Memorie.al /Një dokument i ‘ri konstruktuar’ rishtazi i shkruar në vitin 1944 nga një i burgosur hebre grek në Auschwitz, tregon për mjerimin që “mendja njerëzore nuk mund ta imagjinojë”. Teksti u zbulua i varrosur në tokë në kampin nazist të shfarosjes.
Çdo ditë, Marsel Nadjari dhe të burgosurit e tjerë të caktuar në njësinë “Sonderkommando” në kampin e shfarosjes së nazistëve Auschwitz-Birkenau, u përballën me gjendjen më të keqe.
“Ne të gjithë vuajmë këtu gjëra që mendja njerëzore nuk mund t’i imagjinojë”, shënoi Nadjari në një tekst që e shkruajti fshehurazi në fund të vitit 1944, pastaj e futi në një termos, e mbështolli me një qese lëkure dhe e varrosi në tokë afër Krematoriumit III, para se të bëhej çlirimi i kampit në fillim të vitit 1945.
“Nën një kopsht, ka dy dhoma bodrumesh të pafundme: njëra është krijuar për t’u zhveshur, tjetra është një dhomë vdekjeje”, shkroi Nadjari. “Njerëzit hyjnë të zhveshur dhe kur ajo mbushet me rreth 3.000 njerëz, ajo mbyllet dhe mbushte me gaz”.
Metoda të paimagjinueshme të abuzimit
I burgosuri grek, përshkroi se si të dënuarit ishin aq ngushtë të vendosur “si sardele”, ndërsa gjermanët përdornin shkopinj për t’i shtyrë njerëzit më pranë njëri tjetrit, para se të mbyllnin dyert dhe të lëshonin gazin.
“Pas gjysmë ore, ne do të hapnim dyert dhe fillonte puna jonë”, shkroi Nadjari. Puna e të burgosurve: dorëzimi i kufomave në furrat e djegies, ku “një qenie njerëzore përfundon në rreth 640 gram hi”.
“Rëndësia historike e fjalëve të Nadjari, të cilat tani janë pothuajse plotësisht të lexueshme, pasi fillimisht u zbuluan në gjendje shumë të keqe, i bën ato shumë të veçanta”, tha historiani rus, Pavel Polian.
“Mesazhi i Nadjarit, botuar për herë të parë ndonjëherë në gjermanisht, në një revistë tremujore nga Instituti i Historisë Bashkëkohore me bazë në Mynih (IfZ), është një nga nëntë dokumentet e veçanta, të gjetura të varrosura në Aushvic”, tha Polian për DW. Tekstet, të shkruara në total, prej pesë anëtarësh të njësisë “Sonderkommando” të kampit të përqendrimit, “janë dokumentet më qendrore të Holokaustit”, tha ai.
Rindërtimi i tekstit
Polian, hulumtoi tekstet për 10 vite dhe i botoi këto në librin e tij, “Rrotullat nga hiri”. Mesazhe të tilla të varrosura u gjetën ekskluzivisht në Auschwitz, tha Polian, “shumica e tyre u zbuluan në shkurt apo në mars 1945, menjëherë pas çlirimit të kampit”. Këto letra të Nadjarit, ishin të fundit që u zbulua, shpjegoi ai, duke shtuar se nuk ka shumë të ngjarë që ndonjë mesazh tjetër nga anëtarët e njësive “Sonderkommando” të jenë varrosur ende në tokë.
Në përgjithësi, rreth 100 nga pothuajse 2.000 të burgosurit e Auschwitz-it, të ngarkuar me asgjësimin e mijëra kufomave, i mbijetuan kampit të përqendrimit. Nga pesë që shkruan dhe varrosën mesazhe, Nadjari ishte i mbijetuari i vetëm.
Një student, duke bërë gërmime në 1980-ën, në pyllin pranë rrënojave të krematorit III të Auschwitz-Birkenau, zbuloi shënimet e mbështjellura në termos. Ndryshe nga mesazhet e të burgosurve të tjerë, kryesisht të shkruar në Jidish, vetëm 10 deri në 15 përqind e tekstit grek të Nadjari ishte i lexueshëm, tha Polian – në fund të fundit, letra ishte varrosur në tokë e zhytur për 35 vite në atë vend.
Dokumenti i brishtë u vendos në Memorialin dhe Muzeun Auschwitz-Birkenau.
Në vitin 2013, një specialist i ri rus i IT-së, kaloi një vit duke punuar në skenarin për paqartësitë, duke bërë që skicat e shkronjave të dukeshin përsëri me ndihmën e analizës së imazhit multispektral. “Tani mund të lexojmë 85 deri 90 përqind”, tha Polian, i cili inicioi projektin. Një përkthim në anglisht dhe greqisht është në proçes.
Të mbijetosh të pa imagjinueshmen
I lindur në vitin 1917, Marcel Nadjari ishte një tregtar grek nga Selaniku. Ai u kap dhe e futën në Auschwitz në prill 1944 dhe e caktuan në një punë në “Sonderkommando”.
Në letrat e gjetura ndër të tjera ai shkruante:”Nëse lexoni për gjërat që kemi bërë, do të thoni, si mund ta bënte dikush këtë, të digjte shokët e tij hebrenj”?! “Kjo është ajo që kam thënë në fillim, gjithashtu, dhe kam menduar shumë herë”, shkroi ai.
Pas luftës, Nadjari u kthye në Greqi. Në vitin 1951, ai, gruaja dhe djali i tij emigruan në SH.B.A., ku punoi si rrobaqepës. Ai vdiq në New York në 1971, në moshën 54 vjeç.
Ndërsa ai në fakt i shkruajti kujtimet e tij përsëri në Greqi, duket se i mbijetuari i Aushvicit nuk i tregoi kurrë askujt për shënimet që ai varrosi thellë në tokë afër krematorit, ku më shumë se një herë, ai ishte aq i shkatërruar sa që mendonte të bashkohej me njerëzit në dhomat e gazit – por perspektiva e hakmarrjes gjithmonë e mbajti atë larg këtij veprimi.
Ai është i vetmi nga pesë autorët e “Sonderkommando” që shkruajti hapur për hakmarrje, tha Polian, duke argumentuar dhe veçuar shënimet e Nadjari nga të tjerët.
“Nuk jam i trishtuar që do të vdes”, shkroi Nadjari, “por jam i trishtuar që nuk do të jem në gjendje të hakmerrem siç do të doja”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016