Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e gjashtë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
E para demonstratë antikomuniste me 26 mars ‘90 në Kavajë dhe mitingu madhështor në Tiranë, për të dënuar “tradhtarët” e ambasadave !
Më 26 mars 1990 zhvillohet në Shqipëri e para demonstratë masive antikomuniste në Kavajë, një qytet i vogël në Shqipërinë Qendrore. Forca të shumta policore e shtypën me egërsi këtë demonstratë. Për herë të parë në mënyrë masive fyhet diktatori Hoxha. Demonstrata nxit fillimin e Lëvizjes Demokratike në mbarë vendin.
Më 2 korrik 1990 fillon hyrja masive e qytetarëve shqiptarë në ambasadat perëndimore në Tiranë. Mijëra e mijëra të rinj kërkuan strehim politik në këto ambasada duke rrezikuar jetën, por edhe duke shpresuar për një jetë dinjitoze larg atdheut, larg atyre që donin më shumë, por edhe të atyre që urrenin më shumë. Për diktaturën kjo ishte një goditje e fuqishme. Ajo organizoi një miting “madhështor” në sheshin qendror të kryeqytetit për të dënuar si tradhtarë e bukëshkalë ata që ishin futur në ambasadat e huaja. Ajo synonte që me anën e këtij mitingu të tregonte se kishte mbështetjen e popullit. Në të vërtetë pjesëmarrësit në këtë miting, midis tyre edhe unë, u detyruan të jenë aty të pranishëm. Në të vërtetë sheshi qendror ku edhe u zhvillua mitingu ishte rrethuar me snajperë që qëndronin në çatitë e godinave, pa u munduar fare të maskojnë praninë e tyre. Në të vërtetë në mesin e masës së civilëve, shiheshin qartë njollat e mëdha të gjelbërta të kuadrateve të ushtarëve, që ishin sjellë aty jo thjesht për të mbushur sheshin.
Diktatura mundohej të frikësonte popullin, por tani kahja e frikës kishte ndërruar. Populli kishte vrarë frikën, frika po vriste diktaturën. Pas ngjarjes së ambasadave nisin demonstratat antikomuniste në të gjithë vendin, veçanërisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Kërkesa kryesore e demonstruesve ishte hapja e Shqipërisë dhe rrëzimi i regjimit diktatorial komunist. Në të njëjtën kohë nis ai që njihet tashmë si eksodi biblik i shqiptarëve. Mbi 20.000 shqiptarë largohen nga vendi duke rrëmbyer anijet që gjendeshin të ankoruara në portet e Shqipërisë.
Lëvizja studentore më 8 dhjetor 1990 në Qytetin ‘Studenti’!
Me 8 dhjetor lëvizjes popullore të protestës iu bashkuan edhe studentët e Universitetit të Tiranës. Në krye të tyre ishte Azem Hajdari, një student me origjinë nga Tropoja, krahinë malore në verilindje të Shqipërisë. Fillimisht studentët paraqitën disa kërkesa ekonomike. Shpejt ata dolën me kërkesa të qarta politike. Kryesorja ishte ajo mbi lejimin e pluralizmit politik. Shumë shpejt në tubimet e tyre u lëshua thirrja: “Poshtë diktatura! Poshtë diktatura!” Diktatura u orvat ta shuajë me forcën e armëve Lëvizjen studentore, por ajo gjeti mbështetjen e popullit të kryeqytetit.
Më 12 dhjetor 1990 diktatura u detyrua të bëjë lëshime. Në këtë datë u formua edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, e para parti opozitare. Regjimi nxitoi njëkohësisht t’i cilësojë anëtarët dhe simpatizantët e saj si “tradhtarë”, si “ballistë”, etj. Kjo propagandë ishte tejet anakronike, aspak e zgjuar, por Partia e Punës nuk kishte argumente të vërtetë për tu mbrojtur. Asaj i kishte ngelur ora në vitin 1944.
Më 14 dhjetor ’90 mbledhja e organizatës bazë në Arkivin e Shtetit!
Me 14 dhjetor organizata e Partisë e Arkivit të Shtetit u mblodh për të diskutuar zhvillimet e fundit të ngjarjeve në vend. Sipas orientimit të dhënë nga udhëheqja më e lartë e Partisë, në mbledhje si kjo, që po organizoheshin anë e mbanë vendit, komunistët e thjeshtë duhet të solidarizoheshin me këtë udhëheqje, të shprehnin besnikërinë e tyre ndaj Partisë si edhe devotshmërinë për t’i shërbyer deri në fund idealit të saj! Me 14 dhjetor 1990, u bë ndarja ime përfundimtare me Partinë.
Në mbledhjen e organizatës unë, midis të tjerave, thashë: “Nuk jam aspak dakord me përdorimin e dhunës policore ndaj fëmijëve, motrave e vëllezërve tanë studentë, ditët e fundit. Nuk jam dakord të qëllohet me kërbaç ajo që përfaqëson të ardhmen e Shqipërisë, trurin, intelektin e saj. Nuk jam dakord me veprime të tilla edhe nëse thuhet se janë në përputhje me ligjin. Kamxhikun mbi bijtë e popullit nuk mund ta përligjë asnjë ligj, nuk mund ta pranojë asnjë moral i shëndoshë, asnjë arsye e ndershme, asnjë logjikë jo oportuniste. Ndryshe, sot pajtohemi me të, nesër pse jo edhe me plumbat, gjithnjë në emër të ligjit, d.m.th. me vëllavrasjen në emër të ligjit…! Për më tepër, për mua, kërkesat e studentëve ishin mjaft të drejta e të arsyeshme.”
Më tej e portretizova Partinë e Punës, ashtu siç e mendoja unë, duke thënë: “Mendoj se Partia e Punës në gjendjen ekzistuese është plakur dhe e paaftë për të ndjekur me dinamizëm proceset bashkëkohore, për të qenë motor i fuqishëm i tyre. Ajo ka një udhëheqje të privilegjuar, që nuk është interesuar për dekada për mendimin e vërtetë të bazës së saj e të popullit, që ka kërkuar prej tyre vetëm bindje e solidarizime burokratike apo servile, duartrokitje mundësisht sa më të shfrenuara, brohoritje deri në çjerrje e pompë. Kjo ka sjellë një distancim me pasoja serioze, një polarizim shoqëror ekzistues edhe pse është mohuar. Kjo më ka bërë ta shoh veten jashtë saj edhe pse idealet e saj të deklaruara kanë qenë e janë për mua më idealet. Vetëm një rindërtim me themele mendoj se mund ta shpëtojë atë. Ajo duhet të hedhë farën për një fidan të ri që të prodhojë fryte të bollshme, që të freskojë e të qëndrojë i fortë. Asaj i duhen pra njerëz të rinj, mundësi të reja”. Më duket se jam i pari komunist që publikisht, në kushtet e kohës, kam hedhur kështu mendimin se Partia e Punës nuk mund të drejtonte më vendin dhe po kështu i pari që kam hedhur publikisht idenë mbi nevojën e reformimit me themele të saj.
Këtë mendim e kam zhvilluar madje edhe më tej në mbledhjen e organizatës. Në diskutimin tim, në vazhdim, gjithnjë duke portretizuar Partinë e Punës, kam thënë: “Ajo prej dhjetëvjeçarësh ka mbajtur e ende ka në udhëheqje të saj njerëz pa autoritet, ose mediokër e të prapambetur në psikologji. Kështu, edhe nëse ka patur pushtetin, autoritetin e pushtetit, ajo po humbet pushtetin moral, madje gjithnjë e më me shpejtësi. Me këta njerëz ajo nuk ka ditur të drejtojë me efikasitet, nuk ka mundur të drejtojë sipas kërkesave të kohës dhe nevojave të shoqërisë sonë, të popullit. Ajo e pruri vendin në pragun e gjendjes së jashtëzakonshme në planin e brendshëm ekonomik dhe në izolim të plotë në planin e jashtëm, politik…! Përveç varfërisë, urisë, gjendjes së mjeruar, prapambetjes së thellë ekonomike, Partia me sektarizmin dhe dogmatizmin e praktikuar prej saj, me politizimin dhe ideologjizimin ekstrem, me nënshtrimin absolut ndaj mendimit të një personi të vetëm, u largua gradualisht nga populli. Këtë e tregon edhe fakti se populli nuk dëshiron të marrë pjesë në mbledhjet e organizatave bazë, se ai u hapi dyert atyre që u rrahën dhe u ndoqën nga forcat e rendit në korrik dhe tani së fundi në ngjarjet e qytetit të studentëve. Dhe, kur populli të hap dyert kur je i ndjekur, do të thotë që këto dyer janë të mbyllura për ata që ndjekin, për ata që qëndrojnë pas tyre dhe i drejtojnë”.
Ramiz Alia, që nuk ka qenë dakord me vendosjen e demokracisë në Shqipëri, në mungesë kurajoje për ta thënë këtë gjë hapur, përhapte në atë kohë mendimin sipas të cilit në Shqipëri ende nuk ishin krijuar kushtet për një sistem demokratik, se për këtë duhej kohë, duhej pranuar procesi i demokratizimit gradual të vendit, proces që po e udhëhiqte Partia! Në diskutimin tim e kundërshtova hapur farsën e demokratizimit të Ramiz Alisë. Hapur kam thënë: “Ne jemi të përgatitur për një demokratizim të plotë e të shpejtë, pa humbur kohë. Partia, mendoj se edhe këtu nuk bën vlerësime të drejta, prandaj edhe ngurron, tërhiqet me sot e me nesër, duke u justifikuar se masat, populli, kuadrot ende nuk janë përgatitur, paskan një nivel të tillë apo të atillë.” Pas këtyre fjalëve kam dorëzuar teserën e anëtarit të Partisë së Punës të Shqipërisë duke qenë kështu, besoj, i pari komunist që në kushtet e krijuara, ka bërë këtë hap. Se ç’do të sillte e ardhmja e afërt nuk ishte fare e sigurt. Unë veprova ashtu siç më tha ndërgjegjja ime.
Më 5 janar ‘91, botohet numri i parë i “Rilindja Demokratike dhe në mars ‘92, mora drejtimin e saj si kryeredaktor”!
Pas afro tri javësh, më 5 Janar 1991, u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, e para gazetë opozitare e diktaturës, organ i Partisë Demokratike. Për më tepër se një vit ajo vazhdoi të dalë dy herë në javë. Në një nga numrat e saj të parë, kam botuar artikullin me titull: “Hija fatale e armikut”. Ideja e këtij shkrimi ishte se diktaturën e ka ndjekur gjithnjë hija fatale e armikut, se ajo pa pushim prodhonte armiq, se ajo nuk mund të ekzistonte pa armiq. Në një nga numrat e saj të parë, nën titullin: “Përse u largova nga Partia e Punës së Shqipërisë”, kam botuar gjithashtu, pothuajse të plotë, diskutimin që bëra në mbledhjen e organizatës më 14 dhjetor 1990.
Në shkurtin e vitit 1991 u largova nga Arkivi i Shtetit dhe nisa punë në “Rilindja Demokratike”, i’u ktheva kështu sërish pasionit tim si gazetar. Në këtë kohë si drejtor i Arkivit të Shtetit, pas Thoma Murzakut, ishte emëruar historiani i njohur Gazmend Shpuza. U ndava me të. Ai shprehu keqardhjen që nuk do të isha bashkëpunëtor i tij, por sikurse tha, edhe nuk mund të më ndalonte të largohesha nga Arkivi i Shtetit. Pothuaj një vit më pas, në marsin e vitit 1992, mora drejtimin e gazetës, pra u emërova kryeredaktor i saj. Para meje si kryeredaktorë kanë qenë Frrok Çupi, Napoleon Roshi dhe Mitro Çela. Në marsin e vitit 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe erdhi në pushtet. Mitro Çela gjatë fushatës elektorale, duke qenë se kishte hedhur kandidaturën për deputet, ishte i zënë me takimet me zgjedhësit. Kështu, praktikisht ai ishte larguar nga gazeta. Gjatë fushatës elektorale, unë e ktheva “Rilindjen Demokratike” në gazetë të përditshme. Duke qenë në postin e kryeredaktorit, një ditë të bukur, Mujo Buçpapaj, gazetar i “Rilindjes Demokratike”, më sjell për botim një artikull me autor Thoma Murzakun. Nuk pranova as ta lexoj Thomain, tani “demokrat”!
Para disa kohësh lexova në shtyp se u festua 20 vjetori i “Rilindjes Demokratike”. Të pranishëm ishin edhe Frrok Çupi e Mitro Çela. Napoleoni kishte vdekur, pra si i vdekur nuk ishte në festimin e rastit. Unë nuk kisha vdekur, por si duket në Tiranë nuk e dinin se isha ende gjallë! Një shok i vjetër, pasi kishte lexuar emrat e pjesëmarrësve në festë, më thërriti në telefon e më tha: “Të kanë bërë nder që nuk ta kanë vënë emrin midis të ftuarve”. Siç duket emri im kishte hyrë në listat e armiqve! Froku dhe Mitro kishin qenë për një kohë të gjatë në këto lista. Siç duket ishin rehabilituar pjesërisht ose krejtësisht!
Në të vërtetë, duke qenë ambasador në Belgjikë, por edhe më pas, unë kisha bërë disa “gabime”. Në një rast, për shembull, kur do të festonim 28 Nëntorin, ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, erdhën tek unë në Ambasadë përfaqësues të grupeve dhe rrymave të ndryshme politike të diasporës shqiptare në Belgjikë. Të gjithë ishin dakord të mblidheshim në një sallë, në atë “Madlenë”, në qendër të Brukselit. Të gjithë nuk ishin dakord për portretet e figurave politike që duheshin ekspozuar në një vend të dukshëm të sallës. Asnjë grup nuk pranonte portretin e asaj figure politike që përfaqësonte një grup tjetër. Në këto kushte, për të qenë së bashku në atë ditë që nuk i takonte as partive e as grupeve, por të gjithë shqiptarëve, propozova që të gjithë të hiqnin dorë nga portretet dhe në vend të tyre të vendosej vetëm flamuri shqiptar. E keqja e propozimit tim, ishte se kështu nuk do të ekspozohej as portreti i presidentit të Shqipërisë, në atë kohë, Sali Berisha. Këtë ia kam thënë unë vetë Berishës. Pas fjalëve të mia, ai nuk reagoi, pra as më miratoi dhe as më kundërshtoi.
“Gabimi” im, pse isha kundër formimit të degës së Partisë Demokratike në Belgjikë!
Unë kam vazhduar të bëjë “gabime” edhe pasi më dëbuan nga ambasada. Gjatë një vizite që bëri në atë kohë në Bruksel, Sali Berisha më foli për krijimin e degës së Partisë Demokratike të Shqipërisë në Belgjikë. Nuk isha dakord me krijimin e partive politike në diasporë. Edhe pa këto parti politike diaspora shqiptare ishte mjaft e përçarë. Partitë, me siguri do të vepronin edhe më për keq në thellimin e kësaj përçarjeje. Këtë ia thashë edhe Berishës. Jo shumë kohë më pas u krijua edhe dega e Partisë Demokratike të Shqipërisë në Bruksel. Këtë e mësova rastësisht. Në krye të saj nuk mungonin edhe trafikantë të drogës që, siç mburreshin hapur, jo një herë e kishin pritur dhe përcjellur Berishën në Belgjikë e jashtë saj, deri në Strasburg. Në udhëtimet e tij të herëpashershme në Bruksel, Berisha nuk kërkoi më në asnjë rast të takohej me mua. Unë e kuptoj.
Me kohë unë jam thelluar edhe më tej në “gabime”. Me rastin e 20 vjetorit të krijimit të radios “Jehona e Shqipes” në Bruksel, mora pjesë në përgatitjen e një numri emisionesh. Duke e konsideruar “Jehonën e Shqipes”, si një radio të pavarur, provova të krijoj një ekuilibër në zgjedhjen e lajmeve. Bëra ndonjëherë edhe ndonjë koment të shkurtër. Këtë e bëra, për shembull, pasi transmetuam lajmin mbi një takim të kryeministrit Berisha me kryeministrin grek. “Si mund të ndodhte të kaloja në Greqi dhe të mos takoja mikun tim”, kishte deklaruar Berisha, duke i’u referuar kryeministrit grek. Ky takim kishte zgjatur jo më shumë se dhjetë minuta, por Berisha deklaronte në mbarim të tij, se ai dhe miku i tij kishin shqyrtuar së bashku nja dhjetë apo më shumë probleme nga më të rëndësishmet në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ai i specifikonte edhe problemet që kishin diskutuar.
Mua kjo gjë më ishte dukur e pabesueshme, së paku e pakujdesshme nga zyra e shtypit e kryeministrit që kishte formuluar lajmin, prandaj pasi mbarova leximin shtova: “A është e mundur që në dhjetë minuta të shqyrtohen të gjithë këto probleme”?! Pas kësaj pyetje ra zilja në studion e “Jehonës së Shqipes” dhe dikush, që bënte bodigardin e Berishës kur ai vinte në Bruksel, i nervozuar e pyeti drejtuesin e emisionit: “Ç’thotë Bashkimi kështu”?! Po ky do të shprehej në një rast: “Berisha ka thënë, se Bashkimi ka tradhtuar”. Unë nuk e di a e ka thënë Berisha një gjë të tillë. Di se dikur Berisha më dërgonte ndonjë kartolinë urimi për Vitin e Ri. Pas “gabimeve” të herëpashershme më hoqën nga lista e urimeve të Berishës. U ndërprenë edhe kartolinat. Duhet ta kisha kuptuar vetë se isha futur në lista të tjera. Dikur, kur isha kryeredaktor i “Rilindjes Demokratike”, në vilën presidenciale në kodrat e Liqenit, Berisha më kishte thënë se ai kishte shumë ministra, por vetëm dy apo tre miq. Unë nuk e kisha ditur se isha njëri prej tyre! Kohët ndryshojnë, njerëzit ndryshojnë, listat ndryshojnë.
Në vitin 1995 Berisha botoi librin “Kontrata e Partisë Demokratike me Shqipërinë”. Një kopje të tij me dedikimin e autorit, e kam edhe unë në bibliotekën time. Me këtë rast Sali Berisha ka shkruajtur: “Zotit Bashkim Trenova, për kontributin e tij të çmuar dhe bashkëpunimin që kemi”. Kanë rrjedhur shumë vite që nga ajo kohë. Për bashkëpunim as që mund të flitet. Për “kontributin e çmuar”, nuk mund t’i kërkohet të flasë “harresës”! Në komunizëm të ikte koka edhe duke qenë “Hero i Popullit”. Sidoqoftë, ka ndryshim të madh me të sotmen demokratike. “Harresa” nuk vret, madje ndonjëherë është edhe për mirë.
NE VEND TE MBYLLJES
Komunizmi, kudo ku ai u vendos në pushtet, u bë sinonim i krimit, pabesisë, urisë e prapambetjes, i shtypjes e hipokrizisë, i mashtrimit dhe urrejtjes, i përgjimit e përndjekjes, i internimit dhe prangave, i fjalës dhe mendimit të dënuar, i përçarjes së shoqërisë e familjes, i denigrimit të personalitetit, i izolimit dhe vetmisë së acartë, të pashpresë….!
Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri janë vrarë, burgosur, internuar shumë më tepër njerëz se gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra për nga barbaria pushtimi komunist nuk kishte përse të ndjehej inferior ndaj nazizmit. Sipas të dhënave të botuara në shtypin shqiptar, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri janë pushkatuar, me ose pa gjyq, si “armiq të popullit e të Partisë”, 5.577 burra dhe 450 gra, janë burgosur si “armiq të popullit dhe të Partisë”, 26.768 persona, prej tyre 7.367 gra. Në burgjet politike të diktaturës kanë vdekur 998 burra dhe 45 gra. Vlerësohet në 308 numri i burrave dhe grave që janë çmendur nga torturat në këto burgje apo në hetuesi. Diktatura internoi 50.000 familje shqiptare, burra, gra, fëmijë, të rinj e pleq. Shumë prej tyre, më saktë, 7.022 vetë vdiqën “si armiq të popullit e të Partisë”, në kampet moçalore, një version shqiptar i gulagve siberianë të Stalinit. Shifrat mund të duken “modeste” në raport me krimet e Stalinit në Bashkimin Sovjetik, por nuk duhet harruar se Shqipëria kishte një popullsi 150-200 herë më të vogël se vendi i sovjetëve dhe se shifrat nuk pasqyrojnë tërë të vërtetën.
Nga rrëzimi i diktaturës kanë kaluar tashmë 20 vjet. Kam lexuar në disa raste në shtypin shqiptar të shfaqen mendime të ndryshme mbi Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Deri tani aty prehen dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pra luftëtarë të ish-brigadave dhe njësive të tjera ushtarake partizane, që janë udhëhequr nga Partia Komuniste. Tani, mesa kam kuptuar, kërkohet që krahas tyre, apo në një parcelë të veçantë, të prehen edhe eshtrat e nacionalistëve që kanë dhënë jetën duke luftuar kundër forcave nazi-fashiste. Kjo bashkëjetesë e të vdekurve në demokraci nuk duket se mund të realizohet pa vështirësi. Megjithëkëtë, mua më duket se edhe më e vështirë paraqitet bashkëjetesa midis të gjallëve.
Në Shqipëri, fatkeqësisht ende është e pranishme e kaluara jo e largët. Komunistë të konvertuar në socialistë dhe në demokratë, të mbetur skllevër të mentaliteteve, dogmave dhe praktikave marksiste-leniniste, vazhdojnë të shkatërrojnë, të dërmojnë “armikun e popullit”, që gjithnjë ndodhet në anën tjetër të barrikadës politike. Taborret e militantëve të partive politike ulërijnë njëlloj si dikur fanatikët e Partisë së Punës. Vazhdohet kështu për inerci, për injorancë politike? Nuk e besoj. Mua më duket se ne kemi ende mjaft rrugë për të bërë, mjaft “beteja” me veten për tu çliruar nga fantazma komuniste “armiqtë e popullit”./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016