Nga Vasil Qesari
Pjesa e nëntëmbëdhjetë
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Kujtimet e Jusuf Vrionit, ose “fantazma elegante”!
“Shpesh herë mendoja e i thosha vetes se, në se rreziku do të shkallëzohej më tepër, atëherë do vendosja vërtet për t’u larguar. Por, ndërkohë, mendime të tjera, më kurajoze e më dinjitoze, më mbanin që të mos nxitesha për ta marrë atë vendim. Gjykoja se, ndofta kish ardhur momenti që ne, të rinjtë e kategorisë sime sociale, duhej të merrnim mbi vete riskun për krijimin e një lëvizje të vërtetë demokratike…! Por, sikur ai oficeri francez i quajtur Cochet, të ma kish bërë propozimin për arratisje dy muaj më pas, atëherë kur unë kisha hequr dorë nga shumë iluzione, ndofta do të kisha ikur një orë e më parë. Por, hë për hë, mendoja të qëndroja. Po, përse? Për të organizuar një Lëvizje Demokratike? Shumë ishin ata që e ëndërronin diçka të tillë, po askush s’qe i gatshëm të merrte mbi vete rrezikun për t’i u futur asaj pune. Askujt s’mund t’i zije besë! Qoftë dhe një fjalë e vetme të çonte drejt trekëmbëshit! Sigurisht, unë isha në dijeni të një lloj rezistence pasive. Por, aso kohe, në Shqipëri një Saharov, as që mund të imagjinohej. Ai do të eliminohej në vend sapo të niste shqiptimin e frazave të para subversive…”!
PARADHOMA E VDEKJES
Ishte e shtuna e 13 shtatorit 1947 kur, dy punonjës të Sigurimit e thirrën teksa po priste dikë, aty ku sot ngrihet monumenti i Skënderbeut:
– “Ti je, Jusuf Vrioni? Hajde me ne! Kemi ca pyetje për të bërë…”!
Këto ishin edhe fjalët e para të kalvarit të gjatë e të mendueshëm që do të zgjaste për shumë e shume vite. E shtynë brenda në një jeep dhe e çuan në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër.
Përse e kishin arrestuar? Ç’kish bërë?!
Askush s’i jepte shpjegime. Heshtje. Errësirë. Pastaj klithma e britma. Më tej, dikë po torturonin. Në qelinë e ftohtë ku e kishin rrasur, ndodheshin edhe pesë të arrestuar të tjerë. Ata, kishin kaluar me kohë në sallën e torturave ose, në atë që quhej ndryshe, mbajtja e proces – verbalit para kalimit në procesin gjyqësor. I troshitur nga tensioni e ankthi, Vrionit s’i mbetet veç të qetësojë vetveten duke sjellë para syve imazhin e nenës, e cila s’e di ende që e kanë arrestuar. Pastaj, të kujtojë të kaluarën, vitet e rinisë. Te atin e vdekur prej kohësh. Vëllanë e motrën të mbetur në Perëndim. Por, edhe miq të tjerë, padyshim. Në mend i vijnë më pas, si në film, vendet ku kish kaluar pjesë të jetës: Parisin, Romën, Londrën, Beratin, Korfuzin e vegjëlisë…!
Paradhoma e vdekjes…!
Kështu e quan Jusuf Vrioni qelinë e tij. Aty, ku e mbajnë të lidhur ditë e natë me zinxhirë dhe, e torturojnë mizorisht.
“Kur erdhi radha e seancës së pyetjeve, fillimisht këmbëngula se nuk dija gjë. Atëherë, filluan sharjet me fjalët më të ndyra, shoqëruar me shuplaka, grushta e shqelma në pjesët më delikate të trupit. Pastaj metodat e torturës u ndryshuan. Nisën të më godasin me çomangë, vazhduan me elektroshok e përfunduan duke më shtrirë mbi një bangë të quajtur “jeleku”. Ajo lloj torture, niste me lidhjen e duarve e këmbëve e kalimin mes tyre të një trari. Pastaj, në atë pozicion të kryqëzuar, pa pasur mundësi për mbrojtjen më të vogël, fillonin goditjet me shkopinj para e mbrapa, duke kërkuar që të rrëfeja. Atë metodë torture ma bënin gjashtë herë në javë. Por, më çnjerëzoret, ishin ato 15 ditë e 15 net, kur më varën nga duart në tavanin e qelisë, duke më hedhur rreth qafës 30 a 35 kg. zinxhirë. Nuk kisha ku të mbahesha. Dyshemenë, arrija ta prekja vetëm me gishtat e këmbëve. Çdo gjë qe llogaritur që të mos mbështetesha diku. Pyetjet që më bënin, ishin më tepër në drejtim të misioneve ushtarake angleze e amerikane si edhe rreth marrëdhënieve që kisha pasur me personelin e tyre.
Donin të dinin se çfarë informacionesh u kisha dhenë. Pastaj, mundoheshin të provonin e të faktonin veprimtarinë time politike gjatë të ashtuquajturave zgjedhje “demokratike”. Me kë isha takuar? Kush qene anëtarët e grupit tonë “armiqësor”? Cili qe qëllimi i mbledhjeve tona…? Unë mohoja, duke pranuar vetëm një gjë: qëllimi ynë ish të formonim një opozitë legale sipas neneve të parashikuara nga Ligji Elektoral. Hetimet, vazhduan nga shtatori gjer në nëntor e pastaj, më transferuan në një qeli tjetër. Aty pranë, ngjitur me mua, lëngonte shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili herë pas here, më recitonte me zë të ulët vargje nga poema e tij “Kosova”. Mbas shkurtit të vitit 1948, për Vrionin nis periudha e izolimit të plotë, e cila zgjat 27 muaj. Në një qeli, të quajtur, ajo e Koçi Xoxes, ai vendos t’i japë fund gjithçkaje: “Pikërisht, në atë qeli, provova t’i jap fund jetës duke prerë venat. Por, i vetmi mjet me të cilin mund ta bëja atë, ishin tokëzat e buta metalike të pantoflave të mia. Kështu që tentativa nuk dha rezultate. (Shenjat e prerjes, megjithatë, i kam dhe sot e kësaj dite mbi kyçe). Gardianët ndërhynë shpejt e më fashuan duart, ndërsa doktori tha se, s’ kish ndonjë rrezik për jetën. Megjithatë, ai dha porosi që survejimi ndaj meje të forcohej dhe më tepër…!
Me sentencën e 29 qershorit 1950, Vrioni u dënua me 15 vjet burg, i akuzuar si agjent i shërbimeve të huaja sekrete.
“Vizita e parë në burg, 34 muaj mbas arrestimit, qe ajo e nenës. E gjora, nen…! Që përtej hekurave, mundohej ta mbante veten. Por, sytë i kish mbushur plot lot. Ashtu si dhe unë nga ana tjetër. Më pyeti për shëndetin e pastaj më foli për veten, për gjithë ç’kish hequr mbas arrestimit tim. Fillimisht e kishin dëbuar nga Tirana dhe kish mundur të strehohej te ca kushërinj në Durrës. Por, edhe aty, s’e kishin lenë të qetë. E kishin çuar në fshatrat e Fierit, ku jetonte në një kasolle. Pa tavan e dysheme. Direkt e mbi argjil…! E pastaj, vijojnë, vitet e tmerrshme nëpër burgjet shqiptare. Vuajtje, punë e detyruar, poshtërime e fyerje. Takime me të burgosur, njerëz të njohur, intelektualë të shquar. Me Fiqri Llagamin, Arshi Pipën, Suad Asllanin e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, të cilët lëngonin në ferr. Në verën e vitit 1952, e transferojnë në Burrel. Aty, në kampin skëterrë e mbajnë tri vjet. ‘Udha e Golgotës’ vazhdon pastaj nëpër gulagë të tjerë. Në Berat, Rinas, Shtyllas e Radostine, aty ku mijëra e mijëra të burgosur, punonin në kushte çnjerëzore. E, së fundi, më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg, vjen dita e lirimit…”!
PËRKTHIME, PËRKTHIME…!
“Po tani? – pyet vetveten, Jusuf Vrioni – Ç’do bëhet tani me mua”?
I instaluar, bashkë me t’ëmen, në një fshat të Fierit e me 43 vjet mbi kurriz, ai përjeton një tjetër burg të dytë. Njerëzit përreth e shohin me urrejtje e dyshim. Arsyeja? Ai ka qenë në burg, ndërsa familja e tij qe armike. O Perëndi? Si mund të shpëtonte nga ajo skëterrë? Të shkonte diku, në një vend tjetër ku njerëzit të mos ta shihnin me përbuzje e dyshim?! Për shembull, pse të mos shkonte përsëri në Tiranë? Aty, mund të gjente edhe ndonjë punë. Dhe ja, duket se një dritëz optimizmi ringjallet e, shpresa për një jete normale rikthehet kur, fare rastësisht në plazhin e Durrësit, ai njihet me një vajzë të re e të këndshme. Ajo quhej Agi dhe, fati do ta sillte që të bëhej gruaja e tij e ardhshme.
“Tashmë, i lidhur me Agin, unë kisha një arsye më tepër të mendoja për transferimin tim në Tiranë. Pastaj, aty, të merresha me diçka. Ndofta, me përkthime…! Gjatë udhëtimeve të shpeshta në kryeqytet isha njohur dhe me disa persona, të cilët më kishin propozuar të përktheja tekste historike e letrare. Në fakt, pak kohë mbas daljes nga burgu, kisha nisur të provoja përkthimin e poezive të Migjenit, më tepër për qejf se sa për të provuar aftësitë e mia. Më pas, kish qenë pikërisht kunati i Migjenit, Skender Luarasi, i cili mbasi mësoi se unë kisha studiuar në Francë, më rekomandoi përkthimin e tij të plotë. Ai qe edhe përkthimi im i parë letrar edhe pse nuk pati fatin të botohej…! Edhe Petro Marko kish shumë dëshirë t’i përktheja një roman. Petroja, ashtu si unë, kish qenë në burg, por qe ‘rehabilituar’ e shihej me sy të mirë nga autoritetet. Pak më vonë, historiani Kristo Frashëri, më propozoi t’i përktheja një “Histori të Shqipërisë”, autor i së cilës qe ai vetë. Më pas më angazhuan në Shtëpinë Botuese, për përkthimin e përmbledhjes me novela “Kënga dhe pushka” të Dh. Shuteriqit. Kështu, për vetë rrethanat e kushtet në të cilat ndodhesha, punën e përkthyesit e shihja si të vetmen mundësi për të jetuar”.
Pas ca muajsh, martesa me Agin, e cila banonte familjarisht në kryeqytet, i hap dritën jeshile, për t’u pasaportizuar në Tiranë.
“Pikërisht, gjatë asaj kohe, pra aty rreth vitit 1963, më lindi ideja të përktheja romanin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Për atë libër, kisha lexuar një artikull shkruar nga Javer Malo, të cilin unë e çmoja si gazetar. Sipas tij, ai ishte i vetmi roman i kohës, i cili mund të ngjallte ndonjë interes të mundshëm për lexuesit e huaj. Ta konstatoje e ta shkruaje atë mendim publikisht, padyshim që ish një gjest mjaft kurajoz. Kështu, mendova t’i futesha punës, për përkthimin e tij. Atëherë, unë nuk e njihja fare Ismail Kadarenë, edhe pse ai kish krijuar një farë emri. Si shumë të rinj, edhe Agi, ishte admiruese e atij autori. Ajo, bile, më kish bërë dhuratë edhe një përmbledhje të tij me poezi, të titulluar ‘Shekulli im’. Aso kohe, kish njerëz që thoshin se Kadareja qe një Hemiguej i dytë, të nisur ndofta nga fakti se ai kish preferencë të veçantë për atë autor, e kish përkthyer në shqip edhe novelën e tij ‘Plaku dhe deti”.
Para se të niste përkthimin e romanit ai u takua me Kadarenë dhe i foli për projektin.
Ismaili, s’mungoi të shfaqte kënaqësinë e tij të madhe. Aso kohe, ai nuk e kish famën e prestigjin e sotëm, por qe thjesht një autor i cili pëlqehej për frymën e re që sillte në poezi. Shumë e vlerësonin për stilin origjinal e, ca të tjerë, për devijimin nga realizmi socialist. Sa për Vrionin, ai qe thjesht një adhurues i ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’. Për të, ai roman, kish diçka krejt të veçantë: s’ngjante aspak me librat e tjerë që botoheshin në Shqipëri. Në këtë kontekst, është interesante të mësojmë se cilat qenë përshtypjet e para të Kadaresë, për Jusuf Vrionin.
Në një nga librat e tij, ai e përshkruan kështu, njohjen me të:
“Ajo që pa dyshim më befasoi në takimin e parë me përkthyesin tim Jusuf Vrioni, ish jo vetëm eleganca e tij, nostalgjia për Francën e talenti i veçantë, por edhe 12 vjetët që ai kish vuajtur nëpër burgjet e llagëmet komuniste. Njohja jonë u bë në fillim të viteve ’60-të. Shkova në dhomën e vogël, ku ai jetonte përkohësisht me të fejuarën, për të parë kapitullin e parë të ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’, të cilin ai kish nisur ta përkthente pa ndonjë shpresë për botim. Atëherë, unë s’dija frëngjisht, por lexoja pak anglisht. Duke parë përkthimin nga i cili, unë natyrisht, nuk kuptoja asgjë, pyeta veten në se ai kish mundur ta mbante vallë të gjallë në vetvete gjuhën frënge, pas gjithë atyre që kish hequr nëpër hapsanat e errëta, transhetë e telat me gjemba. E ardhmja tregoi se, ai, prej saj jo vetëm që s’kish humbur asgjë, por përkundrazi, mes baltës e pisllëkut, frëngjishtja e tij e lëmuar prej vuajtjeve, qe bërë edhe më fine e më e përkryer…”!
Mbas shumë sorollatjesh e hezitimesh, më në fund, libri tashmë i përkthyer, u botua më 1967. Me pas, fati e solli që ai të dërgohej jashtë së bashku me ca libra të tjerë, të cilët aso kohe ishin botuar në Tiranë.
“Një ditë, Helena, gruaja e Ismailit, më tha se kishin takuar një akademik francez qe e kish pëlqyer shumë përkthimin tim. Më vonë, mësova se ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, do të botohej nga një shtëpi botuese franceze, e quajtur Albin Michel…”!
Botimi i romanit në Francë qe një sukses i madh. Për Jusuf Vrionin hapej kështu rruga që përkthimi të bëhej jo vetëm mjet mbijetese, por edhe profesion, paçka se emri mbetej vazhdimisht anonim. Mbas botimit të romanit në Francë, Kadare ndërhyu tek Fadil Paçrami, (në atë kohë sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës) e pas kësaj, Jusufi mundi të gjejë një vend pune në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.
“Ish pikërisht në atë periudhë, pra në vitin 1966, gjatë punimeve të Kongresit të V – të PPSH-së, që unë nisa përkthimin e teksteve politike. (Materiali i parë që më dhanë qe raporti që Enver Hoxha do të mbante para kongresit”.
Përkthimet e materialeve politike, bëhen objekti i vetëm i punës së tij intensive. Duke filluar nga raportet e fjalimet e Enver Hoxhës, buletinet e Komitetit Qendror, dhjetëra e dhjetëra materiale të tjera të Partisë, e gjer tek Veprat e librat e ndryshme të diktatorit.
“Për çdo tekst zyrtar isha vigjilent gjer në kopjen e fundit të përkthimit. Korrigjoja, korrigjoja e përsëri korrigjoja. Kjo punë zgjati për pothuajse 20 vjet. Por, ajo, qe vetëm një anë e medaljes. Në kuadrin e punës që bëja në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’ (e cila më vonë u pagëzua në ‘8 Nëntori’), përktheva vetëm romanet ‘Dimri i madh’ e ‘Ura me tri harqe’. Përsa i përket veprave të tjera, ato i kam përkthyer të gjitha jashtë orarit zyrtar. Çdo mbrëmje, ulesha në tavolinën time pranë dritares, në një dhomë të vogël në katin e parë të shtëpisë, e cila për një farë kohe pat qenë e djalit. Me tekstin në shqip nga njëra anë e, makinën, nga ana tjetër…! Që nga viti 1963 e gjer para pak kohësh, kam punuar me të njëjtën makinë shkrimi, të cilën ma kish dërguar dajo Xhemili nga Italia. E shtrenjta makinë, shoqja ime besnike…!
E ndjej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës ‘Triumph’, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra ‘karrierë’ e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, e shumë vepra të tjera të Kadaresë. Asnjëherë, ajo s’më la në mes të rrugës. Për besnikërinë e saj, ruaj gjithmonë një ndjenjë të thellë mirënjohje ose, më saktë, një sentiment të veçantë dashurie. Të gjithë, bile edhe më ekspertët në daktilografi, thoshin se ajo qe shumë më superiore se të tjerat, si në lehtësinë ashtu dhe në butësinë e shtypjes. Habiteshin me ndjeshmërinë në goditjen e germave; nga qe ajo i përgjigjej me besnikëri edhe kontaktit më të lehtë, pa i ngatërruar kurrë shkronjat. Edhe kthimi i karelit bëhej me lehtësi. Kështu, nëpër vite e në çdo situatë, ajo u bë jo vetëm shoqja por edhe artizania e ekzistencës sime…”!
Por, puna në Shtëpinë Botuese, për Vrionin nuk qe aq e lehtë sa dukej në aparencë. Vërtet, shumë njerëz e respektonin, po kish edhe që e shihnin shtrembër. Ndër ta, disa bënin punën e informatorëve të Sigurimit. Kolektivi ku punonte, këshillohej herë pas here që të mos i bënte shoqëri, e të mos harronte kurrë origjinën e tij klasore si edhe të kaluarën, si ish i burgosur politik. E, Vrioni s’harron të tregojë për takimet me shefin e administratës, ish-gazetar i një reviste ushtarake, i cili plot mllef, i përsëriste herë pas here kërcënimin:
– “Mos harro, se ti je armik e këtë do ta paguash”!
Gjatë periudhës që punonte për përkthimin e materialeve të ndryshme të PPSH-së, Jusuf Vrioni bashkëpunoi edhe me një person të quajtur Nils Andersson, një marksist-leninist suedez, i cili merrej me botimin e përhapjen e Veprave të Enver Hoxhës në botë. Në kujtimet e tij, ky i fundit, shkruan:
“…Takimet e mia me Vrionin, gjatë përkthimit në frëngjisht të Historisë së Partisë së Punës, ishin të rregullta e miqësore. Unë i vlerësoja dhe i konsideroja ato si momente të këndshme diskutimi, jo vetëm për punën që bënim së bashku, por edhe më gjerë. Por, shumë shpejt kuptova se afrimi im me të, nuk shihej me sy të mirë nga disa kolegë, të cilët shpesh më kishin venë në dukje se ata dyshonin për saktësinë e përmbajtjes ideologjike të përkthimeve të tij. Sipas tyre, Vrioni, mund të qe vërtet njohës i përkryer i frëngjishtes, por s’kish edukatë e formim marksist, gjë që rrezikonte të bënte edhe gabime ideologjike”.
Megjithatë, një ditë tetori të vitit 1980, Jusuf Vrionit i dorëzuan një ekzemplar të librit ‘Hrushovianët’ ku autori, pra, Enver Hoxha, me anë të një autografi e përgëzonte atë për punën cilësore si përkthyes. Ngjarja bëri bujë. Vërtet, ai, i Madhi, i Pari, Kreu i Partisë dhe i vendit, i kish dhuruar atij një libër me dedikim…?!
“Natyrisht, shumë njerëz e ndjenin veten të fyer nga ajo ‘fitore’ relative, e u munduan ta kalojnë ngjarjen pa i dhenë rendësi dhe duke e harruar. Ndërkohë, kuptova se, për njerëzit e Sigurimit, fakti qe unë përktheja Enver Hoxhën, nuk ndryshonte asgjë përsa i përkiste shkallës sime të ‘rrezikshmërisë’. Megjithatë, viti 1980 shënoi një farë kthese relative, ndaj gjendjes sime personale. Fakti që, puna ime qe çmuar aq lart, krijonte për mua një atmosferë disi të veçantë, po të kihej parasysh origjina familjare dhe e kaluara si i burgosur politik… “!
Rehabilitimi i Vrionit u bë shkak i mjaft pëshpëritjeve në qarqe e mjedise të ndryshme të shoqërisë së asaj kohe. Veçanërisht nga armiqtë e tij të betuar për vdekje. Dhe vërtet, duket se, vdekja po i vinte rrotull, por nga një drejtim tjetër. Një infractus i pa pritur e çon në buzë të varrit, por autoritetet japin alarmin, duke ngritur gjithë mjekësinë shqiptare në këmbë. Partia s’e dëshironte vdekjen e tij. Ai, duhej të jetonte, për të vazhduar përkthimin e Veprave të shokut Enver…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016