Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tridhjetedy
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Ndërkohë që unë po zbritsha shkallët mes dy policëve që më mbajshin për krahësh, për shumë koinçidencë, po edhe për shumë ironi, pikërisht në atë orë të vonë kur unë isha ma shumë kufomë se i gjallë, po shikojsha me çudi e përbuzje nji ish-bashkënxënës me mue dy vjet ma parë, njifarë Ç. D., që i veshun spic edhe në atë rast, me pallto të zezë, pantoll sport, këpucë alpine e nji çadër te mbështjell si bastun, sapo merrte drejtimin e shkallëve për t’u ngjitë me raportue për çfarë kishte pa e ndigjue ndër ato ditë, e pse jo, edhe për dy vjet ma parë, kur ai kishte qenë në nji klasë me ne, kohë kur disa herë kishim ba së bashku edhe shëtitje nëpër pjacë. Në majë të gjuhës e pata nji fjalë për të, por ai, i zanun ngusht, sa më pa, me krye për tokë dredhoi e u zhduk me të shpejtë diku aty poshtë.
Si mbas urdhrit të marrë, policët me çuen në birucë, ku më hoqën edhe rrobat që kisha pasë veshë, tue më lëshue mbi çimenton që duket se e kishin lagë pak ma parë dhe u larguen tue më lanë thuajse lakuriq në mes të birucës me vetëm në brekë e çorape të gjatë leshi që ishin krejt gjak e të ngjitun për lëkurë të gjunjve e poshtë prej goditjeve të çizmeve të Sirri Çarçanit. Ende pa pasë mbyllë mirë portën policët, nga të ftohtit e dobësia e madhe fizike, e sidomos prej torturave të asaj nate, i gjithë trupi im, si me korrent, u përfshi përnjiherë prej nji vale të pandalshme të dridhunash të forta, aq të forta, sa ndigjoheshin edhe jashtë e kur edhe seriozisht mendova se ma në fund po vdissha.
Nga të dridhunat e forta që veprojshin jashtë çdo kontrolli, goja grinte si motor. E vetmja gja që do të kujtojsha deri në momentin para se të bijsha pa ndjenja, ka qene fytyra e shfaqun në sportel e oficerit nga Dibra, që duket se na kishte ndjekë përmbrapa, si edhe kur ai, tue vrapue nëpër korridor, pat përsërite dy-tri herë me za: “Po vdes, po vdes”! Që nga ky moment, unë s’di ç’mund të ketë ndodhë ma tej me mue.
Nuk di nëse m’u dha ndonji ndihmë urgjence mjeksore, siç do të më ndodhte ndonj herë në të ardhmen. Kane qenë dhimbjet e plagëve, që tue me pasë djegë si zjarr, ato që mbas disa orësh gjumi, të më zgjojshin e të bajshin që unë të shifsha veten me shumë çudi brenda nji dysheku e pa pranga ndër duar, kur edhe krejt papritun, do të provojsha për herë të parë se nji paqe e nji lumtuni, lumtuni vërtetë supreme, bashke edhe me nji mall që s’ka të treguem, do të më pushtojshin menjiherë. Në çast, do të më dukej se edhe vetë jeta, e sakrifikueme deri pak ma parë, se po më buzëqeshte e premtonte se nji ditë, nji ditë do t’isha përsëri mes njerëzve të mi ma të dashtun e me plane për jetën si dikur.
Tue besue se torturat me aq kishin marrë fund, e pa më shkue mendja se ato mund të më përsëriteshin ma, para meje do të vërshojshin përfytyrime mbas përfytyrimesh me njerëzit e gëzuem të shtëpisë, e me shokët krenarë për mue e gjithçka tjetër të mirë. Si i vdekun që isha për gjumë, pavarësisht dhimbjeve e përcëllimeve të trupit, e pa u mendue se kush të më kishte zgjidhë prangash e futë në dyshek, fjeta përsëri e s’u zgjova veç kur në nji vakt të paradrekës, prej sportelit, po më thirrte në emën nji i njohun i jonë, që më duket se punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme Tiranë, që i shoqnuem prej Shaban Saitit, nuk thonte tjetër, veç shprehte çudinë e madhe që më shihte aty e thonte: “Ahmet Bushati, këtu! Ahmet Bushati”?! kushedi sa herë me radhë.
Në drekë më futën edhe sofertasat me gjellë. Mbas nji pushimi prej disa orësh që kisha ba e mbasi kisha pi dhe ujë, po ndjejsha uri. Deri në mbramje do t’i jepsha fund të katër safertasave që ditë përditë m’i kishte pasë sjellë familja e që unë, q’prej njëmbëdhjetë ditësh, nuk i kisha pa me sy.
Etja, përsëri nji etje e madhe, m’u kthye gjatë ditës. Për fat darka erdhi me shi të madh, aq sa për herë të parë po zbritshin prej sipër tavanit në birucën time, currila të hollë uji të pistë në ngjyre kafe të mbylltë, të cilat unë i pritsha poshtë në tasat bosh, tue mos lanë që të më humbte as edhe nji pikë prej tyne. Me kursim të madh, nji pjesë të vogël të ujit do ta përdorsha për me pastrue pak nga pak fytyrën nga bloza e gjaku që ishin ngri në te, dhe jo pa dhimbje të ngjitsha pjesë-pjesë flokët e kapun fort për lëkurë të fytyrës, kurse pjesën ma të madhe të ujit, me ngjyrë disi ma të çelun, ta pijsha ashtu siç ishte.
Do t’u çuditsha shumë kur nga urinimi i shpeshtë, në krye të jo ma Shumë se dy ditëve, të vërejsha se kofshët e mia, deri ateherë aq shumë të enjtuna, do t’u kthejshin aq shpejt në dy skelete tepër të hollë. Do të kalojshin eche shumë ditë tjera derisa unë të muejsha me hjekë prej kambëve çorapët e gjatë prej leshi që ishin ngjitë e ba nji me dreckat e mëdha të plagëve. Këmisha gjithashtu, gjithë njolla gjaku.
Kështu qe mbyllë ky cikël i parë torturash, megjithëse kishte pasë qenë fillimi, sepse të tjerë edhe ma të vështirë, do të m’u donte me përballue në të ardhmen. Më thirri si m’kot hetuesi nga Dibra, si të donte me tregue se cili kishte kenë në të vërtetë. Kishin kalue mjaft ditë që unë nuk isha thirr në hetuesi, derisa në nji mbramje, kund mbas nja tri javësh qetësie, u ndodha përsëri në zyrën e hetuesit nga Dibra e Madhe. Si edhe ma parë, sapo zuna vend në stolin e përhershëm para tryezës së tij, drejtova sytë kah kalendari i varun nalt në mur, përmbas shpindet të hetuesit, e pashë se ai, për atë ditë, shënonte 25 mars 1948!
Mbramja ishte e butë. Edhe vetë hetuesi, si për prenverë, ishte veshë me rroba civile në ngjyrë gri. Kishte vue kravatë ngjyrë portokalli të fortë e, veshë këpucë të reja në ngjyrë si të kravatës, që po i shkëlqejshin si pasqyrë. Megjithatë, në kundërshtim me kohën e mirë e veshjen e tij të bukur, ai vetë po u tregonte shumë i shqetesuem, gja që ia tregonte fytyra, qëndrimi i tij në kambë, (përgjithësisht pranë dritares), e do lëvizje si shumë të nxitueme për nji sipërfaqe që kishte ajo zyrë e tij e vogël, që në mënyrë të dukshme shprehshin padurimin e tij, shtue këtyne edhe nji heshtje të tij të plotë gjatë gjithë kohës, që do të më mbante aty, pa më pasë drejtue qoftë edhe formalisht makar nji fjalë.
Thirrja e ime, si e pakuptimtë, me që në atë rast s’kishte të bajë me detyrën e tij të hetuesit, por qe si objekt “rezervat”, që na kishin për çdo gja, besoj se atë dite duhej t’i shërbente ndonji aventurës së tij tinzare…! Më shkonte mendja që ai të më kishte thirrë për të maskue ndonji aventurë “të vockël” dashurie me ndonji prej atyne femnave të “besueshme”, që detyra, si mbas rastit, i lypte edhe natën.
U befasova dhe u çudita shumë kur ai, pa me pasë drejtue as edhe nji pyetje deri atëhere, nisi të më binte. S’po kuptojsha asgja, e ndërkaq, bashkë me çudinë, po provojsha shumë neveri për falsitetin e ndonji qëndrimi të tij të maparshëm me mue, disi i ndryshëm prej kolegëve të tij. Ideja se s’mund të kishte hetues të Sigurimit që t’mos ishte i pabesë e, me shpirt të lig, qetësoi disi revoltën që më vlonte përbrenda.
Mbas katër-pesë herësh që me pat ra me shqelm për nën gju, këpuca e tij e re u hap si gojë e keqe, gja që atë e zemroi edhe ma shumë, fytyra iu nxi e nisi të turfullojë, tue me fajsue mue si shkak të asaj “fatkeqësie”! Mërzi dhe fytyra e rreme e nji xhelati.
Prej periudhës së dimnit me tortura të pandërpreme, unë kisha dalë mjaft i lodhun e i dobsuem. Duket se hetuesit e “meçëm” kishin vendosë që gjatë pranverës të më lejshin të qetë, për të marrë veten. Kështu që mbas kalimit të disa ditëve pa tortura, edhe pse me dyshek e ushqime të përditshme, nisa të mërzitesha. Qelia me pandryshueshmërinë e saj mbytëse, ashtu e errët siç ishte, ku edhe dita me natën s’po ndryshojshin mes tyne, do të vinte nji ditë që të më bahej e padurueshme, si t’ishte nji vorr i vërtetë.
Aq me ngadalë po me rridhte ajo kohë e vdekun brenda asaj biruce të braktisun deri edhe nga ata që më kishin futë brenda saj, sa pata fillue me folë edhe me vete, kështu që, ku me gjeste e ku me za, disa herë gjatë ditës do të shfryjsha padurimin tim, tue thanë: “Të bahet ç’të bahet, veç kjo gjendje e rreme të marri fund”!
E nji gjendje e tillë ndodhte në koincidencë me ardhjen e pranverës, të cilën unë e kisha kuptue prej korridorit që kishte ma shumë dritë se përpara, prej plloçave të zeza me lagështinë mbi çimento që kishin nisë me u tha, aq edhe prej ndonji gjumi të mbas ditës prej të cilit do të çohesha i lamë në djersë. Veç sa ma sipër, pasditeve e deri me ndonji orë natë, po ndigjojsha zane të gëzueshëm fëmijësh që luejshin diku jo larg burgut tonë.
Pikërisht në nji ndër këto ditë, në nji kohë që sapo kisha ngranë drekë, me qe shfaqet për herë të parë në sportelin tim nji oficer me pamje të rregullt e paqësore. Tiparet e buta të fytyrës së tij, mungesa e kapeles së bezdisshme mbi kryet e tij me flokë valë-valë, si dhe toni i butë i atyne pak fjalëve që shqiptoi, dhe së fundi, edhe një shikim i tij mjaft i qetë, me banë me besue se ai mund t’ishte nji njeri i mirë e, me shkollë.
Para se te kalonte në sportelin e birucës tjetër, ai më pyeti: “Ke ba proçes ti”? “Jo” -iu përgjegja unë. “Mendohu mirë po re në dorën teme”! – tha ai e u largue, ndërsa unë, që po i besojsha aparencës së tij gati “engjëllore”, si me nënqeshje, thashë me vete: “Po ku ta marr unë, që të biej në dorën tande”!
Kishte pasë kenë “fytyra e rreme” e vetë xhelatit Xhemal Selimi! Nji seancë e shkurtë hetuesie, por speciale. Duhet t’ishte ba natë qysh nja dy orë ma parë, kur polici me urdhën të shefit, më dorëzoi në zyrën e tij. Aty po me priste në kambë shefi Lilo Zeneli, bashkë me atë oficerin “e mirë” që më kishte vizitue rreth tre-katër ditë përpara. Para se të merrsha djathtas, ku më priste nji stol, më shkuen sytë te nji kërbaç i gjatë e i plotë që pushonte mbi tryezën e shefit, si edhe te nji shkop i shkurtë dhe i trashë pranë tij.
Ende pa u ulë në stolin tim, po më hiqte vërejtjen edhe toni i naltë i radios, që parakohe po ushtonte si tepër, me qëllim që të mbyste britmat e mija të mundshme, porsa korrenti të fillonte punën e vet ndër veshët e mi. Ndërkohë, unë i fola shefit që qëndronte përballë meje: “Radios mund t’ia ulni zanin, se unë nuk bërtas” dhe ndërkaq, unë pashë si Lilo shikoi në sy me nji nënqeshje tinzare oficerin Xhemal Selimi, që qëndronte në kambë mbas meje, me fijet e korrentit ndër duar.
Ata, si eksperiencë që kishin, radios nuk ia ulën tonin, e mirë banë, sepse unë, ashtu si s’e pata mendue, nuk do t’i shpëtojsha do britmave që do të konsistojshin në nji rresht të zgjatun “o”-shë, që instinktivisht do të më dilshin nga goja, sa herë që dridhjet e forta të korrentit të ma çojshin trupin “për hava”!
Nuk më patën këshillue dhe as kërcënue, si zakon që e kishin para se të fillojshin torturën me nji të burgosun. Shefi Lilo, tue shfrytëzue eksperiencën e hetuesve tjerë me mue, nuk do të kishte ma kohë me humbë. Edhe Xhemal Selimi, prandaj ishte thirr aty, që vetëm të vepronte e me goditje të përqendrueme. Lilo-ja mbante ndër duar nji gjenerator në trajtë kubike, i ngjashëm me nji mulli bloje orizi, kurse Xhemali përmbrapa, rrotullonte rreth veshëve të mi fijet e korrentit.
Sa kohë që unë u ndodhsha i ulun në stol, Lilo-ja mbas çdo sekuence korrenti, tue shpresue në dorëzimin tim, do të ndalonte dorezën e gjeneratorit e të më pyeste: “Hë, a po t’mbushet mendja”? dhe sapo merrte prej mejet përgjigjen negative, vazhdonte me korrent si ma parë.
Në vazhdim të korrenteve të njimbasnjishëm, unë do të kisha braktisë përfundimisht stolin, -ku fillimisht isha ulë – e, si mbas ritmit korrentit, po rrëshahesha rreth e rrotull dyshemesë së zyrës, tue u hedhë përpjetë si nji top lastiku, sa herë që Lilo-ja shtonte voltazhin në gjenerator, ndërkohë që buzët, në sintoni me frekuencat e valëve të korrentit, t’u përplasshin mes tyne tue u dridh shumë e goja e mbushun me shkumë, të lëshonte prej dy anëve të saj jargë të bardha.
Ndërkohë që Lilo-ja vazhdonte punën e vet pa folë, Xhemal Selimi bërtiste aq shumë, sa t’mos ishte toni i naltë i radios, me u ndie edhe në rrugë të madhe e përtej. Dikur Xhemal Selimi, për t’i dhanë fund punës me mue, mori edhe kërbaçin, me të cilin do të më binte fort e ku të mundte, ndërkohë që unë, prej korrentit të fortë e të vazhdueshëm, t’u hidhsha andej e këtej nëpër dysheme.
Kjo torturë e dyfishët, me ndërprerje fare të shkurta, sado e vështirë që ishte, nuk po u jepte rezultatin e pritun dy trimave që po mundojshin egërsisht nji të ri. Nga kjo gja, xhelati i papërmbajtun Xhemal Selimi, që s’pushonte asnjëherë së bërtituni si t’ishte bishë e jo njeri, në nji kohë hodhi diku kërbaçin e muer nji dru të fortë, me të cilin do të më binte sa të mundte e ndonjiherë pa me kursye as kryet, ndërkohë që korrenti vazhdonte punën e tij ndër veshë. Në këto çaste, ashtu si nji muaj ma parë, mbas torturash me Siri Çarçanin, përfundimisht unë rashë pa ndjenja, tue mos ditë atëherë e asnjëherë se çka pasë ndodhë me mue ma gjatë!
Nuk do ta dijsha nëse ata me atë rast, të kishin thirr mjekun ose infermierin që unë t’mos u vdissha për pa pasë ba proçes, e nuk do të dijsha sa kohë kishte kalue deri atëherë kur unë, për ndonji çast, do të shifsha mjaft turbullt veten para derës së birucës time, e Shurdhën që bashkë me nji polic, po më futshin brenda plaçkat e fjetjes, që m’i patën hjekë tre-katër orë ma parë e, gjithashtu tue më çue peshë edhe mue.
Vetëdijen e plotë unë do ta fitojsha diku kah gjysa e dytë e natës, kur të bajsha me fjetë e t’mos mundsha prej dhimbjeve të plagëve që më kishte shkaktue në trup e krye shkopi i Xhemal Selimit, si edhe prej fshikave të mëdha ndër buzë, që prej korrentit më digjshin si zjarr. Më dhimbshin edhe veshët, e i majti rridhte gjak, për të mbetë q’prej atij rasti i damtuem për të gjithë jetën.
Kjo torturë e ushtrueme mbi mue prej qytetarit Lilo Zeneli, – qe për profesion kishte pasë atë të kasapit – e prej nji malsori si Xhemal Selimi – që priste me u qytetnue përmes punës së xhelatit- ndonëse nuk pat zgjatë shumë, do të ishte tortura ma e përqendrueme e intensive që unë kisha provue aty deri në atë kohë, por ndoshta jo ma e vështira, tue pasë parasyshë atë me Sirri Çarçanin.
Kështu pra Lilo Zeneli nuk po vazhdonte ma “me dhanë shfaqje” për vartësit e tij, – siç më qe dukë mue në ndonji rast – por me përgjegjshmërinë ma të palëkundshme, të kërkonte me i shkue deri në fund detyrës së nji shefi të Sigurimit, sido që edhe në këtë rast, po t’mos ishte ndërhymja e tij që disi të frenonte Xhemal Selimin e xhindosun, kishte mundësi që prej aty t’mos kisha dalë i gjallë. Si edhe ndonji herë tjetër: “Molisje e hove”!
Nuk kanë thanë kot se njeriu asht ma i fortë se guri. Nuk m’u deshtën shumë ditë që unë ta merrsha veten përsëri e se përsëri vetmia e heshtja e thellë e birucës dhe e burgut, të më sillshin atë gjendje të pakandshme plogështie e mërzie, që hera-herë do të më tkurrshin e mpijshin gjithë energjitë e mia. Por prap, të randësishme mbetshin gjithmonë torturat që ishin të pashmangshme e, që për alternative nuk kishin veç vdekjen. Këtë gjendje të brendshme do ta randonte edhe vetë ideja e hetimit, e cila vazhdimisht do të më krijonte qëndrim të vështirë para hetuesit për përgjigjet e thata e stereotipe që isha i detyruem me u dhanë pyetjeve të tij, gjithashtu të pandryshueshme.
Megjithatë, pamvarësisht të gjithave sa ma sipër, unë edhe pse brenda nji biruce t’errët e në pritje të mundimeve të tjera, si dhe të vetë vdekjes, herë mbas here do të gjejsha brenda vetes atë botë time intime, që jo vetëm se do të më jepte forcë, por që ndërsa e shqyrtojsha, mbrrijsha me përjetue momente të nji intimiteti të thellë, të atillë që s’e kisha provue asnjiherë ma parë e që dukej se po ma jepte vetëm vuejtja, që si asgja tjetër në botë, po më tërhiqte kah ma e mira, njerëzorja, që më dukej se po ma fisnikonte shpirtin e se po më zblonte të mëshefta të mrekullueshme, të atilla që në njifarë mënyret, edhe vetë nuk e dijsha se po i kisha të mëshehuna përfund ndërgjegjes time.
Po edhe vuejtja, ashtu e vetme, nuk do t’ishte e mjaftueshme po t’mos u frymëzonte nga motive të nalta, nga nji andërr a ideal që më kishte çue deri aty, prej nga do të burojshin mandej ato dispozita, që jo vetëm se do të më lehtësojshin së tepërmi vuejtjet, por edhe që të më frymëzojshin energji për çdo sfidë e sakrificë, si dhe shpresën për nji të ardhme të ndritun e me krenari. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016