Nga Aldo Renato Terrusi
Pjesa e nëntë
RIKTHIMI
Memorie.al / Aeroporti i Fiumiçinos. Avioni ‘MD 80’ i Alitalias është gati për fluturim. Është e shtunë, 6 nëntor 1993. Ora 11.25. Komandanti mori miratimin. Stjuardesat na kujtojnë dhe një here të lidhim rripin e sigurimit. Dy motorët çohen në fuqinë maksimale, ndërsa zhurma bëhet e mbytur dhe shurdhuese. Butonat dhe komandat provohen për të fundit herë sipas procedurave të fluturimit, lëshohen frenat, fillon lëvizja gjithë e më e shpejtë, përshpejtimi i përplas pasagjerët pas shpinores, avioni ngrihet në fluturim. Ndjej të më ngrejë një forcë e padukshme që më lë si të pezullt në zbrazëti. Hedh sytë përreth për të parë nëse dhe pasagjerët e tjerë kanë të njëjtën ndjesi si unë. Ca lexojnë, ca shohin jashtë nga dritarja, ca janë shpërfillës, ca mezi rrinë të qetë dhe ca, të ngrirë në ndenjëse, lënë të ndër duken frikërat e veta. Me një ndërrim drejtimi të gjerë, avioni ngrihet në lartësi dhe drejtohet drejt radio farit të Barit, për të mësyrë pastaj drejt e në Tiranë, në vendmbërritjen tonë.
Në Durrës na çuan në atë kapanonin që sapo pe, i cili shërbente për magazinimin e mallrave. Mund të kemi qenë nja njëqind veta, të grumbulluar si dele, të kullandrisur në shtroje rrethanore; ushqimin shkonim e blinim në dyqanet e varfra afër portit. Na kishin lënë vetëm dy nevojtore allaturka, një për gra e një për burra, dhe në mëngjes bëheshin radhë të gjata; ndonjëri ngrihej e shkonte natën vetëm që të shmangte radhën e mëngjesit. Jetuam në ato kushte për thuajse dy javë. Çdo ditë na gënjenin duke na thënë se anija do të vinte gjatë ditës dhe se do të niseshim, por një gjë e tillë nuk ndodhte dhe kështu përsëritej zhgënjimi. Shumë shpejt na mbaruan dhe paratë dhe m’u desh të shkoja e t’u kërkoja ndonjë napolon floriri miqve në Tiranë. Nuk di se si, por më mori me makinë një kamionist që njihte tim atë dhe kështu arrita në qytet për pak orë. Shkova te shoku im Demneri, i cili më dha hua ca të holla. Problemi im i ardhshëm ishte që të shkoja në kohë për të hipur në anije.
Në kohën që isha në Tiranë, anija që duhej të ankorohej në Durrës, kishte ndryshuar kursin për në Vlorë. Papritur erdhi një urdhër që thoshte se të gjithë emigrantët do të shpërnguleshin në portin e Vlorës, me disa kamionë të vënë në dispozicion nga autoritetet shqiptare. Palëvizshmëria shtypëse që i kishte kapluar të gjithë ato ditë të gjata pritjeje, u shndërrua befas në një lëvizje të ethshme. Potere, ulërima, njerëz që kërkoheshin mes vedi, fëmijë që nuk gjendeshin, bagazhe që nuk mbylleshin, zhurma të të gjitha llojeve për bashkoheshin në një pështjellim të përgjithshëm. Emigrantët nxitoheshin, shtyheshin, shkeleshin vetëm e vetëm që të arrinin të hipnin të parët në kamionë, aq shumë frikë kishin se mos nuk gjenin vend apo më keq, mos i linin pa hipur. U desh shumë kohë që të sistemoheshin të gjithë. Rreth orës 20.00, një natë e ftohtë e kthjellët me yje, kolona e kamionëve filloi të vihej në lëvizje, një gjarpër i stërgjatë, i hallakatur e i zhurmshëm me drejtim Vlorën, 100 kilometra rrugë gjarpëruese e tërë gropa. Unë nuk mbaj mend shumë, kam qenë shumë i vogël, por disa çaste efemere më kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë. Një nga këto është edhe imazhi i fashave të dritës së fareve që zhvendoseshin, kryqëzoheshin, ngjiteshin e zbrisnin në pluhurin e ngritur nga rrotat e kamionëve në një udhëtim që dukej se s’do të mbaronte kurrë. Fantazia ime prej fëmije u godit ndërsa, mbështjellë në një batanije dhe ulur ngjitur me nënën, vëzhgoja atë peizazh fantastik dritash e hijesh që dukej se ishte mësuar me krijesa përbindëshe vallëzuese.
“Kolona e kamionëve mbërriti në agim dhe u ndal mbi molin krah anijes akoma drita ndezur. Rojet e portit u përpoqën të zbrisnin nga kamionët, sa më me shumë rend të ishte e mundur, njerëzit bashkë me plaçka. Banesat e tyre të reja do të ishin magazinat e portit. Me të mbërritur në Tiranë shkova te Presidenti i Federatës Shqiptare, njëfarë Kristo Papajani, të cilit i shpjegova situatën dhe i kërkova ndihmë për t’u kthyer në Durrës, sepse anija mund të kishte ardhur e mund të nisej pa mua. Më tha se ndoshta mund të kishte në dispozicion ndonjë motoçikletë. Kishte gjasa që mund të më shoqëronte dikush, për shkak se ato ditë do të zhvillohej një garë. Thirri njërin nga motoçiklistët e vet – që më pas doli të ishte një mik i vërtetë – dhe i dha tollona benzine, për të shkuar e ardhur nga Durrësi.
“Kur të shkosh në Itali, më dërgo ndonjë ëmbëlsirë me krem, ti e di që jam shumë llupës”!
“Do të të dërgoj patjetër, nuk do të harroj. Faleminderit”!
Motoçikleta ishte gati, por meqë ishte garash, nuk kishte ulëse të pasme, ndaj u detyrova të rregullohem mbi parafango. Për të përshkuar rreth 40 kilometra nga Tirana në Durrës, nëpër ato rrugë famëkeqe gjithë gropa, u deshën gati dy orë. Me të mbërritur në Durrës, na priste një surprizë e keqe: anija nuk ishte më në port dhe në kapanon gjetëm vetëm mbeturina. As edhe një hije nga ai popull në ikje. Me të kaluar çastet e para të tronditjes dhe përhumbjes, filluam të pyesnim vërdallë: na thanë që emigrantët i kishin hipur nëpër kamionë gjatë natës dhe i kishin çuar në Vlorë, ku më pas do t’i hipnin në një anije drejt e për në Itali. U vumë prapë për rrugë. Mora një karton që e pashë mes mbeturinave dhe e vura poshtë të pasmeve që sa s’po më merrnin flakë, mbi parafangon e motoçikletës.
Në Vlorë pamë anijen që më në fund kishte mbërritur dhe që për fat ende nuk ishte nisur. Por s’po arrija të pikasja akoma familjen time. Kishim marrë vesh që italianët ishin sistemuar në magazinat e portit. Familja ime kishte ardhur në Vlorë bashkë me të tjerët, rrjedhimisht që ishin larguar edhe nga porti. Pyeta e mora të dhëna sa lart poshtë dhe më në fund i gjetëm të strehuar në shtëpinë e një marangozi shqiptar, që kishte punuar në ndërmarrjen e Vitalianos në Kuçovë. Shoqëruesit tim i dhashë thuajse të gjitha paratë që më kishte dhënë Kristoja hua. Ai u kthye në Tiranë dhe ne mbetëm sërish trokë. Marangozi na strehoi në një dhomë të madhe që ishte thjesht punishtja e tij. Fjetëm mbi hasër. Lajmëruam për nisjen e afërt edhe miqtë tanë, major Verdin dhe kapiten Talianin, ish- karabinierët civilë që, ende nuk kishin arritur të ktheheshin në Itali. Anija nuk lëvizte vendit, në pritje të ngarkesës së qymyrit për të vënë në lëvizje motorët. Mua akoma më digjnin të pasmet nga rruga që kisha bërë i ulur në parafangon e motoçikletës dhe po ia dilja vetëm në sajë të kompresave të ftohta. Nuk kishim para as për të blerë bukë, kështu që vendosa të shkoja në shtëpinë e disa miqve të mi gjahtarë; njëri syresh kishte një ushqimore që i ecte mirë, më dha hua një napolon floriri dhe më dha edhe një dorë të mirë nozullimesh: bukë me miell misri, djathë deleje, ullinj dhe peshk të kripur.
‘Kur të shkosh në Itali më dërgo material për saçme’.
‘Faleminderit, s’do të ta harroj’.
Para se të niseshim, na lanë të prisnim edhe nja dy a tre ditë të tjera. Në dritën e parë mëngjes herët, marinarët filluan të lëviznin në urën e kuvertës për manovrat e nevojshme, makinistët ngarkuan qymyrin, ndërkohë që presioni i kaldajave sa vinte e rritej, shtëllungat e para të tymit dolën prej tymtarit. Anija ishte pjerrur lehtësisht në anë të kundërt me pankinën; skafi, me do farë gungash, ishte në ngjyrë të zezë ndryshku, struktura e epërme ishte në ngjyrë gri të përmortshme, kishte vetëm një tymtar jo bash cilindrik, dy direkët mbaheshin nga litarë të gërryer nga kripa e detit, vinçat ngarkonin qymyrin në dy stivat e bashit dhe pupës, ura e hekurt ishte e shkëputur si ndonjë shteg mali. Vetëm emri i tij, ‘Stadium’, mbi bash, dukej se ishte lyer më së fundi.
Në ngrohtësinë e rrezeve të para, mysafirët e ‘karrocës së detit’ që po prisnin të hipnin, po tregonin njëfarë padurimi.
Nuk frynte pikë ere, por në lëkurë ndjehej lagështira dhe shija e njelmët, ndërkohë që një fashë e hollë mjegulle fillonte të shpërhapej duke shpalosur horizontin që na rrethonte. Më në fund, mbërriti urdhri i hipjes në anije dhe filloi apeli mes atyre që duhej të niseshin. Na pyetën a kishte njeri që e njihte mirë shqipen dhe unë u ofrova si përkthyes, sidomos i ish-ushtarakëve italianë që po riatdhesoheshin. Dalëngadalë, emigrantët ngjisnin shkallëzat që të çonin nga pankina në anije dhe vetëm nga gjysma e paradites, përfundoi dhe hipja e plotë.
Ura ishte pushtuar tërësisht nga një lëmsh i çmendur këmbësh, kokash, valixhesh, batanijesh dhe prapë akoma djepa, dyshekë, arka, lodra…! Tashmë anija ishte gati të ngrinte spirancën, re tymi të zi me një aromë të athët squfuri përmbyti ambientin”.
Rrëfimi i dajës nxit një kujtim timin veçanërisht të gjallë. Pasi hipëm në anije, pashë përreth me kureshtje për gjithçka që më rrethonte, desha të shkoja me çdo kusht drejt parmakëve dhe me shumë kujdes më shoqëroi gjyshja aty: e tërhiqja me forcë, kapërceja pengesat e përhapura mbi urë, i shmanga, derisa vrapova drejt shigjetës së flamurit dhe u bëra gati të shihja detin. Për herë të parë pashë fundin e tij dhe mbeta i mahnitur: uji ishte i tejdukshëm si kristali dhe anija pluskonte duke lëshuar drejt fundit hijen e vet. Një kujtim i paharrueshëm. Në tabanin ranor rriteshin shkurre algash, në gjysmë thellësi notonin peshqit, shiheshin edhe guaskat mbi gurë, por gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte kur pashë një litar të madh të përdredhur në fund të detit që përngjante me një gjarpër.
“Nga shkallaret e ndryshkura të kuvertës, marinarët italianë na këshilluan të rrinim të qetë dhe pa folur, të mos nisnim në asnjë mënyrë festimet për largimin – të paktën deri pasi të dilnim nga ujërat shqiptare – sepse kishte gjasa për ndonjë incident të mundshëm. Dy ish-ushtarakëve italianë, major Verdes dhe kapiten Talianit, nuk iu dha leja e largimit. Kur më në fund erdhi radha ime për të hipur – isha i fundit pasi kisha kryer edhe punën e përkthyesit – më ndaloi një inspektor i doganës të cilin e njihja, por që as më përshëndeti, përkundrazi, dha urdhër që të më kontrollonin akoma dhe me më shumë imtësi.
Deshi të shihte albumin me fotografi që mbaja me vete dhe më mbajti disa syresh që kisha bërë gjatë varjes së Faslli Frashërit, kreut të Frontit Kombëtar dhe anëtar i grupit politik të Enverit, por që këta e konsideronin tradhtar. Megjithatë arrita të fshihja dhe të shpëtoja të paktën disa fotografi, të cilat i ruaj edhe sot e kësaj dite”.
Nga fjalimi i Enver Hoxhës i 28 nëntorit 1944 me rastin e përkujtimit të deklaratës së pavarësisë shqiptare të 1912:
“Tradhtarët e vendit tonë, Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Shefqet Vërlaci dhe gjithë kolaboracionistët e tjerë përdorën gjithë mënyrat për ta ndarë popullin tonë; demagogjia e tyre s’binte në sy dhe në fillim, një pjesë e popullit u gënjye deri në njëfarë pike nga këta banditë, instrumente të verbër përherë të gatshëm për t’u shërbyer armiqve tanë të brendshëm e të jashtëm. Organizatat e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe gjithë organizatat e tjera terroriste, u bënë armë aktive të pushtuesve dhe me egërsi të padëgjuar u ndërsyen bashkë me gjermanët mbi popullin, duke masakruar në masë te pafajshmit gra, pleq e fëmijë, duke kryer vjedhje e përdhunime…”! “Dielli ishte shumë lart në qiell kur, dalëngadalë, anija filloi të largohej nga porti i Vlorës. Stërmundimi i helikave në lëvizje dukej se ndihmohej edhe nga forca e mendimit të pasagjerëve: ec, ec, ec! Me shfrime e gulçime nën ritmin me kadenca të vjellave, me lëkundje mbi valët e një deti thuajse të qetë, ‘karroca’ po i binte anës e anës e drejtuar kah liria. Pasdite herët lodhja ishte bërë mbizotëruese dhe në anije po mbretëronte një qetësi thuajse e pabesueshme, e prishur vetëm prej gjëmimit të motorit. Deti i rrafshët dhe qielli i pastër kishim të njëjtën ngjyrë, ngado të ktheheshe nuk arrije dot të dalloje vijën e horizontit. Anija dukej e humbur në pafundësi dhe njëfarë ankthi i thellë humbjeje dhe frike, filloi të bënte vend mes pasagjerëve.
Ku po na çojnë, ku po shkojmë kështu? Kapiteni dhe pjesëtarët e ekuipazhit, që ishin italianë, arritën të paqtonin njerëzit: rrini të qetë, po kthehemi në shtëpi! Aty nga muzgu për së largu u dukën dritat e bregut të Brindisit. Dikush filloi të ulërasë: tokë italiane, Italia, Italia! Dhe një valë ngazëllimi përshkoi zemrat e të gjithëve. Anija kaloi përgjatë valë pritësve të molit dhe hyri me ngadalë në kanalin mes semaforit të kuq dhe jeshil. Një rimorkiues na erdhi përballë dhe na shoqëroi deri te moli.
Drita ishte verbuese, sepse drejt nesh ishin ndezur shumë projektorë. Ne molin e portit na prisnin vetëm roje, ushtarë dhe rrjeta mbrojtëse… ndoshta ishim të burgosur në atdheun tonë? Na ndihmuan të zbrisnim me qetësi, nën mbikëqyrje të rreptë. Kush qeshte, kush lutej, kush qante, kush puthte tokën.
Na ndanë: burrat në një anë, gratë në tjetrën. Nëna jote më kërkoi mos të t’i shqisja sytë për asnjë çast, pasi pështjellimi ishte i jashtëzakonshëm. Të mbajta fort për dore. Na urdhëruan të zhvisheshim dhe të rrinim cullak, rrobat do të na i jepnin më vonë, pasi të kalonim në dushet dezinfektuese. Të gjithë lakuriq, fëmijë e të rritur, hymë në një hapësirë të madhe nga e cila dilte një re avulli. I’u dorëzuam një dushi të ngrohtë e të këndshëm. Vetëm pasi u pastruam dhe u veshëm prapë, na lejuan të takoheshim me të afërmit që na prisnin pas kangjellave të hyrjes së portit. Mua, ty dhe nënën tënde, na mori motra e Xhuzepes, Kiarina, në Kastelaneta, ndërkohë që gjithë të afërmit e tjerë i dërguan në një kamp refugjatësh afër Leçes”.
TAKIMI ME PETRITIN
-“Mirë dajë, tani duhet të shkojmë ndoshta, Toli dhe shoferi po na presin”.
-“Sa të pimë diçka freskuese dhe nisemi sërish drejt Vlorës”.
Rruga bëhet më e dëmtuar, me shumë gropa, shpesh të thella dhe me shumë shmangie. Bashkë me grigja dhensh, qe dhe tek-tuk ndonjë derr, ndeshim shumë pak makina, por më së shumti njerëz që ecin në këmbë, të ngarkuar me sende nga më të ndryshmet, dhe shumë të rinj shqiptarë të veshur ushtarë që përparojnë përgjatë buzë rrugës. Ndonjë karrocë e tërhequr prej kuajve, e stër ngarkuar me njerëz dhe foragjere, na e ngadalëson më tepër udhëtimin. Paradite vonë më në fund mbërrijmë në Vlorë. Shoferi i taksisë, sipas porosive të Tolit, ndalon bash para shtëpisë përdhese të Petrit Velajt. Petriti, me të cilin kemi lënë takim që prej disa ditësh, po na pret të mbërrijmë qysh në mëngjes herët. Sapo sheh taksinë, na afrohet me një pamje serioze dhe të përmbajtur. Është një burrë hollak, trupvogël, me flokët ende të pathinjur në tëmtha dhe thuajse qeros në tepelek, që mban një kapele tiroleze. Fytyrën e ka me shenja, por rioshe, me sy të vegjël të zinj, dinakë dhe bishtnues.
Ka veshur një xhaketë të murrme dhe një palë pantallona doku, këmishë bojë qielli me jelek jeshil dhe kravatë blu, këpucë kamoshi. Do të dukej gati elegant po të mos qe për kombinimet paksa të tepruara të rrobave thuajse dalë mode. Prezantohemi me përshëndetjet e zakonshme. Banesa është një vilë e këndshme me një oborr të vogël të selitur, rrethuar nga shtëpi të tjera ndërtuar pa pikë projekti urbanistik. Petriti, na prin të rehatohemi në sallon, ku vëmë re një tavolinë ngrënieje të rrumbullakët me dru arre të errët, sipër të cilës triumfon një statujës allçie në stil liberty, dhe rreth tryezës katër karrige me mbushje. Në një kënd dy kolltukë të mbuluar nga mbulesa me therje me dizenjo orientale më tavolinën përkatëse mbi të cilën ndodhej një vazo me lule artificiale, një komo me vitrinë ne të cilën janë vënë në dukje pjatat dhe gotat, një sënduk kundruall kolltukëve dhe afër dritares sërish dy karrige druri. Mobilimin e plotësojnë disa stampa lulore me korniza të holla, të varura në muret ngjyrë rozë, të lyera së fundmi.
-“Ime shoqe do t’ju bëjë nga një kafe dhe pastaj unë do t’ju shoqëroj vërdallë”.
Hyn një grua, e kolme, ezmere, te të gjashtëdhjetat, me veshje tradicionale: mban veshur një fund të zi, të gjerë me pala që i mbërrin deri në kyçet e këmbëve, me një këmishë të bardhë shumë të qëndisur, sipër një hapësire të çelët me lule, një bluzë rozë me gjysmë mëngë dhe me kopsa argjendi, në këmbë papuçe cohe të ngjyrosura dhe në kokë një shami të bardhë që i mbulon flokët edhe më të zinj. Duket sikur ka ardhur nga një kartolinë e viteve 1800. Nuk flet, bën vetëm një shenjëz përshëndetjeje me kokë dhe një buzëqeshje të ndrojtur. Një shenjë tjetër përshëndetjeje dhe ashtu siç erdhi, iku. Vlora na shfaqet në gjendjen e saj më të mirë, e shndritur nga një ditë e bukur me diell. Përshkojmë rrugën kryesore që të çon nga shtëpia e Petritit, drejt sheshit qendror të qytetit të vjetër. Pasi mbërritëm aty, shohim në të majtë një shatërvan, ndërsa përballë nesh ngrihet ndërtesa e një banke, një pallat trekatësh në ngjyrë të murrme dhe me pamje solide të arkitekturës klasiko-koloniale. Në katin përdhes, ndodhen zyrat e bankës me dritare të mëdha të mbrojtura me kangjella. Aty dikur në katin e pare banonin prindërit e mi dhe linda edhe unë.
Gjëja e vetme që kishte ndryshuar përgjatë viteve ishte tabela e madhe e bardhë mbi hyrjen kryesore të ndërtesës – që gjatë viteve të pushtimit Italian, ishte: BANKA KOMBËTARE E SHQIPNISË, ndërsa tani është: banka kombëtare e Shqipërisë, pamja është më e veshur dhe dekadente, mesa duket nuk është meremetuar e as lyer qëkur u dëbua familja jonë prej andej në 1945. Të pajisur me një leje të veçantë dhe të shoqëruar nga një roje vendase, për të mos thënë nga gjithë familja e kujdestarit, hyjmë në zyrat e katit përdhes. Banka është bosh, nuk shohim as nëpunës e aq më pak klientë. As nuk pyesim pse. Më kthehen në mendje shumë rrëfime të sime ëme mbi ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend, thuajse-thuajse, arrij t’i shoh.
12 tetorin e vitit 1943, Banka e Vlorës u rrethua nga një grup prej njëzet ushtarësh gjermanë, që zbritën nga dy automjete. Nga automjeti i parë me zinxhirë zbritën pesë ushtarakë dhe togeri i tyre, që me mënyra të ashpra dhe me armët në duar hapën rrugën mes dy rojeve shqiptare të shërbimit të sigurisë, duke i detyruar të ngrinin duart lart, të mos lëviznin e të mos bënin ndonjë shaka. Togeri kërkoi të takohej me drejtorin dhe arkëtarin. U paraqitën im atë dhe avokat Beluci. Këtyre i’u kërkua fare hapur, të dorëzonin gjithë paratë e arkës bashkë me rezervat e arit që ndodheshin në depozitë. Im atë u përgjigj se nuk ishte i autorizuar të kryente një kërkesë të tillë dhe së bashku me avokatin, i’u vunë prangat. Menjëherë pas kësaj, togeri së bashku me ushtarët e vet filluan të frikësonin nëpunësit pas banakut, duke i urdhëruar të hapnin kasafortat dhe të hidhnin paratë në thasë; natyrisht që s’mund të bënin gjë tjetër veçse të bindeshin. Çelësat e dyfishtë i’u dorëzuan togerit dhe një nëpunës u detyrua të shoqëronte dy ushtarakët në depozitë dhe ta hapte. Aty gjetën shumë pak napolona ari.
Banka Qendrore Italiane, akoma më parë armëpushimit të 8 shtatorit, një pjesë të arit e kishte transferuar në Itali, ndërkohë që një pjesë tjetër e konsiderueshme kishte shërbyer për të financuar industritë italiane të cilat, që nga viti 1939, të mbështetura nga regjimi, ishin vendosur dhe punonin në Shqipëri. Togeri gjerman, shumë i zemëruar, kërcënoi babain me vdekje, duke e akuzuar për tradhti, pastaj i hodhi prangat dhe e morën me vete në një nga automjetet. Më pas erdhi mandati i kontrollit të banesës në kat të parë, ku rrinte dhe Aurelia me shërbyeset. Ndërkohë që disa ushtarë morën pozicion, të tjerët u ngjitën në shkallët e brendshme. Shërbyeset u përpoqën t’i pengonin qysh në hyrje duke mbajtur derën, ndërsa Aurelia vrapoi në dhomën e gjumit ku, nën dollap, në një të çarë të dyshemesë, kishte fshehur sterlinat e arit që i shoqi, i dhuronte sa herë që gjente në tavolinën e ngrënies një ëmbëlsirë të bërë prej saj. I vuri monedhat dhe disa stoli, sa më shpejt që të mundte, në një çantëzë cohe, vrapoi te dritarja dhe i hodhi të gjitha përtej murit rrethues të bankës, në oborrin e vilës ngjitur të prindërve të saj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016