Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që i përket muajit gusht të vitit 1944, ku ndodhet një relacion i Gogo Nushit (i nënshkruar me pseudonimin ‘Hyseni’), dërguar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare lidhur me lajmin e dhënë nga Radio Bari, për vrasjen e Mustafa Gjinishit, ku ai midis të tjerash shkruan: “Kur mësuam nga Radio-Bari për vrasjen e Mustafa Gjinishit, ia njoftuam atë gjë Myslym Pezës, i cili u hidhërua shumë por nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh kur filloi të pinte raki, në prezencë të 50-60 vetave, ai tha: Mustafën e kanë vrarë shokët, se ai ishte më i zoti se ata. Atij nuk ia dhanë vendin që meritonte. E kërkova të vinte në Pezë si Mustafën ashtu dhe Hasan Reçin, por nuk më lanë Ramadan Çitaku me shokë, që ju dhjes mustaqet. Mustafa ma tha që në Përmet, se do e dërgonin andej nga Dibra dhe atje do e zhduknin”. Si dhe urdhërin e ditës të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të datës 26 gusht 1944, ku Enver Hoxha, midis të tjerash, njofton: “Në frontin e Maqellarës dhe Dibrës ku forcat e Divizionit të Parë sulmues, nën komandën e gjeneral-major Dali Ndreut, pesë ditë rresht luftuan me tërbim kundër forcave të mëdha gjermane e zogiste të cilat u shpartalluan keqas me humbje të mëdha, ra dëshmor në fushën e nderit, shoku ynë, nënkolonel Mustafa Gjinishi”
Lidhur me misteret e vrasjes së një prej personaliteteve më të rëndësishëm të Luftës Antifashiste, nënkolonel Mustafa Gjinishit, ish-antarit të Kryesisë së Këshillit Nacional-çlirimtar dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë partizane të komanduar nga Enver Hoxha, vrasje e cila si në atë kohë dhe më pas bëri bujë të madhe për vetë personalitetin dhe autoritetin që gëzonte Gjinishi, si tek komunistët ashtu dhe tek nacionalistët dhe gjithashtu edhe për rrethanat që e çuan udhëheqjen e lartë komuniste për eleminimin e tij, Memorie.al ka shkruar në dy numra rradhazi në rubrikën dossier në, para disa kohësh. Në ato dy shkrime ne bënë publike dëshmitë e dy prej njerëzve më të afërt të Enver Hoxhës gjatë periudhës së Luftës: sekretares së tij në Shtabin e Përgjithshëm, Gjystina Sata (ose siç është njohur ndryshme si Flora Dishnica) dhe Shyqëri Këllezit, i cili ka qenë roje personale i Enverit.
Pas Luftës, Këllezi ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së deri nga viti 1950, kur u përjashtua nga ai forum i lartë (së bashku me Abedin Shehun dhe Njazi Islamin) dhe u dërgua në detyra të ndryshme si, Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave etj., e në vitin 1980, pasi kishte dalë në pension, u dënua me tetë vjet burg-politik i akuzuar si “armik i popullit”. Në ato dy dëshmi të dhënë prej tyre, hidhet dritë mbi të vërtetën e vrasjes së Mustafa Gjinishit, e cila u krye me urdhërin e Enver Hoxhës, pas porosive të dy emisarëve jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç. Memorie.al i rikthehet edhe njëherë asaj ngjarje të largët, duke e ilustruar edhe me dokumentet arkivore nga Arkivi Qendror i Shtetit, në të cilat ndriçohet më së miri e vërteta e vrasjes së Mustafa Gjinishit, prej krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, me në krye Enver Hoxhën.
Në këtë shkrim, përveç një historie të shkurtër të jetës së Mustafa Gjinishit dhe familjes së tij, po publikojmë kujtimet dhe dëshmitë e Enver Hoxhës për vrasjen e tij, (duke botuar edhe urdhërin e ditës të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 26 gusht 1944, ku njoftohej vrasja e tij), si dhe dokumentin arkivor që mban datën 8 gusht 1944, ku Myslym Peza, jep versionin e tij për vrasjen dhe autorët e vërtetë që urdhëruan eleminimin e tij fizik, pa u ndalur te ekzekutorët e tij, që më pas u dekoruan me gradat e gjeneralit, apo si antarë të Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare, për t’u eleminuar më pas fizikisht, si “armiq të popullit”.
Kush ishte Mustafa Gjinishi?
Mustafa Gjinishi u lind në vitin 1910 në një fshat të vogël në afërsi të Peqinit dhe familja e tij në atë kohë ishte një nga më të njohurat e asaj zone. Babai i tij, Adem Gjinishi, në fillimin e viteve 1920, u bashkua me grupin e politikanëve që udhëhiqeshin nga Fan Noli dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, ai u vra në rrethana të panjohura, por ajo vrasje i’u atribua kundërshtarëve të tij politik. Sipas disa dëshmive të bërë publike në atë kohë, thuhet se vrasësit e tij ishin njerzit e Shefqet Vërlacit, të cilin Ademi e kishte kundërshtar politik.
Nga fundi i viteve 1920, Mustafa Gjinishi mundi që të përfitonte një bursë shtetërore për të vazhduar studimet në shkollën Teknike amerikane të Harry Fultz-it në Tiranë. Ajo bursë i’u akordua nga Mbreti Zog, i cili e kishte si zakon që të ndihmonte familjet dhe fëmijët jetim të të gjithë kundërshtarëve të tij politikë. Pas mbarimit të asaj shkolle në Tiranë me rezultate shumë të mira, Mustafa Gjinishi u kthye pranë familjes së tij që jetonte në afërsi të Peqinit, të cilët vazhdonin të ishin në armiqësi, si me Vërlacët, ashtu dhe me Qeverinë e Mbretit Zog, prej të cilëve patën dhe disa probleme si familje. Nisur nga ajo situatë ku ndodhej familja e tij, Mustafai u detyrua të emigronte jashtë Shqipërisë dhe u vendos në Jugosllavi, ku dhe fitoi azilin politik.
Sipas disa dëshmive, dokumenteve arkivore dhe kujtimeve të ish-misionarëve britanikë në Shqipëri dhe Jugosllavi gjatë periudhës së të vendit, (1939-1944), gjatë periudhës së emigracionit në Jugosllavi, Gjinishi u punësua për disa kohë si përkthyes pranë ambasadës britanike në Beograd, meqënëse ai njihte mirë gjuhën angleze, të cilën e kishte mësuar në shkollën amerikane në Tiranë. Pas agresionit fashist ndaj Shqipërisë në vitin 1939, Mustafai u bashkua me Abaz Kupin, Mustafa Kaçaçin si dhe disa emigrantë të tjerë politikë që pas pushtimit italian kishin emigruar në Jugosllavi. Në kuadrin e organizimit të Luftës Antifashiste në Ballkan, gjë e cila ishte marrë përsipër nga anglo-amerikanët, aty nga fillimi i vitit 1942, me ndihmën e majorit britanik Crissp, Gjinishi u kthye në Shqipëri së bashku me Abaz Kupin e Mustafa Kaçaçin. Gjatë kthimit në mënyrë ilegale për në Shqipëri, ata kaluan nga Dibra, ku morën kontakt dhe me Haxhi Lleshin dhe së bashku me të erdhën në Tiranë ku Gjinishi hyri menjëherë në lidhje me Myslym Pezën, i cili ishte miku më i ngushtë i babait të tij, Adem Gjinishit.
Pas takimit me Myslym Pezën, Gjinishi së bashku me Koço Tashkon u caktuan nga ana e Komitetit Qëndror të PKSH-së që të merrnin kontakte me nacionalistët dhe t’i ftonin ata të bashkëpunonin në interes të Luftës me Frontin dhe PKSH-në. Përpara se të mbahej Konferenca e Pezës, Gjinishi me Koço Tashkon kishin hartuar një platformë ku kërkonin që Partia Komuniste të afronte në rradhët e Frontit të gjithë nacionalistët antifashistë që kishin dhënë prova se ishin për luftë kundër italianëve. Në atë platformë, përveç emrave konkret si Muharrem Bajraktari e Abaz Kupi, ata kërkonin që në rradhët e Frontit të thërriteshin dhe klerikët katolikë të Veriut të cilët kishin kundërshtuar pushtimin fashist të Shqipërisë. Po kështu ata kërkuan ardhjen në Front edhe të Mehdi Frashërit, që kishte qenë i internuar nga italianët si antifashsit.
Por në realizimin e asaj platforme, ata shihnin si pengesë kryesore Enver Hoxhën, i cili mbante një qëndrim armiqësor ndaj nacionalistëve dhe duke qenë se nuk e realizuan dot idenë e tyre për Frontin, Koço Tashko, disa ditë pas Konferencës së Pezës, i bëri një letër të gjatë Kominternit, ku akuzonte dhe denonconte direkt qëndrimin e Enver Hoxhës. Gjatë periudhës së Luftës, Mustafa Gjinishi u zgjodh në organet dhe forumet më të larta që udhëhiqeshin nga Partisë Komuniste, si Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar që përbëhej prej shtatë vetash dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që u formua më 10 korrik 1943 në Labinot të Elbasanit. Po kështu në Konferencën e Mukjes, Gjinishi u zgjodh Sekretar i Mbledhjes ku u arrit edhe marrveshja e famshme që u prish më pas nga Enver Hoxha, pas ndërhyrjes së dy emisarëve jugosllavë pranë Partisë Komuniste Shqiptare, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç.
Dëshmitë e Enverit në librat e tij për Mustafa Gjinishin
Lidhur me Mustafa Gjinishin, nga ardhja e tij në Shqipëri pas emigrimit dhe aktivitetin e kontributin e tij gjatë Luftës, si dhe vrasjen e tij, Enver Hoxha në kujtimet e tija të botuara në vitin 1982 në librin “Kur hidheshin themelet”, midis të tjerash ka shkruar: “Gjinishi ishte njeri i zgjuar, dinamik, aktiv, por mëndje madh, i mbyllur ndaj nesh dhe jo i sinqertë. Fliste me gjeste për të krijuar autoritet. Donte të tregonte se kishte lidhje dhe influencë të madhe tek Myslym Peza si edhe në shumë rrethe nacionalistësh antifashistë e linte të kuptohej se në këto rrethana i dëgjohej shumë fjala dhe këshillat e tij. Lidhur me njerzit që takohej, nuk na thoshte asgjë konkrete. Më vonë mësuam se ku ishin “bazat” dhe “mbështetja” e tij. Gjoja ilegal ai bridhte me anë e mbanë Tiranës me syze të zeza, me rroba blu, herë me qillota, herë me borsalinë dhe herë me kasketë të veshur me kapardinë të bardhë dhe mbante një çantë të zezë në dorë, ku kishte letra, një dhjetëshe turqie dhe disa bomba jugosllave. Njerzit tanë na raportonin se ai shkonte dhe takohej me Irfan Ohrin, Mithat Frashërin, Sheh Karbunarën, Kamber Qafmollën, Abaz Kupin e të tjerë. Se ç’bisedonte me ta, pak gjëra konkrete na thoshte. Me ardhjen e misionit anglez, Gjinishi na u kapërdis si maçoku në thekërr, megjithëse edhe ai edhe ata ruanin aparencat. Mustafa “i gëzueshmi”, “interesanti”, dhe i “sinqerti”, siç thoshin anglezët për të, kishte avantazhin se dinte anglisht dhe mund të fliste lirshëm me ta, e të përkthente mbarë e prapë. Mundoheshim të bënin lidhjen midis disa takimeve të anglezëve me personalitete “nacionaliste” dhe takimeve që pati bëri Mustafa më parë me këtë njerëz që tash ishin hapur me Ballin, por megjithatë atë akoma nuk e kishim gjetur fillin e shtjellimit të këtij lëmshi”. Po kështu në kujtimet e tij Enveri ka shkruar se në atë kohë ai kapi një sinjal nga Radio BBC që i drejtohej “Tafarit”, i cili sipas tij ishte pseudonimi i Gjinishit, gjë të cilën ia kishte konfirmuar edhe Mustafa Kaçaçi. Pas kësaj Enveri shkruan se e thërriti Ginishin në Labinot dhe aty e detyroi që të tregonte të vërtetën se ishte agjent i anglezëve dhe Gjinishi e pranoi se ishte bashkëpuntor i tyre për të mirën e Shqipërisë. Sipas Enverit, Gjinishi, lidhjet me anglezët i kishte filluar që kur ishte në Jugosllavi me nënkolonelin Hill dhe ai e kishte nisur atë në Shqipëri bashkë me Abaz Kupin. Për këtë takim Enveri ka shkruar: “Pas disa orësh rrahje mendimesh në mes nesh, duke peshuar çdo gjë: rrethanat e luftës, rrethin shoqëror dhe njohjet e Gjinishit, rrezikshmërinë e tij, veprimet e tija tradhëtare, karakterin e tij fodull, bajraktar, pohimin e plotë të veprimtarisë, vendosëm të mos e dënonim me vdekje. Ne e falëm sepse ai na dha fjalën se do të mbeste besnik i partisë, por ai s’u bë kurrë njeri i mirë, vazhdoi rrugën e tradhëtisë dhe ishte e mbeti agjent i anglezëve. Në prag të Kongresit të Rinisë në Helmës, u takova me nënkolonelin anglez Lik, i cili kishte dijeni se ne do të mbanim një Kongres. Ja dhe një shenjë tjetër mendova se anglezët do të kishin ndonjë informator në rradhët tonë dhe ai informator ishte Mustafa Gjinishi. Kjo gjë kishte kohë që ishte bërë e qartë për mua. Teksa po largoheshim nga Helmësi në drejtim të Staraveckës, Gjinishi qëndroi i fundit dhe pasi kujtoi se nuk kishte njeri tjetër mbrapa, vrapoi në një kthesë dhe u takua me një oficer anglez i cili i dha atij një letër. Mustafai e ktheu kokën dhe posa e pa që ne e diktuam, e futi letrën në xhep dhe vazhdoi rrugën. Kur i kërkuam që të na dorzonte letrën, ai na tha: “Letrën nuk e dorzoi i gjallë”. Dhe nuk e dorzoi që se dorzoi. E shamë dhe nuk i lamë gjë pa thënë, por ai vetëm tha: “Bëni çfarë të doni, i tillë jam dhe i tillë do të mbetem”. Më pas Enveri shprehet se për atë gjë vuri në dijeni shokët dhe se e kërcënoi përsëri Gjinishin se po të vazhdonte atë rrugë do të jepte urdhër ta arrestonin dhe se Myslym Peza i kërkoi që të bëhej kryetar i gjyqit për dënimin e tij. Ndërsa lidhur me vrasjen e Gjinishit, Enver Hoxha në kujtimet e tij ka shkruar: “Pas Kongresit të Përmetit, Gjinishin e dërguam ne Veri, pranë reparteve partizane. Përsëri me indulgjencë e trajtuam atë njeri. Por ujku qimen ndërron, por zakonin se harron. Edhe atje pavarësisht nga grushti i rëndë që kishte ngrënë, ai nuk i linte manovrimet dhe batakçillëqet për të goditur partinë. Në gushtin e vitit 1944 një oficer anglez më dërgoi një mesazh që kishte ardhur nga Kuartieri i tij i Përgjithshëm në Bari të Italisë, ku thuhej: “Për Gjeneralin Hoxha. Me regret ju njoftoj se Mustafa Gjinishi, u vra në Frontin e Divizionit të Parë. Ai dhe Smithi ishin vënë në pusi prej një patrulle gjermane. Smithi shëndosh. Humbje e madhe për kauzën aleate”. Dhe në fund vetë oficeri nga ana e tij shtonte: “Gjinishi ishte një mik i madh i yni”. Nga ai dokument dilte më se e qartë se ç’humbje qe për anglezët vdekja e Gjinishit. Po aq e qartë ishte dhe për ne, se ai ishte dhe mbeti deri sa vdiq përkrah mister Smithit, njeriu i anglezëve, agjent e shërbëtor i tyre”.
Njoftimi i Enverit për vrasjen e Gjinishit
URDHËR DITE I USHTRISË NACIONAL-ÇLIRIMTARE
Në frontin e Maqellarës dhe Dibrës ku forcat e Divizionit të Parë sulmues, nën komandën e gjeneral-major Dali Ndreut, pesë ditë rresht luftuan me tërbim kundër forcave të mëdha gjermane e zogiste të cilat u shpartalluan keqas me humbje të mëdha, ra dëshmor në fushën e nderit, shoku ynë, nënkolonel Mustafa Gjinishi, Antar i Kryesisë së Këshillit Nacional-Çlirimtarë dhe Antar i Shtabit të Përgjithshëm, nënkolonel Mustafa Gjinishi, luftëtar i palodhur dhe i pa trembur, pa kursyer asgjë dha jetën në vijat e para të luftës për çlirimin e Atdheut dhe të Popullit Shqiptar. Humbja e tij duhet të na nxisë për të ashpërsuar edhe më tepër luftën kundër okupatorit dhe shërbëtorëve të tij. Në shenjë zie dhe për të nderuar kujtimin e shokut nënkolonel Mustafa Gjinishit, urdhërojmë që të gjitha repartet e Ushtrisë nacional-Çlirimtare, të unjin flamurin e tyre në gjysëm shtizë, për tri ditë rrjesht që prej ditës së sotme. Lavdi heronjve të rënë në fushën e nderit.
V.F. L.P.
Komand. i Përgj. i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare
Gjeneral-kolonel Enver Hoxha
Më. 26.8.1944
(Arkivi i Shtetit F.41 / AP. D.158 V. 1944 Fl.8)
Letra e Gogo Nushit dërguar Enver Hoxhës për vrasjen e Gjinishit
Por ndryshe nga varianti që jep Enver Hoxha, si në urdhërin e ditës të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në gusht 1944, ashtu dhe në kujtimet e tij në vitin 1982 lidhur me rrethanat e vrasjes së Mustafa Gjinishit dhe autorëve të vërtetë që urdhëruan vrasjen e tij, bën fjalë një dokument arkivor që mban datën 31 gusht të vitit 1944, ku Gogo Nushi me pseudonimin “Hyseni”, tregon se si ka reaguar në atë kohë, Myslym Peza, kur u njoftua për lajmin e vrasjes së Mustafa Gjinishit. Në këtë dokument arkivor (të cilin autori i këtij shkrimi e ka publikuar fillimisht në 15.IX.2002 me faksimilen përkatëse në ‘Gazeta Shqiptare’), thuhet:
KOMITETIT QËNDROR
PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE
Të dashur shokë:
Parmbrëmë mësuam nga Radio Bari, vrasjen e Mustafa Gjinishit. Ja njoftuam Myslymit i cili u hidhërua shumë, por nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh, mbasi filloi të pij raki, përpara më shumë se 50-60 vetave filloi të flasi. Në mes shumë fjalëve të tjera tha dhe këto: “Mustafanë e kanë vrarë shokët, sepse ai ishte më i zoti se ata. Këtij nuk i dhanë vendin që meritonte. E kërkova të vinte në Pezë si Mustafën ashtu dhe Hasan Reçin, por nuk më lanë Ramadan Çitaku me shokë të cilëve ju dhjes mustaqet. Mustafa, përpara se të largohej nga Përmeti më tha se do të më dërgojnë andej nga Dibra dhe atje do më ç’dukin. Të mos qemë unë e Mustafa, nuk do të kishte asgjë në Shqipëri. Neve kemi luftue. I dhamë komandën e Divizionit të I-rë Daliut (Dali Ndreu), i cili gjatë dimrit nuk qe i zoti të mbante në këmbë as 20 veta, por erdhi dhe u përplas në Pezë”.
Urrejtje të madhe ç’faqi Baba kundër Daliut, Bacës (Ramadan Çitaku) dhe Haxhiut (Haxhi Lleshi). Unë në fillim nuk i thashë gjë, pse e pashë se në çfarë gjëndje qe, por…” /Memorie.al
Të fala shoqërore Hyseni
Pezë, 31.8.1944
(Arkivi i Shtetit. F.14 / AP. D. 44 V.1944 Fl. 41, 42, 45)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016