Nga Hysen Selmani
Pjesa e tridhjetë e gjashtë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
“Kanë kaluar shumë mirë atje, do të shkruajë më vonë adjutanti. Kanë treguar gjithë atë bujari e mirëpritje e ndihma që Madhëria e Tij, Mbreti Zog I-rë, ju bëri. Dhe ju tha që të qëndronin në Aleksandri, si miq të Mbretit, bashkë me oficerët e tjerë. Ata falenderonin kolonel Husein Selmanin, për fisnikërinë e burrërinë të pashoqe të tij, e të tjera. Kështu, ata dërguan apostafat Sheuvket Sulejmanin në Aleksandri, për të shfaqë bindjen e besnikërinë, kundrejt prijësit të madh, Mbretit Zog i I-rë.
“Mbreti Zog, një natë, i thirri si miq për darkë në shtëpinë e tij në Aleksandri, Mbretin Faruk; Mbretin Abdulla; Kryetarin e Sirisë, Shyqri Kueatly; Myftinë e Jeruzalemit, Hysein Efendinë; Xhemil Madam Bene, Emile Chamunin dhe ju dha të kuptonin mbi ngjarjet, që po zhvillohen në Palestinë, në mes Arabëve e Izraelitëve”, tregon adjutanti.
“Ju,- duhet të studioni mirë, se në ç’mënyrë mundeni të gjeni një pajtim të favorshëm duke këshilluar vëllezërit tuaj arabë, që të rrinë urtë, e mos t’i japin asnjë shkak egërsie, se ju me forcë nuk mundet të bëni asgjë”, i këshillon Zogu i I-rë. Më shumë se çdo gjë, Mbreti, vuan për të ardhmen e mërgatës shqiptare, që duket se nuk do ta ketë të lehtë në vendet arabe. Mbreti, mendon për zhvendosjen e mërgatës në drejtim të SHBA-ës, Francës, Anglisë dhe vendeve të tjera.
Ndërsa çdo gjë është maturuar për ardhjen e mërgatës shqiptare, ndodh një fatkeqësi. Kolera, që bie në vitin 1947, i ndalon udhëtimet nga Evropa në Afrikë. Ky është problemi, që Mit’hat Frashëri dhe shumë emigrantë të tjerë, nuk shkojnë dot në Egjipt. Ndërkohë, në vendndodhjen e Mbretit, arrin komiteti i emigrantëve shqiptarë, që do të merret me fatin e tyre të mëvonshëm. Përveç Mit’hat Frashërit, që mbetet pa ardhur, vijnë: Sali Myftiu, Ali Këlcyra, Ernest Koliqi, Koço Muka, Qemal Jusufati dhe Ragip Frashëri. Por, papritmas planet e Mbretit, shkojnë në një drejtim tjetër. Ardhja e kolonëve çifutë dhe forcimi i shtetit të ri të tyre, bëri që Mbreti Zog, të parashohë pasiguri për fatin e njerëzve të tij. Kjo e bën, që të thërresë në Oborrin e tij, krerët e Emigracionit Ndërkombëtar, për t’u parashtruar një strategji të re: Zhvendosja e Emigrantëve shqiptarë, në drejtim të SHBA-së, Angli, Francës dhe vendeve të tjera. Ndërkohë, Mbreti Shqiptar, mbas një takimi me Mbretin Faruk, Mbretin Abdulla, Kryetarin e Republikës Siriane Kueatly dhe Myftiun e Jeruzalemit, Hysein Efendiut, Xhemil Madam Beu, u tregon se duhet të gjenin një rrugëzgjidhje, për problemin e ri të vështirë me fqinjët hebre, që sapo dilte në horizont.
Aleksandri, 27 shtator 1947
“Pasi i parashtrova të gjitha, sa u zhvilluan përmbi rregullimin e emigratës në Itali dhe vendimet e marra përgjithësisht dhe ku kemi rënë dakord e, veçanërisht atë të Mit’hat Frashërit, Mbretit më urdhëroi që, sa më shpejt lipset të vihen komiteti në krye të detyrës. Për të rregulluar transportimin e tyre në vendet, që ata kanë për të caktuar. Mbreti Zog mbeti tepër i kënaqur mbi veprimet e kryera në Itali.
Veçanërisht, Mbreti i urdhëroi kolonel Husein Selmanit, që t’ju dërgojë Komitetit, vizat në Ambasadën Egjyptiane në Romë. Po ashtu dhe biletat me anën e shoqërisë “Farose”. Ideja e Mbretit, ishte që: “sa më shpejt të vijnë, sepse koha nuk prêt vonesë”. Po ashtu urdhëroi, për të zënë një shtëpi ose hotel për ta, me të gjitha nevojat, ushqim dhe të tjera”.
Fillimisht, këta ishin gjithsej 7 persona. Kolonel Husein Selmani, shkoi në Kajro në Ministrinë e Punëve të Jashtme Egjiptiane dhe telegrafisht, ju dërgoi vizat në Ambasadën Egjiptiane në Romë: Emrat e tyre ishin: 1-Mit’hat Frashëri, 2-Sali Myftia, 3-Ali Këlcyra, 4-Ernest Koliqi; 5- Koço Muka, 6-Qemal Jusufati, 7-Ragip Frashëri. Bashkë me ta, ju nisi dhe një telegram Hiqmet Delvinës, mbi vizat e dërguara në Ambasadën Egjyptiane, që të lajmëroheshin sa më parë, që të nisen për Aleksandri dhe: “telegrafisht, të na lajmërojnë arritjet”.
Po në këtë mënyrë, u dërguan dhe biletat në Shoqërinë “Farrose” në Romë dhe, po në këtë mënyrë, u lajmërua Hiqmet Delvina, që t’i vejë në dijeni. Dukej se tani, nuk kanë asnjë pengim. Ideja ishte që, ata vetëm, të nisen sa më parë, se këtu janë marrë masat për banimin e administrimin e tyre.
“Në Syri, deri tani kanë mbërritur oficerë e persona të emigrates, afër 300 vetë. Këta janë të instaluar menjëherë nga autoritetet e vendit, por presin që sa më parë, të shkojë Komiteti i Emigracionit, si në Syri, ashtu në Jordani. Kjo bëhet për rregullimin e 6000 emigrantëve, përveç atyre në Egjipt. Mbreti Zog, për në Egjipt, ka caktuar Husen Terpezën, me 700 kosovarë dhe nja 100 oficerë të karrierave të ndryshme, si artileri këmbësorie, xhenio, ndërlidhje, e një aviator. Janë edhe 200 studentë, për në Akademinë Militare”.
Ndërkohë, situata politike në vendet Arabe, nuk është aspak e favorshme: Fatkeqësisht, për ditë po vjen duke u egërsuar pjesa e Palestinës, në mes arabëve palestinianë dhe Izraelit. Kjo, siç duket se, një ditë do të marrë një formë më serioze, por Mbreti Zog, duke parë këtë situatë, ju propozoi miqësisht Shteteve Arabe, përsa i përkiste emigracionit shqiptar. Përsëri, ju bëri një propozim kryetarëve të Shteteve Arabe, si Mbretit Faruk, Kryetarit të Republikës Sirianë, Shyqri Kueatly dhe Mbretit Abdulla. Kjo, lidhej mbi atmosferën e keqe, që u krijuan në Palestinë dhe që Mbreti, parashtroi se: “a t’i sjellim emigrantët shqiptarë, sipas konditave që na keni dhënë, ose t’i ndalojmë”?!
Këta, menjëherë u përgjigjën propozimeve që ju bëri Mbreti Zog, duke siguruar se; u kemi dhënë të gjitha instruksionet autoriteteve kompetente, për marrjen e masave të instalimit të emigracionit shqiptar, me gjithë të drejtat që ju kemi parashtruar. Dhe, sa i përket gjendjes, ajo thuhet se nuk lot asnjë ndryshim mbi emigracionin, po të vijnë.
Hiqmet Delvina, telegrafisht lajmëroi, në këtë kohë, se; si vizat, ashtu biletat, m’u dorëzuan mua, për të 7 vetët. I lajmërova, që të nisen e të vijnë këtu në Romë, që t’ju dorëzojnë biletat, si dhe vizat e, të nisen sa më parë për Aleksandri. Nisjen, do ua lajmërojmë telegrafisht”, shkruan adjutanti.
Tani ka filluar një grindje në mes Zhifevet dhe të Arabëve Palestinezë, saqë zhifevet sillen keq edhe kundër britanikëve. Ligja Arabe, ka protestuar pa masë pranë UNE-s, por nuk ka patur asnjë rezultat. Qetësia, shkurt duket se ka për të shkaktuar ndonjë konflikt Arabo-Izraelit, se shkënditë e kësaj po duken haptazi”, shkruan adjutanti.
Mbreti Zog, nga kjo gjendje e krijuar, nuk i pëlqen aspak momenti, për sa i përket instalimit të emigracionit në Shtetet Arabe. Frika është se mos të pësojnë ndonjë krizë.
Nga ky shkak, Mbreti urdhëroi që, deri sa të vijnë Komisioni i Emigracionit, përveç këtyre që kanë ardhur, mos të transportohen më, derisa komisioni të shohë vetë, vend-ndodhjet e masat e marrura. Po qe se qëndrimi i tyre, është shumë më mirë në kampet, aty ku ndodhen hëpërhë dhe nuk sheh aspak të mirë, që ata të zhvendosen. Mbreti, nuk ka atë entuziazëm, siç e kishte më parë, në këto momente për sigurimin e emigracionit, thotë adjutanti.
Mbreti Zog, ftoi kryetarin e përgjithshëm të emigracionit në Gjenevë, që mundësisht të udhëtonte, për tri ditë deri në Aleksandri, vijon adjutanti. Ashtu bëri edhe për Peter Son, shefi i Emigracionit për Europën. Kur erdhën, ai i mbajti mysafir të vet, për tri ditë në Aleksandri. Ju shpjegoi planin, duke i bërë të kuptonin, mbi sa dëshironte për emigratën shqiptare. “Veçse cirkostancat (rrethanat), e krijuara e përditë, vijnë duke u egërsuar, në mes arabëve dhe izraelitëve, me lënë me dyshu se një ditë ata, mos të mbeten emigrantët rrugëve. Për këtë arsye, kam ndërruar ndryshe mendimet, dhe duke marrë mendimet tuaja, vetëm e vetëm për interesin e emigratës, sepse ata janë sakrifikuar aq rëndë, e mos të pësojnë edhe një fatkeqësi tjetër”, u tha ai atyre.
“Mendoj, u tha Mbreti, – që me përkrahjen tuaj, t’i transferojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britaninë e Madhe, në Francë, në Kanada dhe në Australi. Natyrisht, me shpenzimet e IROS, për udhëtimin dhe sigurimin e punës, në vendet që do të caktohen për t’u transferuar. Dhe, sa i përket kësaj edhe unë, mund t’u jap nga një notë këtyre shteteve, për pranimin e tyre dhe duke i garantuar edhe se; janë elementi i pastër dhe i mirë”.
Propozimet e Mbretit Zog, u gjetën me plot vend dhe ata i thanë tekstualisht kështu: “Madhni, keni studiuar fare mirë gjendjen arabe dhe izraelite. Vërtetë se sot, nuk është aspak e sigurt emigrata në këto vende, se mund të vijë një ditë, që nuk do të jenë në gjendje të ushqejnë emigratën e tyre, e jo tjetër. Keni menduar se një shpirt dhimbs, ju ushqente tradita dhe dashuria që keni e ushqeni, për Kombin tuaj. Mënyra më e mirë për shpëtimin e tyre, si edhe për edukimin e familjes e fëmijëve tyre, është kjo që keni menduar. Edhe ne, për plotësimin e këtyre dëshirave dhe për të mirat e të varfërve, që kanë vuajtur e po vuajnë, kemi për të bërë, jo sa na është dhënë detyra, por edhe më tepër dhe kemi shpresë se kjo, do të gjejë të gjitha sa dëshirohet. Por, sot, nuk mundemi për t’ju siguruar, vetëm se brenda dy javëve, do të keni përgjigjen e favorshme”, i thanë ata Mbretit.
Me këto fjalë, Mbreti Zog i I-rë, përcolli miqtë amerikanë, si Komisarin e Policisë të Gjenevës dhe Peter Sonin, drejtor i Punëve të Emigracionit në Europë. Ata shkuan si miq dhe u duken tepër të kënaqur.
Aleksandri, 22 tetor 1947
Sot, me datën 22 tetor 1947, Komiteti i formuar për rregullimin e Emigracionit, arriti ne Aleksandri, deklaron adjutanti në kujtimet e tij. Ku ishte i pritur nga kolonel, Husein Selmani, Ministri i Oborrit Mbretnor, Sotir Martini, Chaberlein, Kemal Mesarea, e shume oficerë. Menjëherë, ai është shoqëruar në një hotel të vogël, që e kishim angazhuar të gjithë, vetëm për komitetet. Pasi pushuan pak, në orën 11.00 të ditës, u paraqitën tek Madhëria e Tij, Mbreti Zog. “Si u përshëndetën, ai i uli dhe ju foli mbi të gjitha sa lipset të studiohet”.
Fatkeqësisht, Mit’hati, kujton adjutanti- nuk kishte ardhur po për një javë, deri sa të vinte vetë, kishte ngarkuar Koço Mukën, zëvendës. Mbreti, i ndaloi për drekë, e pas darke, në orën 4, pasdite, të shoqëruar nga kolonel Husein Selmani, shkuan dhe nënshkruan në Pallatin Rasettin, si edhe shkuan tek Princi Trashëgimtar, Princi Muhamet Ali. Më vonë, shkuan tek Guvernatori i Aleksandrisë. Pasi këto vizita u kryen, ata u kthyen në Hotel, se aty do t’u kthenin vizitat mikpritësit.
Më datën 28 tetor 1947, mora një telegram prej Mit’hat Frashërit, në të cilin më lajmëronte, se jam gati për t’u nisur me aeroplan. Por, do të dëshiroj të marr edhe Vasil Andonin me vete. “Ju lutem për vizën dhe biletin e tij, në është se pranohet”, na tha ai.
Kolonel Selmani, menjëherë i dërgoi vizën dhe biletën telegrafisht, për Vasil Andonin, duke i shtuar se deri sa të vini ju këtu, asnjë punë, nuk do të bëhej. “Po të vini sa më parë, e ju presim dhe keni bërë mirë, që po merrni Vasilin”, e këshilloi adjutanti.
Kur fati i keq i tij, ishte se tamam në këtë kohë, ra kolera aq e fortë, saqë u ndaluan kryekëput, udhëtimet me Evropën, si me vapor, ashtu dhe me aeroplanë. Mit’hat Frasheri, mbeti me gjithë Vasil Andonin, në Romë. Për këtë na telegrafoi Hiqmet Delvina, se Mit’hatit, nuk i jepet viza për Egjipt, as Liban, as Siri, për arsye të kolerës dhe kërkonte, sesi të bënte. “I lajmëruam, shkruan adjutanti – që të prese në Romë, derisa të hapen rrugët, ku shpresohet se shpejt, do të hapen rrugët. I kujtuam se janë marrë masa të forta, për zhdukjen e sëmundjes”.
Kështu Mit’hati, mbeti në Romë, e Komitetit, ju bënë të gjitha mjekimet dhe injeksionet e nevojshme. Ata u nisën për në Siri. Më datën 27 nëntor 1947, arritën në Damasko, ku u pritën me një bujari e përzemërsi, prej Kryetarit të Republikës Siriane, Shykri Kueakly dhe prej të gjitha autoriteteve siriane. Dhe, Kryetari i Republikës, ju deklaroi siç kishte premtuar se, emigracioni shqiptar, do të instalohet më së miri, ku kishte dhënë të gjithë urdhrat enteve përkatëse dhe ju shtoi që, të vihen menjëherë në kontakt me ta, e mos të mërziten. Dhe, për çdo gjë, të vini këtu tek unë, sa herë që t’ju shfaqet nevoja, u tha ai.
Pasi dolën prej Kryetarit të Republikës, ata shkuan e vizituan emigracionin. Mbeti një pjesë e vogël që patën shkuar, se të tjerët, ishin ndaluar hëpërhë. “Ata, ishin nga 40 oficerë dhe 10 doktorë e agronomë dhe profesorë. Bëheshin rreth 300 gjithsej, ku ata po merrnin masa edhe për të tjerët, që eventualisht mund të vinin. Por, Madhëria e Tij, Mbreti Zog, duke parë se situate, po shkonte shumë kritike, në mes Arabeve dhe Izraelit, pati dhënë urdhër, ndalimin hëpërhë. Zaten, ra edhe kolera, që kështu Mbreti….”!
Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ishte gjithnjë në kontakt me Mrs. Peter Son, kryetar i Emigracionit dhe e thërriste shpeshherë, për të biseduar në Aleksandri, përsa i përkiste, emigracionit. Por, tani Mbreti, – shkruan adjutanti – kishte ndërruar mendim, se po të plaste një konflikt arabo-izraelit, do të mbetej shumë vështirë emigracioni. Izraelitët, akoma nuk e kuptonin, as Mbreti Faruk, e as Shyqri Kueatly, as Mbreti Abdullaj, as Xhemil Madami, se izraelitet, ishin të garantuar prej anglo-amerikaneve. Ata, u mbronin për çdo kërcënim prej tyre dhe kjo ishte një fatkeqësi për arabët.
Megjithëqë, vijohet në kujtime se Mbreti Zog, gjithnjë ua shpjegonte Mbretit Faruk, Mbretit Abdulla, Kryetarit të Republikës Syriane, Kueatly dhe Myftiut Jeruzalemit, Hysein Efendiut, Xhemil Madam Beut, që mos t’i japin shkak një konflikti me armë me izraelitët. “Por, të përpiqen me anën e anglo-amerikaneve, për të gjetur një solucion pajtues, e të vihen disa kondita, në mes të dy kombeve arabe: Izraelit në Shtetin Palestinë. Por arabëve, u ishte rritur mëndja, dhe nuk shikonin se Izraeli, ishte përkrahur prej gjithë Europës. Se, kur i kanë instaluar, ju kanë dhënë të gjitha garancitë e mbrojtjes, por këto nuk dëgjonin”.
Atmosfera, vijohet në kujtime – në shtetet arabe gjithnjë vjen duke u keqësuar, tani diktohen edhe agjentë të Rusisë Sovjetike. “Ata kanë sjellë në Ambasadën Ruse, më tepër se 600 vetë, përveç si luleve (agjenteve) që i kanë shpërndarë ndër të gjithë anët. Bëjnë një propagandë pothuaj haptazi, se këtu gjejnë mjaft përkrahje për të zhvilluar programin e tyre. Është një popull i varfër, dhe në grindje njeri me tjetrin. Pothuaj, se partia e Vakfit, është si shtylla egjiptiane, por ata nuk i shohin interesat e shtetit, kundrejt interesave personale”.
Komiteti në Syrie, ishte tepër i kënaqur nga pritja dhe fjalët e mira të Kryetarit të Republikës Excellenca e Tij, Shykri Kueatly. “Por, ata nuk ishin të kënaqur nga autoritetet, sepse ecin shume ngadalë, dhe zënë shkaqe jo buxheti: jo banimi e, të tjera. Akoma edhe kjo pakicë emigrantësh, nuk kanë gjetur stabilizimin e duhur. Po ashtu, inxhinieret, profesorët, agronomët e, gjithë ato specialistë shqiptarë, nuk u është dhënë punë. Sot me nesër, ku nuk shohin se do të realizohet asgjë. Tani i ka kapur edhe frika e atyre arabëve, qartas se do të ikin nga Palestina.
Akoma rrugët nuk janë hapur, që të lëvizin vaporët ose avionët, për çështjen e kolerës. Mit’hat Frasheri, me Vasil Andonin, ishin në Romë. Mit’hati vetë, u nis për në Greqi, Athinë. Ndërsa, Vasilin e la në Romë, në pritjen e hapjes së rrugëve. Ku na njohu, se nuk qëndroi në Greqi. Vetëm pas dy ditëve, u nis për Stamboll, Turqi. Prej atje, do të ndodhet për disa ditë, tek motra e, aty prej Stambollit, do na shkruajë.
Kryetari i Komitetit në Syri, Salih Myftia, na shkruan se: Kolonel Fiqri Dinja në Greqi, kërkon me ardhë në Syrie me 600 vetë. “Nuk dimë si të bëjmë, a t’ua dërgojmë ‘atestacionet’ d.m.th., lejen e këtushme, se këta i pranojnë. Apo, sipas urdhrit të parë, t’i ndalojmë hëpërhë”.
Ne, ju përgjigjem si Komitetit në Syri. Po ashtu, i shkruam kolonel Fiqri Dines, që deri me një urdhër të dytë mos të lëvizin nga kampet. Se kemi biseduar mbi të gjitha, me Mr. Peterson, shef i Emigracionit, që ka për të ndihmuar më mirë emigratën. I shpjeguam, thotë koloneli – hëpërhë, nuk janë rregulluar instalimet dhe nevojat e duhura, përsa u nevojitën emigracionit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016