Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e trembëdhjetë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
-Besoni ju, se ka një shtet më tolerant përsa i përket fesë se Shqipëria? Pyeti doktori i ri Rama, një pedagog i zoti, i cili flet shkëlqyeshëm gjermanisht dhe para disa vjetësh, kishte qenë për vizitë në Stokholm, si përgjegjës i një grupi studentësh shqiptar. Ne ishim ulur dhe bisedonim në mensën e “Kontinental”-it, i cili në mbrëmje, kthehet në një formë klubi italian. Nëpër tavolinat përreth nesh, janë ulur oficerë italian. Dëgjojnë lajmet e radios së Romës dhe shprehin keqardhjen, mbi këtë situatën primitive në këtë kryeqytet, të harruar nga zoti, që as nuk mund të krijojë një shëtitore me vajza të bukura, në dispozicion. Pronari i hotelit lëviz butonin e radios në njërën qoshe të sallës. Ai togeri i ri në tavolinë pranë nesh, shkruan letër dhe s´vëren asgjë fare nga zhurma e poterja përreth. Rama lëviz pak i shqetësuar. Ai nuk është i kënaqur me atmosferën këtu.
-Unë nuk e di nëse mund të mendohet, vazhdon ai, se një jahudi suedez, që i përket Famullisë së Mojses në Stokholm, me lutjet fetare dhe me zell, merr pjesë në meshë në një kishe protestante? Ndoshta është e mundur. Por unë besoj, që kjo është unike, të gjesh një kristian të ulet në gjunjë, në një dysheme xhamie dhe të kthej kryet nga Mekja ose një muhamedan të përulet thellë para një fotografie të virgjëreshës Mari. Por këto nuk janë të jashtëzakonshme, këtu në Shqipëri. Marrëdhëniet religjioze janë shumë të çuditshme.
Ne kemi tre grupe fetare të ndryshme: mysliman, katolikë dhe ortodoks. Është e vështirë të japësh një shifër të përbërjes së saktë midis grupeve, por në numër të rrumbullakët mundesh me thënë se popullsia e vendit, përbëhet nga 60 për qind mysliman, 15 për qind katolikë dhe 25 për qind ortodoks. Pas katërqind vjetësh sundimi turk, është krejtësisht e natyrshme që myslimanizmi është bërë religjioni dominues. Katolikët ndodhen kryesisht në pjesën veriore të vendit, ortodoksët në jugë, ku afërsia me Greqinë e ka bërë popullsinë, veçanërisht të ndjeshëm për këtë doktrinë. Hidhi një sy historisë sonë, do të gjeni se gjatë qindvjeçarit, ka pasur një luftë të ashpër, për shpirtrat tonë.
Papa ka bërë të tijën, popët grek të tyren dhe as kleri mysliman në Kostandinopojë, s´ka qëndruar në anën pasive. Këtu, si në të gjithë vendet e tjera të botës, pikëpamjet politike kanë shkuar dorë për dore, me ato religjioze. Por interesat e huaja, që sipas principit të vjetër ‘divide imperes’, e kanë gjetur këtë, më të përshtatshme që sa të ishte e mundur, të përçanin harmoninë e religjionit, e kanë llogaritur gabim. Marrëdhëniet janë në fakt kështu, se religjioni kurrë nuk ka ushtruar ndonjë influencë të madhe mbi shqiptarin. Ai nuk është fetar në kuptimin e rëndomtë të fjalës. Ose më drejt të thuash, ai ka religjionin e vet: ato tradicionet mijëvjeçare, të cilat lindin dhe zhvillohen, midis maleve ku ka vend-banimin. Këto tradita kanë formuar një botëkuptim, i cili është mbi konfesionin, një botëkuptim i kaluar dhe i vjetër, quaje si të duash, por një qëndrim plotësisht në gjurma të shkëlqyera.
Ju folët me mua para ca ditësh, për zakonin e gjakmarrjes. Unë, pajtohem plotësisht, që ai është një zakon i neveritshëm dhe pres me padurim atë ditë, kur ky do të jetë çrrënjosur përfundimisht. Por ta shohësh në një perspektive më të gjerë, gjakmarrja është shprehje e një ndjeje obligimi, e cila nuk është krejtësisht pa vlerë. Përfytyrimi i botës, që jeta e izoluar i ka dhuruar shqiptarit, është e ashpër dhe e rreptë, ky është një kuptim jete, që e gjen tek karakteri, por jo te njerëz, që i janë shmang ndonjë lloj degjeneracioni. Shqipëria është një popullsi absolut e pa degjeneruar. Kjo tingëllon si fjalë lavdëruese, por ju do të detyroheni të më jepni të drejtë.
Është e domosdoshme që të kuptosh rëndësinë e kësaj pastërtisë shqiptare, midis maleve formohet doktrina morale, për të kuptuar pozitën e konfesionit në vend. Luan një rol shumë të vogël nëse je krishterë apo muhamedan. Ato kërkesa, që tradita të paraqet, mbetën prapë se prapë, të njëjta. Natyrisht që populli i thjeshtë, i pa shkolluar në një farë mënyre, ka qenë objekt i kollajtë përpunimi, për synimin e misionarëve të religjioneve. Njeriu ndien respekt, për veshjen e jashtme të feve, kjo dihet, përfshirë popuj të mëdhenj, të fortë dhe konsiderojnë të jenë në sintoni, t’ue qenë anëtar zyrtar të paktën, në njërin nga ta. Por kjo, kjo e brendshmja, doktrina morale shumë e lashtë, qëndron shumë lart nga çdo lloj predikimi të importuar, në një farë lloji ka neutralizuar përpjekjet e misionarëve.
Një pjesë janë kthye në ithtar muhamedan, tjerët kristian, por asnjë nuk ka mund të mbjellë atë urrejtje, për religjione të tjera, që gjithnjë luajnë rol të madh, në çdo betejë të misionit fetar. Myslimani shqiptar, nuk e konsideron katolikun shqiptar, si një individ i klasës më të ulët dhe më me pak vlerë. Ortodoksët grek kanë të njëjtin respekt për të dy. Mallkimet e zjarrta të predikuesve fetarë, mbi fetë e tjera përveç, atyre që ata vetë përfaqësonin, nuk kanë pasur efekt.
Nuk është fare shpërfillëse, të theksosh se heterogjeniteti i fesë në Shqipëri, është një dëshmi i një shteti, pa njësi shpirtërore. Por ju zor mund të gjeni një shembull në historinë e vendit tim, ku këto konfesionet e ndryshme, kanë penguar shqiptarin që në kohë krize dhe sulme të huaja, të bashkohen rreth qëllimeve patriotike. Nuk është kjo një bashkim shpirtëror me të njëjtën vlerë të lartë? Unë vetë jam muhamedan. Por para së gjithash jam shqiptar dhe nëse rrethanat do të më detyronin mua të zgjidhja midis obligimeve, kundrejt atdheut dhe thjesht muhamedane, unë nuk do të hezitoja asnjë minutë në zgjedhjen. Të tillë jemi neve të gjithë. Si unë tashmë thash: neve nuk jemi ndonjë popull fetar. Kjo natyrisht, mund të jetë një dobësi, por në një shtet me tre fe, është me siguri më e dobishme se sa e dëmshme.
Rama hesht papritmas, sikurse u tremb se mos tha më shumë.
-Natyrisht nuk duhet të mendoni se ne jemi një tufë egërsirash, shton me kujdes ai.
-Cili nga tre religjionet ka perspektivën më të madhe, me kalimin e kohës! Muhamedanizmi natyrisht?
-Pa më dyshje, katolicizmi. Kleri katolik, është shumë më superior në çështjen e shkollimit dhe inteligjencës, se sa ai muhamedan dhe ortodoks. Kisha katolike bën një propagandë të zgjut dhe di të ç´frytëzojë, dëshirën e gjeneracionit të ri, për reforma dhe përparim të llojeve të ndryshme. Si të thuash muhamedanizmi vetvetiu, s´është një religjion përparimtar, mendo hoxhallarët dhe imamët tonë, komplet të pa kuptueshëm përpara kërkesave të kohës së re. Ata janë dembelë dhe injorantë. Nuk është një rastësi, që një sekt më i pirur për fleksibilitet, brenda muhamedanizmit shqiptar, të dëgjuarit bektashi, kanë bërë aq shumë anëtar, sa gati mund të flasim për një religjion të katërt. Bektashinj, është një urdhër shumë i lashtë dervishësh, i cili në kohën e tij, vetëm në Turqi numëroheshin mbi 7 milion ithtar, por tashmë është ndaluar nga Mustafa Qemali.
Në Shqipëri autoritetet nuk kanë pasur ndonjë arsye të kufizojnë urdhrin në fjalë, përkundrazi, dervishët kanë gjetur gjithë atë ndihmë, që ata kanë dëshiruar. Kryetari i Bektashinjve shqiptar, është ish shefi i dervishëve turq, i cili jeton në manastirin e tij, këtu jashtë Tiranës. Urdhri është organizuar në fakt, në anëtar aktivë dhe pasivë. Aktivët janë dervishët, që janë të shpërndarë në teqetë e shumta, anë e mbanë vendit dhe gjatë studimeve dhe meditimeve, mundohen për të përvetësuar atë mençuri, që neve të vdekshmit e zakonshëm, kurrë nuk kemi qetësi që t´i a kushtojmë. Ata pasivët kanë premtuar të respektojnë rregullat e urdhrit dhe ta ruajnë “sekretin e madh të Bektashizmit”. Është e vështirë të japësh numrin real të tyre, por me siguri përbëhet nga shumë qindra mijë. Doktrina, që predikojnë Bektashinjtë, është një filozofi e urtë, liberale dhe përparimtare, e cila njëkohësisht, nëpërmjet planifikimit të mençur praktik, ka treguar se përbën një forcë të madhe tërheqëse të shtresës së kualifikuar, të popullit të vendit.
-Dhe “sekreti i madh i Bektashizmit”?
Rama qesh.
-Unë prisja vetëm këtë pyetje. Unë e kam dëgjuar këtë shumë herë. Që të futesh në sektin, duhet pra të dokumentosh se je me të vërtetë, besimtar muhamedan i respektuar dhe t’i i nënshtrohesh një farë kohe fillestare. Pas asaj organizohet një ceremoni e madhe pranimi dhe kulmi i ceremonisë, është njoftimi i “sekretit të madh”, që anëtari i ri, duhet të betohet dhe të mos e tradhtoj. Por tani vjen çudia. Urdhri përfshinë, siç e përmenda, qindra mijë shqiptar. Njerëzit nuk janë më shumë se njerëz dhe kështu që, mendohet se në një masë të tillë njerëzish, duhet të ketë mjaft, që nuk mund ta mbajnë gojën mbyll. Është krejtësisht e pamundur, për të huajt të zbulojnë “sekretin”. Unë vet s´jam bektashi, por kam të afërt të mi dhe shumë miq, që janë bektashinj.
Unë jam përpjek me të gjithë mënyrat, për të depërtuar në mistikën, por e pamundur. Si evropian me prirje moderne, nuk kam dash me hy në sektin Bektashi, sepse puna e sektit është në kundërshtim me principet e mija. Unë i bëj pyetjen vetes: çfarë mund të mendohet si “sekret”, që edhe ai më llafazani e ka aq kollaj, me e mbajt të shenjtë dhe gradualisht, kam formuar teorinë time, e cila më duket mua shumë e arsyeshme. Por këtë tashmë natyrisht, ju e keni gjetur?
-Por mistika më duket përkundrazi mjaft e pa depërtueshme.
-E dini ju se çfarë mendoj unë: nuk ka asnjë sekret. Kur babai, pra Kryetari i Sektit, do t’i dhuroj fillestarit, atë depërtimin e fundit në mistikën, e cila e bën atë një bektashi, ai i thotë kështu: “Biri im, tani ti je një Bektashi dhe për një të tillë, nuk ka asnjë sekret”. Pra, sekreti i sekreteve është ky, që nuk ka sekrete. Jemi vetëm ne bektashinjtë, që e dimë këtë gjë. Më pak të mençurit se ne, besojnë se bota është plot me sekrete. Ne dimë më mirë, por mos i nga budallenjtë, të mbajnë besimin e tyre.
Unë shikoj Ramën, por ai as nuk qesh fare. Ai duket i bindur.
-Mendo atëherë, do të kuptoni atë gjenialen në këtë veprimtari. Kur nuk ka ndonjë sekret, atëherë anëtari nuk ka çfarë të tradhtoj. Ai shkon atje dhe duket nga pamja si i rëndësishëm, por nuk ka nevojë të trembët, se mos i shpëtonte goja. Të sqaronte për gjendjen e vërtetë, do të ishte pothuaj turp, ose të paktën do të ulte shumë prestigjin e tij. Unë jam ndoshta një nga pak të jashtëm, që e kam diktuar mistikën e sektit bektashi.
-Ju flisni për dervishët, i them unë. Ka shumë lloj dervishësh. Ka dervishë që kërcejnë dhe ata që bërtasin. Rigjenden edhe brenda jetës religjioze, të shteti tuaj këta grupe?.
Rama nuk duket i kënaqur nga pyetja ime.
-Po, gjenden, përgjigjet ai shkurt, por ju duhet të dini, se ka dervishë dhe dervishë. Dervishët e sektit bektashinj p.sh., janë burra me kulturë të lartë, të cilët me anë të qëndrimit tolerant të problemit të kohës, përbëjnë një pasuri për vendin tonë. Merr dhe krahaso me pjesëtaret e sektin Rufai, të cilët fatkeqësisht janë mjaft të përfaqësuar, ata janë personalitete me kulturë të shkëlqyer. Dervishët Rufai, janë njerëz të klasës së ulët, të cilët nëpërmjet një ushtrimi religjioni thjesht patologjik – kërcime ekzaltuese, art fakirësh etj.,-shkaktojnë një influence direkt të dëmshme dhe kontribuojnë në mbajtjen e shtresës, së gjerë të popullatës, në një nivel të ulët nga pikëpamja kulturale. Ne shqiptarët e rinj e të arsimuar, nuk do të donim tjetër, veç se këta dervishë të ndaloheshin. Në atë pike, Mustafa Qemali ka simpatitë tona të nxehta. Dhe vërteto fjalët e mija: së shpejti do të vijë ndalimi dhe këtu!
-Por gjithë kohën pra, shikon këta dervishë? Ndoshta edhe këtu në Tiranë?
Ai qesh. Por është një qeshje ironike.
-Ju të huajt jeni gjithmonë njësoj. Këtu ka shumë gjëra interesante dhe të bukura për të parë, por gjithsesi çdo i huaj që vjen këtu, me doemos kërkon Teqenë e Dervishëve Rufai. Shko pra dhe shiko mjerimin! Por mbaje mend, se ajo nuk është diçka tipike për Shqipërinë dhe unë nuk u kam rekomanduar të shkoni atje. Dhe ndoshta u duhet të gjeni ndonjë ciceron tjetër. Në se do të merret vesh, se unë kam qenë dhe përshëndet te Rufaitë, atëherë rrezikoj të bëhem objekt i talljeve, të padëshirueshme midis kolegëve të mi…!
-Signor, thërret pronari italian, i cili ka ardhë tek tavolina jonë, ku ai kryen një radhë përkuljesh lajkatare. Fatkeqësisht, dua t´u lutem zotërinjve të dalin tani. Ne do ta mbyllim…!
Nuk qe aq vështirë të gjeja një rrugë rrëfyes dhe një mbrëmje drejtohem së bashku me një skicograf të ri shqiptar, për në Shtëpinë e Dervishëve Rufai, një ndërtesë e thjeshtë dykatëshe dhe mjaft e shkatërruar, me karakter teqeje d.m.th., manastir, duket me anë të skulpturës së çallmës së shehut mbi portën. Dy llamba të pista vaj-guri ndriçojnë në dritaret, por kur neve nëpër shkallët shkatarraqe, do të hipim në atë dhomë, ku do të mbahet seanca, është aq vështirë, sa pothuaj duhet të ecim qorrazi deri atje. Lokali i mbledhjes është i vogël dhe i ngushtë. Përgjatë mureve me ngjyra të bukura, varen fjalë të urta nga kurani, brenda një vitrine me derë xhami, duken çallmat e shehlerëve të vdekur, përpara këtij të tanishmit.
Njëra qoshe e dhomës është ndarë me një gardh dërrasash dhe mbas gardhit është ulur shehu në kafazin e shenjtë. Përpara gardhit janë shtruar disa hasra, ku dhjetëra burra me veshje kombëtare dhe me këmbë zbathur, janë ulur në gjunjë në gjysmë harku. Disa nga ata i kam parë. Atë djalin e ri të dobët e kam ndesh, në disa raste në rrugë dhe atë figurën me mjekër në qosh të djathtë, e gjen paradite gjysmë përgjumësh, mbas dyqanit të frutave me një mal portokallesh. Por si një anëtar i Rufaisë, është diçka shumë më larg, se sa një shitës frutash i zakonshëm dhe trajtohet me shumë respekt, nga tregtarët e tjerë të rrugës. Përveç kësaj, dervishët nuk banojnë së bashku, por kryejnë zanate të ndryshme civile dhe në darkë, mblidhen në teqetë e tyre dhe nën drejtimin e Shehut i luten, Muhamedit. Nuk mbahet asgjë sekret nga këto shërbime të lutjeve fetare. Përkundrazi, dëshirojnë me gjithë qejf spektatorë, se në këtë mënyrë të munden me rekrutuar nxënës të rij.
Shehu është një tip i shkëlqyeshëm. Ulur këmbëkryq dhe me trup plotësisht të drejtë, jep një përshtypje impresionuese. Çallma e jeshiltë dhe e zezë, i dhuron një kornizë të shkëlqyer profilit të dukshëm të tij, si të shqiponjës. Ajo mjekra e gjatë, e bardhë, bie shumë poshtë mbi mantelin e zi të tij. Ai të duket se ka dalë direkt nga, ‘Një mijë dhe një netë’, dhe nëse unë nuk do të kisha pas fatkeqësinë, ta shoh atë edhe në dritën e diellit të paraditës dhe në rrethana tjera, atëherë iluzioni do të ishte total. Por para disa ditësh, i bëra një vizitë në banesën e Hirësisë së Tij, me një lutje përulje, të mund të marr fotografinë e tij. Hirësia e tij më priti i shtrirë, në një krevat hekuri të vjetër anglez, ku mbulesat e krevatit, nuk ishin larë që prej ndërrimit të shekullit. As Hirësia e Tij vetë, nuk duket se është larë, që nga ndërrimi i shekullit. Ky qe një konfrontim i pahijshëm.
Por tashti në darkë, në këtë dritë bamirësie, që fsheh njolla dhe pisllëk, të duket thjeshtë i shkëlqyer. Ai është një Mbret i fuqishëm midis nënshtetasve modestë dhe me një pamje të ashpër, këqyr ata instrumentet magjike, të cilat për këtë mbrëmje, janë marrë nga dhoma e tij private, ku ato zakonisht rrinë të varura në mur. Ato janë pjesërisht një metër të gjata, trekëndëshe, bien në sy thika të trasha, të futura në këllëfin e meshinit bojë kafe, një pjesë gjilpërash, gjysmë metri të gjata me koka të mëdha, si gjyle topi. Në këtë grumbullin e instrumenteve makabre, hynë edhe një pjesë e vogël dhe e dyshimtë gjilpërash, të ndryshkura si dhe dy copë pendrekë të trashë druri. Por dajret nuk i kanë nxjerrë dhe ndonjë danc djajsh, pra, nuk kam për të parë. Për arsye të vdekjes së Nënës Mbretëreshë, kjo pikë, është hequr nga programi. Ky është kontributi i shehlerëve, për zinë e vendit.
Kështu më në fund çdo gjë është në rregull. Ne spektatorët jemi grupuar rrëzë mureve. Në krye të shkallëve shtrëngohen disa ushtarë me “Z” e madhe të Mbretit Zog, në kapele. Dhjetë dervishët, janë ulur këmbëkryq nëpër hasra dhe presin që çallma e bukur e shehut, të përkulet si shenjë që lutja të fillojë. Ushtarët ngulin sytë me gojë hapur dhe ky djali i ri shqiptar, që më shoqëron, bën shpejt një skisë të Shehut dhe nxënësve të tij. Ai plaku në kafazin e vet, shikon me sy të ngrirë përpara. Dhe papritmas tundet mjekra e bardhë dhe ata të dhjetët i’a marrin një kënge arabe. Kjo është një këngë e çuditshme, orientale, në të cilën nuk mund të dallosh ndonjë melodi, por që të magjeps, nëpërmjet tingujve të jashtëzakonshme…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016