Nga Enver Memishaj
-Rreth romanit të Laureta Petoshti, “Rikthim në Ventotene”, ose tregimi i historisë, nëpërmjet letërsisë –
Memorie.al / Laureta Petoshati, e njohur sot si përfaqësuese e femrës vlonjate ne fushën e kulturës dhe të artit, ka dalë para botës shqiptare me romanin voluminoz “Rikthim në Ventotene”, dedikuar: “Të gjithë atyre që u persekutuan nga diktaturat” me një parathënie vlerësuese të Dr. Alisa Velaj. Laureta ka lindur në qytetin bregdetar të Vlorës dhe është lauruar në Universitetin e Tiranës, inxhiniere hidroteknike. Ka provuar jetën e vështirë të emigrantes në SHBA-ës, por vështirësitë nuk e mposhtën. Atje është një ndër themelueset e shoqatës kulturore – atdhetare “Bijtë e Shqipes” me qendër në Filadelfia, një nga nismëtaret e para, për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe.
Aktiviste e çështjes kombëtare, për lirinë e Kosovës, në demonstrata, në intervista në Radio-ABC, në gjuhën italiane. Aktivitetet e shoqatës, por dhe mendimet e idetë e saj, i ka pasqyruar në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”. Në vitin 2005, u kthye në Shqipëri, por vazhdoi korrespodencën me këtë gazetë prestigjioze.
Aktualisht, Laureta është një publiciste e njohur, me botimet në shumë gazeta e revista, brenda dhe jashtë vendit, si: “Jeta Arbëreshe” dhe “Rrënjët”, në Itali, “Ndryshe”, “Nacional”, “Republika, etj., në Shqipëri. Në Vlorë ka qenë fillimisht gazetare, e më pas kryeredaktore e gazetës “Vlora”, si dhe gazetare e televizionit ‘Vlora Channel’. Letërsia dhe publicistika, kanë qenë dhe mbeten jo vetëm pasion, por edhe në mision të jetës së saj.
Librin e sajë të parë “Perëndesha e Parajsës”, e botoi në fillim të vitit 1997, një përmbledhje me poezi. Laureta është e njohur edhe si përkthyese, njohëse e katër gjuhëve të huaja, ndër të cilat spikasin italishtja dhe anglishtja. Ajo ka marrë tre çmime të para kombëtare, për përkthime të poezive në gjuhën shqipe, nga italishtja dhe anglishtja, por dhe nga shqipja në anglisht.
Në vitin 2008, është vlerësuar nga Shoqata Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemal-Vlora”, me titullin “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare”. Studimi sajë mbi rrymën e re letrare, të lindur në Shqipëri e të quajtur prej saj “Spiralizmi”, është botuar në disa gazeta, brenda dhe jashtë vendit. Ka në proces botimi tre libra të tjerë: vëllimin poetik “Spirale”, kritikë letrare dhe arti, për autorë bashkëkohore dhe publicistikë e reportazhe.
Romani voluminoz, historiko–letrar, që do të analizojmë, “Rikthim në Ventotene”, është botuar në fund të vitit 2012. Ndërsa Dante Alighieri, flet për personazhe realë që kanë shkuar në ferr për fajet e tyre, Laureta Petoshati në këtë roman, flet të dënuarit e ferrit Ventotene, se janë atje për motive të larta: për lirinë dhe drejtësinë shoqërore, luftën kundër shtypjes e shfrytëzimit.
Edhe pse romani flet për një shtrirje të madhe kohore në historinë e Shqipërisë, Laureta Petoshati, ndalon në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe na njeh me ngjarje dhe personazhe realë, që kanë jetuar në ato vite të vështira. Si pikënisje kemi vendlindjen e sajë, qytetin e Vlorës.
Bukuria e romanit qëndron në faktin se autorja, nuk merr si pikënisje një personazh të vetëm, por një familje të tërë, familjen Leka, me origjinë nga Mbishkodra, me banim në Vlorë pasi kryetari i familjes, Zef Leka, mësues i gjuhës shqipe, është emëruar aty nga Luigj Gurakuqi, dy vjet para Luftës heroike të Vlorës, të vitit 1920. Familja e Zefit ishte shuar e tëra, nga shovinizmi serbo-malazez, në mbrojtje të trojeve tona, e kështu Zefi jetim, u rrit dhe u edukua nga françeskanët.
Pali, djali i madh i Zefit, i rritur në një mjedis sa atdhetar, po aq edhe fetar, pa dallime raciale e fetare, merr pjesë aktive në demonstratat kundër pushtimit fashist të Shqipërisë dhe arrestohet. Pas proceseve gjyqësore, ai internohet në ishullin e Ventotene-s në Itali, më pas në kampin e përqendrimit Arezzo d’Angari e, mbas këtij kampi, merret nga gjermanët që e shfrytëzojnë atë dhe shumë shqiptarë e italianë, për ndërtimet e tyre ushtarake.
Pali kudo ku shkon, mban të fshehur disa faqe të shkruara me dorë, që ia dha një shok i tij shqiptar, në Ventotene: Manifesti i Ventotenes, që flet për bashkimin e Europës, u përpilua nga disa intelektualë italianë, në bashkëpunim me disa shqiptarë, si Llazar Fundo e Stavro Skëndi. Intelektualët shqiptarë u bënë pjesë e debatit, rrahën mendime, por kushtet e vendit të tyre të pushtuar, shtronin si detyrë kryesore çlirimin e vendit, vendosjen e demokracisë dhe pastaj realizimin e bashkimit të Europës.
Madje. për arsye të daljes në dritë të Kartës së Atlantikut, që fliste për vetëvendosjen e popujve, Llazar Fundo, që ishte shoku më i ngushtë në Ventotene i Altiero Spinelli-t, që sot quhet si Babai i Europës së Bashkuar, nuk firmosi. Ai e parashikoi i pari atë që do të ndodhte në Kosovë e Çamëri, ndaj jo më kot, Isuf Luzaj, që e kishte njohur herët në Francë e më pas në internim në Ventotene, e quan; “filozofin më të madh, që ka pasur raca shqiptare.”
Libri të mbush me informacion të bollshëm, pasi Laureta ka ditur në mënyrë racionale dhe pa e lodhur lexuesin, të nxjerrë nga pluhuri i kohës, ngjarje dhe personazhe interesantë dhe na i ka sjellë në ditët tona, përmes një origjinaliteti befasues, çka ka shkaktuar një habi të jo të zakonshme për guximin e saj, për t’i treguar ngjarjet dhe njerëzit që i kanë përbërë ato, ashtu siç kanë qenë.
Në Ventotene, Pali njihet me njerëz të tillë që më vonë do të bëheshin drejtues lufte, shteti, e idealesh humaniste, si; Sandro Pertini, Altiero Spinelli, Eugenio Colorni, Ernesto Rossi, Giorgio Braccialarghe, Luigi Longo, etj. Por ai nëpërmjet rrëfimit dhe kontakteve. njihet dhe me shqiptarë të mëdhenj. në mendje e vepra, pavarësisht bindjeve politike.
Autorja flet për epokën e fashizmit, nazizmit dhe madje komunizmit Stalinist. në mënyrë të tillë sa bota bëhet aq e vogël dhe njerëz me kulturë, gjuhë, kombe të ndryshme, lidhin miqësi e njihen me njëri-tjetrin, nëpërmjet luftës së përbashkët kundër këtyre mortajave të njerëzimit. Këta njerëz të vuajtjeve, “Zgalemë” të lirisë, i bashkon qëllimi përbashkët, njohja reciproke, pavarësisht se janë ndryshe nga njeri tjetri nga kultura, historia familjare e kombëtare.
Rëndësia, ose ç`farë të rejash na sjell ky roman?
Dr. Alisa Velaj, e shpreh idenë kryesore dhe rëndësinë e këtij romani të Laureta Petoshatit, me këto fjalë, që janë botuar edhe si parathënie të romanit: “Të përpiqesh të rindërtosh historinë e një kombi nëpërmjet letërsisë, është pa dyshim një akt sa i lartë, po aq dhe tepër i ndërlikuar. Laureta Petoshati ka ditur ta realizojë në mënyrë mjeshtërore të gjithë këtë proçes.
Romani “Rikthim në Ventotene”, është fryt i një pune të lodhshme, hulumtuese, disavjeçare, në lëmin e historisë dhe për më tepër në hulumtimin dhe gjurmimin e përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë, të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryesisht atyre të internuar nga fashizmi në ishujt e Italisë, si pjesë e debatit për përpilimin e dokumentit historik të “Manifestit të Ventotenes”, që do të ishte bërthama e realizimit të ëndrrës së Europës së Bashkuar.
Ky mozaik i jetës shqiptare në bashkëveprim me kombe e popuj të tjerë, për më shumë se një shekull, ngërthen në vetvete dramën e madhe të kombit tonë, përgjatë historisë, drama të shkaktuara nga gabimet e politike të kohës kur ndodhin, por edhe drama të shkaktuara nga vetë shqiptarët!
Laureta Petoshati e rimerr këtë temë, duke e zhvendosur paralelisht në Ventotene dhe Renicci di Anghiari në Arezzo, mes jetës së të internuarve me kombësi të ndryshme dhe në jetën qytetare të Vlorës, ku bashkëjetesa ndërmjet vendasve, italianëve dhe hebrenjve, ka qenë e shkëlqyer.
“Diktatura komuniste në fillimet e sajë përbën një nga analizat më të thella të këtij romani”.
Kështu e përcakton Dr. Velaj, idenë e këtij romani. Po ta lexosh me vëmendje romanin, sheh se kemi të bëjmë me një letërsi origjinale, që shpreh një kulturë të thellë dhe shumëplanëshe. Autorja zhbiron pa kompromis dhe i shkon së vërtetës deri në fund, duke shfrytëzuar jo vetëm arkiva, libra e kujtime të personazheve historikë, por dhe aftësitë e saj si gazetare investigative dhe këtë të vërtetë, mundohet ta japë nëpërmjet një stili tejet origjinal dhe një leksiku që ndërthur si të folurën e përditshme të njerëzve të thjeshtë e, deri tek ngjyrat më të stërholluara e filozofike të personazheve të saj.
Vetë përshkrimi i jetës në Ventotene, flet për një botë poliedrike dhe për mendje të hapura që përsiatin dhe reflektojnë mbi të ardhmen e tyre, por dhe të kontinentit. Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa Pali jo. Historia e kësaj familjeje, gërshetohet me jetën e disa familjeve të tjera në Vlorë dhe në Shqipëri e, autorja i bën një përshkrim të hollësishëm regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, që u vendos me dhunë e banja gjaku.
Është një lloj rrëfimi që ka si qëllim kryesor, nxjerrjen e të vërtetës historike në maksimumin e mundshëm dhe pikërisht këtë të vërtetë mund ta konsiderojmë si mesazhin e veprës, një mesazh i qartë për të gjithë lexuesit. Hera-herës nga erudicioni i veprës, autorja Laureta Petoshati i drejtohet një lexuesi të zgjedhur, pasi kemi një vepër me një informacion të pasur, kompleks dhe të thellë, të përshkruar hera-herës dhe me realizëm psikologjik.
Në të gjithë librin, në pothuajse të gjitha ngjarjet kemi si shoqërues dhe të pranishëm detin, natyrisht një vlonjate nuk mund ta kuptojë botën pa detin, pa fund e pa anë, siç thoshte Maksim Gorki, ai det që e ka bërë edhe shpirtin e autores të gjerë e të thellë. Ngjyrat e detit transmetojnë gjendjet shpirtërore të personazheve dhe i japin gjallëri përshkrimit. Tek deti shihet dashuria për jetën dhe lirinë, hapësira që jep qetësinë dhe lumturinë.
Peizazhe të magjishme, të rrëshqitshme si dritat në ujë, lutje që e lidhin njeriun me Zotin me dashuri, butësi dhe shpresë ku shumëkush mund drithërohet, madje mund të tronditet, kur lexon romanin “Rikthim në Ventotene”, të shkrimtares vlonjate Laureta Petoshati, e cila di t’i thotë gjërat troç dhe pa frikë dhe di t’i qëndrojë besnike historisë, gërshetuar aq bukur me letërsinë moderne.
Përse, Laureta Petoshati e ka titulluar romanin e sajë; “Rikthim në Ventotene”?! Është rikthim tek ëndrra e vjetër e shqiptarëve, për të hyrë në Europën e bashkuar, ëndërr e pasqyruar tek “Manifest i Ventotene-s”, që personazhi kryesor i romanit, Pali, e kishte fshehur nga brenda atij xhupi të gjakosur nga plumbat, e që erdhi në Shqipëri, pas rënies së diktaturës.
Cili ishte fati, personazheve historik, të të internuarve të Ventotenes?
Autorja e përmbush edhe këtë kuriozitet të lexuesit, me epilogun në fund të librit. Disa nga të internuarit në Ventotene, gjatë viteve 1939 – 1943, jepen në fund të këtij shkrimi. Romani ka afro 600 faqe. Kopertina paraqet statujën e njohur, “Rrethi i jetës”, që gjendet në Oslo Suedi e, që i jep kuptim përmbajtjes së romanit. (Wheel of life, Monolith statue, Vigeland Park, Oslo Norvegji)
Disa nga të internuarit në Ventotene, gjatë viteve 1939 – 1943, që janë personazhe të romanit të Laureta Petoshatit, “Rikthim në Ventotene”.
Të gjithë të dënuar dhe persekutuar nga diktatura komuniste!
- Llazar Fundo, i rrahur barbarisht dhe i tërhequr pas kalit, nga krimineli legjendar, Shefqet Peçi, i cili pushkatoi pa gjyq.
- Stavro Skëndi, u shpallur armik populli nga komunistët, u arratis në Sh.B.A-ja, ku punoi si profesor universiteti.
- Isuf Luzaj, u shpall armik populli, u arratis Sh.B.A.-ës, ku punoi profesor në disa universitete.
- Fazlli Frashëri, u pushkatua pa gjyq.
- Selman Riza, shkencëtar, gjuhëtar i shquar, u dënua me burg nga komunistët shqiptar dhe sllavë. U përndoq deri në fund të jetës së tij.
- Safet Butka, nuk mund të shihte dhe të pranonte luftën vëllavrasëse që shpallën komunistët në vitin 1943, dhe vrau veten.
- Izet Bebeziqi, u dënua me burg dhe u përndoq gjatë gjithë jetës.
- Abaz Ermenji, u shpall armik populli, u arratis në Francë ku punoi si profesor letërsie.
- Ndue Pali, u pushkatua si antikomunist.
- Myzafer Pipa, vdiq në tortura, pa dalë në gjyq.
- Sinan Gjoni, u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës.
- Gani Kryeziu, torturuar e vdekur në burgjet e ish- Jugosllavisë, nga klika e Tito-Rankoviçit.
- Hasan Kryeziu, pushkatuar nga klika e Tito-Rankoviçit.
- Said Kryeziu, arratisur në Itali e pastaj Sh.B.A.
- Zef Mala, i burgosur dhe i internuar disa herë me urdhër të Enver Hoxhës.
- Mandi Koçi, (“Maku”) u dënua me 30 vjet burg, me urdhër të Enver Hoxhës. Nuk mundi të krijojë familje, vdiq në vetmi në një azil pleqsh.
- Abdurrahman Kreshpa, ende djalë i ri u internua në Ventotene dhe që mbas moshës 20 vjeç është dënuar e burgosur disa herë nga komunistët vlonjatë (Lista vazhdon…!) Memorie.al