Nga Maksim Rakipaj
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.
“Akademia” e Spaçit
Nuk isha as 60 kile. Shokët e mi u befasuan, nuk e prisnin që të më caktonin si minator, ashtu i dobët dhe i pafuqishëm siç isha. Më këshilluan të flisja me shefin e Zyrës Teknike, apo i “Zyrës së Riedukimit”. (Aman, o zot, si e tallnin bythën dhe me ata terma të shpifur!) E takova shefin Halit M., nga Hasi, atëherë e kapte Tropoja. 1.90 m i lartë dhe mbi 100 kile. U tregua shumë i dashur, por nuk mund të bënte dot gjë, pa kaluar një muaj punë, s’mund ta ndërronte organikën e firmosur në Komandë:
– “Pastaj, më dëgjo mirë, Maks…! Ti e di veten kush je”… – më flet me një buzëqeshje tinzare. Ato fjalë dhe atë buzëqeshje do t’i hasja shumë shpesh…deri në vitin 1991. Nënteksti ishte i qartë, duhet t’i shërbeja komandës dhe Operativit të Sigurimit të kampit, duke spiunuar shokët.
– “Sigurisht, e di kush jam – i thashë – Por do të kem kohë boll ta njoh, edhe unë kush është Maksi”. Jam munduar të mësoj edhe unë kush jam. Dhe të them të drejtën, në kampin e Spaçit kam patur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë, me ndihmesën e “pakursyer” të komandës dhe operativit Kosta Prifti, pa harruar dhe zhapinjtë – spiunë, që patën shitur shpirtin.
Nuk qe e lehtë të mbeteshe njeri, të mbeteshe burrë në burgjet e vampirit. Kur kujtoja sa i tmerruar isha gjatë hetuesisë, më vinte zor nga vetja, më vinte edhe turp, që pata rënë në kurthet e tyre ndonjëherë, por në burg, gjeta njerëz të fortë, që i bëra shembull për t’i ndjekur dhe imituar, pata shokë të shumtë dhe të shkëlqyer, pata edhe një familje, që nuk m’u nda asnjëherë, mësova se një burrë, kur nuk i shmanget dot vdekjes, nuk i trembet asaj, por e sheh drejt në fytyrë, pa iu dridhur qerpiku.
Gjithsesi, ata që komandonin kampet, nuk u kënaqën kurrë me mua. Punova si minator, deri në ditën e lirimit. Edhe më pas. Punova minator në minierën e qymyrit në Gërdec, deri në qershor 1990. Edhe aty, m’i tha këto fjalë drejtori Pëllumb B.: – “Ti e di veten se kush je, Maks”! Por unë, kisha kohë që e dija kush isha, fillova ta njoh veten në hetuesi, fillova të korrigjoj veten në Kampin e Ballshit, por u kalita në Spaç. Dikush nga miqtë e mi të burgut, e ka quajtur atë kamp; “Akademia e qëndresës antikomuniste”.
Miniera
Në atë fillim korriku ’79, prej kampit të përqendrimit nr. 309 Ballsh, më çuan “me ngritje” në kampin e asgjësimit nr. 303 Spaç. Qysh prej revoltës së vitit ’73, krimi në pushtet, mori disa masa për ta patur gjendjen në dorë. Pa përjashtim, cilido që punonte në zyra apo bënte punë “të privilegjuara”, në kampin e Spaçit, duhej të ishte patjetër i besuar i komandës. Kishte edhe një grup jo të vogël, të papunësh, të paaftë për punë. Por jo kushdo që ishte i sëmurë, e fitonte të drejtën për të qenë jashtë minierës. Miku im i shtrenjtë, i paharruari Ahmet Kolgjini, kishte 5 diagnoza të rënda për zemrën, gjithnjë i verdhë në fytyrë, pati punuar në minierë, deri sa u lirua.
Puna në minierë ishte e organizuar me grupe treshe: minatori dhe dy punëtorët. Minatori duhej të bënte armatosjen e galerisë dhe të bënte vrimat me martel pneumatic, në ballin e galerisë dhe ishte përgjegjës, për punën në grup. Dy punëtorët, duhej të pastronin frontin e punës, nga plasja e mëparshme. Në se kjo nuk arrihej, nuk mund të vihej armatimi dhe të bëheshin birat, d.m.th., me gjuhën teknike të minierës: “Nuk kapej cikli”!
Kur nuk kapej cikli, minatori duhej t’i thoshte policit të brigadës dhe brigadierit të lirë (kishte edhe brigadier të dënuar, por kjo hynte ke punët e zgjedhura), se kush ishte fajtori, pra; dy punëtorët që nuk arrinin në kohë, të lironin ballin e frontit prej mineralit. Fajtori shkonte drejt e në birucë. Minatori, detyrohej të bëhej spiun. Por nuk mbaj mend ASNJË RAST, asnjë, që minatorët të kenë spiunuar punëtorët e tyre, në rast se minatori nuk jepte shpjegime bindëse, shkonte vetë në birucën ndëshkimore. Raste të tilla ka patur dhe jo pak.
Birat bëheshin me martela, që punonin me ajrin që vinte nga kompresorët. Duhej të vinin 7 ose 8 atmosferë ajër dhe shpimi bëhej i thatë. Të mbyste pluhuri, të hynte kudo, në mushkëri, thellë në lëkurë.
Për shpim të lagur, as që bëhej fjalë. Shpim i lagur, do të thotë që përmes barominës që shponte shkëmbin, duhej të kalonte edhe një curril uji, që bënte të ujshëm pluhurin vdekje prurës, që shkaktohej nga shpimi i thatë. Kush vinte në Spaç; “me rekomandim” (si i pa korrigjueshëm), caktohej minator. Mua më caktuan minator, që herën e parë që u shpall organika e muajit. Caktuan Agim Hamitin nga Vlora, për të më mësuar përdorimin e martelit.
Skëterrë ’43 dhe Spaç ’73
Revolta e Spaçit ’73, është unike në të gjithë historinë e burgjeve për të gjithë botën komuniste, për nga përmasat, idetë që nxori, heronjtë e saj. Kanë shkruar shumë për të. Pjesëmarrës të revoltës kanë shkruar. Kanë shkruar edhe ata që nuk kanë qenë në Spaç, në atë kohë. Unë nuk kam qenë në Spaç kohën e revoltës. Shkova në Spaç, në korrik ’79, por fryma e revoltës ndihej ende, e mbante gjallë atë frymë, shpirti i të pushkatuarve, të ridënuarit e revoltës, që ishin të shumtë.
Nuk do t’i përmend me emër, janë shumë dhe unë nuk i di të gjithë emrat. Por njohja me shumë prej tyre, të jepte forca për të përballuar tmerret e jetës së përditshme, të jepte forcë, për të shpresuar në një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, të jepte forcë, për ta dashur jetën, familjen, të dashurit që nuk t’u ndanë.
Të jepte forcë për ta përbuzur vdekjen. Kjo ishte çka u dha revolta spaçianëve. Dhe kupola komuniste, e dinte mirë, e ndjente forcën e spaçianëve të vërtetë. Dhe mori masat e saj. Për pesë vite me radhë, asnjë ditë pushim, as për të diela, as për ditë festash. U dyfishuan normat në minierë. U keqësua ushqimi në mencë. U ndaluan të gjithë llojet e lojërave dhe librave, deri në vitin ’79.
Por, u ndaluan edhe rrahjet e policisë, ndaj të burgosurve,”me urdhër nga lart”. I biri i kryeministrit të atëhershëm, Bashkim Shehu, bëri edhe një film atë vit. Filmi titullohej “Skëterrë ’43” dhe i kushtohej kampit të Porto-Romanos, një kamp internimi i ngritur nga fashistët italianë gjatë Luftës, për të mbajtur aty kundërshtarët e fashizmit.
Ne e pamë në TV me shumë interes. Kuptohet, kishte shumë teprime, si gjithë filmat dhe historia që shkruhet nga fitimtarët pas lufte, por, megjithatë, dhuna fashiste e filmit, ishte shumë larg nga dhuna e kryer nga komunistët shqiptarë, kundër shqiptarëve, që nuk e donin komunizmin. Por konceptet për komandimin e kampit, ishin të njëjta. Fashizmi dhe komunizmi, janë vëllezër, por komunizmi, është edhe më gjakësor.
Filmi, me sa më kujtohet, fillon me një bisedë midis një specialisti të kuesturës fashiste për burgjet dhe një drejtuesi të lartë partie, ku i pari shtjellon idenë e funksionimit të kampit: “Bërthamën e kampit, do ta përbëjnë ata që ne do të thyejmë në hetuesi – këta janë minjtë dhe do të jenë shembull për të tjerët; pastaj do të jenë kuajt e punës, nuk ka rëndësi rendimenti që sjellin, mjafton të punojnë që të mos u ngelet kohë për të menduar. Pastaj do të shtojmë edhe plot njerëz me moral të ulët, ordinerë, etj. Do t’u ngulim në tru, se këta nuk janë njerëz, por vemje, krimba, do t’i bëjmë që të mos kenë respekt për vlerat njerëzore dhe për veten e tyre”.
Kjo qe, me sa më kujtohet, ideja fashiste për drejtimin e një kampi me të dënuar politikë. Sipas djalit të kryeministrit komunisto-fashist Mehmet Shehu. Nuk di a qe vërtet kjo ideja fashiste, për drejtimin e një kampi politik dhe nuk është detyra ime, të merrem me këtë gjë. Por e kam provuar në lëkurën time, unë dhe 1200 burra në Spaç, se ky qe koncepti i komunistëve shqiptarë, për drejtimin e kampeve politike shqiptare, sidomos pas Revoltës së Spaçit.
“Minj”, kishte në Spaç; këta ishin në punët më të zgjedhura; nëpër zyra, brigadierë, normistë, kuzhinierë, llogaritarë, etj., dhe të tjera punë, që ishin të privilegjuara dhe me pagesë të garantuar. Por këta, ishin turpi i Spaçit, që për çudi, u bënë edhe të preferuarit e Partisë Demokratike, kur kësaj partie iu dorëzua pushteti, në ato rrethana pak a shumë misterioze, në fillimet e viteve ’90-të. Por kjo është një tjetër temë, sepse pati dhe ka edhe djem të mirë, ende të rreshtuar në atë Parti. Por më vjen keq, që me gjithë mundësitë që kanë në shtypin e shkruar dhe TV, ende nuk luajnë rolin që u takon, nuk japin atë çka pritet prej tyre! Por edhe kjo, është një tjetër temë.
Të paktën, në ato vite, kështu menduan ta sundojnë ata Spaçin, por nuk ja arritën asnjëherë, ta thyejnë frymën e Spaçit ’73; “minjtë”, shiheshin me përbuzje dhe e ndjenin këtë; “kuajt”, jo vetëm punonin, por edhe studionin, shkruanin, mësonin gjuhë të huaja, diskutonin, mendonin me kokën e tyre dhe nuk u bënë vemje, krimba, si dëshironte PPSH-ja. Ordinerët që u sollën në Spaç, hajdutë xhepash, etj., i harruan veset e tyre; vjedhjet ishin pothuaj inegzistente, filluan edhe ata të mendonin, me kokën e tyre.
Më erdhën në mend këto ide, duke ndjekur një diskutim për filmat e kohës së komunizmit dhe sakrificat e komunistëve, bëmat dhe heroizmat e tyre në ato vite. Nderoj luftën e tyre kundër pushtuesit, por ajo luftë, u shndërrua në vëllavrasje; dhe ata nuk deshën ta ndalin gjakderdhjen, por e vazhduan atë edhe pas lufte, kur fuqitë e mëdha nëpër konferenca paqeje pas ’45-ës, e hodhën Shqipërinë në ‘Kampin Komunist’.
Ata, komunistët e thjeshtë shqiptarë, nuk kishin asgjë në dorë, veç t’i bindeshin verbërisht tiranit, ose përndryshe vinin në Ballsh, Spaç ose Burrel dhe atje kuptonin me vonesë që ishin shqiptarë dhe na kishin vëllezër, pavarësisht bindjeve politike. Dhe ia hidhnin fajin Enver Hoxhës, kur vinin në burg, duke harruar që deri dje, kishin qenë vegla, në duart e një krimineli sadist.
“Ke shti m’shpi, familjen e armikit!”
Kam mësuar nga jeta se njerëzit dhe gjërat në përgjithësi, nuk janë vetëm bardh e zi. E gjen mirësinë, atje ku nuk ta merr mendja. Edhe të keqen, gjithashtu. Do të tregoj pak për këtë, do të jap disa shembuj, që i kam jetuar vetë. Shumë mendojnë se sot, duke kujtuar çka kam kaluar, duhet të jem i mbushur plot vrer e mllef. Nuk është aspak e vërtetë. Jo se jam për të falur gjithçka, jo. Vetëm se i shoh më qartë gjërat, me nuancat e tyre, të shumëllojshme.
…Dhjetor 1979, në Spaç. Bën ftohtë dhe bora ka mbuluar çdo gjë. Një familje që kishte patur takim me të afërmin (një grua mbi 70 vjeç, me nusen 40 dhe nipin 7 vjeçar), mbetet në Spaç. Makina nuk ka, për t’u kthyer në atë orë, hotel jo. Mbetën jashtë, ulur te shkallaret e klubit, që është mbyllur. Errësirë. Polici flokëkuq, Mark Marku, del nga kampi, pasi pat mbaruar shërbimin. Sheh tre vetë ulur, që dridheshin së ftohti, afrohet dhe merr vesh cilët ishin…! “Ku do e kaloni natën”?! “Këtu ku jemi, na zuri nata, makina s’ka, hotel jo…”! “Ejani me mua, në shtëpinë time”.
Kështu që i merr në shtëpinë e vet atë natë, duke i mbajtur, si është tradita e shqiptarit, si miqtë e vet. “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”. Të nesërmen iu gjen makinë dhe ndahet me ta. Por, dikush e sheh, që merr në shtëpi familjen e armikut. E spiunon. Mbledhje urgjent e organizatës-bazë. Paralajmërim për përjashtim nga partia, është masa që merret për të. Dhe Marku përgjigjet: “Nuk i njoh asnjë gabim vetes. Sa herë do gjej njerëz në nevojë do t’i ndihmoj. Jena shqiptarë, bre burra…”! Ishte koha, kur komandonin horrat, që s’e duronin dot burrninë dhe shqiptarinë. Flitej vetëm për “patriotizmin socialist”…! Partia mbi gjithçka…! Lufta e kllasave…”!
Lirime, ridënime, rikthime
…Pas revoltës së ’73-it, ishte e vështirë për të burgosurit e ndershëm të liroheshin, edhe pasi e kishin kryer dënimin. Kush nuk kishte pranuar ofertat e operativit Kosta Prifti dhe atij që e zëvendësoi mbas vitit ’80-të, Shyqyri Toska, e kishte të pamundur lirimin. Edhe nëse ndokush arrinte të lirohej, brenda pak muajsh, kthehej përsëri. Ridënimi, ishte i modës ato vite…! Qarkullonte një barcoletë nga humori i zi i burgut: “Sa je dënuar ti? 7 vjet. Sa vjet ke bërë, deri sot? 14 vjet. Edhe sa të kanë mbetur? Edhe 15 vjet”!
Mbas “vet-vrasjes” së Mehmet Shehut, sikur u la pas dore “moda” e ridënimeve, ndoshta për t’ia lënë atij fajin, për ashpërsimin e luftës së klasave…! “Poliagjenti”, kish vepruar me qëllim, për të armiqësuar partinë me popullin…! Sidoqoftë, kush plotësonte vitet e dënimit, për çudi, tani lirohej nga burgu. Para kësaj, një shkodran me emrin Paulin, e patën riarrestuar, pikërisht në ditën e lirimit, sapo kishte dalë nga porta e madhe e Spaçit. Kurse tani po lirohej, një nga monumentet e burgjeve komuniste shqiptare.
Kishte bërë 34 vjet e 7 muaj. I arrestuar qysh më 1945, në moshën 19 vjeçare, sepse kishte qenë sekretar i rinisë balliste, për zonën Korçë-Pogradec. Ky ishte krimi i tij. Quhej Haxhi Mekolli, 55 vjeç. Ngjante mbi 70, por ishte i kthjellët, ende i fortë. Kur e lajmëruan për lirimin, i tha oficerit kartelist: – “E pse s’më lini edhe 5 muaj, të shkretën… bëhen 35 vjet plot…?! Unë prapse prapë, 35 vjet do të them”! Nuk mbaj mend të jetë përcjellë tjetërkush, me më shumë dashuri dhe respekt, nga të burgosurit e Spaçit. T’i jepje dorën atij, ishte si të merrje një bekim.
Para disa muajsh, u lirua edhe N. në moshën 34 vjeçare, ngjante mbi 45. Kishte hyrë në burg 17 vjeç. Mbas 17 vitesh burg u lirua, por nuk e lejuan të shkonte pranë familjes. E dërguan në një qytezë-minierë të njohur, diku në jug. Nuk di nëse bëri 6 muaj N., i lirë. Me hyrjen e vitit të ri ’82, edhe N. rihyri në Spaç. Sapo kaloi portën e madhe, u lëshua vrap poshtë drejt shoqërisë së tij…! Të gjithë ishin të pikëlluar, ndërsa N., ishte shend e verë, qeshte me atë zë karakteristik grykor, të ngjirur: – “Ku jeni more, zot i madh, sa më ka marrë malli! Hahahaha, ç’keni more?! Unë thashë shyqyr që erdha prapë…! Plasa, zoti madh, plasa jashtë. Unë e di, si ia bëra pa ju…?! O Rako, si të ka vëllai tyja…?! Prapë me Bolin fle? Hahahaha…! Jalla, zot i madh, shpëtova…! Kush ma ka zënë krevatin?! Kush? Thojini mutit, të më lëshojë vendin, se e çqeva…! Hahahahahah”.
Është i lumtur N., që është rikthyer në Spaç. “Nuk ka faj, – më thotë Zydiu, – ka ardhur që fëmijë këtu. Kjo është e gjithë bota e tij. Jashtë burgut, nuk njeh njeri, s’ka asnjë shok. Doli, e pa si ishte dhe prandaj është i lumtur, që u kthye”!
Fillon punë në minierë, sapo bëhet organika e muajit. Në zonën I. Është në brigadë tjetër, por jemi në një turn. Sot jam turni 2. Sa le punën dhe dal nga miniera, shoh N., ulur, rrethuar nga të tjerët. Kushedi se ç’qyfyre tregon, sepse të gjithë po gajasen. Afrohem. Po tregon për jetën, jashtë burgut:
– “E pashë që jashtë nuk e shtyja dot. Miniera e qymyrit ta qi nënën. Për zotin. Shkoja për natë në klub, mblidheshin djem të mirë atje. Mua më respektonin shumë. Zhan Valzhan, ma kish ngjitur njëri, hahaha. Ç’është ky zhama-zhan, që më thua, mos është ndonjë bythqirë, se për zotin, e ke keq me mua?! ‘Jo, jo, më thanë, është një film francez dhe ky zhamazhani, paska qenë, si thosh ai horri, njësoj si unë, një burgaxhi i fortë, hahahahaha. Hë, mor mut, ti je me shkollë, i ngjaj apo jo? Jo? Hahahaha, o ka tallur bythën ai atje, ose ti, hahahaha…”!
– “Po mirë o N., po ndonjë femër takove, apo jo, a…hë, bëre gjë apo jo”?! – e shpon një shoku i tij vlonjat.
– “Aaaa po, more, po. Jalla, zot i madh. Më thotë një ditë ai që ma ngjiti zhamazhan…! E dinte, se i kisha thënë unë: ja kaq u bëra dhe femër s’kam bërë me shëndet, për zotin, ja zot i madh. ‘Mos e çaj kokën, më thotë, të gjen vëllai ty’. Kur do ti, që e kish gjetur megjithmend, qeni! Jalla, zot i madh! Po, ore, po! ‘E njeh Zenepen ti’? më thotë. ‘Po ia fut kot emrit, se nuk e quanin ashtu, të më vrasin, s’e them emrin e vërtetë, për zotin. Kjo ishte një vejushë, nja 35 vjeç, yll ju them, bythë e sisë që aman o zot.
Mos u tall me mua, i thashë. ‘Jo’, – ky, nuk tallem…! ‘Ti e di ku e ka barangën, Zenepi’?! Shko gomar i mutit. ‘Mirë më tha, – le të vijë, më pëlqen. Por mos fol me njeri, se na hap punë…! Ata të mijtë, janë me biografi të mirë. Kështu më tha, në orën 8 të darkës shko, bjeri derës dhe futu’. Shkova unë… zdruq zdruq te porta… tak tak…! ‘Ajde brenda, futu…’! Hyra unë, që thua ti, dhe shyqyr që u ula, se po më dridheshin gjunjët, për zotin ju them…! Më nxori një gotë raki kjo, mua më merreshin mentë…! ‘Ç’e deshe rakinë, o Zenepe’, – i thashë… – s’jam për raki unë i varfëri’!
Qeshi kjo, më hodhi duart në qafë dhe më ngjiti një të puthur or ti… dhe aty e në krevat. Mos më pyesni qysh e tek, as unë s’e di, si arrita aty dhe si u gjendëm të dy lakuriq, në mes të krevatit… ‘Hajde hypma’, thotë kjo…! “Prit, i thashë, të keqen. Dua ta shoh njëherë, si e keni ju femrat, atë plaçkën. Zoti që është një, s’kam parë ndonjë herë’! Një të hapur shalët kjo…! ‘Ja ku e ke, – më thotë, shihe dhe ngopu’! U shtriva përballë asaj plaçkës unë dhe se si më shpëtoi: ‘Jalla, zot i madh, paska p… me gjithmënt…! S’më paskan gënjyer…’!
‘Të keqen motra, sa ke vuajtur, mor i shkretë’?! më thotë kjo dhe më fërkon kokën…! Unë budalla i madh… më hipi një e qarë, që thoni ju…! ‘Ç’ke, të keqen motra jote?! Mos qaj, ç’pate’?! ‘Vishu, i thashë, – dhe biem të flemë, jam i lodhur sot’… dhe fshihja sytë unë…! ‘Edhe, mos më thuaj më motër e vëlla, dëgjove, se përndryshe me mua, si motër e vëlla do flesh’! Ia fshimë lotët njëri tjetrit dhe fjetëm, si motër e vëlla, për zotin. Dhe si motër e mbajta. Femra gjeta plot, nuk them, po atë grua, nuk e prekja dot, si femër…! Eh, jetë muti…”!
…Kishte kohë që s’po qeshte më njeri…! Ndonjëri bënte sikur shfrynte hundët dhe fshinte sytë…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016