Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Principata e Mirditës, në tre kohë të ndryshme
Ideja e Principatës Katolike të Mirditës, nuk ishte krijim i Prengës dhe as i babait të tij, Bibë Dodës, ndonëse ata të dy ishin përpjekur që ta realizojnë atë projekt, me anë të dy kryengritjeve të armatosura, që kanë shpërthyer në Mirditë. Ishin një grup intelektualësh të rinj, si; Zef Jubani, Pashko Vasa, Gaspër Krasniqi, Pal Dodmasej, etj., që të ndikuar nga rrethanat e krijuara në vend dhe nga lëvizjet për çlirim kombëtar në vende të tjera, e gjykuan të pjekur situatën, për një kryengritje anti-turke në atë Krahinë.
Sipas intelektualëve shkodranë, Bibë Doda duhej të ngrinte i pari fiamurin e kryengritjes dhe të shpallte një principatë autonome, ose të pavarur shqiptare, rreth të cilës do të bashkoheshin krahina të tjera të vendit. Kryengritja që duhej të shpërthente në Mirditë, pastaj do të përhapej edhe në krahinat e tjera.(342)
Nën ndikimin e këtyre intelektualëve, ishte edhe Prengë Bibë Doda. Ai, në mungesë të një kompromisi me autoritetet osmane, kishte ndërmend të shpallte Principatën e Mirditës dhe ta vinte Portën e Lartë, para faktit të kryer. Kryengritja e Mirditës e vitit 1876-1877, kishte si lejmotiv të saj, krijimin e kësaj Principate.
Por një sërë marrëveshje që u nënshkruan në këtë periudhë, midis Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha, shtruan para shqiptarëve, detyrën e mbrojtjes së tërësisë së trojeve të tyre dhe në ato kushte, problemi i “Principatës”, nuk e pati më vlerën e dikurshme. Ngjarjet evoluan shpejt dhe në plan të pare, doli detyra e ruajtjes së trojeve shqiptare, madje përpjekjet për autonominë e krejt Shqipërisë, në kuadrin e katër vilajeteve. Pavarësisht se shqiptarët ishin mobilizuar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit, krerët e Mirditës dhe të zonave përreth edhe zyrtarisht, kërkuan krijimin e “Principatës Katolike të Veriut”. Kërkesa për një Principatë në Shqipërinë e Veriut, i’u dërgua Kongresit të Berlinit.
Duket se Prengë Bibë Doda e mori këtë vendim në kushtet kur armiqësia e atij dhe mirditasve ndaj autoriteteve turke ishte e madhe. Mirdita, sapo kishte dalë nga një luftë me osmanët dhe nuk i kishte realizuar kërkesat e saj, prandaj atë që s’mundën ta bëjnë me anë të armëve, krerët mirditas, shpresonin ta realizonin përmes diplomacisë. Me 18 qershor 1878, krerët e Mirditës, Pukës, Kthellës, Malësisë së Lezhës dhe Lurës, iu drejtuan të plotfuqishmëve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, me kërkesën për njohjen e autonomisë tradicionale, si dhe njohjen e të drejtës, për krijimin e një shteti autonom, të një Principate autonome.
“Ne të nënshkruarit, krerë e pleq të Mirditës, të Pukës, të Ohrit të Vogël, të Malësisë të Lezhës, i lutemi … asaj konsullate të nderuar, që të ketë mirësinë t’u transmetojë dhe t’u parashtrojë sa më pare, zotërinjve të plotfuqishëm në Kongresin evropian në Berlin, lutjen tonë si më poshtë vijon: vendet tona, sikurse dihet, janë rregulluar dhe janë qeverisur kurdoherë me ligjet e veta dhe për pasojë, në fakt, kanë gëzuar autonominë. Prandaj, ne lutemi që kjo autonomi, të njihet zyrtarisht edhe nga Fuqitë e Mëdha europiane dhe Puka, Ohri i Vogël (Kthella), Malësitë e Lezhës dhe Lura, të bashkohen me Mirditën dhe të mbetën nën komandën e menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë të kryetarit tonë shumë të dashur, të natyrshëm dhe trashëgimtar, Prengë Bibë Dodës. Vendet tona, herë pas here, e kanë shfaqur dëshirën e përbashkët, për të formuar një shtet të njohur autonomi, të vetëm me Mirditën dhe një dëshmi e veçantë, janë faktet që kanë ndodhur para dy vjetëve e këtej, prandaj shpresojmë, se aspiratat tona, që aq shumë i dëshirojmë, do të merren parasysh dhe do të kenë miratimin e zotërinjve të plotfuqishëm, në Kongresin e Berlinit…! Me besim se ajo konsullatë e nderuar, do të ketë mirësinë t’i japë një mbështetje të fortë dhe në rrugë të shpejtë, kësaj lutjes sonë, kemi nderin të shprehim ndjenjat e respektit më të thellë…”!
Mirdita
Llesh Mar Shtiefni, plak, Llesh Gjeta, Ndue Lleshi Per Ndoj, Per Nikolla, Llesh Marka Ndoka, Gjergj Gjoka, Per Deda krye, Per Nikolla, Llesh Marka Preni, Per Gjergji, Kolë Ndoka, Prek Kola plak, Nikoll Nreca krye.
Kthella
Llesh Preka krye, Nikollë Gjeta, Bush Shuli, Mark Ndue Gjeta krye, Bib Gjoka, Gjin Gega, Kros Maca, Geg Deda.
Malësia e Lezhës
Geg Preni krye, Geg Marku, Jak Ndoi, Kol Toma, Simon Leka krye, Prend Nikolla, Dedë Paloka, Gjergj Dushi plak.
Puka
Pjetër Smaili plak, Kola Marashi, Ndue Mar Nikolli, Prenkë Pali krye, Gjokë Gjergji plak, Ndrec Preni, Pjetër Mirashi, Kola Rexha.
Lura
Kolë Bushi krye, Dedë Vladi, Selman Reçi, Ali Meria, Hasan Ajazi, Ali Limani plak.
Miratimi i autonomisë së Mirditës nga Kongresi i Berlinit, sipas kërkesës së kontit francez Saint Vallier, nuk i plotësoi të gjitha kërkesat e nënshkruesve të peticionit. “Principata”, nuk u krijua dhe problem i Mirditës, u shtrua vetëm në kuadër të respektimit të venomeneve tradicionale.
Me protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha, cënuan interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare, e redaktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë, vetëm si çështje e një krahine, siç ishte krahina e Mirditës. (343)
Kongresi, nuk e legjitimoi bashkimin e bajrakëve të Pukës dhe të Lurës, me Mirditën dymbëdhjetë bajrakëshe dhe venomet tradicionale, ia njohu vetëm Mirditës, pesëbajrakëshe. (344)
Protokolli nr. 13, i hapte rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane (kultusprotektoratin), që të ndërhynte lirisht, në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë, në një pikëmbështetje të avancuar të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror. Është koha kur Austria, dërgon specialistë të fushave të ndryshme në Shqipëri: ushtarakë, gjuhëtarë, historianë, etnologë, gjeologë, botanistë, etj., për të studiuar aspekte të ndryshme të jetës shqiptare, duke projektuar një perspektivë marrëdhëniesh, pas largimit të turqve.
Midis dëshirës së intelektualëve shkodranë, për Principatën e Veriut nën sundimin e Princit Prengë Bibë Doda dhe synimeve të vetë Prengës, kishte ndryshime. Intelektualët shkodranë, e shihnin Mirditën vetëm si bërthamë të shtetit të ardhshëm shqiptar, ndërsa vetë Prenga, e shihte Principatën e tij, më së pari, si një njësi shtetërore katolike, që do të peshonte shumë në zhvillimet e ardhshme dhe që do t’i shërbente në realizimin e ambicieve të tij politike, në lojën për pushtet. Ai ishte i interesuar, të mbetej faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike, që priteshin të ndodhnin në vend. Në kushtet e reja, Austro-Hungaria, ishte e interesuar në themelimin e një shteti shqiptar, me hapësira sa më të gjëra, për të cilin u investua shumë, prandaj projekti i ndarjes së territorit shqiptar, në çfarëdo forme, përveçse kundër interesave kombëtare në përgjithësi, binte në kundërshtim, me interesat austriake dhe deri diku ato italiane. Ministria e Punëve të Jashtme në Vjenë, në një telegram që i bënte ambasadorit austro-hungarez në Romë, thekson se; “Dhënia e subvencioneve të mëtejshme Prengës, do të varet prej qëndrimit të tij, ndaj politikës austro-hungareze dhe italiane”. (345) I njëjti qëndrim, do të mbahej ndaj Imzot Doçit, nëse ai do të përkrahte Prengë Bibë Dodën, kundër synimeve tona”. (346)
Në kuadër të lojës së tij politike, K-pidani, me ndihmën e Abat Doçit, kishte organizuar një kuvend vetëm, me katolikë në Kallmet, që tregon për një hap të përgatitur dhe pozitat e tij separatist, që cënonin unitetin e Shqipërisë së ardhshme, duke formuar një shtet në shtet. “Është për tu shqetësuar, theksojnë burimet diplomatike nga Vjena, se çështjen e Mbretit, mbledhja e kishte shtruar në kundërshtim me synimet austro-hungareze. Mbledhja e organizuar në Kallmet, u shërbente interesave të Prengës, për autonominë e Shqipërisë katolike të Veriut.
Ky agjitacion i Prengë Pashës, ka bërë që të shpërthejë një kundër-lëvizje e ipeshkëvinjëve dhe palës tjetër, ndaj përpjekjeve të tij për të thirrur një kuvend kombëtar të katolikëve të Shqipërisë së Veriut. Prenga, flet për bashkëpunim me qeverinë e Vlorës, por ai bashkëpunim, mund të bëhej në mënyrë të qetë e paqësore, siç kishte ndodhur në shumë krahina të Shqipërisë së Jugut. Të njoftohet pala italiane, të njoftohet Imzot Bianki në Durrës, që të mbajnë qëndrim kundër”. (347)
Prenga, këtë propaganda, e kishte bërë edhe pranë anëtarëve anglez dhe francez të Komisionit Ndërkombëtar. Sipas tij, “Shqipëria e ardhshme, duhet të ndahej në tri provinca, krejtësisht autonome, me nga një guvernator të përvetshëm, të lidhur ndërmjet tyre, nëpërmjet personit të Princit. Në krye të Shqipërisë së Jugut, mendon të jetë Myfit Beu, të Shqipërisë së Mesme, Hamit Beu dhe të Shqipërisë së Veriut, Prengë Pasha. Kundëradmirali Barry, njoftoi se Prengë Pasha dhe Imzot Doçi, i kishin bërë këtij problem, një trajtim krejtësisht të njëllojtë. (348)
Në fakt, vetëm disa ditë më vonë, konsulli austriak në Shkodër, flet fjalë të mira për veprimtarinë e Prengës. Sipas tij, “Prengë Bibë Doda, është figurë bashkuese e katolikëve, që kërkon organizimin e shqiptarëve në Veri, sipas shembullit të shqiptarëve të Jugut, duke lënë pas mosmarrëveshjet. Platforma e tij, është njohja e qeverisë nga autoritetet lokale dhe vendosja e qeverisjes, atje ku ajo nuk funksionon. Prenga, kishte propozuar që në Shkodër, ose në Lezhë, të formohet një komitet me përfaqësues nga çdo administratë lokale. Shqipëria e Veriut, në këtë mënyrë, do të lidhej me Qeverinë Provizore të Vlorës, duke i’u larguar idesë, së qeverive rajonale”. (349)
Në më pak se dy vjet, sa zgjatën zhvillimet politike në lidhje me organizimin e shtetit shqiptar, që u ndërprenë me fillimin e Luftës së Parë Botërore, ideja e “Principatës së Veriut” nga një projekt atdhetar, u kthye në një projekt të rrezikshëm, që ndihmonte qarqet shoviniste fqinje, që donin të copëtonin vendin. Koha kishte ardhur, për të punuar për Shqipërinë e pavarur.
Këmbëngulja e Prengë Bibë Dodës, që edhe në atë situatë të siguronte një status të privilegjuar për Mirditën dhe krahinat përreth, dëshmon se akoma, ai vinte në plan të parë interesat e ngushta dhe se nuk ishte ende i gatshëm, të hynte në skenën politike kombëtare, me një vizion plotësisht atdhetar, për t’i ndihmuar çlirimit të shqiptarëve, nga zgjedha osmane. Fuqitë e Mëdha dhe veçanërisht Franca, i dhanë një mbështetje morale Prengës, sepse marrëdhëniet preferenciale të tij, me Qeverinë Franceze, nuk kushtëzoheshin nga ndonjë koniunkturë e rastit, por i kishin rrënjët, në traditën e gjatë të përkujdesjes së shtetit francez, për familjen e Bibë Dodës.
Parisi, ishte i interesuar që Prengë Bibë Doda, të vlerësohej dhe të ndihmohej, që të bëhej faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare. Kjo gjë, duket edhe në respektin formal që francezët kishin për Prengën, në vlerësimin protokollar që i bënin, etj. Me titull “Princ”, i ishin drejtuar autoritetet e larta franceze, në letërkëmbimin zyrtar, që kishte pasur me 5 korrik 1913, kur e njoftuan për datën dhe orën e takimit, me Presidentin e Republikës së Francës”. (350)
Prenga, ishte takuar edhe me Kryeministrin Poincare dhe Ministrin e Jashtëm, Pizhon, të cilët mbështetën idenë e krijimit të “Principatës Katolike të Veriut”, nën mbrojtjen e Francës. (351)
Projekti i “Principatës Katolike të Veriut”, i bindi patriotët shqiptarë, se në rrugën e vështirë të unitetit të kombit, Mirdita dhe Prengë Bibë Doda, nuk mund të anashkaloheshin, sepse ngjarjet e mëvonshme treguan, se me vlerësimin real të kontributeve të tij, ai u bë luftëtar i vendosur, i unitetit të gjithë shqiptarëve dhe faktor i rëndësishëm i jetës politike në Shqipëri.
Në mes të xhonturqve dhe kryengritësve
Pas shpërthimit të revolucionit xhonturk, u fol për kthimin e Prengë Bibë Dodës në Atdhe. Nuk vonoi shumë kohë, që ai të vinte. Ardhja e tij, qe ngjarje për Mirditën, Shkodrën, e më gjerë. At Pal Dodaj, në ditarin e tij, shkruan: “Në mbrëmjen e 18 shtatorit 1908, Prengë Bibë Doda, mbërriti në Shëngjin. Sapo Princi ka vu këmbën në molo, ka puth tokën dhe ka ba kryq. Malësorët e Malit të Rrencit, zbritën nga Kodra e Nuseve dhe Pylli i Zanave, për ta përshëndet. Princi i kthyem, u nis për tek Sarajet e tij, në Shkodër.
Vargu i gjatë i njerëzve, përballë rrugës; Shëngjin-Shkodër, nuk kishte këputje. Të gjithë e përshëndesin me zemër dhe me dorë. Tek ura e Bahçallëkut, kishte dalë banda ushtarake e qytetit, e për bame prej oficerëve të ndryshëm, duke e shoqëru me marshe triumfale, deri në selinë e tij. Në demonstrimin e simpatisë për Prengë Pashën, kishte dalë edhe Provinciali, Loro Mihaçeviç, At Gjergj Fishta, At Pashk Bardhi, At Ndue Nikaj dhe përfaqësues të Etërve Jezuitë. (352)
Provinciali françeskan, në ditarin e tij, na jep mjaft të dhëna të vlefshme rreth mbërritjes së Prengës në vendin e vet, prandaj është me interes, që të japim ndonjë pjesë të tij.
“Me shumë emocion, paraqitet takimi i parë i Prengës, me popullin e Shkodrës, gjatë një shërbese fetare. Në Katedralen e Shkodrës, me 20 shtator të këtij viti, u mbajt me solemnitet pontifikal viti jubilar i shugurimit të Papa Piu X-të.
Në këtë festë madhështore të krishtërimit, nderoi me praninë e tij edhe Prengë Pasha, i veshur me grand uniform. Kur ai hyri në kishë, të gjithë njëherë u ngritën në këmbë. Shtyheshin, nxitonin të mbërthyer në kuriozitet, duke hipur mbi stolat dhe bankat e kishës së madhe, kush mbi belaustrat e altarëve, për të vëzhguar ecjen e Princit dhe ata besimtarë të devotshëm shkodranë, qeshin me sy dhe e përshëndesim me dorë. (353)
Me datën 30 shtator 1908, në Shënpal të Mirditës, organizohet ceremonia e leximit dhe e pranimit të kushtetutës, së kërkuar nga qeveria lokale që në muajin gusht dhe e planifikuar për t’u zhvilluar në Mjedë. (354)
Në ceremoninë e organizuar në Shënpal, falë pjesëmarrjes dhe autoritetit të Prengë Bibë Dodës, u pranua kushtetuta dhe u lidh besa. (355)
Ceremoni të tilla, u organizuan edhe në Orosh, në Kthellë dhe në Rubik. Duke folur për qëndrimin e Prengë Bibë Dodës në këto ceremoni, konsulli austriak, i shkruan Vjenës: “ …Unë konstatoj se ai vepron në atë mënyrë, që korrespondon me interesat tona”. (356)
Prill 1909, oficerët e Shkodrës, janë në merak për ngjarjet e Kostandinopojës dhe kanë frikë se mos një gjë e tillë, ndodh edhe këtu, duke ditur qëndrimin reaksionar të myslimanëve të Shkodrës. Shkëlqesia e tij, Prengë Pasha, ju premton mbështetjen e tij e të mirditorëve. (357)
Prengë Bibë Doda, i mbështet turqit e rinj, me shpresën se ata do të bënin një reformë të nevojshme, për lirinë e popujve. Ai qe aktiv në lëvizjen kulturore shqiptare, si anëtar i Klubit “Gjuha Shqipe”, i ngritur në fund të vitit 1910. Për hir të mbështetjes, autoritetet osmane, e emëruan Prengën, Komandant të Redifeve, por ai nuk pranoi, të kryente shërbime kundër shqiptarëve. Atëherë në atë detyrë, kaloi Esad Toptani. Pavarësisht se nuk i miratoi qëndrimet e xhonturqve në Mirditë, Prenga, nuk u shpreh publikisht kundër tyre.
Ngjarjet po rrokulliseshin vetë në drejtimin e duhur, pavarësisht se xhonturqit, si në kohë normale, po kërkonin futjen e masave decentralizuese në Mirditë, dorëzimin e armëve dhe rekrutët. Prenga, i këshilloi bashkë krahinarët e tij për qetësi, kur “Shefqet Pasha, në krye të një ushtrie të madhe, kishte hyrë në Mirditë e, shkuar deri në Orosh. Rrugës, ushtria turke, mblodhi disa armë dhe regjistroi 100 rekrutë. Po kështu në Kashnjet, Orosh dhe Rrëshen, bëri regjistrimin e banorëve meshkuj, nga 16-60 vjeç, për t’i rekrutuar në ushtri dhe caktoi pikat, ku do të vendosej administrate turke. Në Kashnjet, Orosh dhe Rrëshen, u vendosën posta turke dhe qeveritarët e caktuar nga Pashai turk”. (358)
Si veprim i dyshimtë i Kapidan Prengës, shihet lejimi i Xhavit Pashës, që të kalojë nëpër territorin e Mirditës, për në Shkodër, pasi kishte shtypur një kryengritje në Kosovë. Ka të ngjarë që, për këtë veprim, Prenga nuk njoftoi as krerët e Mirditës. Ushtria turke, kaloi nëpër rrugën Kosovë-Kukës-Pukë-Shkodër, pa ndeshur askund në prita të mirditasve. (359) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Jup Kastrai, Zef Jubani, Tiranë 1987, f.44-48
- Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881, Tiranë 1989
- Furnie, Ambasador i Francës në Stamboll, Vedingtonit, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës, Terapia, 9 korrik 1878. Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi II
- HHStA-PA-Vj.23-5-541, Telegram i Ministrisë së Jashtme në Vjenë dërguar ambasadorit austro-hungarez Fon Merei në Romë, Vjenë 26 qershor 1913
- HHStA-PA-Vj.23-15- 1597, Telegram i Ministrisë së Jashtme në Vjenë dërguar ambasadorit austro-hungarez Fon Merei në Romë, Vjenë, 29 gusht 1913
- HHStA-PA-Vj.23-10-1072
- HHStA-PA-Vj. 23-15-1596, Kastelnuovo-Shkodër 28 gusht 1913
- HHStA-PA-Vj.23-10-1065, Shkodër 22 gusht 1913
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 3, f.4
- Xheladin Shala, Çështja shqiptare dhe diplomacia serbe 1912-1913, Prishtinë 2006
- At Pal Dodaj, Ditari, shënime vrojtimesh vetjake, Hylli i Dritës Nr.2-3, Tiranë 1993
- At Pal Dodaj, Ditari, shënime vrojtimesh vetjake, ….,Tiranë 1993
- HHStA-PA-Vj. 18-10-1055. Nr. 73. Shkodër më 22 gusht 1908.
- HHStA-PA-VJ. 18-1-158. Nr. 102/sekret. Shkodër më 10 tetor 1908
- HHstA-PA-Vj. 18-1-159. Shkodër më 21 tetor 1908. A. Kral, Shkodër- Baronit Erental, Vjenë.
357.At Pal Dodaj, Ditari, shënime vrojtimesh vetjake, Hylli i Dritës Nr.2-3, Tiranë 1993
- Simon Prendi, Historia: Mesjeta, koha e re dhe e sotme,…, f.60.359. Histori e Shqipërisë, Vëllimi II, f.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016