Nga Andrey Edemskiy
Pjesa e katërt
Memorie.al / Materiali i mëposhtëm është një punim i Andrey Edemskiy, i Institutit për Studime Sllave në Akademinë Ruse të Shkencave. Autori sjell për herë të parë si burim arkivor deri më tani të papublikuar, Fondet 2, 3 dhe 10 të Arkivit Shtetëror Rus, për Historinë Bashkëkohore, përmes të cilit mund të shohim optikën sovjetike mbi atë që po ndodhte në raportet me Shqipërinë në vitet 1960-1961. Këto burime ndihmojnë që disa mite në historiografinë e më pas imagjinatën kolektive shqiptare të rishikohen. Miti i “betejës” në bazën e Vlorës, duhet parë përtej optikës së ngushtë të një fitoreje shqiptare dhe demonstrimit të forcës, pasi të paktën sipas dokumentacionit në fjalë, nuk rezulton që sovjetikët të kenë patur ndonjëherë ndërmend skenarë ushtarakë në Shqipëri. Megjithatë akademiku rus e mbyll punimin me theksimin se ka nevojë që burimet të krahasohen, për të kuptuar më shumë atë që ka ndodhur.
Një gjë del e qartë: pavarësisht sjelljes apo gabimeve të sovjetikëve – të cilat pranohen si të tilla – Enver Hoxha nuk ia la rastësisë shkëputjen me sovjetikët. Ai e kishte qëllim politik atë dhe e provokoi deri në fund, së pari duke luajtur në marrëveshje me palën kineze dhe së dyti duke minuar klimën e bashkëpunimit. Mbetet për t’u hulumtuar se çfarë qëndron pas kësaj politike, por p.sh., interpretimi i autorit për takimin në Tiranë mes tij dhe Andropovit dhe Pospjellovit, jep të kuptojë se Enver Hoxha është ndjerë i rrezikuar personalisht prej sovjetikëve.
Dhe vendosi të spastronte partinë nga çdo element i mundshëm pro tyre dhe pastaj në dritën e fërkimeve sovjeto-kineze të përgatiste përshkallëzimin e situatës, duke qëndruar publikisht si një komunist i vendosur që kishte kapur në gabim ideologjik sovjetikët. Është po ashtu e pasqaruar mirë, edhe me këto dokumente, nëse afrimi i Hrushovit me jugosllavët ishte refleks i prishjes me Shqipërinë, apo lidhet me një politikë të Kremlinit në Ballkan. Autori thotë se në çdo rast, afrimi me Jugosllavinë, i dha një alibi Enver Hoxhës, i shtroi edhe më tej rrugën atij drejt shkëputjes përfundimtare.
Studimi i Andrey Edemskiy, nga Instituti për Studime Sllave në Akademinë Ruse të Shkencave
U vendos që “në dritën e veprimeve të vazhdueshme jomiqësore që çonin në përkeqësimin e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike” të dërgohej në Tiranë një notë zyrtare për sjelljen e keqe të kadetëve shqiptarë. Kopje të këtij dokumenti do t’i dërgoheshin po ashtu “udhëheqësve të vendeve të kampit socialist”. Gjatë verës së vitit 1961, marrëdhëniet vazhduan të tatëpjetën duke u bërë edhe më të komplikuara.
Në fillim të korrikut, Enver Hoxha bëri një përpjekje për të rivendosur kontaktet e humbura dhe të reduktuara ekonomike dhe ushtarake me vendet e Bllokut sovjetik. Përpjekjet e tij dështuan. Më tej akoma, Shqipëria nuk u ftua në takimin e udhëheqësve të Partive Komuniste dhe të Punëtorëve të vendeve të Paktit të Varshavës, që u zhvillua në fillim të gushtit.
Pasi arritën në përfundimin se ndarja ishte e pashmangshme dhe gati për një konfrontim të ashpër me udhëheqjen shqiptare, udhëheqësit sovjetikë donin që të minimizonin dëmin që mund të kishin akuzat reciproke, mbi imazhin e Bashkimit Sovjetik mes popullsisë së Shqipërisë, për shkak të propagandës antisovjetike të udhëheqjes së saj.
Kjo evidentohet p.sh., në udhëzimet e 31 gushtit të Moskës, për ambasadorin sovjetik në Tiranë, lidhur me muajin e miqësisë sovjeto-shqiptare (mesiaçnik) në Shqipëri. Në vitet e mëparshme autoritetet shqiptare e kishin celebruar këtë muaj në mbarë vendin. Kësaj radhe, në rrethana shumë të ndryshme Moska veproi me kujdes.
Nga njëra anë vlerësonte se “politikat jomiqësore të ndjekura nga udhëheqja shqiptare në raport me Bashkimin Sovjetik, na japin arsye të besohet se ata mund të shfrytëzojnë mundësinë që mund të krijohet këto dy javë, për të mashtruar popullin shqiptar”.
Meqë ishte bërë tashmë traditë për diplomatët e lartë sovjetikë dhe njerëz të ndryshëm nga organizata të tjera sovjetike në Shqipëri, të merrnin pjesë në festime të ndryshme me ftesë të autoriteteve shqiptare, u rekomandua “që të pranohej ftesa për të marrë pjesë në këto ngjarje”.
Direktivat e Moskës për përfaqësuesit sovjetikë, sugjeronin që të mos refuzohej që të mbahej ndonjë fjalim, nëse për këtë kishte ftesë: “ata mund të flasin në frymën e fjalimit të delegacionit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në kongresin e PPSh-së”.
Moska u përpoq që të shmangte përkeqësim të mëtejshëm duke paralajmëruar diplomatët sovjetikë se; “ata nuk duhet të prekin marrëdhëniet sovjeto-shqiptare kur flasin për çështjet e politikës së jashtme”, por duhet në fakt të vënë theksin “në shpjegimin e politikës së jashtme paqësore të Bashkimit Sovjetik dhe aktivitetet e Hrushovit (në atë zonë)”. Personeli sovjetik në Shqipëri, u instruktua që të “largoheshin menjëherë takimet dhe të shmangnin pjesëmarrjen në aktivitete të muajit të miqësisë”, nëse do të lejohej aty ndonjë incident anti-sovjetik.
Dallimet mes Moskës dhe Tiranë hynë në një fazë të re në kongresin e 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (mbajtur nga datat 17-31 tetor 1961 në Moskë), teksa Hrushovi deklaroi hapur si të papranueshme praktikën politike dhe pikëpamjet ideologjike të udhëheqjes shqiptare. Përveç tij, disa pjesëmarrës të tjerë në Kongres folën me një tonë të ashpër anti-shqiptar.
Retorika anti-jugosllave shquhej po ashtu në një numër deklaratash si dhe në programin e ri të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të adoptuar nga Kongresi. Kjo i shtohej mosmarrëveshjes ideologjike me Beogradin, pas adoptimit të programit të ri nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në prill 1958, gërshetuar me dëshirën sovjetike për të mos irrituar udhëheqjen kineze, me një theksim të ri në qasjen sovjetike ndaj “revizionizmit jugosllav”.
Pala sovjetike vijoi të intensifikonte kontaktet ekonomike me Jugosllavinë, ndërkohë që marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë përkeqësoheshin. Në 30 tetor udhëheqja sovjetike mbështeti propozimin e qeverisë polake për të mos i dorëzuar Shqipërisë një anije tregtare të ndërtuar në Poloni. Ndryshimet në marrëdhëniet me Tiranën dhe Beogradin u bënë qartësisht të dukshme në fund të nëntorit, në disa vendime të rëndësishme të vendimmarrësve kryesorë sovjetikë, që kishin të bënin me qëndrimin e mbajtur për festat shtetërore të Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Me Shqipërinë, telegramet e urimit u kufizuan në një nivel të ulët. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, urimet formale iu dërguan vetëm Presidiumit të Asamblesë Popullore, Këshillit të Ministrave dhe Ministrit të Punëve me Jashtë të Shqipërisë. Sovjetikët i dërguan “urimet më të përzemërta popullit vëlla shqiptar, me rastin e përvjetorit të 17-të të Çlirimit nga okupatori nazist”, duke nënvizuar se; “faktori vendimtar në që i dha mundësi popullit shqiptar të çlirohet nga zgjedha e huaj dhe të vendosë pushtetin popullor ishte mundja e hordhive naziste nga Ushtria Sovjetike”.
U vendos që teksti i urimit sovjetik të lexohej vetëm në radio pa u publikuar në gazeta. Sa për shtypin sovjetik, u vendos të publikoheshin artikuj që përbënin urimet për popullin shqiptar, teksa dënonin “aktivitetet skizmatike të udhëheqjes shqiptare”.
Liderët sovjetikë rekomanduan përgatitjen e disa transmetimeve në radio për Shqipërinë, në të njëjtën frymë ideologjike. Vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesës së mundshme nga pala shqiptare, e zakonshme në raste të tjera, për t’i dhënë mundësi ambasadorit shqiptar të flasë në radion dhe televizionin sovjetik.
U vendos që një kërkesë e tillë të refuzohej me argumentimin se “ambasadorit sovjetik në Shqipëri, nuk i ishte dhënë një mundësi e tillë”. Shtuar kësaj, u vendos të mos mbahej asnjë festim publik zyrtar nga organizatat joqeveritare sovjetike dhe të kufizohej niveli i prezencës në ambasadën shqiptare në Moskë, i zyrtarëve sovjetikë të angazhuar në shkëmbimet kulturore.
Në të njëjtën kohë, ambasadorët sovjetikë jashtë vendit u udhëzuan që të shmangnin pjesëmarrjen në ndonjë festim të organizuar nga ambasadat shqiptare dhe të dërgonin në to “një konsull apo sekretarin e Parë”. Udhëzime të veçanta iu dërguan ambasadorit sovjetik në Tiranë: ai duhet të mos merrte pjesë në ndonjë ngjarje festive të organizuar nga autoritetet shqiptare dhe të merrte pjesë në pritjet e qeverisë, i shoqëruar nga jo më shumë se dy diplomatë sovjetikë.
Në të njëjtën periudhë, autoritetet sovjetike morën hapa të tjerë për të forcuar hapur marrëdhëniet me Jugosllavinë. Ata demonstruan një qasje shumë më të vëmendshme dhe miqësore për festën kombëtare të Jugosllavisë në 29 nëntor, sesa ndaj Shqipërisë që e kishte edhe ajo festën në të njëjtën ditë, krahasuar kjo qoftë edhe me sjelljen e viteve të mëparshëm. Plani sovjetik për festën jugosllave përfshinte një letër urimi nga Hrushovi dhe Brezhnjevi për Titon, përmes së cilës shprehej dëshira “për fuqizimin dhe zhvillimin tërësor të marrëdhënieve miqësore mes vendeve tona”.
Ky tekst u publikua në shtypin sovjetik pas përgjigjes së Titos dhe u shoqërua me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë sovjetikë në pritjen e organizuar në ambasadën jugosllave në Moskë, publikimin e artikujve rreth Jugosllavisë dhe festës së saj kombëtare në të përditshmet më të mëdha dhe me tirazhin më të lartë si ‘Pravda’ dhe ‘Izvestia’. Plani parashikonte madje një fjalim të ambasadorit jugosllav në Moskë në radion dhe televizionin sovjetik, nëse do të kishte kërkesë nga pala jugosllave.
Kjo rënie domethënëse në nivelin e mirësjelljes (kordialitetit) në raportet sovjeto-shqiptare me rastin e festimit të festës kombëtare të Shqipërisë, u errësua nga zhvillime të tjera që kishin të bënin me shtimin e kontrollit nga ana e Shqipërisë, mbi aktivitetet e diplomatëve sovjetikë në Tiranë. Më 25 nëntor, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare drejtuar ambasadës sovjetike për reduktimin e stafit me gati 2/3-at, me akuzën se ata kryenin aktivitete armiqësore në Shqipëri, udhëheqja sovjetike vendosi të “tërhiqte ambasadorin, shokun Shikin I. V., nga Shqipëria”.
Paralelisht me këtë, sovjetikët informuan Tiranën për pamundësinë e qëndrimit të mëtejshëm të ambasadorit shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Nota sovjetike vinte në dukje se pas kongresit të 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, autoritetet shqiptare krijuan një mjedis të patolerueshëm për aktivitetet normale të diplomatëve sovjetikë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Konkludohej se ambasada sovjetike në Tiranë, ishte de facto në një pozicion izolimi si pasojë e shkeljes së të gjitha normave bazike të ligjit ndërkombëtar, që rregullonin aktivitetin e saj.
Nota shprehte se autoritetet shqiptare krijuan qëllimisht kushte nën të cilat ambasadori sovjetik në Shqipëri, e kishte të pamundur të përmbushte detyrat e tij sipas udhëzimeve të qeverisë sovjetike. Kjo u pasua nga masa të mëtejshme të sovjetikëve kundër Shqipërisë. Qysh më 3 dhjetor, Moska kishte vendosur anulimin e privilegjeve doganore për qytetarët shqiptarë, akorduar nga Bashkimi Sovjetik, për të qytetarët e vendeve socialiste. Në vend të kësaj, ata u bënë subjekte të rregullave doganore që aplikoheshin për qytetarë të vendeve kapitaliste.
Në fund të vitit, Moska gjeti një zgjidhje për problemin e pronave sovjetike në Shqipëri, që ishte në përdorim të përkohshëm nga organizatat lokale, por që nuk ishte ligjërisht e regjistruar. U vendos që ato të jepeshin me qira organizatave lokale në Shqipëri për përdorim të përkohshëm (fusha ajrore, pajisje stërvitore gjeofizike, një digë lundruese, dy anije me vela, vetura dhe prona të tjera), llogaritur kjo si pjesë e borxhit neto të Bashkimit Sovjetik, sipas parashikimeve të Marrëveshjeve sovjeto-shqiptare të 22 nëntorit 1957 dhe 3 korrikut 1959.
Edhe më impresionues ishte ndryshimi i sjelljes ndaj Shqipërisë, siç u reflektua në telegramet e urimit me rastin e Vitit të Ri. Më 28 dhjetor 1961, udhëheqësit sovjetikë miratuan listën e shteteve të cilave do t’u dërgoheshin telegrame urimi. Kësaj radhe Shqipëria ishte nxjerrë jashtë listës së vendeve
socialiste. Për më tepër, ajo nuk ishte as në listën e vendeve kapitaliste. Ishte sikur udhëheqësit sovjetikë ta kishin fshirë Shqipërinë nga rruzulli. Në të kundërt të kësaj, në listën e 11 vendeve socialiste, u shfaq Jugosllavia (pas Rumanisë dhe Çekosllovakisë).
Në fillim të vitit 1962, ngrehina e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, që deri së fundmi dukeshin kaq të fuqishme, ishte e rrënuar. Në këtë kohë, diplomatët e të dyja vendeve po kërkonin ndihmën e shteteve të Ballkanit, për përfaqësimin diplomatik të tyre në Moskë dhe Tiranë respektivisht. Kishte megjithatë një paradoks. Mes kundërshtive dhe përkeqësimit në rritje të marrëdhënieve me Moskën dhe aleatët e saj, Shqipëria nuk njoftoi tërheqjen nga organizata ushtarake e Paktit të Varshavës. Më 15 dhjetor 1961, udhëheqja sovjetike rekomandonte që në Tiranë të vazhdonte të mbahej përfaqësia e forcave të bashkuara ushtarake të vendeve socialiste.
Nga fundi i vitit 1961, në më pak se dy vjet, marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë kishin rënë në nivelin e tyre më të ulët. Udhëheqja sovjetike, ndoshta vetë Hrushovi, dështoi në përpjekjen për të frenuar një tjetër konflikt në rritje në bllokun sovjetik, përmes bindjes së udhëheqësve shqiptarë që të diskutonin çështje të debatueshme përballë. Kërkuesit kanë tashmë njohur të konsiderueshme të këtyre proceseve, por mbeten ende boshllëqe të mëdha që duhen mbushur.
Pjesa më e madhe e dokumenteve të rëndësishme sovjetike mbeten ende të klasifikuara në arkivat ruse, por shfrytëzimi i atyre që janë të disponueshme, bën të mundur për kërkuesit të fitojnë një optikë për përfshirëse mbi ecurinë e përplasjes sovjeto-shqiptare dhe të identifikohet sesi, me kolapsin e kontakteve sovjeto-shqiptare në fillim të viteve ’60-të, nisi të shfaqej një riafrim sovjeto-jugosllav. Në këtë moment ka nevojë urgjente, për studime krahasuese të materialeve dokumentare sovjetike, shqiptare si dhe kineze dhe jugosllave. / Memorie.al
Përkthimi: Skerdilajd Zaimi













