Nga Harallamb KOTA
Pjesa e parë
Memorie.al / Antikomunistët e rreptë shqiptar, midis tyre Mit’hat Frashëri dhe Koço Kota, parashikuan qysh herët rrezikun e invazionit sllavo-komunist, i cili erdhi furishëm në Ballkan dhe në Shqipëri. Sipas këndvështrimit të Eugen Shehut, ngjarjet e vjeshtës të vitit 1944, erdhën të tilla, që me rënien e Raihut të Tretë, forcat nacional-çlirimtare shqiptare fituan kohë dhe mundësi për të luftuar kundërshtarët e tyre politikë. Në këto kushte, me dhjetëra shqiptarë lanë atdheun e tyre. Një fat të tillë pati dhe Nuçi Kotta, djali i ish-kryeministrit Koço Kota. Ai largohet në Itali, e prej andej kalon në Francë, aty ku dihet e kish pasur të lehtë të ngjiste shkallët e karrierës. Sado skeptik në parashikimet e tyre, Mithat Frashëri dhe Koço Kota, nuk e kishin parashikuar eksodin e shqiptarëve çamë që ndodhi në vitet 1944- 1945, si dhe përndjekjet e organizuara nga regjimi i Tiranës në vitet e ardhshme, kundër nacionalizmës shqiptare dhe elementëve që përkrahnin kthimin e Mbretit Zog.
Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, rruga “Koço Kota”, e cila u quajt “Galeaco Çiano” nga italianët, do të quhej “Qemal Stafa” nga komunistët. Për të mos u mjaftuar me kaq, Kryeministrin e Mbretërisë Shqiptare Koço Kota, do ta ndiqte një fat shumë i keq.
Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas përfundimit të Luftës II-të Botërore, ishte në kërkim të funksionarëve të Mbretërisë zogiste, të kuislingëve dhe regjentëve. Midis tyre kërkohej dhe ish-kryeministri Koço Kota, i shpallur armik:
1. Nga pushtuesit nazifashistë;
2. Nga fqinjët sllavo-komunistë;
3. Nga nacionalistët e komunistët grekë.
4. Nga komunistët shqiptarë.
I dekonspiruar nga komunistët grekë, Koço Kota ra në duart e segmenteve të shërbimeve sekrete Jugosllave e Sovjetike, të cilët kishin si mision: “Ta rrëmbenin, ta dërgonin në Shqipëri dhe t’ua dorëzonin komunistëve shqiptarë”. Aksion mafioz në Selanik ish-kryeministri Kota, nuk e ndoqi në mërgim Mbretin Zog, por qëndroi në shtetin fqinj në Greqi, për të organizuar nacionalistët dhe legalistët brenda dhe jashtë kufirit shqiptar, në luftë kundër pushtuesit italian e më pas atij gjerman.
Dr. Koço Kota, i vetëshpallur armik i “rrezikut sllavo komunist”, kishte kohë që bënte jetën e ilegalit në qytetin e Selanikut, sepse tashmë ishte shpallur armik edhe nga komunistët grekë edhe nga komunistët jugosllavë. Lëvizja komuniste ndërsa kishte përfshirë mbarë Greqinë, në Selanik ishte bërë forca kryesore politike.
Një nga pjesëmarrësit e rretheve marksiste dhe të lëvizjes komuniste në Maqedoninë greke, kishte qenë edhe shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe, i cili kishte lindur në fshatin Negovan të Follorinës dhe kishte kryer shkollën e mesme në Selanik. Në vitin 1931, komunisti Xoxe erdhi në Korçë dhe mori pjesë në organizimin e Shoqërisë “Puna”, ndërsa antikomunisti Kota drejtonte shtetin shqiptar dhe mbante postin e krye-parlamentarit.
Më 21 shkurt 1936, kur Qeveria shqiptare e Mbretit Zog, kryesohej nga liberali Mehdi Frashëri, Xoxe mori pjesë në “Demonstratën e Bukës” në Korçë, ndërsa Koço Kotta kryesonte Parlamentin shqiptar. Në periudhën dhjetor 1936 deri më 7 prill 1939, kur qeveria shqiptare kryesohej nga autoritari Koço Kotta, Xoxe u largua nga Shqipëria dhe u strehua në Jugosllavi. Pas agresionit fashist italian më 7 prill 1939, Xoxe u kthye përsëri në Shqipëri dhe mori pjesë në demonstratën antifashiste në Korçë.
Organizoi lëvizjen antifashiste në Çamëri
Gjatë viteve të pushtimit nazifashist, ish-kryeministri Koço Kotta organizoi lëvizjen antifashiste në Çamëri, ndërsa në Shqipëri në lëvizjen kundër okupatorit italian, midis shumë antifashistëve, merrnin pjesë edhe komunistët Jorgji Kota e Kozma Kota, si dhe legalisti Nuçi Kota.
Lufta kundër okupatorit italian ishte pika e bashkimit midis ish-kryeministrit Mbretëror Kota dhe zv/kryeministrit komunist Xoxe, i zgjedhur në mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar në Berat, në tetor 1944. Me sa duket, pika që i ndante ishte ideologjia komuniste.
Arrestimi në Selanik
Pas përfundimit të Luftës, më 25 dhjetor 1944, Koçi Xoxe u caktua kryetar i Gjykatës Speciale. Qëndrimi antikomunist dhe anti-jugosllav i korçarit Koço Kota, nuk mund të tolerohej nga Partia Komuniste Jugosllave dhe nga shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe. Ora për ndëshkimin e ish-kryeministrit Kota kishte ardhur për Xoxen. Në 1 janar të vitit 1945, tre persona u paraqitën befas në derën e shtëpisë të z. Gjik Dallamanga, vjehrri i ish-kryeministrit Koço Kota. Në fillim ata u paraqitën me mirësjellje, duke i kërkuar Koços të vinte me ta në Shqipëri.
Sipas tyre, ata kishin porosi direkte nga Enver Hoxha, që ish-kryeministri Mbretëror, të kthehej në Tiranë, pasi shteti kishte nevojë për kontributin e tij. Koço e kuptoi që kjo ishte një grackë e organizuar për ta likuiduar dhe nuk pranoi të shkonte pas tyre. Pas këtij refuzimi, të tre personat nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike e terrori, sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të saj. Pjesëtarët brenda shtëpisë, rezistuan dhe kundërshtuan marrjen e Koços, por përpjekja ishte e kotë.
Menjëherë, pranë shtëpisë mbërriti një furgon nga ku dolën pesë apo gjashtë persona të tjerë, të cilët pasi e rrethuan ish-kryeministrin mbretëror Kota dhe e tërhoqën zvarrë-zvarrë, e futën brenda në furgon. Rrëmbyesit flisnin shqip dhe e kërcënonin ish-kryeministrin e Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit, nga Selaniku në Tiranë. I gjithë operacioni u drejtua dhe u komandua nga gjeneral-major Koçi Xoxe.
Gjyqi Special i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar
Gjyqi u hap më 1 mars 1945, në kinema “Kosova” në Tiranë. Trupi gjykues i drejtuar nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, kishte vënë në bankën e të akuzuarve personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Të pandehurit ishin: ish-kryeministra Kostaq Kotta e Ibrahim Biçakçiu, ish-kryetarë parlamenti Terenc Toçi, Fejzi Alizoti e Mihal Zallari etj.
Akuza ndaj tyre ishte: “Kriminelë lufte dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit”. Gjykata Speciale më 13 prill 1945, dënoi me vdekje zyrtarët e lartë në qeveritë fashiste e naziste, Fejzi Alizoti, Kol Tromara, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Ismail Golemi, Terenc Toçi, Zef Kadare, Gustav Mirdash, Aqif Përmeti, Shyqyri Borshi, Bahri Omari, Beqir Valteri, Dik Cami, Daut Çarçani, Tasim Bishqemi dhe Javer Hurshiti, si dhe me dënime të rënda shumë të tjerë.
Gjykata Speciale nuk gjeti asnjë provë kundër ish-kryeministrit Koço Kota. Por nën trysnin e shërbëtorit të jugosllavëve, zv/kryeministrit komunist Koçi Xoxe, Gjykata Speciale mori vendim politik dhe e dënoi ish-kryeministrin shqiptar Koço Kotta me 30 vite burg, në burgun e Burrelit. Duke e konsideruar gjyq politik dhe farsë, e shoh të udhës të sjell para lexuesit të interesuar, vetëm disa nga akuzat qesharake që i’u bënë personalitetit shqiptar, ish-kryeministrit Koço Kota.
Debati Koçi Xoxe me Kostaq Kote
Koçi Xoxe: Ke vepruar kundër interesave të larta të atdheut. Ke ndihmuar dhe kontribuar në përhapjen e imperializmit fashist italian dhe përgatitjen e terrenit. Ke qenë në lidhje me qeverinë kuislingë të Tiranës dhe me organizatat tradhtare, Balli Kombëtar dhe Legaliteti.
Je përpjekur për realizimin e një marrëveshje që kishte qëllimin bashkimin e reaksionit shqiptar me atë grek, me qëllim që të shuaje lëvizjen popullore çlirimtare në Shqipëri, marrëveshje që nuk u arrit dot për shkaqe të pavarura nga vullneti yt. Për këtë marrëveshje ti ishe përfaqësues i Legalitetit, ç’ke për të thënë?
Kostaq Kota: …Unë mund të jem përgjegjës vetëm për dy periudhat që kam qenë në qeveri…. Koçi Xoxe: Nuk na intereson të na bësh histori, por të na tregosh pse nga dita e 7 prillit nuk u organizua rezistencë?
Kostaq Kota: Më 7 prill të vitit 1939, qeveria jonë jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se qeveria e jonë. Pikërisht, atë që s’e bëri qeveria çekosllovak, e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar.
Koçi Xoxe: Ti ke thënë në deponimet e tua në hetuesi, se qeveria nuk bëri rezistencën aktive ose pasive, pasi nuk kishte mjete?
Kostaq Kota: Jo, jo, përkundrazi, qeveria vendosi rezistencë aktive.
Koçi Xoxe: A u bë kjo rezistencë?
Kostaq Kota: Edhe unë mund t’ju them, që unë personalisht i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë. U mor vendimi nga qeveria për rezistencë dhe nota italiane nuk u pranua.
Koçi Xoxe: Po ti, në deponimet e tua ke thënë se ne nuk kishim mjete për të bërë rezistencë?
Kostaq Kota: Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka pasur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.
Koçi Xoxe: Kur shkove ti këndej?
Kostaq Kota: Ditën e 7 prillit, Mbreti shkoi në Zemblak, ndërsa unë vajta të shihja ç’bëhej në Korçë.
Koçi Xoxe: A të tha Veli Vasjari se populli ishte gati për rezistencë?
Kostaq Kotta: Përkundrazi, prefekti i Korçës Veli Vasjari na tha të mos vinim atje, pasi qe prishur qetësia dhe të burgosurit kishin dalë nga burgu. Xhandarmëria nuk siguronte dot qeverinë. Me gjithë këto, unë kam vajtur vetë në Korçë dhe atje Kryebashkiaku më ka thënë se populli dhe tregtarët të tubuar, kërkonin të luftonin e të bënin rezistencë.
Koçi Xoxe: Në Bashki unë kam qenë vetë si anëtar dhe bashkë me 16 delegatë të tjerë e 3 mijë vullnetarë, prisnin Koço Kotën për të organizuar rezistencë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












