Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Këto skena të llahtarshme në dhomën e hetuesisë, terr e zeher komandoheshin, programoheshin dhe kontrolloheshin nga hetuesia. Ky kishte qene një i burgosun ordiner, që e kishin sjellë nga burgu për të krye këtë mision në dhomën time. Sa herë që e thirrshin këtë në hetuesi, sidomos mbas muejt të parë, ai merrte informacionin, fjalët e përgatituna, dhe kohën kur ai do të fillonte sulmin kundër meje e, atë kohë policia rrinte gati për të dëgjue zhvillimin, se megjithëse ky ishte një spiu i garantuem i tyne, për të ba këso punësh, Sigurimi kontrollonte edhe atë në detyrën e ngarkueme.
Asgja e re. Jeta ishte ba e tillë. “Beso e kontrollo”; një poshtërsi ishte në esencën e diktaturës. Kjo ishte jeta. Njerëzit e këqij luftojshin. Këtu në dhomën e hetuesisë nuk kisha sentimentalizëm e, nuk vajtojsha për ramjen tone, tue quejtë këtë gjendje fatkeqësi, por provë. Jetojsha në një luftë e kërkojsha nga Zoti guxim. Unë kisha një rezistencë për mbrojtje. Unë isha në luftë e, në luftë merresh me punën e saj.
Mbasi mbaruen tre muejt, më lanë vetëm. Ishte ma mirë, kuptohet. Por ditët aty randohen e, formohet një gjatësi kohe, që nuk mbaronte kurr. Je përballë një fronti fort të randë,, të një hetuesie. Nuk asht punë me luejtë. Këtu nuk asht punë luftë klasash. Luftë klasash nuk ka. Këtu ka torturë, makinacione, presione që kërkojnë të shkatërrojnë.
Këtu je shkëputë me të gjithë njerëzit. Relacion ke vetëm me hetuesit që fryhen si bisha me sulmue, me policinë e randë, me oficerin e rojes, që në orën 6 të mëngjesit, hapë sportelin e dhomës e të shikjon randë një minut, me synin e thellë të vigjilencës revolucionare. E kur mbyll sportelin, e rreh fort. Ti je anmik. Anmik i tërbuem kundër “pushtetit popullor”: “ti duhesh dënue randë, ti duhesh dënue randë, ti duhesh mposhtë, zhdukë. Ti për ata je shtrati i qelbit shekulluer. Ti je veladoni i zi. Ti je agjenti i Vatikanit, qendrës së obskurantizmit botnuer, përfaqësues i imperializmit anglo-amerikan. Je bota e shtypjes”.
Në vetmi kujtojsha babën e vdekun, para pak muejsh, nanën, motrën, sjelljet e mia me ata. E thojsha; “Pse nuk kam ba ma tepër”! Kujtojsha shumë sjellje të mia me njerëzit. Çdo fjalë të folun gabim, edhe një mendim, zemrim. Po i bajsha një analizë të fortë vetvetes, një punim, një vendim, një shndrrim. Kërkojsha të lufoj çdo egërsi temen, e çdo mungesë sjelljeje.
M’u duk vetja se në ato dhjetë muej, përparova shumë në virtyte. Kisha kujtue se kisha ecë përpara e, vërtetë kisha ecë, por shihsha udhën e kalueme të metave të mia të mëdha. Kërkova të rrëxoj një unë, dy, për të formue një tjetër. Këtu mund shihsha se kush jam. Njerëzit në kushte të lira, përparojnë pak, se shumë pak e njohin veten e, mund të jenë të lirë në rrethana të mira.
Në këto rrethana të vështira ku gjendeshe, zbulohesha shumë. Ndoshta veten nuk e njeh kurr, por në këtë dhomë pendese, me unin tand, arrijta në një përfundim se; gati për çdo njeri, një dhomë e tillë e fortë asht e domosdoshme, edhe një vjetë burg, për t’u pastrue, për t’u rregullue ndërgjegja jote e, për t’u ba e pasun njohja. “O njerëz, banju të përvujtë, se ata që janë të përvujtë, vuejnë ma pak se krenarët”.
Një rreze dielli u fuste në birucë, rreth orës 8ºº, që ndërronte simbas stine. Vlerësojsha nevojën të shihsha një rreze dielli. Një fije bari shihshe rreth, kur na nxirshin për pak minuta në ajrosje. Dhoma nuk ishte fort e errtë, pse kishte një dritësore të vogël nalt, por kur më merrshin për të shkue në atë të hetuesisë, delsha si në dritë dhe dallojsha çka asht drita dhe terri, kur kthejsha mbas një ore, ose dy, mundimi.
Nuk mendojsha çka do të flitsha simbas fjalës së Krishtit, por ma tepër merrshe me unin tim dhe qiellin. Tue qenë se më ndodhi të baj jetën aty, afërsisht një vjetë liturgjike, kujtoshe të gjitha festat e Krishtit, të Zojës e të Shejtënve me një gëzim e përmallim. Kur u avit festa e Zojës së Lourdit, që dy here, bjen me 11 të frorit, e që në këtë vjetë, kisha gjashtëmbëdhjetë vjetorin e celebrimit të meshës së parë, bana një punim që ia kushtova Zojës së Lourdit dhe nanës sime. I vuna titullin “Virgjina"”.
Nuk kisha laps, as letër. Edhe po të kisha, nuk mund ta shkruejsha. Formojsha fjali çdo ditë, për afër dhjetë ditë dhe i xuna përmendsh. Banë ditë një festë të veçantë dhe ia porosita veten dhe familje Zojës, në këto lufta të vështira. Unë thojsha uratë, por jo shumë gjatë ditës dhe jetës, veç atyne që më ishin të domosdoshme. Edhe shumë zhgjetore. Për çdo kryq që më çonte Zoti; çdo vuajtje jam mundue ta duroj, për dashuni të tij. Kjo shprehje “me durue për dashuni të tij”, do të thotë me shejtënue vuejen, me pranue me kënaqësi, me gëzim “për shpërlim të mëkateve tona dhe për nevojë të Kishës Shenjte”.
Kështu urinë, të ftohtin, sëmundjen e për të gjitha këta mendojsha, se Zoti uk të çon ma tepër se mbartim dhe kujtoshe fjalët e Atynes: “U baftë vullndesa jote”! Pëlqejsha pra pendesët e imponueme. Hetuesia e rrebtë vazhdonte punën e vet. Më vijshin turbullime mëdha. Kërkojshin të dijshin se me ke kisha bisedue kundër pushtetit. U thojsha se nuk kisha folë me askend. Më pyetshin për persona të ndryshme dhe të shumta me të cilët kisha bisedue. E kjo punë kje me disa seanca. Por unë mohojsha. Dojshin të dijshin se kuj ia kisha dhanë shkrimet me i lexue, cilëve?
Disa i kishin lexue shkrimet e mia, e një ndër ata kje profesor Gaspër Ugashi, kushrini i parë i nanës. Por unë mohojsha. Më sulmuen edhe ma tepër me dijtë se ku i kisha çue për t’i ruejtë shkrimet e mia e i bajshin pyetjet në atë formë, sikur t’i kishin zbulue vërtetë. Këtu pata shumë frikë. Për do kohë i pata çue për t’i ruejtë shkrimet te djali i axhës, Simon Moni, por ma vonë te familja e Ndok Kirit. Pyetjet e sulmet kjenë të pandame, por ndihma e Zotit, më ruejti fort prej këtij rreziku të madh. Një problem tjetër i madh ishte, se unë në të vërtetë kisha pasë kontakte me mija njerëz të cilëve, u kisha ba shërbime fetare.
Sigurimi e dinte se unë kisha ba shumë të tilla shërbime, mbasi ma xunë në gojë, sesi kishte qenë puna që radiostacioni i Vatikanit, në gjuhën shqipe, me datën 8 maj kishte përmendë Dom Martin Trushin, e mue për shërbime të shumta. Për këtë problem siç u thashë, me datën 8 qershuer 1973, kjeshë thirrë në zyrën e Degës së Punëve të Brendshme, në prani të hetuesit të Republikës e, unë nuk di ma tepër për ketë lajm.
Në atë kohë po fillonte Kongresi i tërbuem i Gruas, në Kishën e Madhe, kthyer në palestër e hetuesi i Republikës, që ma vonë do të binte edhe ky në burg e, do të ishim të dy në një kamp, në atë të Zejmenit të Lezhës e të Përparimit të Sarandës, më tha që të mos të takohesha me klerikë e, më çuen fjalë në shtëpi, që gjatë kohës s Kongresit, mos të delsha jashtë shtëpie. Por problemin e shërbimeve të mia, nuk e kanë zgjatë. Një ditë tjetër me deklaruen se: “Ke qenë i emnuem Vikar i përgjithshëm i Dioqezit të Shkodrës, dhe se: keni formue një këshill të dioqezan”.
Për të gjitha këto probleme, hetuesia herë mbas here, tue përsëritë të njajtën gja, bante gjithëherë proçese. Kjo bahej me qëllim mos po gjejshin, ndryshime në pohimet e mia. Asht metodë shkencore kjo e hetuesisë. U mundojsha gjatë hetuesisë me ruejtë qetësi dhe njëfarë takti, dhe kur më bajshin pyetje, unë nuk u përgjegjeshe, por u sillshe vetë me u ba hetuesave ndonjë pyetje. Por ata zemroheshin shumë, tue më thanë se a jemi na që të pyesin ty, a por ti ne. Unë kisha qëllimin, që me disa pyetje të tërthorta të mia, të mund të zbulojsha vërtetë ndonjë send, për të pa se ku gjindem.
Më nxirshin nga hetuesia e, më shtijshin në dhomë. Atëherë më vlojshin mendime. Fort liri fjale, kisha në hetuesi. Askund ma i lirë. Flitsha, si mendojsha, ia thojsha edhe ndër sy. Kjo do të ndodhte, kur në një seancë fort të egër, më thanë pa pritë, se ti ke komentue mardhëniet shqiptare-kineze, shumë keq. Ishte pyetje e rafmueme e tyne, se dojshin me dijtë personat, më të cilët kisha folë. “Nuk kam komentue asgja”, u thashë. E atëherë kërkova vetë prej tyne me guxim, me dijtë: “Inventivë, thirrje kundra, lutem më shpjegoni, si ju rueni marrëdhanie me Kinën, në sa ajo po nisë takimin me Shtetet e Bashkueme të Amerikës”. Ishte diplomacia e ping-pongut. Madje më lanë të flas. “Ju mbani miqësi me një shtet, që lidhet me anmikun tuej. Asnjë skjarim nuk asht ba prej jush”.
E këta na quejshin se kemi ba agjitacion e propagandë, kur këta prisheshin me Kinën zyrtarisht, mbas pak kohe, se kishte fillue prishja. Këtu na dënoheshim. Erdhi radha të merreshin me shkrimet që kisha ba. M’i kishin marrë të gjitha: Jetën e Krishtit, Jetën e Zojes, Shën Jozefin, një barkë në histori e papërfundueme, e disa të ndryshme. Të gjitha me përmbajtje fetare e, njëkohësisht shoqnore. Ishin të qetë se i kishin zbulue, por ishin të inatosun për përmbajtjen e tyne anmiqsore, pse kundër luftës së klasave e, të proletariatit.
U morën disa herë me mue për këto. Një ditë dhjetori, asht data 17, ku më çuen jo në dhomën ku bajsha hetuesinë. Por në zyrën e hetuesave, që ishte e mobilueme. Një dhomë e ngrohtë ku ndeja katër orë. Aty kishte dhe fotografi. Më thanë të nënvijzojsha rreshtat, ku unë kisha shkrue direkt kundër tyne. Unë i kapërceva rrështat pa i nënvizue, që shkruejshin kundër Enverit, Stalinit, figurave të tyne.
Herë mbas herë më thirreshin në hetuesi për me diskutue për përmbajtjet e shkrimeve: “Fort paske shkrue kundër nesh, fort i idhtë kundër nesh”, më thanë.
Në një moment theva krahin. Jo në torturë. Nuk më kanë prekë me dorë. Torturohesha prej kushteve dhe ilaçeve, që më derrmojshin organizmin tim. Këto ilaçe nuk mujsha mos me i marrë, se m’i qitshin në gjellën e drekës, që vinte e idhtë. E theva krahin në banjë. Ishte mbasdite e caktueme për të ba bajë. Dhoma ishte mbushë me avull dhe rrëshinë sapuni në dyshemen me çimento. Ishte 23 Shtatuer. Përvjetori i vdekjes së babës. Shumë kujtime. Kisha edhe tension të lartë. Pjesa e sipërme e krahut me kishte dalë jashtë. U alarmuen. Policët erdhën menjëherë tue më thane; “mbasi je me tension, pse nuk lajmove përpara, që të mos bajsha bajën”. Kujdesi. Po t’u thojsha përpara, se nuk isha në gjendje të bajsha banjë, ata to të më urdhnojshin ta bajsha.
Polici që ishte përgjegjës, kishte frikë. Ata dojshin të më nxirshin shëndosh në gjyq. Më çuen në dhomë, tue më marrë për krahë. Nuk vonoi e erdhi Mihajli, mjeku ushtarak i Degës, përfaqësues i shkencës së paanshme. Më lidhi krahun shpejt. Me lajmoi që të bahesha gati për të shkue shpejt në spital. Me autoabulancë, më shoqëruan gjashtë policë. E tmerrshme! Unë nuk mujsha me luejtë vendit. E ata si një ushtri, më rrethojshin të gjithë të armatosun. Tragjikomedi.
Kirurgu Dr. Sula
Mjeku kirurg i Spitalit Civil, Dr. Sula, një mjek i aftë, ma rregulloi shumë mirë. Kjo asht një ngrohtësi. Nuk ndjeva asgja, se punoi me narkozën e vështirë. Në sa po vijsha ngadalë në vete, tue më lirue narkoza, iu fala nderës të gjithve e u thashë: “A e shihni se jemi të gjithë vëllazen. Jo vëllazën në Leninin, por në Krishtin”. Ata u vranë e u turbulluen. Më dërguen në dhomën e izolimit. E mbas ndonjë ditë, filloi rrebtësia. Përherë rrebtësi. Vetëm pamja e këtyne fytyrave, ishte e torturë e vazhdueshme.
Fantazi e realitet
Në dhomën e hetuesisë, kisha mjaft kohë me u marrë me lamshin tokësuer me fantastikue. Kisha kohë ma ba disa analiza. Politika, simbas truve të mi, shkonte e vinte si një bukë që gatuhej. Kisha dëshirë të kishin globin, hartën. Atëherë me fantazi nisi punën. Vendosa të rendis hartën gjeografike, me mend. Imagjinatë mbi imagjinatë. Unë kam qënë edhe mësues gjeografije. Ku ta vendosi? Shkencëtarët kanë krijue hartat. E kanë vendosë në letra. Ku ta vendosi unë? Unë po e shti botën në dhomë. Europën në dysheme. Shtetet a Bashkueme në tavan. Në dy perdet e mëdha anësore, Afrikën e dhimbshme e, Azinë në ndonjë shtet simpatik. Australinë e pllajave të mëdha, në murin karshi portës. Me polet nuk kisha punë, se në dimën nuk e çojsha mendjen atje se akull, se brr…!
Shetitësha shumë kohë në dysheme. Shëtitësha në Europë. “Tash jam i lirë”, thojsha. Me fantazi kapërcehen realitete. Ilaçet bajshin punën e vet. Delsha kështu në Italinë e bukur, si shejtneshë. Në Francën me logjikën e Bossouetit, Spanjën ende aristokratike. Kalojsha në Gjermaninë Perëndimore, burrnesha e kombeve. Kur bijsha me fjetë, kryet më takonte ta mbështes mbi Bashkimin Sovjetik. Moska më binte si në qafë. Pjesa e sipërme e kresë shikonte në Siberi.
Shumë mirë i thojsha vetes, se kujtoj ata që kanë vdekë në ato mundime. Oh, vëllazënt tanë! Një meditacion rreth tyne dhe një aleancë politike me ata. Kur m’u duk njëherë, se gishti i vogël i kambës lëvizi nën jorgan, si një gicilim, thashë këte e ban Anglia reshpereshë. Kjo e ban këtë punë.
Pata edhe një lëvizje tjetër të gishtit të vogël, por jo këtu, por më vonë, shumë ma vonë, mbasi dola nga burgu. Në një shtëpi kisha ra me pushime mbasdreke. Isha i lodhun fort rrugës dhe shërbimit. Pushojshim tre vetë: i zoti i shtëpisë, Ndoc Preluca, Ndrekë Hanxhari i Rragamit dhe unë. Dita ishte e ftohtë, me borë që binte papushim, tue mbulue malet dhe pyjet në Qafë të Malit, kur dikush më preku gishtin e vogël e, ma nxuer gjumin. Më shkoi mendjen te Anglia. Mos asht Anglia? Çova kryet. Jo. Pranë stufës, te kambët e miam rrinte aty me mue një vajzë e vogël katër vjeçem flokëarta e bukurm si një zanë mali. Ishte Martina. Ajo buzëqeshi. Më tha: “thuej urate”. “Anglia zojë, si një politikane. Martina zonjushë fort e vogël, si një idealiste”.
Unë sigurisht, nuk kam punë me tanë botën. Unë nuk jam OKB-ja. Por paskam pasë punë, me disa shtete. Këto shtete janë; Bashkimi Sovjetik me Traktatin e Varshaves. Asht superfuqi. Shtetet e Bashkueme janë superfuqi. Më delte Jugosllavia e Titos, se më përmendën Dom Ivo Buziqin e, mardhëniet e tij me Dom Dedë Malën, që u pushkatue. “As këtë nuk e ke denoncue”, më thanë. Delte dhe Italia, se na kemi pasë punë me Legatën e saj në Shqipni. “Si quhej nënpunësi i saj me të cilin kemi pasë lidhjen”, më pyetën. “Nuk di”, u tham. “Cilat kjenë mardhëniet me Vatikanin”?
Këta e kishin të provueme padinë tonë, por u dojshin ba skjarime, se filluen përsëri të bajnë akuza, tue thanë se; “na kemi pasë edhe mardhënie për çashtje ekonomike e ushtarake. Vaj halli këtu. Marrdhanie vetëm për probleme fetare, – u fola – e Monsinjori e ka pasë për detyrë ndërgjegjeje, me vu në dijeni Selinë Shejte, për problemet e Kishës. Kjo asht krejtësisht një e drejtë e Kishës dhe përgjegjësi morale e saj”. Por kështu ishin punët e tyne. Vejshin në kushtetutë ligjin kudër trathtisë së atdheut, nësa shkelshin të drejtat e Kishës, të individit, të institucioneve dhe të vetë shtetit në parim dhe të ndërgjegjes. Mbrojshin një demokraci proletare, tue i vu kambën drejtësisë shpirtnore dhe tagrit njerëzuer.
Ata kishin guximin tjetër, me më pyet se kush i kishte mbyllë kishat. Delshin dy: Enveri me partinë ose, populli me rininë. Luftë. Luftë faktesh. “Enveri ore! Partia ore! Kurr populli. Të rijtë janë të bijët e bijat e babave, të nanave dhe të lirive njerëzore. Nuk pyet ma inteligjente për Marksin, Engelsin. As Leninin e Stalinin. Shkenctarët i ka nxjerrë bota e lirë. Na fusim teknikën që na e kanë dhanë ata. Mirë bajmë. Por mos të krenohemi. Mos t’i shajmë shtetet, prej të cilave i marrim të gjitha”. Këta mendime, nuk ia thashë atyne në këtë formë, se çka të bante huni e litari. Po një përgjigje do t’i jepej e, ishte kjo se; “kishat i ka mbyllë, – u tham, – Partia e Shteti, jo populli, e tregëtarë”.
“Në Pukë, – sillshe argumentin – se kishat në qytet, në fshate e malsi, kanë qënë të mbushuna me popull, me gjithë luftën ideologjike dhe taktike që keni ba kundër saj deri në çastet e mbramë të mbylljes së tyne”. “Po, – më tha hetuesi, – mbylljen e institucioneve e kemi ba me mbledhje popullore. E populli aty e ka vendosë edhe për Kisha”. Nuk u xuna ngusht, pse përgjegja ime kje, se; “ju keni shtie njerëz tuej, që kanë bertitë e kanë rrahë shuplakë”. Atëherë si i gëzuem hetuesi, më tha; “do ta nënshkruesh në proçes, se ti je kundër materializmit-leninizmit e diktatutës proletare. E na do ta nënvizojmë”. – “Dakort”, u tham, me qetësi. “Unë e nënshkruej”. Ata e nënvizuen e ashtu u ba.
Përfundoj kështu kjo seancë e, unë kthej i shoqnuem prej policit. Kje thirrë me më përcjellë në birucë, që u ba dhoma e punës, e lutjes dhe e mendimeve të mia. Porsa ktheva, mbas disa minutash, menjiherë më shkoi mendja të numëroj me hapa, sa ishte gjatësia e, gjanësia e dhomës. E mata. Kjo ishte 5 me 3. Tue i ba hapat ma të vegjël me qëllim, nxirsha numrin 7. Këtë dojsha unë; 7 me 3. Numra kishtarë. Prifti asht e, unë tham uratë. E dhoma tash më dukej si kishë. “Dal e shëtis në Europë. Atje gjej kishat e mbushuna, katedralet, dhomat, si mbusheshin para nandë vjetësh në Shqipni. A ka vend për mue”? i tham. “Më shumë dëshirë, – më përgjigjen. Patjetër”. “Na thonë se asht vend i tmerrshëm atje ku jeni. Oh, çka ju ka gjetë. Ju i dini, -u tham. Keni harta, keni libra, dije, eksperiencë dhe lajme. Ju dini gjithçka. Asht për të ardhë keq si e keni atdhenë tuej, familjet e njerëzit tuej, nga shkaku i tmerreve”.
Kështu po fantastikojsha. E vazhdojsha, sa bukur do të kishte qenë për mue, me u pasë ikë në çastin e randë të arrestimit, para se të futesha në makinë, në “Gaz”-et historikë të Sigurimit. Të kisha pasë një rryp, me një sustë në brez, porsa ta luejsha, t’u hapte si një pëlhurë e madhe, që të ngjitej me shpejtësi nalt e, si një re të më mbulonte si Krishtin, për të kalue pa u pa, kah bota e lirë.
Kjo punë do të ishte e mrekullueshme, se kjo ikje, nuk do të kishte asnjë pasojë për nanën, vëllanë e motrën. Ata nuk do të internoheshin, pse ikja ngjau ndër duert e tyne. Kur dojsha me u naltue shpirtnisht në dhomë, çojsha kryet përpjetë. Përmbi tavan, mbi pullaz asht qiella e Zotit. Në tavan qielli i armatosun: Shtetet e Bashkueme. E bukur thojsha, sikur të vijë një helikopter në tavanin e dhomës sime. Mbi pullaz ishte dhe karakolli e roja, që ndiejsha kambët e tij gjatë natës. Polici kishte me u trembë menjëherë. Edhe policia, edhe qyteti.
Unë në dhomën e izolimit, po bahesha njeri i gjanë. Gjatë ditës flejsha disa orë, që nuk merreshe me punët e zemrës, ndiesive, dhimbjeve, të dashunisë. Duhet të punonte edhe mendja, edhe fantazia. E unë merresha me hartën time. Kah? Tash kah Azia. Qe Kina. Oh, moj Kinë, ti do me ndërrue e na futemi në burg, prej teje. E çfarë burgu! Mirë na e bane. Historia asht lojcake. Vetëm një fill e mban konstant e, kjo asht Providenca. Mirë na e bane, moj Kinë. Çu En Lai do të jetë në mendime të thella. Mao Ce Duni, asht plakë. Ndoshta asht tue vdekë. Edhe mund të ketë vdekë.
Ka vdekë, pse një i arrestuem, të cilit i kishte kalue mendja me të vërtetë, bërtitëte; “Dritë paçin marksistat! Dritë pastë Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini. Dritë paç edhe ti, o Mao Ce Dun, o shpirt i xhaxhait, o skyfer i verdhë”. Qe i vetmi lajm që hyni në biruca. A thue po vdes edhe Enveri?
Këte e thojsha me mend dhe jo me zemër, se nuk ban me i dëshirue vdekjen kuj, as anmikut. Por këte, për personën e Enverit, nuk mund ia thojsha kuj aq lehtësisht, sepse një “botë e tërë”; asht zemrueme kundër tij, e atëherë të urren edhe ty. Vazhdojshin me ngulm të dijshin se, me kë kisha ba biseda kundër pushtetit. Por unë thojsha se nuk kisha bisedue me njeri. Vazhdojshin të më ngushllojshin. Isha shumë i lodhun, shumë i derrmuem e arrijta në një gjendje të keqe e për t’i dhanë fund këtyne problemeve, vendosa të flas me qëllim, për dy persona që m’i kishin vu. Sigurimi kishte lëshue për të më ndjekë mue, që kur isha jashtë, për disa kohë dy njerëz që bajshin punën e tyne, njerëz të rafinuem me fije shumë sekrete e tinzare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm