Nga Namik Mehmeti
Memorie.al / Duke kërkuar në Librarinë “Fertrinelli” një libër sportiv në prag të Olimpiadës Botërore të Dimrit që zhvillue në Milano Cotrina, më zuri syri një libër për futbollin, ku titulli i tij “I Pionieri Del Pallone”, më tërhoqi t’i hedh një sy, ku tek faqja e përmbajtjes së lëndës, më zuri syri emrin “Vllaznia – Scutari”. Emra pa mbarim te klubeve të Futbollit Botëror, ku në mes tyre, 100 “Pionierëve të Topit”, figuronte dhe Klubi Sportiv “Vllaznia” e Shkodrës, çka do të thotë se rreshtimi i saj në mes 100 Klubeve të Futbollit Botëror, ka të bëjë me historikun e formimit të tyre, duke i bërë secilës dhe një biografi suksesesh, në rrugëtimin e tyre shekullor.
Autorët e librit, Maurizio Siviero, Stefano Balzaretti e Alfredo D’Alessandro, në parathënien e tyre të botuar në vitin 2018, midis të tjerash shkruajnë: “Imazhet e ‘Real’ Madrid, ‘Bayern’ Mynih, ‘Barcelona’, ‘Liverpul’, ‘Manchester United’, ‘Inter’, ‘Juventus’ dhe ‘Milan’… kanë tifozë në të gjithë botën dhe të duket e pa mundur, të mos jesh ndjekës i njërës prej tyre.
Ne duam t’u japim zë atyre që e kanë përkundur futbollin në djep, që kanë mundësuar përhapjen e tij, kanë kontribuar në rregullimin dhe në zgjerimin global. I referohemi klubeve më të vjetra te futbollit në botë….! Zanafilla e futbollit pati si motor dëshirën për t’u argëtuar, duke krijuar bashkim. Kjo nuk është e vjetër, është thelbi i futbollit”.
Dhe pikënisja e 200 faqeve, fillon me sinjalin kohor:
“Që nga agimi i kohës, deri në ditët e sotme”.
Fillon me klubin më të vjetër në botë, Sheffield F. C., duke vazhduar në faqen 134, me Klubin e Futbollit “Vllaznia”, e cila është përfshirë në grupin e skuadrave “Europa Gadishull e Mesdhetar”. Autorët e librit e nisin përshkrimin e historisë së “Vllaznisë”, me këto radhë:
Klubi Futbollit “Vllaznia” 1919
Shkodër (Scutari) është një qytet shqiptar që luan një rol thelbësor në historinë e vendit. Që në lashtësi, e njohur si kryeqyteti i Ilirëve, ajo ka vazhduar ndër shekuj të ruaj një pozicion të rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik. Edhe sot konsiderohet djepi i kulturës shqiptare.
Jo vetëm kulturë, por edhe sport: pikërisht këtu lindi klubi më i vjetër i Shqipërisë. Jemi në vitin 1919, ku me kalimin e viteve do të ndryshonte disa herë emri, nga Klubi Sportiv “Bashkimi” Shkodër, deri sa të merrte emrin aktual, Klubi Futbollit “Vllaznia”, 19 shkurt 1919”.
Më poshtë autorët e librit japin dhe statistika të rezervuara për trofetë që ka fituar “Vllaznia”.
“Në historinë e saj shekullore, kuqeblutë kanë fituar 10 kampionate kombëtare dhe 6 Kupa të Shqipërisë, por në mes tyre duhet të theksojmë polemiken që lindi mbi fitimin e titullit të parë, ende sot i panjohur zyrtarisht në vitin 1940, në mes Luftës së Dytë Botërore. Dëshmitë e shumë protagonistëve pohojnë se në vitet 1939, 1940 dhe 1942, u zhvilluan kampionate të rregullta, pavarësisht vështirësive të dukshme të shkaktuar nga lufta”.
Kjo ka ndodhur për mos ekzistencën të një dokumentacioni të detajuar dhe ndaj Federata Shqiptare e Futbollit ka hezituar për t’i njohur. Është një episod i ndodhur ne vitin 2000, ku është regjistruar në javët e fundit të kampionatit kombëtar të cilët autorët e librit kanë përzgjedhur i të rëndësishëm.
“Blutë e asaj kohe, me një kundërshtim të hapur me një vendim arbitrar, e tërhoqën skuadrën nga fusha. Ky gjest i bujshëm i kushtoi trajnerit Mirel Josa, një dënim prej gjashtë muajsh”. Nuk lihet jashtë vëmendjes fitorja e “Vllaznisë”, ndaj “Austrisë” së Vjenës.
“Klubi i zhvillon ndeshjet në shtëpi në stadiumin ‘Loro Boriçi’ i ndërtuar në vitin 1946, ku në vitin 1978, në debutimin absolut në një kompeticion evropian- Kupën e Kampioneve të asaj kohe- ‘Vllaznia’ fitoi 2-0 ndaj ‘Austrisë’ së Vjenës. Fatkeqësisht në ndeshjen e kthimit në Austri, humbja e rëndë 4-1, vulosi eliminimin”.
Kështu shkruajnë në mes të tjerash autorët e librit për dy ndeshjet e “Vllaznisë” me “Austria” e Vjenës, në vitin 1978, ndeshje të cilat kanë mbetur të pashlyera në memorien e sportdashësve shkodranë.
Dhe ne mbyllje, autorët e librit shprehen: “Ndryshime emri, një konflikt botëror dhe shumë vështirësi të tjera, nuk kanë arritur të ndalojnë pionierët shqiptarë, të cilët vazhdojnë me krenari të shkruajnë historinë e tyre”.
Dhe për të konkretizuar këtë vlerësim të autorëve italianë, do të ishte bërja realitet e fitimit të titullit të këtij edicioni, pas 25 viteve, të titullit kampion, ku po pretendohet seriozisht nga djemtë e Edi Martinit dhe të mbështetjes pa kursim te Presidentit Xhaferi. / Memorie.al















