Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti i hartuar nga hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Nënkolonel, Raqi Zavalani, me vendimin për arrestimin e Tuk Jakovës, i miratuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, Siri Çarçani
APROVOHET SANKSIONOI ARRESTIMIN MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME PROKURORI I PËRGJITHSHËM R.P. TË SHQIPËRISË GJENERAL – LEITNANT SIRI ÇARÇANI
KADRI HAZBIU
V E N D I M
(PËR ARREST)
Tiranë, më 31.12.1957, unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Nënkolonel Raqi Zavalani, mbasi studiova materialin në lidhje me Tuk Jakovën, i dt. 1914. lindur në Shkodër dhe banues në Vlorë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i përjashtuar nga Partia:
Gjeta:
Se Tuk Jakova, duke filluar që nga viti 1955, dhe veçanërisht gjatë vitit 1956 dhe 1957, ka agjituar dhe propaganduar kundër vijës së Partisë dhe Pushtetit Popullor, duke synuar vazhdimisht në dobësimin dhe rrëzimin e këtij pushteti.
Një veprimtari të tillë armiqësore e ka zhvilluar me element të ndryshëm armiq, ndër të cilët Dhora Leka, Bedri Spahiu, etj.
Duke u mbështetur sa u tha më sipër, në bazë të nenit 155 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Vendosa:
Tuk Jakova, banues në Vlorë, ta arrestoj dhe të bëj kontrollin e banesës së tij.
Hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit
Nënkolonel Raqi Zavalani
Pëlqehet
Kryetari i Degës në Qendër
Nënkolonel Filat Muço Pëlqehet
Kryetari i Degës së Hetuesisë
Kolonel Nevzat Haznedari
Dokumenti i hetuesit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Irfan Shaqiri, i aprovuar nga Kryetarit të Degës së Hetuesisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit të Shtetit, kolonel Nevzat Haznedari, për fillimin e procesit hetimor ndaj të pandehurit, Tuk Jakova
A P R O V O H E T
Kryetari i Degës së Hetuesisë
Kolonel Nevzat Haznedari
V E N D I M
Mbi marrjen përsipër të zhvillimit hetimor
Në Tiranë, më 6. janar 1958, unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Irfan Shaqiri, mbasi studiova materialet e dosjes hetimore mbi akuzën e Tuk Jakovës.
Gjeta:
Tuk Jakova, arrestuar më 4 janar 1958, akuzohet për faje të parashikuara nga neni 72 i Kodit Penal të Republikës Popullore të Shqipërisë, duke marrë parasysh nevojën e hetimit të çështjes dhe duke u mbështetur në nenin 117 të Kodit të Procedurës Penale,
Vendosa:
Të marrë përsipër zhvillimin e hetimeve në lidhje me akuzën e Tuk Jakovës.
Një kopje e këtij vendimi t’i dërgohet Prokurorisë
Hetuesi
Kapiten i I-rë Irfan Shaqiri
Dokumenti i hetuesit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Irfan Shaqiri, i aprovuar nga Kryetarit të Degës së Hetuesisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit të Shtetit, kolonel Nevzat Haznedari, për sekuestrimin e konfiskimin e pasurisë së të pandehurit, Tuk Jakova
APROVOHET
Kryetari i Degës së Hetuesisë
Kolonel Nevzat Haznedari
V E N D I M
Mbi sekuestron preventive
Në Tiranë, më 7 janar 1958, unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Irfan Shaqiri, mbasi studiova dosjen mbi akuzën e Tuk Jakovës, për krimin e parashikuar nga neni 72 i Kodit Penal.
Gjeta:
Se Tuk Jakova ka kryer krimin e parashikuar nga neni 72 i Kodit Penal që njëkohësisht ky lloj krimi parashikon dhe konfiskimin e pasurisë për pjesën e tij.
Prandaj, i udhëhequr nga neni 125 i Kodit Penal.
Vendosa:
Të kryej sekuestron konservative për deri në përfundim të këtij gjyqi.
Për kryerjen e këtij veprimi autorizohet, major Kristo Voko.
Hetuesi
Kapiten i I-rë Irfan Shaqiri
Dokumenti i Hetuesisë së Përgjithshme mbi marrjen në pyetje të pandehurit Tuk Jakova, me profesion marangoz, nga ana e hetuesve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kapitenëve Ferhat Matohiti dhe Irfan Shaqiri
Proces-verbal, Tiranë, më 6 janar 1958
Unë hetuesi i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri, së bashku me Kapiten Ferhat Matohitin, pyetëm të arrestuarin Tuk Jakova, i biri i Markut dhe i Luçijes, i dt. 1914, me dy klasë gjimnaz, shtresë e varfër qytetare, me profesion marangoz. I dënuar me katër vjet në kohën e Zogut, i përjashtuar nga Partia.
Pyetja filloi në ora 10 e 30.
Pyetja mbaroi në ora 14 e 30.
U zhvillua hetuesia.
Shpjegimet e të arrestuarit:
Pyetja: Jeni arrestuar për veprimtari armiqësore që keni zhvilluar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, në bazë të nenit 72 të Kodit Penal. Flisni për këtë.
Përgjigje: Motivi i arrestimit tim i mbështetur tek neni 72 është i drejtë, sepse veprimtaria ime për të cilën unë do të jap sqarime, është e ndëshkueshme.
Unë mbaj përgjegjësi për diskutimin që kam bërë në Plenumin e prillit 1955, pavarësisht nga qëllimi, ai ka dëmtuar Partinë.
Unë do të jap sqarime rreth çështjeve që diskutova në Plenum, të cilat janë:
Faza e I-rë, e formimit të Partisë, çështja e grupeve, çështja e Muzeumit të Luftës Nacionali-Çlirimtare.
Mbaj përgjegjësi për të gjitha ato iluzione që më rrëmbyen që nga koha e përjashtimit nga partia, deri në ngjarjet e Kundër evolucionit në Hungari, siç janë:
Pamja e gjërave jo në mënyrë reale dhe jo në mënyrë marksiste. Pikëpamja ime, se udhëheqja jonë ka gabime dhe nuk donte me i ndreq.
Mbajtja e lidhjeve me jugosllavët nëpërmjet kunatës sime, Dhora Lekës. Vajtja ime në Elbasan, takimi dhe bisedimet e mija me Bedrinë…………………………………………………………………………………………………!
Që udhëheqja jonë ka gabime, duhet cilësuar se është fjala për disa çështje, siç është çështja e rehabilitimeve dhe çështja e të metave në Parti, d.m.th. për demokracinë dhe për normat leniniste, po kështu dhe kultin e individit………………………………………………….!
Procesin mbasi e lexova, thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos me firmën teme.
I arrestuari Hetuesit
Tuk Jakova Kapiten, Ferhat Matohiti dhe Irfan Shaqiri
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016