Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëzetedy
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Dokumenti zbulon se Shefi i mirditasve, kishte kërkuar subvencione dhe se ai “mund të hidhet në krahët e ndonjë shteti tjetër”, duke bërë aluzion, jo vetëm për Francën, por edhe për Italinë. Diplomacia austro-hungareze, kishte dalë në përfundimin se; “Kreu mirditas ka për të nxituar shumë shpejt, për të nxjerrë përfitime prej rivalitetit austro-italian. Favorizimi nga ana e Italisë, do të shkaktonte ngritjen e reputacionit të tij, të dëmtuar që prej periudhës së heqjes së subvencionit tonë dhe do ta vinte përsëri kundër bashkimit të vendit”. (439)
Duke patur interesa konkurrente me Vjenën, Roma ishte e interesuar që Prengë Bibë Doda të punonte kundër politikës austro-hungareze, sepse dhe në atë mënyrë ai ishte i vlefshëm për politikën e saj. Megjithatë, Roma kërkoi të harmonizonte interesat e veta me ambiciet e Prengës, duke mos i parë veprimet e tij si të dëmshme për Italinë. Në të vërtetë, qëndrimi italian shkon deri në pranimin e opsionit “Principatë katolike nën mbrojtjen e Serbisë”. (440)
Për ta tërhequr Kreun e mirditasve pas politikës së saj, Roma kërkoi që ai të bëhet pjesë e kabinetit qeveritar. Sipas Markezit San Xhuliano, “marrja e Prengë Bibë Dodës në qeveri, ka për ta bërë atë të padëmshëm. Karakteri i tij dhe influenca e që ka, nuk janë të mjaftueshme për ta bërë të mirë, por si i pakënaqur, ai mund të mbledhë rreth vetes të tjerë të pakënaqur dhe të krijojë shqetësime. (441)
Qëndrimi i dytë i gabuar i Prengës, lidhet me fillimin e luftës ballkanike, kur pas luftimeve në Lumë, serbët biseduan me Prengë Bibë Dodën, i cili pranoi që forcat serbe, që ishin vënë në ndjekje të forcave turke, të kalonin lirisht nëpër Mirditë. Ky favor që iu bë serbëve, pati pasoja, sepse ishin në lojë trojet shqiptare dhe turqit të shpartalluar, po mendonin të tërhiqeshin me shpejtësi drejt vendit të tyre. Ndër dokumentet serbe që flasin për Luftën Ballkanike, gjendet dhe ai që flet për marrëveshjet e Prengës me serbët: “Prengë Bibë Doda, Kreu i Mirditës, komandant i katër mijë mirditasish të armatosur, i dha kalim të lirë repartit tonë, por vetëm me kusht, që t’ia japim fjalën e nderit se nuk kemi ndërmend ta zaptojmë Shqipërinë. Komandanti i repartit të pare, Buliç, tani Nënkolonel, i dha fjalën, ndryshe Prengë Bibë Doda, do t’i shpallte luftë ushtrisë serbe”. (442)
Me lejen që u dha Prenga serbëve, pa u konsultuar me krerë të tjerë shqiptarë, Kapidani e tregoi veten se tek ai ishte mbizotërues, nacionalizmi krahinor dhe interesat vetjake, përballë interesave të mëdha të kombit. Siç duket, ky veprim i Prengës, ka patur si prapavijë sigurimin e mbështetjes serbe për krijimin e “Principatës Katolike të Veriut”, nën protektoratin e Serbisë. Ideja e “Principatës”, një krijim i patriotëve shkodranë, në kushtet e pushtimit turk, ishte e vlefshme në një plan më të gjerë mbarëkombëtar vetëm për atë kohë, ndërsa në prag të shpalljes së pavarësisë dhe pas krijimit të shtetit të ri shqiptar, u bë pengesë për krijimin dhe forcimin e këtij shteti, sepse u krijonte mundësi shteteve të huaja, të mbanin të gjalla ëndrrat e tyre shoviniste për copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare dhe për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit. Në Kongresin e Berlinit, Austro-Hungaria, e kishte ngritur çështjen e privilegjeve dhe lirive të Mirditës, në shërbim të konsolidimit prej saj të protektoratit të kultit, të cilin ajo bashkë me Francën, e ushtronte mbi popullsinë katolike të Perandorisë Osmane. Ndërsa në prag të shpalljes së pavarësisë dhe vitet që pasuan, gjërat kishin ndryshuar dhe Vjena ishte shprehur kundër çdo ndarje dhe përçarje ekzistuese, duke bërë thirrje që politikanët, të udhëheqin procesin e bashkimit kombëtar, projekt që përkonte me interesat austriake. (443)
Projektin e tij, Princi Bibëdoda, ua parashtroi edhe armiqve historikë të shqiptarëve, Krajl Nikollës dhe emisarëve të Pashiçit të Serbisë. Krajl Nikolla, e pranoi krijimin e Principatës së Mirditës, me kusht që ajo mos të shkonte përtej Lezhës dhe Kallmetit. (444)
Siç duket, këto territore, Mbreti malazez mendonte t’i merrte për vete. Prengë Bibë Doda, kërkoi mbështetje politike, financiare e ushtarake edhe nga Serbia, që të mund të shpallte “Principatën Katolike të Veriut.” Serbia e mbështeti me kusht, që t’i lejohej një korridor për në Adriatik. (445)
Emisari i Pashiqit në Shqipëri, Ballugxhiç, me njëfarë dyzimi midis të vërtetës dhe dyshimit, i shkruante shefit të vet në Beograd: “Prengë Bibë Doda, nuk paraqet kurrfarë fuqie personale, por e ka emrin e madh, që duhet shfrytëzuar. Ai nuk duhet të lihet vetëm, pa e shoqëruar me njerëz të mirë e të mençur dhe atëherë me mirditasit e tij, mund të bëjë shumë për Serbinë”. (446)
Kreu i Mirditës, nuk mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë. Në një letër të Mit’hat Frashërit të datës 10 dhjetor, del se Mit’hati, kishte takuar edhe kapidanat e Mirditës, për punën e ngritjes së flamurit kombëtar. Ai na informon se kapidanët u muarën me Abdi Toptanin, për kongresin kombëtar në Tiranë. (447)
Por Mit’hat Frashëri’ nuk na thotë se cilët nga Kapidanat kishte takuar. As Rudney nuk e përmend tekstualisht Prengë Bibë Dodën kur shkruan: “Sot i bëra një vizitë Ismail Qemal Beut, me rastin e festës së Bajramit. Shpresoj që nesër (ai) të niset për në Vlorë. Adbi Beu, Refik bej Toptani, Dom Nikoll Kaçorri dhe personalitete të tjera prej Durrësi, do të shkojnë së bashku me të. Ismail Beu, m’u lut t’i parashtroj Shkëlqesisë Suaj, falënderimet e tij për besimin dhe t’u njoftojë se, me anën e një telegrami privat, ai i ka telegrafuar të gjithë qyteteve të Shqipërisë, për të dërguar delegatë në Vlorë. Në bazë të përgjigjeve të marra, tanimë ai është i sigurt se atje kanë për t’u mbledhur delegatët e shumicës së qyteteve të Shqipërisë. Prej Dibre, Isa Boletini, ka siguruar pjesëmarrjen e tij. Është ftuar edhe kapidani i Mirditës”. (448)
Në një telegram të konsullit Lejhanec, nga Vlora, sqarohet se Kapidani është Marka Gjoni, siç edhe njihej gjerësisht në popull, ndërsa Prengë Bibë Doda, që njihej më shumë si Princi ose Pasha i Mirditës, në këtë relacion përmendet si person. “Në vijim të telegramit tim, të datës 5 të këtij muaji, (një kopje Stambollit dhe një kopje Janinës), me anën e të cilit unë pata nderin të njoftoja formimin e qeverisë provizore shqiptare, këtu më poshtë, marr lejen të sjellë në dijeni të Shkëlqesës Suaj, edhe emrat e anëtarëve të deri sotëm të senatit provizor shqiptar. Prej këtyre, 15 janë myslimanë, 4 të krishterë ortodoksë. Katolikët nuk janë caktuar hëpërhë, mbasi përveç famullitarit të Durrësit, Nikollë Kaçorrit dhe shkodranit Luigj Gurakuqit, të ardhur prej jashtë, të cilët morën poste të ministrit, nuk ndodhen deri më sot delegatë katolikë. Ismail Qemal Beu, po bën mundime të veçanta për të bindur edhe katolikët e Vilajetit të Shkodrës, që të dërgojnë delegatë në Vlorë. Në këtë drejtim, ai shkroi dje Abatit, Imzot Doçit dhe Kapidanit të Mirditës, Marka Gjonit, po kështu iu drejtua edhe Prengë Bibë Dodë Pashës, në Orosh. (449)
Por duhet theksuar se Prenga, nuk dëshironte t’i shmangej një ngjarje të tillë aq madhore në historinë e vendit, por e ndjeu veten të anashkaluar dhe të nënvleftësuar nga austro-hungarezët, të cilët për shkak të lidhjeve tradicionale të familjes së tij me Francën, e kishin paragjykuar, si një njeri të francezëve. Mundet që Ismail Qemali, veproi nën presionin e austro-hungarezëve, të cilët nuk ia falnin Kreut të mirditasve, përpjekjet për krijimin e “Principatës”. Sidoqoftë, ky qëndrim nxiti pakënaqësinë e Kapidanit Pashës, siç i thonin në Mirditë, dhe nuk do të jetë pritur aq mire, as nga masa e mirditasve, të cilët kërkonin me të drejtë, një vend në mesin e drejtuesve të shtetit shqiptar. I shtyrë shumë nga ideja për të qenë protagonist në shtetin e pavarur shqiptar dhe ndoshta i ndodhur në momente dobësie, Prenga, i kundërvihet Qeverisë së Vlorës dhe në këtë angazhim personal, ka mbështetjen e Abatit. Në një letër që ia dërgon një shoku i tij, Dom Nikollë Kaçorrit, e kritikon Prengë Bibë Dodën dhe Prend Doçin, se në një mbledhje të zhvilluar në Kallmet me krerët e Malësisë së Lezhës, lanë të kuptohet se është Austria, që e kërkon zhvillimin e kësaj mbledhje dhe se Vjena është kundër Qeverisë së Përkohshme të Vlorës…”! Sipas normave të njoftuna dhe të kuptueme prej meje, më duket se këto janë ambiciet e Prengë Pashës e, të Imzot Doçit, të cilët për interesin e tyre, duan të shkaktojnë turbullira në favor të serbëve e të malazezëve dhe në dëm të Shqipërisë”. (450)
Konti Berchtold, me anë të një telegram, udhëzoi konsullin Majerhaueser në Shkodër: “…Ju lutem, pyesni Imzot Doçin, mbi qëndrimin e tij dhe mos lini pa e sqaruar se, në rastin kur ai do të përkrahë me të vërtetë planet e Prengë Bibë Dodës, të drejtuara kundër qëllimeve tona, ne do të jemi të shtrënguar që të vëmë në zbatim, tërheqjen e subvencioneve të paralajmëruara kohë më parë…”. (451)
Siç edhe pritej, diplomacia vjeneze, me datën 6 qershor 1913, nëpërmjet Kontit Erental, udhëzoi Konsullin e vet në Shkodër, që të gjej rastin për t’i vënë në dijeni konstatimet e saj rreth qëndrimit politik të Princit dhe Abatit. “Ju duhet të mos ia fshihni prelatit të lartë, të dhënat që na kanë ardhur dhe që nuk janë të favorshme, për krizën që po kalojmë. Ne presim prej tij, se do të gjejë rastin për të na dhënë sqarimet e duhura. Me këtë rast,- udhëzon Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, t’i njoftoni Imzot Doçit, Prengë Bibë Dodës dhe Marka Gjonit, se bazuar në qëndrimin e tyre politik, detyrohemi t’i pezullojmë subvencionet e tyre”. (452)
Me rëndësi në ato kushte, nuk ishte ndërprerja e bashkëpunimit me Prengë Bibë Dodën, por angazhimi tij, në të mirë të çështjes shqiptare. Sepse, pavarësisht nga mjetet politike që përdori Prenga, për t’u marrë në konsideratë, duhet thënë se ndaj tij, Vjena mbajti qëndrim mospërfillës. Mjaftoi vetëm që t’i jepet në qeveri dhe atëherë, ai merr kthesën e madhe, duke tejkaluar vetveten dhe nga Kreu i Mirditës, bëhet njëri ndër udhëheqësit më të shquar të shtetit shqiptar, aktiv në mbrojtje të unitetit kombëtar.
Zëvendëskryeministër i Shqipërisë
Kontrolli i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, ishte vendosur vetëm mbi një pjesë të territorit shqiptar. Sipas Kristo Frashërit, kemi parcelizime sundonjëse: “Në Orosh të Mirditës, krejt pavarur, qeveriste Prengë Bib Doda; në Fier e Myzeqe, sundonte “qeveria” e Aziz Pashë Vrionit; në Elbasan, vepronte Aqif Pasha, në Lezhë e Shëngjin, Dedë Coku e Vat Marashi; në Shkodër, qeveriste një detashment i ushtrive ndërkombëtare nën kryesinë e kolonelit anglez, Filips; në Himarë qeveriste agjenti grek Spiro Milo; në Gjirokastër, qeveria e Jorgji Zografos; në Mat, Ahmet Matja dhe shumë grupe mercenarësh që vepronin përgjatë kufijve verilindorë, si: Arif Hiqmeti etj.”! (453)
Me gjithë dobësitë e tij, të njohura prej cilitdo, nuk mohohet, se për shkak të mungesës absolute të një udhëheqësi tjetër, Prengë Pasha, kishte fituar gjithnjë e më shumë autoritet jashtë Mirditës dhe në qytetin e Shkodrës. (454)
Ismail Qemali, deshi ta tërhiqte në Vlorë, me qëllim që mos t’i krijonte situata të pakëndshme ose të vështira në Shkodër, ku siç dihet Prengën, e kërkonin urgjentisht. Qemali, ishte gati t’i propozonte vendin vakant, të Nën kryeministrit, me qëllim që ta lidhte me Qeverinë Provizore. (455)
Por, duke ndjekur këshillat e Vjenës, Ismail Qemali, fillimisht hoqi dorë nga marrja e Prengës në Qeveri dhe në vend të kësaj, mendoi të krijonte një Komision për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Shqiptarëve, në të cilin të gjenin vend të gjithë krerët e vendit, që gjendeshin jashtë Qeverisë, që ata të kontribuonin, duke dhënë shërbimet e tyre në interesin e përgjithshëm. (456)
Politika austro-hungareze, ishte lëkundur përsa i përket qëndrimit ndaj Princit Doda. Në gusht të vitit 1913, Konsulli austro -hungarez Lejhanec, ishte udhëzuar që t’i propozonte Ismail Qemalit, futjen e Prengës në Qeveri, por gjërat ndryshuan dhe rezervat u shtuan, pas udhëtimit të Prengës në Paris, ku ai ishte pritur me vëmendje dhe nderime. (457)
Ka të ngjarë që pikërisht për këtë arsye, Ismail Qemali, të ketë menduar për ta spostuar disi boshtin e politikës së jashtme të Qeverisë së tij, në anën e bllokut tjetër të Fuqive. Kjo bëri që Petroviçi, t’i drejtohej Ismail Qemalit me vërejtje, por mori përgjigjen se; “ai si Kryeministër, kishte të drejtë të zgjidhte çfarëdo bashkëpunëtori që dëshironte”, duke dhënë kështu sipas vetë dëshmisë së Krajevskit, një provë tjetër mosnënshtrimi dhe pavarësie, kundrejt diplomacisë vjeneze. (458)
Mirëpo kjo solli ndërhyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në këtë çështje, i cili i kujtoi Qeverisë së Vlorës se; “kohë më pare, i kishte dërguar Qeverisë së Vlorës një notë të posaçme, me anën e të cilës i kërkonte, që të binte më parë dakord me Komisionin, pastaj të bënte ndryshime ose emërime të reja, në postet qeveritare. (459)
Diskutimi i angazhimit të Prengës në punët e shtetit, vjen menjëherë pas kthimit të tij nga mërgimi. Largimin jashtë, kundërshtarët e Prengës e quajtën faj, ndërsa miqtë, përkundrazi thonin se; “me këtë veprim, Princi ka ruajtur veten për ditë më të mira dhe për rivendikimin më të lartë, se nuk donte t’i jepte ndihmë Turqisë”. (460)
Duhet thënë se; përfaqësues të Qeverisë me Luigj Gurakuqin në krye, u takuan me Bibë Dodën, që në ditën e parë të kthimit në atdhe. Gurakuqi në këtë periudhë, përveç dikasterit të Arsimit, ishte i ngarkuar si Përfaqësues i Qeverisë për Veriun. Me 7 gusht, Prengë Bibë Doda erdh nga mërgimi në Shkodër, ku iu bë një pritje madhështore. Merrte pjesë; Abat Doçi, Peshkopi Bumçi, Dan Hasani, Luigj Gurakuqi, Filip Kraja, Et’hem Bej Vlora, Gjeçinto Simini, Palok e Zef Kurti. Radha e njerëzve fillonte në Bahçallëk dhe përfundonte te shtëpia e tij. (461)
Për ecurinë e punëve, pas kthimit të Princit të Mirditës, ishte i interesuar drejtpërdrejt Ismail Qemali. Luigj Gurakuqi, prej Shkodre, i dërgoi një telegram Kryetarit të Qeverisë, ku e njofton për pritjen që i bëri populli i Shkodrës, Prengë Bibë Dodës, me rastin e kthimit në Atdhe: “… Isha në Shëngjin, për t’i dalë përpara Bibë Dodës. Pritje entuziaste, i’u bë nga parësia e Mirditës, Kthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. E njëjta pritje, u bë mbrëmë në Shkodër. Imzot Doçi e Hil Mosi, kanë mbajtur fjalime të rastit, mbrëmë. Në gosti Bibë Doda, duke pasur në të djathtë Et’hem Benë, ka ngritur dolli për shëndetin tuaj dhe ka deklaruar mirënjohjen e tij, ndaj Qeverisë së Përkohshme. Unë e falenderova me anë të tij, bashkimin e tyre me Qeverinë tonë”…! Përshëndetje Gurakuqi. (462)
Në telegramin tjetër, Gurakuqi informon se; “prania e Bibë Dodës është shumë e vlefshme; për të çuar në vend punën time”. (463) Ai shpreh besim se punët do të shkojnë mirë, kur i shkruan Kryeministrit: “Besoj në një bashkëpunim me të; do të arrijmë menjëherë të vendosim marrëdhënie të ngushta, me këto vende”. (464)
Pak ditë më vonë, Prenga me Zef Skiroin, shkuan në Vlorë dhe patën bisedime me Ismail Qemalin. (465) Gurakuqi nuk gjendej atë ditë në Vlorë, pse kemi një telegram të tij, për Bibë Dodën, kur ai gjendej në Vlorë dhe sigurisht ishte takuar me Ismail Qemalin. “Me gëzim të madh, uroj ardhjen tuaj në Vlorë. Ardhja jote, qoftë fatlume për Shqipërinë”. (466) Me datën 8 gusht, Isamil Qemali i çon Preng Bibë Dodës një letër, ku bëhet fjalë për një takim në Lezhë, që do të trajtonte çështjen e bashkimit të viseve veriore, me Qeverinë e Vlorës: “Shpresojmë se me këshillat e zotërisë suaj, mbledhja e Lezhës do të marrë vendime me rëndësi”. (467) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- HHStA-PA-Vj, Telegram shifër i Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Kontit Berchtold drejtuar Ambasadorit austro-hungarez në Romë, Nr.prot.5841, Vjenë 27 korrik 1913
- HHStA-PA-Vj.23-12-1232, tepër konfidenciale, Cetinë 17 janar 1913.
- HHStA-PA-Vj.23-12-1282, Prej Von Merey, Romë 4 gusht 1913, Raport i Ambasadorit austro-hungarez në Romë Von Merey drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Telegram shifër 622, Romë 4 gusht.
- Kosta Novakoviç për Serbinë dhe invadimin nga Serbia, shih Zekeria Cana, Shpalime historike, f. 292
- Marenglen Verli, Shqiptarët nën optikën e diplomacisë austro-hungareze 1877-1918, studime, analiza, dokumente, botimet “Klean”, Tiranë 2014, f.19
- Zekeria Cana, Politika e Serbisë kundrejt çeshtjes shqiptare, f.352-353445. Zekeria Cana, Politika e Serbisë kundrejt çeshtjes shqiptare, f.351-366446. Letër e Ballugxhiç për Kryeministrin e Serbisë Nikolla Pashiç, shih Zekeria Cana, Shpalime historike, f.351
- Mithat Frashëri, letër mbi zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, 10 dhjetor 1912, Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Tiranë 1983.
- Telegram shifër i nënkonsullit Rudnay, nga vapori i Lloyd-it “Konti Wurmbrand” në lidhje me bisedën me Iamail Qemalin dhe deklaratat e tij për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Nr. 4568, Tel. Nr. 129, Durrës, më 22 nëntor 1912, Shqipëria në Dokumentet Austro-Hngareze (1912)Vëllimi VI, përgatiti: Marenglen Verli, Ledia Dushku, Botimet Albanologjike, 2012, Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë, Tiranë, f.282-283
- Telegram i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, adresuar ministrit të tij Berchtold, me informacion për përbërjen e Senatit provizor shqiptar, si edhe për përpjkjet e Ismail Qemalit për të afruar katolikët e Veriut, Tel. Nr. 72, Vlorë, më 9 dhjetor 1912, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912), Vëllimi VII, Qëndra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, përgatiti Marenglen Verli, Ledia Dushku, Tiranë 2014, f.34-36
- Sali Ajazi, Nikollë Kaçorri, Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, Tiranë 2002
- HHStA-PA-Vj. 23-15-1597. Nr. 6773, Vjenë më 20 gusht 1913. Telegarm i Kontit Bertold, Vjenë – Konsulli Majerhaueser, Shkodër.
- HHStA-PA-VJ. 23-30-3023. Ministri i Jashtëm Erental, Vjenë, Konsullit Zamabaur, Shkodër, Nr. 2677/Sekr. Vjenë, më 6 qershor 1913.
- Hilë Lushaku, Qeveria e Përkohshme e Vlorës 4 dhjetor 1912-22 janar 1914 (Jetëshkrimet e ministrave), botimet AlbPaper, Tiranë 2013.
- HHStA-PA-A-Vj,23-12-1281, Telegram shifër i Konsullit Zambaur drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Shkodër 6 gusht 1913
- HHStA-PA-A-Vj,23-12-1281, Telegram i Konsullit Lejhanec drejtuar Minsitrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Vlorë 2 gusht 1913
- HHStA-PA-A-Vj,23-12-1286, Telegram shifër No.89 i Konsullit austro-hungarez Lejhanec drejtuar Minsitrit të Punëve të Jashtme, Kontit Berchtold në Vjenë, Vlorë me 6 gusht 1913
- Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë 1978,f.491
- Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë 1978,f. 491
- Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë 1978,f. 492
- Marrë nga AMHSH, Fondi i AMPJ të Austro-Hungarisë, Vjenë 1914, f.473-479, artikull i gazetës “Shekulli XIX”, datë 8 shkurt 1914, me titull “Mirditasit dhe princi i tyre”.Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, f.641
- Shqipëria e Re, Nr.11, 10 gusht 1913, f.3
- Ismail Qemali, Prëmbledhje dokumentesh, botmet “Mësonjëtorja e Parë”, Tiranë 2002, f.339
- Arben Puto, Shqipëria politike, botimet “Toena”, Tiranë 2009
- Ismail Qemali, Prëmbledhje dokumentesh, botmet “Mësonjëtorja e Parë”, Tiranë 2002, f.309
- Përlindja e Shqypnies, 4 gusht 1913.466. AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 5, f.8
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016