Nga Nestor Topençarov
Pjesa e trembëdhjetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I TRETË
– “Janë armiq, – tha prokurori”.
M’u drejtua në mënyrë të tillë, sikur unë të mos isha armik. Më pas ai kërkoi të merrte vesh, se ku kisha qenë atë moment dhe se ndoshta, dikush që kishte asistuar, më kishte treguar çfarë kishte ndodhur. U mundova të isha i kujdesshëm në përgjigje, se mjaftonte pak për të krijuar problem.
Kur panë se nuk mund të merrnin asnjë dëshmi nga ana e ime, më lanë të lirë. Kur po dilja nga salla, më zuri syri edhe policin Gjergj. Që nga ajo ditë, ky polic, jo vetëm që nuk më ra më në qafë, por nga ndonjëherë kur më kalonte afër, më jepte një buzëqeshje të lehtë.
Komanda dhe operativi, kishin informatorë ndër të dënuarit, që njoftonin çdo gjë që ndodhte në kamp. Ata përpiqeshin të kishin sa më shumë të tillë, jo vetëm në kamp por, edhe në brigadat e punës, për të kontrolluar situatën. Një pjesë të tyre e përdornin për t’i nxjerrë dëshmitarë në ri-dënimet.
Në krahasim me numrin e të burgosurve, këta ishin të pakët, aq sa shpesh nxirrnin të njëjtin dëshmitar, në procese të ndryshme. Pjesa më e madhe e të burgosurve, ishin njerëz të ndershëm. Kishte nga ata që shpreheshin hapur kundër regjimit, e të tjerë me hallin që i kishte zënë, shihnin të mbaronin ato vite që u kishin mbetur, për t’u kthyer në familje.
Në Spaç kishte të dënuar nga të gjitha moshat. Megjithatë mbizotëronin të rinjtë, krahu i punës për në minierë. Edhe arsimi që kishin kryer ishte i ndryshëm. Një pjesë ishin fshatarë, të tjerë punëtorë por kishte edhe shumë intelektualë, që regjimi preferonte t’i kishte në burg.
Kur vajta në fillim në Spaç, u njoha me Ziso Vangjelin. Si nga Korça që isha, më pyeti për një shok që kishte pasur në liceun e Korçës. Deri në atë moment, askush nga korçarët, nuk kishte mundur t’i jepte një përgjigje.
Mora vesh që bëhej fjalë për dajën tim të madh, Dhimitrin, i cili që në fillim të Luftës, ishte larguar nga Shqipëria. I erdhi keq kur i thashë, që kishte vite që nuk jetonte më.
Më la përshtypje të një njeriu me vlera të larta intelektuale. E shihja shpesh ashtu të vjetër në moshë, trupvogël, që rrinte në vetmi. Nuk i vinte njeri ta takonte, nuk kishte ndihma. Megjithatë, nuk e shihje në radhë në mensën e nëntokës, për ndonjë garuzhdë supë, nga ajo që tepronte.
Një ditë isha me dy shokët e mi dhe kur po shkoja të haja diçka që kishim gatuar, pashë Zison dhe e ftova me kënaqësi. Më falenderoi me atë buzëqeshjen e tij të veçantë, por nuk pranoi të vinte.
Ishte kthyer në Shqipëri, në fillim të viteve ’60-të, pas thirrjes që qeveria iu kishte bërë shqiptarëve, që jetonin jashtë. Duke e dashur vendin e tij dhe si patriot, mendoi të kontribuonte. Pas pak vitesh e kishin dënuar rëndë, si agjent. Për shumë vite në burgun e Burrelit, ishte marrë me përkthime veprash në anglisht e frëngjisht.
Më pas e kishin sjellë në Spaç. Ziso bënte pjesë në atë grup personash, që nuk binte në sy (të padukshmit), ashtu si Martini, Raqi, Mehmeti, Rakoja dhe pjesa më e madhe e bashkëvuajtësve.
Kishim edhe figura të letërsisë dhe të artit. Kam njohur shkrimtarin Halil Laze, humoristin e Estradës së Ushtarit, Dhimitër Furxhi, që e kishin dënuar për barcaletat që tregonte për Enverin e partinë, kino-opratorin Dhimitër Lala, Telat Agollin, krijuesin e Cirkut të parë në vend. Pata fatin të njoh edhe shkrimtarin Zyhdi Morava, me të cilin për një periudhë, kemi punuar në zonën e dytë.
Me të dhe me Irfanin, kushëririn e tij, pata mjaft muhabet. Zyhdiu në atë kohë, vazhdonte të shkruante novela dhe tregime, në disa fletore, të cilat qarkullonin nëpër kamp, në njerëz të besimit. Të shkruaje në burg, ishte e ndaluar.
Për këtë arsye dorëshkrimet fshiheshin nën çatinë e ndonjë salle leximi ose, magazinën e ushqimeve. Ato ishin vende të sigurta, meqë kontrollet bëheshin aty ku flinim. Gjatë kontrollit, krevati prishej dhe dysheku kthehej përmbys.
Në qofte së të gjenin ndonjë material të tillë, më e pakta, ishin 30 ditë birucë. Birucat e Spaçit, nuk i provova, por nga ato që tregonin bashkëvuajtësit që i kishin provuar, nuk kishin asnjë krahasim me birucat e hetuesisë, nëpër Degët e Brendshme. Ishin çnjerëzore.
Kushtet e këqija në të cilat do të kaloje dënimin (sidomos gjatë dimrit), shpesh të shkatërronin shëndetin, dhe mjaft bashkëvuajtës, përfundonin në infermierinë e burgut.
Më kujtohen dy nga tregimet e Zyhdiut. Po mundohem, shkurt, t’i tregoj. Në njërën, historia e dashurisë ndërmjet dy të rinjve. Vajza nuk ishte me “biografi të mirë”. Kjo kishte nxitur familjarët e djalit, të ndërhynin dhe ta prishnin këtë lidhje. Më pas ky djalë që i pëlqente moda dhe muzika e huaj, kishte rënë në burg. Kishin kaluar disa vite.
Një natë aty ku flinte, i rrethuar nga ajri i rënde i gjithë atyre burrave, gërhitjeve dhe frymëmarrjeve të çrregullta të bashkëvuajtësve, pas një pune të lodhshme në minierë, ndjen prekjen e një dore delikate dhe shfaqjen e një fytyre të ëmbël, që i nxjerr gjumin.
Ishte vajza që e kishte dashuruar. Në këtë çast ai kuptoi gabimin e tij të rëndë, për dashurinë e pastër të asaj vajze, dashurinë që kishte humbur. Atë dashuri që ai nuk kishte ditur ta mbronte.
Në tjetrën, historia e një djali te vogël, që banonte në një shtëpi afër pyllit. Të atin e kishte në burg. Ai ishte ulur në parvazin e dritares dhe po shihte jashtë. Ishte nata e vitit të ri dhe të gjitha kafshët e egra, kishin lënë mënjanë hasmëritë e tyre dhe festonin së bashku rreth një zjarri.
Edhe ai priste më kot të atin, që nuk po vinte…! I vogli nuk arrin te të kuptonte, se si ishte e mundur që, në një festë kaq të madhe, kafshët bashkoheshin, kurse njerëzit jo!
Kisha kaluar disa vite në Spaç. Auto-burgu vinte dy herë në muaj. Në atë kohë dënimet ishin shtuar dhe numri i të burgosurve kaloi nga 600-700 veta, kur shkova unë, në mbi 1400, kur u lirova. Një ditë, një shok më tregoi në një farë largësie, një djalë te ri që sa kishte ardhur. Më tha se ishte poet dhe quhej Visar Zhiti. Nuk m’u dha rasti ta njoh.
Ishin muajt e fundit të 1982-shit. Kisha hyrë në vitin e shtatë, kur në kamp filluan të qarkullojnë fjalë, për amnisti. Unë nuk u besoja këtyre fjalëve, që përsëriteshin çdo vit. Kishte 20 vite që kjo gjë nuk po ndodhte. Më pas, në fillim të Nëntorit, këto fjalë u bënë realitet dhe pasi pritën të kalonin dhe festat e 7-8 nëntorit, në datën 15, u bë amnistia.
Por, nuk u liruan të gjithë. Dolën vetëm ata që kishin dënime “të vogla” ose, që u kishte mbetur pak për të bërë. Liruan edhe pleqtë. Pjesës tjetër, iu bë një ulje. U përshëndeta me mjaft shokë, që lashë ende në burg.
Një prej tyre ishte edhe Leonidha Marko, nga Levani. Me të dhe me Andonin, shoqëroheshim. Ai ishte dënuar rëndë, për arratisje. Amnistia e gjeti me 8 vite burg të bërë dhe duhej të bënte ende vite të tjera. Edhe ai kishte një histori të veçantë. Që në moshë shumë të re, ishte larguar nga shtëpia për të studiuar artin e lundrimit.
Pasi kishte mbaruar shkollën, megjithëse i ri në moshë, e kishin caktuar të drejtonte një anije peshkimi në Durrës. Kur ishte kthyer me pushime, ishte takuar me shokët e vegjëlisë. Në bisedë e sipër, ata i kishin thënë se donin të arratiseshin.
Leonidha ishte një djalë i pjekur dhe e kuptoi se kjo bisedë, herët o vonë, do të përfundonte në vesh të Sigurimit. Për të kishte dy zgjidhje; Të denonconte ose, të arratisej.
Duke qenë njeri me karakter, i rritur në një familje të ndershme, preferoi rrugën e dytë. Kur u kthye në Durrës, filloi të planifikojë largimin e tij nga Shqipëria. Një anije greke, e cila ishte në pritje të lejes për t’u larguar, ishte ankoruar në një farë largësie, nga porti.
Në një natë të muajit maj, Leonidhës iu desh të përshkonte me not një largësi të konsiderueshme dhe të përballej me ujin ende të ftohtë të detit. Kur arriti tek anija, u përpoq të ngjitej në kuvertë që të fshihej diku, deri sa anija të dilte në ujëra ndërkombëtare. Për fatin e tij të keq, nuk arriti të gjente asnjë litar rreth anijes, që t’i jepte mundësinë.
Atëherë kërkoi ndihmë, pasi i ftohti kishte bërë punën e tij. Kur u ngjit në anije, pas dushit dhe rrobave të thata, i dhanë një pije për ta ngrohur. Kjo pije e kishte vënë në gjumë menjëherë. Kur e zgjuan, e prisnin operativi i Portit dhe punonjës të tjerë të Sigurimit të Degës së Durrësit. Pas hetuesisë, e dënojnë me 12 vite burg.
Pasi kishte kaluar mbi një vit, arrestojnë shokët e tij në Levan, për bisedë arratisje. Gjatë hetuesisë, dikush prej tyre kishte përmendur emrin e Leonidhës, si person që kishte pasur dijeni.
E marrin nga kampi, për ta nxjerrë dëshmitar. Meqenëse nuk pranoi, e futën në grup me shokët e tij dhe e dënuan me 14 vite. Burgu që kishte bërë nuk i llogaritej dhe dënimi i fillonte ditën e vendimit të gjyqit.
Shkova në shtëpinë e tij në Levan, pas disa vitesh kur u lirua. Erdhi me bashkëshorten për të na përcjellë, kur do të shkonim në Jugosllavi. Prej shumë vitesh, jeton në Greqi. I uroj nga zemra të gjitha të mirat.
Na ndanë në grupe në bazë të rretheve. U përshëndeta dhe me Andonin, i cili do të udhëtonte për në Fier. U nda va edhe me bashkëvuajtës të tjerë. Në çastet e para kur na ndanë në dy zona të ndryshme, shihja shokët që do të lija në burg, që përshëndesnin me gëzim për lirimin tonë, duke na tundur dorën.
Shihja fytyrat e atyre që po liroheshin. Ishim të trishtuar për shokët që po linim pas, ata shokë, me të cilët kishim ndarë bukën dhe vuajtjet.
Kjo situatë vazhdoi deri sa erdhën kamionët. Më pas mendimi u përqendrua në familjen ku do të kthehesha, në shtëpinë e në qytetin e dashur, ku kisha kaluar shumë vite të lumtura, dhe në lirinë që po fitoja.
Por nuk do të ishte kështu. Po më priste një jetë e vështirë, me probleme dhe vuajtje të tjera, por jo më të lehta, se ato që kisha kaluar…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016