Nga Bashkim Trenova
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
MITE-MISTICIZËM, VIKTIMOMANI, RACIZËM DHE SERBONOSTALGJI
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE)
Mbi popullsinë arnaute të Pejës, të Gjakovës e të Prizrenit qëndronte si fantazmë natë e ditë vdekja. Kush ngrysej i gjallë, nuk ishte i sigurt se do të gdhihej po i gjallë. Mizoritë malazeze ndaj Krasniqëve mund të krahasohen denjësisht me barbarizmat e ushtrisë serbe në Lumë: të njëjtat metoda, e njëjta vrazhdësi, e njëjta etje për gjak. (2)
—
Ai brez arnaut, që mbulonte kufirin e vjetër serb nga Mitrovica në Vranjë, është shfarosur krejt. Në Kosovë sundon heshtje varri. Vetëm aty-këtu kërcet ndonjë pushkë hakmarrëse, e cila, siç më ka pohuar në një rast një nga funksionarët më të shquar në këto zona, është shkaktuar nga qëndrimi “jo taktik” i organeve tona të pushtetit. (1)
—
Po të kihet parasysh e gjitha kjo: se për jetën e shqiptarëve nuk është përgjigjur askush, se ushtria ka rënë papritur në zakonet primitive të jetës me logjikën e saj të egër të forcës, se të gjitha burimet e jetës janë prerë, se njerëzit e bagëtia janë lënë pa ushqim. Po të kihen parasysh të gjitha këto, atëhere kemi përpara vetes një rast tipik se si nisin kryengritjet.
Për të mos folur pastaj për skenat e tmerrshme të mjerimit e të urisë, që janë luajtur në Shkodër dhe në vende të tjera ku është përqendruar popullsia shqiptare e shpërngulur me forcë. (1)
Sjellja çnjerëzore e serbëve ndaj shqiptarëve ishte përforcuar nga parashikimi se ëndrra makute e borgjezisë serbe për pushtimin e gjysmës së Shqipërisë së vërtetë do të realizohej. – E kush guxon të pranojë një element kaq të huaj dhe, për më tepër, shumë të gjallë dhe të qëndrueshëm? Zotërinjtë militaristë dhe pronarë kishin arritur në përfundimin se duhej fshirë me çdo kusht ai brez shqiptar, nga Karadaku e deri në Novipazar.(2)
1 – Dimitrije Tuceviç. Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Rad, Beograd, 1980. Fq.162-163.
2 – Po aty. Fq. 196-197.
—
Duke pushtuar këto vende, turqit nuk kryen shfarosjen e popullsisë së atëhershme të gjunjëzuar, siç bëjnë sot qeveritë e borgjezisë ballkanike. Turqit pushtimin e këtyre vendeve nuk e shoqëruan me shfarosjen sistematike, pasi kjo gjë nuk u përgjigjej interesave feudale të sulltanit. Prapa vijës së luftës së ushtrisë fitimtare popullit të huaj i ishte përgatitur një therje sistematike.(3)
—
Qarqet sunduese të shteteve ballkanike, si trashëgimtare të pushtetit turk, ndoqën rrugën e parimeve barbare, të cilat as Turqia nuk i zbatoi në përmasa të tilla; varret dhe trekëmbëshi janë mësues më të mëdhenj sesa kushtetutat e reja.(4)
—
Por shpejt shqiptarët u gjendën midis kudhrës dhe çekanit, midis turqve, kundër zgjedhës së të cilëve kishin luftuar, dhe shteteve ballkanike, të cilat i sollën një zgjedhë të re. Serbia ndjek e persekuton shqiptarët në të katër qarqet e marra, Mali i Zi depërton nga Veriu drejt zemrës së fiseve veriore shqiptare.(5)
1 – Dimitrije Tucoviç. Sobrana dela (Vepra të zgjedhura). Libri 7. Rad, Beograd, 1980. Fq. 209.
2 – Po aty. Fq. 213-214.
3 – Po aty. Fq. 222-223.
4 – Dimitrije Tucoviç, Sabrana dela (Vepra të zgjedhura). Libri 8, Rad, Beograd, 1980. Fq. 25.
5 – Po aty. Fq. 50.
—
Pushtimi i ushtrisë serbe shtrihej nga lindja deri në vetë dyert e grykave dhe qafat e maleve. Ajo i ndau bujqit nga ara, bagëtinë nga kullota, kopenë nga korita, fshatin nga mulliri, blerësin dhe shitësin nga tregu, periferinë nga qyteti, ndau të gjitha vendbanimet malore nga qendrat e tyre të natyrshme dhe hambari për ushqim. Shqiptari i asaj ane nuk duhej të kalonte në tokën e tij, që kishte mbetur në këtë anë. Të gjitha burimet e jetës ishin prerë. Në dëshpërim dhe në uri, populli në fillim u lut për vajtjen lirshëm në treg dhe, kur kjo gjë iu ndalua, midis vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ai zgjodhi këtë të fundit.(1)
—
Borgjezia në krahinat e reja të Serbisë ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme. Me pretekstin që banorëve të këtyre komunave t’u jepet kohë që të “zhvillohen” për të shfrytëzuar të drejtat kushtetuese, sundimtarët serbë në fakt u përpoqën që, me anë të regjimit arbitrar policor, pakicën kombëtare ta kthejnë në shumicë, ndërsa banorët e atjeshëm t’i përgatisin jo si qytetarë të lirë por si shtetas të nënshtruar.
Ky regjim i masave të jashtëzakonshme policore, që është frymëzuar nga qëllime reaksionare të favorizimit të disave dhe përndjekjes së të tjerëve, e ka privuar popullsinë edhe nga ato liri politike, që ka patur nën sundimin turk dhe e ka lënë atë pa asnjë mbrojtje dhe kontroll publik, në mëshirë të burokracisë së korruptuar. Nga ana tjetër, ai krijon pretekste të reja për ashpërsimin e marrëdhënieve midis shteteve të vogla të Ballkanit dhe nxitjen e intolerancës e të urrejtjes midis popujve. (2)
Arnautët, kur mësojnë se ata janë afër, kanë shumë frikë nga moskovitët, dhe e dinë se nuk mund t’i ndalojnë ata të arrijnë deri në Detin Adriatik. Rusët dolën vullnetarë, dërguan ndihma të mëdha në pajisje dhe materiale mjekësore. Rusia cariste ishte me Serbinë me të gjitha forcat në atë kohë. (1) Gazetat serbe të tetorit 1912 shkruajnë se në Beograd arritën 80 kozakë.
****
Dorde M. Srbuloviç – historian:
1 – Dimitrije Tucoviç, Sabrana dela. (Vepra të zgjedhura). Libri 8. Rad, Beograd, 1980. Fq. 99-100.
2 – Po aty. Fq. 130-131.
****
Dragoljub M. Diniç, gjeneral-major, profesor dhe shkrimtar:
Pas hakmarrjes së Kosovës dhe pas hyrjes solemne në Prizrenin mbretëror, ku arritën trupat e divizionit të Shumadisë, regjimenti ynë i 19-të kaloi nëpër rrugët e Prizrenit…Era e ftohtë…paralajmëronte për dëborë dhe dimër të ashpër në prag të Shën Dimitrit. Edhe oficerët, edhe ushtarët, ishin nën përshtypjet e fitoreve të lavdishme. Të gjithë ishin të entuziazmuar dhe krenarë…Edhe sokolat e lavdishëm të udhëhequr nga dora e Zotit dhe Ylli i Karagjorgjeviçëve, sapo ishin ulur rreth Prizrenit kur erdhi lajmi: “Drejt detit,drejt Adriatikut”.
Pasardhësit e serbëve, që kishin humbur dikur betejën në Kosovë, tani sikur zbrisnin nga qielli…bile duan të ngulin flamurin e Serbisë edhe matanë shkrepave shqiptare dhe alpeve me dëborë, matanë foleve të shqiptarëve banditë, në Detin Adriatik.(2)
****
Dushan Batakoviç – profesor i historisë në Universitetin e Beogradit, ambasador:
1 – Dorde M.Suloviç: Srbi i Srbija sto godina posle Kumanovo.(Les serbes et la Serbie cent ans après Kumanova – Serbët dhe Serbia 100 vjet pas Kumanovës). Nemanja. 28;10. 2012. Fq. 2.
2 -Dragoljub M. Diniç. Prvi Put Kroz Albaniju sa Šumadijskim Albanskim Odredom 1912: Prizren-Drač. (Për herë të parë në Shqipëri. Me detashmentin shqiptar të Shumadisë në vitin 1912; Prizren-Durrës.) Kragujevac 1922. Fq.3-4.
Pas çlirimit të Prishtinës (22 tetor) dhe fitores në Kumanovë (23-24 tetor), mbaroi lufta për Serbinë e Vjetër dhe Maqedoninë. Në Kosovë dhe Metohi, serbët i pritën ushtritë serbe dhe malazeze me gëzim. E gjithë Armata e Tretë mori pjesë në një liturgji zyrtare në Graçanicë për të shënuar çlirimin e Kosovës. Autoritetet ushtarake kanë lëshuar proklamata në Prishtinë dhe në qytete të tjera. Nëpërmjet tyre u kërkohet shqiptarëve etnikë që të mos rezistojnë dhe të dorëzojnë armët. Çlirimi i Serbisë së Vjetër, megjithatë, nuk ishte objektivi përfundimtar i ushtrive serbe, ai kërkoi një “Shqipëri të Madhe” të pavarur, duke përfshirë qytetet e Manastirit, Janinës, Shkupit, Prishtinës dhe Prizrenit.
Duke hipur në një anije austriake, Qemali lundroi për në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Duke mbledhur në krah krerët feudalë e fisnorë të krahinave jugore, më 28 nëntor 1912 Qemali shpalli formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Qeveria e Përkohshme e Vlorës ishte një lodër në duart e Vjenës, pa asnjë ndikim në popull. Të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë, ishin të shkruara në turqisht; asnjë anëtar i kabinetit të tij nuk dinte të shkruante në gjuhën shqipe. Ismail Qemali ia besoi përgatitjen ushtarake udhëheqësve të refugjatëve nga Serbia e Vjetër, Riza Bej Kryeziut dhe Isa Boletinit.
Laku politik dhe ekonomik rreth Serbisë, i shtrënguar nga Austro-Hungaria që nga lufta (1906-1911) dhe aneksimi i Bosnjë-Hercegovinës e shtyu diplomacinë serbe të zgjidhte çështjen e pavarësisë së saj politike dhe ekonomike duke kërkuar një dalje të lirë në Adriatik. Kjo ishte diçka e ngjashme me projektin e paraqitur nga Ilija Garashanin. Vendosmëria e qeverisë serbe për të avancuar drejt bregdetit të Adriatikut, në një zonë etnike shqiptare, bazohej në vlerësimin se shqiptarët etnikë nuk ishin “një popull i vetëm, por fise të ndara dhe të largëta ndaj njëri-tjetrit, pa gjuhë, alfabet dhe fe të përbashkët”.
Në fund të shtatorit 1913 rreth 10.000 shqiptarë etnikë pushtuan territorin serb nga dy drejtime – Maqedonia Perëndimore dhe drejt Gjakovës e Prizrenit. Nismëtare e sulmit ishte Austro-Hungaria. Ismail Qemali urdhëroi krerët e refugjatëve shqiptarë, Bajram Currin, Isa Boletinin, Riza Beun dhe Elez Isufin që të sulmonin Serbinë me njerëzit e tyre, duke premtuar se me ndihmën e Monarkisë së Dyfishtë dhe Italisë, të gjitha territoret e pushtuara do t’i përkasin Shqipërisë. Esad Pasha nuk pranoi të bashkohej me ta dhe e paralajmëroi Serbinë që të mos e miratonte veprimin e tyre.
Trupat e dobëta kufitare serbe dhe disa njësi të xhandarmërisë nuk mundën t’i bëjnë ballë sulmit. Në pjesën jugore, të komanduar nga komitaxhinjtë bullgarë, kryengritësit arrijnë të marrin Dibrën, Ohrin dhe Strugën dhe të përparojnë drejt Gostivarit. Në veri, Isa Boletini, Bajram Curri dhe Qazim Lika marrin Lumën, rrethojnë Prizrenin dhe, pak më pas, pushtojnë Gjakovën. Në fillim të tetorit dy divizione, trupat e rajoneve të reja, përparuan drejt Shkupit dhe, pasi dëbuan shqiptarët etnikë nga territori serb, kaluan në Shqipëri për të vazhduar ndjekjen e tyre.
Njëkohësisht, me ndihmën e shërbimit sekret austro-hungarez, krerët shqiptarë – Bajram Curri dhe Isa Boletini po përgatiteshin për një inkursion të ri në Serbi. Në fund të marsit 1914, disa qindra shqiptarë etnikë kaluan kufirin, pasi morën vesh se në disa fshatra afër Rahovecit kishte shpërthyer kryengritja kundër serbëve. Kryengritja u përhap në katër fshatra. Curri dhe Boletini planifikonin të sillnin anëtarë të Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit në zonat rebele, ku shqiptarët etnikë vendas do të shprehnin dëshirën e tyre që Gjakova, Peja, Prizreni dhe rajonet deri në hekurudhën Urosevc (Ferizaj) – Mitrovicë, t’i aneksoheshin Shqipërisë.
Inkursionet në Serbi, por mbi të gjitha përleshjet me pikat kufitare dhe xhandarët, nuk kanë pushuar kurrë që nga fillimi i luftës. Edhe nëse janë të pakta në numër dhe gjithmonë kontrollohen shpejt, ato po shqetësojnë gjithnjë e më shumë qarqet kompetente në Serbi. Kur një diplomat serb raportoi në fund të majit se pozicioni i Esad Pashës ishte i pashpresë dhe se çetat shqiptare kishin sulmuar më pas kufirin serb në dy vende, qeveria serbe vendosi të lëvizte ushtrinë e saj dhe të merrte pozicione strategjike në Shqipëri. Rreth 20.000 trupa serbe pushtuan Shqipërinë nga tre drejtime. Shqiptarët etnikë shmangën përballjen me formacionet e mëdha ushtarake; ata preferuan t’u zinin pusi ushtarëve dhe refugjatëve në vështirësi në grykat e larta, pastaj t’i sulmonin.
Betejat më të vështira u zhvilluan në Mirditë nga një regjiment i kombinuar i ushtrisë serbe, të cilit i zunë pritë në grykën e lumit Fan. Rreth 800 shqiptarë etnikë, të komanduar nga një vëlla katolik, nuk e lanë ushtrinë të kalonte. Ndërsa korpusi i trupave vazhdoi të përparonte drejt Malit të Zi, shqiptarët etnikë, në fund të tetorit, filluan të sulmonin ushtarët e vetmuar, shqiptarët etnikë filluan të sulmojnë autoritetet civile dhe ushtarake serbe, ndërsa urdhri për dorëzimin e armëve u prit me rezistencë të fortë. U sulmuan ndërtesat zyrtare, fshatrat dhe garnizonet e vogla ushtarake, ndërsa në nëntor dhe deri në mes të dhjetorit fshatra të tëra në Drenicë dhe rreth Pejës u boshatisën nga autoritetet serbe.
Monarkia austro-hungareze po shpërbëhej. Në Beograd, më 1 dhjetor 1918, u shpall bashkimi i serbëve, kroatëve dhe sllovenëve në një mbretëri të vetme nën dinastinë Karagjorgjeviç. Në Kosovë autoritetet ushtarake dhe civile nuk patën kohë të gëzohen. Qëndresa shqiptare, e ndihmuar nga trazirat në Shqipëri, dhe me Italinë pas saj, paralajmëroi një lëvizje të re, atë të kaçakëve. Dy përleshje të armatosura ballkanike dhe një globale i kanë thelluar urrejtjet e vjetra dhe kanë krijuar urrejtje të reja mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë. (1)
—
Dy luftëra të bëra nga Serbia dhe Mali i Zi, mbështetur nga perandoria ruse, kundër otomanëve (1876,1877-1878), përfunduan me disfatën e myslimanëve pro-otomanë dhe me emigrimin e së paku 30.000 shqiptarëve nga tokat e çliruara: Serbia e sotme juglindore dhe ish Sanxhaku i Nishit. Nga ana tjetër, dhjetëra mijëra serbë u larguan nga pjesët e Serbisë së Vjetër, kryesisht nga Kosova… për të arritur në rajonet e reja të çliruara. Numri i saktë i tyre nuk është përcaktuar ndonjëherë. Para luftës serbo-otomane (1877-78), shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në disa zotërime të Sanxhakut të Nishit (rajoni i Toplicës), ndërsa serbët ishin shumicë në Vranje. Fshatrat shqiptare u boshatisën pas luftës së viteve 1877-1878. Duke mos pranuar humbjen e privilegjeve të tyre feudale në një shtet kristian të tipit europian, shumica e shqiptarëve myslimanë emigruan në drejtim të Metohisë dhe Kosovës, duke shfryrë zemërimin e tyre mbi banorët serbë. (1)
1 – Dushan T. Batakoviç. Les Chroniques du Kosovo. Liberation du Kosovo et de la Metohie. (Kronikat e Kosovës. Çlirimi i Kosovës dhe Metohisë). Balkania. Net. 1999.
—
Me Luftën e parë Ballkanike (1912) ndryshoi gjendja. Një sërë rebelimesh shqiptare (1910-1912) përshpejtuan formimin e një Aleance Ballkanike (Greqi, Serbi, Bullgari, Mali i Zi). Pashiçi u ofroi krerëve shqiptarë një “marrëveshje mbi bashkimin e serbëve dhe shqiptarëve në vilajetin e Kosovës”. Sipas kësaj marrëveshjeje shqiptarët etnikë do të gëzonin në mbretërinë e Serbisë lirinë fetare, përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe administratën bashkiake. Në një mbledhje të madhe, që u bë në Shkup më 10 tetor (pastaj në Prishtinë dhe Dibër), shqiptarët vendosën për të mbrojtur me armë atdheun e tyre otoman dhe për të përdorur armët e marra nga Serbia kundër Serbisë.(2)
—
Në fund të korrikut 1914, dy ditë para se Vjena t’i deklarojë luftë Serbisë, funksionarët konsullorë austro-hungarezë në Shqipëri morën urdhër për të furnizuar dhe për të mbështetur kryengritjen shqiptare në tokat serbe me të gjitha mundësitë financiare dhe ushtarake. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në mërgim, Bajram Curri, Hasan bej Prishtina, Isa Boletini, kanë marrë një mbështetje të rëndësishme si edhe armë e municion nga Austro-Hungaria për të përgatitur kryengritje të armatosura dhe për të shpërthyer një rebelim shqiptar në shkallë të gjerë në trojet e mbajtura nga serbët në Kosovë e Metohi dhe në veriperëndim të Maqedonisë. 3)
Kur gjatë tërheqjes, ushtria serbe… arriti në Kosovë, sabotimet dhe atentatet nga ana e shqiptarëve nuk ishin të pakta. Në shumë fshatra të Kosovës shqiptarët nuk pranuan të furnizojnë me ushqim, duke mos bërë asnjë dallim midis ushtarakëve dhe refugjatëve civilë. Në Istog, një qytet i vogël në Metohi, më 29 nëntor 1915 një kolonë serbe e stërlodhur, duke ndjekur kolonën kryesore ushtarake, u masakrua prej banditëve shqiptarë. Pranë manastirit të Shën Markut të Koricës (Sv. Marko Koriski) në rrethinat e Prizrenit, shqiptarët e klanit Kabash çarmatosën, vodhën dhe ekzekutuan tradhtisht rreth gjashtëdhjetë ushtarë serbë.
Pas tërheqjes së ushtrisë serbe nga Peja, shqiptarët plaçkitën shumë shtëpi dhe dyqane serbe. Shqiptarët ngritën gjithashtu një pusi pranë Mitrovicës (së Kosovës), duke vrarë ushtarë të dërrmuar dhe duke vjedhur refugjatë të paarmatosur. Një numër krimesh janë kryer kundër popullsisë civile serbe në Suha Reka e gjetkë në rajonet e banuara nga shqiptarë, në rajonin e Kosovës gjithashtu. (1)
****
1 -Dushan T. Batakoviç. Serbia’s Kosovo Drama. A Historical Perspective, Belgrade. (Drama Serbe e Kosovës. Një Perspektivë Historike). Čigoja štampa, 2012. Fq.58-59.
2 – Po aty. Fq.74-76.
3 – Po aty. Fq.78.
****
Dushan Popoviç – gazetar, publicist dhe politikan, sekretar i Partisë Socialdemokrate Serbe (SSDP):
Edhe ekspedita e dytë kundër Shqipërisë përfundoi me thyerjen e plotë të qeverisë serbe. Austro-Hungaria më 5 tetor i ka dërguar Serbisë ultimatumin, me të cilin e urdhëron që të tërheqë brenda 8 ditëve të gjitha trupat e saj nga territori i Shqipërisë autonome. E shtangur dhe e frikësuar nga hapi i papritur i diplomacisë austriake, qeveria serbe e bindur deklaroi se do të veprojë menjëherë sipas urdhrit. Dhe kështu, ndërsa fqinji na qëndron me grushtin e ngritur mbi kokë, trupat tona, të cilat harxhuan kot gjithë atë gjak për pikat strategjike, tërhiqen shpejt dhe të turpëruara andej nga erdhën.
Fund tjetër nuk shpresonim. Përse qeveria e Vjenës ndërmori këtë veprim kaq brutal…? Të gjitha hipotezat janë të mundshme dhe pa dyshim secila prej tyre përbën, të paktën deri diku, një pjesë të arsyes se përse u mor vendimi. Por ne mendojmë se ka edhe diçka tjetër në këtë mes. Ne mendojmë se vendimi për ultimatumin austro-hungarez ka qenë i nxitur, në mos i provokuar, nga qëndrimi mizor i qeverisë sonë dhe i komandës sonë ndaj popullit në Shqipëri. Të dhënat, nga burime të besueshme, për veprimet e ushtrisë serbe në krahinat që kishin ngritur krye, janë të tmerrshme, madje edhe po t’i marrësh me pak rezervë.
1 – Dushan T. Batakoviç. Serbia’s Kosovo Drama. A Historical Perspective, Belgrade. (Drama Serbe e Kosovës. Një Perspektivë Historike). Čigoja štampa, 2012. Fq.79.
Aty plaçkitet, shkatërrohet, digjet, rrënohet, theret, asgjësohet gjithçka që në embrion. Turgut Shefqet Pasha duhet të zbehet nga zilia, përpara kolonelit Damjan Popoviç. Dhe, sa të grumbullojmë më shumë fakte e dëshmi, ne do të fillojmë fushatën më të ashpër kundër kësaj politike, e cila aspiratën e popullit serb për përparim ekonomik e degradoi në një përpjekje të ndyrë për përdorim dhune. Dhe atëherë s’kemi përse të befasohemi nga fakti që Austria, e cila interesohet për popullin shqiptar, jo për Shqipërinë, por edhe për vete, me ultimatum i jep fund këtij asgjësimi të rrufeshëm dhe të tërbuar të një kombi. (1)
****
Ivan Lovriç – gazetar:
Beteja për Kosovën nuk është ndërprerë. Si sot, ashtu edhe njëqind vjet më parë. Dhe në këto muaj vjeshte Serbia po feston njëqindvjetorin e Luftës së Parë Ballkanike. Dhe për fat të keq ajo ende po bën një betejë për Kosovën dhe Metohinë e saj. Familja Dukiç ruan një letër, të shkruar saktësisht njëqind vjet më parë. Është e datës 26 nëntor 1912. Është dërguar nga fusha e betejës afër Mitrovicës, nga Kosova. Letra i drejtohet stërgjyshit tonë Milanit, ndërsa djali i tij dhe gjyshi ynë Dragomir, rreshter artilerie, e çliruan Kosovën nga zgjedha shekullore turke – thonë për “Novosti” nipërit e Dragomirit, Ilija dhe Aleksandri.
Me këtë letër ushtarët e llogores urojnë Milan Dukiçin, babain e bashkëluftëtarit të tij Dragomir, për festën e pagëzimit të Shën Olimpias.
1 – Dushan Popoviç. Borba. 16.10.1914. Fq. 33-37.
Letra është zverdhur, boja e purpurt është zbehur pas kaq shumë vitesh. Por jo kujtimi i nipërve të tij mbi gjyshin dhe heronjtë e tjerë, që nuk kursyen as jetën për lirinë e Kosovës.
– Letrën, kartën e urimit, e kanë dërguar bashkëluftëtarët e gjyshit tonë Dragomir Dukiç, nënoficerë, artiljerë, duke e quajtur veten “hakmarrës të Kosovës” – na thanë vëllezërit Dukiç. –
– Ne nipër e mbesa, këtë letër të gjyshit e kemi ruajtur dhe vendosur në kornizë. Ajo, në shtëpinë tonë, qëndron nën ikonën e lavdishme të Shën Olympias – thotë Dukiçi. – Njëmbëdhjetë Dukiçë u larguan nga Donja Shatornja gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe të gjithë u kthyen të gjallë. Por, në Luftën e Parë Botërore, gjysma e tyre lanë eshtra në fushëbetejat e Serbisë së Vjetër.
– Nga vatra e stërgjyshit tonë, Milanit, nga kodra ku ishin shtëpitë e Dukiçit, në Luftën e Parë Botërore shkuan të pesë djemtë. Tre nuk u kthyen nga ajo luftë e madhe: gjyshi i tyre Dragomir Dukiç, rreshter artilerie, vdiq në moshën 35 vjeçare në fillim të vitit 1915, vëllai i tij Dragutini, nën rreshter i këmbësorisë, vdiq në vitin 1915, në moshën 26 vjeç, dhe vëllai i tyre Tihomir, nën rreshteri i këmbësorisë, vdiq në afërsi të Manastirit në vitin 1916, në moshën 35 vjeçare. (1)
****
Ivo Andriç, shkrimtar – fitues i çmimit Nobël për letërsinë:
Për ne, ndarja e Shqipërisë nuk mund të shihej ndryshe por vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e pashmangshme, së cilës nuk mund t’i rezistosh, por edhe si një e keqe e madhe nga e cila duhej përfituar sa më shumë të jetë e mundur. (2)
1 – Ivan Lovriç. Dukići čuvaju pismo staro sto godina! (Dukiçët ruajnë një letër njëqindvjeçare!) Novosti. 01.12.2012.
2 – Ivo Andriç (Étude d’Ivo Andrić, 89). Cituar nga Dimitrije Bogdanović në Knjiga o Kosovu.(Libër mbi Kosovën). Srpska Akademija nauka i umetnosti. — Posebna izdanja. — Knjiga DLXVI. — Primljeno na 7. Skupu Odeljenja jezika i književnosti, 25. decembra 1984, na osnovu prikaza samog autora. — Beograd, 1986.
—
Me ndarjen e Shqipërisë do të zhduket dhe qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në gjendjen e re të krijuar, do të asimilohet më lehtësisht. Ne do të kemi, me këtë rast, 200.000 deri në 300.000 më tepër shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, dhe marrëdhëniet e tyre me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë asnjëherë të mira. Në kushtet e reja do të kryhej çështja e largimit të myslimanëve shqiptarë për në Turqi, nuk do të kishte më asnjë veprim të fortë për ta penguar. (1) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016