Nga Dodë Progni
-Masakra e Hereçit – vepër kriminale e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare-
I – LËVIZJA “KRYEZIU”
Memorie.al / “Lëvizja Kryeziu” ishte emërtimi i Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste, në Kosovë e Shqipërinë e Veriut, gjatë viteve 1940 – 1944, në krye të cilës ishin vëllezërit nga Gjakova, Gani, Said dhe Hasan Kryeziu. Qëllimi strategjik i saj, ishte organizimi i Lëvizjes Antifashiste në Kosovë, çlirimi i saj nga nazifashistët, shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu, si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe, kishin kuptuar që në fillim të Luftës së Dytë Botërore, se rruga më e mundshme, për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar, ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi e madhe perëndimore, siç ishte Britania e Madhe, dhe se një gjë e tillë, mund të arrihej vetëm duke luftuar kundër nazifashistëve.
Për realizimin e idesë së tyre të guximshme, Gani e Said Kryeziu, qysh në vitin 1940, hynë në lidhje dhe bashkëpunim me njerëzit e Drejtorisë së Operacioneve të Posaҫme (SOE–së) të Britanisë së Madhe në Beograd, e cila kishte detyrë të nxiste rezistencën antifashiste në vendet të okupuara. Me ndihmën e SOE–së, Kryezinjtë, gjatë viteve 1940 – 1941, tentuan dy herë të organizonin kryengritjen antifashiste në Kosovë e Shqipëri, por dështuan, si pasojë e ndikimit Grek dhe Jugosllav në sferat e larta të politikës së jashtme britanike.
Grekëve nuk ju interesonte një kryengritje që do të çonte në ҫlirimin e Shqipërisë. Një Shqipëri e vetëҫliruar dhe e pavarur, do të ishte pengesë për realizimin e synimeve të tyre nacionaliste, në fundin e Luftës. Edhe për jugosllavët, ishte e padëshiruar një kryengritje antifashiste nacionaliste, në Kosovë, e cila do të çonte në ҫlirimin e saj. Në një rast të tillë, Kosova mund të siguronte përkrahjen britanike edhe për vetëvendosjen e popullit shqiptar. Për fat të keq, qarqet e larta të politikës së jashtme britanike, mbajtën qëndrim negative, për hir të interesave të veҫanta të tyre, në Greqinë e Jugosllavinë e asaj kohe.
Megjithatë, “Lëvizja Kryeziu”, gjatë viteve 1940 – 1941, që bërë një forcë lëvizëse antifashiste e njohur në Kosovë. Me 7 prill 1941, Gani Kryeziu dhe Oklei Hill, së bashku me Abaz Kupin, Mustafa Gjinishin, Padër Lekë Lulin, Said Kryeziun etj., organizuan në Tropojë, një mbledhje të gjerë me nacionalistë antifashistë nga Kosova, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Luma, ku u formua “Fronti i Bashkuar i Rezistencës”, dhe u vendos fillimi i kryengritjes antifashiste në Shqipëri.
Me 8 prill 1941, rreth 300 forca të armatosura, shumica e të cilëve ishin kosovarë, dhe njiheshin me emërtimin, Divizioni “Kosova”, kaluan Qafën e Prushit, e të Morinës dhe hynë në Has, Bytyç, Gash e Krasniqe. Pasi asgjësuan të gjitha postat kufitare, ato të karabinierisë dhe administratën fashiste në këto krahina, iu drejtuan Nikaj-Merturit e Dukagjinit, me synim sulmin kundër forcave italiane në qytetin e Shkodrës. Këtyre forcave, ju bashkuan edhe shumë malësorë antifashistë nga Gashi, Bytyçi, Krasniqja dhe Nikaj-Merturi, duke e rritur numrin e tyre deri në rreth 1000 luftëtarë.
Paralel, dhe në të njëjtën kohë, me forcat shqiptare të udhëhequra nga Gani Kryeziu, Abaz Kupi, Oklej Hill etj., kishte ndërmarr marshimin drejt Shkodrës, kundër italianëve, edhe ushtria jugosllave, e cila përbëhej nga mijëra ushtarë dhe oficerë. Për këtë ofensive të ushtrisë jugosllave, Oklei Hilli, ish vënë në dijeni vetëm pak ditë përpara fillimit të sajë. “Ajo, siç thotë Hilli, mendohet të ketë qenë një pjesë e planit jugosllav, për të përballuar invazionin e papritur nazist, njëfarë kundërvënie ndaj italianëve”. Por në fakt, ky veprim i pa parashikuar, forcave të Kryeziut, ju kushtoi shtrenjtë.
Pas disa ditë marshimi në terrenin malor e të vështirë të Dukagjinit, dhe pas luftimeve të zhvilluara në Gur të Kuq, Prekal, Urë e Shtrenjtë, Urë e Mesit etj., kundër forcave të karabinierisë dhe grupeve të popullsisë vendase, të ashtuquajtur “Vullnetarë”, të cilët qenë bashkuar me forcat fashiste për të “mbrojtur” krahinën nga pushtuesit serbo-malazezë–shkiet, siç i quanin ata, forcat e ardhura nga Jugosllavia, të cilat kudo kaluan nëpër malësi përdorën vetëm gjuhën serbo-kroatishte.
Këto të fundit, me datë 23 prill 1941, u detyruan të ndalojnë marshimin dhe të tërhiqen drejt Kosovës dhe Jugosllavisë, të shpartalluara totalisht. Pa hyrë në hollësitë e kësaj ngjarje të ndërlikuar, ç’ka do të ishte objekt i një studimi të veçantë, duhet pranuar fakti se, një nga shkaqet kryesore që solli dështimin e forcave të Kryeziut, ishte pjesëmarrja e ushtrisë jugosllave, në këtë operacion.
Një gjë të tillë e pohon Oklei Hill, kur thotë: “Qe pikërisht prania e ushtrisë jugosllave, që krijoi atë armiqësi me të cilën ne u ndeshëm në veri-perëndim të maleve të veriut dhe që na hoqi të gjitha shanset për të pasur sukses atje…! Dënimin më të madh – vazhdon ai – na e bëri hyrja e jugosllavëve në Shqipëri. Të mos kish ndodhur kjo, ne do të mundë të lëviznim pa zhurmë dhe pa bujë, në male e kodra dhe të gjenim strehim duke u shpërnda në shtëpitë e malësorëve…! Ata nuk do të kishin pasur ndonjë arsye t’i kundërviheshin çetës s’onë, të thjeshtë shqiptare, veçanërisht kur mbështeteshim nga Nikajt – katolikë dhe Krasniqja…! Puna ishte se tërë Veriu i largët, kishte dijeni për praninë tonë atje dhe se disa mendonin se, ne ishim vegla e jugosllavëve. Ky qe grushti fatal”!
Nga ana tjetër, pikërisht ato ditë kur këto forca ndërmorën marshimin drejt Shkodrës, Gjermania naziste, pushtoi Jugosllavinë. Kjo ndryshoi krejtësisht situatën në favorin e nazifashistëve, jo vetëm në Jugosllavi, po edhe në Shqipëri e krejt Ballkanin, duke e bërë të pamundur, vazhdimin e nismës në fjalë, për një kryengritje antifashiste në Shqipëri. Projekti britanik i dhjetorit 1940 dhe i prillit 1941, për organizimin e kryengritjes në Kosovë e Shqipëri, nën drejtimin e Gani Kryeziut, pavarësisht se dështoi, tregoi se, Ganiu me vëllezërit e tij, qysh në atë kohë ishin bërë figura të njohura të Lëvizjes Antifashiste në Kosovë e Shqipëri. Për shkak të kësaj veprimtarie, në fund të vitit 1941, Ganiu dhe Saidi u arrestuan nga gjermanët, dhe pasi ua dorëzuan italianëve, këta të fundit i internuan ne Ventotene të Italisë, ku qëndruan dy vjet.
Gjatë periudhës 1942-1943, “Lëvizja Kryeziu”, u mbajt gjallë dhe u drejtua nga Hasan Kryeziu,i cili i kishte shpëtuar internimit. Ky mbajti vazhdimisht pranë vetes, një numër të konsiderueshëm përkrahësish për propagandë dhe aksione antifashiste në Kosovë. Në gjysmën e dytë të vitit 1943, në pikëpamje numerike dhe organizative, kjo ishte bërë një forcë serioze e luftës antifashiste, e njohur në Kosovë dhe Shqipëri.
Prandaj udhëheqësit komunistë të lëvizjes nacional – çlirimtare, Enver Hoxha dhe Sejfulla Malishova, në gusht të vitit 1943, i kërkuan Hasan Kryeziut, bashkimin e forcave të tij me forcat partizane. Hasan Kryeziu, e kundërshtoi këtë kërkesë, sepse ruante idenë e pavarësisë së forcave nacionaliste nga komanda komuniste, për shkak së këta të fundit, kishin lidhje të ngushta me komunistët serbo-malazezë.
Me 3 dhjetor 1943, Hasan Kryeziu, takohet me oficerin e misionit britanik në Shqipëri, majorin Peter Kemp, në shtëpinë e Mehmet Ali Bajraktarit të Hasit, ku diskutuan për problemet e ndryshme të Luftës Antifashiste dhe ranë dakord që së bashku, të ndërmerrnin një mision të posaçëm në Kosovë, për njohjen e mundësive të organizimit të rezistencës së armatosur, kundër gjermanëve me element shqiptarë të Kosovës. Me Kempin dhe Hasan Kryeziun, u takuan dhe dy nga udhëheqësit e grupimit irredentist të Kosovës; Selman Riza dhe Ejup Binaku, që të dy nga Gjakova. Këta i premtuan Kempit se, do ta mbështetnin gjatë udhëtimit tij në Kosovë, dhe se do të formonin një çetë luftëtarësh me mbi 200 vetë, e cila fillimisht do të shërbente si mbrojtëse e misionit ushtarak britanik, gjatë udhëtimit të tij në Kosovë, dhe më pas do të vazhdonte luftën kundër nazi-fashistëve.
Me 7 janar 1944, në Gjakovë, Petër Kemp dhe Hasan Kryeziu, organizuan një konference me një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin prezent; kryetari Bashkisë së Gjakovës, komandanti Ushtrisë shqiptare të Kosovës, Selman Riza etj. Aty u diskutua gjerë e gjatë për organizimin e rezistencës antifashiste nacionaliste në Kosovë. Selman Riza, premtoi se do të pregatiste një aksion të menjëhershëm kundër gjermanëve, kurse komandanti i Ushtrisë shqiptare të Kosovës, premtoi se do t’i furnizonte njerëzit e Selman Rizës me armë dhe instruktorë.
Dy udhëtimet e Kempit me Hasan Kryeziun, në Gjakovë e Peje, me 15 – 17 dhjetor 1943, dhe 13 -22 janar 1944, ishin mjaft të suksesshme. Ato shërbyen për njohjen e situatës së përgjithshme atje dhe për hartimin e një plani të detajuar të rezistencës antifashiste nacionaliste në Kosovë. Në këto momente të rëndësishme, kur për “Lëvizjen Kryeziu” ishin hapur horizonte e mundësi të reja, për zgjerimin e veprimtarisë antifashiste, rikthehen në krye të saj, Gani e Said Kryeziu. Këta, së bashku me intelektualin e shquar, antifashistin dhe demokratin, Llazar Fundo (Zoi Fundo), i cili u kthye bashkë me Kryezinjtë nga Ventotene, ku kish qëndruar dy vjet i internuar për veprimtari antifashiste, i dhanë lëvizjes përmasa të reja, si në planin ushtarak, ashtu dhe në atë organizativ e politik.
Gjatë vitit 1944, Lëvizja Kryeziu zgjerohet e thellohet, merr fizionominë e një force të plotë nacionaliste antifashiste të organizuar dhe të armatosur. Ajo merr përsipër e kryen veprime luftarake serioze, kundër nazifashistëve. Gani e Sahit Kryeziu dhe Zoi Fundo, që kryente detyrën e kryekëshilltarit politik në forcat e Kryeziut, pasi hynë në lidhje me Peter Kempin, me 22 janar 1944, kaluan nga Gjakova në Bytyç të Malësisë së Gjakovës. Fillimisht u vendosën në shtëpinë e Halil Hoxhës, të Bregut të Pacit, ku ishin grumbulluar qindra vetë për t’u uruar mirëseardhjen. Në Berishë e Degë, të kësaj krahine, kontaktojnë me pjesëtarët e misionit ushtarak britanik, si Andi Hendëz, Reginald Hibbert, Toni Nil, Xhon Hiberdin, etj.
“Gani Kryeziu,- siç ka theksuar Petër Kemp në librin e tij: “Pa grada pa shenja dalluese”, (Londër 1958), -kishte ndërmend të vinte gjithë energjitë dhe talentin e tij, në shërbim të luftës, Gani Kryeziu, shton ai,- qe i vetmi njeri, në këto anë të Shqipërisë, që dëshironte me të vërtetë të luftojë kundër gjermanëve dhe që e ka guximin e mundësinë, për ta bërë këtë gjë, i vetmi njeri që mundë të ngrejë kosovarët në luftë”. Ndërsa Reginal Hibbert (një tjetër oficer i misionit britanik në Shqipëri), në librin e tij “Fitore e Hidhur”, ka theksuar se: “Vëllezërit Kryeziu, Ganiu, Saidi dhe Hasani, ishin të vetmit nacionalistë në Shqipërinë e kohës së luftës, që ishin kapur me gjithë zemër pas idesë, për të ndërtuar Shqipërinë e ardhshme duke luftuar kundër gjermanëve”.
Të njëjtën konsideratë, kishte për Gani Kryeziun edhe Zyra e Shërbimeve Strategjike Amerikane, e cila theksonte se: “Në Kosovë, figura më e shquar politike, është Gani Kryeziu, i cili lidhet ngushtë me vëllain e tij, Saidin. Ganiu është pro anglez, njeri i aftë dhe i zgjuar. Ai mundë të bëjë shumë për aleatët sepse, ka shumë influence, dhe është një ndër ata pak njerëz që mundë të arrijë në krijimin e një fronti të përbashkët në Kosovë,kundër gjermanëve”.
Kjo gatishmëri dhe vizioni i qartë që kishin Kryezinjtë për Luftën Antifashiste, u bënë faktori vendimtar, për të fituar simpatinë e mbështetjen e sinqertë të aleatëve britanikë.
Me 24 – 25 janar 1944, në fshatin Paç të krahinës së Bytyçit, shtabi i forcave të Kryeziut, së bashku me Peter Kempin, hartuan planin e detajuar, të kryengritjes së përgjithshme antifashiste në Kosovë. I entuziazmuar nga mirëkuptimi me Kryezinjtë, Peter Kemp, me 24 janar 1944, i dërgon telegram Komandës së Forcave Aleate në Kajro, me të cilin kërkonte furnizime për forcat e Kryeziut, dhe ju deklaron se: “Tani kemi një aleat të mrekullueshme (formidablle) në fushën e betejës…! Me këta aleatë, – shton ai, – shanset tona për të organizuar një luftë rezistence në Kosovë, u rritën pa masë”.
Ne këto momente, kur Kosova po e ndjente të afërt shpërthimin e kryengritje antifashiste, të udhëhequr nga nacionalistët Kryezinjtë, shfaqet i pacipë inati dhe xhelozia e komunistëve kosovarë dhe atyre serbo-sllavë. Shtabi i Kosmetit, ish revoltuar për vizitën e Kempit dhe Hasan Kryeziut në Kosovë, e cila qe bërë, pa miratimin e pa shoqërimin e partizanëve. Këtë veprim, ata e quajtën “sfidë” dhe kërcënuan misionarët anglezë se, do t’i raportonin tek Tito-ja. Vetëm 3-4 ditë më pas, ata i kishin raportuar Titos, prandaj Kempi, merr ultimatum nga Kajro: “Kemp. Duhet të shkëpus me takt të gjitha kontaktet me Kryezinjtë dhe irredentistët, pasi aktivitetet e Kempit në Kosovë, po shkaktonin përshtypje jo favorizuese, në rradhet e partizanëve të Titos…! Marrëdhëniet tona me partizanët jugosllavë, janë të një rëndësie të dorës së parë”.
Këtej del fare e qartë se, kërcënimi i Mehmet dhe Fadil Hoxhës, udhëheqës të Shtabit të Kosmetit, kish qenë tepër serioz e inatçi, ndaj kishte dhënë efekt kaq të shpejtë. Ata, së bashku me Titon, në mënyrë krejt të pa arsyeshme i than “ndal!” kryengritjes antifashiste në Kosovë. E kjo ndodhi pikërisht në çastin kur Kryezinjtë, të përkrahur nga vetë britanikët dhe në bashkëpunim me ta, kishin rrokur armët për luftë antifashiste në favor të aleatëve. Shtabi aleat i Kajros, me kërkesën e Titos, urdhëroi braktisjen e Kryezinjve. “Kjo, siç ka theksuar me indinjatë Peter Kemp, nuk ishte vetëm një gjë e ulët, por dhe e trashë (foolish-idiotllek), e bëhej për të kënaqur Fadil e Mehmet Hoxhën dhe një tufë zuzarësh intrigantë”.
Megjithëkëtë, Kryezinjtë nuk hoqën dorë nga lufta antifashiste dhe synimi për një kryengritje të përgjithshme në Kosovë. Të përqendruar në Bytyҫ të Malësisë së Gjakovës, ata bënë organizimin e forcave të tyre, me luftëtarë të zotë, patriotë dhe antifashistë të njohur, nga Kosova, Bytyҫi, Gashi, Krasniqja, Nikaj – Merturi dhe Hasi.
Që nga 13 shkurti 1944, kur “…një fuqi ushtarake gjermane, kaloj qafën e Prushit më drejtim për në Bytyҫ”, për të shuar qëndresën e armatosur të forcave partizane komuniste dhe nacionaliste në Malësinë e Gjakovës, e deri 19 shtator 1944, forcat e Kryeziut, u ndeshën herë pas here me forcat nazifashiste. Veçanërisht, gjatë muajit qershor 1944, në datat 8, 14, 17, 18, 20, të këtij muaji, forcat e Kryeziut zhvilluan luftime të ashpra kundër gjermanëve, duke u shkaktuar atyre shumë të vrarë dhe të plagosur. Në një raport të Komandës së Xhandarmërisë Shqiptare të qarkut Kukës, dërguar Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë në Tiranë, me 17 qershor 1944, thuhet se, në Malësinë e Gjakovës (N/Prefektura e Tropojës) “…Si qendra të çetave komuniste, kanëkëto vend, dhe sasia e tyre aproksimativisht, përbëhet kështu:
I – Gani Kryeziu, ka ma se 200-300 vetë të armatosur mirë, me mitraloza të rëndë e të lehtë e, si qendër ka “Majën e Dobrejt”.
II – Sali Man Bajraktari, ka si qendër katundin Markaj të rajonit Krasniqe, e ka ma se 60 forca të armatosura mirë.
III – Fadil Hoxha e Mehmet Hoxha, kanë si qendër Valbonën, rajon i post-komandës Dragobisë, të armatosur mirë me mitraloza të rënda e të lehta… kanë si fuqi ma se 60 veta…! Ndërsa me dt. 21.06.1944, N/Prefektura e Tropojës, me një telegram “tepër urgjent”, njoftonte MPB në Tiranë se: “Në rrethin e kësaj N/Prefekture, janë grumbullue një sasi e madhe çetash partizane e komuniste, të kryesueme prej Gani Kryeziut, me qendër në Bytyҫ, por me fuqinë ushtarake që kemi, nuk mund t’i përballojmë këtyre çetave…! Lutemi, dispononi për dërgimin e një fuqie ushtarake të jashtëzakonshme, përkitazi 3000 vetë…”!
Forcat e Kryeziut, të cilat më pas arritën në mbi 400 vetë dhe në raste aksionesh të rëndësishme, mbi 1000 vetë, nuk u formuan as nuk qëndruan si forca të pritjes e, të shmangies nga ndeshja me pushtuesit. Përkundrazi, siҫ del nga dokumentacioni i asaj kohe, ato u bënë forca të aksionit e të veprimit luftarak ball për ball me gjermanët. Krahina e Bytyçit – baza kryesore e forcave të Kryeziut, e cila i mbështeti dhe luftoi bashkë me to, në pranverën dhe verën e vitit 1944, u kthye në një fushë-beteje të përgjakshme, ku mori pjesë i madh e i vogël. Për shkak të bashkëpunimit me forcat e Kryeziut, Bytyçi u bë objekt i disa operacioneve ndëshkues, nga nazi-fashistët. Ata, në shenjë hakmarrje për humbjet që pësuan, i dogjën Bytyçit rreth 300 shtëpitë që kishte. Brenda tyre edhe 35 gra, pleq e fëmijë. Dhjetëra bytyças, u burgosën e u internuan, u pushkatuan ose u varën në litar. Midis tyre, vëllezërit Xhemal e Zeqir Halili, ish-pjesëtar të forcave të Kryeziut, së bashku me antifashistin e njohur, Haxhi Avdyl Imeraj. Këta pasi u kapën aksidentalisht, u varën në litar, në mes te qytetit të Gjakovës, në qershor 1944.
Në fshatin Zherke të Bytyçit, qershor 1944, nazistët kryen edhe një krim tepër të shëmtuar. Pasi kishin djegur në zjarr e vrarë 11 pjesëtaret e familjes së Binak Metës, goditë me 13 plumba automatiku, një foshnje tre muajshe, që flinte e lidhur në djep. Përkushtimin ndaj Luftës Antifashiste, vëllezërit Kryeziu e treguan, jo vetëm me aksione e veprime luftarake të forcave të tyre, por, dhe në përpjekjet që bënë për të bashkëpunuar me të gjithë ata që donin të luftonin kundër pushtuesve, përfshirë dhe komunistët. Me gjithë pikëpamjet e ndryshme, lidhur me qëndrimin ndaj aleatëve serbo-sllavë, e atyre anglo-amerikanë, si dhe për ndërtimin e Shqipërisë së pas luftës. Kryezinjtë ishin të gatshëm, të lenin me një anë të gjitha mospajtimet politike, dhe të bashkëpunonin me partizanët.
Ata kanë meritë të veçantë se, pa qenë pjesëmarrës të ndonjë partie politike, kishin vizion mjaft të qartë për Luftën Antifashiste. U përpoqën ta vënin atë, në funksion të ҫlirimit të vendit dhe të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Me aftësitë drejtuese ushtarake të Ganiut, nivelin e lartë politik dhe intelektual të Saidit, mendjen e ndritur dhe objektive të Llazar Fundos, trimërinë e Hasanit dhe gjithë pjesëmarrësve, “Lëvizja Kryeziu”, u bë një forcë autoritare, e Luftës Antifashiste në veri të Shqipërisë. Për këtë, ajo fitoi simpatinë dhe mbështetjen e sinqertë të oficerëve aleatë britanikë, si Oklei Hill, Pitër Kemp, Dejvit Smaill, Antoni Simkoks, Reginal Hibbert etj. Pavarësisht nga politika dyfytyrëshe e përfundimisht negative e Forien Ofisit (FO) britanik, për çështjen e Kosovës, këta oficerë, bënë ҫ’ishte e mundur në përkrahjen e Kryezinjve, për një kryengritje nacionaliste antifashiste, në Kosovë. Lidhur me këtë, oficeri i misionit britanik, Dejvit Smaili, ka pohuar se: “Edhe sot, na vjen turp për tradhtinë që ju bë shokëve dhe miqve tanë shqiptarë.” (është fjala për Kryezinjtë. D.P.).
Por, mos realizimi i kësaj kryengritje, erdhi pikë së pari, nga qëndrimi armiqësor dhe veprimtaria shkatërruese e udhëheqjes komuniste shqiptare dhe jugosllave, ndaj “Lëvizjes Kryeziu”. Megjithatë, forcat nacionaliste të Gani Kryeziut, që luftuan në Bytyҫ e, bashkë me Bytyҫin, ishin një faktor i rëndësishëm i Luftës Antifashiste në Malësinë e Gjakovës. Ato luajtën rol të pamohueshëm, për ҫlirimin e saj nga pushtuesit nazifashistë, me 10 tetor 1944. Kush e mohon këtë, ka mohuar Luftën Antifashiste të kësaj krahine, e cila me një popullsi që përbënte rreth 13% të popullsisë së Tropojës, i ka dhënë Atdheut, me shume se 50% të dëshmorëve të saj, gjatë Luftës Antifashiste. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016