Nga Hysen Selmani
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
QENDRA E FUNKSIONIMIT NË KËTO VENDE:
A – Qendra Ushtarake Valjevë:
- N/kolonel Kuçuk Ullagaj
- Major Murat Basha
- Kapiten Hamza Drini
- Kapiten Shyqyri Baftjari
- Kapiten Myslim Tushi
- Kapiten Kadri Rustemi
- Kapiten Abdulla Ymeri
- Pater Gjek Luli
Qendra e Parisë, Shkup
- Aqif Lleshi
- Mehmet Aliu
- Shaqir Dema
- Jusuf Selmani
- Zenun Binaku
- Haxhi Lleshi
- Himçe Kaba
- Gani Serdari
Qendra Versace
- Mustafa Gjinishi
- Shaban Tirana
- Hasan Reçi
- Abedin Çiçi
- Mustafa kaçaçi
- Ibrahim Fatka
- Vasil Kosturi
- Kadri Vasili
Këta janë të njohur e të besueshëm me ato elementë që do ndërlidhen brenda në Atdhe. Dhe, me oficerët, po ashtu me profesorët e studentët e klasave të larta, të gjithë ishin me plot kurajo. Ata kishin bindjen e plotë se, kanë për t’i plotësuar në rregull të gjitha. Përsa i përket Qendrës Versace të profesorëve, megjithëse këta ishin pak të përzër, me tendenca të ndryshme, të majtë, apo të djathtë, ata ishin shumë aktiv dhe ngushtësisht të bashkuar, për interesat e atdheut e patriotë të vërtetë.
Të gjithë u betuan se sot, nuk gjejnë fole. Asnjë tendencë në mes tonë, vetëm e vetëm interesi i lartë i atdheut. Por, po ashtu siç ka deklaruar vetë Madhëria e Tij, Mbreti Zog, se: “Çdo tendencë, kudo qofshin bashkatdhetarët, është që; sot duhej bashkim dhe vëllazërim, mes njëri tjetrit, përkundër armikut, që na okupuar vendin e përbashkët. Ndërsa, sa u përket ndryshimeve ideologjike, kjo është lënë ta zgjedhë vetë me dëshirën dhe lirinë e tij, populli shqiptar”.
Tani, u mor në bisedime mënyra e shpenzimeve që do të nevojiten si për shaptilografët dhe letra. Një ishte llogaritur për çdo qendër. Po, sidomos tani, është e domosdoshme një pjesë intelektuale, që do të shtypin afishe me shumicë, për t’i dërguar në Shqipëri. U caktua që Komanda e Përgjithshme, do të jetë në Stamboll, si për udhëzime, ashtu dhe për shpenzimet e rasteve. Ndërsa, përsa i përket personelit në Jugosllavi, do të ketë elementin që do të hynë dhe të dalë nga Atdheu. Por, këto, në një mënyrë krejt të pakuptueshme, për emrat e tyre, pasi këto mund të lëvizin nga këtu në vendet e Shqipërisë.
Sot më njoftuan se, Guvernatori dhe Komandanti i Armatës, gjeneral Koviç, se çdo njërit, do t’i paguhen 30 dinarë në ditë. Kjo, na duket se është e mjaftueshme. Veçanërisht, për oficerët do të jetë e lirë, marrja pjesë në Shtëpinë e Oficerëve Jugosllavë. Po ashtu, do të jetë e lirë, edhe për sa u përket, studentëve. Megjithëse, ende nuk ka ardhur autorizimi, për t’i futur nëpër kolegje dhe universitete, por, hë për hë, të qëndrojnë aty ku janë në Fermën Bujqësore. Atje kanë edhe të gjitha shpenzimet. Komisioni ishte tepër i kënaqur nga përgatitja e shërbimeve, por më tepër, nga ndihma që Qeveria Jugosllavi, kishte caktuar. Dhe ndihma e caktuar, ju mjafton fare mirë. Komisioni, i deklaroi kolonel Hysen Selmanit, se janë tepër mirënjohës e besnikë. “Mbi të gjitha, për sa kemi vendosur”, – shtoi ai: “Nuk kishim kurrë besim, të mbërrijmë në këtë program, kaq të dobishëm për t’i shërbyer interesave të atdheut e, jemi krejtësisht besnik, të kësaj marrëveshjeve e të këtij vendimi”.
Shkurt, 7 qershor 1939
Sot, kisha në Hotel “Bristol”, Guvernatorin dhe Komandantin e Armatës, gjeneral Nedel Koviç, dhe Kryetarin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral Kovaçeviç, si edhe shefin e Policisë së Shkupit. Në bisedim e sipër, i falenderova dhe shpreha mirënjohjen e bujarisë, së Qeverisë mike e fqinje, për gjestin fisnik në këtë kohë kaq kritike, që ju dha dorën miqve fqinjë, emigrantëve shqiptarë. Kjo miqësi, mbetet e pashlyeshme, prej Kombit Shqiptar. Pasi mbaruam së ngrëni, tepër të kënaqur, në orën 14 pasdite, ata u ngritën për të dalë. I shoqëruam deri te automobilat, kur po shtrëngonim dorën, më thanë se: “Sa më shpejt, një drekë të mirë, kështu do ta hamë në Shqipëri, me Mbretin Zogu i I-rë në krye”.
Shkup, 14 qershor 1939
Për këtë datë, adjutanti kujton: Në orën 9 të mëngjesit të kësaj date, isha duke biseduar me Akif Lleshin, Himçe Kabën dhe Haxhi Lleshin. “Këta donin të ktheheshin në Dibër, por unë i mbajta, derisa të nisesha për Turqi, mbase mund të kishim ndonjë gjë tjetër të re. Në këtë kohë, ngarkova major Murat Bashën, e profesor Mustafa Gjinishin, që të shkonin në Konsullatën Turke, për t’i bërë vizitën Princ Xhelal Zogut, me Familjen, si edhe të Murat Kaloshit, vetë të pestë, si edhe të Sefedin Çollakut e Hajredin Dallullit, e sa të tjerë. Të gjithë këta do të vinin bashkë me mua, në Stamboll. Në orën 10 të ditës, shkova në Komandën e Armatës së Shkupit, tek Komandanti, gjeneral Nedel Koviç”.
Më tej adjutanti vazhdon:” Kisha lënë orën e caktuar dhe ai më priti me buzëqeshje”. “Mirëserdhe mik i dashur”, më tha. Pastaj më mori përkrahu dhe hymë në zyrë. Ishim vetëm, gjenerali, unë dhe Avniu. Më tha:”Si kalove në Beograd”. Unë i thashë: “Shumë mirë”. Pastaj ja tregova të gjitha, sa kisha biseduar me Ministrin e Punëve të Jashtme, si dhe me Loitiçin, dhe me gjeneral Nediçin. I thashë se; më kanë pritur shumë mirë e natyrisht të trishtuar, nga situata e keqe që ndodhemi. I fola edhe për Milio Iliçin, për faktin që Qeveria, e kishte ngarkuar të shkojë në Stamboll, për të biseduar brenda mundësive “siç kanë për ta sjellë rrethanat”.
Si mbaruam mbi bisedimet e Beogradit, kujton adjutanti, i thashë: “Duke i vënë në dukje se, me përkrahjen e Ekselencës Suaj, do të dëshiroja të bëja një organizim të vogël”. Pastaj i dhashë një kopje të programit, natyrisht serbisht. Ai e mori dhe i lëshoi sytë menjëherë. Pastaj më tha: “Këtë e keni propozuar në Beograd”. “Jo, aspak”- i thashë.
“Këtë, vetëm juve jua thamë. Kjo mbetet krejt e fshehtë dhe pa rënë në sy, jo vetëm të armikut por të askujt dhe siç përmban programi”. Pasi e këndoi pak, kur po e studionte me vërejtje, i shtova se: “Unë nuk dëshiroj kurrë, t’ju vë në një pozitë të vështirë”. Gjenerali, si e studioi, duket se i pëlqeu se tepërmi. M’u kthye e më tha: “Miku im, kjo nuk është vetëm një veprim, në interesat e Shqipërisë, por, është edhe në interesat tona. Nesër dhe unë do të jem dakord”.
Menjëherë, thirri Kryetarin e Shtatmadhorisë, gjeneral Kovaçoviçin. Dhe, si u përshëndetëm, i foli mbi këtë organizim të emigrantëve shqiptare. I tha:” Natyrisht kjo është në fshehtësinë më të madhe, e kjo na intereson. Që ky shërbim të bëhet në ato qendra tonat, që nuk bijnë në sy të askujt. Dhe, përsa u përket brenda, është puna e tyre. Këta persona, që kanë për të luajtur postën, duhet të kenë krahët tona, që t’u jepet çdo lehtësi. Për këtë, kolonel Selmani, nuk ja ka hapë bisedën askujt. Mbetët vetëm në mes nesh dhe unë e pëlqej këtë veprim. Por, ti studioje, që të jesh mirë në dijeni, që në mungesën time, kjo mos të pengohet, por të lehtësohet”.
Kryetari Shtatmadhorisë, nga ana e tij, e studioi dhe tha: “Kjo nuk na sjell ndonjë dëm, përveç dobi. Por, lipset të punohet në një fshehtësi të madhe, se po të na diktojnë, me ndonjë fakt, patjetër do t’i tërheqin vërejtjen qeverisë, me protesta të rënda. Vetëm kësaj, duhet t’i vëmë mend”. Kështu mbetëm krejt dakord. Pas kësaj, gjenerali Nedel Koviç, më tha: “O miku im, keni bërë shumë mire, që ma thatë. Unë jam në dijeni mbi këto veprime, prej Struge e deri në Podgoricë. Po dua t’ju them se, tani jemi plotësisht dakord. Vetëm se, na jepni emrat e lajmëtarëve, që do të kalojnë kufirin, si edhe zonat e tyre që të jenë në dijeninë tonë, kur këto, do konsiderohen sa janë tonat dhe jo tuajat, për të pasur të gjitha sigurimet”.
Komandanti i Armatës së Shkupit, gjeneral Nedel Koviç, vazhdon adjutanti,- me tha pastaj: “Përsa ju dëshironit mbi organizimin, jemi plotësisht dakord. Ashtu edhe siç biseduam. Por, tani të bisedojmë një tjetër gjë: Të vini ne dijeni Madhërinë e Tij, Mbretin Zog I-rë, mbi sa po ju bisedoj. Por, në fjalën miqësore, që do të mbahet krejtësisht sekret, derisa të përfundoje ky program, që me sa duket, nuk ka për të kaluar gjatë. Tani, këtu siç keni kuptuar dhe biseduar: Në mes të ushtrisë e Qeverisë, ka konflikt të madh. Saqë, kjo mund të vendosë nëntëdhjetë përqind të ushtrisë, për të bërë një ‘Grusht Shteti’, e për të hedhur këtë Qeveri. Bile, një pjesë për t’i nxjerrë jashtë shtetit dhe pjesën tjetër, për t’i burgosur. Në atë kohë, miku im, do të jemi këtu e do të bisedojmë në detaje, me të gjera. Unë do të jem gjithmonë, mik e besnik i Madhërisë së Tij, Zog I-rë, Mbretit të Shqiptarëve. Por, më parë se do të niseni, do të bisedojmë më gjatë. Sepse, ju presin miqtë ne Hotel”. Pastaj u përshëndetëm dhe menjëherë dolëm.
Kur u ktheva në Hotel, vazhdon adjutant – aty gjej Profesor Mustafa Gjinishin dhe agronom Abedin Çiçin. Ata më lajmëruan se, studentët i kanë nxjerrë nga Ferma. Momentalisht, nuk kishin si t’i rregullonin. Dy shqiptarët, thoshin se ata kishin mbetur shumë keq: si për banim, ashtu edhe për instruksione. Menjëherë, dërgova kapiten Avninë, bashkë me profesor Mustafa Gjinishin, tek Guvernatori. Ata sa ja kishin parashtruar gjendjen, funksionari jugosllav, menjëherë ka dhënë urdhër që; mos te nxirren nga Ferma, derisa t’u dalë bursa, për në kolegjet e ndryshme, ashtu siç ishte propozuar nga Ministria e Arsimit në Beograd.
Në këtë kohë, adjutanti ishte në bisedime me Ferhat Dragën e Iliaz Agushin. Këta i thoshin se, duan të nisen sa më parë për Stamboll, “por janë shumë të tronditur e, të frikësuar”. Unë, vazhdon Hysein Selmani – ju thashë se: “Çdo të thotë ky frikësim i juaj, unë tani sapo dola nga Komandanti i Armatës, me plot nderime. Ja, si e shikoni, më ka lënë në dispozicion dhe një major”. Atyre nuk ju mbushej mendja, vetëm se donin, sa më shpejt, që të niseshin. “Po mirë,- u thashë- pasi të hamë bukë, merrini biletat dhe nisuni sonte. Ata, pastaj shkuan në sallon, se aty ishin edhe Akif Lleshi, Himçe Kaba, major Murat Basha, e profesor Mustafa Gjinishi.
Në sallonin e bukës, kemi biseduar mbi gjëra të vjetra dhe si mbaruam së ngrëni, dolëm për të pirë kafe. Në këtë kohë, na vjen edhe Princ Xhelal Zogu. I prezantova me Ferhatin dhe Ilias Agushin dhe ata filluan bisedimet. Por këta, donin që të shkonin dhe të blinin biletat e trenit, për Stamboll. Kjo ishte arsyeja, që unë i mora e shkova lart në dhomë, ku ju dhashë 100 napolona ari, që t’i kishin me vete, deri në Stamboll. Pastaj, ju thashë se: Takohemi atje. Pasi shkuan dhe morën biletat, janë nisur menjëherë”, kujton adjutanti.
Ndërkohë, adjutanti vazhdonte bisedimet me Kryetarët e Qendrave të funksionimit. “Ju vura në dijeni që, me Komandantin jemi dakord. Vetëm që, siç kemi biseduar dhe në bazë të programit, duhet që në asnjë mënyrë, mos të merret vesh prej askujt. Se jo vetëm se dështon veprimtaria jonë, por humbim besimin edhe tek miqtë jugosllavë. Kjo, do të mbahet në fshehtësinë më të madhe sepse, agjentët fashistë qarkullojnë gjithkund. Dhe mos harroni që, mund të ketë edhe nga elementi ynë që mund të bijnë viktimë me pa dashje. Lajmëtarët e armikut, mund të pengojnë ………të kenë pengime, por të gjitha lehtësirat”.
Shkup, 18 qershor 1939
Për këtë, ditë adjutanti shton se: “Kur po bisedonim me Kryetarët e Qendrave, marr një telegram nga Stambolli, ku më urdhëronin që, të nisem sa më shpejt për Stamboll. Duke kënduar telegramin, më thirrën në telefon, Stambolli, nga “Pera-Palac” Hotel. Aty ishte Sotir Martini, ministri i Oborrit Mbretëror Shqiptar. Ai, më komunikoi urdhrin e Mbretit Zog, që duhet të vihesha sa më parë me udhë, në mënyrë që; “më 25 të muajit qershor, duhet të jesh këtu, për disa bisedime me rëndësi. E në është se, akoma nuk keni mbaruar punë atje, mund të shkoni prapë”. Megjithëse insistova se, akoma nuk kam mbaruar punë e, pres disa persona nga Shqipëria, që kishin një rëndësi të madhe. Në këtë kohë, mori vetë telefonin Mbreti, e më tha: “Duhet që të vini sepse, unë nisem për Francë. Si të bisedojmë, mund të shkoni prapë në Jugosllavi, por më 25, duhet te jesh këtu”.
Shokët, që isha në bisedim, e dëgjuan bashkëbisedimin tim dhe nisjen e njëhershme. Kuptohet se u erdhi keq sepse, ishin mësuar përditë me mua, duke folur. “Ata, panë shumë ndihma që autoritetet serbe, na plotësuan, paçka se, në disa pjesë të programit, akoma nuk qenë plotësuar”. Por, ne, vazhduam bisedimet gjithnjë, mbi fillimin e punimeve. Dhe i thash major Murat Bashës, se i kreu vizitat për Princ Xhelal Zogun, etj. Në Konsullatën Turke, ai m’u përgjigj se; të gjithëve ua dorëzova pasaportat, me gjithë viza, të kryera, qysh sot në drekë, këto janë të gatshëm. Kur jemi në këto bisedime, na lajmërojnë:
Se në Resnje, kanë dalë 27 persona dhe brenda tyre, janë 12 studentë të shkollës së mesme. Edhe unë ngarkova profesor Mustafa Gjinishin, bashkë me kapiten Avni Derallën, që të shkonin tek Guvernatori, për t’i tërhequr. Me ta shkoi edhe kapiten Avni Deralla, që në emrin tim, t’i lutej Guvernatorit që, kur ne të shkonim për Turqi, këtu, përsa u përket mësuesve dhe studentëve, është i ngarkuar profesor Mustafa Gjinishi dhe përsa u përket oficerëve e ushtarëve, është ngarkuar N/kolonel Kuçuk Ullogaj dhe major Murat Basha. Ndërsa për lidhjen me Bajraktarët dhe civilët e tjerë, është ngarkuar Akif Lleshi, Ibrahim Kaba e Haxhi Lleshi. Aty menjëherë, Guvernatori ka urdhëruar seksionin, përsa ishte i ngarkuar për emigrantët shqiptarë dhe që atje, kanë përpiluar një listë të këtyre përgjegjësve. Menjëherë kanë dhënë urdhër, për 27 vetë, që kishin dalë në Resnje, për t’i sjellë menjëherë tek të tjerët.
Pasi erdhën, ata ishin shumë të kënaqur. Sidomos profesor Mustafa Gjinishi, që më falënderoi, duke u shprehur se: “Në të vërtetë, qëndrimi juaj këtu, na plotëson çdo gjë dhe na rrit moralin. Para se të vinit ju, ne këtu kemi qenë, si robër lufte, pa asnjë ndihmë, pa asnjë liri shëtitje, pa asnjë të drejtë. Kurse sot, shkoj tek Guvernatori e, ai ngrihet në këmbë e na jep dorën. Jemi të lire, ku duam të shkojmë, si edhe për te punuar. Pra, me falni jo për kompliment, po në të vërtetë, e meritoni pozitën e lartë që, Lartmadhëria e Tij, Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, ju ka besuar, sepse jeni patriot e burrë i ndershëm.
Kudo ju japin çmimin e merituar e, besimin e fjalës. Ky është fakt dhe jo fjalë. Ne, kurrë nuk e besonin, që të mbërrijmë në një shkallë që të çmohemi e të nderohemi si njerëz dhe bile, si miq. Kjo i kushtohet zotësisë e ndershmërisë dhe besimit tuaj. Dhe, kur të huaj ju çmojnë dhe ju besojnë, e pse ne mos t’ju japin votën, kontributin dhe besimin tonë. Nuk di për t’u shfaqur, sa zemra më dëshiron, vetëm se ju them, të betuar jemi me ju, me mish e me shpirt. Ju kemi në krye sipër kryetarë, që na nderoni e na nxirrni faqebardhë, kudo. Ju pastë Perëndia dhe në kujdes të mirë etj.”.
Shkup 22 qershor 1939
Ja çfarë kujton adjutant, për këtë ditë: “Në orën 10 të ditës së kësaj date, isha tek Komandanti i Armatës së Shkupit, gjeneral Nedel Koviçi. I lajmërova se, më duhet të shkoja sa më parë në Stamboll, që me datën 25, të ndodhem atje. “O miku im, më tha gjenerali,- po më vjen keq, se u mësuam. Por, të na vini prapë, si në vendin tuaj, ta konsideroni Jugosllavinë, për çdo gjë, si vendin tuaj”.
“Po, – i thashë, – po këtu është major Murat Basha, N/kolonel Kucuk Ullogaj e profesor Mustafa Gjinishi dhe miku juaj, Akif Lleshi e Himçe Kaba, që janë shumë të mirë”. Në bisedat e para, më hapi siç ju shpjegova, mbi gjendjen e këtushme. Parashihet një ndryshim i shpejtë dhe në kohë. “Ju lipset menjëherë të vini këtu, jo në Shkup, po direkt në Beograd, tek miku yt, gjeneral Nedel Koviçi. Sepse atëhere, kam bindjen që koha, në qoftë se do na lejojë, mund të bëjmë shumë punë. Dhe vërtet se, nazizmi, do të marrë masa të egra, kundrejt Jugosllavisë. Por, do të kemi shpresë se deri atëhere, Anglo-Francezët, do të jenë të përgatitur, në mos krejt, por deri diku. Kjo sepse, ushtria është në lidhje të ngushtë, si me Britaninë e Madhe dhe me Francën. Dhe kur do të bëhet ky ndryshim, ato do të jenë menjëherë në dijeni”. Pastaj vazhdoi: “Nazi-fashizmi, ka për të kërkuar me seriozitet, që Jugosllavia, të nënshkruajë një akt dhe mos si aleatë, por të paktën, të jetë përbri tyre. Ashtu siç ka vepruar sot, kjo Qeveri. Por, ne nuk kemi për ta pranuar, në asnjë mënyrë.
Ja kjo i ngjan kërkesave që ju bëri Musolini juve, si shkak. Këto fjalë, janë krejt sekrete, por siç ju thashë, në miqësinë e burrërinë e Husein Selmanit. Ua them, dhe ja parashtroni Madhërisë së Tij, Mbretit Zog I-rë, sepse sulmi, është vendosur, por koha nuk është caktuar akoma. Por nuk ka për të kaluar gjatë, se brenda këtyre 6 muajve, kjo Qeveri mund të hyjë këmbë e krye, nën nazi-fashizmin. Këtë, kuptohet se nuk e dëshirojnë Anglo-Francezët, e jemi në lidhje të ngushtë me to. Ne dëshirojmë, sa më parë, që të ndodhë, por kjo pak varet edhe tek ata.
E, me kaq, miku im i dashur, ju uroj rrugë të mbarë e, suksese të plota në shërbimin e Atdheut tuaj. Me një çlirim të shpejtë. Dhe për sa i përket elementit tuaj këtu, mos keni aspak marrak se, do të kenë të gjithë përkrahjen time, si në funksionimet, po ashtu në ndihmat. Shpresoj se, kur t’ju thërrasin, keni për të ardhur menjëherë, mbi sa biseduam e, do ju lutem Lartmadhërisë së Tij, Zog I-rë, Mbretit të Shqiptarëve, që t’i parashtroni homazhet, e bashkë me besnikërinë time, të patundur. Ruaj gjithmonë miqësinë dhe po ju them, jam edhe më i fortë, sesa isha. Këtë ja thuaj Mbretit, se ai e kupton”. Pastaj, mora leje e dolëm. Në dalje, më ka përqafuar dhe u ndamë./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016