Nga Josef Jakoel
Pjesa e dytë
-IZRAELITËT NË SHQIPËRI, NGA SHEKULLI XIX, DERI NË PRAG TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE-
Memorie.al / Për izraelitët në Shqipëri ka pak njoftime për periudhën e kohës që shtrihet nga fillimi i shekullit XVIII-të e deri në fillimin e shekullit XIX-të. Në Shqipëri kanë ardhur izraelitë të veçuar, por këta s’kanë hedhur rrënjë dhe as kanë formuar bashkësi të qëndrueshme. Në zërin “Avlona” të enciklopedisë Eshkol (Berlin 1929) thuhet se Ali Pashë Tepelena, sundimtar shqiptar i Janinës, kishte shumë izraelitë në këshillin e tij, por prapë gjendja ekonomike e izraelitëve ishte e ulët. Për shkak të persekutimeve të tij, shumë izraelitë u arratisën nga Janina dhe u vendosën në Avlona (Vlorë), por Ali Pasha e shtriu pushtetin e tij edhe mbi Avlonën. Pasi ky sundimtar tiran, u ekzekutua në vitin 1822, këta izraelitë u kthyen në Janinë.) Profesor Fejzi Hoxha, shkruan se qysh nga viti 1839, u vendos në Shqipëri një mjek austriak, doktor Auerbach, i cili e ushtroi mjekësinë në Vlorë, në vitin 1867, si mjek i karantinës. Më vonë ai shkoi në Gjirokastër, ku punoi deri rreth viteve 1881-1882.)
-Kronika e ardhjeve dhe formimi i bashkësive-
Në vitin 1935, erdhi nga Korfuzi i Greqisë dhe u vendos në Kavajë, rrobaqepësi Samuel Haim, bashkë me gruan dhe pesë vajza. E gjithë familja u largua për në Izrael, në vitin 1947. Përveç këtyre, në Shqipëri kishte edhe izraelitë të vetmuar, që kishin ardhur përkohësisht për shkaqe pune. Të tillë ishin; David Tiano nga Selaniku, i cili u largua pas çlirimit, dhe Edmond Ersekoviçi, me origjinë nga Hungaria, i cili vdiq në Tiranë dhe u varros në një kënd të varrezave të myslimanëve të qytetit, që u ishte dhënë për përdorim izraelitëve nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Më 30 janar 1933, në Gjermani e mori fuqinë Adolf Hitleri. Qysh prej asaj dite, filloi odiseja e izraelitëve gjermanë dhe e atyre të vendeve të tjera të pushtuara para lufte nga ushtria gjermane (Austri, Çekosllovaki etj.). Në fazën e parë të persekutimit, izraelitët dëboheshin nga këto vende dhe endeshin ku të kishin mundësi. Viti 1933, konsiderohet viti në të cilin filloi kthimi (Alijaja) i pestë i izraelitëve në Palestinë. Në këtë kohë, filloi edhe ardhja në Shqipëri e izraelitëve të përndjekur.
Shumica e tyre kalonin këtej për të gjetur mundësinë që të vijonin rrugën për në vende të tjera, kryesisht në Amerikën Jugore, në SHBA-ës, në Turqi etj. Ndër ta, kanë kaluar edhe personalitete në fusha të ndryshme të dijes njerëzore, siç ishte p.sh.; doktor Majer (Meyer), gjinekolog i shquar, doktor Blumenfeld, kirurg, dhe më pas edhe një varg njerëzish të tjerë. Për këta të fundit, ndihmë të madhe kanë dhënë Isak Koheni në Durrës, Rafael Jakoel nga Vlora, etj. Këta u siguronin atyre banesë, u jepnin mundësi t’i nxirrnin mjetet e jetesës dhe, kur nuk i kishin këto mundësi, i ndihmonin me para dhe më pas u siguronin kushte, që të vazhdonin udhëtimin e tyre. Në ato vite kanë kaluar nga Durrësi, me dhjetëra e dhjetëra emigrantë, por fare pak prej tyre qëndruan në Shqipëri. Një nga këta ishte Leo Tyri (Thür, ose Thuer), njeri me personalitet të theksuar, i cili qëndroi në Shqipëri, deri në vitin 1945. Ai luajti rol të rëndësishëm për shpëtimin e izraelitëve vendas dhe të ardhur. Nga familjet që qëndruan përfundimisht në Shqipëri, ishte edhe familja e Avram Shvarc-it, pasardhësit e së cilës, Roberti, përkthyes i shquar, familjarisht ka jetuar në Tiranë, kurse Renata, mjeke otorino-laringologe, u kthye përfundimisht në Izrael.
Më 1932, u hap Spitali i ri Ushtarak i Tiranës, me drejtor doktor Hiqmet Gega. Shërbeu si mjek në këtë spital edhe doktor Eugen Levi, izraelit me origjinë bullgare. Më 1936, profesor Valter Lehman, izraelito-gjerman, i trembur nga persekutimet e nazizmit, iku nga vendi i tij dhe u vendos kirurg në spitalin e Vlorës, por pas tetë muajsh, me largimin e profesor Hoche nga Shqipëria, u thirr për ta zëvendësuar atë si shef i kirurgjisë në Spitalin e Tiranës. (Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, ai u largua për në SHBA-ës. Dr. Lehman, konsiderohet si themeluesi i degës së neurokirurgjisë në Shqipëri. Reparti i neurokirurgjisë në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, sot mban emrin tij). Së fundi, edhe pse kishte ardhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, u ngul përfundimisht në Tiranë, Marko Menahem, i cili vinte nga qyteti maqedonas i Shkupit, ku kishte humbur gjithë familjen, të përbërë nga prindërit dhe një motër, të gjithë të shfarosur gjatë Holokaustit. Marko jetoi në Tiranë, bashkë me familjen, të përbërë nga e shoqja dhe tre vajza të martuara, të cilat sot janë të gjithë në Izrael.
* * *
Sikundër del qartë nga sa u parashtrua më sipër, izraelitët e ardhur në Shqipëri, duke filluar qysh nga gjysma e parë e shekullit XIX-të, janë me origjinë nga vende të ndryshme të Europës, por pjesa më e madhe e tyre, (ajo pjesë që u bë baza e krijimit të bashkësisë së vogël të Vlorës), ka ardhur nga Janina dhe Preveza. Ka mendime të gabuara se bashkësitë izraelite të Prevezës, Artës, Janinës dhe e Vlorës, e kanë origjinën nga Spanja, si rrjedhim i persekutimit të zhvilluar atje nga inkuizicioni spanjoll. Në të vërtetë, të ardhur nga Spanja në kohën e Sulltan Bajazitit të Dytë, kanë qenë izraelitët që u vendosën në disa qytete të Greqisë, kryesisht në Selanik, nga ku gradualisht u përhapën në drejtime të ndryshme, si në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë, si dhe në qytete të tjera greke.
Po ashtu, e kishin origjinën nga Spanja, bashkësitë izraelite që u formuan qysh nga fundi i shekullit XV-të në Vlorë dhe më pas në Berat dhe Elbasan. Për këta u fol gjerësisht në kapitullin e parë.
Këta izraelitë, kanë folur gjithmonë një dialekt katalan të gjuhës spanjolle, dhe këtë e vazhduan deri në kohën që u zhdukën si bashkësi. Po kështu ndodhi dhe në ato qytete të Jugosllavisë ku kishte izraelitë, si në Manastir (Bitolje), në Shkup e, më në veri, si në Beograd, e deri në kufijtë veriorë të vendit, në Novi Sad etj. Edhe izraelitët e Kosovës, në shtëpi flisnin gjuhën spanjolle. Por aty nga fundi i shekullit XVII-të dhe në fillim të shekullit XVIII-të, bashkësitë izraelite të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, të ardhur nga Spanja, u zhdukën, qoftë duke u larguar nga Shqipëria, qoftë duke përqafuar në vend diku fenë islame dhe diku fenë ortodokse. Bashkësitë e Kosovës qëndruan dhe izraelitët e tyre, flisnin spanjishten derisa u shkrinë pas Luftës së dytë Botërore. Vala e tretë e izraelitëve që u vendosën në Shqipëri, duke filluar nga mesi i shekullit XIX-të, erdhi kryesisht nga Janina e Preveza, ku izraelitët ekzistonin shumë më përpara se ardhja e sefarditëve. Izraelitët e parë të ardhur në Greqi, janë vendosur aty në shekullin e dytë, para erës sonë. Nuk dihet me saktësi kur janë vendosur në Janinë e Prevezë, por sidoqoftë është dokumentuar, që izraelitët janë aty të paktën nga shekulli I-rë i erës sonë. Këta izraelitë të Janinës, e të disa qyteteve të tjera, si Preveza dhe Arta, janë “romaniotë”, fjalë kjo që rrjedh nga emri venecian i Greqisë, Romania. Romaniotët, nuk janë pasardhës të sefarditëve.
Ata ishin vendosur në tokën greke shekuj më përpara ardhjes së emigrantëve nga Spanja, Portugalia dhe nga krahina të Italisë (Pulja, Sicilia dhe Sardenja). Sikurse u përmend, ata janë ndikuar nga kultura greke, flasin gjuhën greke dhe deri në shekullin XVI-të, përdornin si libër lutjesh, Mahzor Bene Romania, hartuar disa shekuj përpara imigracionit nga Spanja.
Romaniotët konsiderohen si një ndër bashkësitë izraelite më të lashtat dhe virtualisht e panjohur në pjesë të tjera të botës. Ka të ngjarë që bashkësia romaniote, të jetë vendosur fillimisht në Selanik, rreth vitit 140 para erës së re. Praninë e tyre në rajonet e Greqisë së sotme, e dëshmon edhe një udhëtar tjetër i famshëm, arabi Abu Abd Allah Muhammad al Idrisi, lindur në Ceuta (1099, vdekur në 1165?). Ai përmend komunitetin e Janinës, si bashkësi e një qyteti të ndërtuar mbi ujëra, dhe me të vërtetë dy të tretat e qytetit të Janinës, rrethohen nga ujërat e liqenit që mban të njëjtin emër. Edhe vetë hebrenjtë e bashkësisë së Janinës, për t’i dalluar nga qyteti, thonë se është një qytet “ghiod”, domethënë i ndërtuar mbi ujë. Po ashtu, Rabini spanjoll, Beniamini nga Tudela, që përmendëm më lart, kaloi në vitin 1170 në këto zona dhe vizitoi shumë bashkësi izraelite greqishtfolëse. Ai shkruan se në këto treva, ka 28 bashkësi romaniote. Në fillim të shekullit XX-të, jetonin në Janinë rreth 4000 izraelitë, shumica e të cilëve merreshin me tregti të vogël, zejtari apo nëpunësi, dhe jetonin në dy lagje brenda dhe jashtë mureve të qytetit të vjetër. Sinagogën e lashtë të Janinës, që ishte e ndërtuar brenda mureve të qytetit të vjetër, e quanin “i mesini”, ose “e brendshmja”, për ta dalluar nga sinagoga “i oksini”, ose “e jashtmja”, që ishte në rrugën kryesore.
Duhet shtuar se hebrenjtë romaniotë të Janinës dhe Prevezës, ishin të ndikuar nga kultura dhe zakonet greke, flisnin gjuhën greke, por në të njëjtën kohë ruajtën identitetin e tyre si hebrenj, duke praktikuar fenë dhe traditat e jetesës së tyre. Sikurse përmendëm, izraelitët e ardhur nga Spanja, flisnin spanjishten. Kurse në Korfuz, ekzistonte një bashkësi izraelite e madhe në numër, e cila vinte nga Venediku dhe ishte vendosur në atë qytet, rreth gjysmës së shekullit XIV-të. Për këtë arsye, deri në shkatërrimin e plotë të saj, në vitin 1944, izraelitët e Korfuzit, flisnin dialektin venecian të italishtes. Fakti se izraelitët e Greqisë veriperëndimore, juglindore dhe të Peloponezit, flisnin gjuhën greke në vetvete përbën argument të fuqishëm, që izraelitët e atyre viseve janë ngulur në ato rajone, qysh shekuj më parë.
Kur në Janinë erdhën emigrantët izraelitë spanjollë, këta qëndruan të veçuar nga bashkë-fetarët e tyre romaniotë. Sefardimet nuk u paraqitën si bashkësi solidare, por u ndanë në grupe të vogla, ku secili ruajti zakonet e veta, të sjella nga vendet nga ku kishin emigruar. Me gjithë numrin shumë të madh të hebrenjve sefarditë, të ardhur më vonë, romaniotët nuk u shkrinë me ta dhe vazhduan të ruajnë karakteristikat e tyre të veçanta, si në ritet fetare, meloditë e këngëve e lutjeve, ashtu edhe në gjuhën e jetën e përditshme. (Edhe pse në sinagoga lexonin të njëjtat libra të Torásë në hebraisht, ritet, meloditë dhe gjuha e folur në familje i dallonte dy bashkësitë midis tyre. Falë kësaj qëndrueshmërie shekullore, romaniotët nuk u asimiluan në fenë e krishterë, të shumicës së popullsisë greke dhe as nuk përqafuan gjuhën “ladino”, apo liturgjinë e bashkë-fetarëve sefardimë të ardhur rishtas).
Në kohët e para bashkëjetesa midis romaniotëve dhe sefardimëve, kishte rivalitete të theksuara. Por me kalimin e kohës, ata gjetën gradualisht rrugën e marrëveshjes. Në disa raste, kur luteshin së bashku, ndër ritet fetare filluan të mbizotëronin ato të izraelitëve sefardimë, sepse përvetësimi i riteve sipas “mahzor Romania” që përdorej nga romaniotët, ishte i vështirë. Në fillim nuk pranoheshin martesat midis romaniotëve dhe sefardimëve, por dalëngadalë gjërat ndryshuan. Gratë izraelite janinjote, e kishin më të lehtë të përvetësonin gjuhën dhe zakonet e burrave të tyre, që flisnin gjuhën spanjolle; burrat e kishin të vështirë të mësonin gjuhën greke të grave. Por, për fat të mirë, në ritet e tyre izraelitët e Janinës, ruajtën meloditë e veta në gjuhën greke. Ruajtën edhe zakonet e tyre, të cilat gjatë shekujve, në kontakt me mjedisin grek, u ndikuan nga ky mjedis. Këta faktorë shkaktuan që izraelitë romaniotë të Janinës, të shndërroheshin në një lloj të veçantë izraelitësh, të njohur me emrin; “janjotikë”, folës të gjuhës greke.
Në vitin 1912, qyteti i Janinës me rrethet, kaluan nga sundimi turk, në sundim të Mbretërisë së Greqisë. Me atë rast, trashëgimtari i fronit grek, Konstantini, që njëkohësisht mbante edhe detyrën e komandantit të trupave që pushtuan qytetin, me qëllim që t’i siguronte izraelitët e shqetësuar nga ardhja e grekëve dhe nga sjellja e tyre e mëtejshme ndaj tyre, vizitoi me ceremoni e bujë të madhe, sinagogën e qytetit dhe aty mbajti një fjalim ku, ndër të tjera, falenderoi izraelitët që kishin ruajtur ndër shekuj me këmbëngulje dhe pastërti të admirueshme, gjuhën greke. Në prag të Luftës së Dytë Botërore në Greqi ekzistonin ende katër bashkësi romaniote: në Kalqidë, Artë, Patras dhe Janinë. Bashkësia izraelite e Janinës, përpara Holokaustit, ishte bashkësia më e madhe romaniote e Greqisë dhe një nga qendrat udhëheqëse izraelite, në Lindje. Traditat romaniote të Janinës, vazhdojnë të zbatohen jashtë Greqisë.
Në SHBA-ës, është sinagoga e ritit romaniot në Manhattan të New Jorkut, kurse në Izrael, ndodhet në lagjen Nachlaot të Jeruzalemit. Në njëfarë kuptimi, Sinagoga e Janinës, konsiderohej si mitropolia e këtyre sinagogave romaniote, dhe ajo në Manhattan mban të njëjtin emër, si Sinagoga e Janinës: Kehilka Kedosha Janina (Bashkësia e Shenjtë e Janinës).
Nga sa më sipër, del se edhe izraelitët e Shqipërisë, të ardhur herën e fundit, d.m.th., në shekullin e XIX-të, kryesisht nga Janina, nuk kanë lidhje me Spanjën dhe të parët e tyre kishin si gjuhë të folur, greqishten.
Mjedisi, jeta dhe ritet fetare të izraelitëve në Shqipëri
Në kohën kur izraelitët filluan të vinin në Shqipëri, vendi ishte nën sundimin otoman. Në ato qendra ku u vendosën fillimisht shumica e popullsisë ishte myslimane, një pakicë ishte ortodokse (në jug) dhe katolike (në veri). Edhe më parë se të vendoseshin në tokat e Shqipërisë së sotme, izraelitët e ardhur nga Janina dhe Preveza, kishin pasur marrëdhënie të shpeshta me shqiptarët, së pari sepse Janina vite me radhë ishte nën sundimin e shqiptarit Ali Pashë Tepelena, Pasha i Janinës, burrë shteti i vlefshëm dhe i mençur, i rrethuar nga besnikët e tij shqiptarë, prandaj në Janinë flitej edhe gjuha shqipe. Së dyti, në rrethet e Janinës e të Prevezës kishte popullsi të madhe shqiptare, qoftë myslimane siç ishin çamët, banorë të Çamërisë, ashtu dhe të krishterët, siç ishin suliotët, banorët trima të Sulit, të cilët kishin shqipen gjuhë amtare. Dhe nuk ishin të rralla rastet, kur izraelitët, sidomos ata nga Janina, banonin në qytetet e Çamërisë, me ose pa familje, dhe ushtronin aty profesionin e tyre, kryesisht komisionerë. Kështu që, kur erdhën në tokat e Shqipërisë së sotme në shekullin XIX-të, izraelitët nuk ranë në mjedis të panjohur, madje kishin edhe miq e të njohur. Kjo u lehtësoi shumë jetesën.
Në gjuhën greke të folur nga izraelitët e Janinës, kishin zënë vend edhe disa fjalë shqipe. Kështu p.sh.; përdorej gjerësisht fjala shqipe; “kastravec”. Po ashtu, kishin gjetur përdorim nofka me prejardhje nga gjuha shqipe, si p.sh. emri “Tepelenis”. Gjatë kohës së sundimit ottoman, disa fëmijë izraelitë quheshin Biros. “Bir” është fjala shqipe, kurse prapashtesa “-o” është përkëdhelëse. Në vitet e qëndrimit të izraelitëve në Shqipëri, disa emra të përveçëm izraelitë, kanë marrë trajta shqipe. Të tilla janë emrat Minush (për Menahem), Ilir për Ilia, e të tjera. Krahinat e Gjirokastrës, Delvinës dhe Vlorës, ku u vendosën fillimisht izraelitët, përfshiheshin në sanxhakun e Janinës. Ka pasur raste kur të rinj nga këto krahina, kryenin shërbimin ushtarak në Janinë. Prandaj disa nga këta, lidheshin me miqësi me izraelitët vendas, duke forcuar kështu marrëdhëniet reciproke.
Izraelitët e ardhur atëherë në Shqipëri, merreshin kryesisht me tregti, dhe kishte fare pak raste kur ata fillimisht ushtronin ndonjë zanat, si kundraxhinj apo teneqepunues. Ishin njerëz që kishin ikur nga vendet e tyre, për të fituar bukën e gojës dhe për të bërë një jetë më të mirë, prandaj ata nuk përtonin të shkonin për të shitur apo punuar, edhe në zonat më të thella të krahinave. Kjo bëri që të miqësoheshin me katundarët e atyre trevave, të cilët janë njerëz që kur të japin besën, të quajnë mik për kokë. Kaq të shpeshta ishin këto shkuarje, saqë kishte ndonjë rast, si ai i izraelitit Isak (Cako) Matathia, i cili vdiq në katundin Tragjas, që ndodhet në jug të Vlorës. Në fillim atë e varrosën atje dhe varri i tij, u bë vend referimi për takime. I thoshim “Varri i Cakos”, apo “Varri i izraelitit”.
Edhe kur eshtrat e tij i sollën në varrezat e izraelitëve të Vlorës, ai vend vazhdoi të quhej dhe quhet edhe sot; “Varri i Cakos”.
Me ndjenja miqësore janë pritur më vonë edhe izraelitët që u shpërngulën nga Gjirokastra dhe Vlora, për në Durrës dhe Tiranë, si edhe ata që shkuan atje drejtpërdrejt, nga vendi i ardhjes. Me përjashtim të ndonjë fanatiku, izraelitët respektoheshin si njerëz të ndershëm, punëtorë, që nuk dinë t’i bëjnë dëm askujt. Marrëdhëniet nuk kufizoheshin vetëm në lëmin e punës, por shtriheshin edhe në botën familjare. Kur izraelitët lidhnin marrëdhënie të ngushta me shqiptarët, arrinin të bëheshin edhe vëllezër me djem shqiptarë, që do të thotë të bëhesh vëllam me të, zakon ky që gëzon nder të madh në popull. Po ashtu, në Vlorë ndodhte që një nënë me fëmijë të porsalindur, ia jepte foshnjën mikeshës së saj izraelite dhe anasjelltas, kur nëna nuk kishte qumësht, për të ushqyer foshnjën e vet. Në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX-të në Shqipëri, filloi një lëvizje madhështore kulturore e politike, e cila synonte që të arrihej çlirimi i vendit, nga thundra otomane. Kjo lëvizje njihet me emrin; “Rilindja Shqiptare”. Rilindasit synuan që të ushqenin në popull, një ndjenjë të madhe kombëtare dhe vetëdije për lashtësinë e kombit, të gjuhës dhe të traditave, në thellimin e ndjenjës së vëllazërimit midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme, për t’ua prerë hovin atyre forcave armiqësore, që me anë të fesë, përpiqeshin të përçanin popullin shqiptar.
“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, shkruanin vjershëtarë dhe atdhetarë të asaj kohe. Kjo lëvizje kombëtare, që pati si përfundim rilindjen e Shqipërisë, të gjuhës dhe të dëshirës për pavarësi, u solli dobi izraelitëve. Ashtu siç predikohej vëllazërimi midis feve kryesore të vendit, për refleks kjo shtrihej edhe në marrëdhëniet me izraelitët. Në të tilla rrethana, kur shqiptarët i quanin hebrenjtë si të barabartë, pa hijen e përbuzjes, përndjekjes apo poshtërimit, nuk është për t’u çuditur, që qysh nga njerëzit e brezit të parë të lindur në Shqipëri, izraelitët u hodhën pa ngurrim, përkrah vëllezërve të tyre shqiptarë, jo vetëm në lëvizjen e Pavarësisë por, kurdoherë, deri në luftën për të çliruar vendin nga okupatorët nazifashistë. Në pragun e pavarësisë, nuk ishin të rralla nënat izraelite, që i përkundnin fëmijët e tyre, duke u kënduar atyre këngë patriotike shqiptare. Megjithëse më 28 nëntor 1912, u ngrit flamuri kombëtar në Vlorë dhe u shpall Pavarësia, Shqipëria nuk gjeti aspak qetësi, sepse armiq të ndryshëm, kërkonin ta mbytnin atë që në djep. Izraelitët u bashkuan me popullin shqiptar, madje, dhanë kontribut të mirë në disa raste. Kështu, që në kohën e Luftës së Vlorës, në vitin 1920, izraeliti Josef Mushon Kantozi, i cili ndodhej në atë kohë në Itali, vrau një toger Italian, që guxoi të shajë me fjalë fyese popullin shqiptar dhe atdheun e tij.
Po ky izraelit, ka kryer për njëfarë kohe detyrën e Komisarit të Policisë në Vlorë dhe atëherë u fol se do të dërgohej si Konsull i Shqipërisë në qytetin italian Bari. Vite më pas, në vitet ’30-të, kushtetuta e vendit caktonte që si këshilltar bashkie, të zgjidheshin vetëm myslimanë dhe ortodoksë në përpjesëtim – në Vlorë – dy me një. Megjithatë, në zgjedhjet që u bënë në vitet e para të viteve ’30-të, Samuel Josef Matathia, edhe ky izraelit i brezit të parë i lindur në Shqipëri, u zgjodh këshilltar bashkiak. Në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nga gjiri i izraelitëve të Shqipërisë, ka pasur një dëshmor, Dario Jak Arditi. Qysh nga muaji janar 1943, Pepo Kantozi, është pjesëmarrës i luftës dhe në gusht 1944, doli partizan në Grupin e Tretë të Mallakastrës. Me mbarimin e Luftës, ai mbeti në ushtri dhe mbuloi detyra me rëndësi, duke marrë gradë oficeri madhor. Nën ndikimin e opinionit publik, edhe qeveri të herëpashershme, kanë mbajtur qëndrim të favorshëm dhe shumë korrekt ndaj bashkësisë izraelite të Shqipërisë. Kjo bashkësi, kishte në Vlorë varrezat e veta, të cilat i ka trashëguar nga izraelitët që kishin jetuar në Vlorë, qysh nga fundi i shekullit XV-të, deri në fund të shekullit XVII-të. Varrezat në fjalë u përdorën në vdekjet e para të disa izraelitëve, në fillim të shekullit XX-të.
Mirëpo aty nga viti 1933, pronari i ullishtave që ishin afër varrezave të izraelitëve, pretendoi se ato toka ishin të tijat dhe kërkoi që t’i shkuleshin andej varrezat. Pa ngurruar, izraelitët e hodhën çështjen në gjyq, duke provuar se varrezat në fjalë, u përkisnin izraelitëve, qysh prej tre shekujsh.
Provë kryesore për këtë ishte se, edhe duke hapur një hendek për ta përdorur si kufi të këtyre varrezave, punëtorët hasën një varr izraelit, që i përkiste shekujve të kaluar. Si rrjedhojë, gjykata e Vlorës, e hodhi poshtë kërkesën e paditësit dhe varrezat u mbetën izraelitëve për përdorim, deri në vitin 1965. Në këtë vit, për arsye urbanistike, të gjitha varrezat e qytetit të Vlorës, u shpërngulën në afërsi të fshatit Babicë, ku janë edhe sot. Varreza e vogël dhe e lashtë u braktis, dhe sot është pothuajse e humbur. Po në vitet ’30-të, një gazetë lokale e botuar në Vlorë, për qëllime krejt personale të botuesit të saj, shkroi një artikull, ku thuhej se; tregu i Vlorës, shëmtohej ditët e shtuna, sepse dyqanet e tregtarëve izraelitë, qëndronin të mbyllur. Artikullshkruesi pretendonte, se ditë pushimi për të, ishte e diela, prandaj nuk lejohej që secili të vepronte sipas kokës dhe të thyente këtë porosi ligjore. E ndikuar nga ky artikull, Bashkia e Vlorës, urdhëroi izraelitët që t’i hapnin dyqanet e tyre ditët e shtuna, ndryshe, do të detyrohej t’i dënonte fillimisht me gjobë dhe më vonë, në rast përsëritjeje, edhe me masa të tjera ndëshkimore. Të shtunën e parë pas këtij paralajmërimi, dyqanet e izraelitëve filluan të mbylleshin dhe Bashkia i gjobiti pronarët e tyre. Të shtunën e dytë, gjoba u rrit dhe disa izraelitë, nuk ishin në gjendje ta përballonin atë.
Prandaj bashkësia vendosi që ata që nuk ishin në gjendje të përballonin gjobën t’i hapnin dyqanet, por të mos kryenin asnjë veprim shitblerjeje. Kur dikush kërkonte të blente diçka, merrte si përgjigje se malli nuk disponohej. Të tjerët, t’i mbanin dyqanet të mbyllura, për të treguar se veprimi nuk ishte kundra ligjit. Kjo gjendje vazhdoi disa javë, derisa gjykata ku çështja ishte parashtruar nga izraelitët për gjykim, vendosi që, sipas Kushtetutës, secili kishte të drejtë, t’i respektonte urdhërimet e fesë së vet, pra të mbante të mbyllur dyqanin edhe ditën e djelë, që ishte dita e caktuar për pushim, për të gjithë tregun. Në bazë të këtij vendimi, bashkia jo vetëm që nuk vuri gjoba të tjera, por u detyrua t’i kthejë edhe ato që kishte vënë deri atëherë. Në Shqipëri nuk ekzistonte as më i vogli paragjykim racor. Të rinjtë izraelitë në moshën e caktuar nga ligji, merreshin ushtarë dhe mund të ndiqnin shkollë ushtarake të plotësimit, nga ku dilnin me gradën e oficerit të ushtrisë shqiptare. (Këtë fakt e vërteton edhe ambasadori amerikan në Shqipëri, gjatë viteve ‘30-’33, Herman Berstein, i cili vuri në dukje në shkrimet e tij, mungesën e plotë të antisemitizmit në Shqipëri). Kush dëshironte të gjente nuse jashtë shtetit, mund ta sillte në Shqipëri, për t’u martuar me të. Dhe anasjelltas, vajzat që dëshironin të martoheshin jashtë shtetit, nuk kishin asnjë pengesë për këtë. Kjo ishte një mundësi që ndihmoi fuqimisht, për ruajtjen e identitetit të bashkësisë. Memorie.al
Marrë nga voal.ch
Vijon numrin e ardhshëm