Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet një raport-informacion që mban datën 18 mars të vitit 1973, ku dy instruktorët e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Y.D dhe A. M., që kanë kryesuar një ekip kontrolli që ka marrë pjesë në mbledhjen e Teatrit të Operas dhe Baletit, informojnë Ramiz Alinë, sekretarin përkatës që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën, lidhur me diskutimet që janë bërë aty nga ana e pjesëmarrësve në atë mbledhje, ku janë kritikuar disa artistë, si solisti, Gaqo Çako, baletmaestri Panajot Kanaçi, skenografi Ali Oseku, etj.
Në kuadrin e mbledhjeve të shumta që u mbajtën në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës dhe mbarë vendin në fillimin e vitit 1973 pas fjalës së Enver Hoxhës në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor (më 15 e 16 mars 1973), që morri shkas nga Festivali i 11 i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, edhe në Teatrin e Operas e Baletit dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, u mbajtën disa mbledhje rradhazi ku u diskutua dhe u morr në analizë puna që ishte bërë deri në atë kohë në ato dy institucione mjaft të rëndësishme të jetës kulturore dhe artistike të kryeqytetit.
Serinë e mbledhjeve në ato dy institucione mjaft të rëndësishme artistike e kanë çelur ato që janë mbajtur më datën 18 mars 1973, vetëm dy ditë pas fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku si temë kryesore ishte: “Lufta ndaj shfaqjeve të huaja dhe liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në jetën e vendit…”. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor, (i cili është nxjerrë nga një dosje voluminoze me siglën sekret) ku dy të deleguarit e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së (Y.D. dhe A.M.) kanë përpiluar informacionin përkatës për Ramiz Alinë, sekretarin përkatës që mbulonte propagandën, artin e kulturën.
Siç shihet dhe nga dokumenti në fjalë, fillimisht në Teatrin e Operas është kritikuar koreografi Panajot Kanaçi, që konsiderohej “ajka” e Operas e Baletit, gjë e cila nënkuptonte se ‘furtuna’ e madhe që sapo kishte nisur, nuk do të kursente asnjeri. Po kështu, pas koreografit të famshëm, në raport-informacion është kritikuar edhe piktori i njohur dhe skenografi Ali Oseku, i cili gjithashtu asokohe konsiderohej si ‘ajka’ e skenografisë shqiptare, ku përveç anës profesionale, ‘shigjetat’ mbi të kanë rënë edhe për veshjen e paraqitjen e tij të jashtme.
Një gjë tjetër mjaft interesante që vihet re në raport-informacionin në fjalë, është pjesa e madhe që zë vend aty për solistin e Operas, Gaqo Çako, i cili ka diskutuar dhe ka folur gjatë, jo vetëm për problemet punës në Opera dhe Balet, por edhe për gjëra të tjera jashtë dyerve dhe interesave të këtyre institucioneve. Për më shumë rreth kësaj, na njeh ky raport-informacion që publikohet i plotë dhe për herë të parë në faqet e këtij libri.
Letra e dy instruktorëve të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Y.D dhe A. M., për mbledhjen në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë
I N F O R M A C I O N
MBI PUNIMIN E FJALIMEVE TE SHOKUT ENVER NE KOLEKTIVAT
E TEATRIT TE OPERAS DHE BALETIT DHE ANSAMBLIT
POPULLOR TE KENGEVE DHE VALLEVE
Ekipi i Aparatit të Komitetit Qëndror asistoi në disa mbledhje të kolektivave të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, ku u punuan dy fjalimet e fundit të shokut Enver.
Përshtypja e përgjithshme është se punonjësit nuk janë njohur mirë me këto dy fjalime, gjë që u reflektua edhe në diskutimet, të cilat përgjithësisht ishin të cekta, disa herë në plan personal dhe për më tepër theksi vihej në atë se se nga këto gjëra ne nuk kemi shumë, mbasi jemi artistë dhe si të tillë duam vetëm gjëra të bukura.
“U kritikua vallja e Panajot Kanaçit, ‘Idil dhe Kurbat”
Megjithatë, në këto mbledhje u ngritën disa çështje:
Pati diskutantë që shprehën mendimin se edhe në këto institucion ka çfaqje të ndikimeve të artit dhe kulturës borgjeze revizioniste. Kështu në premierën e fundit të Ansamblit “Dasëm nga jeta jonë”, u kritikua vallja e Panajot Kanaçit, “Idil dhe Kurbat” që nxit sensualizmin, që në muzikën e saj ka çfaqje orientalizmi etj, ose vallja tjetër “Rini tropojane”, që deformon karakterin popullor etj. U kritikuan gjithashtu dekori i kësaj premiere si dhe disa kostume që u paraqitën në skenë.
Po ashtu pati kritika për dekorin e operas “Traviata”, dhe kostumet e kësaj shfaqje fustanet, dekoltetë, pantallona kauboj në masë, në dekor korniza të rënda pa asnjë lloj vlere funksionale).
Lidhur me qëndrimin që mbahet ndaj veprave të huaja dhe atyre nacionale u tha se nga ana e drejtorisë, këshillit artistik dhe udhëheqsave artistikë tregohet shumë kujdes për veprat e huaja dhe më pak për ato nacionale. Duke krahasur rivënien në skenë të operas “Traviata” dhe “Skënderbeu”, u tha se për të parën u punua në mënyrë intensive një vit megjithëse 50% e pjesmarrësve e kishin lojtur atë dhe më parë, ndërsa për operën “Skënderbeu” puna që u bë ishte e përciptë, megjithëse ajo ka edhe të meta që duhen ndrequr dhe biles nuk u thirr as regjisori që e ka vënë më parë atë në skenë.
Vëmendje më e madhe ndaj repertorit të huaj në ndonjë rast u justifikua dhe u motivua si një kërkesë profesionale për të rritur nivelin teknik të solistëve dhe instrumentistëve, megjithëse, në të njëjtën kohë, u shpreh mendimi tjetër se nëpërmjet një pune më këmbëngulëse dhe të thellë mund të zbulohen shumë vlera të muzikës kombëtare që mund të shërbejë edhe si një bazë solide për ngritjen teknike.
Disa diskutantë, sidomos ajo kategori që është në funksione me përgjegjësi, u mundua t’i justifikojë shfaqjet e huaja në koreografi, skenografi dhe kostume, si shfaqje që lindën rastësisht në procesin e punës, siç u tha p.sh. për vallen “Idil e Kurbat” se nuk ishte paraparë fare një diçka e tillë në platformën e çfaqjes së fundit, por ajo lindi duke kërkuar një valle tjetër.
“Kompozitorët priren nga muzika e lehtë”
Në drejtim të kompozitorëve u bë vërejtje se janë prirur nga muzika e lehtë dhe se shkruajnë pak muzikë masash dhe popullore. Kjo është lidhur edhe me kuotat e shpërblimit, e cila është më e madhe për krijimet e muzikës së lehtë. Po ashtu u kritikua edhe Radio-Televizor që shumë pjesë që janë interpretuar nga solistët, këngëtarët dhe orkestrat tona vazhdojnë të transmetohen me inçizime në interpretime të huaja. Me këtë rast u kritikua edhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës që nuk ka organizuar festival dhe konkurse më muzikë shqiptare.
Çështja e dublimit të rroleve u paraqit si një problem mjaft i mprehtë dhe me pasoja të rënda për fatet e artit në këto skena. U tha se përgjithësisht nga drejtuesit artistikë dhe regjisorët ndiqet një politikë yjesh, që nuk u lënë rradhë të tjerëve të dalin në skenë, biles edhe kur ata janë të sëmurë, se ato nuk debutojnë me partner “të dobët” (të rinj) dhe shkojnë deri atje sa merren vesh me njëri tjetrin për të mos ardhur në çfaqje, kur mungon ndonjë nga partnerët yje. Si rezultat i gjithë këtyre trupa shkoi në Republikën Popullore të Kinës pa dublanten e rolit të “Cucës së maleve”. E njëjta gjë ndodh edhe me derigjimin që është monopolizuar në dorën e shokut, Rifat Teqja.
Nga mjaft të rinj u ngrit problemi se ndaj tyre shpesh mbahet qëndrim jo dashamirës dhe veprimet e tyre gjykohen rëndë. Kërkesat ndaj tyre përgjithësisht janë të një niveli të lartë, biles të asaj shkalle që kanë arritur artistët e afirmuar, kjo i ka çmobilizuar dhe hedhur në indiferentizëm ato.
“Skenografi Ali Oseku dallohet për veshjen ekstravagante”
Lidhur me zbatimin e vijës së masave u tha, se kohët e fundit zëri i kolektivit ka filluar të ndigjohet më pak. Po hiqet dalëngadalë dorë nga praktika që premierat përpara se të dalin në skenë dhe të shikohen nga kolektivi dhe të tjerë, për të dhënë mendime. Kështu në provën e fundit të Operas “Traviata” nuk u lejuan fare të vijnë anëtarë të kolektivit, që “të mos e mbysnin foshnjën që në djep” siç doli në mbledhje. Megjithëse edhe ato vërejtje që u janë bërë në ndonjë rast regjisorit Mihallaq Luarasi dhe piktorit të operas Ali Oseku për konceptet e tyre jo të drejta si në regji ashtu edhe në skenografi, nuk janë marrë parasysh dhe madje nga Ali Oseku dhe dallohet për veshjen e tij ekstravagante është thënë se ju nuk merrni vesh nga këto punë.
Shumë vërejtje u bënë edhe për marrdhëniet e këtij institucioni me krijuesit, duke theksuar se ndaj tyre mbahet qëndrim i diferencuar dhe nuk u krijohen kushte për një qëndrim dhe bashkëpunim të vërtetë pune.
Për freskimin e trupës me element të rinj u tha se nuk veprohet gjithnjë drejt, mbasi edhe ata të rinj që nuk vlerësohen si të aftë nuk i largojnë nga institucioni, por i mbajnë aty dhe me vite, madje në disa raste i aktivizojnë edhe në çfaqje. Kjo gjë ka krijuar tek ata një gjëndje pasigurie dhe në disa raste të pretendojnë edhe për aftësitë e tyre ose për rritjen e pagës. U tha se shpesh tek disa të rinj merren për hir të së resë dhe nuk bëhet si duhet puna për diferencimin e të aftëve dhe të paaftëve.
Mjaft kritika pati edhe në adresë të organizatave të partisë, të cilat problemet dhe shqetësimet që kanë punonjësit nuk i çojnë deri në fund, kjo gjë ka lënë shteg tek ata për të menduar se edhe po të flasësh edhe po të mos flasësh është njëlloj. Në mbledhjen e sektorit të solistëve në mënyrë të veçantë na bëri përshtypje të keqe diskutimi i sh. Gaqo Çako që për mendimin tonë për këto çështje nuk është i qartë dhe ka lakra në kokë dhe jo sepse nuk di të flasë bukur siç justifikohet ai. Këtu po parashtrojmë se çfarë tha ai në këtë diskutim.
“Gaqo Çako tha se Festivalin e 11 të Këngës e lejoi partia dhe shteti”
“Partia bën shumë mirë që i ngre këto problem sepse ato shqetësojnë një popull. Ne jemi për të bukurën dhe jo për ato që u bënë e që janë toleruar nga shteti vetë. Shoku Enver na ka mësuar të jemi korrektë. Këto janë lejuar edhe nga sekretarët e partisë në rrethe të cilët i marrin fjalimet e shokut Enver dhe dokumentet e tjera të partisë dhe i mbyllin në sirtar dhe nuk lexojnë fare ose i lexojnë nganjëherë dhe nuk kuptohen. Ndikim të keq ushtrojnë estradat tona që janë apolitike dhe nuk e di pse mbahen. Ato vetëm se i bëjnë njerëzit të qeshin kot por nuk janë në gjëndje të ndikojnë mbi botën e tyre të brendshme e të lozin rol edukues. Festivalin e lejoi partia dhe shteti. Ç’bën ajo Ministria e Arsimit për edukimin e njeriut. S’bën gjë fare. Ka imoralitet. Këtu pas nesh në lulishte vajzat u jepen vagabondëve në grupe për 20 lek. I shikojmë e s’themi gjë. Policët nuk guxojnë se i rrahin. Prostitutat në Itali shiten më shtrenjtë. I afrova vetë dhe i pyeta. Ato kërkonin më shumë. Tek ne të zhvat kamarieri, fatorino, etj. Një faturino nxjerr të paktën 700 lekë në ditë. Është e tmerrshme të rregullosh një sahat. Sahatçiu të merr edhe për punë që ti si ke porositur. Ketu në teatër s’ka shfaqje të tilla. Ne mbahemi thjeshtë se jemi të varfër dhe kemi një rrogë, më mirë janë të veshur ata që vjedhin, dhe ndonjë ditë ata do të kërkojnë edhe pasaporta për të shkuar në Itali për të prishur paratë se kanë miliona. Jam i bindur se këto gjëra më nuk do të rregullohen”.
Mbas këtij diskutimi ne menjëherë mbajtën qëndrim për problemet që shoku Gogo nuk i ngriti drejtë. Këto ishin shkurtimisht disa nga problemet që dolën. Memorie.al
Y.D.
A.M.
Tiranë, më 18.III.1973
Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i autorit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016