Nga Hysen Selmani
Pjesa e katërt
Memorie.al / Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Më erdhën disa italianë që i kam miq. Nuk po jua them emrat se nuk është në interesin tonë. Ata më vunë në dijeni mbi të gjitha, përse Mbreti na ka porositur që më 14 shkurt të 1939 dhe më shtuan se, këto telashe që doni të bëni, nuk janë të mira, se nuk është ajo rëndësi që ju doni ti jepni, nuk do të merret asnjë lloj mase ushtarake nga Musolini, kundër Shqipërisë. Por ju me këto gjëra, po i jepni vetë shkak një zemërimi Italian, pa qenë nevoja. Këta më siguruan se, asnjë gjë nuk është siç e mendoni ju dhe për Ushtrinë, më thanë që të mos përpiqet kot. Çfarë ushtrie keni ju më tha, vetëm se keni Mbretin e jo tjetër?!
“Këto janë, – tha Musa Juka, – dhe jo fjalët e mbledhura por fakte, dhe mbrëmë ishin në shtëpi tek unë disa ministra, si: Abdurrahman Dibra, Fejzi Alizoti, Javer Hurshiti, Sali Vuçiterna, etj., dhe këta me informatat që kanë dhe që dëgjojnë, janë të mendimit që, të mos e ashpërsojmë me Italinë, por përkundrazi, të mendohemi mirë dhe mund të dërgohet prapë një komision në Itali, për një marrëveshje mbi sferën e errët që na rezulton sot. Dhe këtë, nuk ja thashë Mbretit, se nuk më dëgjoi, se ishte pak i mërzitur. Ai, më tha se, do të bisedojë me ju”.
Më erdhi ministri i Jugosllavisë dhe ai më tha që; nuk jeni duke bërë mirë me këto veprime, që bëhen kundër Italisë. Qeveria e Beogradit, nuk e shikon aspak me sy të mirë se, jeni duke nxitur Italinë rëndë, gjë e cila, mund të marrë masa të rënda kundër Shqipërisë, e ju do të jeni, si përgjegjës para botës”.
Kryeministri Kotta i tha: “Zoti ministër, në të gjitha bisedimet që janë bërë, keni qenë gjithmonë prezent tek Mbreti, dhe ju keni siguruar nën përgjegjësinë tuaj, sigurimin e qetësisë së vendit, si dhe në të gjitha vendimet e marra, keni qenë e jeni treguar më i rrepti, përsa i përket ndodhirave me Italinë. Vërtet se ne, kurrë nuk i kemi cënuar italianët, përkundrazi, i kemi mbuluar shumë ngjarje, të ndodhura prej tyre.
Këtu ka një pikë me shumë rëndësi, ku edhe opinioni i zotërisë suaj, bindet si po thoni, se italianët që kanë ardhur tek ju si miq, ju paskan thënë se, në asnjë mënyrë nuk duhet të dyshojmë se, Musolini do të marrë masa ushtarake kundër Shqipërisë, e dyta, thoni se edhe me disa shokë që ju paskan ardhur në shtëpi, jeni të mendimit që të silleni urtë, dhe të caktoni një komision, për ta çuar në Itali, që të hyjë në bisedime për të mundur dhe për ta rregulluar sferën e errët, e krijuar midis dy vendeve.
Thoni se, ju paska ardhur dhe ministri i Jugosllavisë e ju ka thënë, se nuk jeni duke bërë mirë me sjelljet e rënda kundër Italisë. Edhe se qeveria e Beogradit, nuk e shikon me sy të mirë këtë ngjarje, se jeni duke nxitur keq Italinë, e cila mund të marri masa të rënda, ndaj këtyre sjelljeve e sharjeve. Veçanërisht, vërtetoni me siguri, se nga ana e Ushtrisë, asnjë masë nuk është marrë, as që ka për t’u marrë, e shumë të tjera.
Zoti Ministër, tani jemi me 1 Prill 1939, kurse këto bisedime, kanë filluar që më 14 shkurt 1939, ku ju keni marrë të gjithë sigurimin e qetësisë së vendit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komandën e Ushtrisë dhe atë të Xhandarmërisë e, deri më sot, pothuajse përditë, jemi takuar e kemi biseduar për këtë veprimtari. Dhe ju gjithmonë, jeni treguar i fortë në këtë vendim, e tani na dalin lajme të reja. A mos e keni nga demonstratat?! Këto, nuk i shkaktuam ne, por populli, duke i dëgjuar sjelljet e veprimet e Italisë, që nuk po i shpikim ne. Po ju vetë, që keni nënshkruar i pari, për mospranimin e kërkesave të Italisë.
E pra, unë po ju them, me urdhrin e Mbretit, në qoftë se ata, italianët ose shokët tanë, mund të gjejnë një mënyrë ndreqje me Italinë pa cënime, siç janë marrë vendimet, që kërkesa e Italisë që bënë, janë të papranueshme, ne jemi gati, por jo fjalë të kota. Se ne kurrë, nuk kemi përdorur ndonjë sjellje të keqe kundër Italisë dhe as që e dëshirojmë. Dhe po ju themi se, që nuk ka shqiptarë të ndershëm, që do të prishet me Italinë, veçse dëshiron miqësinë dhe aleancën, por ata e kanë gjithë punën në dorë, për të rikthyer sinqeritetin.
E përsa i përket Ushtrisë, ajo është një përgjegjësi që i përket Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, që ajo e ka marrë përsipër vetë me çdo përgjegjësi, por edhe kërkon përkrahjen tuaj, në nevoja që do shohë. Demonstratat, nuk mund të ndalohen as me burgosje, se është bërë bujë e madhe në Itali. Populli ka të drejtat e veta, se ai do të sakrifikohet për vendin e vet. Si mund ta ndalosh?! Po në rast se sigurohemi tani dhe menjëherë i ndalojmë edhe pa burgosje. Por me një fjalë, se për ndryshe, do të ishin ngritur edhe herë të tjera, por tani, ai është i ndezur në shpirt dhe lyp të sakrifikohet me vdekje, për atdheun e vet”.
Me këto fjalë, kryeministri Kotta dhe kolonel Hysen Selmani, dolën dhe shkuan në Pallat. Ministri, Musa Juka, ishte bashkë me ata, kur hynë në Pallat te Mbreti Zog. Tek ky i fundit, ishte Mehmet Konica. E sa doli Mehmet Konica, hyri kryeministri Kotta, Musa Juka dhe kolonel Selmani. Kryeministri i parashtroi Mbretit, për sa ishte biseduar, të gjitha pas urdhrit të Madhërisë së Tij, Mbretit.
Madhëria e Tij, pasi dëgjoi për sa i parashtroi kryeministri Kotta, na tha: “Është e vërtetë se ndër këto rrethana, bëhen lloj-lloj bisedimesh, edhe ndonjëherë intriga, herë me dashje dhe herë pa dashje, gjithnjë, gjejnë vend. Këtë gjendje, e kanë kuptuar me kohë, po çfarë të bësh?! Kërkova të sheshoj punët me Italinë, por pashë se, nuk është e mundur e më në fund, u përpoqa që t’u bush mendjen e dhe shteteve ballkanike, se ky rrezik, që sot paraqitet së pari për Shqipërinë, nesër është edhe për Greqinë, e pastaj për Jugosllavinë. Ju thashë haptazi se, Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë, për premtimet që më bënte Italia, por siç e dini, këto shtete nuk i çmuan, për shkak të propagandës e, për më tepër, nga frika dhe pasiguria e tyre, shtyhen të mbyllin sytë, ndonëse e shohin ata shumë mirë.
Pra, zoti ministër, ju thoni se jemi duke u ashpërsuar me Italinë, kur kjo është e vendosur për të zbarkuar ushtarakisht në Shqipëri. Pra, ata që ju kanë thënë se, ka mundësira që mund të ndreqet prap miqësia me Italinë, asgjë nuk jeni duke ju ndarë gjithmonë, sa që, me dëshirën e Musolinit e të Kontit Çiano, për të mundur që të gjejmë një mënyrë, që të gjitha këto ftohtësira, të vijnë e të përmirësohen në besim. Për këtë, ne dërguam kryeadjtuantin, gjeneral, Zef Serreqin, si mik i Çianos, dhe ne nuk kemi shkaktuar asgjë, që të zëmërohet Italia prej nesh.
Sa për demonstratat që po bëhen prej popullit, nuk mund t’i ndalojmë, se ky atdhe, nuk është vetëm i yni, por i të gjithëve. Ata kanë të drejtën e tyre dhe po ju them se, me gjithë zëmër, e me shpirt të pastër, dëshirojnë të japin jetën për atdhe. Kjo nuk është propagandë, por dhimbja që ndjen në zëmër populli, se janë vetë Italianët që lajmërojnë, e kjo se, gjoja Italia do të zëmërohet, dhe ka për ta zënë si shkak, kësaj i thonë, si ajo puna e ujkut me delen, që tha se i turbulloj ujin.
Duhet të merremi vesh mirë: Italia ka në dorë, po të dëshirojë të mbajë miqësinë me Shqipërinë, sepse, nuk ka shqiptar që nuk e dëshiron miqësinë me Italinë, dhe për atë po përpiqemi, e për sa i përket “Cënimeve të pavarësisë së Shqipërisë, këto janë të papranueshme”. Kujtoj se, këtë vendim, e dini dhe e keni nënshkruar të gjithë, si ministrat, po ashtu dhe i gjithë Parlamenti, e kjo nuk diskutohet. Ne, deri në fund, do të rrimë besnik miqësisë dhe aleancës me Italinë, pa asnjë cënim, dhe natyrisht, ne e duam miqësinë, po të duan edhe ata.
Për sa i përket përgatitjes së mbrojtjes, është pak e vështirë ajo, sepse, nuk kemi dashur që t’i japim shkak që të thonë se: Shqipëria po mobilizohet. Kjo ka qenë arsyeja që, është urdhëruar Xhandarmëria, për të përgatitur 6 batalione, se ky nuk mund të quhet mobilizim. Kjo është më tepër për sigurimin e qetësisë së vendit dhe se Ushtria, që është urdhëruar në mënyrë të fshehtë, të përgatitet më tepër me kuadrin që ka, natyrisht dhe jo të bëj thirrje, pasi edhe armë nuk ka. Dhe mos harroni, se, në të gjitha repartet e Ushtrisë, ende ndodhen organizatorët italianë, dhe është shumë e zorshme një përgatitje pa u vënë re.
Sa për ato fuqi që janë nën armë, kujtoj se, do të renditen me Xhandarmërinë bashkë, ashtu siç më kanë paraqitur planin e mbrojtjes, natyrisht, mbrojtja jonë me këto fuqi të vogla dhe të paarmatosura, siç ua kam shpjeguar, nuk mund të përballojë një të tillë aq të madhe e të armatosur, me armët e mjetet më moderne, të cilës po i tremben fuqitë e mëdha dhe jo ne.
Për këtë, kam urdhëruar kolonel Hysen Selmanin, që të bëjë një kontroll të imët. Bashkë me komandantin e Mbrojtjes Kombëtare dhe në mundësi, të plotësojnë mungesat e që përfshin plani i Komandës. Sidoqoftë, ne do të bëjmë detyrën që na përket, me këto mjete që kemi. Vetëm se, të jemi të sigurt se: “Gjaku i shqiptarit, sado i pakët, do të sigurojë independencën e ndershmërinë e kombit shqiptar”.
Këto ishin këshillat që Mbreti, i renditi kryeministrit Kotta, ministrit Musa Juka dhe kolonel Hysen Selmanit.
Tiranë më 1 Prill 1939
Në orën 06.00 të mbrëmjes së kësaj date, erdhën Mehmet Konica dhe Ferid Dervishi në Pallat dhe dëshironin që të paraqiteshin tek Mbreti Zog. Mbreti, i pranoi menjëherë dhe ata, hynë të dy brenda. Ata vinin prej Legatës Jugosllave dhe për atë që kishin biseduar me ministrin, Milçiç të Jugosllavisë.
Këta kishin qenë në Legatën Jugosllave, se e kishin mik ministrin Milçiç. Në atë kohë, e kishin pyetur atë: se në rast se Italia, bën ndonjë veprim ushtarak kundër Shqipërisë, si do të ishte qëndrimi i Jugosllavisë ndaj Italisë?! E natyrisht, qeveria shqiptare, e ka vënë në dijeni mirë, mbi kërkesat italiane, qeverinë jugosllave.
Ministri Milçiç, i ngarkuari me punë i Jugosllavisë në Tiranë, ju është përgjigjur kështu: “Keni bërë shumë mirë që keni ardhur dhe më tepër, përsa u përket këtyre bisedimeve që kanë një rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin mbarë. Siç po më pyesni, ju parashtrova Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ekrem Libohovës se, në rast të ndonjë ngjarjeje italo-shqiptare, qeveria e Beogradit, mbetet neutrale, as pro e as kundër. Por juve, do t’ju tregoj krejt atë që qeveria e Beogradit, më lajmëron. Këtë jua them, që t’ja parashtroni Mbretit Zog, se ai e kupton vetë atëherë.
Para dy ditëve, janë paraqitur veçmas në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në Beograd, më përpara ministri i Gjermanisë, Von Heren, dhe më pas, ministri i Hungarisë, Baroni Villani, të cilët kanë lajmëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, se për çdo ndihmë të çdo lloji qoftë, që Jugosllavia do i japi Shqipërisë, do të konsiderohet akt kundër Gjermanisë e Hungarisë dhe kjo, do të ketë rrjedhojë të keqe ndaj saj, d.m.th., luftë ndaj Jugosllavisë”.
Shtoj se, pas kësaj, ministri Milçiç, tha se: “Qeveria jugosllave, nuk është në gjendje që t’i vijë në ndihmë, në asnjë mënyrë, në këtë rast Shqipërisë. Me keqardhjen më të madhe, të qeverisë jugosllave, ne e kuptojmë fare mire, që pas jush, do të vijë radha jonë dhe e gjithë Ballkanit, por çfarë të bëjmë?! Këto ja parashtroni Mbretit Zog, po të urdhëroj, jam në dispozicion të Mbretit”, ju tha Milçiç dhe i kishte përcjellë deri te porta jashtë. Këto ishin fjalët e ministrit të Jugosllavisë, Milçiç, të datës 1 Prill 1939.
Këto, ja parashtruan Mbretit, sipas fjalëve të Ministrit Milçiç, ku i kishin mbajtur të gjitha me shënime, në një letër që ja dorëzuan kolonel Hysen Selmanit. Pas këtyre fjalëve, dolën bashkë, Mehmet Konica dhe Ferid Dervishi. Vetë kolonel Hysen Selmani, i përcolli pak, ndërsa ata duke kaluar nëpër lulishte, i thanë se kishin një fjalë për t’ja parashtruar Mbretit, por nuk patën mundësi t’ja thonin. Ata i thanë kolonel Selmanit: “Po jua themi juve, që t’ja parashtroni, se ka një rëndësi të madhe, sidomos tani, që bën një përshtypje në popull e gjithandej.
Tanimë kohërat e fundit, kanë filluar disa ministra e deputetë, të bashkuar, duke përdorur fjalët se, politika dhe sjelljet e këqija të qeverisë, po na marrin në qafë. Se Italia është shumë e zemëruar, ndaj kësaj qeverie dhe flitet se, do t’ja parashtrojnë Mbretit. Kjo është e vërtetë dhe janë njerëzit më të afërt, që po i thonë gjithnjë e më tepër këto fjalë”. Kolonel Selmani, i përshëndeti ata dhe pastaj u ndanë.
Sa u kthye kolonel Selmani në Pallat, menjëherë ja parashtroi Mbretit, fjalët e Konicës dhe të Feridit. Po Mbreti qeshi, e tha: “Ja ato që na tha Musai. Kjo është e vërtetë”.
Po në këtë kohë, erdhën kryeministri Kotta, dhe Ministri i Jashtëm, Libohova, me një telegram që vinte nga ministri i Shqipërisë në Berlin, Rauf Fico. Telegrami ishte: “Kam patur takim me Marshallin Gering dhe me Ministrin e Jashtëm Ribentrop, të cilët në emër të qeverisë gjermane, më komunikuan këto fjalë, që po ju shkruaj: Ti paraqisni homazhet tona respektuese, Zog I-rë, Mbretit të Shqiptarëve. I thoni që, Hitleri dhe qeveria gjermane, ruajnë dashurinë dhe miqësinë më të mirë për popullin bujar shqiptar.
Veçanërisht, qeveria gjermane garanton pavarësinë e Shqipërisë, dhe për një Shqipëri të madhe etnike, por, të pranoni kërkesat e Musolinit, të cilat janë dhe në interesin tuaj. Kjo ishte dhe ndërhyrja e Gjermanisë, ku për të qenë një armatë italiane në Shqipëri, ishte më tepër në interesin e Gjermanisë, për t’i lehtësuar veprimet e mëvonshme, që do të zhvillonte ndaj Polonisë, e të tjera. Fatkeqësisht, as fqinjët tanë, e as anglo-francezët, nuk duan t’ja dinë”.
Mbreti Zog, urdhëroi kryeministrin Kotta, që pasi ta studiojë me qeverinë këtë propozim, të qeverisë gjermane, t’ia sjellë Parlamentit, që ta studiojë si të tjerat, e pasi të jetë marrë pëlqimi, të përgatitet një përgjigje nga qeveria, për qeverinë Gjermane. Kjo, do të bëhej nga ana e kryeministrit Kotta dhe të ministrit të Jashtëm, Ekrem Libohova, në emër të Mareshall Gouringuut dhe të Ribentropit, siç e kanë dërguar edhe ata.
Kryeministri, bashkë me qeverinë, në orën 5 pas dite të datës 2 Prill 1939, u paraqit në Parlament, me telegramin që dërgonin Ministri i Shqipërisë në Berlin, Rauf Fico, u morën në shqyrtim dhe për këtë, u rrahën shumë mendime. Por, me shumicë, u vendos që t’i jepte një përgjigje miqësore. Por, sa u përket kërkesave italiane, janë të papranueshme pasi, ato cenojnë independencën e Shqipërisë.
Pasi u mor pëlqimi edhe i Parlamentit, menjëherë qeveria i përgatiti përgjigjen qeverisë gjermane, si më poshtë: “Jemi shumë mirënjohës, nga miqësia që Qeveria e madhe Gjermane, pati nderin të na komunikojë me anën e Ministrit tonë në Berlin, Rauf Ficos. E sigurojmë Fyhrerin dhe Qeverinë e tij, se Shqipëria ka për të qenë deri në fund, besnike e ‘Traktatit të Aleancës, e Miqësisë’, që ka me Italinë dhe kurrë ndonjë tradhti, nuk ka për t’i ardhur Italisë, prej Shqipërisë.
Përsa u përket kërkesave që qeveria italiane fashiste, i ka paraqitur qeverisë shqiptare, janë të papranueshme, pasi ato cënojnë independencën e pavarësinë e Shqipërisë, po dëshirojmë nga aleatja jonë e madhe, Italia, e sidomos prej Duçes, miqtë e përkrahje të sinqertë. Lutemi edhe ndërhyrjen e qeverisë e të popullit të madh, e mik gjerman, pranë Duçes, që të rifillojmë në miqësi e besim të plotë”.
Kjo ishte përgjigja që ju dha qeverisë gjermane, nga qeveria shqiptare. Këtu mungojnë letrat, vetëm se i mbaj mend kur u lexuan si e tyrja, prej Ministrit të Punëve të Jashtme, Ekrem Libohovës, si dhe kjo që u dërgua, po ministrit të Shqipërisë në Berlin, Rauf Ficos, që ta paraqesë.
Pas kësaj pritje nga gjermanët, u prit ndonjë ndërhyrje pranë Musolinit. Por këtë, e pengonin edhe interesat e Gjermanisë, që ishte gati, për të bërë veprimet e mëtejshme, siç u vërtetua me Poloninë. Megjithëkëtë, Rauf Fico, ishte urdhëruar me qenë në kontakt të ngushtë, me Mareshallin Gouringun e Ribentropin. Megjithëkëtë, nuk pritej ndonjë shpresë e madhe nga qeveria gjermane, sepse, ishin interesat e njëjta, me ato të Italisë./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016