Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri i panjohur për lexuesit shqiptar, të titulluar “Shqipëria e Enver Hoxhës” i cili është botuar në vitin 1981 në Beograd, nga një grup gazetarësh të agjencisë së shtetërore të lajmeve “TANJUG”, të ish-Jugosllavisë së Titos dhe të përkthyer më pas dhe botuar në gjuhën shqipe në Prishtinë. Çfarë thuhet në atë libër për regjimin komunist të Tiranës dhe personalisht për diktatorin Enver Hoxha?
Kur nuk kishin kaluar më shumë se tre katër muaj nga fillimi i demonstratave masive të mbarë popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it të cilët u ngritën për të drejtat dhe liritë e tyre të nëpërkëmbura dhe të shtypur nga regjimi titist i Beogradit, një grup gazetarësh të agjencisë shtetërore të lajmeve të Jugosllavisë së asaj kohe, TANJUG, nxorën nga shtypi një libër të titulluar “Shqipëria e Enver Hoxhës”, libër i cili në korrik të atij viti u përkthye dhe u botua edhe në shqip në Kosovë nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës, duke i cilësuar si “Botim i posaçëm”?!. Edhe pse libri në fjalë ishte një pasqyrë më se reale e asaj ç’ka ndodhte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, duke filluar që nga: izolim i plotë i vendit nga bota e jashtme, mënyra e jetesës e shqiptarëve, mungesa e automjeteve private, turistët e huaj që i kontrollonin që sapo zbrisnin nga avioni në aeroportin e Rinasit për veshjet, mjekrat dhe flokët e gjata, sindroma e shtetrrethimit dhe bunkerizimi i vendit nga frika e armiqve imagjinarë, propaganda e fryrë zyrtare me të gjithë mjetet e komunikimit masiv (Radio-Televizioni, gazeta “Zëri i Popullit” etj), ku thuhej se “Shqipëria është i vetmi vend socialist në botë dhe lufton i vetëm imperializmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik”, parullat gjigande ku shkruhej “Të çajmë bllokadën dhe rrethimin imperialisto-revizioniste” apo “kromi çan bllokadën”, etj., delegacionet dhe grupet e huaja marksiste-leniniste që thirreshin në Kongreset e PPSH-së për të krijuar imazhin se Shqipëria komuniste kishte miq kudo nëpër botë, turistët e huaj të paktë që vizitonin vendin dhe ishin të kontrolluar kudo, gjendja tejet e vështirë ekonomike ku e kishte katandisur vendin udhëheqja komuniste e Tiranës, dhe për të përfunduar te spastrimet që po bënte diktatori komunist bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, botimi i atij libri pikërisht në atë kohë kur e gjithë bota po ndiqte më vëmendje ngjarjet në Kosovë, duket qartë se ka qenë me një prapavijë të dukshme politike. Pasi duke paraqitur anët më të errëta të regjimit komunist të Tiranës dhe diktatorit komunist të saj, Enver Hoxhës, propaganda e Beogradit synonte të ulte imazhin e shqiptarëve në sytë e botës dhe gjithashtu vetë kosovarëve, të cilët i kishin sytë tek atdheu amë. Pa hyrë në këto analiza, nga libri në fjalë kemi përzgjedhur vetëm një kapitull, të cilin po e publikojmë pa asnjë ndryshim nga versioni origjinal, gjithnjë sipas përkthimit në shqip të botimit të Prishtinës në vitin 1981.
Propagandë e madhe
Në faqet e “Zërit të Popullit” më së shpeshti botohen informata për terrorin, kriminalitetin, papunësinë, aferat dhe situatat e shumta në vendet kapitaliste e “revizioniste”. Sipas këtyre kronikave të “zeza” del se bota gjendet buzë konfliktit, se revolucionit botëror vetëm që nuk ka filluar, se të gjitha sistemet ekzistuese shoqërore janë në shkatërrim e sipër, pa marrë parasysh a është fjala për kapitalizmin apo për vendet “revizioniste” socialiste. I vetmi vend në të cilin gjërat rrjedhin ashtu siç duhet, është Shqipëria, madje para së gjithash në sajë të “udhëheqësit të saj të madh trim dhe të mençur” Enver Hoxhës, i cili përsëri i vetmi vend në botë që i mbeti konsekuent “marksizëm-leninizmit”.
Kur ndokujt prej zyrtarëve shqiptarë i thonë se Shqipëria është vend i “izoluar”, gati zemërohet. Një gazetari anglez që si turist kaloi “kontrabandë” deri në Tiranë, iu përgjigjën: “Kush mendon aq gabim për ne, le të vijë dhe do të bindet lehtë se nuk jemi të izoluar”. Përgjigja do të ishte e pranueshme sikur i huaji të shkonte në Shqipëri. Të marrësh vizën shqiptare është gati e pamundshme. Sidomos kur është fjala për gazetarin. Turistët në Shqipëri arrijnë në grupe të rralla dhe të vogla. Ky vend që ka pejsazhe të mrekullueshme dhe bregdet edhe më të bukur, nuk mban gati asgjë nga turizmi.
“Ne nuk dëshirojmë t’ua shesim vendin tonë turistëve ashtu si e bëjnë këtë vendet kapitaliste dhe revizioniste-thonë shqiptarët duke shpjeguar pse në vend ka aq pak hotele dhe vetëm 5-6 mijë turistë në vit nga bota e jashtme. E edhe nëse nisen për në Shqipëri, turistët e huaj i presin befasi shumë të mëdha. E para nuk mund të arrijnë në këtë vend me automobilin e vet, e pastaj nuk mund të zgjedhin hotelin në të cilin do të banojnë, as të shkojnë në plazhin që u pëlqen më së shumti dhe as të udhëtojnë kah dëshirojnë. Në Shqipëri mbretëron “disiplina proletare” dhe çdo gjë e për çdo kënd është e përcaktuar. Përdoren shumë më tepër fjalët “ndalohet” ose “nuk lejohet” se sa “qytetari ka të drejtë” ose “lejohet”. Në Shqipëri thonë, nuk ekziston Ministria e Drejtësisë. Nuk ka më avokatë. Zyrtarët shqiptarë si pohojnë disa gazetarë të huaj thonë: “Sistemi ynë nuk ka nevojë për avokatë. Qytetarët tanë nuk u nevojiten personi i tretë, që do t’i mbrojë. Gjyqtarët e gjyqeve popullore të cilët i ka zgjedhur populli, shqyrtojnë të drejtat e qytetarëve”.
Izolimi i shqiptarëve
Qytetarëve shqiptarë nuk u lejohet të shkojnë pa leje prej një vendi në tjetrin, e as të mund të udhëtojnë nëpër vend. Për shkuarje në botën e jashtme as që mund të flitet, përveçse për anëtarët e delegacioneve zyrtare dhe grupet mjaft të rralla kulturoro-artistike e sportive. Turistë shqiptarë nuk mund të takohen në botë. Shqiptarët, kryesisht nuk dinë ç’ngjet në botë. As vetë udhëtojnë, as u vjen kush. Kur u arrijnë kushërinjtë nga bota e jashtme, nuk mund t’i vizitojnë në shtëpi. Takimet e bisedat e farefisnisë, zakonisht i zhvillojnë në hotelet e caktuara për këtë punë. Por, që popullit t’i tregojë të paktën deri diku, se vendi nuk është vetëm, se Shqipëria ka miq, regjimi i Enver Hoxhës sjellë shpesh në Tiranë delegacionet e partive marksiste-leniniste nga vendet e Europës Perëndimore dhe disa shtetet të tjera. Këto janë ato parti të vogla dhe të dobëta, aventuristë politike, të cilat, ashtu si ngjau kjo shumë shpesh në historinë e dekadave të kaluara, veprojnë si “filiale” të tyre të huaja, të ashtuquajturave “parti amë”.
Në disa raste kemi të bëjmë me parti të cilat kanë nga vetëm disa dhjetëra anëtarë, edhe në rastin më të mirë nga disa qindra. Nganjëherë vetëm një! Këto parti “marksiste-leniniste” betohen për besnikëri ndaj Stalinit dhe “trashëgimtarit” të tij, Enver Hoxhës, shumë shpesh botojnë edhe gazetë të vetën, mbajnë kongrese, aprovojnë rezoluta, i dërgojnë Tiranës telegrame dhe urime, shpërndajnë proklamata. Natyrisht me ndihmën financiare të “padronit” të vet, në këtë rast, Tiranës. “Delegacionet” e tilla, të përbëra prej njerëzve të hurit dhe të konopit, paraqiten shpesh edhe në Tiranë, çojnë zërin nëpërmjet faqeve të shtypit shqiptar dhe kështu ndihmojnë Hoxhën t’u tregojë shqiptarëve se nuk janë vetëm, se leninist-marksistët e vërtetë janë me ta, se Meka e marksizëm-leninizmit të sotëm, gjendet pikërisht në Tiranë. Enver Hoxha sillet ndaj popullit të vet, si ndaj të miturit. Kujdesin për të e mori përsipër ai. Çdo gjë është e rregulluar me dekretet dhe “direktivat” e udhëheqësit.
Vendi i parullave
Shqipëria është “vend parullash”. Të këtillë e panë ata që arritën për vizitë në Shqipëri nga bota e jashtme. Parullat duken në çdo hap. Ato bombardojnë qytetarin, nga fasadat e ndërtesave në rrugë, prej pullazeve të shtëpive, nga transparentët e tërhequr në gjerësitë e rrugëve, prej gazetave, prej radios, e madje prej shpateve të bjeshkëve. Shqipëria është kombi i ri dhe shumica e banorëve të saj mësojnë dhe shkollohen. Në shkolla, sigurisht, mësohet edhe për “rrethimin revizionist” të Shqipërisë, se Partia e Punës së Shqipërisë është e vetmja parti e vërtetë marksiste-leniniste në botë. Shqipëria është e vetmja që ka të drejtë, të gjithë të tjerët janë në rrugë të gabuar, të gjithë të tjetër që kanë ndryshuar rrugët, janë të mashtruar, gjenden në binarin e tradhtisë dhe revizionizmit. Dhe shumë prej tyre janë “armiq të Shqipërisë”. Dhe në çdo çast mund ta gëlltisin.
“Në Shqipëri, askush nuk paguan tatim, e qeveria jonë komuniste ka mjaft para”. Si funksionon kjo formulë, që është e shkruar në një dokument zyrtar shqiptar, nuk shpjegohet askund, por nuk është aspak e vështirë të kuptohet e vërteta se shteti ka marrë mbi vete “tërë kujdesin për njerëzit”, kështu që ata s’kanë nevojë të vendosin gati për asgjë. Në vend pra, çdo gjë funksionon ashtu siç është caktuar.
Sipas shënimeve të KQ të PPSH-së, i shpallur me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të fundit në vend, del se prej 1.436.289 zgjedhësve në vend votimi nuk doli vetëm një. Vërtet, është vështirë të gjendet në këtë rruzull botëror shtet në të cilin disiplina elektorale e qytetarëve arriti shkallë të tillë përsosmërie!? Ndërkohë, prej revolucionit e deri më sot, Shqipëria përparoi bukur shumë, edhe pse gjendet edhe më tutje, mu në fundin e listës evropiane të gati të gjithë treguesve të zhvillimit ekonomik, dhe të standardit jetësor të qytetarëve. Analfabetizmi është çrrënjosur plotësisht, të gjithë qytetarët janë të siguruar nga pikëpamja shëndetësore dhe sociale, prodhimtaria industriale e cila startoi gati nga zero, u shtua rreth 80 herë.
Në Shqipëri nuk ka makina private
Por, shqiptarët, jetojnë edhe sot në varfëri. Rrugët dhe qytetet e Shqipërisë janë ende të rezervuara për këmbësorët dhe biçikletistë. Automobila privat s’ka aspak. Ekzistojnë disa automobila shtetërorë, madje në rend të parë, asi me të cilët voziten (udhëtojnë) udhëheqësit shtetërorë dhe partiak. Anëtarët e byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, vozisin me mercedesa. Kurse ministrat dhe zyrtarët më të ulët, shfrytëzojnë automobilat të markës “Pezho” dhe “Fiat” polak. Shqiptari i rëndomtë, pra, nuk vozit me automobil, nuk ka ende televizor me ngjyra, ende nuk mund të shoh disa filma të njohur evropian e as të blejë shtypin e huaj nëpër kioska. Kur është fjala për të ardhurat, barazimi është parim zotërues. Të ardhurat më të vogla sillen rreth 500, e ato maksimale rreth 1.250 lekë.
Raporti i lekut ndaj dinarit tonë është 1:4.5 që do të thotë se rrogat sillen prej 2.250 deri në 5.625 dinarë. Çmimet e bukës, qumështit dhe perimeve janë të ulëta, por çdo gjë tjetër është bukur e shtrenjtë. Kilogrami i sheqerit, kushton 8 lekë, litri i vajit 17. kilogrami i mishit rreth 35. e televizorit bardhe e zi 4.000 lekë. Qytetarët, ndryshe, kanë mjaft para të kursyera, por me ato mund të blejnë pak gjë. Mu për këtë arsye ata kanë kursime të mëdha. Gati tërë toka është në duart e shtetit. Afër 80 % gjenden në kooperativat fshatare të punës, e 20 % në prona shtetërore, kurse vetëm 0.25 % në duar private. Këto të fundit janë parcelat rreth shtëpive. Deri tani çdo familje mund të ketë një parcelë prej 10 dynym, një lopë dhe dhjetë dele. Lajmet nga Tirana thonë se shumë njerëz gjatë vitit 1981 “vullnetarisht” ja dhanë shtetit për grumbullim këto dele. Sipas lajmeve më të reja nga Tirana ekzistojnë “perspektiva” që këto parcela të zvogëlohen dhe një ditë të zhduken krejtësisht.
Ndërkohë, po vazhdon sindroma shqiptare e shtetrrethimit. Këtë vend të vogël, Enver Hoxha po e kthen kundër tërë botës. Në këtë “ujdhesë” që sot është, në se jo e fundit, atë here kështjella më e qëndrueshme e stalinizmit, sundon një njeri i vetëm-Enver Hoxha, i cili këtë sindromë të këmbëngultë të shtetrrethimit, në këtë krijim paranojak të armiqve të Shqipërisë, ndërton, mban dhe zgjat pushtetin e vetvetes.
Sipas TANJUG-ut, u mbyllën 2169 kisha, xhamia e manastire
Beogradi: Shqipëria zhduku edhe vetë zotin
Në librin “Shqipëria e Enver Hoxhës” të shkruar në vitin 1981 nga disa gazetarë të agjencisë shtetërore të lajmeve të Beogradit, “TANJUG”, në “radiografinë” që i bëhet regjimit komunist në Shqipëri, autorët janë ndalur edhe në vendimin e Tiranës zyrtare për ndalimin e besimeve fetare dhe mbylljen e objekteve të kultit në të gjithë vendin. Lidhur me këtë, në mes të tjerash në libër thuhet: “Para 14 vjetësh Enver Hoxha zhduku edhe vetë zotin. Thjesht u tha se zoti nuk ekzistonte më, se në xhami dhe kisha askush s’guxon të shkojë më. Më se 2 mijë kisha dhe xhami u rrëzuan. Mbetën në këmbë vetëm ato që u shpallën përmendore historike dhe në të cilat kryqi dhe gjysmë-hëna, u zëvendësua me yllin pesëcepësh dhe me parulla marksiste. Krahas me ndalimin e religjionit u nxor dhe dekreti që të unifikohen përmendoret mbi varret e të gjitha religjioneve dhe të gjithë qytetarëve. Në atë dekret u përcaktua ç’ka kush mund të veje mbi varrin e të afërmit të vet. Shenjat e vjetra mbi varre, me karakter fetar, shënuan kronikët nga Tirana, u zëvendësuan me shenja të reja?
Pas këtij vendimi, 2169 xhami, kisha e manastire, dhe qendra të tjera “të errësirës dhe misticizmit”-u mbyllën, u bënë rrafsh me tokën, ose u shndërruan në qendra rekreative, depo e vende mjekimi. Priftërinjtë dhe hoxhallarët u shpërndanë dhe shumë prej tyre u dërguan në kampe pune, “punë përmirësimi dhe riedukim”. Kur nxorën këtë dekret, me të cilin zhdukën zotin, shqiptarët thanë: “Shqipëria është vendi i parë ateist në botë”. Regjimi këtu bëri dhe një hap më tutje, prandaj njerëzve me emra të “papërshtatshëm” nga pikëpamja ideologjike, morale, ose fetare, iu urdhërua t’i ndërrojnë këto. Në Shqipëri, gjithashtu, ceremonia funerale është e përcaktuar me dekret”.
“Radio-Tirana në 12 gjuhë dhe “Zëri i Popullit” në 110 mijë kopje
TANJUG-u: Shqipëria, vend i vogël, propagandë e madhe
Në mes të tjerash në librin e tyre të titulluar” Shqipëria e Enver Hoxhës” gazetarët jugosllavë të “TANJUG”-ut, janë ndalur edhe në rëndësinë e madhe që i kushtonte Tirana zyrtare mjeteve të propagandës së saj. Lidhur me këtë, aty thuhet: “Nëpërmjet burimeve të informimit për Shqipërinë mund të dëgjohet vetëm ajo e vërtetë të cilën e lançon, zgjedh dhe çensuron makineria e fuqishme propagandistike e Enver Hoxhës. Me ndihmën e shënimeve krahasuese, disa gazetarë të huaj llogaritën se propaganda shqiptare ndaj botës, për nga vëllimi është e shtata në botë, megjithëse Shqipëria hyn ndër vëndet më të vogla në planet. Radio Tirana ka emisione për botën çdo ditë në dymbëdhjetë gjuhë. Shqiptarit iu ofrohet vetëm ajo që e zgjedh regjimi, vetëm atë qytetari mund ta dijë. Dhe asgjë më shumë. Sipas Enverit, nuk ka të vërtetë tjetër përveç asaj që ofron Radio Tirana, stacioni me forcë prej 2000 kilovatësh, dhe “Zëri i Popullit” që që shitet në 110.000 ekzemplarë. Në radio-aparate mund të dëgjohet Radio Tirana, kjo është rregulluar kështu teknikisht, kurse pranimi i programeve të huaja televizive pengohet. Kështu që shqiptarët të mos mund të shohin çka ngjet në botën fqinje. Vetëm në Tiranë rrëfejnë njerëzit që jetuan atje, janë vendosur 16 aparate pengues (zhurmuese) për pranimin e programeve të huaja televizive, në rend të parë atyre nga Jugosllavia. Anëtarët e partisë si dhe punëtorët në ndërmarrje duhet të “informojnë” dhe ngrihen “ideologjikisht”, ndërsa “agjitatorët” profesionistë të cilët përgatiten në qendër, sipas nevojës dërgohen në terren. Në hallkat e fabrikave gjatë orarit të punës nëpërmjet radios më së shpeshti emitohen pjesë të fjalimeve të Enver Hoxhës, konkluzione të K.Q. të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe materiale të ngjashme. Për botën, shqiptarit i tregohet pak, shumë pak. Në faqet e “Zërit të Popullit” më së shpeshti botohen informata, për terrorin, kriminalitetin, papunësinë, aferat dhe situatat e shumta në vendet kapitaliste e “revizioniste”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016