Nga Dashnor Kaloçi
– Ky shkrim publikohet në shenjë homazhi për z. Agim Mero, ish-rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili u nda nga jeta në moshën 91 vjeçare dhe dje (më 19.XI.2024), u përcoll për në banesën e fundit –
Memorie.al / Dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë shkrim është një raport-informacion, që mban datën 28 shkurt të vitit 1973, ku instruktori i Komitetit Qendror të PPSH-së, për problemet e Arsim-Kulturës, Profesor Hamit Beqja, informon sekretarin e Komitetit Qendror, Hysni Kapon, lidhur me problemet që kishin dalë nga analiza e bërë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, i cili në atë kohë, por edhe më pas, shikohej e konsiderohej si; “vatra e liberalizmit”.
Ajo që vihet re që në pamje të parë tek ky dokument, është se informacioni nuk i dërgohet Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qendror që mbulonte Artin, Kulturën dhe Propagandën, siç ndodhte zakonisht me dokumente të kësaj natyre, por ai i është dërguar Hysni Kapos, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”, siç ishin: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Prokuroria, Hetuesia, Policia etj.
Nga mënyra se si ka funksionar kjo praktikë punë, kjo gjë ndodhte në raste kur problemi që diskutohej ishte mjaft i mprehtë dhe ajo gjë nuk ishte tashmë “objekt”, vetëm i sektorit të Artit e Kulturës, por i organeve të Diktaturës së Proletariatit. Pra, thënë më qartë, kur bëhej fjalë për të dënuar dikë, siç dhe ndodhi realisht me Kujtim Spahivoglin, (që përmendet në këtë raport-informacion dhe ka shënime përkatëse për të), i cili u internua në rrethin e Fierit, ku punoi për vite me radhë, si punëtor me lopatë dhe në ngarkim shkarkim, në një kantier ndërtimi.
Apo dhe me rektorin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, Agim Mero, i cili pak kohë pas asaj mbledhje, u shkarkua nga funksioni që mbante prej vitesh dhe u dëbua nga Tirana, duke u dërguar me gjithë familjen në qytetin e Laçit të Kurbinit, (aso kohe pjesë e rrethit të Krujës), ku ai punoi si teknik ndërtimi, deri marsin e vitit 1991, kur u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor, i propozuar nga Partia Demokratike.
Tjetër gjë që vihet re në dokumentin në fjalë, të përpiluar nga Hamit Beqja, është se diskutimet e pedagogëve apo personave të tjerë që kanë marrë në fjalën në analizën e bërë në Institutin e Lartë të Arteve, kanë qenë disi të buta, jo shumë problematike dhe pa akuza konkrete e denoncime.
Me përjashtim të kritikut Razi Brahimi, i njohur para viteve ’90-të si një komunist shumë fanatik ndaj “vijës së Partisë”, apo siç thuhej në atë kohë; “me partishmëri të lartë”, i cili siç duket dhe nga dokumenti në fjalë, i ka vënë “pikat mbi i” dhe ka folur konkretisht, jo vetëm për disa shkrimtarë dhe artistë, por edhe për ministrin e Arsim-Kulturës, Thoma Deljana. Kjo gjë duket qartë nga dokumenti në fjalë, të cilin po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë shkurtim.
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT-INFORMACIONIN E INSTRUKTORIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së, HAMIT BEQJA, DËRGUAR HYSNI KAPOS, LIDHUR ME MBLEDHJEN E ZHVILLUAR NË INSTITUTIN E LARTË TË ARTEVE
NË INSTITUTIN E LARTË TË ARTEVE
Megjithëse organizata bazë u mblodh për herë të dytë (mbledhja e parë u zhvillua shpejt, pa dijeninë tonë), për të diskutuar fjalën e shokut Enver, në Presidiumin e Kuvendit Popullor, diskutimi përsëri qe i zbehtë. Në mënyrë të veçantë nuk u pa problemi me sy kritik dhe autokritik.
Me gjithë disa ndërhyrje që u bënë, nuk u diskutua në mënyrë të mprehtë për problemet ideo-estetike rreth tyre si dhe për teorizime të ndryshme që ka pasur në këto fusha. Problemi u pa më shumë në planin e punës me studentët, të ndikimit mbi ta, por jo sa duhet i lidhur me vetë punën e pedagogëve.
Edhe për disiplinën, rregullin dhe mbarëvajtjen në shkollë, diskutimi qe jo i mprehtë, sidomos po të marrim parasysh faktin se në këtë shkollë, dy-tri vitet e fundit, ka pas debate të mëdha, midis të cilave edhe teorizime për demokracinë, që kanë ndikuar negativisht edhe në disiplinën e dobësimit të rregullit.
- Megjithatë, në diskutimet në lidhje me punën, me studentët u ngritën edhe disa probleme të rëndësishme:
1) Nuk ekziston uniteti i duhur midis punës mësimore dhe formimit që merr student, jashtë mësimit. Të tjera gjëra merren në programin mësimor dhe të tjera nga leximet, nga njohja e lirë me muzikë dhe artet figurative, nga programet televizive, etj.
Pedagogët nuk e njohin mirë këtë jetë të studentëve, kështu që edhe shumë ndikime që shtrohen mbi ta, nuk bëhen objekt ballafaqimi aktiv e kritik. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që studentët, të cilët sapo fillojnë shkollën, ndodh që shfaqin në krijimtari ndikime, të cilat si rregull nuk i kanë marrë gjatë programit mësimor.
- Në këtë ndikon edhe mosnjohja e thellë nga studentët e rrymave të huaja estetike, për të cilat flitet në përgjithësi, në plan historik dhe teorik, por pa karakterizuar e zbërthyer brendinë e veçoritë e tyre, e aq më tepër pa e demonstruar këtë, me vepra konkrete.
- Nuk bëhet një punë e kualifikuar për të ndihmuar studentët si të punojnë me literaturën e vënë në dispozicion (muzikale, teatrale, të pikturës etj.), për t’i ndihmuar ata ta shikojnë këtë me sy kritik, për të tijtë të zgjedhin atë që mund t’i ndihmojë më shumë.
- U theksua se në jetën në konvikt, veç fenomeneve të in-disiplinimit, karakteristike edhe për studentët e tjerë, tek studentët e kësaj shkolle vërehen edhe disa fenomene të tjera të huaja në tendencat për të varur në dhomë edhe piktura të papërshtatshme, për të dëgjuar muzikë të huaj jashtë çdo mase, për të parë jashtë mase programe të huaja televizive etj., etj.
- U theksua se in-disiplinimi në disa raste vete deri në shfaqje të tilla ekstreme, si mosardhja në orën e mësimit politik, etj.
- – Edhe nga paraqitja e diskutimeve të disa komunistëve pedagogë, del zbehtësia e debatit, e kritikës dhe autokritikës.
1) Kujtim Spahivogli, bëri një diskutim shumë të përgjithshëm mbi rrezikshmërinë e ndikimeve të huaja. Si vërejtje konkrete tha vetëm këto:
(Në këtë paragraf, anash tij, Hysni Kapo ka vënë këtë shënim, me shkrimin e tij: “Duhet të kishin dalë më të plota pikëpamjet e huaja që ka shfaqur K. Spahivogli, si në dobësitë në punën e Partisë e të rinisë. Qëndrimet e shfaqjet e shëmtuara të studentëve dhe qëndrimi oportunist i kuadrove dhe komunistëve”.
- a) Në vënien në skenë të dramës “Viti ’61”, në skenat që zhvillohen jashtë, shihen veshje dhe qethje që nuk ishin në fakt karakteristikë për atë kohë, por që siç duket, janë bërë modë.
- b) Një dramaturge e re na solli një dramë, e cila nga dialogu e forma ishte nën ndikimin e Samuel Beketit, pasi e kuptuam këtë defekt, hoqëm dorë prej kësaj drame.
- c) Ka influenca moderniste në dekore.
2) Muntaz Dhrami, megjithëse e kritikoi si të përgjithshëm diskutimin e K. Spahivoglit, edhe vetë nuk bëri ndonjë diskutim të mprehët. I kësaj natyre, ishte edhe diskutimi i skulptorit tjetër, Shaban Hadërit.
3) Një diskutim me përgjegjësi, bëri Razi Brahimi. Ai theksoi se pjesa më e madhe e pedagogëve tanë (krijues e kritikë), kanë mbajtur pozita të drejta në diskutimet publike e në shtyp, e janë përpjekur të luftojnë kundër influencave të huaja dekadente moderniste. Por, nuk ka vend për vetëkënaqësi. Edhe përgjegjësia jonë për shfaqjet që kritikohen, është e madhe. Në bisedat tona është shfaqur pakënaqësia ndaj fenomeneve të papëlqyeshme. Por këmbëngulja jonë për t’i luftuar ato nuk ka qenë ajo që duhet.
Jemi mjaftuar me biseda në rrethe të ngushta. Disa herë jemi rezervuar, duke menduar se mos identifikojmë personin me partinë. Kështu, ditën e dytë të festivalit, rastësisht u takova me ministrin e Arsimit, (Thoma Deljana, shënimi ynë), pashë se edhe ai kishte vërejtje për të. Por kur shikon që as ai nuk i shikon vërejtjet, vetvetiu mund të lindë rezervimi. Gjithashtu, kemi pasur stepje të kritikojmë se mos na sulen, pra; jemi treguar mikroborgjezë.
Ka pasur tendenca liberale, sidomos në shtyp dhe në gazetën “Drita”. Kur iu sugjerua që ta konkretizonte këtë kritikë, përmendi vjershën e Xhevahir Spahiut, që kritikoi shoku Enver, poemën “Dielli dhe rrëketë” të Faslli Halitit, të botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, vjershën “Fiku dhe deti” dhe të tjera, që ka kritikuar ai vetë, tregimet e Sabri Godos, që vite përpara nuk qenë botuar dhe megjithatë u botuan tani së fundi, etj.
Disa kritikë si Adriatik Kallulli, Kudret Velça, Dalan Shapllo, Koço Bihiku e Ali Abdihoxha, kanë filluar të shkruajnë më pak dhe të stepen. Kjo vjen si rezultat i atmosferës jo të shëndoshë, sidomos nuk gjejnë mirëpritje në gazetën “Drita”. Revista “Nëntori” vitet e fundit, ka krijuar një atmosferë më të shëndoshë, kurse “Drita”, më pak.
Në frymën liberale kanë ndikuar edhe lëvdatat pa baza ndaj poetëve të rinj, pa i diferencuar ato: në këtë kanë ndikuar edhe shokët me përvojë të Lidhjes. Në fund theksoi edhe çështjen se; ne çajmë rrugë të reja e, duhet të studiojmë më seriozisht problemet e perspektivës edhe në fushën e letërsisë dhe të artit, me qëllim që të luftojmë në mënyrë edhe më të kualifikuar kundër ndikimeve të huaja.
4) Në diskutime morën pjesë edhe komunistë të tjerë pedagogë, studentë dhe punonjës. Njëri nga diskutantët studentë shtroi çështjen se pas festivalit, deshëm të botonim një kritikë lidhur me konferencierët (Bujar Kapexhiu e Edi Luarasi, shënimi ynë. D.K.) e disa të meta të tjera, që na kishin rënë në sy, por redaktori i gazetës “Studenti”, na tha se kish biseduar me rektorin e universitetit (Agim Mero, shënimi ynë, ) dhe se ai i kish thënë se; nuk ishte e nevojshme të botonin një artikull të tillë. Memorie.al
28.II.1973
Hamit Beqja