjerë të Partisë Komuniste Shqiptare, përfituan nga situata dhe i bënë një ftesë zyrtare Valter Audicios. Parlamentari përfaqësues i Partisë Komuniste italiane, u përmend si personi, i cili kishte vrarë Duçen dhe të dashurën e tij, Klareta Petaçi. Megjithatë dikush e admironte, dikush tjetër e urrente për veprimin që kreu pas kapitullimit të Italisë fashiste. Tashmë edhe jeta e tij ishte në rrezik në Itali. Udhëheqja shqiptare ishte e informuar më së miri, për figurën e këtij personi.
Audicio merr ftesë nga Hysni Kapo
U diskutua gjatë në organet drejtuese të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe më në fund, me dijeni direkte të Enver Hoxhës, u vendos që mikut nga Italia, t’i bëhej një ftesë zyrtare. Drejtuesit e PPSH-së nuk i pengonin as bindjet partiake. Kjo pasi Audicio, edhe pse disi i krahut reformator, ishte anëtar i Partisë Komuniste Italiane. Ndërsa diskutimi kaloi pa shumë debate, mbetej tashmë një tjetër problem: Cili do të ishte zyrtari që do të kërkonte ardhjen e tij në vendin tonë, nën pretekstin e pushimeve.
Hysni Kapo, në atë kohë Ministër i Punëve të Jashtme, ishte i vetmi person, të cilin detyra nuk e pengonte për t’i bërë Audicios një ftesë zyrtare. Dhe në fakt kështu ndodhi. Në fillimin e vjeshtës të vitit 1957, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Hysni Kapo, erdhi për “pushime” në vendin tonë një nga figurat më të spikatura e trimërore të rezistencës antifashiste në Itali, Valter Audicio. Emri i tij u bë edhe në Shqipëri legjendë, qëkur shkarkoi një karikator me plumba mbi trupin e Benito Musolinit (Duçes), diktatorit të urryer të fashizmit italian.
Si u prit ardhja e Audicios në vendin tonë. Përse udhëheqja e asaj kohe e mbajti këtë vizitë të fshehtë. Çfarë diskutoi Hysni Kapo me ekzekutorin e Duçes? Cili ishte reagimi i Audicios, kur pa monumentin e rezistencës të Mujo Ulqinakut? Përse i kërkoi Kapo mikut italian, që të qëndronte edhe një javë tjetër, për të pushuar? Përse Valter Audicio vendosi t’i premtonte Kapos, se do të sillte në vendin tonë armën me të cilën ekzekutoi Benito Musolinin? Si erdhi arma në vendin tonë, dy muaj pas largimit të tij? Të gjitha enigmat e njërës prej historive më të diskutuara gjatë kohëve të fundit, i tregon përkthyesi i Valter Audicios gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Vangjel Moisiu, i cili vitet e fundit, ka jetuar në Amerikë.
Moisiu: “Ja çfarë i thashë Audicios”
Në përgatitjet për ardhjen e tij, drejtoria e Punëve të Jashtme të aparatit Komitetit Qendror, më ngarkoi detyrën e shoqërimit të mikut legjendar, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri. Dhe kështu, që në fillim u vendosëm në një nga vilat e pushimit të partisë, në plazhin e Durrësit, që ndodhej diku midis urës së gjatë të “Teutës” dhe hotelit “Belvedere”. Valter Audicio, ishte një njeri i këndshëm, i thjeshtë, me një humor mjaft të natyrshëm, njeri që fliste me një modesti të çuditshme, për bëmat e tij trimërore të luftës partizane.
Fytyra e tij ishte disi e zeshkët, me një ballë të gjerë, pa flokë dhe mustaqe të ngushta e të shkurtra, krejtësisht të zeza. U miqësuam shpejt me njeri-tjetrin dhe nuk nguroja ta pyesja për ngjarjet e luftës partizane e, sidomos për ”dramën” musoliniane, kapjen dhe ekzekutimin e Duçes. Valter Audicio m’i tregoi thuajse në imtësi, se si rrodhën ngjarjet: si e zbuluan në një pritë lufte të strukur në një nga kamionët e autokolonës gjermane (i mbuluar me batanije), në përpjekje për të kaluar në Zvicër e më pas në Gjermani; si e arrestuan bashkë me të dashurën Klareta Petaçin dhe atë natë i vendosën në një nga shtëpitë e fshatit, nën një survejim të plotë; se si në mëngjesin e herët të ditës së nesërme i morën dhe jo shumë larg shtëpisë, i pushkatuan që të dy. Kjo ndodhi me 28 prill 1945”.
Valter Audicio nuk përmendi “ceremonira përgatitore” as gjygj ushtarak, as “fjalë të fundit” as togë pushkatimi. Sapo i vendosën pranë një muri, komandanti partizan, Valter Audicio me automatikun e tij, kreu ekzekutimin e pagabuar. Mbi pesëmbëdhjetë plumba e bënë shoshë trupin e diktatorit që u shemb për tokë, i mbytur në gjak.
Çdo gjë u krye me shpejtësi dhe si pas urdhrit të Komandës supreme. Çdo kohëzgjatje mund të sillte komplikacione. Përvoja e hidhur se si Musolini i arrestuar disa kohë më parë, kishte mundur të shpëtonte nga një aksion “blic” i majorit gjerman Skorcen, që me avionin e tij u ul diku në një zonë të Veriut ku mbahej i ”burgosuri”, e mori dhe e dërgoj ne Gjermani, i bënte partizanët të ishin vigjilentë. Kjo ngjarje ishte e freskët, prandaj çdo gjë duhej dhe u krye me shpejtësi. Dihet se si kufomat e Duçes dhe të dashurës së tij Klareta Petaçit, u varën me kokë poshtë në një nga sheshet e Milanos dhe u përdhosën nga masa të revoltuara.
Valter Audicio u emocionua kur pa monumentin e rezistencës
Gjatë ditëve të qëndrimit në plazhin e Durrësit, ndjenja një emocion adhurimi dhe respekt për mikun e shtrenjtë. Nuk dija se si ta kënaqja. Me gjithë kohën e ftohtë me reshje shiu, e shoqërova Audicion në Krujë dhe vendet antike të Durrësit në muret e lashtë të kështjellave iliriano-veneciane tek “Torra” antike pranë molos, ku heroi Mujo Ulqinaku, luftoi trimërisht kundër ushtrisë pushtuese musoliniane, në ditën e zezë të 7 prillit 1939.
Duke parë këtë istikam të qëndresës së parë heroike shqiptare kundër fashizmit, Valter Audicio mbështeti duart në gurët e bedenave të kalasë, duke medituar me shikimin drejt thellësive të Adriatikut, që lagte edhe brigjet e vendit të tij, Italisë. Gjatë kohës që qëndruam në vilën e plazhit, Valter Audicion e vizitoi dy herë shoku Hysni Kapo. Në takimin e parë, Hysniu drekoi së bashku me Audicion. Biseda rrodhi mjaft e përzemërt. U trajtuan problemet e luftës antifashiste, kontributin e batalionit “Antonio Gramshi”, mbi marrëdhëniet midis dy partive dhe vendeve tona.
Hysni Kapo i foli mbi zhvillimet në Shqipëri dhe problemet që përballonte vendi. Gjatë tërë bisedës e ndjeva veten të lehtësuar, sepse ministri e fliste lirshëm gjuhën italiane. Në një moment të përshtatshëm i sugjerova mikut me dashamirësi, se do të ishte me interes të tregonte disa detaje nga aksioni i kapjes dhe ekzekutimi i Benito Musolinit (Duçes). Hysni Kapo e dëgjoi me vëmendje dhe admirim legjendën trimërore të heroit partizan. Takimi i dytë midis Valter Audicios dhe Kapos, u bë pas disa ditësh.
Përsëri në vilën e plazhit, ministri erdhi një pasdite të zakonshme, duke pirë kafenë në verandën e vilës me pamje nga deti, biseda rikthehej në kujtimet e luftës. Dukej që heronjtë e luftës se madhe antifashiste, kishin mallin e rikujtimit të përjetimeve heroike të epokës. Në mbarim të bisedës, Valter Audicio i shfaqi Hysni Kapos dëshirën e tij, për t’i dhuruar popullit trim shqiptar dhe Partisë Komuniste Shqiptare, armën e tij automatike, me të cilën kishte ekzekutuar Musolinin, diktatorin e urryer të dy popujve.
”Le të jetë një simbol i miqësisë dhe i fitores” – u shpreh i emocionuar Valter Audicio. Hysni Kapo e falenderoi përzemërsisht dhe u përqafuan si shokë. Kapo i sygjeroi Valterit, që të qëndronte edhe një jave në Shqipëri, por miku i shquar theksoi duke falënderuar, se e pritnin mjaft punë partie dhe të parlamentit. Ndarja me Valter Audicion, ishte emocinante: ”Mirupafshim përsëri!”.
Si erdhi arma në vendin tonë?
Nuk kaloi shumë gjatë nga largimi i tij dhe tashmë mbeste që arma të sillej në vendin tonë. Valter Audicio e mbajti premtimin që i kishte dhënë Kapos. Pas rreth dy muajsh nga ardhja e tij në vendin tonë, në atë vizitë që më shumë ishin pushime se takime diplomatike, do të mbërrite edhe arma. Në rrugë diplomatike, automatiku që kishte ekzekutuar Benito Musolinin dhe të dashurën e tij, mbërritën në vendin tonë. Më datë 30 nëntor të vitit 1957, Edip Çuçi solli në zyrën e Hysni Kapos, armën automatike.
Në atë kohë, arma u pa nga shumë drejtues të lartë të shtetit shqiptar. Madje për disa kohë, ajo mbeti në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Edhe pse ajo ishte dhuruar, përsëri publikimi i saj ishte me rrezik. Kjo për vetë faktin se Audicio, nuk kishte shprehur dëshirë që ajo të paraqitej në mënyrë publike. Duke marrë parasysh edhe rrezikun që paraqiste, nëse dilte një material në diçiturën “top sekret”, asnjë nga punonjësit e arkivit, nuk guxoi të nxirrte qoftë edhe një gjysmë fjale, për këtë armë.
Më pas automatiku që mori jetën e Benito Musolinit, duke shuar përgjithmonë edhe epokën e fashizmit në Itali, iu dorëzua Muzeut Historik Kombëtar. Valter Audicio jetoi deri në vitin 1973, duke lënë kujtimin e pa harruar të një legjende heroike. Pas vdekjes së tij, tashmë nuk përbënte ndonjë rrezik publikimi i kësaj arme, automatiku është i kalibrit “7.65L. MAS”, model “1938-F.20830”. Valter Audicio, pas lufte u bë deputet i Partisë Komuniste Italiane, mbajti lidhje me Shqipërinë, e vizitoi këtë vend, deri sa në vitin 1957, vendosi t’ia dhuronte shtetit shqiptar, ndoshta trofeun më të madh të Luftës së Dytë Botërore.
“Por dhurata nuk qe publike, qe një “dhuratë sekrete”. Në letrat që Audicio përcjell këtë dhuratë, lutet që të ruhet edhe sekreti i armës, e cila është sjellë nga një diplomat shqiptar i kohës, Edip Çuçi”. Arma i është dorëzuar Hysni Kapos nga Vasil Nathanaili, bashkëkohës i zëvendësministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Dhe u respektua sekreti. Arma që ekzekutoi Benito Musolinin, së bashku me të dashurën e tij Klarita Petaçi, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin zënies rob, mban numrin 801 në arkivin e Muzeut Historik Kombëtar dhe është regjistruar në Qendrën e Kombëtare të Inventarizimit të Trashëgimisë Kulturore të popullit shqiptar. Ajo ka pasaportën e saj shqiptare. Sot mund të thuhet që Muzeu Historik Kombëtar, disponon të vetmen armë, me ekskluzivitetin historik të vrasjes së Benito Musolinit.
Kolonel Audicio, ekzekutori i Musolinit
Musolini i kaloi shtatë ditët e tij të fundit në pushtet, në qytetin e Milanos, atje prej nga nisi dhe ngritja e tij drejt pushtetit. Në 20 prill 1945, shpërndau nënpunësat e qeverisë. Stafi dhe miqtë e Duçes, u përpoqën ta shpëtonin duke u zhdukur drejt Gjermanisë. Në 25 prill, u nisën drejt Komos me destinacion Valtelinë. Kolona e makinave dhe e disa të tjerave gjermane të blinduara, ndiqej nga Klareta Petaçi dhe familja e saj. Në Komo, Duçja i shkruan letrën e fundit gruas së tij Rakelës, ku e nxiste të ikte drejt Zvicrës. Letra ishte e nënshkruar: Ata lanë Komon në 26 prill dhe ndaluan në Menaxhio. Një kolonë trupash fashiste, drejtuar nga Pavolini, lanë Milanon për t’u bashkuar me liderin e tyre.
Në 27 prill, një njësi kundërajrore gjermane, drejtuar nga Lejtnant Fallmeyer, i mbërrin më pas në Maso, ku partizanët kishin bllokuar rrugën. Partizanët ranë dakord të lejonin gjermanët të kalonin, por jo italianët. Urdhri ishte për trajtim jo të keq të robërve dhe për të mos i qëlluar edhe në rast se tentonin të shpëtonin. Musolini dhe Klareta, kaluan natën e fundit së bashku në Mexegra, në një shtëpi ferme. Aty në këtë skuadër partizane, i pranishëm ishte kolonel Valter Audicio. Këtij të fundit iu besua ky mision i rëndësishëm, në emër të Komitetit Nacional për Çlirim.
Në 28 prill, Koloneli hyri në dhomën ku Musolini dhe Klareta po pushonin. Iu tha se kishte ardhur t’i shpëtonte. Udhëtuan rreth një milje dhe ndaluan afër hyrjes së Vila Belmontes. U urdhëruan të zbrisnin nga makina dhe të qëndronin pas murit. Aty u qëlluan. Një roje zhvendosi trupat dhe Audicio i dha makinës për në Dongo, ku mblodhi ata që kishin mbetur nga 15 robërit e listës për ekzekutim. I nxorën në shesh dhe iu dhanë 3 minuta kohë, sa për shërbesën e një lutjeje. Në 29 prill, trupat u sollën në “Piazzale Loreto” në Milano.
Atje u varën në një tra, prej këmbësh, gjashtë nga trupat e pushkatuar. Ishin: Benito Musolini, Klareta Petaçi, Françesko Baraku, Aleksandër Pavolini, Fernando Mexazoma dhe Paolo Zerbino. Turma shfrynte me tërbim mbi trupat. Ndërsa askush nuk e kishte menduar se pikërisht arma që mori jetën e njeriut që donte t’i kthente Italisë kufijtë e perandorisë së famshme Romake, ndodhej në Shqipëri. Memorie.al