Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzeteshtatë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Pa mbaruar liceun, ‘Marroku’ doli partizan’, – nisi rrëfimin Tomori. – “Mbas lufte, në fillim u mor me rininë, më pas mbaroi shkollën e Sigurimit të Shtetit në Çekosllovaki dhe meqë kishte garanci politike, e emëruan në radhët e diplomacisë, me detyrë zbulues, i ngarkuar me vëzhgimin e trupës konsullore. Por punonjësit e ambasadave, e ndienin obligim qenien në shërbim të kundërzbulimit dhe i përmbushnin me zell detyrat agjenturore, kështu që s’i mbetej shumë për të bërë.
Në këtë periudhë, truri i emigracionit politik, u përqendrua në Francë, që nga legalistët me në krye Mbretin Zog, udhëheqësit e partive nacionaliste, po dhe vetë komunistët anti-enver, me në krye Sadik Premten. Ata shihnin te Franca shtetin ku mund të zhvillonin aktivitet, sa më pranë atdheut, rrjedhimisht u mblodhën në Paris, si kryeqendra e politikës evropiane.
Siç thashë, ‘Xhepi’ komunist dhe Ermenji nacionalist, përfaqësonin kundërshtarët specifikë të Enverit, të cilëve tentoi t’iu sajonte aksidente, apo atentate, për t’i eliminuar fizikisht. Nisi njërin mbas tjetrit, kuadrot më me përvojë, por dështuan. Se kush u kujtua për ‘Marrokun’, që njihte gjuhën dhe kulturën frënge dhe ishte i aftë të penetronte në grupe të ndryshëm, mandej edhe rrethi familjar dhe miqësor, përbënin një garanci plus.
Vetë drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, e instruktuan me detaje për detyrën që do të kryente, e stërvitën intensivisht dhe e nisën inkonjito në Paris. Nëpërmjet rrjetit agjenturor, e sistemuan në një hotel në qendër të lagjes ku banonte ‘objekti’ dhe e përshtatën me planimetrinë e zonës, ku do operonte, i mësuan të gjitha zgëqet, rrugët, rrugicat nga kalonte ‘Xhepi’, apartamentin ku banonte, lokalet që frekuentonte, njerëzit që shoqërohej.
Qenia inkonjito i dha dorë të njihej me emigrantët e hershëm, por synim mbetej ‘objekti’ dhe rrethet e njëjta që ai frekuentonte. Po s’e pati të lehtë të depërtonte, ngaqë ‘Xhepi’ ishte një eksponent me peshë, i Partisë Komuniste Franceze.
I informuar me së miri, spiuni mëtoi ta mbyllte shpejt misionin, po s’ishte e thënë të përputhej skenari me realitetin. Ndaj u desh të ndryshonin taktikë; i ‘ujdisën’ një dashnore nga grupet radikale, nëpërmjet së cilës, ia doli të hynte në strofkën e ‘Xhepit’, bile të njihet personalisht me të. Këtu nisi rrokullima.
Mërgimi i zgjatur dhe ekonomia e përkorë, kërcënimet e përsëritura dhe alarmi i pareshtur e kishin kthyer ‘Xhepin’ dyshimtar patologjik, ndërsa respekti dhe reputacioni që gëzonte mes komunistëve të thjeshtë, e kish shndërruar në figurë gati të adhuruar.
Gjysmë klandestiniteti i kish kallur instinktin e dhelprës, tentativat për ta eliminuar i kishin mprehur vigjilencën, duke e kthyer mosbesues e cinik, ndaj gjithkujt, kështu dyshoi edhe te ‘miku’ i ri. Ndërkohë rishtarin e verboi jeta parisienë, u zhyt në qejfe të shfrenuar, sa gati harroi misionin, që i kishin ngarkuar. Luksi, femra e shtratit dhe paratë, s’i mungonin, po e shtynë drejt shthurjes, sa harroi se mund t’i punonin ndonjë rreng.
Ndikimi i femrës dhe shoqërimi me tipa libertin, ambientet e qejfit dhe takimi me objektin për të cilin e kishin sjellë, ndikuan mbi ndërgjegjen e spiunit. Shtangu kur s’gjeti ‘armikun’ e përfytyruar te i shënjestruari, përkundrazi, u ballafaqua me komunistin e devotshëm marksist-leninist, i paepur para i vështirësive dhe i përkorë ekonomikisht, atdhetar i flaktë që s’përkonte kund me arketipin e tradhtarit dinak e kriminel, siç ia kishin përshkruar, por me ideale dhe aspirata të përafërta me ‘atentatorin’. Kështu reflektoi dhe ujërat rrodhën kundërt.
Ndërkaq ‘Xhepi’ me të tijtë, pikasën synimin e hijes që i kishin qepur dhe e mbajtën nën vëzhgim, duke e shndërruar, nga gjahtar, në preh, e zunë në kurthin që ngriti vetë. Pra gruaja e qejfit s’kish qenë thjesht instrument epshi, por një agjente e infiltruar pranë subjektit të dyshuar, me direktivë partie.
Ndërkaq ‘atentatori’, u afeksionua me ‘viktimën’, aq sa i këndej shoqërimi me të. Kësisoj, s’lindi nevoja të kundërvepronte, sepse ‘objekti’ i eliminimit, u kthye në objekt adhurimi, e brehu ndërgjegjja, për aktin që po përgatiste të kryente dhe . në një çast dobësie, iu rrëfye atij, që duhej të zhdukte.
Kështu nisi lojën dyfishe. Por Sigurimi punon me dublantë, që kryesisht s’e njohin shoqin. Kjo ndodhi me ‘Marrokun’, kur e kuptuan lojën dyfishe. Bashkëvepruan me kundërspiunazhin e vendeve socialiste dhe e izoluan në një nga ambasadat e këtyre shteteve, pastaj gjuajtën rastin dhe e sollën ‘pakon postare’ në Rinas.
Viktima iu bind sekuestruesve si somnambul, nën efektin e overdozës dhe përfundoi në bodrumet e Ministrisë së Brendshme, ku i dhanë reston e dajakut, që u kish lënë mangët të tjerëve dhe përfundimisht, droga në një krah e, në tjetrin dhuna, e shkatërruan fizikisht e mendërisht, në mënyrë të pakthyeshme.
Sidoqoftë, falë fizikut të fuqishëm, i mbijetoi vdekjes. Në intervale të shkurtër, kur fitonte vetëdijen, kuptoi gjendjen dhe u ftillua për fundin që e priste, si ‘usta i vjetër’, kish qenë shpesh në rolin e ekzekutorit, ku rrallë ndonjë dezertor, kish mundur t’ia hidhte vdekjes, por edhe kush ia kish dalë, kish përfunduar i marrë. I ndërgjegjshëm për fatin që i taksën, e ndau të luante të marrin, rol që i hyri me vetëdije dhe tani e vazhdon inkoshient, mbase përjetë”, – përfundoi Tomori.
Tregimi m’u duk aventurë me Arsen Lupen.
“E beson vërtet”? – pyeta për të pikasur sa gjurmë kish lënë saga me spiunë, te miku im.
“Sigurisht”!
“S’të duket sajesë”?!
“Përkundrazi, është më se reale”!
“Kemi dëgjuar aq rrëfenja, sa s’dimë të ndajmë të vërtetën, nga rrena”! – bëra dyshimtarin.
“S’ke faj! Por rasti i ‘Marrokut’, është i provuar”.
“Ku e paske verifikuar”?
“Në birucë. Kur mësoi cili isha dhe përse më kanë dënuar, m’u drejtua në një moment kthjellimi: Tomor, tani që mësova se qenke nipi i Abas Ermenjit, do të rrëfej një sekret të rëndësishëm. Në rolin e pakthyeshëm, ku kam hyrë, s’më jep dorë të afrohem, ndonëse në pamje të parë, dukemi në të njëjtat pozita, s’është kështu.
Ju jeni komod, sepse u mbështet familja, farefisi dhe miqësia, kurse mua, më kanë braktisur, nga që më konsiderojnë të padenjë, për të qenë i afërmi i tyre, sepse kam tradhtuar besimin e Partisë dhe të Enverit, sipas këndvështrimit komunist. Veç nëna më ndjek, pa i konsideruar pasojat.
Siç thashë, i hyra lojës pa kthim. Por kjo, o do çuar në fund ose në të kundërt, më pret vdekja e sigurt. Në të vërtetë, e lus vdekjen me shpirt, por time mëje, kjo do t’i shkaktonte gjëmën. Besomë, e dua përtej marrëzisë dhe do detyrohem ta vazhdoj lojën, për sa kohë të rrojë ajo. Por jemi në burg, askush s’e imagjinon të nesërmen.
Duke përfituar nga rasti që jemi në një qeli dhe nga fakti se je burrë me karakter, po të le amanet: Nëse më ndodh gjë, t’i transmetosh sime ëme, këto që të thashë’!
Iu betova dhe ai iu rikthye marrëzisë e vet.
“Kur qenka kaq e fshehtë, pse ma rrëfeve mua”? – e ndërpreva.
“Për të njëjtën arsye. S’i dihet, unë mund të humb në zgafellet e burgjeve, por nderi ma do, që ta çoj amanetin në vend”.
“Të kuptova. Po burimi i dytë”?
“E thjeshtë; sapo dëgjon ‘Xhepi’, bën gjestet që i pe! Kërkon shpjegim kjo”?
“Jo”! – ia përforcova.
“Mandej burim i tretë, është zoti Nivica, fol me të”! – dhe e mbylli. Edhe Ahmeti më pohoi, ç’ka më rrëfeu Tomori.
Dhe më pas, vëllai i ‘Xhepit’ nga nëna, Zija Lepenica, që mbas nëntëdhjetës, u poq me të vëllanë në Paris, pas mbi njëzet e pesë vite burgu dhe dyzet e pesë vjet ndarje, kur u kthye nga Franca, më përforcoi me fakte, ç’ka kisha dëgjuar nga Tomori dhe Ahmeti”.
I besova apo jo?! S’e kam fjalën për Tomorin, apo për dy të tjerët, por ngjarjen! S’e di!
Edhe sot jam në dilemë…!
Intermexo!
(Një ngjarje madhore, nën dritën e dokumenteve të sotëm)
Mora gazetat si çdo mëngjes dhe u hodha një sy titujve me germa kapitale, por lajmi ka shterur. Asgjë e re, nga fronti i shtypit!
Kur më kapi syri në ballinën e “PANORAMËS”, nja dy portrete fshatarësh nga zona e Korçës, që pretendojnë demek se u janë kalbur prodhimet: qepë, patate, mollë, etj., iu mungoka tregu dhe na i paskan flakur kanaleve!
“Punë pisash! Mbase do t’i ketë ngarkuar me propagandë në terren ‘mjekroshi’, si rishtarë të Partisë së vjetër Socialiste”, mendova dhe vijova me ca “opinione” opinion-bërësish, që vijnë era qepë e patate të kalbura, pastaj ca intervista ish humoristësh të kohës së qepës, deri te lajmi surprizë:
“Vizita e Kryeministrit në Afganistan, te trupat paqeruajtëse”; më pas një rregullore, se si do vlerësohen 2.400 mësuesit, për rritjen e pritshme të pagave; një listë prej 145 ish-hetues të Policisë Sekrete dhe ish oficerë të Ushtrisë së lavdishme të kohës së qepës, që iu dhanë dërrmën armiqve të brendshëm dhe imperialisto-revizionistëve të çdo ngjyre, dhe në mbyllje, një lajm i trishtë:
“Përgjysmohet karburanti për patrullat e policisë”, që më kujtoi parullën e kohës së qepës: “Kursime, kursime dhe kudo kursime…”!
“E dynja, vitet rrjedhin, koha shtanget, na qelbi duhma e qepës! Nejse, pa të llëçisë nëpër të!” dhe shfletova faqet e brendshme.
“Eureka! Eureka”!
Në faqen 18 dhe 19 të gazetës……të ditës së hënë, datë 16 prill 2012, ndesha një shkrim interesant dhe u shokova!
Kush i ka provuar mbi shpinë të zezat e kohës së qepës, (natyrisht ata që janë gjallë), besoj do jenë ndjerë si unë.
Titulli:
“Lutja e të dënuarve të Spaçit: Na falni jetën, jemi të rinj”!
Bri saj, katër faksimile me shkrim dore, bashkëshoqëruar nga një foto e burgut të Spaçit, natyrisht e vitit nëntëdhjetë.
I përpiva të dyja faqet dhe iu riktheva edhe një herë, dy, tri…dhjetë herë. S’po u besoja syve.
“Helbete u plakëm, më lanë të shkretët!” Pickova veten:
“Jam apo s’jam unë? Mblidh dhitë, byrazer! Ti ke qenë atje apo hija jote”?!
Autori shkrimit………hëm, s’më kujton asnjë ky emër!? Mos ky artikullshkruesi, ka qenë ndër flamurtarët e revoltës dhe unë e kam humbur toruan?! Ej dreq, më la fiqiri, s’po më bien në hatër as shokët! Ke lajthitur, bir…!”, qava veten dhe mbylla gazetën.
Në rrugë mendja vërtitej si gur i pakalitur prej kohe, trokashka e të cilit s’qet as miell, as krunde! “O Zot, na pllakosi amnezia”! Në trotuar sa s’u plasa me një bashkëvuajtës.
“Qenke qorrollisur shok-o”? – më shkundi për krahu.
“Kështu më duket”!
“Ç’sheh që t’u dukërka”?!
“Gazetat”!
“Mbete me gazeta”, o ditëzi?
“Ç’të bëjmë Xhevo, këndojmë ndonjë haber! E pe shtypin sot”? – iu ktheva.
“Ku më lënë lopët mua, të shoh gazetat”! – heshti, pastaj: – “Ore, ka dalë ndonjë listë për paratë e burgut”?
“Jo, jo”!
“Epo, varja! S’kam nge të tepërt”!
“Ka një artikull, për lutjet që, demek na i paskan drejtuar Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj, Pal Zefi…”!
“Si the”? Përsërite!
“Në gazetën……kanë shkruar…”!
“Cilët paskan shkruar”? – më ndërpreu Xhevua.
“Ata”!
“Mblidh mendtë, se s’qenke në taketuke”!
“Kështu shkruan kjo”, – dhe i tunda gazetat.
“Paske lajthitur bir”, ata i sakatuan!
“Unë apo gazeta”?
“Ti, se gazetari, s’do ketë lindur atëkohë”!
“Mbase! S’di ç’të them”!
“Barelat që nxorën Skënderin dhe Dervishin, kullonin gjak, apo jo”?
“Më se e vërtetë”!
“Më thuaj të kam rixha, shkruan i vdekuri”!?
“Jo, nuk shkruan”!
“Ata ishin të vdekur, pakallur”!
“Ashtu them edhe unë”!
“Sa për Hajriun dhe Palin, s’e vë dorën në zjarr, mbase do kenë shkruar! Por jo duarthyerët”!
“S’di ç’të të them”!
“Kur s’di, qepe dhe hajt më jep një kafe”.
Hymë në derën e parë që rastisi, duke pritur kafenë shfletova gazetën dhe ia lexova nga fillimi.
“Pa bjerma ta shoh vetë”!
“Pse, s’më beson”?!
“Të besoj ty, po jo kësaj”! – goditi gazetën. Ia dhashë.
Lexoi një pasazh, ngriti kryet si të sigurohej që s’kisha fuguar, hapi syzet, po duket u bë pishman, se u zhyt sërish në lexim, u kthye një çast drejt meje dhe prapë te faqet e shtypura.
“E-ej-ej, ç’vete”!
“Çpate Xhevo”?!
“Sytë”! -rinxori nga xhepi një kartë-pecetë dhe fshiu qerpikët.
“Po qan”?
“Mosha, i dashur”!
“Hë, ç’na thuaj tani”?
“Jam memec”! – shtrëngoi fort buzët me dorë. – “Pa le, po qenkan edhe me shkrim dore”?!
“Po”! – pohova.
“O Perëndi, i pamë kur i nxorën kufoma, apo jo”?
“I pamë”!
“Mos ishim të droguar”?
“S’di ç’të them”!
“Kujtohu mos na hodhën sirë”?
“Cilët Xhevo”?
“Ata, ore”!
“S’di ç’të them”!
“Po sikur ata që nxorën me barela, të kenë qenë sampistë”? – shprehu dyshimin ai.
“Mbase, ku ta di unë”!
“Jo, jo! Një t’u vrisje atyre, do na kishin shuar të shtatëqindëve, që ishim në shesh”!
“Ashtu them edhe unë! Por fakti…”!
“Ç’fakt?
Faksimilet”!
“Varu torbën! I kanë shkruar për procedure”!
“A thua”?
“Epo, s’i shkruaka i vdekuri”?
“Vërtet, si shkruan”?!
“S’ka mundësi, i kanë shkruar për procedure”! – nguli këmbë Xhevahiri.
“Ku e dinin se do vinte kjo kohë”?!
“O-hu-a, dokumentet i kanë ruajtur për muze! Shih tapitë të bindesh…”, Xhevahir Toska u largua pa më dhënë dorën.
Në shtëpi nxora shkrimet e pakta që ruaja dhe u arratisa dyzet vite më pas. Xhevahiri kishte të drejtë, Skënderi, Dervishi, Dashnor Kazazi dhe Kostandin Papa, u ndeshën me sampistët, i pamë barelat që rridhnin gjak, kur i avitën mbi karrocerinë e makinës, që i transportoi drejt Tiranës.
Natyrisht, s’kam qenë prezent në gjyqin special atë pasdite, të konfirmoj nëse u përmendën, kur i dënuan me tetë të tjerë. Po, sipas rrëfimit të Dash Kazazit, vite më pas, i çuan pa ndjenja në bankën e të akuzuarve. Për korrektesë, po përshkruaj takimin dhe bisedën me Dashin, pas tridhjetë e tre vjetësh. Po kaluar në rolin e kumtuesit, për t’ia lënë fjalën dhe autorësinë atij. por më parë, po përshkruaj takimin me të.
Një të dielë qershori të vitit 2005, u gjenda para një të papriture të shumëdëshiruar.
Rropatesha prej vitesh në ndërtim, por sakrifikoja kohën e mbetur, për të qenë i pranishëm në aktivitetet politike të qytetit tim. Si ç’do pasdite vajta në klubin e “skraparllinjve”, që ish shndërruar në pikëpjekje, për gjithë të djathtët. Natyrisht s’bëhej fjalë për kafe, sepse atëkohë s’mbeti hyrje në kat të parë, pa u kthyer në kafene, por pronarët ishin djemtë e një ish-të dënuari politik, ku të djathtët gjenin njëri tjetrin, shkëmbenim mendime dhe organizonim fushatën, për të fituar zgjedhjet e tre korrikut.
Brenda të digjte, ndaj i kishin rreshtuar tavolinat në trotuar, po aq pranë pas njëra-tjetrës, sa klientët mbështeteshin shpinë më shpinë dhe sado ultas të flisje, më parë të dëgjonte fqinji, se ai që ish me ty. Në qytetin tonë të vogël, të gjithë i njihnin të gjithë, ndaj askush s’druhej të fliste me ton, sidomos ato ditë, kur entuziazmi mbërriti kulmin, sepse edhe dy javë, na ndanim nga dita e votimit. Gumëzhinin debatet.
Atë mbrëmje, dy burra zunë vend në tavolinën kundruall, një ish agronom vendas, tregtar helmesh bujqësore, që e mbanin për të majtë dhe tjetri i panjohur. Në momente fushatash, veçanërisht kur gjakrat nxehen, prania e personave me bindje të kundërta, është tepër e rrezikshme. Militantë, mungesë të theksuar edukate, të sëmurë mendorë apo, sherrxhinj, janë gati të kacafyten me secilin kundërshtarë të partisë, që adhurojnë.
Kështu ata që zunë vend ballë nesh, rrezikonin të shndërroheshin në tabelë qitje dhe shpotish politike. U ulën ata, u prenë bisedat, duket i morën provokatorë, të futur nga kundërshtarët, siç i konsiderojnë ata që vilnin informata, për të goditur forcën e tyre. Sidoqoftë dyshimi u davarit pas çasteve të para, debatet u ndezën sërish dhe ata u harruan.
I panjohuri debatonte me zë bubullimë dhe mbronte vijën politike të Partisë Demokratike. Zelli prej militanti të flaktë tërhoqi kureshtjen e të pranishmëve, sa nga tavolina përbri thirrën kamerierin dhe porositën për ulëritësin e panjohur:
“Kamarier, dy birra asaj tavolinës demokrate”!
“Ky është komunist, apo s’e njeh”? – u hodh fqinji në krah.
“E njoh, po tjetri qenka super demokrat ama”!
“Ku e di ti”?
“Dëgjoje si bën politikë për vete dhe për këtë mikun”!
Vërtet ulërinte kundër komunizmit, me zhargonin më të ashpër dhe ton të lartë, me dialekt diku nga Shqipëria e Mesme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016