Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al/Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË DOKTORIT LLESH RROKU, MJEKU PERSONAL I KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS,KOÇO JOSIFI
PROCES-VERBAL
(DESHMIJE)
NE TIRANE, ME 28 DHJETOR 1981
Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika pyeta me cilësinë e dëshmitarit qytetarin Llesh Rroku, i biri i Tomës, dhe i Marës, i datëlindjes 1948, lindur në Lezhë, dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 8, rruga “4 Shkurti”, pallati Nr 7, apartamenti 13, me arsim të lartë, me detyrë mjek kardiolog pranë Mehmet Shehut, kandidat partie.
Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale, që ka në bazë të nenit 202 të Kodit Penal.
Dëshmitari
Llesh Rroku
“…Mbasi ka mbaru mbledhja, e kam shoqëruar Mehmet Shehun, për në shtëpinë e tij, ku tek dera e hyrjes, e priste Fiqret Shehu dhe së bashku kanë shkuar në zyrën e katit të parë. Këtu i kam matur Mehmet Shehut përsëri tensionin, të cilin vazhdonte që ta kishte të lartë.
I thashë që të pushonte, pasi kishte nevojë. Ai më tha se nuk do pushonte dhe unë jam larguar dhe kam shkuar në vendin e punës time, që ndodhet jashtë banesës së Mehmet Shehut. Rreth orës 15.45, të datës 17 dhjetor 1981, Mehmet Shehu, më ka kërkuar mua përsëri, që ta vizitoja, duke qenë përsëri në dhomën e gjumit të tij.
Unë kam shkuar atje dhe pashë që Mehmet Shehu në dhomën e gjumit të tij, ishte bashkë me Fiqrete Shehun, ulur të dy në kolltukët që janë në këtë dhomë, Mehmet Shehu ishte I veshur me rrobat që kishte qenë në mbledhje, pra kuptova që nuk kishin pushuar ne drekë, ndërsa Fiqretja ishte me rrobdishan. Unë I mata pulsin e tensionin, por përsëri ato ishin të larta, por jo sa e kishte paradite, kur ishte në mbledhje. Sipër tavolinës së vogël që ndodhet në dhomën e gjumit, kishin kafe dhe fruta. Mbas kësaj, unë u largova dhe po prisja që të dilte, mbasi mora vesh që kishte mbledhje edhe mbas dite.
Pasdite, unë e kam shoqëruar Mehmet Shehun, në mbledhje në Komitetin Qendror dhe e kam vizituar edhe njëherë, gjatë pushimit të mbledhjes, ku tensionin e kishte të lartë dhe I dhashë një ilaç për ulje tensioni. Për gjendjen e tij tensiosore, unë kam njoftuar përsëri në telefon, mjekun, Milto Kostaqi, duke i thënë që të më priste mua në vendin e punës, kur të kthehesha nga mbledhja.
Mbasi ka mbarur mbledhja, rreth orës 20.30 të datës 17 dhjetor 1981, unë e shoqërova përsëri Mehmet Shehun, për në shtëpinë e tij dhe kur ai është futur tek dera e shtëpisë, pa që i doli përsëri përpara Fiqret Shehu, ndërsa unë u largova, për në vendin tim të punës, ku i thashë dhe Milto Kostaqit, që atë natë ai të mos shkonte në shtëpi, mbasi Mehmet Shehu pulsin dhe tensionin, e kishte të lartë. Milto mbeti dakord.
Rreth orës 21 e 30, po të kësaj date, Mehmet Shehu më ka kërkuar përsëri që ta vizitoja dhe kur shkova e gjeta në zyrën e tij në katin e parë, bashku me të shoqen, Fiqret Shehun. Unë e vizitova duke i matur pulsin dhe tensionin, të cilat e kishte përsëri të larta; 16-17, dhe unë i rekomandova ilaçet, për uljen e tensionit. Ky më tha se; dua të pi një kafe, unë i thashë që kafen nuk duhet ta pini, pasi ajo rrit tensionin, por ai tha se do ta pinte dhe kërkoi t’i sillnin kafe, në këtë dhomë. Unë e pyeta Mehmet Shehun, nëse kishte mbaruar mbledhja, por ai nuk më dha ndonjë përgjigje. Unë i thashë se ilaçet e para gjumit, i kishte sipër tek dhoma e gjumit, Mehmeti më tha mirë, mirë se i rregulloj vetë.
Më pyeti mua se kush ishte oficer shërbimi atë natë, i thashë se është oficeri i radhës edhe Ali Çeno, Mehmeti tha; Aliu qenka, më mirë, dhe pas kësaj, ai I ra ziles dhe kërkoi që t’I binim kafenë, ndërsa unë u largova për në vendin e punës? Fiqrete Shehu gjatë kësaj vizite që i bëra unë Mehmet Shehut, nuk më fli asnjë fjalë. Kur vajta unë, në vendin tim të punës, meqenëse e dija se Ali Çeno atë natë nuk ishte me shërbim dhe duke parë gjendjen jo të mirë të Mehmet Shehut dhe të mbarë familjes, për të mos dilja nga llafi, këtij të fundit, se kur më pyeti, i thashë se është edhe Aliu sot me shërbim dhe mund ta kërkonte natën, unë mora në telefon në shtëpinë e tij Ali Çenon dhe i thashë se gjendja e Mehmet Shehut nuk është e mirë, prandaj duhet të vinte edhe ai aty me shërbim.
Nuk kaloi shumë dhe Aliu erdhi aty dhe unë I tregova, jo vetëm për gjendjen shëndetësore të Mehmet Shehut, por edhe për bisedën që kisha bërë me Mehmet Shehun, kur e vizitova, që I kisha thënë se sonte është edhe Aliu me shërbim, Aliu më tha mua, mirë dhe ndenjëm të tre me shërbim, unë. Ali Çeno, Milto Kostaqi, Dashamir Rama dhe Pëllumb Risto, kemi qëndruar në godinën e shërbimit, rreth orës 24.00, pastaj kemi fjetur në dhoma të ndryshme.
Mua, rreth orës 00’30 minuta të datës 18 dhjetor 1981, më ka zënë gjumi gjatë gjithë natës dhe nuk kam ndjerë gjë, jam zgjuar në mëngjes rreth orës 6.00, kohë në të cilën janë ngritur edhe shokët e tjerë. Rreth orës 7.55 minuta, të datës 18.12.1981, kur ishin të gjithë në grupin e shërbimit, bashkë në një dhomë, kemi dëgjuar që Vladimir Shehu, lajmëron me steriofon, që të vijë Ali Çeno urgjent në dhomën e Mehmet Shehut. Aliu iku me shpejtësi, ndërsa ne të tjerët qëndruam aty, mbas 4-5 minuta kemi dëgjuar që Vladimiri, përsëri njoftoj me steriofon, që mjekët të vijnë urgjent lart.
Në këtë moment, unë, Milto Kostaqi dhe ndihmësmjeku Nestor Lezho, me të gjitha mjetet e nevojshme, u ngjitën me shpejtësi në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Derën e kësaj dhome, e gjetëm të hapur. Në korridorin para kësaj dere, ishte Vladimir Shehu. Unë dhe Miltoja u futëm në dhomë, pasi Vladimiri na tha; “shiheni babën”, ndërsa ndihmësmjeku, qëndroi jashtë në korridor.
Sapo u futëm brenda, unë dhe Miltoja u drejtuam nga krevati dhe pamë që Mehmet Shehu, ishte shtrirë në krevat, në krahun e majtë të tij, me fytyrë nga tavani, me batanije mbuluar gjer në grykë, edhe me gjyzlykë. Miltoja në fillim dhe pastaj unë, i hoqëm batanijen, bile Miltoja I hoqi dhe një nga jastëkët që kishte në kokë, i vuri dorën në ballë dhe në puls, balli i tij ishte I ftohtë dhe pulsi nuk punonte, në krahun e majtë të zemrës së tij, diktuam një njollë gjaku.
Milto ja hoqi, duke menduar se mos kishte ndonjë atak zëmre dhe t’I jepte ndihmën e nevojshme, në krahun e djathtë trupit të Mehmet Shehut, rreth 30 cm. pothuajse në mes të krevatit, mbi batanije, pashë një pistoletë, dhe në këto rrethana, mora vesh që Mehmet Shehu ishte vetëvrarë dhe nuk kemi bërë asnjë veprim tjetër, ndërsa Milto e ngriti përsëri pak nga koka, duke I vënë jastëkun që I hoqi më parë dhe e mbuluam afërsisht sic qe me batanije dhe çarçaf, të dy duart e Mehmet Shehut I gjetëm të përthyera në bërryl mbi batanije dhe të vendosura në gjoks.
Kur unë u zmbrapsa nga krevati, pashë se një metër larg nga krevatit ishte një gëzhojë, të cilën ne mora në dorë dhe e vendosa sipër komodinës në krahun e majtë të krevatit, ku ishte trupi I Mehmet Shehut. Veprime të tjera mbi trupin e Mehmet Shehut dhe krevatin e tij, ne nuk kemi bërë, por shtoj se kur unë me Milton u futëm në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, vumë re se dera e zyrës së tij në katin e dytë, që është në vazhdim të kësaj dhome gjumi, ishte e hapur dhe tek tavolina e zyrës ishte Ali Çeno, së bashku me Jonuz Luton, Aliu po bisedonte në telefon, për të njoftuar për ngjarjen e ndodhur.
Unë dhe Milto kemi dalë nga dhoma e gjumit e Mehmet Shehut dhe kemi ndenjur në korridorin e katit të dytë, tek disa kolltukë që janë aty, bile Milto u fut edhe në dhomën e Fiqrete Shehut, ku ajo ishte së bashku me Fatbardha Shehun dhe I dha një ilaç për ta qetësuar. Ndonjë gjë tjetër, nuk më kujtohet.
Procesin mbasi e lexova, pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmosa.
Dëshmitari Asistoj Hetuesi
Llesh Rroku Elham Gjika Koço Josifi
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË FARIJE KOÇIRAJ, PUNONJËSE SHËRBIMI NË VILËN E MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
PROCES-VERBAL
Në Tiranë, më 20 dhjetor 1981
Unë Koço Josifi, kryetar I Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, pyeta në cilësinë e dëshmitares, qytetaren Farije Koçiraj, e bija e Shercemos dhe Merushes, e datëlindjes 1937, lindur në Drashovicë Vlorë, banuese në Tiranë, në lagjen Nr. 8, Rruga “Lidhja e Prizrenit”, pallati 6, shkalla 2, ap. 16, me punë në Drejtorinë e Pritjes.
Dëshmitarja u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202 të Kodit Penal.
D Ë SH M I T A R J A
FARIJE KOCIRAJ
Mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:
Unë kam rreth 27 vjet që punoj si punëtore në shtëpinë e Mehmet Shehut. Më datën 16.12.1981, ditën e mërkurë, më thirri Fiqret Shehu dhe më tha që nesër mos e bëj pushim, mbasi kemi punë dhe dy veta kanë marrë pushim (mua ditën e enjte më takonte pushim) dhe në fakt unë rashë dakord dhe nuk bëra pushim ditën e enjte.
Më datën 17 dhjetor 1981, ditën e enjte, unë kam ardhur në punë rreth orës 13.00, dhe mbasi Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja, është future bashkë me Fiqret Shehun në dhomën e bukës. Mbas një lloj kohe, unë kam shkuar unë kam shkuar për të marrë enët e drekës, ata kishin ngrënë ushqimin dhe I pashë që të dy që u ngjitën lart, duke na lënë porosi që t’I çonim në orën 16.00. Rreth orës 15.00, mjeku Llesh Rroku erdhi në kuzhinë dhe më tha që t’I çoja Mehmet Shehut dhe Fiqret Shehut në dhomën e gjumit, nga një kafe, duke na thënë se ata nuk janë shtrirë për të pushuar, prandaj çoji kafenë.
Unë mora kafenë dhe u ngjita lart në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Kur unë hapa derën e dhomës së gjumit të Mehmet Shehut dhe hyra brenda, pashë se ai po shëtiste nëpër dhomë I veshur me kostum, ndërsa Fiqrtete Shehu ishte ulur në një kolltuk dhe rrinte atje e veshur me rrobdësham, sa u futa unë me kafe, ata nuk bënë asnjë lloj bisede, lashë kafet në tavolinën e vogël që ishte brenda dhomës së gjumit dhe u largova.
Mbas dhjetë minutash, siç e kishte rregulli, që pas kafes ju çoja fruta, mora frutat dhe u ngjita përsëri në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Kur hapa derën e dhomës së gjumit, I gjeta Mehmetin dhe Fiqreten ulur në kolltukun që mbanin në dhomë, nuk dëgjova gjë që të bënin ndonjë bisedë. U lashë frutat dhe përsëri u largova.
Mbas rreth 20 minutash, Mehmeti dhe Fiqretja kanë zbritur përsëri nga dhoma e gjumit të Mehmetit, unë I mbajta pallton e madhe Mehmetit dhe mbasi e veshi doli, që mesa dëgjova, kishte përsëri mbledhje, ndërsa Fiqrët Shehu e përcolli deri tek dera e jashtme. Pas kësaj, Fiqret Shehu shkoi tek dhoma e televizorit, ku rrinte bashkë me fëmijët e saj, Vladimirin, Bashkimin dhe gratë e tyre, ndërsa unë shkova në dhomën e punës sonë.
Në mbrëmje rreth orës m shpënë darkën Vladimirit, Bashkimit dhe Marjetës, ndërsa Fiqret Shehu me Fatbardhën, rrinin tek dhoma e televizorit. Mbasi ka kaluar edhe një kohë, ka rënë përsëri sinjali, dhe unë I çova darkën Mehmet Shehut dhe Fiqret Shehut. Në dhomë kur shkova gjeta vetëm Mehmet Shehun dhe Fiqret Shehun, dukeshin të mërzitur, por ndonjë bisedë nuk dëgjova që të bënin. Lashë ushqimin dhe u largova.
Pas rreth gjysëm ore, unë shkova për të marrë pjatat dhe pashë se Fiqret Shehu kishte ngrënë ushqimin, ndërsa Mehmet Shehu, pothuajse nuk kishte ngrënë fare. Kur unë shkova për të marrë pjatat, ata nuk I gjeta aty, mora vesh se ishin në zyrën e Mehmet Shehut, në katin e parë. Pas kësaj, unë hëngra darkë dhe rreth orës 22.00, jam larguar për në shtëpi, duke lënë aty një shoqen tonë, quhet Mimoza, mbiemrin nuk ja di, se kohët e fundit ka ardhur aty në punë.
Më datën 18 dhjetor 1981, kam ardhur në punë rreth orës 6 e 30, së bashku me kuzhinierin po përgatisnim mëngjesin, Vladimir Shehu iku për në punë, ndërsa Bashkim Shehu, më thanë se kishte ikur në punë, përpara se të vija unë në punë. Rreth orës 8.00, oficeri I shërbimit, Jonuz Lato, ka ardhur poshtë në kuzhinë, ku ishim I gjithë personeli I shërbimit, ky ishte shumë I shqetësuar, e pyeta çfarë ke, ky nuk më dha përgjigje menjëherë, pas kësaj më tha se Mehmet Shehu ka vrarë veten.
Unë u ngjita lart në katin e dytë, vura re se në zyrën e Mehmetit, ishte oficer Ali Çeno dhe mjeku Milto Kostaqi e Llesh Rroku. Ndërsa në dhomën e gjumit të Fiqret Shehut, dera e së cilës ishte hapur, pashë se ishte Fiqret Shehu, Vladimiri dhe Fatbardha, të cilët po qanin dhe thoshin: “Pse e bëri, s;duhet ta kishte bërë”. Në këtë kohë, Ali Çeno po merrte në telefon, se kë, nuk e di. Pastaj Aliu, doli nga zyra e Mehmet Shehut dhe aty në korridor, dëgjova se I tha Fiqretes: “Letrën që bërë, sille këtu, se do vijnë ta marri nata shokët”, unë u largova dhe nuk e di se për çfarë letre bëhet fjalë.
Sqaroj se më datën 18 dhjetor 1981, kur erdha në mëngjes në punë, shoqja ime që kishte fjetur natën aty, Mimoza, më tha se pasi ike ti në orën 22.00, Mehmet Shehu më kërkoi një kafe, unë ja çova në dhomën e gjumit të tij, aty kishte gjetur mjekun Llesh Rroku, që po I maste tensionin. Gjithashtu sqaroj se pasi janë bërë shtëpitë e reja nga muaji shtator I këtij viti, Fiqrete Shehu kërkoi që në dhomën saj, të gjumit të vendosej një kanape, që donte të merrte për të fjetur aty, mbesën, vajzën e Vladimirit, por me sa di unë, aty nuk ka fjetur, as mbesa as Fatbardha.
Proces-verbalin, pasi e lexova, pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos. Memorie.al
Dëshmitarja Hetuesi
Farije Koçiraj Koço Josifi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016