Pjesa e parë
Memorie.al / “Ditari im shqiptar” i famullitarit austriak, Fabian Barcata, botohet për herë të parë në shqip nga Shtëpia Botuese “Mirdita”, në njëqindvjetorin e tij. Ai u shkrua në vitin 1905-1906, në Kryezez (Rubik) dhe u botua njëzet vjet më vonë në revistën françeskane “Franzisziglöcklein”, Austri, në vitet 1926 – 1927. Ky është i pari ditar i mirëfilltë i një prifti të huaj për Shqipërinë. Emri i Fabian Barcatës, këtij austriaku mistik të fillim shekullit të kaluar, është thuajse i panjohur për lexuesin e sotëm. Kështu ka qenë edhe shtatëdhjetë vjet më parë, deri kur u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij “Lule”, falë kujdesit të profesor Karl Gurakuqit, një ndër emrat pikantë të letërsisë dhe kulturës shqiptare, i cili vdiq në Romë si emigrant politik në vitin 1971.
Vepra qe mirëpritur, bashkë me të pati zë dhe autori, që duhet t’i jetë gëzuar fort daljes së librit të tij në gjuhën shqipe. Mirëpo vepra dhe autori “humbën” sërish në tymnajën e një gjysmë shekulli, duke mbetur prapë “pak i njohur”, ndonëse jo për shkak të tij.
Në fakt, edhe vite më vonë, Barcata thuajse “humb”, ani pse gojëdhëna qarkullonin për të, sidomos për mbledhësit e folklorit, që kishin qëmtuar mbi një valle, “Pëllumbesha dhe Skifteri”, që e paskësh përshkruar dikur një famullitar i huaj. Pas viteve ‘90-të, misionarët austriakë mësyjnë sërish në Shqipëri, dhe shumë syresh u ngulën në viset e Veriut, tamam si të parët e tyre, para 100 e kusur vitesh. Një studiues i njohur mirditor, Ndue Dedaj, vë kontaktet e para me ta, ndërsa në bisedat e para në mes miqsh, “Barcata” po zinte vend kryesor.
Dedaj, thotë se “kisha 20 vite që kisha dëgjuar nëpër njerëz të moshuar të Rubikut, se ishte shkruar një libër për këtë vend, ndërkohë që gërmon në Bibliotekën Kombëtare, ku gjen të vetmen kopje origjinale të romanit “Lule”, botuar që në vitin 1924 në gjermanisht, disa kopje vijnë në Shqipëri, pastaj një ribotim në pesë gjuhë të huaja, pesë vite më vonë, ndërsa botohet në vitin 1930, nga Shtëpia Botuese “Nikaj”, përkthyer në shqip nga prof. Karl Gurakuqi.
Në vitin 2001, pas një ripunimi, romani i shumëpritur “Lule”, i Fabian Barcatës, ribotohet në Shqipëri nga Shtëpia Botuese “Mirdita” në vitin 2001, ku jepen disa të dhëna dhe foto autentike, ndërsa më vonë kërkohen të dhëna të mëtejshme edhe në Austri, për të plotësuar portretin e tij të pazakontë. Kësisoj, në mars të këtij viti, vijnë për t’u botuar të dhëna më të plota mbi këtë figurë enigmatike, dhe sidomos vepra e tij origjinale e kërkuar dhe shumë e mirëpritur “Ditari im shqiptar”, të përmbledhura në librin më të fundit të autorit Ndue Dedaj: “Fabian Barcata dhe ditari i tij shqiptar”.
Pasaporta: Kush ishte Fabian Barcata?
Barcata u lind në dioqezën e Trient-it (Valfloriana) më 29 mars 1868 dhe u pagëzua me emrin Moritz, duke qenë i pari në një familje me 15 fëmijë. Qysh në fëmijëri u shfaqën dhuntitë e tij të çmuara, si prirja artistike dhe talenti, humori dhe ironia e hollë, që i dallon austriakët. Me 25 gusht 1885, Moritz Barcata së bashku me shtatë studentë të tjerë, hoqi në Pupping fundin laik dhe mori në vend të tij veshjen e Shën Françeskut. Kështu, nga Moritz u bë padër Fabian.
Shugurohet prift me 3 maj 1891 në Brixen dhe nis kështu veprimtaria e tij priftërore. Emërohet në Graz. Më 1893 ai transferohet si lektor i klerikëve shqiptarë në Lankoëitz, ku qëndroi deri me 6 gusht 1894. Aty shërbeu dhe për risistemimin e bibliotekës së manastirit. Më 1894 punon sërish në Graz si lektor i lëndëve të gjimnazit. At Fabiani ishte i fundit ndër etërit françeskanë, që ishin vendosur në Steirmark.
Jetoi një kohë të gjatë mes malësorëve shqiptarë, kryesisht në krahinën e Mirditës, lektor i Noviciatit dhe famullitar i Kryezezit (Rubik). Si njeri i pajisur me dhunti e cilësi të veçanta, Barcata, misionar françeskan dhe shkrimtar i spikatur, njohu nga afër doket dhe traditat vendëse. Për të hyrë në shpirtin dhe botën e njerëzve të këtij vendi, ai mësoi gjuhën shqipe.
Vitet më të shënuara në jetën e patër Fabianit ishin vitet e qëndrimit të tij në Shqipëri, ku ai erdhi dy herë më 1895 dhe më 1899 deri më 1907. Puna e tij si misionar pranë një populli me natyrë të ashpër, por të fortë dhe thellësisht besimtar, zgjoi dhe ndjesitë më të mira të Barcatës.
Misionari françeskan qëndroi në Kryezes (Rubik) të Mirditës më 1895, për dy vite dhe pastaj me 1899 deri më 1907, disa kohë i kalon dhe në Shkodër. I kërcënuar nga sëmundja e malaries, kthehet në vendlindje më 1907. Vdiq më 1954, në moshën 86-vjeçare.
Portreti i njeriut të pazakontë
Në gusht të vitit 1906, inxhinieri austriak, Karl Steinmetz, (pasi bën një vizitë të shkurtër në kishën e Velës, një godinë e thjeshtë e pa stoli, ku e pret miqësisht Dom Mark Negri, ashtu siç e kishin zakon klerikët katolikë të Shqipërisë së Veriut) mbërrin në famullinë e Kryezezit. Para tij shfaqet pamja e pazakontë e misionarit, siç e cilëson ai: “Mustaqe tepër të gjata, me të cilat do të krenohej çdo oficer kusarësh, i bënin hije gojës, ku rrinte një pip i shkurtër.
Kokën ia mbulonte një kapele e vjetruar, dhe vetëm petku françeskan i dalë boje, tregonte cili ishte ai burrë. Ishte at Fabian Barcata, një tirolez që tash sa vjet punon në Shqipëri. Zotëria i nderuar menjëherë na përgatiti drekën me duart e veta, të cilën e hëngrëm në oborr nën hije, duke u gëzuar dhe nga prania e një austriaku tjetër, të një kleriku të ri që ndodhej mik te misionari”.
Është me interes të veçantë kjo dëshmi portreti e “fotografi çasti”, e studiuesit austriak Steinmetz për Barcatën drejtpërdrejt nga tempulli i tij, Kuvendi Françeskan i Rubikut, për detajet me të cilat e përshkruan. “At Fabiani, një tirolez i vërtetë, i ndershëm dhe i çiltër, i cili çdo gjë që ka e ndan me besimtarët e tij, zotëron një kulturë të gjerë, sidomos në shkencat natyrore dhe është mjaft i përgatitur. Çdo gurë e çdo bimë është e njohur prej tij në rajon. Nga larg vijnë të sëmurët për të kërkuar ndihmën e famullitarit të Kryezezit, i cili zhvillon një aktivitet mjekësor të dobishëm në saje të njohurive dhe të një rezerve të pasur ilaçesh”.
Intervistë me studiuesin Ndue Dedaj, për At Fabian Barcatën
Studiuesi i njohur Ndue Dedaj, i cili prej 15 vjetësh merret me studimin e figurës së një mistiku austriak që jetoi në Kryezez të Mirditës në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, na njeh në këtë intervistë, me historinë e panjohur të tij.
Zoti Dedaj, duket se jeni i lidhur ngushtë me Fabian Barcatën, përse?
Ka qenë i paimagjinueshëm “takimi” me të pas 100 vitesh. Është një humanist i rrallë, zor kush ta ketë shkelur këtë vend në mënyrën se si ka jetuar, vepruar, hulumtuar, qëmtuar deri në detaje, nga jeta e malësorëve këtu e 100 vite më parë. Fabian Barcata, na shfaqet si një interpret i rrallë i shpirtit dhe mendësisë së shqiptarëve të Veriut, i dokeve, riteve, besëtytnive, traditave, virtytit të njerëzve të këtij vendi, me të cilët ai u shkri si rrallëkush i huaj. Ai ishte frat dhe shkrimtar, artist dhe dijetar, por edhe shërues. Një figurë befasuese humanisti evropian.
Ai iku një ditë, por Mirditën e mori me vete nën zhgunin e tij prej françeskani të paepur. Kryezezi gjithnjë flinte dhe zgjohej në ndërgjegjen e tij, si një peng i pakryer asnjëherë, për shkak të shëmbëlltyrave njerëzore, kujtesa e të cilëve nuk mund të shuhej kurrë tek ai. Iku për t’u rikthyer pas njëqind vjetësh, si nga një legjendë e përhumbur, gjithherë “lajmëtar i çdo fjale fatlume”, siç e kanë quajtur vëllezërit e tij françeskanë të manastirit të Schëazit e Halit.
Ai erdhi në Shqipëri për të predikuar ungjillin, por dhe për t’i shëruar njerëzit nga sëmundjet dhe bestytnitë, për t’i pasuruar shpirtërisht. Por ai dhe mori për vete nga mirësia e këtyre njerëzve, siç e thotë sa herë në ditarin e tij. Ata i dhanë fuqinë dhe mahnitjen për ta kuptuar më mirë botën e pakufishme të njeriut. Njëherësh, ai nuk mund të rrinte pa e çuar misionin e tij deri në fund dhe si shkrimtar, domethënë që t’i shkruante dhe ku e ku t’i botonte historitë e tyre “Prej kohës së kalueme të Shqipnisë”, ndërthurur në “Ligje dhe zakonte të vjetra në malet shqiptare.”
Duke përmendur “Kumbona e thyeme”, “Gjaku i falun” dhe sidomos “Lule”, të at Fabian Barcattes, historiani i njohur, akademiku Zef Mirdita (Zagreb) i konsideron këto vepra “me rëndësi për njohjen e zakoneve ndër mirditorët”.
Barcata, autori pak i panjohur i një vepre të mirënjohur, romanit “Lule”, pasi do të shkëlqente njëherë si meteor në qiellin letraro-kulturor të viteve ’30-të, do të shuhej për dhjetëra vjetësh. Bibliografia e tij krijuese plotësohet me “Ditari im Shqiptar”, novelat, historitë, punët në skulpturë, pikturë, muze, gjithkund nëpër tempujt e Shën Françeskut etj. Dora e tij prej mjeshtri të talentuar, dekoroi dhe manastiret e Austrisë, dhe kishat e Amerikës, dhe ato të Rubikut e Kallmetit në Shqipëri.
Në ato çfarë Barcata shkruan, duket se Tirolin e tij e gjente më shumë së ndokund në sfondin e epërm të bjeshkëve gri, është kjo arsyeja që ai e deshi aq shumë këtë vend?
Është e vërtetë, sapo ka shkelur në viset e Mirditës a të Shkodrës, bjeshkët e këtij vendi i kanë ngjarë me bjeshkët e larta të Tirolit, vendlindjes së tij, që ai e kishte aq për zemër dhe që përmallohej aq fort kur i vinin “orët” e saj… Tiroli, ky vend piktoresk, me banesa të tipit alpin, nuk ka qenë i panjohur për shqiptarët në të kaluarën, kur studionin në Innsbruk, qyteti më të madh austriak rrëzë Alpeve, por dhe pas ‘90-ës, kur atje sërish kanë shkuar studentë etj.
Edhe kur Barcata kishte vdekur dhe “Lule” e tij qe përhumbur si vepër në shtjellën e kohës, ndër bijtë apo nipërit e banorëve të Kryezezit e Bulgërit, përmendej shpesh një frat i vjetër, që kishte pas shkrue “Lulen e Rubikut”. Kështu e kishin “emërtuar” ata së voni romanin për të cilin kishin dëgjuar, por që nuk e njihnin, që nuk ishte as i lejuar, as i ndaluar; por kur nuk botoheshin më shkrimtarët priftërinj shqiptarë, si do të ribotohej një i huaj, kur dhe përkthyesi i librit Karl Gurakuqi, ishte një emigrant politik, dhe për më tepër: fryma e vjetër e romanit, nuk përkonte me frymën e re të kohës së regjimit komunist.
Ka një kumt të Barcatës për “qytetarinë botërore” të asaj kohe. Në fakt çfarë e dallon Barcatën nga udhëpërshkruesit e tjerë të huaj?
Fabian Barcata, frati nga Tiroli i Jugut, vinte në Veri të Shqipërisë pas shumë misionarësh katolikë, dijetarësh dhe udhë-përshkruesish të huaj. Veçse ai nuk vinte si vizitor, si shumica e tyre, si vizitorët apostolikë të Vatikanit, Shtjefen Gaspri (1676), Vinçenc Zmajeviçi (1702) etj., as si konsujt francezë, austro-hungarezë, që të shumtën rrinin në Shkodër e ndërmerrnin herë-herë vizita nëpër rajonet veriore apo jugore. Barcata vinte të rronte këtu, në kapërcyell të shekullit XIX dhe fillimet e shekullit XX.
Pasi ka bërë jetën e maleve, pasi ka zbuluar një botë të përveçme në qetësinë e vet olimpike, pasi tek e fundit ka zbuluar “shpirtin” e trazuar të këtij vendi, përmes romanit të tij “Lule”, ai u drejtohet evropianëve, si me gjuhën e një kambane: “Këtu, këtu, në Shqipni, duhet të vijnë të gjithë edukuesit tuej të popullit, tue fillue prej profesorëve të universiteteve, që nuk shofin përtej hundës së vet, deri te klasat krenare të mësuesve, të cilët zanë vendet në shkollat popullore me nam të njerëzimit; këtu po, në Shqypni, të vijnë demagogët dhe lumteniprusit tuej, të gjithë anarkistët e vendeve tueja, komunistët dhe socialistët, zejtarët e punëtorët tuej, qytetarët e katundarët, të gjithë elementet e pakënaqun, të mdhajt dhe të vogjlit.
Këtu, po, pranë këtij populli të thjeshtë e të paprishun, te këta njerëz, që ata i quejnë gjysmë barbarë, duhet të vijnë në shkollë e të nxanë, se si në vobegsi, në thjeshtësi andjesh, në shpresë te i madhi Perëndi, e ka rrajën lumnia e çdo njeriu, veçanërisht, dhe gëzimi e mirërrotja e popujve përgjithësisht. Këtu në Shqypni, do të gjejshin të gjithë shkollën e naltë të vërtetë të jetës”.
Cilat janë lidhjet ndërmjet kishës monumentale të Shelbuemit të Rubikut dhe Barcatës?
Si kishë historike, Shëlbuemi i Rubikut, gjithnjë kishte mbajtur në trup dhe absidë, gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Kishin mbërritur këto gjer tek at Fabian Barcata. Ai i tërheq vëmendjen vizitorit, K. Shteinmetz, në viti, 1472, në absidën e kapelës së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gurë të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefen Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare.
Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës. At Gjergj Fishta do të ndërtonte absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi at Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi, deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës. Nga Rubiku doli një nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar e trim, imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë nëpër botë, po bëri abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durhami dhe i bëri një portret brilant, më të fisëm se të lordëve të Anglisë.
Nga kjo luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me formulën e tij unikale të shqiptarisë; “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, për t’i rrëfyer botës të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, për të qenë diku larg dheut të tij dhe diplomat e guvernator. Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, prej nëntëqind vjetësh i dokumentuar, ishte tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për të mbjellë pishën që do të njihej me emrin e tij. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar.
Keni shënuar se vendosët ta rikthenit këtë personazh, Barcatën, sepse ai është një shkrimtar i një natyre të veçantë. Ku konsiston kjo?
Ku është Lula, Marku, Pal Gjoka, Shtriga e Mullirit, Dom Doda? Barcata nuk do të mund të ngjitej gjer në Qafë të Fikut, as të kapërcente më atë shtegun e Molungut, për të shpëtuar Lulën, pastërtinë e saj të virtytit, pasi “Lula” ka ndryshuar aq shumë në këto njëqind vjet!? Frika e tij dhe e at Anastazit se sëmundjet e kohës moderne po e preknin njeriun e Evropës, si një lajm jo i mirë, mbërritën dhe në vendin ku njeriu kishte mbetur gjer në atë kohë njeri! Lula u bë vërtet mësuese, mjeke, agronome, por ajo u bë dhe “komisare”, refugjate, prostitutë…! Ndaj, a do të kishte me vend ajo thirrja e tij monumentale: “Këtu, këtu, në Shqipëri…”, një nga refrenet më monumentale që mund të jetë shqiptuar për këtë vend në njëqind vjet.
Ku janë “personazhet” e gjallë të ditarit të tij shqiptar, i pari ditar i një të huaji që njohim. Sidoqoftë, Barcata vjen sërish me një mision të shenjtë: t’ju dëftojë njerëzve të kësaj kohe, se si kishte qenë Shqipëria e kaluar. Rreshtat e ditarit të tij, na e thonë një pjesë të asaj kronike të trishtë, por realiste. Barcatën, njëherësh me ne, e rikthyen dhe pasardhësit e tij të njëqind vjetëve më vonë. Franz Winsauer-i, misionar katolik austriak nga Foralbergu, ka një kontribut të gjithanshëm në Mirditë, që nga viti 1993, kur nisi veprimtarinë e tij humanitare në kuadrin e Caritasit, por dhe në këtë libër, përkthyer me shumë sqimë nga përkthyesja e gjermanishtes, Angjelina Luka.
Në botimin tuaj, vendin kryesor e zë ditari i Barcatës, si ju është dukur ai?
“Ditari Shqiptar” i Fabian Barcatës është i panjohur për lexuesin shqiptar. Botimi i tij në shqip mundësohet vetëm sot, pas njëqind vjetësh nga koha kur u shkrua. Përshkrimi me detaje i njerëzve, i varfërisë, sëmundjeve, besëtytnive, por dhe i karakterit dhe virtyteve të tyre përbëjnë lëndën e tij origjinale.
Hyn në radhën e librave dhe shkrimeve të të huajve që e pasurojnë njohjen dhe dijen shqiptare, që në këto pesëmbëdhjetë vjetët e fundit kanë qenë të shumtë dhe të mirëpritur. Kanë munguar më parë disa burime autentike të shkruara për Shqipërinë, dhe ky ditar, ndonëse i shkurtër, është një nga ato. Shkuarja drejt burimeve është gjithnjë interesante dhe e domosdoshme në lëmin e dijeve.
Njohja e Shqipërisë së kohës nga të huajt kishte rëndësi dhe për krijimin e shtetit shqiptar të 1912-ës dhe përshpejtimin e fundit të perandorisë otomane. Imazhi shqiptar i fillim-shekullit XX-të, sigurisht nuk ishte vetëm idealizmi i poetikës romantike të Naim Frashërit dhe as vetëm ai i “Shqipërisë më krye në hi” të Pashko Vasës. Shqipëria ishte e bukur, po dhe primitive, e besës, po dhe e rrezikshme, shqiptari ishte madhështor në virtyte, po dhe pak defektoz në vese etj.
“Lule” dhe “Ditari Shqiptar”, do të mbetën ndër dëshmitë e kërkuara për Shqipërinë e asaj kohe, për shkak të njohjes së thellë e të gjithanshme të njeriut, psikologjisë, dokeve nga autori që rroi gjatë mes mirditorëve etj., për frymën humaniste që i karakterizon si vepra, si dhe për profilin prej artisti të Barcatës, i cili i përshkruan mjeshtërisht rrethanat, episodet, karakteret njerëzore etj.
Ditari e kalon lexuesin nëpër një kronikë, shpesh të trishtë, gjithë detaje jetësore, ndodhi, histori dhe bestytni, duke e njohur me njerëz të varfër e fjalëmatur, që gjithsesi, nuk e kanë bjerrur shpresën dhe kuptimin e jetës. Ngjan si një “regjistër”, ku noterizohet gjithçka që përbën jetën e Kryezezit në zgrip, ku ka vdekje të shpeshta dhe kërcënojnë epidemitë.
Shumica vdisnin nga mungesa e mjekut, ilaçeve dhe kujdesit shëndetësor, ku priftit, të gjendur si në rrethim nga një situatë e tillë, i duhej të jepte zgjidhje për gjithçka, sa ai të befason, kur thotë se në dhomën e të vdekurit mora vendimin për t’u bërë vetë mjek.
Për të nuk është e huaj asgjë që lidhet me fatin e famullisë së tij. Shpesh fretërit, murgeshat bënin dhe punën e mjekut dhe infermierit, si murgeshat e Kallmetit, gjithashtu austriake. Kjo të sjell ndërmend shembullin e papërsëritshëm të fratit të pashallarëve të Shkodrës, At Erasmo Balneo-s, portretizuar me aq mjeshtri nga At Zef Pllumi, në një libër të tijin të kohëve të fundit.
Ndonëse jetoi më gjatë se Migjeni, a nuk ju duket se famullitari i sëmurë ngjan paksa me Migjenin tonë?
Edhe më shumë të shtohet admirimi për këtë misionar shembull përshpirt-mërie, kur mendon se ai i shkroi rreshtat e ditarit të tij shqiptar duke vuajtur dhe vetë nga ethet e malaries, me duart që i dridheshin. Por besimi në Zotin, formimi i tij i shëndoshë, sensi i së vërtetës, filozofia prej frati të sakrificës dhe mundimeve, sfida ndaj së keqes dhe mjerimit që ai e kishte kthyer në qëllim dhe vetëdije, bënë që ai në misionin dhe shkrimet e tij të ishte i paanshëm, i drejtë në gjykime, njohës i mjedisit, dokeve dhe riteve, vizatues i rrallë i temperamenteve, i pa dominuar në asnjë rresht nga emocionet e çastit.
Asnjë klithmë apo britmë nuk ka në fletët e shkruara prej tij, asnjë shenjë të humbjes së shpresës e besimit, dhe pse jeta asokohe ishte vetë një klithmë. Ai ishte regjisor dhe aktor njëherësh në dramat dhe brengat e njerëzve të Kryezezit me të cilët rroi. Ashtu si Migjeni ynë, tridhjetë vjet më vonë, në kohën e një ndërgjegjeje të re shqiptare, që do t’i përcillte malësorët përmes recitalit të tyre piskamën dhe këngën e dhimbës krenare, duke qenë dhe ai i kërcënuar nga një sëmundje, shumë më e pabesë se malaria e Barcatës, dhe nëse atë sëmundja e mushkërive e këputi në 27 vjeç, këtë apostull plak nuk e ndali dot në 86 vitet e jetës së tij prej bohemi. Është rast i lumtur t’ia leçisësh tashmë në shqip lexuesit fletët e këtij ditari.
Me kaq sa është botuar, a mund të quhet një “dosje e përfunduar” për Barcatën?
Kurrsesi jo, Barcata të grish ta zbulosh deri në fund. Për veprën e njohur – pak të njohur. Për veprën e panjohur. Për profilin e tij jetëgjatë prej humanisti, misionari, artisti, antifashisti. Sepse ke një bindje se kjo jetë e meriton të ekspozohet, veçmas se këtu ai u bë më shqiptar se shqiptari. Ai la një gjurmë, që do të ndiqej pas afro njëqind vjetësh, çka do të thotë se ai nuk kishte pushuar së kumtuari.
Më e pakta do ta meritonte një tufë lule te varri i tij në manastirin e Schwaz-it (Austri), nga cilido shqiptar që do të mund të vente atje. Por dhe një bust në Rubik, mu aty te shkrepi i bardhë, ndoshta në dekorin e një “valleje”, ku lëvizin pa pushim një pëllumbeshë e një skifter. Ai ishte një usta i monumenteve, busteve, ani pse kurrë nuk mendoi për bustin e tij. Një skulptor do të kishte punë me figurën origjinale të tij, ku koha kishte plazmuar një nga karakteret e çuditshëm të shekullit XX-të që shkeli në Shqipëri. / Memorie.al
Përgatiti Gjergj Marku
Vijon numrin e ardhshëm