Pjesa e dytë
Cili ishte Llazar Papapostoli?
Memorie.al . Lindur në Katundin Ziçisht – Bilisht, në maj 1915, i biri i Fotinisë dhe i Dhimitrit. Shkollën fillore e kryen në Ziçisht. Në vitin 1927–1930, punon në Tipografinë “CEKREZI” – Tiranë. Në vitin 1930, merr një bursë në shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Në vitin 1937, shkon në SHBA-ës dhe regjistrohet në Universitetin “ILLINOIS”, në degën e Shkencave Politiko–Shoqërore. Diplomohet në qershor të vitit 1941. Deri në janar të vitit 1942, i papunë. Më 5.1.1942, deri në qershor të vitit 1943, punon si sekretar i Shoqatës “Shqipëria e Lirë” dhe drejtor i gazetës “LIRIA” në Nju-Jork. Në qershor të vitit 1943, me ftesë të z. Fransis Calleny, shkon në Uashington, në O.S.S.
Nga shtatori 1943, deri më 21.10.1943, shkon me shërbim në Kajro, pranë O.S.S dhe në fund të tetorit në Bari të Italisë, në shërbim të O.S.S., si zëvendës i major Coon, deri sa erdhi Harry Fultzi. I vendosur në vilën “Azzon” si përgjegjës, jo vetëm i materialeve dhe pajisjeve, por edhe i anëtarësimit të shqiptarëve dhe instruktor leksionesh. Në fund të tetorit 1944, niset në Shqipëri, me Misionin Shqiptar pranë të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Bashkënxënës me Mehmet Shehun në shkollën Teknike të Fultz-it në Shqipëri, emigron në Amerikë në 1937-ën. Në vitin 1943, merr pjesë në O.S.S. ku dhe fiton pseudonimin “Larry Post”. “Larry Post”, ushtarak i shërbimit sekret amerikan, me pagë majori, ishte Llazar Papapostoli nga Ziçishti i Korçës, jeta e të cilit do të merrte një rrjedhë tjetër, sapo ai vendosë të kthehet në Shqipëri në vitin 1944.
Për herë të parë ka folur në shtyp, bashkëshortja e Llazar Papapostolit, për jetën në fermën “Çlirimi”, në kampin e të internuarve në Shtyllas të Fierit. Si vdiq “Llary Post”, dyshimet e gruas për vrimën pas koke, ç’kërkonte hetuesia nga Liza pas vdekjes së Mehmet Shehut?! Çfarë thanë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, për majorin e shërbimeve sekrete amerikane?!
Liza Papa (Papapostoli), një grua simpatike, me trup të vogël, komunikon përsosshmërisht saktë, me logjikë të pastër larg ekstremiteteve, ndaj 74 vitet e moshës së saj nuk duken. Në banesën pranë Gjykatës së Tiranës ku ajo jeton, rregullimi i së cilës prek antiken me modernen, ajo të pret pa kurrfarë droje. Thotë me të qeshur se shijet për përdorimin e drurit dhe të pikturave kudo nëpër shtëpi, ishin të djalit Rudolfit dhe nuses së tij. Mbesë e Kasnecëve dhe bijë e Labove, provon dhimbjen më të fortë, kur në vitin e fundit të Pedagogjikes, së bashku me dy-tre shokë të tjerë, provoi të përjashtohej nga shkolla.
Ishte koha kur BRASH-i udhëhiqte lëvizjen kundër të rinjve që vinin nga radhët antikonformiste. Jolanda Labo (Liza Papa), me baba të dënuar me burgim të përjetshëm, me vëlla të burgosur, Llambron, gjatë stuhisë së arrestimeve në 1953-in, pas vdekjes së Stalinit, nis të ndihmojë të ëmën, duke punuar më makinë qepëse në banesë. “Kjo për të mbajtur familjen, pasi babai jo thjesht u dënua me burg të përjetshëm, por i morën gjithçka kishim, pasurinë tonë”, – thotë Liza.
Në fund të vitit 1956, ajo bëhet gruaja e “Larry Post”, oficerit të shërbimeve sekrete amerikane, i cili prej afro një viti doli nga burgu i Tiranës, ku qëndroi 10 vjet i dënuar, tetë nga ato i izoluar në qelinë numër 1. “Kisha dëgjuar për një amerikan, i cili kishte mbetur dhe futur nëpër burgje, aq sa informacion mund të merrnim ne në ato vite, brenda rretheve tona. Krijova bindje për një mashkull të zgjuar dhe sigurisht me bindje demokrate, ashtu siç isha unë, ashtu siç ishte familja ime. Ndaj, kur erdhi në shtëpinë tonë dhe, pasi e njoftova tim vëlla kur shkova në Zadrimë, ku po ndërtohej kanali i fushës nga të dënuarit, vendosa përfundimisht”, – kujton Liza.
Kështu, Liza Papa futet në jetën e njeriut me karrierë të shërbimeve sekrete amerikane, ndërton familjen me dy fëmijë në internim, të përndjekur e të survejuar nën presionin e skenarëve të asaj kohe. Jeton me “Larry Post” deri në fund të jetës së tij në Shtyllas të Fierit, atje ku ajo thotë se e vranë. Çfarë mësoi Liza nga burri i saj, “Larry Post”, apo Llazar Papapostoli, cila ishte jeta që ajo bëri në fermën “Çlirimi” pesë vjet dhe më pas në kampin e të internuarve në Shtyllas të Fierit. Kush e takonte “Llarry Post” dhe si vdiq ai, pse Liza u mor në pyetje nga hetues të Fierit dhe të Ministrisë së Brendshme pas vdekjes së Mehmet Shehut, kur po gjykohej Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu?!
Pse Ramiz Alia për “Larry Post”, tha se është lënë i lirë, ndërsa në kujtimet e Nexhmie Hoxhës, oficeri i shërbimeve sekrete amerikane ishte ekstraduar në Amerikë. Dyshimet, faktet rreth njohjes dhe jetës me Larry Post, i tregon bashkëshortja e tij.
Zonja Liza, si u njohët me burrin tuaj Llazar Papapostoli (Larry Post)?
Kisha dëgjuar për një amerikan me emrin “Larry Post”, që nuk ishte lejuar të kthehej dhe mbahej në burg. E mendoja një mashkull inteligjent, të edukuar, me parime demokratike, parime, të cilat bënin pjesë tek unë dhe në familjen time. Pra, tek unë ky person ishte bërë i njohur mbi bazë informacionesh që merrnim ne në rrethet tona, ku diskutonim për situatën politike në ato kohë dhe shumë gjëra të tjera. Familja ime po ndëshkohej, babai më ishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe vëllai gjithashtu i burgosur, një njeri që u përjashtua i pari nga shkollat shqipe për ide antikonformiste.
Në këto kushte, ndodhi dhe vizita e Llazit në shtëpinë time, pasi kishte patur njohje me Llambron, (vëllain tim) në burg. Vendosa të martohesha me të pa asnjë kurrfarë pendese, i tregoj familjes dhe kjo u vendos. Ndërkohë, Llazin e kishin detyruar të ikte në fshatin e tij në Korçë, në Ziçisht, por dhe prej aty e dërguan në internim në fermat e Fierit, ku tentuan sërish t’i vinin të njëjtën akuzë, për të cilën e mbajtën në burgun e Tiranës. Jeta ime bashkëshortore, ku lindën dhe dy fëmijët, vajza Greiss dhe djali Rudolf, filloi në fermën “Çlirimi” dhe u mbyll në Shtyllas të Fierit, si të internuar brenda një dhome, tre me katër.
Kur ju u martuat çfarë të tregoi më tepër “Llarry Post” për jetën e tij jashtë dhe brenda vendit?
Në raste të rralla ndodhte që ai mund të më fliste për ndonjë gjë. Unë, sigurisht mësova se ai që 10 vjeç, ishte sjellë te Fultzi, nga një dajë e tij, i cili i tha ta provonte. Nëse Llazi do të ecte, ai do ta linte në shkollë, në të kundërtën, do ta merrte më pas për tri ditë. Por ndodhi që Fultzi i tha; “A ka nxënës të tillë, të tjerë”? Këtë ma ka treguar vetë burri. Në Amerikë merret nga xhaxhai i tij dhe Kosta Çekrezi, figurë shumë e njohur, e bën Llazin drejtor të gazetës “Iliria”.
Në Amerikë diplomohet në Universitetin e Ilinois, në degën e Shkencave Politiko-Shoqërore. Vendos të kthehet në Shqipëri në vitin 1944, për të cilën ai mua më ka thënë, se hoqi dorë nga puna për të vazhduar në vendin e tij. Por nuk e lanë më të kthehej, ndërkohë që ai merrte mesazhe se do të vritej dhe e arrestojnë në vitin 1946. Për Llazin mund të flasësh shumë, por varet se çfarë ju kërkoni.
Si ishte “Llarry Post” si bashkëshort?
Për këtë drejtim do të flas me kënaqësi. Edhe nëse situatat do të ishin ndryshe, nuk do të kisha patur shansin të njihja një burrë si ai. I edukuar, inteligjent, që nuk ankohej kurrë dhe shumë punëtor. Brenda mureve të dhomës time, kam bërë një jetë të çmuar. “Llarry Post” ishte vërtet një burrë dhe një bashkëshort i mrekullueshëm.
Burri juaj qëndroi dhjetë vjet në burg, 8 vjet i izoluar në një qeli. A mësuat ju gjë pse ndodhi kjo?
Tashmë pas ndryshimit të sistemeve, janë mësuar shumë më tepër nga ç’dinim në atë kohë. Por unë po tregoj ato pak gjëra, të cilat m’i ka treguar ai. Madje, në një rast nga torturat në qeli ka arritur të presë dhe damarët e duarve, tentoi të vetëvritej. Vonë i ka ardhur zëri, pasi siç më tregonte Llazi, i futnin në fyt dru, aq sa i dëmtuan kordat e zërit. Ishte koha kur Koçi Xoxe i kërkonte të fliste kundër Enver Hoxhës, se gjoja “Llarry Post” ishte i dërguari i Shërbimeve Sekrete amerikane. Ai ka folur dhe vetë në hetuesi, se ç’pozicion legal kishte me O.S.S.-në dhe pse kishte vendosur të vinte në vendin e tij.
I kërkonin të linte nënshtetësinë amerikane dhe Llazi mua më ka thënë se atë nuk e pranova dhe se ata donin një gjyq anti-amerikan. Kjo gjë i ndodhi dhe pas burgut në Korçë. I inskenuan sikur Llazi do të arratisej dhe nisën sërish të njëjtën mënyrë presioni, që i kishin bërë në burg. “Nëse do të vazhdoni kështu, do të merrni po ato që keni marrë kaq vite nga unë. Dhe, në qoftë se nuk hiqni dorë, më pushkatoni më mirë”, – më ka treguar Llazi. Atëherë, Dega e Korçës, vendos ta internojë në Fier, përafërsisht me të njëjtat akuza që u fut në burg; nga pjesëmarrja në organizatën terroriste fashiste e, deri tek ato për atentate ndaj drejtuesve të pushtetit të asaj kohe.
A ju ka folur ndonjëherë bashkëshorti për politikën dhe udhëheqësit e asaj kohe?
Jua theksoj dhe një herë, Llazi fliste shumë pak dhe në asnjë rast për tema që mund të na krijonin më tepër probleme, atje ku ishim. Por mbaj mend se një ditë më tha: “Këta janë një tufë ujqër, që do të shqyejnë njëri-tjetrin”. Kështu ndodhi dhe unë shpeshherë e mendoj se kur Llazi ma tha këtë, pak mundësi analize për situatën mund të kishe.
Kthehemi te vdekja e “Llarry Post”, si ndodhi?
Llazi ose siç njihet “Llarry Post”, u vra, nuk vdiq. Pse do të thoni ju?! Unë po u tregoj atë çka di dhe atë ç’ka kam mësuar rreth kësaj ngjarjeje. Atë ditë kisha për të punuar larg në arat me oriz në Bashtov. Mbaj mend se Llazi kishte gatuar kërpudha dhe unë duke e ditur se ishte për rrugë, i thashë; do ta marr unë këtë ushqim. Ai gatuante shumë mirë, ishte specialist, pasi njihte mirë fushën e bujqësisë, kryesisht perimet dhe mund të sajonte çfarëdolloj pjate ushqimi. Në Amerikë kishte shokë çifutë dhe si beqar, mësonin për të jetuar vetëm, por unë merakosesha për të. Një natë më parë, Drita Kosturi i kishte thënë se do të shkonte edhe ajo në Pojan të Fierit, për të bërë ndonjë pazar të vogël.
Më vonë marr vesh se ajo nuk kishte shkuar. Ishte ora dhjetë e paradites, kur më dërguan fjalë se Llazi ishte në spital. Mendova se mos kishte ndonjë problem me zemrën, pasi një vit më parë, ishte futur në një kafe aty në fshat dhe sapo dikush i kishte dhënë një cigare, pati probleme serioze. Dhe unë vazhdimisht isha e shqetësuar për këtë fakt. Rrugës kur po kthehesha, një grua më ngushëllon. Aty mora vesh se Llazi kishte vdekur. Kishin bërë gati shtëpinë, kurse nëna ime shkoi për ta veshur, pasi ishte më e zonja në këtë drejtim. Mbaj mend se kur më kthyen rrobat, xhupi i tij që ishte gjetur aty ku kishte vdekur, ishte gjithë gjak.
Unë i lava të gjitha dhe i palosa. Sot jam bërë pishman për këtë. Të paktën të kisha atë xhup për kujtim, ta kisha mbajtur…! Kur vjen nëna në shtëpi më tregon se pas koke Llazi kishte një vrimë. “Kur e ngrita për ta veshur, në fund të kokës kishte një vrimë, ku m’u fut gishti”, më tha ajo. Atëherë menduam që ai ishte i vrarë dhe jo ashtu siç na thanë, që vdiq nga infarkti. Vendi ku vdiq në të dalë nga Pojani për të shkuar në Shtyllas nga mali, ka një pjesë që kalon pranë perit dhe është me ulje e ngritje. Në kthim, Llazi ishte parë të futej në atë tip lugine, por jo të dalë. Atë moment na kanë treguar të tjerët, kishte kaluar vetëm një burrë me biçikletë. Ai njeri nuk doli dhe nuk u shfaq asnjëherë, as unë nuk e kërkova.
Mund të ketë qenë dhe personi që mund ta ketë qëlluar. Mbaj mend se, Remzi Ndreu më tregoi se kur kishte shkuar te vendi vetëm pak kohë pasi kishte vdekur Llazi, aty kishte gjetur njerëz të degës, të prokurorisë. “Sikur kishin mbirë nga dheu”, më thanë. Ç’të të tregoj më tepër për atë ditë. Ah, m’u kujtua kur e nxorëm trupin për ta varrosur, pashë fytyrën e sforcuar të Llazit, ku proteza i kishte lëvizur. Kjo më bëri përshtypje për momentin. Më pas është diskutuar gjatë dhe unë jam e bindur se atë e vranë.
A dini gjë për letrën që Larry ia kishte dërguar Hasan Reçit dhe u gjet në kasafortën e Mehmet Shehut, pas vdekjes së tij?
Mua, Llazi nuk më tregonte me detaje. Por mbaj mend që njëherë më tha se, kur Hasan Reçi e kishte parë atë në Tiranë, ishte trembur. “Ç’bën këtu Llazi, do të vrasin“, i kishte thënë Hasani. Ai më tregonte se ky njeri ishte shumë i trembur, gati për vdekje, por nuk e njihja fare atë person, i cili ishte pushkatuar. Letra Hasan Reçit i erdhi nga Bari, kohën kur Llazi ishte zëvendësi i Fultzit. Mbase pikërisht për këtë letër, ai duhej të bëhej në atë gjendje. Më vonë mësuam se kjo u gjet në kasafortën e Mehmetit. Po ashtu, pas vdekjes së Mehmetit, më marrin në pyetje.
Kush ju mori në pyetje dhe çfarë kërkonin nga ju?
Pasi vdiq Llazi, unë bëj kërkesë për t’u larguar nga Shtyllasi e për t’u bashkuar me familjen time në Rrogozhinë, aty ku më rrinin dhe fëmijët. Ma dhanë lejen, por pa të drejtën për të marrë shtëpi. Mbaj mend se pas vdekjes së Mehmetit, ose më saktë, kohën kur filloi gjyqi për Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun, më thërrasin në zyrën e kryetarit të Komitetit të Rrogozhinës. Aty më merr në pyetje një i Degës së Fierit, që unë e njihja më parë, sepse merrej me të internuarit, Basri e kishte emrin, nga Shkodra.
Më thotë: “Kur ke ardhur në Rrogozhinë? Pse thua vdiq Llazi? Ke parë të huaj të takoheshin me të, apo jo”? Sigurisht, unë do të tregoja ato që dija, por nuk po kuptoja se ç’po ndodhte. I thashë, se; ku ka të huaj në internim, por ai më foli për një kosovar. Ai nuk quhet i huaj i thashë, ndërsa ai më pyeste. Mua më kishte treguar Llazi, se një oficer i Sigurimit, kishte vajtur dhe i kërkonte shalqi në emër të Mehmet Shehut.
Po mund të kërkonte Mehmeti shalqi prej “Llarry Post”!? Dhe Llazi më tha: S’po më lë rehat qeni! Kthehemi te ky Basriu, që në fund tha këtë gjë: S`na ndihmove, burri yt kishte një vrimë në kokë. Pastaj iku…! Herën e dytë më vjen një i Ministrisë së Brendshme, një burrë i shkurtër. Nuk e njihja, edhe ai bëri të njëjtat pyetje, por jo që të më thoshte si Basriu, që Llazi kishte një vrimë pas koke.
Në shtyp del se, Ramiz Alia në gjyqin e Kadri Hazbiut, foli për letrën, sikurse tha se “Larry Post” ishte lënë i lirë. Kurse Nexhmie Hoxha në librin e saj të fundit, ka thënë se Post është ekstraduar. Ju ç’mendoni për këtë?
Edhe unë i kam lexuar. Besoj se ata vërtet nuk mund të kenë ditur gjë se ç’ndodhi me “Llarry Post”, se nuk ka sesi të bëjnë një deklaratë të tillë! Djali im, Rudolfi, i ktheu përgjigje në shtyp Nexhmies për këtë gjë, por ajo nuk reagoi. Kjo është e tmerrshme, “Llarry Post” u dënua me burg, u torturua, u internua, u vra dhe nga sa lexojmë, Alia dhe Hoxha e dinin të kthyer në Amerikë!
GJENDJA E SHQIPËRISË -MARRËDHËNIET SHQIPËRI-SH.B.A.
Që në mesazhin e parë të këtij materiali (telegrami 711.75/ 1-2046 të datës 29 janar 1946), Xhejkobs i shkruan Sekretarit të Shtetit (në vazhdim me sa kuptohet edhe të mesazheve të mëparshme) se: “…. Unë paraqes ndjenjën jo shoqërore në rritje të regjimit këtu, kundrejt SHBA”-së. Ai ve në dukje se: “Për prestigjin tonë ndaj sovjetikëve, në Shqipëri po zhvillohen aktivitete të ndryshme”. Në të theksohet se; “Legata Sovjetike është e plotë, pothuajse të gjithë pjesëtarët janë këtu së bashku me gratë e tyre, se ata jetojnë në pesë shtëpi”….
“Këta nëpunës, kryesisht ushtarakë, shikohen shpesh në vende publike me zyrtarë shqiptarë… “se: “Në qytet ka edhe shumë sovjetikë, që thuhet se janë teknikë ( … janë disa qindra )…. Dhe priten të vinë tjerë……”! “…. Brenda vetë qeverisë po del në pah një grup pro jugosllavëve dhe sovjetikëve….! Për të orientuar Kushtetutën e re sipas vijës sovjetike. Kjo ka ngjallur një frymë opozite midis radikalëve moderues… Grindja shkaktoi arrestimin e anëtarëve të të ashtuquajturës opozitë, si Kokoshin, Asllanin dhe Larry Post (alias Llazi Papapostoli)…
Lidhur me këtë Enver Hoxha shkruan: “Ende pa u çliruar Shqipëria, kishte ardhur nga Amerika një farë Llazar Papapostoli, me emrin e amerikanizuar “Llary Post”. Ky do shërbente si Këshilltar politik pranë misionit amerikan dhe në të njëjtën kohë, do të lidhej me agjentët e vjetër për të hedhur bazat e para të grupeve të spiunazhit e të sabotatorëve. Por këto grupe morën formën e organizuar, sidomos me ardhjen në mars 1945 të Mr. Fultzit, i cili e mori vetë drejtimin e tyre. (faqe 390)…. “Këto synime i pohuan vetë këta armiq para gjyqit, vetë ata pohuan botërisht, se selitë e misionit anglo-amerikan, ishin shndërruar në ofiçina ku kurdiseshin komplote, atentate e sabotime, ku hartoheshin plane për sulme të armatosura e për zbarkimin nga jashtë (faqe 390)…! Memorie.al