Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Gjashtëqindëgramshit
(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)
Një trashaluq, i veshur më mirë se të tjerët, kish hipur mbi një si podium, mbi sop, me një fije letër në dorë. Me zë të paqartë nisi të lexonte, tellalli e përsëriste me forcë. Ishte një listë emërore, me emrat e ne rishtarëve që mbërritëm mbrëmjen e djeshme. Gjithkush që dëgjonte emrin, duhej të përgjigjej “Këtu!” dhe të dilte nga rreshti. Kështu veprova edhe unë.
Ishim gjashtë të rinj që, edhe pse udhëtuam ngjeshur si sardelet, në auto-burgun e ngushtë, ende s’e njihnim njëri tjetrin. Veç Ladit, shokut me të cilin më kishin dënuar në grup dhe Luigjit që për dy javë, qëndroi së bashku me ne, kisha parë edhe Pjetrin me Nikën, po vetëm nëpërmjet vrimës që hapëm me bishtin e lugës, në birucat e Shkodrës. S’dija shumë për ta, madje as fytyrat s’ua kisha fiksuar tamam, ngaqë ishim parë në gjysëmterr dhe shtrirë barkas.
Po i prezantoj shkurtimisht bashkudhëtarët e mi, sipas radhës së apelit:
- Pjetër Pali nga Velipoja, ishte një rreth tridhjetëvjeçar me shtat mesatar, me tipare të rregullta, flokëzi, syzi, me një buzëqeshje babaxhani që për sa kohë qemë bashkë, nuk do t’i shqitej nga buza.
Pjetri, sipas asaj që më kish rrëfyer në biruca, ish arratisur natën, bashkë me gruan dhe një fëmijë foshnje, duke kaluar Bunën me trap! Matanë kishin farefis të tyre, të cilët i strehuan. Meqë si kulakë të deklaruar, konsideroheshin armiq të regjimit hoxhist, shpresonin se s’do t’i kthenin, ndaj në mirëbesim u dorëzuan te autoritetet jugosllave. Atje, bënë edhe kërkesë për të emigruar në Amerikë, ku iu dolën garantë familjarë dhe miq të arratisur prej kohe.
Dhe, një ditë të bukur, titistët ua plotësuan kërkesën, i prangosën dhe; i nisën në Amerikën e zezë të Hanit të Hotit. Tashmë i duhej të vuante dënimin, me dymbëdhjetë vjet burg Pjetri’ dhe tetë, e shoqja. Djali do rritej në gjini. Në birucë, Pjetri më pat folur për një vëlla më të madh, që ish i dënuar politik, por nuk e dija ku vuante dënimin. Rasti e solli që dy vëllezërit të bashkoheshin në të njëjtin kamp, në Reps. Me ta edhe unë. Aty u njoha me Nikoll Palin, ai s’qe vetëm vëllai i madh i Pjetrit, po u bë edhe për mua, një vëlla natyral.
Ai kish vite në burgje, njohjen e gjerë dhe eksperiencën e fituar atje, e vuri në dispozicionin tonë. Me dashamirësi, na orientoj të përshtateshim me kushtet e kampit dhe më pas, të zgjidhnim njerëzit e duhur, që të krijonim edhe ne, rrethet tona shoqërore. Me dy vëllezërit fisnikë Zagoriani, pata marrëdhënie të mira në burg dhe më pas.
- Luigj Vat Nika, ish një burrë eshtërmadh, me fytyrë kuqalashe, kokëmadh e flokëkuq, me mollëza të kërcyera dhe nofulla të dala si kokalla kali, me trup kaba dhe gjymtyrë të stërzgjatur. Kur ecte, pak i përkulur përpara, ngjasonte me një gorillë gjigante. Ishte rreth tridhjetepesë vjeç.
Siç më rrëfente në birucat e Shkodrës, ishte pa familje. Ish rritur për sevap, ndër miq e farefis, në fshat dhe më pas, rrugëve dhe hangarëve të Shkodrës. Ishte shumë i leshtë, saqë në mjaft raste me sjelljen e tij të çekuilibruar, bëhej objekt humori për shokët.
E kishin dënuar katër vjet për agjitacion dhe propagandë, po kur e pyesje: ç’propagandë ke bërë? ai ta kthente: “Për Shajtin Shna-Nue, kam fol e fort bile, me tan minjtë e gjarpinjtë e Rrmajlit”!
“Po ç’ju ke agjituar, o Bixh”? – e ngacmoja unë.
“Tan fjalimet e Enverit, t’botume n’ ‘Zanin e Popllit’, tuj kry t’madhin n’ferra”!
Ai ndihej përherë i uritur. Kur iu afrua lirimi, më tha në mirëbesim:
“Pasha Zotin, o Çim, jam boll mir njitu! Ku kam me u mbyt, o burr? S’kam as bab, as nanë, as motër, as vëlla e soj, me më prit! Njitu kam nji jatak, po kam ene me hangr e me pi, ene pse s’jam ngi kurrë ndoiher’, të paktën i kam të sigurume qyl, si me than”!
Qyqi Luigj, u ambientua me këto kushte. Ndihej i sigurt këtu, të Paktën nuk e përçmonin. Të gjithë i ofronin diçka për të ngrënë, ngaqë e konsideronin gjysmak nga mënd. Ishte gjysëm debil, po i padëmshëm dhe i afrueshëm me të gjithë.
- Nik Prekalin, së bashku me Pjetrin, e kisha njohur nëpërmjet birës në qeli. Ishte një djalë i imët, i dobët, shtat shkurtër, rreth njëzetepesë vjeç, nga Bajza e Kastratit. E kishin dënuar tre vjet për agjitacion e propagandë, dënimi më i ulët që ekzistonte për këtë nen.
Sipas rrëfimit të tij, e kishin fejuar me mblesëri që dhjetë vjeç, kurse e fejuara e sapolindur, në djep. Vajza, nga një fshat afër, rritej dhe zbukurohej çdo ditë e më shumë. Bukuria e saj kishte nxitur epshin e drejtuesve të rinisë në fshat.
Sapo mbaroi shkollën tetëvjeçare, sipas stilit komunist të kohës, nën shembullin e Shkurte Pal Vatës, duhej të shkonte “vullnetare” në hekurudhë. Po kjo ishte e papranueshme për familjen e dhëndrit: “ku asht pa e asht ndi n’malci, me shku cuca e fejueme, jashtë katundit pa shoqnues”! justifikoheshin ata.
Po kjo binte ndesh me direktivat e Partisë. Kështu, drejtuesit e rinisë dhe kryesia e frontit, e thirrën Nikën në mbledhje, për ta “bindur” të jepte pëlqimin, po ai refuzoi prerazi dhe kjo qe zanafilla për peripecitë e mëvonshme të Nikës së ngratë.
Me ndërmjetësinë e organizatës së rinisë, operativi i zonës kufitare, i sajoi kurthin. Në një festë të fshatit, mbasi hëngrën e pinë, kënduan dhe kërcyen, i vunë gjermankat në duar, e hipën në “gjashtëdhjetenënçin” e Degës Brendshme dhe drejt e në qelitë e Shkodrës.
Atje, i trullosur nga dajaku i Shyqit dhe dhelpëria e Llambi Gegenit, i vunë para një letër, ku ai firmosi pa lexuar ç’shkruej mbi të. Me një gjyq formal e shembullor, në qendrën e kulturës të Kooperativës Bujqësore, i “prenë kostumin e dasmës”, tre vjet dhe e nisën “dhëndër” në Reps, kurse të fejuarës i varën një shami në qafë dhe e nisën “nuse vullnetare” në Myzeqe, aksioniste në hekurudhën Rrogozhinë-Lushnje.
Nika ish njeri i mirë, i dashur por naiv dhe injorant. Ai besonte se do t’a rregullonte biografinë me punë, ndaj punonte pa pushim, me shpresë se mos e falnin dhe e nxirrnin pak më shpejt nga burgu, që të bashkohej me të fejuarën.
Bëja shaka me Nikën:
“Avash, or Nik, se u shtere, s’do kesh takat për nusen kur të dalësh”!
“Ç’kam me ba, or burr! M’duhet me punu fort’, m’u liru nji sahat’e ma par! Më pret nusja, lum djali”! – justifikohej ai.
“Or Nik, a përnjëmend e ke?! Pse, kanë nevojë për qylyken tënde këta, po të duan e sheshojnë malin për dy ditë, me stalinesk”! – bëja humor unë.
“M’duhet m’u reabilitu, Çim probatini, due m’u kthye te nusja, me mënd t’ri”!
“Bjeri legenit e fyellit me një vrimë ti, por pa e mbushur kokërr më kokërr, s’të lëshojnë këta, o i dashur Nikë”! – e cysja edhe më unë.
“Jo, qe besa, m’a mërzit nusja fort! A e ke pa, vjen kah’iher në muj këtu, me robt’ e vet! A t’u më prit, or burr”! – ma kthente Nika serioz dhe ja merrte një melodie baritore, të krahinës së vet.
Sinqerisht, isha i befasuar nga besnikëria e asaj vajze, që çdo muaj, për tre vjet, e ndoqi prapa të fejuarin me trasta në krahë. Ishte për t’u vlerësuar përkushtimi i saj.
Por jo vetëm ajo, gjatë viteve që kalova në burg, dëgjova për dhjetëra e dhjetëra të tjera, nga të gjitha krahinat që, si ajo, s’iu ndanë të dashurve të tyre, për vite e vite me radhë.
Lavdi dhe respekt të përjetshëm, këtyre grave dhe vajzave fisnike, që me devotshmëri dhe vetëmohim, me vendosmëri dhe sakrifica të panumërta, rrugë e pa rrugë, në borë e në zheg, ngrënë e pa ngrënë, burg më burg e, kamp më kamp, iu bënë krahë burrave dhe të fejuarve të tyre.
Me gjithë naivitetin pa cak, Nika i plotësoi kokërr më kokërr, të tre vitet e burgut.
- Paulin Vata nga Malësia e Madhe, ishte personi tjetër që mbërriti me ne. Një ish oficer i arratisur në Jugosllavi, ku kishte kaluar rreth dhjetë vite në burgje, i dënuar prej tyre, si agjent i Sigurimit të Shtetit. I depërtuar nga jugosllavët, dënohej tashmë, si spiuni i U.D.B.-së, me njëzet vjet burg.
Paulini, me të cilin do miqësohesha shumë shpejt, ishte rreth tridhjetepesë vjeç, mjaft inteligjent, i shkathët, me humor tipik shkodrani, ironik por i gjindshëm dhe i dashur me të tërë, përveç spiunëve dhe atyre që qëndronin pranë komandës.
Ishte orator dhe shumë i guximshëm, këtë do t’a tregonte në Spaç, në revoltën e 21 Majit 1973, ku me kurajo të jashtëzakonshme, iu kundërvu sistemit, në krye të revoltës, pas së cilës, do e ri dënonin edhe njëzetepesë vite të tjerë.
I pesti dhe i gjashti, ishim ne, dy shokët e grupit, Vladimir Shena nga Progonati i Kurveleshit dhe unë nga Berati. Pra, ne ishim gjashtë rishtarët, që mbasi mbaroi numërimi ose siç quhej atje, apeli, na thirrën në Zyrën Teknike. U paraqitëm.
Zyra Teknike, siç e përshkrova më lart, ishte vendosur në një godinë të ndarë, veçmas nga ndërtesat e tjera, mbi kuzhinë, përballë sheshit të apelit. Ishte ngritur në pikën më të lartë, përjashto banjot. Ndoshta, me madhështinë e saj, donin të impononin e, të na jepte kumtin, se brenda saj luheshin fatet tanë. Të paktën me këtë ide u futa unë.
Për personelin e këtyre zyrave, na thanë se ishin ndër kontingjenti më negativ, në komunitetin e burgjeve dhe kampeve. Të të caktonin në të, duhej të kishe dhënë prova të plota e të qarta pendese dhe shenja rehabilitimi. Copë, pa qenë spiun, s’mund të ishe pjesë e kësaj administrate.
Por ndodhte ndonjëherë, kur komanda vendoste të diskreditonte ndonjë të dënuar të rëndësishëm e kokëshkëmb, bëhej fjalë për intelektualët, i propozonin që të pranonte drejtimin e Zyrës Teknike.
Po përgjithësisht, njerëzit e ndershëm i rrinin larg kësaj zyre. Arsyet për mospranim i justifikonin me takt. Por në raste të jashtëzakonshme, si fjala vjen, kur nevojiteshin specialistë të profesioneve të veçantë apo kur binte paksa tempi i luftës së klasave, mund të zgjidhej edhe ndonjë njeri i mirë.
Një i tillë gjendej atë kohë, në krye të kësaj zyre. Tefik Tarelli, ish një burrë i ndershëm e babaxhan.
Për të, tregonin se ish dënuar për tradhti të lartë, me një grup i madh nga Devolli, kryesisht nga vëllazëria Tarelli. Meqë pjesa dërrmuese e grupit, ishin të një fisi, e emërtuan; “Grupi i Tarellëve”.
Disa prej tyre, nën presion e Sigurimit, kishin pranuar monstruozitete të pabëra e të pamenduara asnjëherë; pastaj ua nxorën dëshmitarë njëri tjetrit dhe si përfundim, populluan burgjet, si vëllazëri e miqësi. Ishin aq të shumtë në numër, sa s’kishte kamp e burg, të mos gjeje një Tarell ose, të dënuar me grupin e tyre.
Përgjithësisht ishin të mirë e punëtorë, por si çdo shtëpi e ka një hale, edhe ata kishin prototipin e tyre më negativ, Zenel Tarellin ose “gjarprin i verdhë”, siç e kishin damkosur të burgosurit për cinizmin, pabesinë dhe poshtërsinë e tij. Ky ishte një spiun i paskrupull dhe pamoral, i njohur në gjithë universin e burgjeve shqiptar.
Brenda zyrës, na kaluan në një tip interviste, me pyetje të zakonshme si: “Nga jeni, sa jeni dënuar, sa vjeç jeni, ç’arsim keni kryer, ç’profesion keni”, etj., pyetje të rastit. Pastaj na pajisën nga një copë letër, për ta paraqitur te magazinieri i veshmbathjeve dhe i ushqimeve, që të na furnizonin me shtresa dhe rroba.
Dola nga zyra teknike dhe u nisa për t’u larë: “Magazinieri s’ka ku vete, pa të lahem njëherë”! mendova dhe u vara poshtë nga dushet. Më ishte neveritur edhe vetja nga pocaqillëku. S’po më pritej sa të futesha në banjë. Te dushet më priste Bajrami, një patrioti imi.
S’e kuptova nga u gjetën drutë, kush e ndezi zjarrin, cili pruri kazanin, cili sapunin, por pashë shumë pleq të lëvrinin rreth e qark meje. Së fundi, u gjenda në një nga kthinat që shërbenin si dushe, në derën e së cilës, qe ndehur një rrobë që i ngjante mushamasë.
Nga jashtë kësaj mushamaje, një dorë më zgjati ca ndërresa dhe një peshqir. I mora pa fjalë. U zhvesha dhe me një sapllake kutie konservash mishi, të shndërruar në mashtrapë, hodha ujë mbi kokë. S’gjej dot fjalë, të shpreh kënaqësinë që ndjeva në çastin kur uji nisi rrjedhën mbi gjithë trupin, ishte si të pushtonte një lloj orgazme. Uji i ngrohtë rrëshqiste mbi lëkurën e kokës së qethur dhe sikur depërtonte brenda qelizave, njëfarë turbullire e këndshme, m’u ngjit në tru.
Pastaj vala e të ngrohtit nisi të përhapej edhe në skajet më periferike, nga qimet e kokës te thonjtë e këmbëve, që meqë ra fjala, ishin përthyer si zhguall breshke, ngaqë kishin muaj pa u prerë.
Ndjeva marramenthi, sikur do më binte zali. Edhe pak të kish zgjatur kjo gjendje, do kisha rënë top në vend. Por rryma e ftohtë që frynte nga anët e mushamasë, më futi të rënqethurat e mishi m’u kokrrizua. Më hynë dridhmat në palcë, për t’u ngrohur disi, hodha sërish ujë dhe nisa të fërkohem fort. Sado që e kalova sapunin disa herë, s’po shihja shkumë gjëkundi.
Ngrita paksa cepin e mushamasë të ajgëtoja më qartë, kur ç’të shoh? Lëkura, mbi gjoks qe ngritur flluga, kurse krahët më ishte zhvoshkur. Shofkat e lëkurës, vareshin e iu shëmbëllenin petëzave të lëvores së rrjepur të pemës apo, ca mbetjeve transparente të zhvoshkura si lëkurë gjarpri. I kapa me gishta. I tërhoqa lehtë me delikatesë, ngaqë druaja mos n^ë shkaktonin dhimbje.
Por çudi! Lëkura u zhvesh në gjithë gjatësinë e shtatit, gjithsesi dhimbje s’ndjeva. “Mbahu Çim djali, ke me lan shtatë lëkurë ndër burgje, pa t’i dalësh mbanë, ba me e pas atë fat”! m’u ndërmend kjo profeci, që më kish taksur i panjohuri në birucat e Shkodrës? Duket se po plotësohej!
Mbi trup më ishte shtresuar një shtresë zhuli, që pa e tepruar, mund ta quaje; dermë mbi epidermë. M’u ndërmendën tregimet për kafshët që ndërrojnë qimen, për ujqit e stepave, për arinjtë e bardhë, për dhelprat polare, që iu përshtaten ambientit, për gjarpërinjtë që ndërrojnë lëkurën, kameleonët që ndryshojnë ngjyrën, etj., etj. Po se mund të ndërronte njeriu lëkurë, s’e kisha dëgjuar kurrë!
“Ehu-u, sa s’ke dëgjuar ti, or bir! Po, mbahu, vet jeta do t’i mësoj”! më tingëlluan porositë e gjyshes sime. Ky fenomen i panjohur më parë, më shtiu në merak: “O Zot, tash e tutje do më duhej të përballoja jetën nën një lëkurë të re, me një ngjyrë të ndryshme nga origjinalja”!
Por i braktisa shpejt këto meditacione letrareske, sepse zhofkat më ngjallën krupën. Ndaj vazhdova të heq e të heq dermën nekrotike, aq sa më zuri dora. Kur u rropa si gjarpri, provova sërish të fërkohesha me sapun, tani shkuma e bardhë i mbuloi defektet. Shkumohu dhe hidh ujë me mashtrapë, e përsërita disa herë.
Poshtë mbi dysheme, u shtresëzua një lëtyrë uji dhe zhuli, e nakatosur së bashku. Trupi m’u lehtësua, papastërtitë e kohës së gjatë, të thara mbi kurmin tim, dergjeshin tashmë nën këmbët e mia. Me ciflën e mbetur të sapunit, shkumova kanotjeren e vjetër dhe e ktheva diagonal mbas kurrizit, e tendosa poshtë e lartë disa herë, mandej hodha ujë. Ai merrte me vete shtrepëzat e zhulit dhe i depozitoi mbi të tjerat, si lëvoret rreth cungut te thatë.
Me ujin e mbetur, u shpëlava për herë të fundit dhe kur s’kish më asnjë pikë, u fshiva me peshqir. Kur mbarova i hodha një sy shtatin tim; ca brinjë si kokalla kuajsh gërdallë që mund t’i numëroje një nga një me gishta, dilnin mbi lëkurë. Ndërsa dy krahë hollakë dhe dy kërcinjtë të thatë e të dobët si fyej çobanësh, të mveshura me një pergamenë të flashkur si e pleqve njëqindvjeçarë, tani mbas të larit i shëmbëllente një copë letre të zbardhur, po të zhubravitur.
Këto eshtra gjatuke, më sollën në kujtesë skeletet eksperimentalë, në orën e biologjisë. Më tmerroi kjo pamje. S’e besova që ky skelet i shkalafitur të ish imi! Pickova veten, ndjeva në mishra hidhërimën e thonjve. “Qenkam unë! O Zot, s’do t’a kem fort të gjatë”! Për herë të parë u brengosa për shëndetin. Kurrë deri atëkohë, s’kisha kaluar sëmundje të serioze.
Për të mbuluar këtë shëmti neveritëse, u vesha shpejt; në fillim benevrekët e gjatë deri te nyelli i këmbës, mandej këmishën-bluzë me tre komça. Coha m’u fërkua pas kërcinjëve dhe krahëve të dobët e më dha një ndjesi bezdie, një si kruajtje lëkure. Mbatha pantallonat dhe xhaketën dhe dola jashtë banjës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016