Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ Më 28 nëntor të vitit 1938, me rastin e festës së Pavarësisë, në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të rëndësishme të vendit, me një fjalim të mbajtur në mikrofonin e Radio Tiranes, Mbreti Zog i Parë, përuroi ngritjen e këtij institucioni, që ndër vite u bë kaq i dashur dhe popullor edhe për shqiptarët jashtë atdheut. Me këtë rast, po botojmë dossierin ’85 vjet të Radio Tiranes’, përgatitur nga gazetari dhe shkrimtari Skifter Këlliçi, i cili ka punuar për 40 vjet në Radio Tirana, (1959-1999), së pari redaktor dhe pastaj komentator sportiv.
Kjo ndodhi një mbrëmje pranvere të vitit 1943. Kur babai diç lëvizi poshtë nga e majta e një kutie të bukur, në ngjyrë të murrme, të cilën sapo e kishte sjellë në shtëpi dhe kur prej saj në dhomë u përhapën tingujt e një melodie, unë mbeta i mbërthyer nga habia. “Ç’është kjo”?!- e pyeta atë. “Radio, nga ku do të dëgjosh këngë, zëra në gjuhën tonë dhe të huaj”, – m’u përgjigj ai.
Mbeta edhe më i habitur. Si ishte e mundur që nga ajo kuti magjike, e quajtur radio, të përhapeshin zëra të tillë?! Ç’fshihej brenda saj?! Këto do t’i mësoja më vonë, sepse atëherë unë nuk isha veçse pesë vjeç. Dhe do të vinte dita që edhe unë të punoja si gazetar në atë ngrehinë, të quajtur Radio-Tirana.
Duke u mbështetur në librin tim ‘Historia e Radiotelevizionit, (1938-1990), në këtë cikël dossier, do të përshkruaj ngjarje nga më të rëndësishmet e këtij institucioni, kaq popullor për çdo shqiptar, deri në vitin 1990, pra gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Jo më kot: më 28 nëntor të këtij viti Radio Tirana mbushi 85 vjet.
Dëshira dhe zhgënjime, për ndërtesën e re të Radio-Tiranës
Edhe tani që shkruaj këto radhë, ndërmend kujtime që lidhen me këtë ngrehinë, që do të jenë pikënisja e këtij cikli. Ishte ditë e hënë, 5 dhjetor i vitit 1965, kur ne, punonjësit e Radio-Tiranës, nisëm punën në mjediset e saj, që kishin ndryshim të pakrahasueshëm me ato të Radio-Tiranës së mëparshme.
Ishte sendërtimi i një ëndrre që kishte filluar që një mbrëmje shtatori të vitit 1959, kur në sallën e TOB-it, (sot Akademia e Arteve të Bukura), me rastin e muajit të miqësisë me Bashkimin Sovjetik, ishte organizuar një mbledhje madhështore. E aty, midis të tjerash, një nga drejtuesit kryesorë të delegacionit që kishte ardhur me këtë rast nga Moska, veç të tjerash, dha njoftimin se qeveria sovjetike, do t’i jepte si dhuratë popullit vëlla shqiptar, një pallat të madh kulture dhe godinën e re të Radio Tiranës.
Unë sapo kisha nisur atë kohë punën si redaktor në Radio. Dhe, të them të drejtën, u gëzova pa masë. Së bashku me mua, natyrisht edhe punonjës të tjerë të këtij institucioni. E vërteta ishte se studiot e regjistrimit, të të dy godinave të Radios, ishin thuajse primitive. Gjate regjistrimit madje edhe transmetimit, meqë muret e saj nuk kishin trashësinë e duhur, futeshin lloj-lloj zhurmash, bile edhe kakarisja e ndonjë pule.
Pale, pastaj, pallja e një lope që ndodhej në oborrin e shtëpisë, pranë godinës shtojcë të Radios, për të cilën kam shkruar ndodhinë “Lopa që tmerronte Radio Tiranën”, përfshirë në librin “Çelentano dhe polici”, botuar më 2014. Mungonte ajri i kondicionuar, aparaturat qenë tejet të përdoruara, zyrat të pajisura me orendi të vjetra, mungonin edhe shumë gjëra të tjera…!
Mirëpo, prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, në dhjetor të vitit 1961, solli si pasojë që të ndërpriteshin edhe shumë marrëveshje e projekte, midis të cilave edhe ajo e ngritjes së ndërtesës së re të Radio-Tiranës dhe e të Pallatit të madh të Kulturës. Atëherë të dyja këto objekte të rëndësishme, me vendim të Komitetit Qendror të PPSh-së u vendos të ndërtoheshin me forcat tona. Kjo ishte një nga sfidat që Partia e Punës, i bënte revizionistëve sovjetikë. Dhe ja se si…!
Si nisi të ngrihej ndërtesa e re e Radio Tiranës?
Në një relacion të drejtorisë së Radio-difuzionit të datës 20.5.1960, për investimet e pajisjeve të importit për planin e tretë pesëvjeçar, theksohej: “Më 1962-’63, do të kalohet në godinën e re. Aparaturat do të vijnë nga Bashkimi Sovjetik. Investimet për godinën e re të Radios, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, do të kushtojnë rreth 75 milionë lekë…”!
Në qoftë se projekti për ndërtimin e godinës së re, do të kishte nisur të realizohej që në atë periudhë, atëherë, shumë-shumë, më 1964, emisionet e Radio Tiranës do të kishin nisur të transmetoheshin pikërisht nga kjo godinë. Mirëpo kjo, për arsyet që përmendëm më sipër, nuk ndodhi. Fondet për ndërtimin e kësaj godine, me gjithë aparaturat e nevojshme, nuk erdhën.
Kaluan kështu dy vjet, gjatë të cilave Radio-Tirana përjetonte të njëjtat vështirësi…!
Dhe ja, më 27.9.1962, midis porositësit, të përfaqësuar nga Petro Kito, nëndrejtor i Radio Tiranës, dhe Ndërmarrjes së Ndërtimit “21 Dhjetori”, të përfaqësuar nga Nexho Konomi, u nënshkrua kontrata, për ndërtimin e godinës se re të Radio Tiranës, (Dosja 9, Fondi i RTVSH-së, Arkivi i Shtetit). Sipas këtij dokumenti, vlera e përgjithshme përcaktohej me çmimet e preventivit, që kapnin shumën 100.000 milionë lekë.
U vendos që godina e re e Radio-Tiranës, të ngrihej në një zonë të qetë, ndonëse disi larg qytetit. Por, po të marrim parasysh se, për të parë një ndeshje futbolli qytetarët duhet të bënin më këmbë edhe 100 metra të tjera, kuptohet se kjo largësi, nuk përbënte ndonjë problem, jo vetëm për punonjësit, por edhe bashkëpunëtorët e saj, që ishin të shumtë.
Më 1964, punimet për ndërtimin e godinës së re, siç dëshmohet në një shkresë të 15 prillit të atij viti që drejtoria e Radio Tiranës i dërgonte Kantierit nr. 2 të N.SH.N. “21 Dhjetori”, ku vinte në dukje tashmë ishin siguruar materialet e importit, në të cilat përfshiheshin; kabllo, priza, pulte, transformatorë, e aparatura të tjera teknike, për studiot e sallat e regjistrimit, vazhdonin me ritëm të lartë. (Dosja 8, Fondi i RTSH-së, Arkivi i Shtetit).
5 dhjetor 1965- në godinën e të Radios
Qe ditë e hënë, disi e vrenjtur, kur emisionet e Radios, nisën nga studiot e reja. U bë në fakt, një punë e shkëlqyer. Nuk ishte fjala për zhvendosjen fizike të Radios, sepse kjo thuajse nuk ndodhi. Të tëra aparaturat ishin të reja, ashtu si vetë studiot, duke përjashtuar disa magnetofon gjermano-lindorë, që u morën nga studiot e vjetra, e ndonjë sovjetik. Por, megjithatë, pati vështirësi jo vetëm në instalimin e aparaturave të reja, kryesisht kineze, por në kolaudimin e tyre, në mënyrë që transmetimet e emisioneve, të mos kishin as më të voglin defekt.
Dhe kjo u arrit falë punës së grupit teknik, të kryesuar nga inxhinieri i talentuar, Emil Plumbi, me bashkëpunëtorët e tij më të afërm, shefin teknik, Spiro Qirko, inxhinierët e tjerë, Sali Mensori, Gaqo Konomi, Gjergj Shteto, etj., së bashku me specialistët kinezë, që punuan krahas tyre. Sinjalet e emisioneve nga studiot, pas provash të vazhdueshme dhe intensive, kaluan atë ditë në radiostacione, nga ku u transmetuan në mënyrë të përkryer, në tërë territorin e Shqipërisë, e jashtë saj.
Që nga viti 1961, pas prishjes së marrëdhënieve më Bashkimin Sovjetik, Radio e Jashtme, që deri atëherë kishte transmetuar emisione vetëm në gjashtë gjuhë të huaja; greqisht, serbo-kroatisht, italisht, frëngjisht, anglisht dhe arabisht, kishte nisur të transmetonte edhe në rusisht, bullgarisht, gjermanisht e më pas, do të niste emisione në çekisht, hungarisht, për të vazhduar në gjuhë të tjera, si polonisht, portugalisht, spanjisht…!
Ngrehina e re Radio-Tiranës i siguronte ato, ndonëse, me kalimin e viteve, siç do të shohim në pjesët e tjera të këtij cikli, edhe këto studio u bënë të pamjaftueshme, për shkak se me vendim të Komitetit Qendror të PPSh-së u shtuan edhe gjuhë të tjera, si indonezisht, turqisht, suedisht, persisht, kinezisht, madje edhe suedisht, në mënyrë që zëri i Partisë dhe i diktatorit, Enver Hoxha, të shtrihej në tërë rruzullin tokësor dhe “të frymëzonte tërë popujt e botës të luftonin kundër shfrytëzimit imperialisto – revizionist”(!?).
Prapa vështrim historik – Përpjekje për ngritjen e Radio Tiranës, (1937-‘38)
Më datën 7 korrik të vitit 1938, me një dekret-ligj të propozuar nga kryeministria, numër 45/89, Mbreti Zog aprovonte ngritjen e një stacioni të Radio-Tiranës, në të cilin thuhej: “Autorizohet qeveria mbretërore, në marrëveshje me një shtëpi të specializuar, të ngrehë këtu në Tiranë, një radiostacion për radiotelegrafi, radiotelefoni dhe radiodifuzion, me fuqi 3 kw…! Shuma e përgjithshme e shpenzimeve, do të jetë 122 mijë e 500 franga ari”. (“Fletorja Zyrtare” nr. 15, 21 korrik 1938).
Kështu, më së fundi, realizohej një dëshirë e madhe dhe nevojë e madhe që ishte shprehur sa e sa herë në shtypin tonë gjatë asaj periudhe. Për këtë mjafton të shkëpusim fragmente nga shumë gazeta të kohës: “Radioja, një dritare që vështron në të gjithë botën”, (“Diana”, prill, 1937), “Rëndësia e radios -ngritja e një stacioni të tillë në Shqipëri”, (“Drita”, 16 maj 1937), “Shënime e komente për një stacion radiofonik”, “Ç’u bë me Radio Tiranën”, (“Shtypi”, 19 mars 1938) dhe një sërë artikujsh të botuar gjatë kësaj periudhe nga Gjergj Bubani, publicist i njohur i atyre viteve, kryesisht në “Drita”, i cili më pas, do të bëhej edhe drejtori i parë i Radio Tiranës.
Duhet thënë se; për t’i dhënë më shumë solemnitet 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1937, u arrit që tërë veprimtaritë e zhvilluara atë ditë, të përcilleshin edhe me anë të Radios. Për këtë qëllim, erdhën në Shqipëri teknikë nga firma e njohur “Philips”, që njihej në tërë botën”. Por vetëm kaq.
Ndaj, me kalimin e kohës kjo kërkesë e madhe nisi të shtrohej edhe më shumë. Ja përse në gazetën “Shtypi” të datës 22 maj 1938 shkruhej:” Ata që kanë radio dhe tani presin çdo mbrëmje orën e caktuar, për të hapur stacionin e Radio Barit, i cili me lajmet që jep në gjuhën shqipe edhe në disa raste edhe muzikë, i ka sjellë një shërbim të çmueshëm popullit shqiptar, paskëtaj, do të marrin nga stacioni i Tiranës, transmetime të ndryshme, lajme, këngë, muzikë kombëtare…”!
(Shtojmë me këtë rast, se në bazë të një marrëveshjeje me qeverinë italiane ishte arritur atëherë që nga Radio Bari të transmetohej çdo ditë në gjuhën shqipe një program prej gjysmë ore, ku përfshiheshin lajme nga Shqipëria, nga bota dhe programe muzikore).
Dhe ja, pas kaq përpjekjesh, vijmë në kohën kur pas aprovimit të dekret-ligjit nga Mbreti Zog, Radio-Tirana të nisë programe të rregullta, që u vendos të fillonin më 28 nëntor, me rastin e ditës së Pavarësisë. Por më parë, u deshën disa muaj provash dhe transmetimesh eksperimentale, për të arritur në emisione të rregullta.
Për këtë qëllim, në datat 29, 30 dhe 31 gusht nga Radio-Tirana u transmetuan festimet me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Mbretërisë, ku përfshiheshin mesazhi i kryeministrit drejtuar popullit shqiptar me këtë rast, koncerte dhe veprimtari kulturore.
Madje në këto programe, u përfshi edhe transmetimi i një ndeshjeje futbolli, zhvilluar në fushën e “Shallvares” në Tiranë, midis Sport-Klub Tiranës dhe “Iraklisit” të Kavallës, (Greqi), që u fitua 7-0 nga tiranasit, ndeshje e komentuar për herë të parë nga komentatori i njohur, Anton Mazreku. Këto programe patën jehonë në tërë Shqipërinë dhe ishin një bazë e madhe sigurie tashmë për përurimin e Radio Tiranës.
Ku ishte vendosur Radio Tirana?
Ishte shumë e vështirë që brenda një kohe të shkurtër, të ndërtohej një godinë e posaçme, ku të vendosej Radio-Tirana. Ishte madje e vështirë të gjendej edhe një godinë e përshtatshme. Kësisoj, selia e parë e Radios u bë…Bashkia. Ajo ishte nga ndërtesat më moderne të Tiranës së atyre viteve, ngritur në Sheshin “Skënderbej”, që u prish në fillim të viteve ‘80-të, për t’ia lënë vendin Muzeut Historik Kombëtar.
Pikërisht në dy nga dhomat e mëdha të katit të dytë Bashkisë, u vendos Radio Tirana. Në njërën u instaluan ato pak aparatura dhe tryeza e punës së redaktorëve të parë dhe në dhomën tjetër, studioja e folësve, që shërbente, gjithashtu, edhe si sallë për transmetimet e programeve muzikore, që ishin të drejtpërdrejta, meqë kuptohet se deri në atë kohë nuk ishte shpikur ende magnetofoni.
Kështu, më 28 nëntor të vitit 1938, me një përshëndetje të mbajtur nga Mbreti Zog, i shoqëruar nga Mbretëresha dhe drejtori i parë i Radio-Tiranës, Gjergj Bubani, në orën 12.00, Radio-Tirana nisi emisionin e saj të parë, paraqitur nga folësja e njohur Kaliopi Nushi, (Plasari). Më 29 nëntor, gazeta “Drita”, njoftonte midis të tjerash: “Naltmadhnia, Mbreti dhe Mbretëresha, inauguruan solemnisht Radiostacionin. Në qendrën e radiostacionit që gjendet në Laprakë, ishin përqendruar autoritete e larta civile e ushtarake të vendit”.
Një njoftim të tillë jepte edhe “Gazet e Korçës” e po kësaj date: “Me çeljen e këtij stacioni u plotësua me sukses një mungesë e dukshme. Është e vërtetë që shërbimin e lajmeve në gjuhën shqipe e kryente me mirëdashje Radiostacioni i Barit, me shërbimin e tij të përditshme, gjithashtu me emisione të rralla koncertesh, por këto nuk mjaftonin”!
Për sa i përket funksionimit të Radio-Tiranës, na vjen në ndihmë përsëri artikulli mësipërm, ku shkruhet: “Transmetimi i emisioneve radiofonike, do të jepen në sallën e Bashkisë, ku është instaluar në një dhomë të posaçme, aparati marrës i stacionit të Romës. Kurse stacioni kryesor dhënës, është instaluar, siç dihet, në Laprakë…! Stacioni i tërë përmban një aparat madhështor, që zë një sallë prej afër tetë metrash gjatësi.
Atje përmblidhen të gjitha veglat dhe instalimet që do të veprojnë për transmetimin e emisioneve në çdo orë. Siç është njoftuar dhe më parë, stacioni radiofonik ka fuqi në antenë prej 3 kv…! Emisionet do të jepen me valë të shkurtra 40 m. Stacioni është ndërtuar prej ofiçinës “Radio Markoni” të Xhenovës….me famë botërore… fjala e fundit e teknikës”. Përurimi dhe transmetimi i programeve të para të Radio- Tiranës, më 28 nëntor 1938, u pasqyrua përsëri gjerësisht nga shtypi.
Në një artikull tjetër të datës 30 nëntor, gazeta “Drita” shkruan: “Dita e parë e emisionit radiofonik në Tiranë pati sukses të bukur që pritej. E gjitha Shqipëria, por edhe ata që së largu ndjekin jetën e atdheut tonë, do të kenë kaluar disa orë gëzimi të brendshëm, që rrjedh nga kënaqësia që jep një vepër kombëtare e realizueme. Publiku mbeti i prekun prej këngëve vendase, të këndume prej sopranove Marie Paluca e Tefta Tashko. Kjo ishte dita e parë e stacionit radiofonik të Shqipërisë”.
Kam pasur rastin në nëntor të vitit 1993, të përgatis një emision televiziv kushtuar 55-vjetorit te krijimit të Radio- Tiranës dhe të intervistoj këngëtaren tonë të madhe, Marije Paluca, (Kraja), e cila atëherë m’u shpreh kështu në mikrofonin e RTSH-së: “Emocionet që ndjeva atë ato çaste kur këndoja më 28 nëntor të vitit 1938, do të mbeten të pashlyera.
Kisha kënduar plot herë para publikut shqiptar, së bashku me këngëtaren dhe shoqen time Tefta Tashko, shoqëruar në piano nga Lola Aleksi, (Gjoka), dhe Tonin Guraziu. Por në salla të vogla, ku na dëgjonin jo më shumë se 300-400 artdashës. Kurse, duke kënduar nga studioja e vogël e Radio-Tiranës, e merrja me mend se ishin me mijëra dëgjues, të cilët qëndronin pranë aparateve të Radios.
Këta spektatorë unë nuk shihja, por i përfytyroja. Dhe kjo më emociononte edhe më shumë, kur mendoja se ata ndodheshin anë e kënd Shqipërisë dhe, madje, jashtë kufijve të saj. Kisha ndier kënaqësi kur kisha kënduar një vit më parë, në emisionin shqip të Radio Barit, por kjo nuk mund të krahasohej me kënaqësinë që ndieja, kur këndoja ne Radio Tirana, sepse këndoja për dëgjuesit shqiptarë nga Shqipëria, të cilët më shpërblenin me mirënjohjen e tyre të thellë”.
Programet e para të Radio Tiranës, nuk kalonin më shumë se tri orë në ditë, por, sidoqoftë, qenë të pasuara. Ja, për shembull, programi i ditës së parë: “13.00, ora ekzakte-në fjalë me dëgjuesit; 13.10 – radio-fletore; 13.25 – muzikë e lehtë; 14.00 mbyllja e emisionit.
Në mbrëmje: 19.00 – ora ekzakte dhe programi: 19.02- zoti Rrok Gera, ministri i Ekonomisë Kombëtare, çel vargun e konferencave radiofonike; 19.15 – muzikë koncertesh; 20.00- radio-fletore; 20- 15 muzikë vallëzimi; 20.45 – mbyllja e emisioneve.
Duhet të kemi parasysh se Radio-Tirana e nisi dhe e vazhdoi veprimtarinë në kushte shumë të vështira. Kjo vërtetohet edhe nga një artikull botuar në gazetën “Bashkimi i Kombit” më 9 prill 1944, ku, ndër të tjera, theksohet: “Një nëpunës, disa bashkëpunëtorë dhe një shërbëtor. Buxheti, 4000 franga për pesë muaj.
Nga 28 nëntor 1938 – 1 prill 1939, kur do të dilte buxheti i ri i Ministrisë së Kulturës Popullore, këto 4000 franga, kishin tepruar nga fondi i paracaktuar për goditjen e stacionit radiofonik të Laprakës, nga inxhinier Ndoc Saraçi, i cili i vuri në dispozicionin e radiostacionit. Me 4.000 franga një nëpunës, mobilie të marra hua dhe 140 disqe gramafoni, e ka filluar veprimtarinë e vet Radio Tirana…”!
Drejtori i parë i Radio-Tiranës, siç e përmendëm më lart , u emërua Gjergj Bubani, (1894-1954). Ai kishte ardhur në mesin e viteve ’30-të nga Rumania, ku ishte shquar për veprimtarinë e tij atdhetare, veçanërisht në fushën e publicistikës. I pajisur me kulturë të gjerë dhe njohës i katër gjuhëve të huaja, (rumanisht, greqisht, italisht, frëngjisht), ai luajti rol të rëndësishëm në ngritjen cilësore të emisioneve të Radio Tiranës, e cila po bënte hapat e saj sa të parë dhe të vështirë, që kështu të fitonte tiparet të një radioje kombëtare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016