Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kostë Çekrezit, i cili pasi kishte kaluar një jetë të tërë në mes peripecive dhe vuajtjeve të pafundme, që veç të tjerave i’a sillte edhe të qenit larg vendlindjes e të afërmve atje në dhe të huaj, prej nga ku ai ishte larguar që në vitin 1935, kur kishte tentuar dhe dështuar në një përpjekje të tij për të kryesuar një kryengritje të armatosur kundër Mbretit Zog, krahas veprimtarisë politike në dobi të çështjes shqiptare së cilës ai i ishte kushtuar prej vitesh, aty nga viti 1951, vendosi që t’i rikthehej edhe një herë pasionit të tij të parë, gazetarisë dhe publicistikës. Profesion të cilin e kishte ushtruar për më shumë se tre dekada me radhë në rininë e tij. Madje duke drejtuar dy tre nga gazetat më të njohura të Shqipërisë së atyre viteve dhe diasporës së saj në SHBA-ës, ku ndryshe nga shumë kolegë të tij që kishin bërë kompromise me regjimin, ai ishte munduar dhe kishte luftuar për të drejtën e fjalës dhe për t’ia hequr asaj “prangat” e rënda. I mbyllur në banesën e tij e cila nuk ishte më shumë se tre milje larg prej Shtëpisë së Bardhë, ai përfundoi së shkruari librin “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, ku merrte në analizë të gjitha ngjarjet, peripecitë, rreziqet e shumta dhe pushtimet që kishte kaluar Shqipëria që nga “ngrehja” e shtetit të parë shqiptar në nëntorin e 1912-ës, ku në shumë prej atyre ngjarjeve, në mos protagonist, ai kishte qenë vetë dëshmitar okular. (Nëntitujt janë redaksional)
Pasi kishte kaluar një jetë të tërë në mes peripecive dhe vuajtjeve të pafundme që veç të tjerave i’a sillte edhe të qënit larg vëndlindjes e të afërmëve atje në dhe të huaj, prej nga ku ai ishte larguar që në vitin 1935, kur kishte tentuar dhe dështuar në një përpjekje të tij për të kryesuar një kryengritje të armatosur kundër Mbretit Zog, krahas veprimtarisë politike në dobi të çështjes shqiptare së cilës ai i ishte kushtuar prej vitesh, aty nga viti 1951, vendosi që t’i rikthehej edhe një herë pasionit të tij të parë, gazetarisë dhe publicistikës. Profesion të cilin e kishte ushtruar për më shumë se tre dekada me radhë në rininë e tij. Madje duke drejtuar dy tre nga gazetat më të njohura të Shqipërisë së atyre viteve dhe diasporës së saj në SHBA-ës, ku ndryshe nga shumë kolegë të tij që kishin bërë kompromise me regjimin, ai ishte munduar dhe kishte luftuar për të drejtën e fjalës dhe për t’ia hequr asaj “prangat” e rënda. I mbyllur në banesën e tij e cila nuk ishte më shumë se tre milje larg prej Shtëpisë së Bardhë, ai përfundoi së shkruari librin “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, ku merrte në analizë të gjitha ngjarjet, peripecitë, rreziqet e shumta dhe pushtimet që kishte kaluar Shqipëria që nga “ngrehja” e shtetit të parë shqiptar në nëntorin e 1912-ës, ku në shumë prej atyre ngjarjeve, në mos protagonist, ai kishte qenë vetë dëshmitar okular. Nisur nga fakti se në atë libër, i cili pothuajse është i panjohur për shqiptarët, trajtohen, shtjellohen dhe analizohen me hollësi disa nga ngjarjet dhe situatat më kritike që ka kaluar Shqipëria gjatë shekullit të kaluar, (që nga vendosja e Monarkisë dhe deri në vitin 1951, kur ai u botua në SHBA), kemi përzgjedhur për botim disa pjesë të atij libri, duke i dhënë ato pa asnjë ndryshim nga varianti origjinal i përdorur prej autorit të tyre.
Pjesë nga libri “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”
“Roli i komunistëve në Kryengritjen e Fierit”
Në bazë kallëzimesh, shumë herë pa emër, Ministrat e Brendshëm të Zogut, sidomos i famshmi Musa Juka, ndjekës i çdo liberali dhe të riu, urdhëronin kapjen dhe burgosjen e dyzina djemsh të rinj dhe studentësh nën akuzën se ishin “Bolshevikë”. Në këtë mënyrë, kundërshtarët e regjimit pro-fashist të Zogut, arritën të kenë si për lavdi të fshehtë titullin Komunist. Sikur njeriu të bazohej në raportet e Ministrisë së Brendshme, do t’arrinte në përfundimin se gati e gjithë rinia e vendit, adhuronte Leninin e Stalinin. Prova e kundërt dolli në dritë me rastin e Lëvizjes së Fierit, në të cilën rolin kryesor u-thirra ta luaj unë. Në përpjekjet e mija për të mbledhur tok dhe për të organizuar gjithë elementët kundërshtarë të regjimit, hyra në kontakt edhe me “Grupin Komunist” të Shqipërisë. Habia e imja dhe e shokëve të mi ishte e madhe, kur kryetarët e atij grupi na dhanë listën e anëtarëve të tyre. Lista përmbante saktësisht 73 (shtatëdhjetë e tre), emra. Shumica e tyre ishin nënoficerë (tetarë, kapterr dhe rreshterë), dhe ay që mbante gradën më të naltë, ishte vetëm nëntoger. Të tjerët ishin mësues të shkollave fillore, që nuk dinin nga ç’anë zihej pushka. Por edhe ata të 73, nuk ishin komunistë të vërtetë, por idealistë të shkrehur që pandehnin se çdo problem i Shqipërisë, do të zgjidhej automatikisht në minutën që të vihej në veprim regjimi sovjetik në vendin t’onë. Që nuk ishin komunistë të vërtetë, provohet fakti se kur erdhën në fuqi komunistët e vërtetë, të kryesuar prej Enver Hoxhës, kryetarët e atij grupi origjinal komunist, u vunë në pushkë dhe në litar, duke fillue nga themelonjësi i atij të parit “Grup Komunist” të Shqipërisë, Zai Fundo (mbjellësi i vërtetë i farës komuniste në Shqipëri, Kostandin Boshnjaku, u pushkatua në Prill 1945). Dhe në tërë këtë kohë, kur Ministria e Brendshme e Zogut ndiqte këmba këmbës si “Komunistë” rininë e Shqipërisë, kryetari i pritmë i regjimit komunist në Shqipëri, Enver Hoxha, studionte në Evropë me bursë të dhënë nga regjimi zogist!…Në këtë pikëpamje, pra mund të thuhet se regjimi i Zogut ishte duke përgatitë sheshin për ardhjen në fuqi të regjimit komunist, duke e shtyrë rininë e vendit që të kërkojë zgjedhjen e problemeve të Shqipërisë në vendosjen e sovietizmit anti-nacionalist. Por kur ishte e ditur që të rinjtë damkoseshin si “Komunistë”, nuk ishin në gjendje të krijonin ndonjë lëvizje kundër regjimit të Zogut, puna ishte krejt ndryshe për sa i përkiste “parësisë” së vendit, në të cilën përmblidheshin bejlerët, bajraktarët dhe arhondët. (Në Korçë fjala “parësi” përdorej për të designuar (shënuar ose përcaktuar), familjet më me influencë brenda komunitetit orthodhoks; në Berat ajo fjalë përdorej për të designuar familjen e Vrionasve; në Vlorë me fjalën “parësi” designoheshin “agallarët” e pasur; në Shqipërinë e Veriut, “parësia” e vendit përbëhej prej bajraktarëve të fiseve të ndryshme). Këto “parësi”, të përbashkëta kishin kohë që ishin penduar për përkrahjen që i kishin dhënë Zogut kur u kthye në fuqi më 1924, me ndihmën e Jugosllavisë dhe të Greqisë, për të rrëzuar regjimin e gjashtë-muajshëm të Imzot Nolit.
Bejlerët e Korçës: T’i vëmë fre Zogut
Vetëm gjashtë muaj pas emërimit të Zogut si “President i Republikës”, “të parët e vendit”, kuptuan se ambicia e atij njeriu kalonte çdo kufi. Dhe ata vendosën që t’i vinin një kufi para se puna të shkonte më tutje. Në një mbledhje të fshehtë që u mbajt në Korçë më korrik 1925, me nisjativën e Myfid Bej Libohovës, u biseduan mjetet dhe mënyrat për të kufizuar fuqinë e Zogut si President i Republikës. Por, për fat, qeveria e Tiranës mori dijeni të mbledhjes dhe të qëllimeve të saj, dhe Zogu duke vepruar me shpejtësinë e tij të zakonshme ne raste të tilla, i flaku nga ofiqet që mbanin të gjithë bejlerët pjestar të mbledhjes së Korçës. Që ahere bejlerët muarrnë një qëndrim opozite dhe të fshehtë të padeklaruar, për arsye që mund të kuptonen lehtë. Fakti është se në Lëvizjen e Fierit – që u organizua afro 10 vjet më vonë, – kishim në rradhët t’ona më shumë Bejlerë se sa ushtarë. Vrionasit e Beratit, ishin në vijën e parë. Dhe një nga arsyet se pse Fieri u zgjodh si kryeqendra e lëvizjes, ishte se ay qytet i vogël ishte pothuaj një çiflig i Vrionasve. Pas dështimit të Lëvizjes së Fierit – dështim i cili u shkaktua nga pa afëtsia e disa oficerëve t’anë për të bërë lidhjet e duhura me Bajraktarët e Veriut – Parësija e vendit dhe jo vetëm Bejlerët, arrijti në përfundimin logjik, se: mbasi Zogu mbahej në fuqi me anën e përkrahjes që kishte nga Italia fashiste, e vetmja rrugë për ta hequr qafe, ishte q’ata si të parët e vendit, të bënin një marrëveshje direkte me qeverinë e Romës. Ndërrmietës për këtë marrëveshje ishin Shefqet Vërlaci dhe Mustafa Merlika i Krujës.
Marrëveshja e bejlerëve me Romën kundra Zogut në 1938
Marrëveshja u plotësua në dhjetor 1938. Në bazë të saj, qeveria e Romës zotohej që të pushonte së dhëni ndonjë përkrahje Zogut, kështu që t’u jepej rast “të parëve të vendit”, ta rrëzonin nga fuqia me mjetet e tyre dhe jo me ndonjë ndërhyrje ushtarake nga ana e qeverisë italiane. Nga ana e tyre “të parët e vendit”, zotoheshin që të ftonin në fronin e Shqipërisë një kushëri të mbretit të Italisë si, për shembull, Dukën d’Aosta. (“Mbret për mbret”, thoshin midis tyre, Duka d’Aosta do të bënte një figurë më të mirë si mbret se sa “Maloku i Matit”). Në këtë mënyrë qeveria e Romës kishte arritur në përfundimin se Zogu nuk ishte njeri që mund t’i zije besë; dhe në atë mendim kishin të gjithë ata që patën të bëjnë me Malokun e Matit. Mirpo, kur ardhi koha që të vihej në veprim ajo marrëveshje, Duçja i pabesë ua hodhi “të parëve” të vendit t’onë. Në vend të parimit të ruajtjes së indipendencës shqiptare nën një mbret italian, Musolini kishte pasur gjithnjë si synim që ta okuponte Shqipërinë, duke përdorur si vegla “të parët e vendit”. Kjo provohet përtej çdo dyshimi nga shënimet e qarta të Kontit Çiano në Ditaret e Tij (The Çiano Diaries), q’u botuan anglisht më 1946 prej shoqërisë botonjëse Doubleday & Co. Konti Çiano, dhëndër i Duçes dhe Ministër i tij për Punët e Jashtme, nuk len asnjë dyshim për këtë pikë kur shkruan se në marrëveshjet me shqiptarët kundërshtarë të Zogut, qeveria e Duçes kishte një qëllim të vetëm: të ç’dukte indipendencën e Shqipërisë, në kohën që i jepte sigurime të plota Shefqet Vërlacit dhe Mustafa Krujës, se do të respektonte indipendencën e saj. Këtë dredhi të poshtër të Duçes, e kuptuan, ndaj fundit, edhe ata që kishin bërë marrëveshjen e fshehtë me të. Por e kuptuan tepër vonë. Kur, pra, qeveria e Romës i dorzoi Zogut më 5 Prill ultimatumin me anën e të cilit kërkonte që qeveria e Tiranës, të pranojë trupat ushtarake italiane në limanet e Vlorës, Durrësit dhe Sarandës – midis konditave të tjera, Zogu i parashtroi parlamentit kërkesat e qeverisë së Romës. Me një zë parlamenti i hodhi poshtë kërkesat e Italisë. Midis atyre që votuan “kundër”, ishin dhe ata që kishin pëlqyer më parë marrëveshjen me Duçen. Për njëherë u duk sikur kombi shqiptar ishte krejt i bashkuar me qëndresën e tij kundër Italisë. Por shih se ç’shkruan Konti Çiano në Ditaret e tij: “Gjatë gjithë kësaj kohe, Zogu, po bënte çmos për t’ë arritur në marrëveshje me qeverinë e Romës. Simbas shënimeve të Çiano’s, Zogu ishte gati të pranonte çdo kërkesë t’Italisë, me konditë q’ay të mbante fronin. Mirpo, Musolini kishte vendosur që të zaptonte Shqipërinë, dhe Zogu nuk i hynte më në punë. Prandaj Duçja refuzoi çdo marrëveshje me Zogun. Përkundrazi, ay urdhëroi që trupat e tij të mbledhura në Bari dhe Brindizi, të zbrisnin në skelat e Shqipërisë dhe 400 aeroplanë të fluturonin mbi Tiranë për të terrorizuar popullin e saj. N’atë rast aq të vështirë, Zogu bëri një gjest trimërie; i dha urdhër ushtrisë që t’ju bjerë italianëve. Disa nga kundërshtarët e tij duan të thonë se Zogu e dha atë urdhër për të fituar kohë në ikjen e tij në të ngrysur të asaj dite aq tragjike për Shqipërinë. Sido qoftë e vërteta, italianëve u ishte mbushur mëndja se Zogu nuk do t’ikte pa luftuar. Ja se ç’shkruan Konti Çiano mbi këtë pikë: “31 Mars 1939. Lajmet nga Tirana vërtetojnë faktin se Zogu po bën të gjitha përgatitjet për kundërshtim. Kjo s’më pëlqen aspak, mbasi mua më duket si punë e rrezikshme që ne të shkrehim pushkën e parë në gjendjen tashmë të turbullt dhe të ndezur t”Europës. 2 Prill, 1939. Plani ynë është të ndalojmë ikjen e Zogut për në Mat, ku ay mund të organizojë qëndresën kundër fuqive t’ona. 8 prill, 1939. Gjithqë frika jonë se mos Zogu qëndronte për luftë në malet e Shqipërisë u ç’duk kur mësuam se ay vrapoi të futet në Greqi”. Kështu mbaroi roli i Zogut në tragjedinë më të madhe të Shqipërisë në ditët t’ona.
Paria e Shqipërisë në kurthin e Duçes
Është koha tani që të kthehemi në qëndrimin e “të parëvet të vendit” që ranë në kurthin e ngritur prej Duçes, duke kujtuar se do të tregoheshin më të zgjuar se Musolini. Simbas shënimeve të bollshme të Kontit Çiano mbi këtë pikë, s’mbetet asnjë dyshim që pendimi dhe dëshpërimi i tyre ishte i sinqertë. Tronditjen më të madhe e ndjenë kur dëgjuan nga goja e Çianos, se qeveria e Romës nuk kishte aspak në mënd që të lejonte hipjen në fronin e Shqipërisë të një princi italian; përkundrazi, Duçja kishte vendosur që të ç’dukte krejt indipendencën e Shqipërisë, e cila paskëtaj do të bëhej pjesë e mbretërisë italiane. Shefqet Bej Vërlaci ishte nga të parët që protestuan, por ata që e kundërshtuan më rreptësisht vendimin e Duçes, ishin krerët Katolikë të Shkodrës. Shihni tani se si e përshkruan Konti Çiano ceremoninë e paraqitjes së kurorës së Shqipërisë, Mbretit t’Italisë, Viktor Emanueli i III.
“Ceremonia u zhvillua në Pallatin Mbretëror të Romës. Shqiptarët duken të dëshpëruar. Veçanërisht Vërlaci duket më shumë i dëshpëruar se të tjerët dhe mezi i nxjerr nga goja fjalët e paraqitjes së kurorës. Shqiptarët prisnin që mbreti ose Mussolini t’u jepte ndonjë zotim për respektimin e indipendencës së vendit të tyre”. Pritja e tyre ishte e kotë. Bejlerët, Bajraktarët dhe Arhondët që njëherë ishin aq kryelartë, u-bënë njetash çirakë të Duçës dhe të Jakomonit (ky i dyti u emërua në Tiranë si zëvëndës i mbretit t’Italis), dhe kur Italia vendosi t’i bjerë Greqisë për hesap të saj disa muaj më vonë, Duçja e futi edhe Shqipërinë në luftë. Ishte ky akt i fundit që e bëri qeverinë inglize t’u zotohej Grekëve se Korça dhe Gjinokastra do të bëheshin të tyret në fund të luftës. Dhe kështu mori formë të përfundme, Plani i Tretë i Coptimit të Shqipërisë.
Përpjekjet e Duçes për të përmbysur Zogun
Këndonjësit e paanëshmë le të qëndrojnë tani e të mendohen thellë thellë se kujt i duhet t’i ngarkohet përgjegjësia më e madhe për serin e fatkeqësive që u përshkëuan në këtë kapitull. Le të sqarojmë tani edhe një pikë të fundit. Marrëveshja e fshehtë midis Duçes dhe Shefqet Vërlacit për të përmbysur Zogun e mësova në Paris, natën e 1 Janarit 1939, kur ardhi në kryeqytetin e Francës, Mustafa Merlika Kruja, për të bindur refugjatët shqiptarë të “Bashkimit Kombëtar”, që të iknin nga Franca dhe të vinin në Itali, për të qenë gati të merrnin pjesë në përmbysjen e Zogut”. Disa javë më vonë, ardhi në Paris Dr. Qemal Jusufati, Drejtor i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar. Ia kallëzova këtij tërë planin dhe i’u luta që të kthehej pa vonesë në Tiranë, për të lajmëruar Zogun mbi fatin që ish përgatitur në Romë, duke shtuar se shpëtimi i vetë mund të vinte nga një bashkim i përgjithshëm në bazë të një amnistie të plotë dhe të formimit të një qeverie me të vërtetë kombëtare. Gjer sot e kësaj dite nuk e di në se Dr. Qemali i’a shpuri Zogut fjalët e mija. Fakt është se Zogu nuk bëri asgjë në këtë pikë.
Roli i mërgatës politike në ndihmën për qeverinë e Tiranës: “Shqipëria më 1945-ën, humbi 40 milion USD ndihma nga SHBA-ja”
Në librin e tij “Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, të botuar në vitin 1951 në SHBA-ës, politikani dhe publicisti Kostë Çekrezi, është ndalur edhe në marrdhëniet e Shqipërisë me SHBA-ës në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, si dhe rolin e mërgatës politike shqiptare në Amerikë në ndihmë të çështjes shqiptare. Lidhur me këtë, në mes të tjerash, Çekrezi ka shkruar: “Kur arrija n’ Amerikë e çfaqa planin tim të hartuar në Vernet de l’Ariege në mënyrë botërisht më 16 nëntor 1941, përpara një shumice të madhe që u mblodh në Peabody Playhouse, Boston Mass. Pas pranimit të tij me një zë – me përjashtimin e një grupi fanatikësh të cilët u ngritën të dalin jashtë nga salla e mbledhjes, si një shenjë protestimi, në kohën e votimit, si dhe zërit të një të riu i cili më pyeti se kur do të vendoset regjimi i popullit në Shqipëri – vajta të takohem sipas porosisë së mbledhjes me Imzot Nolin, për të kërkuar përkrahjen e tij. Peshkopi u tregua fort i rezervuar për arsyen se “nuk merrej me politikë”. Ndaj fundit ay më këshilloi që të merresha vesh me Faik Konicën, rreth rolit që mund të luante “Vatra” në zbatimin e planit tim. Me të ndyerin Faik, u takova në Washington disa ditë më vonë në ish-legatën shqiptare. N’atë rast Faik Konica më tha haptazi se: “VATRA” nuk munt ta ndryshonte politikën e saj që ishte krejt fillo-italiane, dhe që ishte lënë në atë kohë sa për formë në duart e një tjetër të ndyeri, që nuk kishte asnjë zotësi politike, Vasil Panit. Përveç asaj, Faik Konica nuk më la asnjë dyshim, se ay ishte, natyrisht krejt kundër idesë së ngrehjes së një organizate të re n”Amerikë. Kur u ndava nga ish-ministri i Zogut, më shkoi në mëndje një fjalë e urtë që përdoret në Shqipërinë e Veriut: “Në don të bësh ndonjë punë të dobishme, shko e pyet kundërshtarin t’ënt dhe bëj të kundërtën e asaj që të këshillon ay”. Ishte në këto kondita që u ngreh bujërisht dhe botërisht në Boston më 28 dhjetor, 1941, organizata demokratike e “Shqipërisë së Lirë” (Fre Albania). Programi i saj i caktuar ishte: Bashkëpunim me Aliatët dhe veçanërisht me qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Në ndjekje të kësaj politike, organizata hyri në bashkëpunim të ngushtë me agjensitë e ndryshme të qeverisë amerikane. Me anën e Zyrës s’Informatave të Luftës (OWI, Office of War Information), “Shqipëria e Lirë” u vu shpejtazi në rradhën e kombeve të shtypura nga nazi-fashistët për të përfituar nga lehtësitë e dhëna prej qeverisë së Washingtonit për t’u drejtuar popujve të tyre përtej oqeanit fjalime dhe thirrje radiofonike. Me anë të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS, Office Staregic Services), ne të “Shqipërisë së Lirë”, çelëm rrugën për hyrjen fshehtazi në Shqipëri me dyzina agjentësh shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë që u vunë në kontakt me Forcat Luftëtare të Çlirimit, të cilat “Dielli” në atë kohë i quante “rebelë” kundër Italisë, me nënkuptimin që qeveria e ngrehur në Shqipëri prej Italisë fashiste, ishte e vetmja fuqi legale e Shtetit Shqiptar. Dhe brenda në Departamentin e Shtetit, “Shqipëria e Lirë” krijoi një qark të gjerë miqsh dhe përkrahësish t’indipendencës së Shqipërisë të cilët u bënë shkak q’ay departament të botonte në favor të saj disa deklarata me rëndësi ndërkombëtare, si ajo e 10 dhjetorit 1942 dhe e 28 nëntorit 1944. Dhe në maj 1945, një më një mbas mbarimit të luftës në Europë, Departamenti i Shtetit dërgoi në Shqipëri një mision diplomatik nën kryesinë e Ministrit Josep R Jakobs (më vonë ambasador i Amerikës në Çeki dhe Kore). Për hir të së vërtetës duhet thënë se dërgimi i këtij misioni ishte një hap krejt i jashtëzakonshëm, dhe unë e kam për lavdi që u bëra shkak për nisjen e tij në Shqipëri. Siç do të shpjegohem në faqet e mëtejme, misioni dështoi në mënyrë të turpshme dhe skandaloze. Në gjithë këto mund të shtohet – gjë që nuk është botuar der tani – se “Shqipëria e Lirë”, ishte në marrveshtje e sipër me zyrat kompetente për t’i siguruar qeverisë shqiptare një ndihmë prej 40.000.000 USD, për riorganizimin e shtetit të porsalindur shqiptar, përveç ndihmave të tjera që populli ynë do të merrte dhe ishte duke marrë nga organizata UNRRA, si edhe nga ana e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ajo që duhet theksuar posaçërisht është se të gjitha këto përfitime iu siguruan Shqipërisë pa asnjë ndërhyrje a trazimi anglo-amerikan në punët e brendshme të saj, nga sa di unë dhe nga sa dinë zyrtarët e Departamentit të Shtetit me të cilët bashkëpunoja ngushtësisht në atë kohë, çfarëdo që mund të ketë botuar në këtë mes Zyra e Propagandës e qeverisë së Tiranës. Përkundrazi përpjekjet t’ona kishin si qëllim që të përjashtonin çdo ndërhyrje, inglize, greke ose jugosllave. Po kështu këto përfitime iu siguruan Shqipërisë kur “VATRA” e luftonte tërbimisht “Shqipërinë e Lirë”. Në fakt, për të penguar veprimet e organizatës së re demokratike, “VATRA” rroku edhe njëherë flamurin e Monarkisë, duke deklarur me anë të “DIELLIT” se: “Nuk bëhet Shqipëria pa Zogun”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016