Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetetetë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota, me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive në hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit, grupit të tij të shoqërimit dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje e, deri korrespodenca me letra të Mehmet Shehut dhe Fiqretes (shkruara me dorën e tyre), për djemtë, Bashkimin dhe Skënderin, deri në ditët e para të dhjetorit 1981.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë këtyre ngjarjeve, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
LETRA E KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, ME SHKRIMIN E TIJ, DËRGUAR MË 3 DHJETOR 1981, DJALIT TIJ, SKËNDER SHEHU, NË STOKHOLM TË SUEDISË, KU AI VAZHDONTE STUDIMET PASUNIVERSITARE
………….(nuk lexohen disa fjalë, shënim ynë) provimet pasuniversitare të dy vjetëve të fundit me korrespodencë, domethënë duke punuar këtu në uzinë, si përshembull në Uzinën “Dinamo”, ku ke punuar për shumë vjet dhe e njeh, ose gjetkë siç mund të bimë dakord kur të bisedojmë shtruar, kur të kthehesh këtu dhe njëkohësisht të studiosh …….(nuk lexohen disa fjalë, shënim ynë), për të përgatitur edhe pjesën e programit që të ka mbetur nga dy vjetët të kursit pasuniversitar.
Dhe pastaj, nga koha në kohë, mund të rikthehesh në Stokholm, qoftë për konsultime, provime a punë laboratorike (që s’mund të bëhen këtu), etj., gjer sa të mbarosh fare studimet pasuniversitare (pa shkëputje nga puna, këtej e tutje). Kjo mund të bëjë që studimet pasuniversitare të Stokholmit, në vend që të mbarojnë në katër vjet pa ndërprerje, mund t’i mbarosh të shtyra në pesë vjet, (me ndërprerje, me korrespodencë). Këtu s’ka asgjë të keqe.
Por për këto gjera duhet biseduar me profesorin, (profesorët) ose me Institutin ku ti mëson, ose me Institutin suedez që merret me këto çështje, domethënë që të ka dhënë bursën. Nuk na prish ndonjë punë në qoftë se suedezët e presin bursën në këtë rast, për kohën që ka mbetur për të plotësuar katër vjetët, sepse kthimin tënd aty në Stokholm, me intervale të shkurtra për provime, konsultime etj., mund ta përballojmë edhe me shpenzimet e shtetit tonë, në kuadrin e shpenzimeve që shteti ynë bën për studime pasuniversitare jashtë shtetit, po qe se suedezët e presin bursën qysh tash, me kthimin tënd në Tiranë.
Këtë ne mund ta bëjmë po qe nevoja, por rëndësi ka krijimi i mundësisë për të vazhduar studimet më tej për kohën që ka mbetur me korrespodencë, domethënë me ndërprerje dhe jo pa ndërprerje fare, siç është bërë deri më tash. Edhe po qe se do të duhet kohë relativisht e gjatë, për t’i rregulluar këto gjëra (vazhdimin e studimeve me korrespodencë), me Institutin dhe autoritetet suedeze, dhe nuk arrin që t’i rregullosh dot vet tash, mjafton që të japësh edhe provimin që ke në duar tash dhe kthehesh në Tiranë, se këto kushte (për rikthimin aty me intervale, kohë pas kohe, etj.) për të vazhduar provimet me korrespodencë këtej e tutje, ne mund të vazhdojmë ta trajtojmë në mënyrë zyrtare, nëpërmjet ambasadës sonë aty, për të cilën i kam shkruar edhe Lamanit.
Në çdo rast, mos harro, për çdo eventualitet, që të marrësh një vërtetim zyrtar me shkrim nga Instituti, për atë pjesë të studimit pasuniversitar që ke kryer në fakt, (sa dhe çfarë provimesh ke dhënë, etj., si dhe vlerësimet, notat, ose pikët që ke marrë për secilin provim që ke dhënë, se ky dokument do të jetë gjithmonë i vlefshëm.
Si ti vetë, ashtu dhe ambasada, argumentoni që do të përdorni para profesorit (profesorëve) para Institutit dhe autoriteteve suedeze përkatëse, duhet të jetë: “nevoja që kemi për kuadro, për realizimin e detyrave të mëdha të planit të ri pesëvjeçar, na detyrojnë që Ariani të kthehet në Tiranë dhe të vazhdojë më tej studimet që i kanë mbetur (nga programi katërvjeçar), me korrespodencë në Suedi, që nga Tirana”. Dhe jo t’u thoni ose të bëni aluzione për argumentimet e letrës që po të shkruaj, në asnjë mënyrë.
Për këtë i kam shkruar dhe Lamanit e Ganiut, e merrni vesh se për këtë çështje të përdorni gjuhë të përbashkët. Kurse për justifikimin këtu, në punë, në publik, do e bisedojmë bashkë kur të kthehesh, mund të jetë: “vazhdimi i mëtejshëm i studimeve pasuniversitare, me korrespodencë”, etj. Në qoftë se profesori pse Instituti ta presin dhe të thonë se kursi duhet vazhduar për katër vjet pa-ndërprerje dhe se është krejt e pamundur që të vazhdohet studimi me ndërprerje, siç e kërkojmë ne këtej e tutje në këtë rast, ahere ne të propozojmë, ti, merr sendet e tua që duhet të marrësh me vete, si programet, librat për studim individual, sidomos ato sende të përdorimit individual që duhet dhe mund t’i merrni, letra e dokumente personale që mund të kesh, rrobat, etj., dhe kthehu në Tiranë sapo të japësh provimin që ke ndër duar, kurse plaçkat e rënda, që mund të kesh e, nuk i merr dot me vete, mund t’i sjell më vonë Bali, kur të kthehet, sepse vetëkuptohet, duke u kthyer ti në Tiranë, do të kthehet edhe Ganiu (me ty), e më pas, Bali.
Në kët rast, çështjen se si do të vazhdosh studimet pasuniversitare, që ke dy vjet e ca që i vazhdon aty, e bisedojmë hollësisht e nga çdo pikëpamje, kur të vish në Tiranë. Një gjë duhet ta kesh të qartë Neli, se studimet pasuniversitare që ke bërë aty gjer tash, nuk të humbasin, nuk janë gjë e humbur, por e fituar, janë dijeni shkencore të përfituara në fakt, dhe nuk mund të mos merren parasysh, në çdo rast dhe në çdo formë që do përdoren, për t’i mbaruar ato (studimet pasuniversitare) plotësisht.
Ndërprerja e studimeve pasuniversitare në formën e tanishme, Neli im i dashur, duhet kuptuar prej teje (dhe kam besim të plotë se kështu do ta kuptohet prej teje), se është jo vetëm e këshillueshme, por edhe e domosdoshme; këtë e kërkon interesi i Partisë, (por edhe interesi yt, sepse te ne, interesi i Partisë, dhe interesi personal puqen, dhe duhet vënë në plan të parë kurdoherë, interesi i Partisë). Këtë e kërkon interesi i Partisë, për t’i hequr armikut të klasës një argument që ai mund ta përdorë dhe do e përdorë, duke thënë përshembull se; “Skënder Shehu, po të mos ishte djalë udhëheqësi, (djali i Mehmet Shehut, disa e thonë i anëtarit të Byrosë Politike), me këtë fejesë që e bëri, pavarësisht se e prishi, do të ishte kthyer në Tiranë e, s’do lejohej t’i vazhdonte studimet jashtë shtetit, etj. Kështu që, vetëm duke u kthyer ti këtu, armikut të klasës i hiqet arma që përdor, se në këtë rast konkret, “udhëheqësit i ruajnë privilegjet për fëmijët e tyre”!
Por këtë (kthimin tënd në Tiranë), e kërkon edhe opinioni i shëndoshë, opinion i njerëzve tanë, i popullit dhe i Partisë, opinion që u hidhërua kur ne bëmë gabimin që lidhëm fejesën me vajzën e Qazim Turdiut, pastaj u gëzua shumë kur sapo mori vesh prishjen e kësaj fejese, dhe tash dëshiron ta shoh konkretisht, që Skënder Shehu, nuk kërkon privilegje, por është i gatshëm që t’i shtrohet punës, edhe në uzinë si inxhinier, dhe aty të tregojë se edhe atë gabim që bëri, e shleu me punë, luftë dhe sjellje të mirë në çdo pikëpamje, duke vazhduar, njëkohësisht, edhe studimet universitare, si gjithë të tjerët.
Ti je i ri nga mosha Neli, ti e ke jetën përpara, edhe për studime pasuniversitare, edhe për martesë. E kuptojnë se nuk të vjen mirë që të ndërpresësh në mes studimet pasuniversitare e, të kthehesh në Tiranë para kohe, për të vazhduar pastaj studimet në forma atë tjera, pa shkëputje nga puna. Por unë e di se edhe ti je komunist, je studios këmbëngulës, gjakftohtë, punëtor i palodhur, me vullnet të fortë dhe do më kuptosh.
Lexo dhe i rilexo me kujdes, me partishmëri dhe gjakftohtësi, çdo rresht e fjalë që po të shkruaj në këtë letër, tregohu komunist i pjekur, Neli im i shtrenjtë, tregohu i matur, tregohu vigjilent, gjakftohtë, optimist. Kujto babin tënd që u plak dhe Fiqretin po ashtu, që çdo gjë ja kemi dedikuar Partisë, mbi të gjitha mba parasysh interesat e Partisë, dhe e gjithë kjo e keqe që na ndodhi (që u shkaktua për fajin tonë), do kalojë.
Partia i do njerëzit e saj, i edukon, i jep dorën ku gabojnë, i çon gjithmonë përpara në luftë kundër armikut të brendshëm dhe të jashtëm, për socializmin dhe komunizmin. Unë dhe Fiqreti do vdesim rehat, vetëm atëhere kur kjo çështje e keqe do mbyllet përfundimisht. Dhe ajo do mbyllet përfundimisht, kur armiku i klasës të çarmatoset për këtë çështje dhe opinion të ndreqet plotësisht, kur ti të martohesh me një vajzë të mirë, dhe kur ne (unë dhe Fiqreti), t’ja kemi shlyer gabimin Partisë.
Prandaj, Neli i dashur i babit, më kupto mirë për këto që po të them, lexoi dhe rilexoi siç ta theksova më lartë, më kupto si komunist që je, më kupto si revolucionar, gjykoje çështjen me gjakftohtësinë më të madhe, me partishmërinë më të lartë, sepse ky hap që po të them unë që të bësh, (kthimi në Tiranë, siç thashë më lart), është i peshuar mirë nga të gjithë anët, dhe në interesin e Partisë, i cili duhet vënë kurdoherë, mbi çdo gjë.
Nuk mbetesh ti Neli, pa i mbaruar studimet pasuniversitare, që i ke me aq pasion. Janë me qindra dhe qindra kuadro të lartë, që kanë mbarur ose, vazhdojnë studimet pasuniversitare, brenda dhe jashtë shtetit. Dhe midis tyre ka që janë edhe 40-45 vjeç, kurse ti je akoma i ri, 32 vjeç, e përsëris, je i ri, jetën e ke përpara, s’mbetesh pa e arritur edhe këtë objektiv aq të dashur për ty, – mbarimin e studimeve pasuniversitare.
Shkurt për këtë problem, (kthimin tënd), i kam shkruar edhe Ganiut e Lamanit aty. Natyrisht, Ganiut dhe Lamanit i kam shkruar vetëm për kthimin tënd, për vazhdimin e studimeve pasuniversitare më tej me korrespodencë, dhe për argumentimin që do të përdorni me autoritetet e Institutit suedez, për kthimin e për studimet (me korrespodencë), por nuk kam shkruar asgjë në lidhje me gabimin tonë, për fejesën tënde dhe arsyetimet e tjera që po të shkruaj në këtë letër.
Babi (dhe mami), presin të na kuptosh thellë dhe kemi besim se do të na kuptosh thellë, për të mirën e Partisë, por edhe për të mirën tënde.
Të gjithë të puthim me dashuri Neli ynë i shtrenjtë, Babi – Mami – Vladi – Kimi – Bardha, – Marjeta, – Eda, – Erti, por edhe Rega. /Memorie.al
Tiranë, më 3.12.1981
Edhe njëherë të puth babi fort
Babi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016